Në përfundim të zgjedhjeve të 23
qershorit dhe krijimit të qeverisë së re, Shtetet e Bashkuara të
Amerikës apelojnë që maxhoranca dhe opozita të punojnë së bashku.
Zv.ndihmëssekretari
i Shtetit për Europën dhe Euroazinë, Filip Riker, tha në një intervistë
për “Bugajski Hour”, dhënë për gazetarin Janush Bugajski në “AS”:
“Këtu
nuk ka ‘fituesi merr gjithçka’. Është çështje e të punuarit së bashku.
Më pëlqen ajo që thatë për ‘shtrirjen e dorës’.
Pikërisht
përpiqemi të bëjmë në diplomacinë tonë, ku mbajmë kontakte me të gjithë
spektrin politik në të gjitha këto vende. Ambasadori ynë, Aleksandër
Arvizu, ka qenë jashtëzakonisht i hapur për t’u takuar dhe folur me të
gjithë njerëzit, dhe e ka bërë këtë që pas zgjedhjeve, përsa i përket
angazhimit të tij, urimeve të përcjella në emër të Presidentit Obama dhe
SHBA-ve për zhvillimin e mirë të zgjedhjeve dhe nxitjen prej tij për ta
rrokur këtë mundësi teksa qeveria e re përgatitet të marrë drejtimin në
shtator dhe të ulet të punojë për njerëzit”.
Sipas
tij, administrata e re duhet të fokusohet te perspektiva europiane.
Riker tha se axhenda europiane i jep Shqipërisë një rrugëkalim shumë të
saktë, gjëra të qarta, të cilat duhet të arrihen në lidhje me reformën
legjislative, shtetin ligjor dhe në lidhje me pushtetin gërryes të
korrupsionit.
“Këtu në SHBA ne jemi
marrë me këto sfida dhe duhen shumë përpjekje; nevojitet vullnet i
unifikuar, nevojitet një marrëveshje përtej vijave politike dhe që të
ketë një axhendë të përbashkët. Detajet specifike se si arrihet kjo mund
të diskutohen. Kjo është diçka e shëndetshme; kjo mund ta bëjë një vend
më të fortë, një politikan më të fortë, por mendoj se është e
rëndësishme që të mos lejohet politika ose axhenda nacionaliste apo
axhendat individuale që të dalin para këtij qëllimi të përbashkët”,
theksoi më tej zyrtari i lartë amerikan.
Duke
folur për zgjedhjet e 23 qershorit, Riker tha se populli shqiptar duhet
përgëzuar për procesin që realizoi. Sipas tij, zgjedhjet treguan se
arritën standardet e OSBE/ ODIHRit. “Ka pasur një lloj devijimi nga
rruga drejt reformave – vështirësi në përmbushjen e kritereve të BE-së,
synimi i Shqipërisë për të marrë statusin kandidat u anashkalua nga
politika e vitit zgjedhor. Mendoj se këto zgjedhje pasqyruan jo vetëm
për popullin e Shqipërisë, por edhe për vëzhguesit në Europë dhe këtu në
SHBA, që këto ishin zgjedhje të reja, arritën një standard, arritën
standardet e OSBE-së dhe ODIHR-it dhe tani fillon puna e vështirë për
t’u kthyer në rrugën e BE-së.
Është
një rrugë e gjatë reformash. BE së bashku me SHBA janë aty për ta
mbështetur Shqipërinë në këtë proces”. Gjatë intervistës Riker vlerësoi
edhe pjesëmarrjen e gjerë të grave në qeverinë “Rama”. “Mendoj se është
shumë e rëndësishme të nxitet pjesëmarrja e grave në politikë, në
udhëheqje. Mendoj se anembanë Europës, për shembull, shihen raste të
forta kur pjesëmarrja e grave ka qenë diçka shumë pozitive, ku barazia
gjinore është diçka shumë e rëndësishme dhe sa më shumë pjesëmarrje të
ketë, aq më mirë. Gratë bëhen udhëheqëse të shkëlqyera”, deklaroi
zyrtari i lartë amerikan.
No comments:
Post a Comment