Friday, June 1, 2012

Komuniste dhe pornostar, synon qeverinë franceze

Një pornostar në qeverinë franceze. Céline Bara, 33-vjeçarja ish-aktore e filmave me drita të kuqe do të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme legjislative nën siglën e partisë MAL (Lëvizja Antiteiste e Libertine), nënkryetare e të cilës është.

Komuniste dhe ateiste      
Bara do të prezantojë kandidaturën e saj në zgjedhjet e 16 dhe 17 qershorit. Ish-ylli i pornos me bindje komuniste staliniste premton që nëse zgjidhet do të luftojë fort për të drejtat individuale, të drejtat e komunitetit gei, kundër racizmit dhe homofobisë. Ajo ka theksuar se në planet e saj është edhe mbyllja e të gjitha vendeve të kultit, duke u shprehur kështu kundër çdo forme besimi. Pika e fundit e programit të saj është ajo e organizimit nëpër shkolla të kurseve të seksualitetit.

Skandalet
Kandidatja për në qeverinë e Parisit vjen nga bota e filmave porno. Ajo është aktorja kryesore e mbi 180 filmave hard. Ajo ka vuajtur një dënim prej 18 muajsh burg, pasi ka sulmuar një regjisor të filmave pornografikë së bashku me të shoqin, i cili për më tepër është edhe kushëriri i saj.
Bara e ka kërkuar anëtarësimin në partinë për të cilën kandidon, por fillimisht është refuzuar. Kjo e ka nxitur të themelojë lëvizjen e vet, duke nisur më pas një fushatë të vërtetë në rrjetet sociale, nëpërmjet të cilave denonconte censurën e kësaj partie ndaj saj. Ky ka rezultuar një hap i zgjuar, pasi ajo është anëtarësuar në partinë disa orë pas ankesave në Facebook.

Deklaratat
“Nëse do të zgjidhem, prioriteti im do të jetë shtimi i numrit të mjeteve të transportit, mjekëve dhe shërbimeve sociale në zonën ku kandidoj”, ka thënë Bara.
Ndërsa në lidhje me të kaluarën e saj, duke iu referuar periudhës së burgut, ajo është shprehur: Kam qenë në burg, e kam paguar gjobën time. Është e vërtetë që ajo që kam bërë ka qenë e rëndë, por nuk është aq e rëndë sa ajo që bëjnë politikanët tanë”.  / G. N.

No comments: