Tuesday, February 19, 2013

Në 14 gusht grekët lanë në zonën e Bilishtit 60 ushtarë të vrarë

Nga Fatos Veliu



(Përmbledhje e kronikës së numrave të kaluar)

N ë mëngjesin e datës 1 gusht
1949, forca të shumta dhe të
armatosura të strukturave të ushtrisë greke iu afruan në mënyrë të organizuar kufirit të Shqipërisë. Ato u përqendruan zonën e Vidohovës, të vendosura në një gjerësi prej 800 metrash, duke filluar prej piramidës nr/48 të kufirit shtetëror shqiptar dhe deri tek ajo nr/54.
* * *


Filloi goditja intensive me artileri mbi tokën shqiptare, e cila vijoi pa ndërprerë për plot 45 minuta.

Menjëherë pas ndërprerjes së goditjes me artileri, filloi sulmi i forcave të këmbësorisë, të cilat mësynë kundër rojeve të kufirit shqiptar.
Sipas arkivit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku në faqen 115 të dosjes nr/3 (Inv I) të Seksionit të Historisë janë regjistruar të kenë qenë plot 1000 ushtarë të armatosur të pajisur me të gjitha llojet e armëve, të cilët ishin inkuadruar në tri batalione.
* * *
Në të njëjtën kohë që këmbësoria filloi goditjen frontale ndaj pozicionit të rojeve të armatosura shqiptare, 15 aeroplanë të tipit "Spitfajer" shoqëronin sulmin, duke bombarduar e mitraluar nga lartë në mënyrë të pandërprerë për të paralizuar forcat kufitare të Shqipërisë.
Në këtë mënyrë dhe këtë ritëm ofensive, ushtria greke sulmoi lartësitë e kuotave 1309 dhe 1425, ndërkohë që vijoi mësymjen drejt piramidës 48.
* * *
Pikërisht në piramidën nr/48 të kufirit shqiptar forcat greke u ndeshën me rezistencën e ashpër të rojeve ushtarake shqiptare të përbëra nga një togë prej 36 vetësh.
Këtu filloi një luftë e furishme dhe e përgjakshme. Heroizmi i ushtarëve do të regjistrohej në kronikat e kohës, duke u bërë shembull në mediat botërore.
Kështu, në lidhje me atë sulm do të shkruante edhe gazeta e Moskës në ish-Bashkimin Sovjetik "Novoe Vremja". Pikërisht në numrin e saj të datës 7 shtator 1949 do të shkruante:
"Fushata agresive kundër Shqipërisë mori formën e saj më të poshtër në lidhje me të ashtuquajturën "Çështje Greke... ."
Forcat ushtarake të kufirit shqiptar në atë moment të sulmit barbar kanë treguar një trimëri të pashembullt dhe kanë rezistuar me një heroizëm të patreguar.
* * *
Në sulmin e parë që zgjati tre orë, forcat greke fillimisht u zmbrapsen. Por nuk vonoi dhe të shtyrë nga oficerët e tyre, që u qëndronin mbrapa me mitraloza, filluan sulmin e dytë, i cili vazhdoi shumë më i furishëm dhe më i egër se i pari.
* * *
Por edhe pas këtij sulmi të dytë, i cili filloi me një angazhim më të fuqishëm, kufitarët shqiptarë nuk u tundën nga vendi duke u betuar se do të vdisnin dhe nuk do e njihnin tërheqjen. Është një episod i çuditshëm ky, i ndodhur në Shqipëri në atë periudhë të '49-ës, i ngjashëm mot a mot me heroizmin rrënqethës të grupit të aviatorëve në romanin "Qielli i Balltikut", me subjekt historik të Luftës së Dytë Botërore, ku aviatorët sovjetikë u betuan të mbronin ishullin ku ishin vendosur, deri në vdekjen dhe të pilotit të fundit, gjë që ia arritën sigurisht me humbjen e jetës.
Në faqen nr/ 115 të dosjes nr/3 (inventari I) të Arkivit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku është dokumentuar kronika e hollësishme e atij momenti sa i përgjakshëm, aq edhe heroik e emocionues i ushtarëve të piramidës nr/48 citohet ushtari i guximshëm Mustafa Gjini, i cili në momentin më kritik të sulmit grek, duke luftuar me një heroizëm të paimagjinuar, iu drejtua shokut në krahë duke bërtitur:
"Unë nuk tërhiqem prej këtej, se këtu është shtëpia ime, atdheu im!".
Jo vetëm Mustafa Gjini, por pas tij të tërë kufitarët e asaj piramide qëndruan pa lëvizur nga pozicioni dhe duke kundërvepruar me tërë mundësinë që kishin drejt ushtarëve uzurpues, që u ishin sulur drejt pozicioneve.
* * *
Ushtari Tafil Ferati, i efektivit të piramidës 48, siç mësohet në faqen 120 të së njëjtës dosje të cituar më lartë, si luftoi për disa orë rresht me trimëri e guxim të jashtëzakonshëm, më në fund është ngritur nga pozicioni ku luftonte dhe u turr si rrufe drejt forcave monarko-fashiste, që kishin avancuar në tokën shqiptare duke u bërtitur:
"Ejani, ejani se këtu do to lini kokën!".
Por..., në atë çast, atë e sulmoi një skuadër e tërë armike. Tafili ndërkohë ka arritur që mes asaj revolte që i kishte shpërthyer në gjoks të vriste katër prej tyre, por..., më në fund ra përtokë i mbuluar në gjak. Ai ra si hero pikërisht në atë fushëbetejë që grekët e shkaktuan në tokën e atdheut të tij.
Shoku i tij, Ramazan Zeneli, megjithëse i plagosur shumë rëndë në gjoks, arriti që mes zjarrit të fuqishëm dhe intensiv të plumbave grekë, të mund të tërhiqte trupin e pajetë dhe nuk e la në dorë të armikut.
* * *
"Nuk mund të përshkruhet, - thuhet në komunikatën e Ministrisë së Mbrojtjes Popullore të datës 10 gusht 1949, - heroizmi i kapter Zylgani Vidohovës, i cili si vrau gjashtë monarko-fashistë që marshonin përpara me flamurin grek, iu turr flamurtarit, e kapi prej fyti, e vrau dhe ia grisi flamurin duke ja bërë copë-copë përpara syve të mbi 1000 monarko-fashisteve".
Akt ky i pasqyruar hollësisht në faqen nr/ 185 të dosjes nr/3 në inventarin I, të Arkivit të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
* * *
Mbas sulmit të përgjakshëm, forcat e shumta greke mundën të zaptonin kuotën 1309, ku luftonin me një trimëri të jashtëzakonshme vetëm tre kufitarë shqiptarë dhe konkretisht Sakli Keta, Mufit Tofiku dhe Nikoll Shupi, të cilët e vazhduan rezistencën në mënyrë të pabesueshme edhe pasi u plagosen rëndë.
* * *
Heroizmat që treguan kufitarët shqiptarë në atë përleshje aq të përgjakshme dhe të pamëshirshme të shkaktuar nga ushtarët e matanë kufirit janë të panumërta dhe të paimagjinueshme.
Mbas shtatë ore luftimesh të ashpra për jetë a vdekje, pikërisht në orën 18:30, forcat shqiptare kanë marrë situatën, ndalën furinë mësymëse dhe kaluan në kundërsulm të menjëhershëm dhe shumë të guximshëm. Pas këtij kundërveprimi kulminant dhe tejet heroik, duke u betuar solemnisht se do vdisnin për truallin e tyre, duke u lëshuar si kamikazë drejt formacioneve greke, arritën t'i thyejnë ata dhe brenda një kohe të shkurtër mundën të çlirojnë kuotën 1309 të zënë prej tyre. Jo vetëm kaq, por sulmi heroik dhe shokues për guximin e treguar vijoi edhe pas largimit armik nga kuota e kapur deri në zhvendosjen e tyre matanë kufirit shtetëror.
Pas kësaj u vendos rregulli territorial në të gjithë vijën e kufirit.
* * *
Megjithëse patën mbi njëqind të vrarë dhe nuk ia arritën dot qëllimit, por u detyruan të tërhiqeshin shumë turpshëm me të gjitha forcat dhe llojet e shumta të armëve dhe mjeteve, monarko-fashistët grekë i vazhduan sulmet e tyre edhe në ditët e mëvonshme, duke u përhapur këtë herë në një gjerësi fronti shumë të madh, ku përfshiu të gjithë sektorët e kufirit tonë si në Bozhigrad, Leskovik, Bilisht, etj.
* * *
E vërteta e padiskutueshme dhe shumë historike është se në çdo sektor ata pësuan disfata.
Kështu, nga sulmi që bënë më 3 gusht 1949 në Menkulas, repartet monarko-fashiste jo vetëm që u shpartalluan, por u kapen robër nga forcat kufitare shqiptare edhe komandantët e dy togave.
Ja si deklaroi komandanti i togës së dytë, Manol Trulinos, dëshmi e cila ndodhet në arkivin e Ministrisë së Brendshme, pikërisht në faqen 55 të dosjes me emërtim "Deklarata e Manol Trulinos" e ndodhur në Nr. A/I. Në atë deklaratë të tij të shkruar me shkrim dore thuhet:
"Unë i nënshkruari Manol Trulinos, i biri i Aleksandrit dhe i Marijes, lindur vitin 1920 në Irakli të ishullit të Kretës dhe me banim në Athinë, me profesion oficer, me gradën nëntoger, komandant i togës së dytë, kompanisë së parë, batalionit 627, brigadës 72, divizionit të tetë ushtarak, deklaroj sa më poshtë vijon:
Më datën 1 gusht 1949, duke qenë së bashku me kompaninë në vendin e quajtur Amarandis, me urdhër të komandantit të batalionit 627, major Janis Papajorgos, u nisëm së bashku me repartet tona në drejtim të Kamenikut dhe sipas urdhërit të komandës, më datën 3 gusht 1949 sulmuam rojet kufitare shqiptare dhe u futëm në thellësi të tokës shqiptare deri 150 metra, ku ndalemi nga rojet shqiptare dhe mbasi qëlluam ne të parët, rojet shqiptare na kundërsulmuan dhe na shpartalluan. Në këtë kohë unë, duke u shkëputur nga reparti im, u kapa rob prej forcave të kufirit shqiptar".
* * *
Në 4 gusht 1949
Një tjetër ngjarje e jashtëzakonshme do të shënohet në Buletinin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe në precedentët shqetësues të Qeverisë shqiptare.
Në tokën shqiptare hyn një avion misterioz grek, i cili ishte avion zbulimi, madje i pilotuar nga një prej zbuluesve më të mirë të shtetit helen, nënkoloneli Panajot Bellafis.
Nënkoloneli i zbulimit grek, Panajot Bellafis ishte dërguar nga ky zbulim në 4 gusht 1949 me avion të sofistikuar mbi tokën shqiptare për të zbuluar dhe për të fotografuar objektet strategjike dhe forcat ushtarake shqiptare.
Lidhur me detyrën që kishte marrë nga zbulimi grek në deklaratën e bërë para autoriteteve shqiptare, që tashmë ndodhet në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe pikërisht në Inventarin I, ku ndodhet dosja e emërtuar "Deklaratat e Panajot Bellafisit" në faqen nr/ 158 të së cilës thuhet:
"Unë i nënshkruari Panajot Bellafis, i biri i Dhimitrit dhe i Anastasisë, lindur më 1916 në katundin Nemes të Korinthit dhe banues në Athinë, me profesion dirixhues avioni dhe i dalluar për zbulime ushtarak, me gradë "nënkolonel" i zbulimit grek, deklaroj si me poshtë:
Kam mbaruar akademinë e pilotëve në vitin 1937.
Që atëherë kam shërbyer në aviacionin ushtarak të Greqisë. Gjatë luftës italo-greke u pa zotësia ime nga sukseset që kam patur në vëzhgimet dhe si i tillë, mu dha grada "major".
Në vitin 1947, për sukseset e arritura në zbulimet ushtarake, gradohem "nënkolonel".
* Më datën 4 gusht 1949 u ngarkova nga komanda e shërbimit sekret të hyj me avionin në thellësi të tokës shqiptare, me qëllim që të zbuloja përqendrimet e trupave dhe lëvizjet e tjera ushtarake shqiptare në pjesën jugore të kufirit greko-shqiptar.
* U nisa me avion nga aerodromi i Janinës drejt për në rrethet e Delvinës, Sarandës dhe Konispolit.
Kur hyra në thellësi të tokës shqiptare në drejtimet që përmenda më lart, u godita pa pushim nga zjarri i artilerisë kundërajrore shqiptare. Bëra të gjitha përpjekjet për të kryer misionin që më ishte ngarkuar, duke iu larguar zjarrit të artilerisë kundërajrore shqiptare, por në çdo drejtim të ri që nisesha, gjendesha përpara një zjarri të dendur të artilerisë. Më në fund u gjeta i rrethuar nga çdo anë prej zjarrit dhe në rrezik që të qëllohesha për t'u rrëzuar. Për t'i shpëtuar kësaj fatkeqësie u detyrova të ulem në fushën midis katundeve Finiq dhe Çukë, 30 kilometra në thellësi të tokës shqiptare, pa mundur të kryej misionin që më qe ngarkuar...".

12 gusht 1949
Ora 3:30 minuta
Ushtria greke sulmon në zonën e Bilishtit,
thyhet turpshëm

Më 12 gusht 1949, në orën 3:30 të mëngjesit, forca të shumta të ushtrisë greke deri në një brigadë, të shoqëruara nga katër aeroplanë dhe një regjiment artilerie të rëndë, sulmuan në drejtim të piramidës 35 në sektorin e Bilishtit, por mbas sulmeve të ashpra ata u thyen në mënyrë të turpshme.

Ora 13:10 minuta
Ripërsëritet sulmi
mbi piramidën 35
Sektori Bilisht, Sërish disfatë e turpshme
Po atë ditë, pra më 12 gusht 1949 në orën 13:10,
Siç bëhet e ditur në faqen nr 158 të dosjes nr/3 të ndodhur në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe pikërisht në Inventarin Nr/ I, një brigadë tjetër greke e shoqëruar me gjashtë aeroplanë, sulmoi sërish mbi piramidën 35, por përsëri ata u përballën me disfatën e radhës, gjë që tashmë po demoralizonte ushtarët, të cilët ishin shumë të bindur për humbjen e turpshme.

13 gusht 1949
Përsëri sulm i rrufeshëm mbi Bilisht
Humbje e turpshme,
26 të vrarë dhe qindra të plagosur
Me 13 gusht dy brigada monarko-fashiste sulmuan në sektorin e Bilishtit me luftë të rrufeshme, por edhe me këtë taktikë ata pësuan disfatë, duke lënë 26 të vrarë në tokën tonë dhe qindra të plagosur.

14 gusht 1949
Sulmohet piramida
30-31
Sektori Bilisht
Shënohet disfata më e turpshme për grekët,
u shkaktohen 60 të vrarë dhe shumë të plagosur
Me shpartallimin e
Brigadës 41 të
Divizionit të 9
merr fund agresioni i hapët monarko-fashit
Me 14 gusht sërish sulm i fuqishëm mbi sektorin e Bilishtit. Këtë herë ishte brigada 41 e divizionit të 9 grek, e shoqëruar fuqishëm me dy regjimente të artilerisë së rëndë dhe një skuadrilje avionësh "Spitfajer", që u sulën në mënyrë të rrufeshme duke përdorur zjarrin dhe fuqinë e të gjitha llojeve të armëve dhe mjeteve drejt piramidës 30-31.
Por kjo do të ishte disfata më e turpshme, sepse brigada e tyre më e mirë dhe me mjaft përforcime u thye keq dhe siç citohet në faqen nr 105 të dosjes nr/3 të ndodhur në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe pikërisht në Inventarin Nr/I, mësohet që t'i jenë shkaktuar plot 60 të vrarë e shumë të plagosur.
Me shpartallimin e kësaj brigade mori fund agresioni i hapur monarko-fashist.
Në të njëjtën kohë përballej edhe sulmi jugosllav
Por paralelisht me këtë provokacion, ushtria shqiptare ka pasur të njëjtat sulme me të njëjtën furi dhe agresivitet edhe nga kufiri me Jugosllavinë e asaj kohe.
Titistet e Beogradit filluan provokacione të hapura në kufirin shqiptaro-jugosllav. Prej 1 deri me 10 gusht 1949, fashistët jugosllavë filluan provokacionet në stil të gjerë nga sektori i Bajzes-Koplik deri në sektorin e Kukësit dhe të Peshkopisë, por ashtu si edhe në rastin e kufirit grek, edhe ata kanë pësuar kudo disfata, madje të turpshme.

Në provokacionet e përgjithshme të gushtit 1949
Të gjithë armiqtë e truallit shqiptar
lanë 300 të vrarë,
500 të plagosur
dhe 270 robër
Në këtë agresion me front të hapur, i organizuar mbi kufirin shtetëror shqiptar prej datës 2 deri më 15 gusht 1949, armiqtë e vendit tonë pësuan disfatën më të turpshme. Siç evidentohen në dosjet përkatëse të përpiluara për provokacionet në fjalë të ndodhura në arkivin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe në atë të Ministrisë së Punëve të Brendshme e dhe pikërisht në faqen 273 të Inventarit/I, mësohet se ata jo vetëm që nuk mundën të realizonin qëllimet e tyre, por lanë të vrarë në tokën shqiptare 300 ushtarë monarko-fashistë, 500 të plagosur dhe 270 robër.

REAGIMI PAS
PROVOKACIONEVE,
Protestat popullore
Populli shqiptar, si gjithmonë u karakterizua në ato ditë nga një patriotizëm i flaktë, siç e ka treguar rregullisht në histori kur ka pasur momente të tilla rreziku të truallit të atdheut.
Me qindra e mijëra ishin letrat, telegramet dhe protestat e masave punonjëse, me të cilat është shprehur urrejtja karshi armikut dhe njëkohësisht gatishmëria për të marrë pjesë në mbrojtjen e kufijve tanë të shenjtë.

Protestojnë
minoritarët e Pogonit
Populli minoritar i Pogonit, siç mësohet nga shtypi i kohës dhe pikërisht nga gazeta "Zëri i Popullit" i atyre ditëve, pra i gushtit të '49-s, në telegramin e protestës që i dërgoi Organizatës së Kombeve të Bashkuara, mes të tjerash shkruante:
"Kërkojmë që t'u jepet fund këtyre veprave të poshtra dhe barbare që po i bëhen padrejtësisht vendit tonë"!

Babai falenderon
djalin e vrarë nga grekët
Ndërsa fshatari mirditor, kur vajti para varrit të djalit të tij, që iu vra nga monarko-fashistët grekë 50 metra nga piramida 33, duke iu drejtuar varrit të të birit, tha:
"Të lumtë hej im bir, se ke nderue vendin, mue dhe vatanin, ke krye detyrën si të pata porositun kur të nisa për ushtri. Jam i kënaqun dhe jo i hidhnuem që re për Vatanin". Betim emocionues ky, që është i regjistruar në faqen 54 të dosjes nr/3 të inventarit I, në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Greqia ka sërish
luftëdashës
Kemi shkuar ndër mend të gjitha luftërat dhe përpjekjet që kemi bërë për çlirimin e vendit kundra italo-gjermanëve dhe ndërgjegjja na thotë se detyra nuk qenka mbaruar nga brezat e kaluar, sepse bota ka akoma njerëz luftëdashës, që duan të prekin truallin që na ka kushtuar lumenj gjaku.

Të rënët
Në agresionin e përgjakshëm të monarko-fashistëve grekë, sipas evidentimit të saktë të regjistruar në faqen 96 të dosjes nr/3 të inventarit I, në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhanë jetën trimërisht:
Kapiten Memo Nexhipi, nga fshati Dukaj i Tepelenës.
Aspirant Ferit Bregasi nga Vendresha e Çorovodës. Ushtari Tafil Ferhati nga Marjani i Oparit.
Ushtari Shyqyri Avdia nga Skrapari.
Ushtari Ibrahim Fetahu nga Lushnja.
Ushtari Hasan Ramadani nga Shijaku.
Gjithashtu u plagosen rëndë edhe gjashtë ushtarë të tjerë.

No comments: