Friday, June 1, 2012

Basha ofron zgjidhje për vazhdimin e ndeshjeve ndërkombëtare në “Qemal Stafa”. Punimet për parkimin nëntokësor në sheshin “Italia” nuk do të pengojnë zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, zhvilloi një takim me përfaqësuesin e Komitetit të Sigurisë dhe Stadiumeve në UEFA, Zhan Fransua Kruke, presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka dhe përfaqësues të Policisë së Shtetit, ku është ofruar zgjidhja për vazhdimin e ndeshjeve në stadiumin kombëtar në parametrat dhe standardet e vendosura nga UEFA. Sipas njoftimit për shtyp të bërë dje nga bashkia pas takimit mes palëve, zgjidhja e ofruar është mirëpritur nga i dërguari i UEFA-s. Deri tani ishin bërë plane që ndeshja të luhej në Shkodër ose edhe jashtë Shqipërisë, sepse pas fillimit të punimeve para stadiumit për parkingun privat, FIFA njoftoi se kështu nuk përmbushen as kriteret më minimale.
Duka Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka pohuar pas takimit të djeshëm se bisedimet kanë qenë të frytshme dhe se ka një frymë bashkëpunimi nga ana e kryebashkiakut Basha për një zgjidhje sa më të mirë. Duka ka pranuar se me shumë mundësi që dy ndeshjet e para në fushën tonë kundër Qipros (7 shtator) dhe kundër Islandës (12 tetor), kuqezinjtë të mund t’i luajnë në Tiranë. “Patëm një takim me kryetarin Basha dhe ku u pa qartë vullneti i tij për bashkëpunim. Ne i paraqitëm atij dy opsione për të ndërtuar një shesh-parkim provizor, kusht i vënë nga FIFA. Basha pranoi se do të ndihmonte për të realizuar një nga mundësitë dhe mendojmë se edhe FIFA do të na lejojë që t’i zhvillojmë këtu dy ndeshjet e para si pritës”, tha kreu i federatës. Ai la të hapur mundësitë që ndeshjes e mëpasshme të luhen në stadiume të tjera, si Shkodra apo Korça. Kjo pasi pritet të nisë ndërtimi i stadiumit të ri, pikërisht në hapësirën e impiantit “Qemal Stafa”.
Fusha e keqe
Nëse është gjetur një zgjidhje për stadiumin ku shumëkush i kënaqet faktit që Kombëtarja do të ketë mundësi të luajë në kryeqytet, një problem më vete mbetet fusha e “Qemal Stafa”-s. Tapeti i gjelbër është katandisur si mos më keq pas një sezoni të ngjeshur me ndeshje dhe me reshje të dendura shiu. Terreni është tejet i vështirë dhe kjo mund ta penalizojë edhe skuadrën tonë përfaqësuese.
Krizë te Janina, shpëton Lila me Vilën
Krizë te Janina, shpëton Lila me Vilën Kriza greke përfshin klubin e Janinës, ku aktivizohen dy futbollistët e Kombëtares shqiptare, Andi Lila dhe Emiljano Vila. E përditshmja greke “Sport Day” raportonte dje se drejtuesit e klubit kanë vendosur të përgjysmojnë buxhetin për sezonin e ri, si dhe të ulin rrogat e titullarëve. Në këtë situatë jo të mirë kanë shpëtuar Lila me Vilën, të cilët vlerësohen si lojtarë shumë të rëndësishëm për skuadrën dhe kësisoj nuk do të preken nga masat e klubit. Këtë e konfirmojnë edhe gazetat sportive helene. “Plani i presidentit Jorgo Hristovasilis është që të ndërtojë skuadrën e re, duke u bazuar te 13 lojtarët që janë nën kontratë edhe për sezonin e ardhshëm. Buxheti i klubit nuk do t’i kalojë 1 milion e 500 mijë eurot. Hristovasili ka menduar të ulë shpenzimet dhe të ruajë grupin, por me ndryshimin se disa prej titullarëve nuk do të kenë të njëjtat paga. Nuk dihet nëse lojtarë si Pacacoglu, Fegrus etj., do të pranojnë kushtet e reja të klubit”,- thuhej ndër të tjera në shkrimin për klubin e Janinës. Ndërsa vlen të përmendet se Lila me Vilën kanë nënshkruar kontrata 3-vjeçare. Sezoni 2011-2012 ishte i pari për dy lojtarët me klubin e Janinës. Gjatë fazës së parë ka shpërthyer Lila, ndërsa në fazën e dytë shkëlqeu Vila, duke shënuar gola të rëndësishëm për skuadrën. Janina e mbylli sezonin në vendin e 8-të me 38 pikë, duke mos rrezikuar mbijetesën. Pas përfundimit të kampionatit, drejtuesit e klubit nuk mundën të rinovonin kontratën me trajnerin Agjelo Anastasiadhis. Tashmë Janina është pa trajner, por edhe me shumë probleme financiare. Gjatë sezonit të kaluar ka pasur raste kur pagat e lojtarëve janë vonuar. Madje kjo është publikuar edhe në mediat helene. Gjithsesi, Vila dhe Lila janë të kënaqur me aventurën te Janina, të cilën e shikojnë si trampolinë për të kaluar drejt një klubi më të madh. Mësohet se ofertat nga skuadra e tjera të Superligës helene nuk kanë munguar për dy lojtarët kuqezinj. Së fundmi për Lilën është interesuar edhe një klub austriak, por largimi nuk varet nga lojtari, pasi është nën kontratë edhe për dy vite.
Muzaka-Osmani
Gjergji Muzaka dhe Tefik Osmani mund të kalojnë te PAS Janina gjatë merkatos së verës. I pari është përfolur për një transferim të mundshëm te skuadra greke që në verën e sezonit të kaluar, mirëpo përfundimisht ata që shkuan te Janina ishin Lila dhe Vila. Drejtuesit e Janinës, duke parë paraqitjen e mirë të tyre, i kanë hedhur edhe më shumë sytë nga kampionati shqiptar. Lojtarë si Veliu, Vajushi dhe Cikalleshi kanë qenë në fokusin e Janinës.
Stadiumi i finales së Botërorit 1958 i falet Kosovës
Stadiumi ku u bë i njohur në arenën ndërkombëtare legjenda e futbollit Pele, do t’i dhurohet Kosovës. Stadiumi “Rasunda”, që gjendet në Solna të Suedisë, do t’i bëhet dhuratë Federatës së Futbollit të Kosovës nga Federata e Futbollit të Suedisë. Në të vërtetë, stadiumi ku u zhvillua finalja e kampionatit botëror të vitit 1958 do të prishet në fund të këtij viti, ndërsa të gjitha pajisjet e tij që mund të çmontohen e të shfrytëzohen prapë, do të vijnë në Kosovë. Kjo është bërë e ditur të enjten në një konferencë për shtyp të trajnerit të Kosovës në futboll, Albert Bunjaki, dhe drejtuesve të FFK-së. Stadiumi ku u luajt finalja e Botërorit të vitit 1958 “Rasunda”, ndërmjet Suedisë dhe Brazilit, do të rrënohet në periudhën 10 nëntor-10 dhjetor të këtij viti. Atë finale e fitoi Brazili me rezultatin 5-2. Pele, asokohe 17-vjeçar, në këtë Botëror u bë i njohur në tërë botën. Në finale shënoi dy gola. Stadiumi i përfaqësueses së Suedisë dhe klubit AIK do të rrënohet për t’u zëvendësuar me stadiumin e ri, “Friends Arena – Svedbank”, që është duke u ndërtuar po ashtu në Solna të Stokholmit. “Komplet stadiumi ‘Rasunda’ do t’i bëhet dhuratë Federatës së Futbollit të Kosovës. Vlera financiare e kësaj dhurate është shumë e madhe. Dhurata përmban 37 mijë ulëset e stadiumit, shumë cilësore, pastaj sistemi i ndriçimit me standarde të FIFA-s, sistemi i dëgjimit, rrethojat speciale të aluminit për siguri, katër porta lëvizëse, 30 metra tunel lëvizës, ulëset VIP, 12 kioska për shitje të biletave, salla e konferencave e tetë dhomave të zhveshjes”, ka thënë trajneri Bunjaki. Sipas tij, vendimi për rrënim të stadiumit u mor që në vitin 2006. Ai thotë se dhurata është rrjedhojë e marrëdhënieve të mira që ka FFK-ja me Federatën e Futbollit të Suedisë. Sipas Bunjakit, transportin e pajisjeve për në Kosovë duhet ta bëjë FFK-ja. Më 15 gusht në këtë stadium do të zhvillohet ndeshja miqësore mes Suedisë e Brazilit, në të cilën prezent do të jetë edhe një delegacion i FFK-së. Ndërsa ndeshja e fundit në “Rasunda” do të zhvillohet më 6 nëntor, mes AIKut e Malmos. Nënkryetari i FFK-së, Agim Ademi, ka thënë se Federata ende nuk ka vendosur se në cilin stadium do t’i dërgojë pajisjet. Sipas tij, transportimi i pajisjeve nga Suedia nuk do të jetë problem. Përzgjedhësi Bunjaki në konferencë ka folur edhe për vendimin e FIFA-s, që Kosovës t’ia lejojë miqësoret. Sipas tij, loja e ardhshme nuk do të jetë e para për Kosovën, por e pesta. Bunjaki theksoi se ndeshjet miqësore do t’i shërbejnë përfaqësueses që të përgatitet për eliminatoret e kampionatit evropian. Ai ka kërkuar që të shmanget puna spontane dhe që kundërshtarët për përfaqësuese të dihen një vit më herët. Në konferencë është bërë e ditur se për miqësoren e parë të Kosovës, pas vendimit të FIFA-s, duhet të pritet edhe disa muaj. “Datat e lira për ndeshje miqësore janë 15 gushti dhe 14 nëntori. 15 gushti është shumë afër dhe delegacioni i FFK-së do të qëndrojë në Suedi. Vetëm për këto data unë mund të nxjerr lojtarët nga klubet e tyre. Ndeshje mund të luhen edhe në data të tjera, por në ato raste nuk do të bëhej fjalë për përfaqësuese, por vetëm për seleksionime”, ka shtuar Bunjaku.

No comments: