Friday, March 30, 2012

Lubonja, unë, ’97, apokalipsi

Luftë,  shkatërrime, katastrofa, gjakderdhje, vizione me përmasa profetike, antikrishtë e heronj që përpiqen për shëlbim…kjo është rrëfenja ‘biblike’ e gazetarit dhe analistit Fatos Lubonja. “Nëntëdhjeteshtata- Apokalipsi i rremë”, ngre perden e të pathënave e të paditurave të atyre tre muajve të kobshëm që përjetoi lloji shqiptar. Me një interpretim ‘profetik’ ai risjell pesëmbëdhjetë vite më pas fijet e padukshme që çuan në kaos të gjithë vendin.
Vetëm se Apokalipsi – sipas ligjësive universale ishte i rremë sepse mesia-t nuk e zbuan të keqen për të sjellë mbretërimin e një bote të re… Por, a nuk kishin qenë të gjitha kobet e njerëzimit si ky?! Apokalipse të rremë, ku engjëjt e Zotit mungojnë
Nëse viti Njëmijë e nëntëqind e nëntëdhjeteshtatë do të ishte një libër, autorët do të ishim të gjithë ne për të hedhur të zezë mbi të bardhat faqe të pashkruara historinë.
Në një kapitull e zeza do kishte aromën therëse të parave të humbura sporteleve të atyre piramidave që mbinë në mes të Shqipërisë si të ishte shkretëtirë varresh faraonike. Një tjetër do të shkruhej me thellësinë e nuancës së një maceje të zezë që të fanepset natën, për të të lajmëruar se fati yt është gdhendur në gëzhojat e atyre plumbave që ia zbrazin krejt mërinë qiellit. E nëse një pikë bojë do të linte njollë mbi fletë, do t’i ngjante asaj mase amorfe turmash që këlthasin pa zë-si të ishin brenda një makthi pa zgjim. Një kapitull i rëndësishëm do kishte të zezën e maskave që grabitën e plaçkitën kë mundën.
E zeza mbi të bardhë mund të tingëllojë si zhurma e detit- varr për ata që shpresuan t’i arratisen çmendinës 28 mijë kilometra katrorë me gati 3 milionë pacientë që lëngonin brenda.
E pra, të gjithë mund ta kishim shkruar tragjedinë të zezë mbi të bardhë, ashtu si e kishim jetuar. Pa i hequr apo shtuar as edhe një gërmë realitetit.
Jo se nuk janë shkruar libra me këtë subjekt. Secili sipas së vërtetës së vet…
Me të vërtetën e tij vjen edhe Fatos Lubonja në librin “Nëntëdhjeteshtata-Apokalipsi i rremë”. Përjetimet personale, zhvillimet dhe prapaskenat politike, pasqyrimet mediatike e përshkrimet e gjalla të tragjedive masive, i ka rrëfyer përmes Fatos Qorrit, vetja në vetë të tretë. Ai e nis odisenë nga një buzëmbrëmje e ftohtë fundjanari te bar “Noel” në rrugicat e Tiranës – ku zënë të marrin formë të mbrame pakënaqësitë e një pjese intelektualësh e politikanësh ndaj klasës në pushtet, ku frika trupëzohet në xhelatë të paemër pushteti që godasin me doreza çeliku- në kuptimin e parë të fjalës- ata që zëri u doli jashtë çuçuritjeve të tavolinave.
Fatos Lubonja nuk ka kursyer askënd. Madje as veten. Ai flet përfshirjen në brendësi të lëvizjes opozitare, në ballë të Forumit për Demokraci, pak nga rastësia e pak nga ambicia personale, një tentativë e lënë përgjysmë për t’i hyrë politikës. Zbërthen karakteret e atij konglomerati njerëzish që ndanin një mendim: të shkulej ‘e keqja e madhe’ që kishte hipur në fron të Shqipërisë, presidenti i asokohe, Sali Berisha. Mëdyshjet, lufta e brendshme që ia lëkundnin shpesh vendimet, zhgënjimet e vogla dhe ato të mëdha me aleatët, deri te iluzionet e humbura për idealet e lirisë dhe demokracisë të përçudnuara – sipas tij- nga etja e pashuar për pushtet e një njeriu përfaqësues i mendësisë kolektive të viseve tona që e shpunë Shqipërinë kaotike, të rrëgjuar, të ligështuar e të varfër në qorrsokak .
Pas pesëmbëdhjetë vitesh libri ka fuqinë të të përpijë në atë realitetin që e harrojmë ose bëjmë kinse dhe të të përplasë në të gjitha anët e zhvillimeve politike e dramave njerëzore. Një zbulesë e gjatë prej gati 300 faqesh, ku Fatos Lubonja nuk e fsheh zhgënjimin dhe kriticizmin e fortë për të gjithë klasën politike. Apokalips?! –sepse ato ngjarje janë të denja për përshkrime fundbote. I rremë?! – sepse në betejën e fundme ata që kishin veshur petkun mesianik nuk e dëbuan dot të ligën.


Në librin tuaj “Nëntëdhjeteshtata – Apokalipsi i rremë”, ju i përshkruani ngjarjet aq të gjalla, sikur t’i kishit dëshmuar me sytë tuaj, veçanërisht ato në Vlorë. Si e keni arritur këtë?

Libri ka një teknikë të vetën, ku është përdorur një artificë. Autori flet në vetën e tretë. Flet për personazhin Fatos Qorri, i cili herë pas here futet në ditarët e tij, në vetë të parë. E kam përdorur këtë teknikë me vetëdije. E kam bërë, sepse përjetimet e personazhit nuk e përfshijnë dot të gjithë spektrin e ngjarjeve. Autori, kur flet në vetën e tretë, i krijon më shumë mundësi vetes në hapësira kur nuk gjendet personazhi. Unë nuk kam përjetuar gjithçka në Vlorë asokohe, por autori që flet në vetën e tretë e ka privilegjin t’i përshkruajë ngjarjet bazuar në rrëfime, lexime, kujtimet e të tjerëve. Jo se nuk e kam njohur Vlorën, madje edhe e kam prekur, por shpesh nuk kam qenë prezent në demonstratat që përshkruaj apo ngjarjet tragjike që ndodhnin atje herë pas here. Por kjo nuk më heq mundësinë t’i përshkruaj. Për të hyrë më thellë në përjetime personale kam përdorur vetën e parë të Fatos Qorrit, në ditarë, ku afrohet më shumë e futet më thellë, ndërkohë për të dhënë peizazhe më të gjera e gjithëpërfshirëse, ngjarje masash apo ato që nuk i kam jetuar vetë, kam përdorur personazhin në vetën e tretë.

Librin e botoi në fund të 2011-ës. Iu desh të priste gjatë apo e llogariti mirë të sillte versionin e tij të fakteve bash pasi të tjerë libra e kishin parë dritën e botimit dhe interesin publik?! Për Lubonjën detajet pak kanë rëndësi. Ama instinkti i shkrimtarit ishte ndezur që atëherë kur vendi i përngjante një parcele gjigante ku hapeshin çdo ditë varre të rinj. I dukej e pamundur të ikte. E mbante kurioziteti për ta jetuar ngjarjen.

Meqë përmendët përjetimet personale…Një aspekt shumë i rëndësishëm i librit janë ngjarjet në prapaskenë, bisedat në tavolina ku shprehej pakënaqësia për pushtetin deri tek krijimi i Forumit për Demokraci. A i keni thënë të gjitha në këtë libër?

Në kuptimin e esencës, besoj se i kam thënë të gjitha. Kur ndërton një libër jo të gjitha mund të futen dot në strukturë. Nëse e prezanton një personazh në libër- i cili ka qenë aty diku- nuk mund ta lësh të përmendet vetëm një herë e të mos ketë vazhdimësinë e tij në libër. Libri ka strukturat e veta, krijimtaria ka ligjësinë e saj. Në këtë kuptim, ka shumë gjëra që mungojnë, të cilat me dhimbje jam detyruar t’i heq. Ka shumë detaje interesante që mungojnë, por nuk i shkonin strukturës. Në thelb jam treguar i sinqertë. Kam përshkruar ashtu si i kam ndjerë ngjarjet. Detajet që përshkruaj, personazhet, takimet…në përgjithësi kanë ndodhur ashtu. Sigurisht, po të ishte vënë ndonjë regjistrues bisedat mund të mos jenë riprodhuar në mënyrë ekzakte. Nganjëherë njeriu bën edhe interpretimin nga koha. Memuaristika është selektive. Ndoshta edhe është harruar diçka apo është thënë ndryshe nga sa e kujton një tjetër, por në tërësi është e vërteta ime e asaj kohe.

A e menduat se pas botimit mund të ngjallnin debat përmendja e situatave apo aktorëve kryesorë të politikës së asaj kohe? A ka pasur reagime prej tyre?

Kur thua disa gjëra për të cilat nuk u vjen mirë një pjese, përgjithësisht, në Shqipëri, zgjidhen dy teknika; sulmi ose heshtja. Kam pasur shumë pak kontestime publike për gjërat që kam thënë mbi personazhe të caktuar. Po të kisha pasur kontestime do t’u isha përgjigjur, ose do të isha thelluar për të verifikuar nëse kishin të drejtë. Nuk kam pasur të tilla, është zgjedhur heshtja.

Aktorë apo protagonistët e politikës së asaj kohe ishin të ndarë kryesisht në dy kahe dhe kanë mbajtur fort qëndrimin e tyre, por ju ishit vazhdimisht i dyzuar për qëndrimet e krahut që përfaqësonit. Ky libër, a mos është edhe një formë autokritike e mëvonë?

Mendoj se kjo është një nga vlerat e librit. Nuk është se të vërtetat janë absolute. Njeriu jeton gjithmonë në kontradiktë, në përgjigjet që jep, në zgjedhjet që bën. Ta jetosh jetën si një dinamikë kontradiktash do të thotë vërtet ta jetosh, ndryshe nuk ka asnjë kuptim. Nëse bën një zgjedhje dhe nuk ke asnjë dyshim, kjo nuk të lë të zhvillosh mendimin. Por edhe lidhjet, miqësitë apo aleancat politike kanë dialogun, debatin, kontradiktën. Në këtë mënyrë edhe zhvillohen. Në këtë kuptim, kontradiktat e mia në libër, kanë vërtetësinë e asaj kohe. Të mos harrojmë se kontradikta kryesore ishte se, të burgosurit politikë konsideroheshin si ata që më pak se kushdo mund të bënin aleanca me Partinë Socialiste apo me komunistët që i kishin persekutuar, e dukej e pagjasë të bashkoheshin kundër Partisë Demokratike- e cila në njëfarë mënyrë përfaqësonte interesat e shtresave të persekutuara. Kjo ishte një kontradiktë e brendshme, por njëkohësisht edhe e jashtme, prej sulmeve që vinin në këtë drejtim. Unë e kam shpjeguar edhe në libër.

A po i shkelte ai parimet? A po hidhte poshtë vuajtjet e tij dhe të atij brezi viktimash të regjimit diktatorial? Jo! Ajo lëvizje, ajo aleancë nuk i shkelte parimet për aq kohë sa në krye të tyre ishte anti-komunizmi, anti-autoritarizmi, anti-diktatura. A nuk quheshin demokratët më të mirë Neritan Ceka e të tjerë, që kishin pasur guximin të shkëputeshin të parët nga Partia Demokratike duke e denoncuar autoritarizmin e tij?! A nuk ishin kundër atyre metodave të së kaluarës, kontrollit, mungesës së dialogut, mohimit të lirisë së njerëzve duke u bashkuar nën të njëjtën kauzë të djathtët konservatorë si Kalakulla me të majtët e reformuar të Partisë Socialiste?!
“Shumë gjëra që kishin të bënin me demokracinë si ëndërr, i pamë të zhgënjyera në atë kohë te Partia Demokratike”.

Kush ishin ata që u bënë kundërshtuesit e Partisë Demokratike dhe Sali Berishës? Çfarë përfaqësonin ?

Ata ishin konglomerat. Kontradikta e dytë është pikërisht raporti im me ta. Ne vinim nga dy të kaluara të ndryshme. Shumica ishin njerëz që kishin bërë karrierë në kohën e komunizmit dhe ishin, si të thuash, shumë më pranë Sali Berishës. Ishin dyshimet sa të sinqertë ishin, sa na përdornin. Në libër del qartë ideja se në krye të përfaqësisë së Forumit u zgjodhën tre ish të burgosur politikë. Në Forum nuk kishte vetëm të majtë. Kishte nga Aleanca Demokratike që kishin ikur të parët nga PD dhe kishin denoncuar Berishën për metoda jodemokratike. Ishte edhe Petrit Kalakulla, i djathtë edhe më ekstrem. Emëruesi i përbashkët ishte anti-autoritarizmi dhe rifillimi i lojës së demokracisë.

Fatos Lubonja ishte një prej ish të burgosurve politikë në krye të të gjithë asaj përfaqësie partish politike dhe shoqatash kundër Berishës. Ende pa e përtypur me veten vendimin, e kishin caktuar në mbrojtjen e interesave të partive të majta. A i hyhej rrezikut me njerëz të panjohur?! E kaluara e tyre kishte hendek të madh; ndërsa vitet e tij kalonin në burg, aleatët e rinj kishin bërë karrierë si elita intelektuale e vendit. Mes të zezës së regjimit komunizmit dhe grisë së viktimave të regjimit ishin ata; gritë e bardhë që e kundërshtuan regjimin autoritar të Sali Berishës.
Përpjekja e lindur strikmërisht politike shumë shpejt do të bashkohej me turmat e revoltuara nga humbja e parave në firmat piramidale. Liderët karizmatikë ishin ata- Kurt Kola, Daut Gumeni dhe Fatos Lubonja, të cilët si pa e kuptuar u flisnin turmave që shpërfillnin rrethimet me forcat e policisë e që kërkonin të udhëhiqeshin-duke i bërë kauzat e tyre të shkriheshin në një. Por ushtria e padukshme, ajo që përbënte edhe fuqinë konkrete ishin pikërisht anëtarët e Partisë Socialiste.“Këta kishin pak individë karizmatikë- edhe Nano ishte në burg- dhe kishin nevojë për ne, sepse e kaluara e tyre ishte shumë e kompromentuar dhe nuk mund ta bënin dot vetë këtë”, tregon Lubonja i vetëdijshëm për legjitimitetin që i dhanë asaj lëvizjeje.
Ky legjitimitet nënkuptonte edhe atë luftë të brendshme që e kishte gjithëherë-ushtria kishte edhe fytyra të ish-sigurimsave dhe gardianëve të burgut. A mund të harroheshin e të fshiheshin torturat e kaluara vetëm e vetëm pse tani ishin në të njëjtën varkë?!“Këto e bënë shumë problematike zgjedhjen tonë. Të mos harrojmë se edhe në krahun tjetër kishte ish komunistë”, thotë ai, jo për të justifikuar qëndrimin, por për theksuar të vërtetën e pamohueshme.

Po qëndrimi juaj cili ka qenë?

Në fund fare, qëndrimi im në tërësi është zhgënjimi me gjithë këtë klasë politike, e cila në fund nuk ka shumë ndryshim. Janë ndarë më dysh, por me një mendësi dhe lojë interesash. Thelbësorja e këtij libri, mendoj unë, është thënia që në fillim të tij; “Në tragjedinë moderne nuk vdes heroi, por Kori”. Këta heronjtë- që ishim ne- e lanë korin të vdesë. Vdiq ajo dëshirë popullore për më shumë demokraci. Ishte një moment i rëndësishëm që dështoi, u abortua nga kjo klasë politike. Ky është thelbi i gjithë ndryshimit që kam unë nga shumë prej atyre që kanë trajtuar ’97-ën. Ata që morën pushtetin e kanë trajtuar- sidomos Pajtimin Kombëtar- si një veprim pozitiv. 9 marsin, Pajtimin dhe krijimin e qeverisë unë e kam konsideruar si një braktisje të njerëzve për të parë interesat e tyre. Jo vetëm, por për të justifikuar këtë konstruksion, këta bëjnë sikur harrojnë se tragjedia më e madhe, hapja e depove dhe e gjithë katastrofa ndodhi pas 9 marsit. Ndërkohë që ata uleshin dhe bënin pajtim, u hapën depot në të gjithë Shqipërinë. Kishin ndodhur disa gjëra në Vlorë, por e gjitha shpërtheu pas Pajtimit Kombëtar. Prandaj jam i idesë se 9 marsi ishte i gabuar. Ky është ndryshimi që kam unë me ata të idesë se, më 9 mars shpëtuan Shqipërinë.

Kryeministri i Qeverisë së Pajtimit kombëtar, Bashkim Fino në rrëfimet e tij mbi ’97-ën është shprehur se 9 marsi ishte një akt që e shpëtoi vendin nga një luftë civile në prag. Ndërsa në librin tuaj, ju shpreheni se kjo ishte një ide e pjellë nga politika, më saktë nga vetë Berisha…

Ideja që kishte luftë civile Veri-Jug u përçua pas 9 marsit. Më parë kishte një popull- kryesisht në jug- të rebeluar ndaj një qeverie. Sigurisht që mund të shkonte edhe në luftë civile, por qeveria i provoi të gjitha. Provoi ta bënte luftën, të çonte edhe ushtrinë. Varet se ç’quhet luftë civile. Lufta Civile nënkupton dy krahë të ndarë. Mendoj se Berisha nuk kishte aq ushtarë, në mënyrë figurative, për të bërë luftë civile. Nuk qenë të gatshëm, as ushtria që çoi. Nuk kishte partizanë të gatshëm për të marrë armët. Kjo u ndërtua pas 9 marsit, për fat të keq. Sikur njerëzit në Tropojë filluan të tundnin armët duke thënë se do shkonin në jug, do vinin ca kosovarë etj…Normalisht, një situatë e tillë kërkonte një dorëheqje të qeverisë dhe të shkonim në zgjedhje. Ideja ime ka qenë që kjo lloj politike, ky lloj autoritarizmi do ndëshkuar në njëfarë mënyre. Berisha i provoi të gjitha, të çonte ushtrinë në jug, çoi avionë për të bombarduar, (dy aviatorë ikën në Brindizi) dhe dështoi me të gjitha. Nuk kishte pse të uleshin dhe të bënin Pajtim Kombëtar, kur Berishës i kishin ikur edhe ministrat. Kam qenë i idesë që Berisha duhet të ikë, sepse duhet të marrë një mësim për gjithçka ka bërë. Ikja e tij nënkuptonte që Pjetër Arbnori, Kryetar i Parlamentit, të merrte deri në zgjedhje drejtimin e vendit. Kjo ka qenë teza ime, mirëpo këta nuk e bënë këtë. Nuk isha vetëm unë i kësaj ideje, kishte një mendim të fortë që Berisha ishte shkaktari dhe ikja e tij qetësonte situatën. Por ai nuk e bëri, nuk iku, por krijoi një situatë sikur kishte gjysmën dhe opozita gjysmën dhe “hajde të ulemi në tryezë!”.
Kam qenë edhe për tezën tjetër: ne nuk përfaqësonim Vlorën, ne ishim një forcë politike dhe ajo duhej të përfaqësohej vetë. Ne e kishim kërkuar vazhdimisht dhe këta vetë e kishin nënshkruar deklaratën. Për arsye të ndryshme, nga dobësia, mungesa e kurajës për t’i shkuar deri në fund, humbëm një mundësi t’u tregonim njerëzve që abuzojnë me pushtetin se ka një kufi. Tani këtu mbizotëron pandëshkueshmëria. Mund të bësh çdo gjë dhe nuk të ndodh asgjë. E kam parë pak ndoshta edhe në mënyrë ideale, si atë që nuk bëmë dot në ’91-shin ta bënim në ’97-n; një diktator ta rrëzojmë vetë, jo Muri i Berlinit.

(As që kishte pasur një luftë civile. Askush nuk kishte ngritur armët kundër askujt. Të gjithë shtinin në qiell. Rreziku më i madh ishte marrëzia dhe paniku i njerëzve që nuk dinin ç’po ndodhte dhe se çfarë do të ndodhte me ta të nesërmen. Ishte një ngjarje që dukej apokaliptike, por ishte një apokalips i rremë. Ky nuk do të zbulonte asgjë në emër të asgjëje. Do ta linte gjendjen ashtu si kishte qenë).

Pse nuk hoqët dorë nga Forumi që pas thyerjes së parë – kur nënshkruan marrëveshjen e parë me Berishën më 6 mars 1997 dhe pastaj dolën të zhgënjyer? Apo menduat që kjo ishte një e keqe e nevojshme që do të ndihmonte në të mirën e përgjithshme, në largimin e Berishës?

Kam tentuar ta shpjegoj në libër. Nuk është se ishim aq të kompaktësuar. Unë aty nuk është se isha një lider absolut, që vendosja. Ishim një grup njerëzish të bashkuar vullnetarisht, që ndanim pak a shumë të njëjtin mendim; Duhet të japë dorëheqjen qeveria. Më pas erdhi edhe ideja se duhet të ikë edhe Berisha. Ajo çka ndodhi më 6 mars, tregoi se ndërkaq këta njerëz po punonin jashtë forumit në kanale të tjera. Ky ishte zhgënjimi i parë. Dilnin jashtë duke bërë hesapet e tyre, ndoshta kishin edhe frikë, nuk e di! Ka shumë gjëra që as sot e kësaj dite nuk i di. Kur firmosën marrëveshjen e parë që, nuk e përmend kush tani, pati një reagim të jashtëzakonshëm. Jo vetëm timin, por edhe të njerëzve. Sepse këta madje dolën e bënë thirrje të dorëzoheshin armët, në një kohë kur njerëzit ishin të rrethuar, ishte çuar ushtria. Ishte një kapitullim i paparë, të cilin e kuptuan edhe vetë menjëherë. U duk sikur këta njerëz po bashkoheshin sërish dhe në atë situatë nuk kishim aq fuqi t’i përjashtonim dhe të vendosim ca të tjerë. Situata ishte shumë e pasigurt. Ata nuk ishin të sinqertë as në kuptimin e marrëdhënieve personale brenda atij rrethi ku takoheshim përditë.

U ndje i pafuqishëm t’ u thoshte se dy ditë më parë, kishin deklaruar se tek Berisha do të shkonin vetëm si Forum. Nuk e ndau dot me mendje atë çast se nga i buronte kjo pafuqi; pse tek e fundit nuk kishte pasur kurrë ndonjë autoritet mbi ta, pse ai ishte thjesht një individ pa parti prapa, pse nuk qe i bindur se duhet t’i ndalonte, pasi presioni ndërkombëtar mbi nevojën e dialogut u jepte atyre të drejtën të vepronin edhe jashtë Forumit në emër të interesave të të gjithëve; apo nga droja se mos kundërshtimi i tij do të dukej sikur buronte nga inati që nuk ishte thirrur ai vetë…
Por nuk e mendoi se pasi përjetuan 6 dhe 7 marsin do të bënin atë marrëveshje të 9 marsit duke hedhur poshtë gjithçka kishin thënë. Ata njerëz që kishin menduar se e keqja që duhej dëbuar një orë e më parë që Shqipëria të normalizohej, ishte Berisha.
“Ndërkohë ata nuk i morën asnjë presje. Sigurisht që ai kishte fuqinë e vet, kishte ushtrinë, policinë, njerëz të armatosur, ngjallte dhe frikë. Ky është thelbi i momentit të prishjes me këta njerëz”. Për një kohë Forumi u rigjallërua. Të gjithë e panë që marrëveshja kishte qenë dështim. U hapën depot, njerëzit u armatosën, askush nuk e njihte qeverinë e Finos- në Vlorën që kishte qenë mbështetja kryesore, nuk e njohën fare. U krijua kaosi, dolën bandat. “Pas daljes së tyre njerëzit mendonin të shpëtonin nga bandat. Nuk mendohej më as për Berishë, as për të tjerët.”

A e keni menduar një skenar tjetër; si do të kishte qenë sikur të kishte ngulmuar më shumë ky Forum?

Ai dështoi në misionin e vet për të demokratizuar Shqipërinë. Ca gjëra më vonë i solli koha, por unë kështu e kam parë. Konotacionin e një ngjarjeje pozitive kjo lëvizje nuk e ka më. Prandaj e kam quajtur ‘Apokalipsi i rremë’, nëse do të ishte kurorëzuar me largimin e Berishës, atij që konsiderohej si e keqja kryesore në atë kohë, atëherë mund të shërbente si një moment frymëzimi dhe besimi të popullit te klasa politike dhe i popullit te vetja. Unë e quaj atë rrënim të ’97-s si gur themeltar te gjithçka që ka ndodhur më pas; që kemi një klasë politike që mendon vetëm për vete, që pasurohet, bën çfarë do, ku ndodhin vrasje, Gërdece, shkatërrime ndërtime e askush nuk ndëshkohet.

A mendoni se realiteti tani do të ishte krejt ndryshe ?

Historia ka mundësitë e veta të parealizuara; ka munguar diçka që nuk është bërë, ose është bërë më vonë apo ka shkuar në një kah tjetër. Do të kishte qenë ndryshe që në fillim të krizës së Piramidave, nëse Berisha do të qe më i përgjegjshëm dhe të kishte dhënë dorëheqjen qeveria. Shumë gjëra do të kishin qenë ndryshe, nëse do të ishte vepruar ndryshe. Ajo që kërkuam ne në fillim ishte dorëheqja e qeverisë, të vihej një qeveri teknike dhe të shkonim në zgjedhje. Shkoi atje, por me dramë, tragjedi dhe humbje shumë të madhe. Mund të jepte dorëheqjen dhe të mbante përgjegjësinë. Por, më keq e çon situatën atëherë kur je i paepur në egoizmin personal dhe mbrojtjen e interesave të tua. Kur bën lëshime dhe je më i hapur shkon gjithmonë më mirë. Në këtë kontekst, ndoshta edhe ne duhet të kishim bërë lëshime. Por jam i mendimit se Berisha i provoi të gjitha të këqijat e mundshme, prandaj ka edhe drejtësi. Pse e duam?! Që disa shembuj të mos përsëriten më. Në mënyrë të panevojshme çoi policinë, rrahu gjysmën e opozitës, çoi ushtrinë, avionë… e pse të mos e jepte dorëheqjen?! E njëjta gjë ndodh sot me të dyja klasat. Do të kishte qenë ndryshe, sepse do të kishin marrë mësim. Askush nuk do të guxonte të shkonte aq larg. Unë mendoj se një farë mësimi është dhënë, ë!

A mos ndoshta edhe përfshirja juaj në politikë do të kishte qenë më jetëgjatë dhe jo vetëm në këto ngjarje? Si erdhi ky angazhim i juaji duke u shndërruar në një prej protagonistëve të kohës?

Njeriu i përgjigjet ndërgjegjes së vet në disa rrethana. Unë isha i përfshirë në politikë si gazetar, si aktivist i të Drejtave të Njeriut, shkruaja vazhdimisht, isha i burgosur politik me sfond politik… U përfshiva bashkë me Daut Gumenin dhe Kurt Kolën, me gjithë mëdyshjet e mia- se njeriu nganjëherë nuk e njeh veten dhe kërkon ta gjejë- si sfidë me veten, por njëkohësisht edhe si ambicie. Ishte një moment lëvizjeje, jo strukturimi. Nuk u hyra në asnjë parti megjithëse kisha ftesa. Isha një intelektual i angazhuar që në atë moment ndërgjegjja më tha se duhej të bëja diçka. A mund të kisha qëndruar në politikë pas kësaj? Ndoshta, por pikërisht rrethanat dhe njerëzit me të cilët e pata eksperiencën më bënë të mendoj se nuk duhet ta bëja këtë punë se do të humbisja. Në përgjithësi, kur futesh në një grupim, njeriu sakrifikon diçka nga vetja. Por në Shqipëri për t’u futur në këto parti nuk të kërkojnë diçka, të kërkojnë të dalësh fare nga vetja. Kjo u provua më vonë edhe me ata që morën pushtetin, ku gënjyen paturp popullin që u sakrifikua e u vra, ua vodhën edhe ato pak para që kishin ngelur. Një maskaradë e pafund.

E gjitha ishte një ndeshje e përditshme me të panjohurën. Lubonja në librin e tij e pranon se nuk e dinte ku do e shpinte kjo aventurë. Ndoshta drejt majave të politikës dhe të pushtetit që do të pasonte? Apo do e nxirrte krejt jashtë loje? Protagonizmi i tij siç e tregon koha nuk u zbeh- veçse u kanalizua gjetkë, në brazdat e para si shkrimtar e gazetar e gjithnjë anti-autoritar e kritik i pushteteve të paepura.

Distancimin në mënyrë demonstrative me këtë krah politik e bëtë atëherë, kur refuzuat postin e drejtorit të RTSH-së pasi Partia Socialiste erdhi në pushtet?

Jo, ndodhi që më parë. Ata më kërkuan të isha kandidat për deputet në zgjedhjet e ’97-s. Më mbështeste edhe Partia Socialdemokrate. Do të isha me siguri deputet, duke marrë parasysh fitoren e thellë të tyre. Por isha i zhgënjyer me këtë klasë politike. Nuk mund të bashkëpunoja me ta. Nga ana tjetër, ndoshta edhe prirja më e madhe ka qenë ajo e intelektualit, gazetarit. Shoqëria ka nevojë edhe për këta. Do të ishte mirë sikur politikanët t’i dëgjojnë pak më shumë gazetarët. Në atë rast unë bashkova dy pjesët e mia, pastaj dola aty ku isha dhe mbetesha i vërtetë, ku ndjehesha më mirë dhe ku isha më i zoti. Politika do zotësi të tjera që të jesh i suksesshëm.

Por historia kështu ecën! “Merr një pozicion dhe lufton për disa parime. Kur zbulon se këto parime nuk janë të respektuara më nga të tjerët, shkëputesh ose hidhesh diku tjetër, përtej personave”.

Pas 15 vitesh, a keni ndonjë ndjenjë pendese që u angazhuat në politikë asokohe? Do të kishit zgjedhur ndryshe tani ?

Jo, nuk kam ndjenjë pendese. Mendoj që, kur ke parasysh tragjedinë që ndodhi dhe çfarë e pasoi më pas- korrupsioni i atyre që morën pushtetin duke u premtuar njerëzve se nuk do sillen njësoj, etj, etj., njeriu ka një lloj ndjenje përgjegjësie. Thua: “Sikur të mos isha edhe unë që i dhashë një dorë kësaj pune, ndoshta nuk do të kishte ndodhur gjithë kjo tragjedi! Mos ndoshta duhet të kishim vepruar më me takt edhe ne, dhe jo me ballafaqim aq të fortë që në fillim ndaj Berishës?! Të kishim gjetur ura ca më të buta…” Përgjithësisht unë nuk ia vë fajin krahut tim në atë kohë. Forca, dhuna, agresiviteti vinin nga ana tjetër. E kam shumë të vështirë të them se çfarë do të kishte ndodhur në Shqipëri sikur ne të mos reagonim as atëherë. Pastaj ishin njerëzit që u ngritën vetë, nuk i ngritëm ne. Ishin paratë e humbura, jo demokracia, që i ngacmoi kaq shumë. Në këtë kuptim kam mëdyshjet e mia. Kam edhe ndjenja përgjegjësie, por në thelb nuk pendohem për atë çast.

Ndjenjat e pendesës i ka po aq kontradiktore sa edhe vetë libri. Por e di që historia kështu bëhet edhe me gabime- të cilat nëse nisen prej një qëllimi të mirë, justifikohen më lehtë. Por historia shërben për të nxjerrë edhe mësimet e veta. Nëse do i kërkonin tani të bëhej pjesë e një revolucioni, “me përvojën që kam, me njerëzit që njoh, nuk do të hyja”, thotë me bindje.

Lëvizja juaj nuk u përkrah nga diplomacia e huaj. Por kur situata rezultoi ashtu si kishit parashikuar, njëfarë revolte të atij që ka të vërtetën me vete?

Ky është një problem gjithmonë me diplomacinë. Kemi aq përvojë tani të kuptojmë se diplomatët raportin e kanë me shtetin, me pushtetin, me qeverinë kryesisht. Ata janë interlokutorët kryesorë dhe prandaj kërkojnë stabilitet, aq më tepër në Shqipëri ku kërkonin zhvillime graduale dhe jo revolucione. E kam përshkruar që pati një moment kulminant ku u trondit thellë edhe diplomacia e huaj kur doli artikulli i ‘The Guardian’ “Kjo qeveri gangsterësh që ne perëndimorët mbështesim”. Kryesisht shohin interesat e shtetit të vet, pastaj ana tjetër është sekondare. Këtë e bëri më shumë shoqëria civile sesa diplomacia. Shpesh nuk e njohin mirë vendin dhe bëjnë zgjedhje jo të mira. Kanë një vend të rëndësishëm në libër dhe më vjen mirë, sepse kanë qenë aktorët kryesorë. Të mos harrojmë se nuk ndodhën vetëm 3 muaj, por edhe ‘98 ishte katastrofë tjetër- kur u vra Azem Hajdari- një destabilizim i vazhdueshëm. Ishin po këta njerëz që e quanin si revansh, si luftë. Nuk ndjenin përgjegjësi se duhej të iknin, se kishin bërë gabime e faje të mëdha. Ishin vrarë tre mijë njerëz, askush nuk mban përgjegjësi për ta.

“Perëndimi ishte bërë Kisha e re për politikanët shqiptarë. Ata ndiheshin të fuqishëm kur kishin bekimin e saj dhe i trembeshin shumë mungesës së komunikimit. Politika shqiptare e dinte mirë se Perëndimin e shqetësonte mbi të gjitha stabiliteti dhe paqja në rajon. Ndaj të dyja palët, krahas forcës përdornin edhe demagogjinë e dialogut dhe të zgjidhjeve paqësore. Ishte brenda dinakërisë bizantine që kishte funksionuar mirë edhe gjatë komunizmit”, shkruan Lubonja në librin e tij.

Pasi situata mori përmasa tragjike, rrethi i njerëzve që njihnit, miqtë, kolegët, por edhe klasa politike u larguan. Nuk u druajtët për jetën që vendosët të qëndronit këtu?

Patjetër që kisha frikë. Jam i bindur se frika e jetës ka qenë një faktor i rëndësishëm për ato që ndodhën. Vetë politikanët- edhe pse nuk e thonë dhe sot bëjnë si heronj- patën frikë. Por ishte edhe frika e turpërimit pas atij angazhimi. Duhej t’i matje këto të dyja: njeriu sigurisht zgjedh jetën, por ndonjëherë mendon se nuk do ta vrasin dhe e ruan nderin. Nuk është aq e thjeshtë, frika ishte shumë e madhe. Vendi jo vetëm u braktis, por ishte hija që kishte krijuar Berisha, ishte e frikshme me njerëz që të vrisnin, të egër, por nuk rezultoi aq e fortë. Kishte rrahur njerëz dhe kjo ndikonte shumë, por kur u hapën depot u krijua frika reale e plumbave. Por derisa të haje plumbin nuk duhet ta mendoje dhe ecje përpara.

(Qorri e vuri re se ndërsa njërën dorë e mbante në timonin e biçikletës, tjetrën instinktivisht e mbante mbi kokë, me shpresë se ndonjë plumb nga ata që binin vazhdimisht nga qielli do të fluturonte mbi kokën e tij të pengohej nga dora. Mirëpo i erdhi për të qeshur sepse sipas ligjeve të fizikës, plumbi binte poshtë me po atë forcë që dilte nga gryka e pushkës, kështu që nëse trajektorja e tij përkonte me atë të biçikletës, dora do të shpohej si një fije letër dhe vdekjen e kishte të sigurt…)

Libri është si përjetimi i një dejavu-je; historia përsërit veten me të njëjtët aktorë, me të njëjtin model të të bërit politikë dhe- ashtu si thoni ju- pandëshkueshmëria mbizotëron. A mos ndoshta pas 15 vitesh doni t’i kujtoni popullit atë që ka harruar, etjen për pushtet të Berishës?

Nuk e di sesi del në libër Berisha. Në fund fare jam përpjekur të them realitetin si e kam jetuar. E di që ai është përgjegjësi kryesor për atë kohë, por tentoj ta shpjegoj edhe si përfaqësues i një mendësie që kemi ne. Jo thjesht si individ. Ideja ime është se ky është një aktor që luan në skenë atë që kërkon regjisori, qe jemi ne të gjithë si kulturë, si mendësi konflikt, i si popull ende i pamësuar me demokracinë. Ai është sot përsëri, sepse nuk kanë ndodhur të gjitha ato gjëra që duhet të kishin ndodhur, janë djegur etapat.

Dikush që e kishte njohur Berishën nga afër kishte thënë se po të vinte puna që ky njeri të shtrëngohej të linte pushtetin, ai do të kapej te kangjellat e hekurta të rrethimit të Presidencës dhe nuk do të shkulej prej andej pa e tërhequr zvarrë me gjithë kangjella. Kjo profeci po vërtetohej jo me kangjellat e Presidencës, por me Shqipërinë. Berisha nuk mund të ishte atje në krye sikur të mos që përfaqësues i njeriut mbizotërues në shoqërinë shqiptare; njeriut të mbajtur në izolim e padituri, tek i cili mpleksej në formën më primitive kulti i të fortit me nënshtrimin e mercenarit, njeriut që shkelte pa mëshirë ata që kishte poshtë dhe u nënshtrohej pa ngurrim atyre që kishte më lart…Ky është Berisha që Lubonja ka përshkruar në librin e tij, kur ky i fundit bëri betimin e dytë si President i Republikës së Shqipërisë.

A jeni i mendimit se populli e meriton qeverinë që ka?

Haveli thotë që nuk është vetëm qeveria pasqyrë e popullit, por mund të bëhet edhe populli pasqyrë e qeverisë në kuptimin e mirë të fjalës. Kur njerëz në qeveri sillen mirë, edhe populli fillon e i imiton si shembuj. Kur ai jo vetëm nuk jep dorëheqjen, por edhe dhunon drejtësinë, jep shembuj që populli të sillet si ai. Tashmë shqiptarët e kanë një vetëdije, që kjo nuk shkon. Është populli tragjikisht shumë i vetëdijshëm për të keqen që ka brenda dhe nuk ka fuqi ta ndryshojë. Të gjitha i dimë, por nuk kemi forca. Pse nuk i kemi forcat? Kjo është pyetje e madhe. Secili tenton ta bëjë atë që kemi në mendje; ca me fjalë, ca me vepra, dalëngadalë.

Ndoshta për herë të parë në historinë e tyre, shqiptarët po u tregonin pushtetarëve të tyre se qenë në gjendje t’i ndëshkonin për zullumet e bëra. Dhe kjo mund të hapte një epokë të re, duke krijuar edhe një tip të ri politikani…  
Marre nga Revista Mapo numri i Shkurtit

No comments: