Friday, August 30, 2013

SHQUP, atavizmë e diktaturës

Hamit TAKA


Rituali i medias dhe shtypit shqiptar, për të hedhur në tavolinën e lexuesve një thashethemnajë për gjëra të mosqena apo një sherrnajë të padobishme, si gjithmonë të molepsur nga sëmundja e politizimit të skajshëm, nuk ndërpritet as muajin gusht, i cili tradicionalisht është piku i pushimeve në vendin tonë. Prej ditësh në qendër të kësaj thashethemnaje sherrane nga mediat dhe gazetat mbështetëse të mazhorancës së re, por edhe të tjera, është vendosur
Shtëpia Qendrore e Ushtarakëve, në përpjekje për të bindur njerëzit të besojnë atë që nuk e besojnë.
Natyrisht, media luan me marifetet e saj: qeveria në ikje, qeveria në ardhje; e drejtë, e padrejtë; ligjore, joligjore; ligji kaq e neni aq, gjëra për të cilat lexuesi s’është i interesuar fare. Duhet tërhequr vëmendja e lexuesit që të blihet gazeta dhe për ta mbajtur gjallë sherrin me qeverinë në ikje. Por njerëzve të painteresuar për motivet politike të tashethemnajës u lind pyetja e thjeshtë: Ç’është kjo SHQU-ja, që, gati misterioze, po krijon këtë shernajë e tymnajë në pikun e vapës së gushtit?
Mua personalisht nuk ma tërheq vëmendjen vendimi i qeverisë, i drejtë apo i padrejtë. Si qytetar dhe publicist më bën shumë përshtypje “rëndësia” që i jepet kësaj “shtëpie”. Vetë emri “shtëpi” nuk të thotë asgjë përballë emrit “seli” e një subjekti politik, i cili një herë në 4-8 vjet do të qevrisë vendin. Dihet se, demokracia ka qenë dhe mbetet tepër e ndjeshme dhe gjithmonë në varësi të nivelit të funksionimit të institucioneve, ndër të cilat më të rëndësishmet e të gjithë sistemit mbeten partitë politike. Kështu që kjo godinë, si seli e një subjekti politik të madh në vend, siç është PD, dhe bën histori dhe rrit prestigjin e saj krahasuar me një ngrehinë ku luhet domino. Edhe më tepër më habit reagimi i disa gazetarëve me përvojë, të cilët duken tepër “të revoltuar” në artikujt e tyre.
Gazetarët e mediave dhe shtypit të shkruar janë nga njerëzit më popullorë në të gjitha shoqëritë diktatoriale apo demokratike. Pavarësisht se në diktaturë ishin “skllevër të lirë” ose “parazitë të romantikës patriotiko-kriminale”, ndërsa në demokraci janë qytetarë të lirë. Pyetja ime është: A kanë pasur ndonjë herë tek ne një “shtëpi” të tillë gazetarët? Po edukatorët, më thjeshtë , mësuesit, që janë familja më e madhe buxhetore, a kanë patur ndonjë “shtëpi” të tillë? Po ashtu do të thonim për mjekët, policët, inxhinierët e sa e sa profesione të tjera, shumë më të vyera e të dobishme se profesioni i ushtarakëve në kohën e diktaturës. SHQU-ja është thjesht një atavizmë e diktaturës, e cila dje përfaqësonte një element të Bllokut dhe një oaz për t’u nginjur të privilegjuarit në mes të varfërisë dhe urisë mbarëpopullore. Dihet se diktatura mbështetej mbi tri shtylla kryesore: Sigurimi i Shtetit, ushtria dhe drejtësia, të cilat në thelb ishin organe ndëshkimi dhe jo organe sigurie e drejtësie.
Një gazetar me përvojë shkruante në një gazetë ditore: “Nuk besoj se ka njeri në Shqipëri që konsideron seriozisht se SHQUP, ajo godinë e zymtë, por e bollshme buzë Lanës, përbën një simbol për Ushtrinë shqiptare, qoftë ky simbol kulturor e qoftë historik”. Ndërsa unë mendoj krejt ndryshe, se ajo “shtëpi” përfaqëson një simbol të dukshëm, që ka lidhje me diktaturën. Ajo simbolizon pozicionin e ushtarakëve në piramidën e hierarkisë së diktaturës, tregon shkallën e privilegjeve në raport me inteligjencën e vërtetë shqiptare, e cila ishte identifikuar me kartën e dyshimit dhe fajësisë biblike për çdo shfaqje antidiktatoriale, e ngërthyer në një shtrat prokrusti dhe indoktrinimin e kulturës. Bile vetë ushtarakët e vjetër pensionistë, që përbëjnë Shoqatën e Ushtarakëve, s’duhej ta pranonin atë shtëpi, e cila nga një anë afishonte një trajtim special e të privilegjuar nga shteti, nga ana tjetër u priste kokat si qepët gjeneralëve, për t’i mbajtur oficerët “gatitu!” e “urdhëro! si urdhëron!”.
Dihet se në diktaturën hoxhiste ushtria, pavarësisht nga emëri i pagëzimit, ishte armë e diktaturës së proletariat. Ironia qëndronte se quhej ushtria popullore. Ajo ishte veçse një gurë gjigand në kurrizin e popullit, e cila jo dhjamë që nuk i kishte lënë më në trupin e tij, por as muskuj. Edhe kockat ia kishte mpakur e deformuar me elementët prej betoni të tuneleve e bunkerëve, që ngjiteshin në majat e kodrave e maleve me shpatullat e 6-10 personave, që, sikur njëri të bënte një lëvizje të gabuar, do të gjymtoheshin të gjithë. Gjë që i vuri në mendime shqiptarët dhe “zbuluan” se, ashtu duhet të ishin ndërtuar dhe Piramidat e Egjiptit. Bile një mësues në Sarandë, që guxoi ta shprehte me zë të lartë këtë zbulim, u dënua me 8 vjet burg për agjitacion dhe propagandë. Dhe të shikoje oficerët sa të rreptë ishin në këto raste, sa rëndësi i jepnin vetes, duke shprehur gati një kënaqësi mazohiste për lodhjen e vuajtjet e bashkëkombasve të tyre. Nuk besoj mos ta kenë kuptuar ish-ushtarakët nostalgjikë antipatinë e popullit të vet për ushtrinë e diktaturës, zboret, çetat vullnetare, tunelet, bunkerët proverbiale, që dihet se çfarë u bë me to. Koston e ushtrisë, e cila e la në gjendje mjerane jetesën e shqiptarëve, populli e di dhe habitet sot, kur dëgjon që ca ish-oficerë pensionistë bëjnë protesta për privilegje dhe për një shtëpi, e cila u siguron luksin e dominosë. Por habiten edhe me disa politikanë e publicistë, që bëjnë sikur i mbështesin.
Ideali, morali dhe mediokriteti i ushtarakëve u duk qartë edhe me qëndrimin e tyre gjatë proçeseve demokratike, sidomos me rrëzimin e bustit të diktatorit. Shqiptarëve u kujtohet qartë tentativa e grusht-shtetit në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve, duke u bërë edhe pre e mediokritetit të tyre. Ata u ndalën nga udhëheqësit demokratë, të cilët në situatën kritike treguan maturi, qartësi, guxim, vendosmëri dhe aftësi për të qëndruar dhe për të mbrojtur filizat e brishtë të demokracisë. Por kjo tentativë e pati një të mirë: ajo nxiti revoltën dhe lëvizjen popullore për të shkatërruar themelet e diktaturës dhe atavizmat e së keqes. Edhe për këtë arsye SHQU, godina ku ushtarakët thurnin kurthet antidemokratike, duhet të ndërrojë destinacion. Ushtria, si një nga levat e diktaturës, ishte dhe një konsumator i babëzitur dhe një parazit gjigand, që me koston e mbajtjes në këmbë, potencalin e armatimeve, zboret dhe shpenzimet e fortifikimeve e kishte telendisur popullin. Kështu që nostalgjia e ushtarakëve për “madhështinë” e ushtrisë, “dinjitetin” dhe privilegjet e tyre bien ndesh me kujtimet e hidhura të kalvarit të shqiptarëve nëpër zbore dhe punimet fortifikuese. Prandaj edhe SHQU-ja, si një monument i atij diferencimi të ushtarakëve prej popullit, duhet zhbërë. Shqiptarët s’kanë pse të pranojnë më privilegje për qytetarë të indoktrinuar e nostalgjikë të veseve diktatoriale.
Të kuptohemi drejtë, unë nuk kam asnjë mllef me ish-ushtarakët. Kam patur njerëz të mi, shokë e miq ushtarakë. Mund të isha edhe vetë. Mund të veproja dhe unë si shumica e tyre. E kam fjalën për ato simbole që e mbajnë gjallë të kaluarën. Dikush i shikon me nostalgji, por shumica i shikojnë me neveri. Rezistenca e ish-ushtarakëve të vjetër, si pjesë e superstrukturës së diktaturës, tregon se akoma duhet të vetëndërgjegjësohen, se ende nuk janë çliruar, ende nuk kanë forcë, kurajë dhe as vullnet për një pranim publik të disa nga gjërat e lartpërmendura dhe për një katarsis moral. Si i shikojnë përshembull të përndjekurit politikë këto monumente të indoktrinimit dhe të diferencimit klasor, duke kujtuar dramat e tragjeditë e jetës së tyre? A nuk do të ishte domethënëse dhe pajtuese, që disa nga “shtëpitë” e ushtarakëve në Tiranë e në rrethe të ishin bërë Shtëpi Qendrore të të Përndjekurve Politikë që me fillimin e proçeseve demokratike nga vetë kasta e ushtarakëve?
Dikush mund të më thotë se në monizëm kishte dhe shtëpi të punëtorëve. Ato ishih fasada, demagogji mashtruese dhe dhunuese. Në to bënin vakanca punonjësit e aparateve dhe komiteteve, dhe një numër shumë i vogël i selektuar punëtorësh të thjeshtë biografimirë. Them ishte dhunuese, sepse dhunonte ata punëtorë të thjeshtë bografinxirë që punonin si heronj dhe keqtrajtoheshin në vlerësimin dhe mohimin e të drejtave të tyre, për të mos pushuar në këto “shtëpi” të privilegjuara. Mbase e përsëris, por parti-shteti diktatorial bënte ca gjëra për të argëtuar skllevërit e tij. SHQU-ja ishte ndër objektet e privilegjeve, të cilat nuk i shkojnë më sistemit të pranuar. Të gjitha shtëpive të ushtarakëve në Tiranë apo rrethe ose duhet t’u ndryshojë destinacioni në godina të institucioneve administrative ose duhet të shiten dhe paret e tyre të shkojnë për investime publike.
Eshtë për të ardhur keq, që politizimi i një vendimi rutinë prej një grupi të vogël ish-ushtarakësh, ka përfshirë në vorbullën e tij edhe ministren e re të Mbrojtjes së vendit, Kodhelin, e cila nuk ka pse prononcohet pa marrë bekimin e Parlamentit dhe të Presidentit të Republikës dhe, aq më tepër, s’ka pse ngatërron NATO-n me SHQUP-in që në fillimin e karrierës së saj. Në se mendohet se qeveria e re fiton kapital politik me këto qëndrime, e siguroj se humbet shumë kapital politik, duke bërë përpjekje për të mbajtur në këmbë disa objekte për nostalgjinë e disa enveristëve. Asnjë shqiptar nuk pajtohet më me privilegje të pamerituara.
Me keqardhje, vendimi i qeverisë për SHQU-në, simbolin e privilegjave, e lë në dhimbjen e saj, pinjollen e kastës ushtarake, Magdalena Ramohito, e cila këto ditë shkruante me nostalgji: “Mos na e merrni edhe copën e fundit”!

No comments: