Inva Mula ka shkëlqyer të martën në mbrëmje me rolin e Mimisë në operan
“La Boheme”, në “Les Chorégies d’Orange”, që është festivali më i
hershëm francez, i cili daton qysh prej vitit 1869. Interpretimi i
sopranos shqiptare është duartrokitur
gjatë dhe është vlerësuar për interpretimin dhe ngjyrat e zërit. “Mimi
është një personazh që unë e dua shumë, sepse është një vajzë e thjeshtë
dhe mjaft e ndjeshme. Ka një botë të brendshme të mrekullueshme”,- tha
sopranoja për “Francë 2”, që transmetoi live shfaqjen. “Skena është
dominuar nga zëri i fuqishëm i sopranos Inva Mula dhe baritonit Tézier
Ludovik”, – shkruajnë kritikët. Kështu, vetëm pak muaj pasi është bërë
nënë për herë të dytë, sopranoja Inva Mula i kthehet sërish skenës
operistike. Më ardhjen në jetë të vajzës Nina, sopranoja kishte anuluar
disa projekte për t’u rikthyer në festivalin prestigjioz të Orange-s
vetëm 3 muaj pas lindjes. Sopranoja u ngjit në skenë me “La Boheme” të
Giacomo Puçini-t në amfiteatrin antik roman në Orange, i cili ka
duartrokitur interpretimin e saj dhe të disa prej emrave më të njohur të
skenës operistike, si Tézier Ludovik, Nicola Cabrone, Vittorio Grigolo,
Roberto Alagna, Patrizia Ciofi, Diana Damrau. Opera është drejtuar nga
mjeshtri koreano-jugor, Myung-Whun Chung, drejtues i Orkestrës
Filarmonike të Radio Francës. Për sopranon shqiptare nuk është hera e
parë që shkëlqen në teatrin e Orange-s. Tre vjet me parë ajo është
duartrokitur me rolin e Nedës tek “Pagliaçi” dhe ky është një rikthim
pas 3 vitesh mungesë. “La Boheme” konsiderohet një nga veprat më të
arrira të kompozitorit italian. Pas kësaj Inva Mula do të vijojë me
kalendarin e saj, të përcaktuar tashmë. A.T
No comments:
Post a Comment