Përpara se një kontraktor i
inteligjencës amerikane të zbulonte interceptimet sekrete e telefonave
të qytetarëve, Administrata Obama po promovonte një dorë të fortë
represive në nivel qeveritar mbi kërcënimet ndaj sigurisë, duke i shtyrë
nëpunësit federalë që të kontrollojnë nga afër kolegët e tyre dhe duke i
nxitur menaxherët që të ndëshkojnë ata që shmangin bërjen e raporteve
mbi të dyshuarit.
Iniciativa e
paprecedent e Obama, e njohur si “Insider Threat Program”, të
impresionon për nga shtrirja e saj. Programi ka tërhequr vëmendje
publike të pakët edhe pse shtrihet shumë përtej agjencive të lidhura me
sigurinë kombëtare dhe prek pjesën më të madhe të departamenteve
federale dhe të agjencive në nivel kombëtar, përfshi Peace Corps, Social
Security Administration dhe Departamentin e Arsimit e të Bujqësisë.
Programi përqendrohet mbi rrjedhjet e materialit të klasifikuar, por
përkufizimi “kërcënimeve të brendshme” u jep agjencive hapësira për të
ndjekur dhe kriminalizuar një gamë të gjerë qëndrimesh.
Dokumentat
qeveritare e shikuara nga McClatchy tregojnë, se disa agjenci po e
përdorin këtë hapësirë për të ndjekur divulgimin jo të autorizuar të çdo
informacioni, jo vetëm të materialit të klasifikuar. Tregojnë sesi
miliona nëpunës federalë dhe kontraktorë duhet të mbajnë nën vëzhgim
“persona ose sjellje me rrezik të lartë” midis kolegësh dhe mund të
pësojnë sanksione, edhe në nivel penal, pse nuk i kanë denoncuar.
Rrjedhjet e lajmeve për mediat janë ekuivalentuar me spiunazh.
“Fiksojeni në mendje... shkaktimi i rrjedhjes së lajmeve është
ekuivalent me ndihmimin e armiqve të Shteteve të Bashkuara”, thotë një
dokument strategjie i Departamentit të Mbrojtjes i siguruar nga
McClatchy.
Pritet
që, Administrata Obama ta shpejtojë implementimin e programit, me
qeverinë e zënë me vjedhjen e dokumentave top sekret nga ana e Edward Snowden,
ish-kontraktor i Agjencisë së Sigurimit Kombëtar që ka zbuluar
programin sekret e grumbullimit të të dhënave nga telefonatat e
amerikanëve. Rasti është vetëm i fundit i një serie, që qeveria e dënon
si tradhti nga ana e “trusted insider” që kanë dëmtuar sigurinë
kombëtare. “Rrjedhjet e informacioneve të lidhura me sigurinë kombëtare
mund të vënë në rrezik popullsinë”, ka thënë Obama më 16 maj, duke
mbrojtur hetimet penale lidhur me to. “Mund të vënë në rrezik burra dhe
gra me uniformë që unë i kam dërguar në fushat e betejës, mund të vënë
në rrezik njerëzit tanë të inteligjencës, që ndodhen në shumë situata të
rrezikshme dhe lehtësisht të kompromentueshëm... Kështu që nuk do të
kërkoj falje dhe nuk mendoj se, amerikanët mendojnë që komandanti i
përgjithshëm i tyre nuk është i preokupuar për informacionet që mund të
kompromentojnë operacionet ushtarake”.
Si pjesë të iniciativës, Obama ka urdhëruar një mbrojtje më të madhe për whistleblower që
përdorin kanalet institucionale për të bërë raportime lidhur me
shpërdorimet publike, mashtrimet dhe abuzimet, por kjo nuk është
inkurajuese sipas disa ekspertëve të sigurisë kombëtare dhe funksionarë,
në detyrë dhe jo, të Administratës të preokupuar që Insider Threat
Program jo vetëm të dekurajojë rrjedhjet e informacioneve, por të ketë
edhe pasoja të rënda mbi të drejtën e publikut për të qenë i informuar
dhe mbi sigurinë kombëtare. Sipas këtyre ekspertëve, programi mund ta
bëjë më të lehtë për qeverinë që ta mbysë fluksin e informacioneve jo të
klasifikuar dhe potencialisht jetike për publikun, dhe në të njëjtën
kohë të krijojë një mjedis toksik, të helmuar nga dyshime të pabazuara
dhe investigime false. Disa agjenci jo të lidhura me inteligjencën
tashmë po i shtyjnë punonjësit e tyre që ta mbajnë nën vëzhgim tek
kolegët disa “indikatorë” si stresi, divorci apo problemet financiare.
“Ishte vetëm një çështje kohe përpara se, Departamenti i Bujqësisë të
niste e të implementonte politika të llojit “Ej, le ti lëmë njerëzit që
t’i spiunojnë shokët e tyre”, thotë Kel McClanahan, një avokat në Washington
si specializuar për ligjet lidhur me sigurinë kombëtare. “Po pres
momentin në të cilin për të denoncuar një shok do të japin 50 dollarë”.
Strategjitë
kundër rrjedhjes së informacioneve nga ana e Departamentit të Mbrojtjes
të siguruara nga McClatchy flasin për një politikë me tolerancë zero.
Përgjegjësit e sigurisë “duhet” të refuzojnë apo revokojnë autorizimet e
sigurisë – një ndëshkim i aftë që të prishë një karrierë – të
punonjësve që kryejnë një shkelje të vetme të rëndë ose shumë shkelje të
vogla “si një veprim personal negativ të pashmangshëm”. Punonjësit
duhet të vetëdorëzohen dhe të denoncojnë të tjerët, kur dështojnë në
denoncimin e shkeljeve. “Të penalizosh gabimet evidente në denoncimin e
shkeljeve në siguri, përfshi mungesën e vetëdenoncimit”, thotë plani
strategjik.
Administrata
Obama po ndiqte tashmë një numër të paprecedent rastesh të rrjedhjeve
të informacioneve dhe disa në Kongres – për një kohë të gjatë rrjedhësit
e sekreteve më prodhimtarë – i shikojnë me sy të mirë kufizimet e
eksesit të gazetarëve në agjencitë federale, që bëjnë funksionarët
shtetërorë ngurrues edhe të vënë në dispozicion të publikur dokumenta jo
të klasifikuara.
Programi,
që pjesërisht përdor profile sjelljeje, veç të tjerash mund të
dekurajojë mendimin krijues dhe të stimulojë një mendim grupi konformist
si ai që ka provokuar vlerësimin e gabuar nga ana e CIA-s, sipas të
cilit Iraku po fshihte armë të shkatërrimit në masë, vlerësim që ka
provokuar pushtimin e 2003. “Rreziku i vërtetë është që puna e qeverisë
të standardizohet sipas një emëruesi të përbashkët banalizues”,
paralajmëron Ilana Greenstein, një ish-agjente e CIA-s që thotë, se e ka
lënë agjencinë e inteligjencës, pasi është akuzuar në mënyrë false se
është një rrezik për sigurinë. “Nuk ka persona që vendosin të flasin,
kur gjërat ecin keq. Nuk ka persona që i shikojnë gjërat në mënyrë të
ndryshme dhe që janë të gatshëm të luftojnë për idetë e tyre. Ajo që
siguron janë persona besnikë ndaj vijës së përcaktuar dhe kjo është
shumë e rrezikshme për sigurinë kombëtare”.
Obama
e ka linçuar Insider Threat Program në tetor të 2011, pasi ushtari
Bradley Manning kishte shkarkuar qindramijëra dokumenta nga një rrjet
kompjuterësh të mbrojtur dhe ia kish dërguar Wikileaks.
Këto fakte qenë paraprirë nga vrasja në vitin 2009 e 13 personave në
Fort Hood të shtetit Texas nga ana e majorit Nidal Hasan, një sulm që
autoritetet federale nuk kishin arritur ta shmangnin, megjithëse qenë
duke monitoruar e-mailat që Hasan i dërgonte një fetari islamik të
lidhur me al Qaeda. Një hetim i brendshëm i realizuar pas rrjedhjes së
informacioneve të Manning, ka gjetur “pabarazi të mëdha” në aftësinë e
inteligjencës amerikane për të individaulizuar kërcënime për sigurinë
dhe ka sanksionuar nevojën për përmirësim në të gjitha fushat. Urdhri
ekzekutiv i Obama formalizon praktikat që agjencitë e inteligjencës i
kanë ndjekur prej vitesh për të zbuluar kërcënime ndaj sigurisë dhe
shtrihet në agjenitë që nuk janë të përfshira në politika të sigurisë
kombëtare, por që mund të kenë akses në rrjete të klasifikuara.
Megjithatë,
ka disa probleme me programin. Edhe pse kjo e kufizon ndjeshëm
përdorimin e memorieve të hershme në rrjete të klasifikuara, Snowden,
ish-kontraktori i NSA-së që ka zbuluar operacionet e grumbullimit të të
dhënave nga telefonatat, ka përdorur një flesh usb për ta marrë
materialin, që më pas ua ka dërguar dy gazetave. “Asgjë nga ajo që është
dy vitet e fundit nuk e ka ndaluar Snowden
dhe kjo hedh një hije mbi të gjithë operacionin”, thotë Steven
Aftergood, drejtor i Agjencisë jofitimprurëse American Scientists’
Project on Government Secrecy. “Çdo gjë që kemi bërë duket e
papërshtatshme”.
Historia
e Shteteve të Bashkuara është e mbushur plot me raste, në të cilat
agjencitë federale nuk arrijnë të interpretojnë dyshimet e funksionarëve
të besuar dhe të njerëzve të ushtrisë që vjedhin sekrete. Për shembull,
CIA nuk ka arritur për disa kohë të zbulojë Aldrich Ames, një ofiqar i
lartë që ka qenë një prej spiunëve sovjetikë më pjellorë në historinë
amerikane, pavarësisht makinës të së vërtetës, gjendjeve të shpeshta të
dehjes dhe një pasurie të papritur e të pashpjegueshme. Ndalimi i një
spiuni apo informatori bëhet gjithnjë e më i vështirë, duke qenë se
qeveria vazhdon të akumulojë informacione në banga të dhënash të
pafundme dhe ka rritur numrin e personave (tashmë 5 milionë) të cilëve u
lejohet akses në material sekret.
Funksionarët
qeveritarë deklarojnë se, programi mund t’i ndihmojë agjencitë që të
shmangin një gamë të gjerë kërcënimesh, sidomos në rastin ku nëpunësit
janë trajnuar që ta njohin sjelljen që identifikon rreziqe potenciale
për sigurinë. “Nëqoftëse kjo bëhet në mënyrë korrekte, një organizatë
mund të arrijë tek një person që ka çështje personale apo probleme që,
nëqoftëse nuk përballohen, mund ta çojnë një individ të tillë tek dhuna,
tek kërcënimet apo tek spiunazhi shumë kohë përpara se të mund ta
arrijë këtë pikë”, ka deklaruar një ofiqar i Pentagonit, i cila ka
kërkuar që të mbetet anonim.
Po
t’i qëndrosh asaj që thuhet, Manning pësoi një dënim pse kish postuar
mesazhe në YouTube, që përshkruanin ambientet e brendshme të një selie
sekrete të inteligjencës ku punonte. Shfaqte edhe një qëndrim që mund
t’u kish dhënë sinjale eprorëve të tij për faktin, që ai përfaqësonte
një rrezik për sigurinë, thonë disa funksionarë. Jonathan Pollard,
ish-analist i inteligjencës së Marinës amerikane i dënuar me burgim të
përjetshëm në 1987 pse kish spiunuar për Izraelin, nuk u hetua edhe pse
dështoi në testimet e makinës të së vërtetës dhe gënjeu mbikëqyrësit e
tij.
U
kap vetëm, pasi një koleg e pa që të dilte nga një seli top sekrete me
dokumenta sekrete. “Nëqoftëse dikush është i ngarkuar me monitorimin e
kërcënimeve të brendshme – avokatë, funksionarë të sigurisë dhe
psikologë – mund ta kuptojë se një individ ka probleme parash apo
regjistron një rënie të performancës së punës dhe që një person i tillë
po nis një rrugëtim që do ta bëjë të jetë kërcënim i brendshëm, eprorët
mund t’i afrohen, duke kërkuar t’i heqin stresin, përpara se një individ
i tillë të bëhet kërcënim për të gjithë organizatën”, ka deklaruar
funksionari i Pentagonit. Gjithsesi, programi u siguron agjencive një
gjerësi të tillë në përkufizimin e përgjigjeve të tyre ndaj reagimeve të
brendshme sa që dikush i konsideruar rrezik nga një agjenci mund të
përkufizohet si i privuar nga një tjetër. Deri në brendësi të vetë
agjencisë, punonjësi i pakënaqur mund të bëhet kërcënim ndaj sigurisë
kombëtare për dikë tjetër.
Në
nëntor Obama ka miratuar “standardet minimale”, që u japin
departamenteve dhe agjencive liri të konsiderueshme në zhvillimin e
programeve kundër kërcënimeve të brendshme, duke çuar në një lëmsh
potencial interpretimesh. Këto standarde janë të strukturuara jo vetëm
për të çrrënjosur personat Deep Throat,
por edhe ata që mund të shkojnë në “akte të dhunshme kundër qeverisë
apo vendit” dhe në “spiunazhin potencial”. Pentagoni ka vendosur që
përkufizimi i gjerë i tij për kërcënimin e brendshëm është ai i një
punonjësi me autorizim që “qëllimisht ose jo qëllimisht” dëmton
“interesat e sigurisë kombëtare” nëpërmjet “përhapjes jo të autorizuar,
modifikimin e të dhënave, spiunazhit, terrorizimit apo veprimeve
kinetike që çojnë në humbjen e apo në degradimin e resurseve apo
kapaciteteve”.
“Mund
të argumentohet se, përdhunimi i personelit ushtarak mund të
përfaqësojë një kërcënim të brendshëm. Askush nuk e ka një ide të saktë
të aspektit që ky kërcënim i brendshëm duhet të ketë”, zbulon
funksionari i Pentagonit, duke shpjeguar se në brendësi të Departamentit
të Mbrojtjes “ka një mal me krerë, secili me axhendën e tij, por askush
me paksa lidership”. Ndërkohë, Departamenti i Arsimit i informon
punonjësit se bashkëpunëtorët që kalojnë “përvoja jete të caktuara...
mund të transformohen nga përdorues të besueshëm në kërcënime të
brendshme”. Përvoja të tilla, shpjegon departamenti në një manual
trajnimi në kompjuter, përfshijnë “stresin, divorcin, probleme
financiare” ose “frustrim ndaj kolegëve apo ndaj organizatës”.
Një
tutorial online i titulluar “Tradhëti për fillestarë” (“Treason 101”) u
mëson punonjësve të Departamentit të Bujqësisë dhe të Administratës
Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike që të njohin profilin psikologjik të
spiunëve. Një material online i Departamentit të Sigurisë dhe të
Mbrojtjes rendit një listë të gjatë sjelljesh të dyshimta të
“referueshme”, përfshi punën përtej orëve normale të punës. Ndërsa
pranon, se jo të gjitha sjelljet “identifikojnë një spiun në mesin
tonë”. Materiali shton se “çdo situatë ka nevojë që të shqyrtohet për të
përcaktuar nëse janë apo jo në rrezik sekretet e vendit tonë”.
Departamenti
i Mbrojtjes, tradicionalisht burim parësor sekretesh për mediat, është
akoma duke e përgatitur programin e tij, por ka bërë hapa të shumtë në
këtë drejtim. Këto përfshijnë krijimin e një njësie që rikontrollon
raportet e lajmeve çdo ditë për të verifikuar, nëse ka njoftime të dhëna
lidhur me informacione të rezervuara të Mbrojtjes dhe implementimin e
kurseve të rinj të formimit, për t’u mësuar punonjësve sesi të njohin
rreziqet për sigurinë, përfshi sjellje “me rrezik të lartë” dhe
“shkatërruese” midis kolegësh, sipas dokumentave të Departamentit të
Mbrojtjes të rishikuara nga McClatchy. “E gjitha kjo, ka të bëjë me
profilet e personave, qasjen e tyre ndaj punës, ndërveprimin e tyre me
drejtuesit. Janë të disponueshëm? Shikojnë Salon.com apo The Onion gjatë
pushimit të drekës? Është si tek “Stepford Wives””, thotë
një funksionar i dytë i lartë i Pentagonit, duke ju referuar
publikimeve online dhe filmit të vitit 1975 mbi shtëpijaket robotikisht
të ëmbla. Funksionari ka deklaruar se, dëshiron të qëndrojë anonim për
të shmangur ndëshkimin pse ka kritikuar programin.
Theksi
ndaj qëndrimeve të caktuara i ka kujtuar Greenstein orientimin e punës
së tij ndaj CIA-s, kur ju tha që të dyshonte për bashkëpunëtorë pak të
lumtur. “Në rast se ndonjë ishte në ditë të keqe, mesazhi ishte që të
qëndroje vigjilent ndaj tyre”, tregon Greenstein. Disa agjenci federale
po kërkojnë më tej që të mbrojnë një rreze më të gjerë informacionesh.
Ushtria urdhëron personelin e saj që të përcjellë zbulime jo të
autorizuara informacionesh sekrete, përfshi ato me seli, aktivitet dhe
personel ushtarak. Peace Corps, që janë duke e implementuar programin e
tyre, “e marrin shumë seriozisht detyrimin e mbrojtjes së informacioneve
të ndjeshme”, thotë një email nga ana e një funksionari të Peace Corps,
që ka këmbëngulur në ruajtjen e anonimatit, por pa i shpjeguar motivet.
Garantimi
i diskrecionit të përhapur është i rrezikshëm, kanë paralajmëruar disa
ekspertë dhe funksionarë, ndërsa agjencitë federale janë tashmë të
pritura që t’i rrisin akoma përpjekjet në kontrollimin e fluksit të
informacionit. Administrata Bush me sa duket ka kërkuar që t’i bëjë të
heshtin dy ekspertë të ndryshimit klimaterik të qeverisë së mëparshme
për të mos i lejuar që të flasin publikisht për rreziqet e ngrohjes
globale. Më së vonshmi, FDA-ja ka justifikuar monitorimin e emailave
personalë të shkencëtarë dhe doktorëve të saj, si metodë për të gjetur
rrjedhje informacionesh josekrete.
Por R. Scott Oswald, një avokat nga Washington i Employment Law Group, e ka quajtur Administratën Obama “mike të whistleblower”,
duke thënë se shënon një dallim midis atyre që përdorin sistemet e
brendshme për të denoncuar sjellje jokorrekte dhe informatorëve që bëjnë
publike informacione jo sekrete në mënyrë të paligjshme. Megjithatë, ka
raste të shumta nëpunësish qeveritarë që thonë se kanë qenë të detyruar
t’i bëjnë publike informacione të tilla, sepse kanë vuajtur hakmarrje,
pasi kanë kërkuar që të ankoheshin për shpërdorime, mashtrime dhe
abuzime nëpërmjet kanaleve të brendshme apo Kongresit. Thomas Drake, një
ish- funksionar i lartë i NSA-së, është inkriminuar në 2010 në kuptimin
e Espionage Act, pasi i kish zbuluar miliona dollarë shpërdorime një
gazetari. Kishte kërkuar prej vitesh që të paralajmëronte eprorët e tij
dhe Kongresin. Në fund akuzat kundër tij kanë rënë.
Ndërkohë,
Pentagoni ka refuzuar të shpjegojë sesi programi i tij kundër
kërcënimeve të brendshme do ta menaxhonte një rrjedhje informacionesh
për mediat si puna e Pentagon Papers, një histori top sekrete lidhur me
përfshirjen e Shteteve të Bashkuara në Vietnam, që ka demonstruar sesi
administrata të ndryshme kanë mashtruar publikun dhe Kongresin lidhur me
luftën. “Rreziku është që supervizorët dhe menaxherët të përdorin
profilet “Punonjës të pakënaqur” dhe “Kërcënime të brendshme” për të
përndjekur whistleblower legjitimë”, thotë funksionari i dytë i Pentagonit. “Urdhri ekzekutiv thotë se, nuk mund t’i shkelësh ligjet lidhur me whistleblower.
Por gjithçka që ka të bëjë është e lidhur me hakmarrjen. Kjo nuk do të
thotë se mund të individualizohet përpara se një hakmarrje e tillë
ndodh”.
Greenstein
ka thënë se është bërë objektiv hetimesh nga ana e funksionarëve të
sigurisë, pasi ka ngritur akuzat për menaxhim të keq të operacioneve të
CIA-s në Bagdad. Por, nuk i ka zbuluar asnjëherë denoncimet, që
përfshinin akuzën ndaj shefit të saj të sigurisë se kish fshirë detajet
lidhur me rreziqet për sigurinë e kabllogrameve. I besoi në fakt
proceseve të brendshme të agjencisë për të bërë akuzat e saj. Gjithsesi,
CIA kërkoi që ta hapë një çështje në Departamentin e Drejtësisë kundër
Greenstein, pasi gjatë një testimi në poligraf deklaroi se po shkruante
një libër, gjë e lejuar në agjenci me kusht që të kalojë këqyrjen para
botimit.
CIA
pretendoi pastaj të shikonte kompjuterin e saj. Kur i pati prapa muaj
më pas, gjithçka kishte shkruar ishte fshirë. “Më perceptonin dukshëm si
një kërcënim të brendshëm”, ka thënë Greenstein, që qysh atëhere ka
rishkruar librin e saj dhe ka marrë lejen e CIA-s për t’i botuar një
pjesë. “Duke thënë “Kam një problem me këtë vend dhe dua ta bëj më të
mirë”, jam transformuar në çast në një kërcënim të brendshëm”, ka
shpjeguar ajo. CIA ka refuzuar që të komentojë.
(Artikulli
është botuar nga McClatchy Washington Bureau, uebsajt i shumëvlerësuar
informacioni i lidhur me kompaninë e lajmeve McClatchy)
Përgatiti:
ARMIN TIRANA
No comments:
Post a Comment