Bledi KASMI
Eshtë
ndër lobistët më të paguar në botë dhe njëkohësisht një ndër dy
ish-kryeministrat perëndimorë që së bashku me Shrëder, pas politikës iu
futën rrugës së biznesit. Kjo natyrisht nuk ishte Rruga e Tretë që ai e
lançoi për politikën.
Ish-Kryeministri
që dikur menaxhonte fatet e një ish-perandorie, tashmë menaxhon
përqindjet që merr si lobist, artikullshkrues, këshilltar në shërbim të
kujtdo hierarku politik që e paguan. Nuk e ka aspak kompleks që të
pranojë statusin që ka zgjedhur dhe në vendin e tij për këtë biznes
paguan taksa deri në 12 milionë dollarë në vit.
I
akuzuar publikisht për fshehje kontratash dhe mospagimin e saktë të
detyrimeve, Tony Blair gjithmonë ka mohuar të ketë marrë para për daljet
e tij publike, por ai gjithmonë surprizon me daljen e tij në vende të
ndryshme të botës, duke mbajtur fjalime në mbështetje të “klientëve” që e
paguajnë, duke dhënë këshilla ndaj tyre apo duke u mundësuar atyre
takime me personalitete të larta politike.
I paralajmëruar si këshilltar i Ramës gjatë fushatës elektorale, tashmë emri i tij nuk është më befasi. Në takimet në New York,
Rama është takuar me Blair dhe ai e ka marrë për krahu për ta çuar në
drejtim të atyre dhomave ku gjenden njerëz të një kalibri që Rama nuk i
kish takuar kurrë më parë.
I
mësuar të takojë vetëm ndërtues gjatë tetë viteve si kryebashkiak, ai
po shfaq vështirësi të shkojë përtej rangut të kësaj kategorie. Fjalimi
para Kuvendit të Kosovës si dhe deklarata me Presidentin e Maqedonisë e
dëshmojnë këtë.
Rama
po shfaq jo pak vështirësi për të bindur së pari veten se nuk është më
kryeministri i betoniereve, por i një kombi me një histori dhe në këto
pesë vite i ulur me dinjitet në krah të Presidentit të Shteteve të
Bashkuara në Aleancën e Atlantikut të Veriut.
Për
të kaluar nga betonieret në kancelaritë diplomatike është një kapërcim i
vështirë. Një ushtrim tepër i ndërlikuar që në rast se nuk je i
sprovuar rrezikon të rrëzohesh dhe të thyesh kokën. Kryeministri i ri e
ka kuptuar se i duhet një stërvitës që ta mësojë të ngjisë shkallët dhe
të ulet në tryeza ku nuk bisedohet me metra katrorë pallatesh apo me
pronarë guroresh.
Rama
po mundohet të kurojë imazhin e tij. E ka kuptuar se nuk i hyn më në
punë imazhi i një kapadaiu të pasuruar nga guroret dhe biznesi i tullave
dhe i llaçit.
Rama
ka provuar gjatë të qenit kryebashkiak i Tiranës se dinte të gjente
sekserët e duhur për të bërë marrëveshjet e duhura. Ata ishin të kënaqur
me kockën shpërblyese që merrnin dhe për çdo ditë angazhohen në pazare
të reja. Kjo përvojë e të shndërruarit të funksionit publik në biznes
duket se e ka ndihmuar që tani, në krye të qeverisjes ta nisë në të
njëjtën mënyrë.
Në
Shqipëri, njerëzit që punojnë për Ramën janë tashmë të sprovuar me
skemat e tij përfituese dhe ata nuk janë personazhe anonim, por janë të
njohur. 14 vite më parë, kur Nano e emëroi në krye të Ministrisë së
Kulturës e nisi vjedhjen, për të cilën u padit nga një ish-ministre
tjetër socialiste e Kulturës nga fasadat e ministrive. Tani e ka nisur
nga fasada e Kryeministrisë. Ndryshojnë mjetet, por jo forma tek Rama.
Ndryshe
nga Shqipëria, në arenën ndërkombëtare, Rama nuk ka aspak përvojë. Atje
nuk i duhet të merret me ndërtues pallatesh dhe as me fasada. Në
tryezat ku ai thërritet ka njerëz të një sërë, larg atyre minjve të
bodrumeve të Kryeministrisë që u shfaqën tre ditë më parë. Ka njerëz të
elitës, ka burra shtetesh që menaxhojnë fatet jo vetëm të vendeve të
tyre në mënyrën më dinjitoze. Por si kudo ka edhe batakçinj.
Rama
ka zgjedhur Blair si kurues të imazhit të tij. Një figurë komplekse për
shkak të dyzimit të tij mes politikës dhe biznesit. Një figurë që
gjithnjë dhe më shumë përmendet në mediat britanike jo për atë që ka
bërë për Britaninë, por për atë që po bën tani për veten e tij.
Ka
edhe nga ata që e kujtojnë si udhëheqësin dhe njeriun kyç në çlirimin e
Kosovës për të cilën shqiptarët i janë mirënjohës, sikurse janë të
shumtë ata që tani e kujtojnë edhe si njeriun që përpara se të zgjedhë
të bëhet edhe këshilltar i Ramës ka punuar pranë një tirani si
Presidenti i Kazakistanit, Nazarbajev, apo më parë akoma edhe si një
ndërlidhës mes një oligarku rus dhe një diktatori si Gedafi.
Është
një e drejtë e Ramës të përzgjedhë atë që mendon si më të përshtatshmin
për të kuruar imazhin e vet. Problemi qëndron në faktin se përderisa ai
është përzgjedhur si kuruesi i imazhit të Ramës nuk ka përse përzihet
në llogaritë e shqiptarëve. Imazhi i shqiptarëve është i ndryshëm nga ai
i Ramës. Çdo përfitim nga paratë e taksapaguesve shqiptarë është i
detyrueshëm për t’u deklaruar jo vetëm nga Rama, por edhe nga Blair.
Rama
duhet të bëjë transparencën e kontratës me Blair. Kushdo duhet të dijë
në këtë vend sa do t’i duhet të paguajë për kurimin e imazhit të
Kryeministrit të ri. Blair nuk është nga ata që punojnë me kontribut
vullnetar.
No comments:
Post a Comment