Nuk
i zhgënjeu aspak shqiptarët e Kosovës. Vizita e tij atje shkoi ashtu
sikurse ata e prisnin. Si një çetnik i vërtetë që kërkon të mbjellë
farën e përçarjes dhe të urrejtjes mes shqiptarësh, duke mos respektuar
dhe injoruar simbolet e krenarisë së këtij shteti.
Nuk
kishte ndodhur asnjëherë gjatë këtyre viteve të historisë së shtetit të
Kosovës që të kishim një konflikt institucional mes Kryeministrisë dhe
Presidencës së Kosovës. Rama ia arriti ta ndezë një konflikt të tillë.
Presidenca e Kosovës me korrektësinë e institucionit më të lartë të
shtetit e konsideroi dje Ramën “Kryeministrin e mandatuar” të
Shqipërisë, ndërsa zyra e Kryeministrisë së Kosovës, Kryeministër të
Republikës.
Vendosja
“Kryeministër i mandatuar” në njoftimin zyrtar të Presidencës së
Kosovës ka shkaktuar konfuzion dhe tension në stafin e Ramës, të cilët i
kanë kërkuar Jahjagës që ta ndryshojë emërtimin duke e konsideruar,
Ramën, Kryeministër të Shqipërisë dhe duke hequr fjalën i “mandatuar”,
Përgjigjja
e dhënë nga Jahjaga ka qenë e prerë, ajo e një gruaje të hekurt të
përkushtuar ndaj institucioneve dhe kornizave kushtetuese jo vetëm të
vendit të saj, por edhe të Shqipërisë: “Unë
nuk mund të gënjej. Përderisa Rama nuk është votuar nga Kuvendi i
Shqipërisë është Kryeministër i mandatuar”, ka qenë reagimi i
Presidentes Jahjaga.
Ndryshe
nga zyra e Jahjagës veproi zyra e Kryeministrit të Kosovës. “Kortezia”
pa sens dhe e tepruar e ka çuar të bëjë një gafë, duke tejkaluar
kornizat ligjore dhe duke e konsideruar Ramën si “Kryeministrin e
Shqipërisë”.
Që
të bëhesh Kryeministër i Shqipërisë duhet të kesh vulën e institucionit
më të lartë ligjvënës të Shqipërisë, që është Parlamenti, dhe Rama nuk e
kishte këtë vulë dje. Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka gabuar, duke i
tejkaluar kompetencat e veta dhe duke injoruar edhe institucionet
shqiptare dhe në rastin konkret, Kuvendin e Shqipërisë, i cili ende nuk e
ka thënë fjalën e vet në emërtimin e Ramës.
Një
gabim i rëndë i Ramës në raportet me Kosovën ka qenë dje anashkalimi i
Presidentit të ndjerë të Kosovës, Rugova në fjalimin e mbajtur para
Kuvendit të Kosovës. Rugova është një simbol jo vetëm i Kosovës, por një
simbol kombëtar. Në figurën e tij personifikohet përpjekja, lufta dhe
historia e Kosovës kur në ditët më të zeza të regjimit të Milosheviçit,
ai u ngrit dhe shpalli Republikën e Kosovës.
Dhe
Rama e anashkaloi Rugovën. E injoroi figurën më emblematike të
historisë së rezistencës paqësore jo vetëm të Kosovës, por të gjithë
Evropës së shekullit XX, pikërisht në shtëpinë e tij. Dhe një njeri që
nuk respekton dhe nuk nderon të zotët e shtëpisë ku ka shkuar meriton të
zbohet.
Ishte
po ky Ramë që dje injoroi kontributin e Ibrahim Rugovës, të atij që u
quajt në kancelaritë diplomatike si Gandi i Evropës për rolin dhe
qëndresën e tij në shtetformimin e Kosovës, ndërsa nuk harroi që të
nderonte një çetnik si Goran Bregoviçi kur ishte kryetar Bashkie i
Tiranës.
E
ndërsa Rugova përcillte mesazhet e pavarësisë së Kosovës përmes
rezistencës paqësore përballë regjimit më kriminal e të përgjakshëm të
Evropës, Goran Bregoviç ishte vetëshpallur si ambasador i Milosheviçit
për ruajtjen e ekzistencës së Serbisë së madhe. Ishte miku i ngushtë i
Ratko Mlladiçit, Vojisllav Sheshelit, Zheljko Raznjatoviçit-Arkanit, në
koncertet që jepte për ta në kohën e luftës në Kroaci, Bosnje, në
Vukovar, Palë, Banja Luka, Srebrenica, ndërsa këto qytete ishin në prag
të luftës civile për të ndezur flakën e nacionalizmit serb.
Nuk
vlerësoi dje në Kuvendin e Kosovës figurën e Ibrahim Rugovës, por në
Tiranë nuk hezitoi për asnjë moment të pozonte në krah të Goran Bregoviçit,
pikërisht me atë që u kthye në frymëzuesin e miteve serbe, frymëzuesin e
masakrave në Kosovë, sidomos me këngët "Kallashnikov", "Juriiiis"
(Sulm)... "Pucaaaaaj" (Qëllo-zjarr)! Veçanërisht kënga "Kallashnikov" u
bë këngë e preferuar e çetnikëve të Sheshelit, "tigrave" të Arkanit
etj., këngë që shpërthente nga kasetofonët e automjeteve të ushtarëve
dhe paramilitarëve serbë, që bënin vrasje, përdhunime dhe spastrim etnik
në Kosovë.
Nuk
ka shqiptar që të mos e ketë fiksuar ceremoninë e dekorimit nga Rama në
Tiranë të këngëtarit Goran Bregoviç, edhe për faktin se ajo bëhej në të
njëjtën ditë kur në Gjakovë mbërrinin nga Serbia trupat e 49
shqiptarëve të Kosovës të vrarë nga kallashnikovi i Milosheviçit, të
cilit Bregoviçi i këndonte në Tiranë me bekimin e Ramës.
Ajo
ceremoni dukej më e freskët se kurrë dje në Prishtinë. Mesazhet e
përçarjes dhe të urrejtjes që Rama tentoi të nxisë dje në Kosovë nuk i
japin vizitës së Ramës atributet e një Kryeministri të Shqipërisë, por
të një çetniku. Edhe vetë Bregoviçi po të kishte shkuar në Kosovë
ndoshta nuk do të kishte guximin të bënte atë që Rama bëri duke
përdhosur simbolet dhe historinë jo vetëm të Kosovës, por të kombit
shqiptar në përgjithësi.
Kosova
kurrë nuk është treguar aq e ftohtë, aq e egër, aq hakmarrëse, aq
përbuzëse sa u tregua dje ndaj Edi Ramës. Për të mos folur për burra
shtetesh, ajo Kosovë ka mikpritur turli diplomatësh, ambasadorësh edhe
me status të çalë, sportistësh, aktorësh humoristë dhe këngëtarësh
tallavash nga Shqipëria shumë herë në mënyrë më dinjitoze se sa u soll
dje ndaj Edi Ramës.
Rrallë
mund të gjesh në Prishtinë atë sjellje me të cilën foli dje salla e
Kuvendit të Kosovës. Një sallë e boshatisur që i ngjante një të urti që
fliste ndoshta për të parën herë me zë të lartë dhe ulëritëse duke thënë
“kush vjen pa ftuar, e gjen të pashtruar”.
Rama
është në borxh me Kosovën. Jo vetëm pse ai dekoroi një çetnik që i
këndonte paramilitarëve që vrisnin në Kosovë, por se me të njëjtën
poshtërsi dhe urrejtje injoroi në Kuvendin e Kosovës figurën historike
të rezistencës Paqësore.
Rama
është në borxh me Kosovën jo vetëm se ai ka marrë si këshilltar të tij
një pinjoll të një kryepolici të regjimit të Milosheviçit në Kosovë, që i
ka lyer duart me gjakun e
shqiptarëve të pafajshëm, por se mbi të gjitha anatemoi dhe mallkoi
rrugën e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë duke u shprehur se do të
ishte më mirë që të ishin ndërtuar kopshte dhe shkolla në Tiranë se të
ndërtohej “Rruga e Kombit”.
Një
mur i lartë është ngritur. Jo brenda një dite apo nate të vetme, jo
ashtu rastësisht, por për vite e vite me radhë. Nuk është ngritur me
kontributet e përbashkëta, Shqipëri-Kosovë. Një njeri i vetëm e ka
dashur dhe e ka ngritur murin gjigant ditë pas dite dhe vit pas viti.
Nuk është ndarës mes nesh që jetojmë në këtë anë dhe pjesës tjetër, por
mes Edi Ramës dhe Kosovës.
Dhe
sikur t’i bjerë për çdo ditë me kokë atij muri, nuk do të mund ta
shembë më as sot as mot. Edhe sikur t’i shkruajnë hartimet më të mira
dhe patriotike, përsëri nuk do të mund ta bëjnë që ta kapërcejë atë mur.
Edhe sikur të përpëlitet ashtu si dje për t’u njohur, pranuar dhe
respektuar si Kryeministër i kësaj ane edhe në Kosovë, ata nuk do ta
njohin kurrë si të tillë.
No comments:
Post a Comment