Dy deputetë të PS-së flasin hapur, kurse Luan Bregasi sa nuk “bërtet” për luftë ndaj biznesmenëve që kanë kapur krejt shtetin
Të
gjithë jemi të bindur se suksesi i qeverisjes së Edi Ramës do të jetë
mbajtja e premtimeve. Pjesë e këtyre premtimeve është lufta kundër
korrupsionit. Qytetari shqiptar dhe organizmat ndërkombëtare presin nga
kryeministri Edi Rama që të jetë i pamëshirshëm në luftën kundër
korrupsionit, qofshin këta ish-ministra, ish-drejtues doganash,
tatimesh, apo ministra aktual.
Edi
Rama, si opozitar ka qenë kritik ndaj qeverisë së Berishës duke e
akuzuar se: “... qeveria e nxori Shqipërinë në një ankand ku me vendime e
ligje të qepura enkas, pasuri të panumërta i kanë kaluar blerësit të
paracaktuar më parë... Janë kusuret e një grabitjeje të realizuar përmes
vënies së qeverisë së Republikës në shërbim të interesave të
qeveritarëve dhe përmes rrënimit të institucioneve të shtetit...”.
Dhe
për çudinë e të gjithëve debati i ashpër aktualisht është zhvendosur
midis vetë deputetëve të Partisë Socialiste, kur do të votohej Kryetari i
Gjykatës Kushtetuese. Me sa duket, beteja e monopoleve të biznesit nuk
është thjesht batuta midis politikanëve me njëri-tjetrin, por interesa
madhore biznesi. Këtë e vërtetojnë deklaratat e forta të deputetit Erjon
Braçe dhe Tom Doshi në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së.
Deputeti Doshi ka folur “pa doreza” dhe ka qenë i drejtpërdrejtë siç di
të jetë ai, duke guxuar t’i drejtohet kryeministrit Rama hapur e pa
frikë. Ndërsa deputeti Erjon Braçe që ka një arkiv të bollshëm më bëmat e
qeveritarëve të Berishës, këtë radhë ka drejtuar shigjetat edhe tek
kreu i Gjykatës Kushtetuese duke e akuzuar për çështjen e ngjyrosjes së
karburanteve, duke theksuar se “...ky gjyqtar që ka ndikuar dhe në
vendimmarrje në Gjykatën e Kushtetuese, këtë herë për këtë çështje
vendimi i marrë apo që është shpallur ka qenë drejtpërdrejtë në interes
të një kompanie, e cila mbetet okulte dhe sot e kësaj dite dhe që
përfiton nga ky koncesion të paktën 20 milionë dollarë në një vit vetëm
nga tarifa-taks kombëtare”.
Më
tej, deputeti Braçe ka qenë i ashpër duke argumentuar se kjo kompani,
për shkak se ngjyros dhe karburantin që prodhohet në vend dhe nga
kompani të tjera, përfitimi i kësaj kompanie është 300 milionë dollarë
në vit. Më i ashpër ka qenë kryetari i shoqatës së “Business Albania”,
zoti Luan Bregasi, i cili ka theksuar se: “Vetëm në Shqipëri kanë
ndodhur absurditete të tilla, një kompani (“Stream Oil”, 35 milionë
dollarë pa paguar) që ka marrë një pasuri kaq të madhe siç është nafta,
të mos paguajë asnjë lek tatim-fitimi. Përse e ka dhënë shteti këtë
koncesion?”, - pyet me të drejtë z.Bregasi, i cili akoma nuk ka gjetur
përgjigje konkrete nga qeveria e re e Edi Ramës. Akuzat e zotit Bregasi
janë të drejtpërdrejta dhe pa ekuivoke, i cili akuzon se politikanët
shqiptarë janë të përfshirë në këto afera. Kryetari i “Biznes Albania”,
zoti Bregasi thekson se: "Këto të ardhura shkojnë në kanalet private dhe
nëpërmjet tyre edhe në xhepat e politikanëve, qeveritarëve. Kjo është
një goditje shumë e madhe që i është bërë edhe sipërmarrjes private".
Këto deklarata zyrtare të deputetëve të lartpërmendur kanë nevojë që zyra e Prokurorisë t’i marrë për hetim. Nga ana tjetër,
nëse politika e mazhorancës është e sinqertë se do të luftojë monopolet
në vend, Qeverisë së re i lind detyra në mënyrë urgjente t'i rishikojë
të gjithë koncesionet se aty janë burimet që mund të rrisin të ardhurat
në buxhetin e shtetit. Ky rishikim nuk duhet të bëhet për t’ia hequr
koncesionin padrejtësisht një biznesmeni të djathtë për t’ia dhënë një
të majti, por të synohet objektivitet në të mirë të publikut dhe
zhvillimit të vendit tonë. Natyrisht, kjo nuk është një betejë e lehtë.
Kjo është në radhë të parë një betejë midis vetë politikës. Kjo është
një betejë midis politikës dhe monopoleve, kryesisht të krijuara nga
vetë politika. Kjo është një betejë e Edi Ramës për të treguar se
“Rilindja” e tij e ka seriozisht luftën kundër korrupsionit. Dhe mbi të
gjitha kjo është një betejë e drejtësisë që kërkon guxim dhe kurajë për
të triumfuar ndaj korrupsionit.
Strategjia
e Edi Ramës për të luftuar koncesionet e paligjshme nuk duhet mbetur në
letër. Edi Rama, shpreh siguri se “dosjet janë të blinduara”, pikërisht
për këtë qëllim, Ai nuk duhet të presë sa të krijojë Byronë Kombëtare
të Hetimit, por duhet me “këto dosje” të godasë sa më shpejt
korrupsionin.
Kryeministri Rama gjithçka e bën për ato që thotë,
por vetëm në një gjë do të shikojmë nëse e bën siç e thotë: shkatërrimin
e gjithë monopoleve të blinduara në Shqipëri. Mundet t’i rrëzojë, por
mundet edhe të rrëzohet qeveria e tij përballë këtyre monopoleve!
No comments:
Post a Comment