Sunday, July 22, 2012

“Mjeshtri i Madh” Tonin Tërshana

INTERVISTA/ Fletë këngëtari i mirënjohur “Mjeshtri i Madh” Tonin Tërshana
 
Ja si më lidhi pas tavolinës me litar Tonin Harapi
 
Në Festivalin më të zhurmshëm atë të XI zura çmim të parë.
 
Nëna ime shiste qumshtin e gjirit për të na rritur
 
Peterit Dumja më ndihmoi për t’u futur në Estradën e Ushtarit
 
Albert ZHOLI
Tonin Tërshana ndoshta përbën një rekord në skenën shqiptare pasi qysh në pjesamrrjen, debutimin e parë në festivalin e 4 në RTSH ai zë vend të parë. Dhe athere nuk ishte vetëm 16 vjeç, kur ende nuk kishte zënë një pozicion të caktuar në jetë. Vitet ikin dhe ai merr pjesë në mbi 20 festivale duke zënë 4 çmime të para duke u bërë nëj dnër këngëtarët me më shumë trofe në Festivale. Jeta e tij është e mbushur me shumë peripeci. Këngëtr në Turizmin e Shkodrës, në “Bar sahati” Tiranë, në shumë locale të kohës, derisa  stabilizohet në Estradën e Ushtarit në vitin 1968 me të cilën vazhdon deri në vitin 1993. Një jetë në skenë dhe më vonë ishte i detyruar të shkojë emigrantë në Greqi. Para disa kohësh Presidenti Topi i jep titullin e lartë “Mjeshtri i Madh”, titull të cilin ai e ka merituar me kohë. Por ajo që duhet veçuar nga jeta e tij është kur kompozitori i madh Tonin Arapi e mori në shtëpinë e tij dhe po e përgatiste për festival dhe duke qenë çapkën e lidhi me litar tek këmba e tavolinës për të mos bredhur rrugëve të Tiarnës në kohën që jepte mësim. Në Festivalin aq shumë të diskutuar, pra në festivalin e 11 në vitin 1972 ai zë vend të parë.
 
-Mes miqve të tu flitet s e keni një fëmijëri të veçantë, ku kënga, zëri ju ka ndihmuar të përballoni vështirësitë e jetës?
Kam lindur në qytetin e bukur, qytetin e kulturës dhe të dijes, në qytetin ku liqeni të flladit nga mëngjesi në mbrëmje, kam lindur në atë qytet që ka kalanë me legjendën më të bukur në botë, pra kam lindur në Shkodër. Ishim një familje me shumë fëmijë ku fukarrallëku mbizotëronte në çdo cep të shtëpisë. Qysh fëmij gjeja mundësira nga më të ndryshmet për të nxjerrë bukën e gojës dhe për të ndihmuar nënën.
 
Kjo ishte shtysa që të provonit zërin që fëmijë?
Ndoshta dhe kjo. Por di që unë këndoja kudo që isha por seriozisht të kënduarit për të qenë në vëmendje e kam marrë në vitin 1963. Në atë kohë në Shkodër kishte dy lokale ku këndohej në turizmin e Shkodrës dhe në  lulishten e vjetër  në Shkodër. Sidomos turizmi i Shkodrës ishte në qendër të vëmëndjes. Unë se dija se këndoja aq bukur. Këndoja nëpër shtëpi, rrugëve dhe më kishin dëgjuar shumë njerëz. Midis tyre më kishin dëgjuar dhe dy vëllezër kitarista. Një ditë një nga këta vëllezërit  më thërret në shtëpi dhe më thotë që do vish të këndosh me ne në Turizmin e Shkodrës. Se besoja. Isha ende i vogël. Deri në atë kohë çfarë  dëgjoja në radio unë mundohesha ti imitoja. Kam ditur edhe disa  këngë italiane. Shkodra ka qenë e lidhur shumë me muzikën italiane dhe në përgjithësi me kulturën italiane.
 
 
Në atë kohë lejoheshin këngët italiane, nuk quheshin shfaqje të huaja?
Viti  1963 nuk ka qenë shumë i kontrrolluar. Ishin vite që kishte ndikim ende muzika e huaj dhe problemet e shumta ekonomike e kishin lënë disi të lirë muzikën.
 
Çfarë këngësh fillove të këndosh në turizmin e Shkodrës?
 
 Në fillim kam kënduar këngë italiane dhe jugosllave. Unë atëherë isha 14 vjeç dhe u prita shumë mirë.
 
Si mund ta përcillni natën e parë që kënduat?
Kisha pak ndroje por dhe emocion. Dihet që sajova ca rroba të pastra dhe pse jo të reja. Ishte veshje e pëlqyeshme. Bëra një dush që të dukesha i pastër. Që në fillim zëri më doli i plotë. Këndova 4-5 këngë atë natë dhe shumë njerëz u interesuan, u bënë kurioz. Një djalë i vogël që këndonte këngë të huaja dhe ku në turizëm. Ishte diçka që  binte në sy për kohën. Pas asaj nate Drejtoria e Turimzit më mori në punë  dhe më paguante 120 lekë në 15-ditësh. Unë u quaja si nxënës apo si ndihmës dhe paga ime shkonte 240 lekë në muaj. Më vonë fillova edhe me këngë shqiptare. Mosha nuk ishte shumë e justifkuar si këngëtar i mirëfilltë. Pas asaj dite edhe në shtëpi filluan të vinin të gjithë shokët të më dëgjonin. U bëra me shumë dashamirës. Zërin e kisha të pastër. Po më dukej çudi,  mu dukte shumë e lehtë të këndoja  dhe mendoja se përse nuk këndojnë të gjithë? (qesh). Mu dukej e lehtë për vetë moshën që kisha dhe nuk e mendoja thellë se zëri është dhuratë e zotit.. Tani i kuptoj të gjitha. Këto janë fillimet e mia.
Si vazhdoi karriera juaj?
 
Pastaj në shtator 1963 mua më  doli shkolla në Tiranë. Shkolla  e kulturës. Më doli me gjysmë burse që ishte 90 lekë në muaj. Ishim një familje e varfër. Bëra dy vjet shkollë (ishim 6 fëmijë) por ishim në një gjendje ekonomike të vështirë. E lashë shkollën në vitin 1965. Fillova të këndoj përsëri në Shkodër dhe u futa në punë. Çdo ndërmarrje ka pasur estradë amatore dhe unë punoja në fabrikën e cigareve në atë periudhë. Gëzim Kruja, Muharrem Nurja, ishin  aktor por kishte dhe shumë këngëtarë me emër në atë kohë që unë kam respekt të veçantë si Fatmira Buka, Marjeta Çuni etj që përbënin estardën e fabrikës së cigareve. Si fabrikë cigareje bëmë një estradë të mirë. Në këtë periudhë unë njëkohësisht punoja mbrëmjeve dhe si këngëtar në turizëm.
 
U shkëputët përfundimisht nga Tirana?
Në këtë kohë në turizëm unë njihem me një oficer nga Vlora që quhej Mersin Maksuti. Ai ishte oficer në Shkodër dhe një dashamirës i imi. Ishte vera e vitit 1965. Një ditë Mersini më  thotë se kam biseduar me ata të Estradës së ushtarit që të mund të punoj atje. Vij në  Tiranë pa mbështetje fare. Shkova tek Estrada e ushtarit por ata kishin shkuar për të dhënë shfaqje jashtë Tirane. Aty gjeta një udhëheqës artsitik që kishte qenë sëmurë dhe nuk kishte shkuar në turrne. Ai ishte dhe në orkestrën e Bar Sahatit. Ishte në dijeni për mua. Më fton në darkë te Bar Sahati. Këndova pa ndroje. Atë natë u prita shumë mirë.Tek Banka Kombetare ka qenë një ëmbëltore dhe një dyqan perimesh. Çdo natë unë shkoja e flija aty mes arkash.  Nuk kisha asnjë lloj përkrahje dhe asnjë lloj mbështetje. Njihja vetëm ish kujdestarin e konviktit të shkollës së kulturës kur isha në shkollë në Tiranë. Ai kishte katër fëmijë. U lidha me këta dhe më krijuan bazë për të ndenjur. Më përkrahu shumë kjo familja dhe tek ata  kam ndenjur shumë kohë. U bëra si i lagjes. Bëhet fjalë për lagjen tek rruga Naim Frashëri.Atje u njoha me të gjithë. Në moshë të tillë kalova edhe shumë aventura. Atëherë mu dukte vetja i pavarur dhe kisha dëshirë që të isha i pamvarur.
 
Po njohjet me kompozitorët e mëdhenj si i realizove?
Një natë tek Bar sahati më thirrin në një  tavolinë. Ishte gusht. Burrat në tavolinë më thanë sa bukur këndon ti. Do të provojmë njëherë në radio më thanë, do vish nesër. Për moshën unë nuk isha shumë koshient se çfarë po bëja. Shkova në Radio dhe aty njoha se kush ishin Tonin Arapi, Nikola Zoraqi etj...Pasi më prezantuan me ta më thanë këndo ndonjë këngë. Unë këndova një këngë të Tonin Arapit. Unë duke parë reagimet e tyre mendoj se ata u habitën. Edhe një këngë tjetër. Në shtator më thanë do të marrim tek anketa e parë e Radio Tiranës. Në atë vit filloi anketa për herë të parë. Këndova një këngë me titull “Gjeologët”. Unë tekstin dhe muzikën e mësova jo më shumë se dy orë.. E incizova këngën në radio dhe të nesërmen do të dilte kënga tek anketa e parë që ishte ditë e dielë. Në këtë anketë fitoi Vaçe Zela këngën e gjyshes të Agim Krajkës. Por dhe unë debutova me shumë sukses, u pëlqeva. Kam ndenjur dhe një javë në Tiranë dhe pastaj ika në Shkodër se fillova punë.
 
Për kë këngëtar ke pasur simpati në atë kohë?
Kam pasur një simpati të veçantë për Qemal Kërtushën.Unë e kisha ëndërr të bëhesha  si Qemal Kërtusha. Edhe këngët italiane më pëlqenin shumë.
Si i mbajte lidhjet me Tiranën?
 
Para se të ikja më morën adresën ku jetoj. U futa përsëri në punë dhe u stabilizova mirë. Më ndihmuan shumë si kompozitori i këngës “Lumturia nuk harrohet”. Ky më ka ndihmuar në ndërtimin e vokalit. Në Shkodër punova një vit, kur më bëjnë telegram në shtëpi që të paraqitem në Tiranë se jeni i caktuar të merrni pjesë në festival. Ka qenë viti 1965. Ky ishte festivali i katërt  në Radio. Paraqitem në radio dhe takohem me Tonin Arapin. Më sistemuan në hotel. Tonini ka punuar në mënyrë të jashtzakonshme me mua. Më jepte udhëzime për çdo gjë. Ishte shumë i duruar. Ai ishte nën ethet e Festivalit, ndrësa unë si jepja dhe aq rëndësi. Isha vetëm 16 vjeç. Tonini më udhëzonte për mënyrën e të kënduarit, vokalin qëndrimin. Pasi e mësova këngën m’u dukte vetja si i tepërt dhe unë ika në Shkodër. Tonini më këkronte në Tiranë unë isha në Shkodër. Ishin ditët e përgatitjes.
Kur u ktheve prap në Tiranë?
Unë se dija rëndësinë dhe u ktheva në Tiranë pas disa ditësh. Kur u ktheva përsëri në Tiranë nuk kam fjetur më në hotel por më mori Tonin Arapi në shpi. Nuk më linte të dilja në rrugë. Shkonim në radio bashkë dhe në shpi bashkë. Ata më mbajtën sikur të isha fëmija i tyre. Madje njëherë kur Tonini shkoi për të dhënë mësim më lidhi këmbën me litar tek këmba e tavolinës. Kur u çova u habita. E shoqja e tij qeshi dhe më tha se e ka bërë me shaka.
 
Pra u ngjitët në skenën e Festivalit të katërt në radio Tirana?
 
Po. Ishte Festivali i parë për mua. Fillova të kem emocion.  Në atë festival unë kisha tre këngë si  "Qesh vogëlushi im”, këngën që fitova “Të dua o det” dhe një këngë tjetër. Një këngë u hoq dhe unë këndova dy këngë. Të dyja janë pritur shumë mirë. Me këngët kam dalë mbi 7 herë me duartrokitjet e spektatorit. “Të dua o det” fitoi çmim të parë. Pra ishte festivali i parë ku unë mora pjesë dhe fitova çmimin e parë në atë festival. Kënga ka qenë “Të dua o det” e kompozitorit Tonin Arapi. Marie Kraja ka thënë se doli një  gjigand i madh i këngës në moshë të vogël. Këtë ma kanë thënë se unë nuk e kam dëgjuar. Favori im ka qenë se unë kam qenë bashkëpunues i muzikantëve dhe kompozitorëve shumë të mirë si Kujtim Laro, Limoz Dizdarit, dhe këngëtarëve si  Fatmira Buka, Qemal Kërtusha e shumë të tjerë.
 
Si do ti krahasonit Festivalet e athershme me ato të sotmet?
 
 Unë dëgjoj shumë këngë por nuk më ngjit asnjëra në këto kohët e sotme. Në festivaet e mëparshëm të paktën 4-5 këngë mbeteshin dhe këndoheshin nga të gjithë edhe më mbrapa.
 
 
Eshtë folur shumë për Festivalin e 11-të, si do ta komentonit këtë Festval?
 
Festivali i 11 është zhvilluar në vitin 1972 dhe për mua mbetet një ndër Festivalet më të mirë. Një Festival me frymë tjetër.  Unë kam kënduar një këngë të kompozitorit  Pjetër Gaci.. Edhe në këtë festival të 11-të unë fitova çmimin e parë. Për mua ishte hera e tretë që fitoja çmimin e parë. Titulli i këngës ishte “Kur vjen pranvera”.Teksti ishte i Fatos Arapit. Çmimet  e para i kam marrë në festivalin e 4, 10, 11-të. Ky Festival  përbënte një risi në ëmnyrën e ideimit të skenës, të skenarit të orkestrës. Një festival që përbënte një avancim pak më të madh  për muzikën shqiptare. Pas tij pati shumë diskutime. Pati shumë debate. Unë që fitova çmim të parë nuk pata asnjë problem. Se di pse. Por athere diskutohej edhe për diçka tjetër...
 
Përse bëhet fjalë?
 Fjala ishte që fituesi i çmimit të parë të shkonte në festival Europian. Unë u përgatita për të shkuar në festivalin evropian që ishte në Gjermani në vitin 1973. Pra për një vit më vonë. E kupton se si  mund të shkohej në atë kohë në Festivalin Europian?
 
Si jepeshin çmimet në atë kohë në Festivale përveç jurisë së Festivalit?
 
Kush ishte nga rrethet nuk vlerësohej shumë. Unë që isha nga rrethet, pikërisht rrethet  mua nuk më dhanë pikë për çmim të parë. Pikë më shumë më ka dhënë Durrësi, Elbasani, Tirana . Nga rrethet e mëdhaja mora pikë më shumë. Rrethet më dhanë një  të katërtën e pikëve. Tirana kishte 400 pikë për të dhënë. Pra aty ku kishte më shumë emancipim mora dhe më shumë vlerësim.
 
Cila ishte pika më delikate e kritikës që ju bë Festivalit të 11?
 
 Festivali  u dënua për tendencën e modernizimit. Edhe tekstet ishin më të avancuara në krahasim me të mëparshmet. Ishin pa ideologji, larg klisheve dhe përmbajtjes së theksuar partiake, kishin më shumë frymë perëndimore.  Partia e dënoi festivalin komplet dhe dënoi edhe disa organizues të saj. U dënuan Mihallaq Luarasi, Todi Lubonja që ishte drejtor i përgjithshëm, dhe këngëtarë të tjerë. Të gjithë përgjegjësinë e kanë mbajtur realizuesit. Në atë kohë  për festivalet nuk gjeje bileta. Ne merrnim nga dy ftesa. Kërkesat ishin të mëdhaja. Kur vinim në sallën e Operas ishin policët me rradhë. Turma të mëdhaja ishin jashtë.
 
 
Kur ka filluar Tonini punë në Estradën e ushtarit?
 
Në këtë estardë kam filluar definitiv që në vitin 1968 deri në vitin 1993. Nuk kam lëvizur fare për 26 vjet. Aty e kam të gjithë karrierën  time  kam  bashkëpunuar me Violeta Simonin, Irma Gurakuqin (ishte shume e aftë.) e shumë këngëtarë të tjerë me emër.
 
Kush të ka ndihmuar më shumë për tu bërë pjesë e Estardës së Ushtarit?
Më ka ndihmuar shumë ish  shefi i Shtabit Petrit Dume. Në vitin 1966 unë shkova ushtar dhe punova me Estradën e ushtarit për dy vjet.. Në atë kohë Vaçe Zela kishte ikur nga kjo Estradë. Unë zëvendësova Vaçen. Ishte pikërisht Petrit Dumja që më thirri dhe më vlerësoi shumë.
Petrit Dumja ose shefi si i thoshim ne. Ai më mbante mend që në festivalin e parë. Kur isha ushtar u tregua shumë i vëmendshëm me mua. Një ditë kur kaloj pranë SHQUP (isha ushtar) takoj Petrit Dumen  rastësisht në rrugë dhe ai më tha se akoma nuk je liruar? Kush do të më lërojë mua i thashë. Shko tek drejtori  më tha dhe thuaj të të fus në punë.  Shkoj tek Drejtori i Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë dhe i them se çfarë më tha Shefi  Shtabit. Ai më emëroi direkt  në Estradën e ushtarit definitiv me një pagesë  730 lekë në muaj. Po këtë ditë u quajta i liruar dhe më vonë mora një shtëpi jo shumë të mirë afër Burgut 313. Shtëpia ishte si gabinë plazhi me një dhomë dhe një guzhinë. Aty në atë shtëpi kam ndenjur deri në vitin 1982. Pastaj mora një apartament. Ishin kohë të vështira, por jeta lëvizte me vështirësitë e veta.
 
Cilët nga aktorët e asaj kohe ke njohur në Estradën e ushtarit?
 Kam qenë ushtar me Roland Trebickën, Dhimitër Furxhiu, Zef Deda dhe Ceken e Beratit, .etj. Athere ka pasur aktorë dhe këngëtarë që kanë bërë emar. Rrallë vijnë aktorë dhe këngëtarë të tillë.
Në sa festivale ke marrë pjesë?
Kam marër pjesë afërsisht në 20 Festivale. Nuk janë pak.  Kam marrë 4 çmime të  para, kam marrë  pjesë edhe te festivali i interpretuesve.
Kur ke dalë jashtë për herë të parë?
Kam dalë për herë të parë jashtë në vitin 1978 në festivalin e Ohrit me Asamblin “Migjeni” me repertor këngë popullore. Ishte ndryshim i madh me Shqipërinë. Nga natyra kam qenë pak  i hedhur  por me shtetin nuk ma ka mbajtur. S’kam bërë kurrë luftë me shtetin. Shihja ç’bëhej jashtë dhe heshtja. E dija ç’më priste. I njihja mirë gjërat. Bëja krahasimet dhe habitesha pse ishim kaq mbrapa.
Pastaj kam qenë në Turqi në vitin 1979. Në Turqi kam qenë dy herë. Në vitin 1980, kam qenë në Greqi. Kam qenë me Radio Tiranën në Kosovë. Këtu, policia na ka ardhur gjithmonë mbrapa. Nuk lëviznim pa polici. Në Kosovë ishim si nën mbikqyrje të rreptë. Skishim fare liri. Mu duk vetja si në burg. Por kudo që shkonim habiteshim me përparimet dhe me tregjet plot të atyre vendeve dhe bënim krahasimet me tregjet tona bosh. Kam dalë mbi 5 herë jashtë në regjimin komunsit. O zot, kur kam shkuar për herë të parë dhe bëja krahasimet. Mos e fol. S’e besoja si ishim ne. S’mund ti bëja krahasimet. Por gojënmbyllur. Bah, kush fliste dot athere. Ta thoshin troç, po  fole e ke vendin në burg. Më mirë të heshtja, ç’më duhej ai sport. Nuk durohet burgu.
 
 
Kur e keni ndjerë veten më keq kur ishit fëmijë?
Kur nëna jonë shiste qumështin e gjiirit për të na ushquer ne. Ishim shumë të varfër dhe qumështin në vend tja jepte motrës së vogël e shiste tek nënat që nuk kishin gji. Ky ishte një heroizëm i paparë. Kjo do të thotë mbijetesë. Për mëse 6 muaj ajo shiste qumështin për të marrë 300 lekë në muaj.
 
Pse ikët emigrant në Greqi?
Në vitin 1997 unë shita shtëpinë dhomë dhe guzhinë dhe i futa lekët në firmat piramidale. Rrugë tjetër nuk kisha përveç emigracionit. Në fund të fundit emigracioni ishte një eksperiencë shumë e mirë. Tani jemi emigrantë në vendin tonë (qesh).
 
 
Po sot a ka po aq vlerësim për festivalin e RTSH sa në regjimin komunsit?
Ndoshta nuk ka atë vlerë pasi sot ka shumë evente të tjera, por unë jam i mendimit se sërishmi Festivali në RTSH nuk mund ta zëvëndëojë askush se ai ka një rugëtim gati shekullor. Në regjimin komunist kur zhvilloheëj Festivali nuk kishte bileta dhe policia ishte gardh se mos futeshin pa bileta. Ne kishim të drejtën e dy ftesave.
 
Si ndiheni në Tiarnë pas kaq vitesh emigracion?
(qesh). Le të themi mirë. Jetoj në një lagje të re që s’më njeh asnjë dhe kur dal në qendër më njohin të gjithë.
 
Keni marrë titullin “Mjeshtër i Madh” ndiheni i vlerësuar?
Ndonjëherë vlerësime të tilla të bëjnë dhe optimist. Sigurisht ndihem i vlerësuar.

No comments: