Friday, August 30, 2013

Marina, pasardhësja e Berlusconit

Klarita Bajraktari
Atë e kanë llogaritur si të përjashtuar, të dënuar apo të zhdukur në mënyrë të parakohshme shumë e shumë herë të tjera.
Ata që presin që dënimi për mashtrim me taksat do të shënojë edhe fundin e plotë të Silvio Berlusconit, ndoshta duhet të presin edhe shumë kohë të tjera. Ata që kanë frikë se pas ikjes së tij politika italiane do të bëhet tepër e mërzitshme dhe tepër formale, nuk kanë përse të
shqetësohen. Mesa duket, ka një tjetër Berlusconi që pritet të hapë krahët për të mbajtur gjallë emrin e familjes.


Raportimet e shumta mediatike pretendojnë se “Il Cavaliere” është duke përgatitur vajzën e tij më të madhe, Marina Berlusconi, që të marrë në dorë lidershipin e partisë së qendrës së djathtë Populli i Lirisë. Plani madhor i ish-Kryeministrit dinak duket se ka të bëjë me ristrukturimin e partisë që pritet të zhvillohet këtë vjeshtë, kur Berlusconi ka vendosur t’i rivendosë emrin origjinal të dikurshëm “Forza Italia” dhe të rivendosë vëmendjen tek të rinjtë.
46-vjeçarja Marina Berlusconi, konsiderohet si një grua e vendosur dhe më e aftë për t’i bërë ballë kryebashkiakut të Firences, Matteo Renzi, i cili pritet të jetë lideri potencial i qendrës së majtë gjatë zgjedhjeve të ardhshme të Italisë.
Deri tani, Marina ka deklaruar gjithnjë se nuk ka ndërmend të zëvendësojë të atin, madje pretendon se zemra e saj i përket vetëm biznesit. Por, edhe pa qenë ndonjëherë e emëruar në ndonjë post publik, si kreu i kompanisë së familjes Berlusconi, “Fininvest” dhe kompanisë mbështetëse botuese, “Mondadori”, Marina është kthyer në një nga njerëzit më të pushtetshëm në një shtet ku shumë pak femra kanë mundësi të fusin kthetrat në sferën politike dhe të biznesit gjithashtu. Ndoshta, fakti i të qenurit vajza e burrit që prezantoi termin “Bunga Bunga” në fjalorin tonë, do ta nxisë Marinën që të mbajë një qëndrim thellësisht feminist në politikë.
Marina është vajza e Silvios dhe gruas së tij të parë, Carla Elvira Dall'Oglio. Ajo është prezantuar para disa kohësh në perandorinë mediatike të familjes Berlusconi dhe i ngjiti me shpejtësi marramendëse shkallët e karrierës, duke u bërë zëvendësdrejtuese vetëm në moshën 30-vjeçare dhe drejtuese ekzekutive në më pak se 10 vjet. Nëpër media dhe raportime të ndryshme, Marina përshkruhet si një menaxhere tepër e vendosur, të cilën e kanë frikë, por e respektojnë gjithashtu.
Italiania “Huffington Post” e ka quajtur atë “rreshterja e hekurt”, e cila nuk hezitoi aspak për të dëbuar gjysmëmotrën e saj Barbara kur kjo e fundit filloi të shfaqte interes në biznesin e botimeve. Punëtorja e zellshme Marina, thuhet se kalon orë të tejzgjatura në zyrë, nga mëngjesi deri në darkë dhe madje largohet vetëm për të shkuar në palestër. Ajo është gjithashtu nëna e dy fëmijëve dhe gruaja e ish-kërcimtarit të “La Scala”.
I ati i famshëm i Marinës natyrisht ka qenë kontribuesi kryesor i suksesit të saj. Megjithatë, pozicioni i saj i madhërishëm nuk do të kishte qenë kurrë i garantuar në rast se ajo nuk do të kishte shfaqur aftësitë dhe angazhimin e jashtëzakonshëm. Për më tepër, pjesa më e madhe e botës së biznesit italian të dominuar nga meshkujt besonin se Silvio Berlusconi një ditë do të zëvendësohej si kreu i “Fininvest” nga vëllai i Marinës, Pier Silvio.
“Në Itali, ku femrat zakonisht ulen në rreshtin dytësor, ky është një hap gjigant përpara”, shkroi “Financial Times Deutschland” në vitin 2005, kur Marina u emërua drejtuese ekzekutive e “Fininvest”. Me të vërtetë Italia vazhdon të jetë një nga vendet e Europës me pabarazinë më të madhe gjinore, një shtet ku femrat shtyhen të qëndrojnë në shtëpi në vend që të ndjekin karrierën e tyre.
Një sondazh ka zbuluar se 81 për qind e italianëve besojnë se fëmijët do të vuanin së tepërmi nëse nëna e tyre do të punonte me orë të zgjatura krahasuar me 55 për qind të mesatares së vendeve të tjera europiane. Gratë italiane jo rrallë herë ankohen se meshkujt i konsiderojnë ose si velina seksi (vajza të spektaklit) ose si shtëpiake. Por, Marina Berlusconi është një grua italiane tepër e pushtetshme, e cila nuk përshtatet me njërën nga këto dy kategori.
Megjithatë, gruaja në karrierë Marina Berlusconi është gjithashtu edhe Marina më e përndjekur e paparacëve të tabloidëve italianë. Një numër i revistës “Chi”, revistë e cila botohet nga vetë “Mondadori”, paraqiti foto tejmase seksi dhe lajkatare të Marinës topless si pjesë e një raporti special në vitin 2010 mbi familjen Berlusconi, ku përshkruhej me detaje bukuria dhe hiret e Marina Berlusconit.
“Ajo duket si Galatea, më e bukura mes nimfave të detit, me një lëkurë të bardhë si qumësht”, citohet një burrë në një koment drejtuar Marinës. Në vitin 2010, “Vogue Italy” ka shkruar se Marina duket se ka një prirje të theksuar drejt operacioneve plastike, ashtu si i ati. “Daily Mail” e Britanisë së Madhe nga ana tjetër nuk është treguar shumë dashamirëse, duke publikuar disa foto të shëmtuara të saj, ku shfaqet me një veshje aspak moderne.
Ekziston edhe një fakt tjetër që nuk është aspak në favor të Marina Berlusconit. Perandoria mediatike që ajo drejton me aq mjeshtëri është gjithashtu bashkëfajtore e promovimit të stereotipeve që ajo vetë kërkon të shmangë. Kompania gjigante Berlusconi është padyshim e lidhur ngushtë me vajzat mendjelehta, të veshura (nëse mund të quhen të veshura) me fustane që nuk i lënë asgjë imagjinatës, që shfaqen në të gjitha programacionet dhe kanë krijuar një stereotip që nuk u pëlqen aspak vajzave italiane. Velinat e famshme italiane thuhet se zgjidheshin vetë nga Silvio Berlusconi, duke qenë se karriera e tyre si vajza televizioni mund t’i çonte shpesh edhe drejt Parlamentit italian.
Nuk është në favor të Marinës as imazhi i babait të saj, të cilin e ka mbështetur, shpesh në mënyrë të verbër. Silvio konsiderohet si personi që ka bërë punën më intensive në pengimin e emancipimit dhe progresit të gruas në Itali, me shakatë e tij seksiste dhe me tendencën e përhershme për të zgjedhur bukurinë para zgjuarsisë për femrat që lejonte të ndiqnin karrierën politike.
Për këto arsye, lind natyrshëm pyetja: nëse Marina vihet në krye të partisë, a do të sillte ajo progres dhe emancipim për gratë italiane? Mos ndoshta vajza e Berlusconit do të risillte një epokë që shumë italianë shpresojnë se ka përfunduar përgjithmonë? Rreziku më i madh është që feministja më e famshme e Italisë mund të rezultojë të jetë thjesht një tjetër pasardhëse e Berlusconit.

No comments: