Thursday, September 26, 2013

Gjermani: Koalicioni (ende) i pamundur

Në Bundestagun e ri, SPD, e Majta dhe ekologjistët së bashku kanë tetë vende më shumë se Unioni CDU/CSU. Së bashku ata mund ta rrëzonin Merkelin, por kjo është vetëm llogari shifrash. Dallimet mes partive janë të mëdha.
Në 22 tetor duhet të konstituohet Parlamenti i ri federal gjerman. Sapo ai të jetë i aftë për të punuar, partia E Majta do të lëshojë goditjen e saj të parë:
një projektligj për një pagë minimale për gjithë territorin e Gjermanisë. Llogaria taktike është: nëse deri atëherë nuk është krijuar një koalicion qeverisës, në të cilin socialdemokratët (SPD) apo ekologjistët të jenë lidhur me Unionin CDU/CSU të Angela Merkelit, deputetët ekologjistë dhe socialdemokratë mund të votonin me të majtët në favor të ligjit. Pasi të tre grupet parlamentare janë për këtë model page minimale dhe kanë diferenca vetëm sa i takon nivelit të pagës për orë pune: e Majta kërkon 10 euro, ndërsa ekologjistët dhe SPD 8,5 euro. Unioni i fitueses në zgjedhje Merkel, e refuzon modelin dhe nuk pranon që të sanksionohet me ligj një pagë minimale në gjithë territorin e Gjermanisë.
"Nëse SPD dhe ekologjistët do ta merrnin seriozisht programin e tyre elektoral, duhej të formonin me ne një qeveri", thonë politikanët e majtë dhe nuk lodhen së bëri reklamë për një aleancë me socialdemokratët dhe ekologjistët. Kryesia e partisë në ditën pas zgjedhjeve deklaroi në mënyrë formale gatishmërinë e saj për bisedime dhe njëri prej kryetarëve Bernd Rieixinger, tha para gazetarëve se "partitë majtas kampit konservator kanë detyrimin të hyjnë në bisedime serioze me njëra tjetrën për të iniciuar një ndryshim politik".
Ekologjistët shohin tek të majtët fantazma të së kaluarës
Por ekologjistët dhe socialdemokratët kanë mendim krejt tjetër. Ata patën përjashtuar në mënyrë kategorike në fushatën elektorale një aleancë me partinë E Majta. Kandidati socialdemokrat për kancelar Peer Steinbrück tha se "nuk mund të përfytyrohet që me një partit të tillë të bësh politikë të besueshme dhe parashikueshme, brenda dhe jashtë". Akuza: partia E Majta me rreth 67.000 anëtarë, është e pallogaritshme për shkak të zënkave të saj të brendshme. Veçanërisht në perëndim të Gjermanisë, në radhët e saj ka komunistë radikalë dhe elementë sektarë, edhe në grupin parlamentar në Bundestag. Në ditën pas zgjedhjeve një nga kryetarët e ekologjistëve, Cem Özdemir, numëroi tre arsye përmbajtësore që flasin kundër të majtës. Ajo ashtu si dhe më parë bën shumë pak për t'u shkëputur nga fantazmat e së kaluatës së SED-it, në pjesën lindore të partisë, nuk pranon frenën e borxheve shtetërore të parashikuar nga kushtetuta dhe i mungon "angazhimi i qartë" për BE-së dhe përgjegjësinë ndërkombëtare.
Në krizën e euros E Majta ka jo pak diferenca me dy partitë e tjera. Në Bundestag deri tani ajo ka votuar kundër të gjitha paketave të shpëtimit për euron. Në të vërtetë ajo nuk e vë në pikëpyetje euron. Një propozim përkatës i Oskar Lafontaine u kundërshtua nga kryesia e partisë. Edhe në partinë E Majta dihet se me fundin e monedhës së përbashkët do të varfërohej jo vetëm jugu i Evropës por do të humbisnin edhe shumë vende punë në ekonominë gjermane të orientuar fort drejt eksporteve. "Të shpëtohet euro, por ndryshe nga Merkel", me këtë formulim mund të binte ndoshta dakord "kampi i majtë".
E Majta refuzon edhe misionet e helmetëkaltërve
Me kërkesën e saj për shpërbërjen e NATO-s partia e Majtë është e vetme. Por pranimi i faktit që asnjë qeveri gjermane nuk mund ta përmbushë këtë dëshirë të saj, mund të bëjë të arsyetojë edhe kritikët më të ashpër të NATO-s, nëse një ditë do të diskutohej për pjesëmarrje në qeveri. Ndryshe qendron puna me misione jashtë vendit të Bundesverit. Në këtë pikë e majta nuk pranon asnjë kompromis. Ajo refuzon të gjitha misionet e Bundesverit jashtë Gjermanisë dhe e sheh të konfirmuar pozicionin e saj nga dështimi i Perëndimit në Afganistan. Brenda partisë ka edhe përkrahës të misioneve të helmetave të kaltra të OKB-së, por deri tani ata nuk ia kanë dalë të ndryshojnë pozicionin e partisë.
Do t'i mbajë larg të majtët - kandidati socialdemokrat Peer Steinbrück
Në partinë e Gregor Gysit askush nuk beson seriozisht se në javët e ardhshme mund të arrihet në një koalicion me socialdemokratët dhe ekologjistët kundër kampit konservator të Angela Merkelit. "Treni është nisur", pranon edhe vetë Gysi, kryetari i vjetër dhe me shumë gjasa edhe i ri i grupit parlamentar të të majtëve. Por vështrimi i tij është drejtuar nga viti 2017. Ai shprehet i sigurt se kjo është hera e fundit që mbyllet dera për një koalicion mes të majtëve, ekologjistëve dhe socialdemokratëve. Politikanë të veçantë nga degët e landeve të SPD-së i japin atij të drejtë. Në disa lande lindore të Gjermanisë ka tashmë përvoja bashkëqeverisjeje. Në Brandenburg p.sh. socialdemokratët qeverisin bashkë me të majtët.
Por politika e federatës është një tjetër kategori dhe këtu partia e majtë mbetet në pozicion jashtë loje.

No comments: