Monday, May 28, 2012

A jemi para zgjedhjeve të parakohshme? Flasin pesë analistë

Pesë analistë (Andi Bushati, Blendi Fevziu, Artur Zheji, Artan Hoxha, Mustafa Nano) janë vënë përballë dy pyetjeve të shkurtra, por me dilema e të panjohura të shumta: Zgjedhje të parakohshme; po apo jo, dhe zgjedhje të parakohshme, mirë apo keq? Nëse Blendi Fevziu dhe Artan Hoxha e shohin një skenar të tillë më shumë si mundësi teorike, duke e cilësuar të kushtueshëm dhe të turpshëm, Andi Bushati, pa shumë hezitim e konsideron një tabu të rrëzuar.

Andi Bushati

Zgjedhjet e parakohshme nuk janë më tabu

-Nuk është çudi, që pas takimit të dështuar Berisha-Meta, të mendohet për zgjedhje të parakohshme. Sepse ky koalicion i etiketuar si koalicion i Integrimit nuk po gjen dot zgjidhje për të përligjur etiketën e tij. Sepse anëtarët e tij nuk po e vënë këtë objektiv mbi pazaret e tyre të vogla. Sepse Berisha ende këmbëngul që nuk ka marrëveshje me ata që më 21 janar i rrethuan ‘kullën’ dhe as me çdo lloj bashkëpunëtori të tyre. Sepse Meta nuk mund të bëjë një president nga PD-ja, pa e shfrytëzuar këtë rast për të ushqyer klientët e tij. Pra ky koalicion po humbet edhe lustrën demagogjike që e përligjte. Në momentin kur Berisha nuk i përdor më numrat e mazhorancës si leva në shërbim të kapriçove të veta dhe kur Meta nuk i nxjerr dot numrave të tij përfitimin maksimal, kjo martesë është e prishur dhe pa këtë martesë interesi, qeverisja nuk mund të qëndrojë dot më moralisht në këmbë. Si rrjedhim zgjedhjet e parakohshme nuk janë më tabu.

-Zgjedhjet e parakohshme nuk janë një gogol. Nëse Berisha dheMetae prishin koalicionin, ato janë zgjidhja më e mirë. Më e mirë sesa një qeverisje alla Nano, me deputetë të mbajtur peng në pularitë e “Klanit të Zemunit”. Më e mirë se një zvarritje kundër vullnetit të shprehur në vitin 2009, që nuk i dha PD-së asnjë mandat për të qeverisur e vetme. Më të mira ndoshta edhe se plani imagjinar i ndonjë të majti të krisur dhe për të krijuar një qeveri pa Berishën deri në 2013. Madje nëse koalicioni aktual vazhdon të degjenerojë në spiralen e tanishme, zgjedhjet e parakohshme duken e vetmja zgjidhje. Vetëm se në këto zgjedhje, nëse ndodhin, votuesit do ta kenë të vështirë të dallojnë ç’ngjyrë ka hajduti, i majtë apo i djathtë është vrasësi, kujt i mbeti blloku i Metës, kujt shukat më para të Priftit, kush po rilind dhe kush po rifundoset. Shkurt në vetvete zgjedhjet e parakohshme mund të jenë të mira, por zor se mund të ofrojnë zgjidhje.

Zgjedhjet e parakohshme të kushtueshme për Shqipërinë

Blendi Fevziu
-Zgjedhjet e parakohshme kanë një procedurë sesi zhvillohen. Në rastin e Presidentit ato ndodhin vetëm nëse Parlamenti nuk arrin dot në 5 raunde ta zgjedhë atë. Natyrisht, një President i zgjedhur në 3 raundet e para, me konsensus do të ishte ideal. Nëse kjo nuk zgjidhet, kjo mazhorancë ka 73 deputetë. Nëse ajo është e paaftë ta zgjedhë Presidentin edhe me konsensus edhe me shumicë të thjeshtë, kjo mazhorancë nuk funksionon më dhe natyrisht që ka zgjedhje ta parakohshme. Unë vetë, në rast mosmarrëveshje, mendoj se zgjedhjet e parakohshme janë zgjidhja më e mirë.
-Varet nga cili këndvështrim i sheh. Nëse i sheh në raport me vendin, zgjedhjet e parakohshme janë një problem. Nëse i sheh në raport me principin politik, ato janë më demokratike se sa çdo zgjidhje tjetër e momentit.
Artur Zheji
Koalicioni është tronditur, por nuk është shembur
-Zgjedhjet e parakohshme duken, mbas takimit të djeshëm, më afër. Palët janë të ftohta dhe përtej fasadës, çarja ndërmjet Berishës dhe Metës, duket më e thellë. Është e parakohshme të gjykojmë apo të paragjykojmë që kjo çarje të kalohet me një hap apo me një hop. Nga takimi te Gjiri i Lalëzit, Meta-Rama, dyshja Berisha –Meta, nuk është më ajo e para. Ndoshta kriza Berisha-Meta, ka qenë fshehur me kujdes disa kohë më parë, por gjykuar nga shpejtësia se si rrodhën ngjarjet këto javë dhe javë mbas jave, me këto ritme zgjedhjet e parakohshme nuk do të ishin më një çudi. Koalicioni është tronditur, por nuk mund të themi akoma se është shembur. Në dijeni time, mendoj që ka mjaft bleta punëtore që punojnë për të sqaruar, për të ëmbëlsuar apo mjaltësuar këtë çarje. Bletët mund të bëjnë çudira. U uroj punë të mbarë.
-Zgjedhjet janë një takim me popullin. Në emër të popullit bëhen shumë gjëra. Takimi sa më i shpeshtë me popullin është në vetvete i shëndetshëm. Referendumet apo zgjedhjet e parakohshme, janë gjithmonë moderne dhe trendy. Në këtë rast nuk do të provokonin destabilizim. Mendoj se do të ishte rruga më e ndershme për zgjidhjen e kësaj krize, nëse kjo krizë fiton përmasat e një krize të pazgjidhshme. Treni i zgjedhjeve i ka motorët ndezur. Një shëtitje me tren është më poetike, sesa qëndrimi në një stacion ku vjen erë qoftesh me mish të prishur. Deputetët shëtitës që mund të bëjnë 71 vota, majtas apo djathtas, nuk sjellin çudira të qëndrueshme dhe krijojnë kosto qeverisëse të pallogaritshme. Aq më tepër kur dihet se viti 2013 është pas dere.

ARTAN HOXHA
Zgjedhjet e parakohshme të dëmshme; një akt turpi
-Zgjedhjet e parakohshme janë veç një mundësi teorike. S’shkohet në zgjedhje për shkak të Presidentit, pasi gjendet gjithnjë një grup prej 71 deputetësh që s’do donin të humbnin mandatin. As Kryeministri Berisha s’më duket i interesuar të shkojë në zgjedhje të parakohshme dhe po ashtu asMeta/LSI. Opozita gjithashtu, të paktën jo me këtë Kod. Mundësia e vetme mbetet çarja e pakompensueshme e kësaj mazhorance, por për arsyet e mësipërme dhe pas takimeve të djeshme të Kryeministrit Berisha me Ilir Metën dhe liderët e tjerë të partive të kësaj mazhorance edhe kjo hipotezë bie.
-Zgjedhjet e parakohshme janë zgjidhje ekstreme nga zori kur s’ka asnjë mundësi për krijimin e një mazhorance në Kuvend. Ato janë të dëmshme kur kriza është e provokuar për qëllime të ngushta. Në këtë vit ato bëhen edhe më të dëmshme, pasi shtyjnë për kush e di se kur kryerjen e detyrave të integrimit europian dhe marrjen e statusit të vendit kandidat, e do ishin akti i turpit të asaj pjese provokative të politikës në këtë 100-vjetor të Pavarësisë.
Mustafa Nano
PD e interesuar, unë nuk i dua
-Unë nuk bëj pjesë tek ata që i konsideroj zgjedhjet burim destabiliteti (përkundrazi, zgjedhjet janë mënyra më e mirë për të dalë nga situata jo stabile), por në këto rrethana nuk do i doja. Ne jemi në mes të negociatave për një reformë elektorale, e cila po synon të mos lejojë përsëritjen e problemeve që janë vërejtur në dy zgjedhjet e shkuara. Pa u bërë kjo reformë, pa u kopsitur rregullat e lojës elektorale, zgjedhjet i shoh si terapinë më të keqe.
-Po të eci me logjikën e lojtarëve në lojë, do duhet të thosha që PD-ja është shumë e interesuar të futet në zgjedhje të parakohshme, pasi kështu së pari nuk lejon optimalizimin e fuqisë së partive të reja që, sipas shumë gjasash, do të peshkojnë në ujëra të PD-së, dhe së dyti futet me rregulla loje të pandryshuara. Por Berisha, edhe sikur t’i çojë nëpër mendje zgjedhjet e parakohshme, ka nevojë t’i arsyetojë e justifikojë mirë ato. Dhe ky justifikim duket se i mungon

No comments: