Sunday, April 7, 2013

Zogaj i shkruan Ramës: Nuk je më opozitë, të uroj suksese me Metën

nga Preç ZOGAJ
Rrugët tona politike u takuan në shqetësimin e mospërmbushjes së standardeve zgjedhore në zgjedhjet e atij viti. Aty mori jetë lëvizja ndërpartiake për transparencën e zgjedhjeve dhe, më tej, një opozitë gjithnjë e më e bashkuar,  që kishte për qëllim të qëndronte fort përballë qeverisë së  tavolinës Berisha-Meta dhe të përgatiste alternativën e fitores në përballjen elektorale me të.


Kemi ecur së bashku në udhëtimin që kanë parë gjithë shqiptarët. Në ditët e saj më të mira Opozita e Bashkuar ka qenë për vendin fuqia dhe shpresa. Falë saj vëmendja dhe ndjeshmëria  ndërkombëtare për zgjedhjet u ngritën në nivelet më të larta; mori jetë një alternativë fitimtare, e aftë për të mundur qeverinë Berisha-Meta me frymë, me program, me etikë, me moral, me numra.

Përkrah jush dhe kolegëve të tjerë të nderuar opozitarë kam dhënë edhe unë kontributin tim në aulat e opozitarizmit dhe në  media për këto qëllime. Kjo ka qenë dhe mbetet një periudhë e vyer për angazhimet e mia politiko-qytetare. Unë ju falenderoj nga zemra për respektin që keni treguar ndaj meje, edhe pse kam pasur statusin e një individi të lirë në këtë tryezë.

Kam qenë i bindur se duke ruajtur kohezionin e brendshëm të partive përbërëse dhe duke u zgjeruar me forca të reja opozitare, që kanë spikatur ndërkohë në skenën politike, Opozita  e Bashkuar i kishte të gjitha letrat dhe numrat për të fituar zgjedhjet e vitit 2013, pa qenë nevoja t’i zgjaste paraprakisht dorën një partie qeveritare. Unë e kam zhvilluar e mbrojtur gjatë këtë pikëpamje pranë jush, tashmë pa sukses. Fitorja e zgjedhjeve si opozitë pushoi së qëni bindja juaj. Me argumentin e bashkimit për fitoren, ju i keni drejtuar sot një ftesë për koalicion parazgjedhor LSI-së. Personalisht, duke përshëndetur largimin e LSI-së nga qeveria, do të kisha preferuar votimin veç e veç të kësaj force politike dhe të Opozitës së Bashkuar.  Publikut nuk i duhet hequr mundësia të gjykojë me votë, drejtpërsëdrejti, histori politike të rralla si kjo e LSI-së gjatë këtyre katër viteve. Është e drejta juaj të mendoni  ndryshe. Është e drejta juaj të ndërtoni koalicionet që i mendoni me të efektshme në funksion të marrjes së pushtetit.

Por ftesa që i keni drejtuar një partie qeveritare në fund te mandatit qeverisës prodhon në rrafshin politik efekte të tjera, që nuk mund të mos mbahen shënim.

Me koalicionin PS-LSI bie koncepti i Opozitës së Bashkuar ashtu siç e kemi konceptuar e siç ka funksionuar deri tani; bie në pjesë të tëra të strukturës së saj Rilindja si emri i alternativës së PS-së; bie opsioni i aleancës antiregjim, bie opsioni i tejkalimit të Berishës si mendësi qeverisëse, bie kuptimi i garës elektorale si një përballje midis opozitës dhe qeverisë. Fushata dhe termat e saj mbeten për t’u përcaktuar nga e para. E vetmja gjë logjike në këtë zhvillim është bashkimi  pragmatist i dy të majtave.

Në këto kushte, me historinë politike që kam dhe për shkak të qëndrimeve publike që kam mbajtur për shumë ngjarje të këtyre katër viteve, e konsideroj të përfunduar angazhimin tim në koalicionin tuaj të derisotëm dhe të parinovueshëm vazhdimin në koalicionin tuaj të ri.

Ju uroj punë të mbarë dhe suksese

No comments: