Saturday, August 31, 2013

A është gjallë Ben Blushi?

Nga: Alfred Lela
“Mapo”e së martës hapej me një titull që mbërthente në vetvete jo vetëm mungesën e zhvillimeve në gusht, por edhe projeksionin e zhvillimeve të ardhshme në shtator e përtej. “Rama mbledh ekspertët e huaj, mungojnë ‘senatorët’ e PS”, qëmtonte e përditshmja dhe, për atë që i ndjek me vëmendje episodet dhe ngjarjet politike, e kupton se qeveria e re, edhe pse në heshtje, i ka bërë ca të huaj në PS. Sidomos ndër ata që kjo gazetë i mbiquante “senatorë”. A do të kthehen “të huajt” në “armiq”? – është pyetja.
“I huaji i madh”
, i cili potencialisht mund të bëhet “armiku i madh” në një përplasje eventuale në PS është Ben Blushi. Ata që e mbajnë mend një kafe të papritur, të gjatë e të shkujdesur, në një restorant ngjitur me selinë e PS-së, kanë pandehur se mes tyre ishte vendosur, edhe pse i pashpallur, më në fund, armëpushimi.
Një lloj “lufte e ftohtë” me më shumë taktikë se strategji ishte luajtur mes tyre; me deklarata idhnake, Lëvizjen për Mendim Ndryshe dhe sidomos një përpjekje jo e pafrytshme e Blushit për t’u potencuar si faktor intelektual, shprehur nëpërmjet tri romaneve që bënë vend në publikun e gjerë dhe një radhë artikujsh shtetues në shtypin e përditshëm.
U duk se ajo kafe pasditeje të ngeshme tiranase i mbylli plagët e dualitetit, dhe për të shenjuar këtë ndokujt i prodhoi mendja një krahasim anglo-sakson. Edhe Tony Blair qe ulur me Gordon Brown dhe patën bërë një pakt, për t’i lënë radhë njëri-tjetrit si kryetar partie dhe njëkohësisht kryeministra, u pëshpërit. Ndërkohë që dimë se ç’është biseduar mes dy britanikëve, e zbardhur kjo në memuarin e Tony Blair, ende është i errët dhe i pamjaftueshëm informacioni i bisedës apo “paktit” mes Ramës e Blushit.
Gjurmët e saj tashmë janë shndërruar në gjurmë të tjera, ndjekja e të cilave mund të na çojë te situata të reja, në pole të tjera në gjirin e mazhorancës së majtë që pritet të fillojë jetën e saj si e tillë javën e dytë të shtatorit. Një shenjë na është dhënë ndërkohë me anë të heshtjes. As Blushi e as ndonjë tjetër në “zhganin e të pakënaqurve” nuk kanë pipëtirë që prej formimit të qeverisë së re, ku edhe ata, edhe lobet, por ndoshta edhe interesat e tyre janë përjashtuar. Sa do të jetojnë ata në këtë azil politik? – është pyetja.
Një përgjigje spekulative është e lehtë të imagjinohet, por afër mendjes janë disa përgjigje ngjitur me të vërtetën ose të paktën silueta të saj.
Mërgata e senatorëve të PS-së, fati i saj duket se është mbërthyer nga një lëvizje diabolike, dhe prandaj mjeshtërore, e Ramës: ndarja e mandatit të deputetit nga ai i ministrit. Nëse lexon listën e qeverisë së re, kupton se në asnjë rast prej saj nuk mund të dalë një kundërshtar apo kritik i kryeministrit (përjashto eksponentët e LSI-së, cytur nga Meta). “Trimat” gjenden të gjithë në “qeverinë hije” të PS-së që ka mbetur në parlament, e tulatur në dilemën pa zgjidhje: nëse bëhemi ministra jemi të ekspozuar para tekave të kryeministrit, nëse rrimë në Kuvend a jemi pjesë e vendimmarrjeve?
Por, si çdo e keqe që ka një të mirë, Blushi & CO (nëse mundet të ngjizë një vllazni kritikësh e pasuesish) janë të çliruar prej të paktën një ngërçi. Askush nuk mund t’i qortojë se po i bëjnë opozitën opozitës. Nëse sendërtohet një LMN-2 në gjirin e kësaj mazhorance të madhe, kundërshtimi mund të shihet si reagim ndaj arrogancës. Paradoksalisht, kjo madhësi e mazhorancës është edhe rreziku i saj më i madh. Për faktin se në të gjallojnë më shumë se dy vektorë interesash e pushteti, më shumë se dy variante përplasjesh, dhe të paktën një fuqi që mund ta çojë në knock down.
Burimi : mapo.al

No comments: