Armin TIRANA
Po sikur bolshevikët të mos kishin ardhur në pushtet në Rusi?
Po sikur bolshevikët të mos kishin ardhur në pushtet në Rusi?
Kryengritja
bolshevike qe një grusht shteti, një kapje pushteti. Masat nuk qenë të
përfshira aspak dhe në fakt, publiku i përgjithshëm nuk e dinte se po
ndodhte ndonjë gjë. Në qoftë se lexoni gazetat nga ajo kohë gjeni se
teatrot po funksiononin, jepeshin koncerte dhe
askush nuk e dinte se
çfarë po ndodhte. Ajo qe thjesht një kapje pushteti e vërtetë. Kështu që
mendoj se sikur bolshevikët mos ka kishin marrë pushtetin në nëntorin e
vitit 1917, skenari më i mundshëm është se ushtarakët – oficerët – do
ta kishin përmbysur qeverinë e përkohshme dhe ndoshta do të kishin
vendosur ndonjë lloj diktature ushtarake për pak kohë dhe eventualisht
do ta kishin rivendosur Carin Nikolla II në fron. Mendoj se ky është
ndoshta skenari më i mundshëm.
- A mund të ishte ndaluar kryengritja bolshevike?
Dëgjoni,
unë mendoj se sikur qeveria e përkohshme që përmbysën bolshevikët do të
kishte qenë më efektive atëherë, po, kjo mund të kishte ndodhur. Por
problemi ishte se Kryeministri (Alexander Kerensky) ishte një lider i
dobët dhe nuk dinte sesi të përballej me bolshevikët. Kështu që është e
mundur se sikur të kishte pasur një lider më të fortë atëherë
bolshevikët do të kishte qenë e mundur të ndaloheshin. Por lidershipi
ishte i dobët dhe Rusia nuk kishte asnjë përvojë në qeverisje, pasi
kishte qenë për aq shumë vite nën autokraci saqë nuk e zhvilluan një
qeveri efektive. Kerensky, të cilin rastësisht ndodhi që e njoha
personalisht, nuk diti sesi t’i kundërvihej Leninit.
- A pati ndonjë pikë kthese kur rrjedha e ngjarjeve mund të kishte shkuar nga të dyja krahët?
Qeveria
e përkohshme mund të kishte grumbulluar ushtrinë për të ndaluar
kryengritjen. Në gushtin e vitit 1917 ishte një gjeneral (Lavr Kornilov)
– një njeri mjaft efektiv dhe popullor – i cili u përpoq që ta
shpëtonte qeverinë e përkohshme nëpërmjet grumbullimit të ushtrisë. Por
Kerensky, prej frikës së një grushti shteti nga ana e Kornilov,
çarmatosi ushtrinë dhe armatosi bolshevikët për të mundur pikërisht këtë
ushtri, kështu që kur kryengritja filloi në muajin nëntor, Kerensky nuk
kishte më asnjeri se kush ta ndihmonte. Realisht, ai e menaxhoi aq keq
situatën sa nuk kishte se ku të shkonte më. Pati njerëz nga ushtria që e
kuptuan rrezikun e bolshevizmit dhe u përpoqën që ta ndalonin atë dhe
donin ta ndihmonin qeverinë e përkohshme, por Kerensky e refuzoi ndihmën
e tyre dhe i çarmatosi ata. Kornilov dërgoi trupa në Petrograd, i cili
në atë kohë ishte kryeqyteti i Rusisë dhe ata gjithashtu u çarmatosën.
Qeveria e përkohshme armatosi kundërshtarët e saj. Kështu që kur erdhi
nëntori, ushtria qëndroi spektatore dhe nuk ndihmoi.
- A do të ishte bërë sërish Rusia një vend komunist pa kryengritjen bolshevike?
Oh
jo, sigurisht që jo. Mbështetja e vetme që patën bolshevikët për
komunizmin në atë kohë ishte se ata donin paqe nga Lufta e Parë
Botërore. Vendi ishte aq i lodhur nga një luftë, e cila nuk po shkonte
asgjëkundi dhe bolshevikët qenë pala e vetme që mbështeste paqen. Dhe
kjo qe ajo që u dha një lloj mbështetjeje, jo ideologjia komuniste.
Komunizmi nuk qe kurrë një çështje e rëndësishme për popullin rus.
- Çfarë mendoni se do të kishte qenë Rusia pa komunizmin?
Rusia
ka shumë gjasa që do të ishte zhvilluar në atë që është sot: një lloj
qeverisjeje gjysmë autokratike dhe gjysmë demokratike. Sipas sondazheve
të opinionit publik, rusët nuk e pëlqejnë demokracinë. Ata e
identifikojë demokracinë me krimin, anarkinë e kështu me radhë. Kështu
që pëlqejnë një dorë të fortë, një sundues të fuqishëm. Kështu që ka
mundësi se ajo që do të kishit do të ishte një regjim autokratik me disa
të drejta civile dhe ka shumë të ngjarë sipërmarrje private. Ka mundësi
që do të kishin rivendosur monarkinë në këtë regjim gjysmë autokratik
dhe gjysmë demokratik. Mendoj se do të kishit një Parlament siç kishit
përpara lufte, përpara revolucionit, i cili do të kishte pushtete të
kufizuara anipse do të duhej të miratonte legjislacioni, por monarkia do
të kishte qenë shumë e fortë.
- Si do të kishte ndryshuar marrëdhënia e Rusisë me Perëndimin pa komunizmin?
Unë
mendoj se marrëdhëniet do të kishin qenë krahasueshmërisht më mirë sesa
qenë nën komunistët. Monarkia ruse ishte në tërësi miqësore ndaj
Perëndimit dhe mësoi shumë prej tij. Ajo nuk ishte antiperëndimore. Në
fakt, Cari Nikolla II dhe Mbreti Xhorxhi V qenë kushërinj. Strategjia
dhe taktikat antiperëndimore u huazuan nga komunistët, për shkak se ata
donin ta komunistizonin të gjithë botën, përfshi Perëndimin.
- Pa një Rusi komuniste, a do ta kishin ndjekur sërish rrugën vende si puna e Kinës?
Nuk
mendoj se do ta kishin ndjekur, jo. Rusia siguronte një model dhe
gjithashtu siguronte mbështetje. Për shembull, Kina nuk do të ishte bërë
komuniste në qoftë se Rusia nuk do të ishte komuniste. Në thelb,
komunizmi u importua nga Rusia dhe nuk shikoj se kishte ndokund ndonjë
diçka të ngjashme me Partinë Komuniste përpara influencës ruse.
- A qe komunizmi i rëndësishëm për Rusinë? A e ndihmoi ai vendin në ndonjë aspekt?
Ai
qe katastrofë në çdo aspekt. Dhjetëra milion njerëz humbën jetën. Është
e vërtetë se ata ndërtuan industritë e tyre, por pjesa më e madhe e
këtyre industrive qe e drejtuar nga ushtria. Dhe siç mund ta shikoni
sot, pas gjithë këtyre viteve komunizëm, Rusia nuk mund të eksportojë
asgjë jashtë vendit përveç lëndëve të para. Ju nuk shikoni ndonjë mall
konsumi rus; të gjitha mallrat e konsumit që importojmë këtu vijnë nga
Kina, jo nga Rusia. Përpara revolucionit bolshevik, Rusia po zhvillohej
me shumë shpejtësi drejt një vendi industrial. Në vitet 1890, Rusia
kishte një rol industrial dhe po drejtonte në botë, kështu që mendoj se
ajo do të ishte bërë një vend industrial pa komunistët. Komunistët
industrializuan, ama vetëm në mënyrë ushtarake. Nën regjimin e tyre
rreth 25 për qind e prodhimit të përgjithshëm kombëtar shkonte në
shpenzime ushtarake.
- A do ta kishte pasur sërish Rusia një luftë civile më 1918 dhe a do të kishte hyrë ajo në Luftën e Dytë Botërore?
Sigurisht
që nuk do të kishte pasur asnjë luftë civile dhe mendoj se në qoftë se
nuk do të kishim pasur komunizëm atje ka mundësi që nuk do të kishim
pasur as Luftë të Dytë Botërore, pasi ky konflikt shpërtheu vetëm pse
komunistët në Gjermani ndihmuan Hitlerin që të vijë në pushtet dhe në
gusht të vitit 1939 Rusia i dha atij kartabiankë për të nisur luftën
kundër Polonisë, Francës dhe Anglisë. Nuk mund ta garantoj se nuk do të
kishte pasur asnjë luftë, por, ju e dini, se rusët sigurisht që e
ndihmuan Hitlerin të vijë në pushtet. Sikur komunistët në Gjermaninë e
vitit 1933 do ta kishin lidhur veten me socialdemokratët, atëherë ata do
t’i kishin fituar zgjedhjet në vend të Partisë Naziste të Hitlerit. Por
Stalini i urdhëroi komunistët në Gjermani që të mos bashkëpunonin me
socialdemokratët, kështu që ata e përçanë opozitën dhe Hitleri fitoi.
- Pa komunizmin, Rusia nuk do të kishte pasur figura si Stalini dhe Lenini, apo jo?
Nuk
do të kishte pasur asnjë diktaturë të tillë dhe për pasojë, asnjë
diktator të tillë. Përpara revolucionit, Rusia ishte një vend gjysmë
kushtetues, por nuk ishte diktaturë. Ligjet zbatoheshin dhe Parlamenti
kishte të drejtën e vetos ndaj legjislacionit, por nuk ekziston asnjë
krahasim midis asaj që ndodhte përpara revolucionit me atë që ndodhi pas
tij.
- Sikur Rusia të mos kishte humbur ndaj Gjermanisë në Luftën e Parë Botërore, a do ta kishin marrë sërish bolshevikët pushtetin?
Bolshevikët
qenë në gjendje ta merrnin pushtetin jo sepse populli donte komunizmin,
por sepse ai donte që të përfundonte Luftën e Parë Botërore dhe në
qoftë se Rusia do ta kishte fituar luftën, unë mendoj se komunistët nuk
do të kishin pasur asnjë shans. Ata e futën në lojë komunizmin në një
platformë antiluftë. Lenini qe mjaft i kujdesshëm për të mos e përhapur
komunizmin kur erdhi fillimisht në pushtet; ai fliste vetëm për paqe dhe
kur bëri paqen me gjermanët pak muaj pasi mori pushtetin, ai qe mjaft
popullor. Por, ju e dini, në zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese që u
mbajtën në nëntor të vitit 1917, me bolshevikët tashmë në pushtet, ata
morën vetëm çerekun e votave. Ata nuk patën mbështetje të gjerë nëpër
vend dhe masa që ata arritën të kenë mbështetje ishte në platformën e
paqes, jo të komunizmit. Shumica e publikut ishte për socializëm, për
parti socialdemokrate të rregullta që nuk ishin në favor të diktaturës,
abrogimit të pronës private e kështu me radhë, siç dhe qenë bolshevikët.
Socialistët patën shumicën e votuesve në zgjedhjet e përgjithshme.
- Kështu që do të thoshit se komunizmi u imponua ndaj Rusisë dhe pjesës tjetër të botës?
Lenini
kishte një objektiv mjaft të qartë, por e dinte se nuk mund të krijonte
një Rusi komuniste pa e përhapur komunizmin në mbarë botën, kështu që
ideja e tij ishte që ta përhapte komunizmin fillimisht nëpër Europë dhe
më pas në pjesën tjetër të botës. Gjithashtu e dinte se komunizmi vetëm
në Rusi nuk mund të funksiononte. Mao Ce Duni në Kinë imitoi Leninin dhe
Stalinin, pastaj komunizmi filloi në Korenë e Jugut, Kubë e kështu me
radhë, por nuk u bë kurrë një fenomen mbarëbotëror.
- A do të kish shpërthyer gjithsesi Lufta e Ftohtë me Amerikën në gjysmën e dytë e shekullit të njëzet?
Jo,
nuk do të kishte pasur asnjë Luftë të Ftohtë. Lufta e Ftohtë qe
rezultat i dëshirës së komunistëve për ta përhapur komunizmin në mbarë
botën dhe në mënyrë të veçantë për të mundur Shtetet e Bashkuar si
rivalin kryesor të tyre. Dua të them, përpara revolucionit bolshevik,
marrëdhëniet midis Rusisë dhe Amerikës qenë tejet miqësore. Unë mendoj
se pa këtë revolucion marrëdhëniet do të kishin qenë po aq të mira sa
kishin të paktën qysh nga shekulli i tetëmbëdhjetë.
- Kështu, në total, a do të kishte qenë Rusia atëherë një vend më i mirë sipas mendimit tuaj?
Unë
mendoj se Rusia po zhvillohej goxha mirë përpara Luftës së Parë
Botërore. Ajo kishte problemet e saj, për shembull, kishte shumë
fshatarë dhe jo shumë tokë të mjaftueshme, por këto probleme mund të
ishin zgjidhur. Kur bolshevikët erdhën në pushtet, ata në përgjithësi i
përkeqësuan këto probleme sesa zgjidhën ndonjë prej tyre.
- Dhe Rusia do të kishte qenë më mirë sot sikur kryengritja bolshevike të mos kishte ndodhur?
Oh,
sipas mendimit tim, do të kishte qenë shumë mirë, mentaliteti i
popullit do të kishte qenë ndryshe. Unë mendoj se rusët sot janë shumë
konfuzë lidhur me faktin e përkatësisë. Ata nuk ndjejnë se i përkasin
Perëndimit, por nuk i përkasin as Lindjes, kështu që janë të izoluar. Pa
atë revolucion bolshevik që u thotë atyre për 70 vjet me radhë se janë
një popull unik dhe se janë e ardhmja, unë mendoj se do të kishin qenë
shumë më të aftë për ta akomoduar veten në botën në tërësi.
Richard
Edgar Pipes është një ekspert në historinë ruse, sidomos i Bashkimit
Sovjetik. Ai është një akademik polako–amerikan, i cili në vitin 1976
kryesoi një ekip analistësh të sponsorizuar nga CIA për të analizuar
kërcënimin që paraqiste Bashkimi Sovjetik për Shtetet e Bashkuara. Ai ka
shkruar gjerësisht për Rusinë në shekullin e njëzet, përfshi tituj të
tillë si “Communism: A History” dhe “Russia Under The Bolshevik Regime”.
No comments:
Post a Comment