Monday, October 10, 2011

Ramiz Alia i la të gjithë të pakënaqur

Shkruan:
Ardian Vehbiu
Ramiz Alia ishte kaq virtuoz në artin e të mbijetuarit, sa pas vdekjes së Enver Hoxhës i mbeti pushteti në duar. Nuk më është dukur ndonjëherë se besonte në komunizëm; por atë maskë i duhej të mbante, për të shpëtuar kokën. Përveç kënaqësive të thjeshta që të jep pushteti, nuk më është dukur as që ta shijonte veçanërisht drogën e sundimit mbi të tjerët.
Kishte diçka prej qelqi në personin e tij, që e bënte shikimin e tjetrit të kalonte tej për tej, pa u ndalur gjëkundi. Diçka prej hijeje, ose prej një pranie që nuk është tërësisht materiale, ose e konsoliduar në këtë rruzullim.
Më ka zhgënjyer fakti që nuk ka shprehur gjëkundi pendesë për bëmat e regjimit të vet. Kaq i zoti do të ketë qenë për të gënjyer veten, sa ka kujtuar se, sa kohë nuk i besonte komunizmit, atëherë nuk do të mbante përgjegjësi as për krimet e kryera nga ata që komunizmit i besonin. I njëjti instinkt që e ndihmoi të mbijetonte gjatë spastrimeve totalitare, e pengoi tani të gjente vetveten, qoftë edhe vetëm për të vënë dorën në zemër dhe për t’u kërkuar viktimave të falur; madje të gjithë shqiptarëve.
Njerëzit që e kanë njohur nga afër, flasin për të si për një njeri të butë dhe të dëgjueshëm, aspak arrogant, por të sofistikuar deri në brishtësi; por kjo do të ketë qenë më tepër tipar i karakterit të tij, sesa i qasjes së tij ndaj realitetit.
Ramiz Alia jetoi gati 40 vjet me frikë se një ditë do të pësonte fatin e kolegëve të vet dhe do t’i ngryste ditët në qeli. Me vdekjen e Enver Hoxhës, kjo frikë nuk kishte më arsye t’ia drejtonte sjelljen. Megjithatë, sa kohë që mbeti në krye të punëve, Ramiz Alia kishte frikë: nga bashkëpunëtorët, nga kundërshtarët, nga populli, nga të huajt. Nuk besonte në asgjë nga ato që thoshte; me siguri i vinte ndot për profkat e panumërta që u hidhte në grazhd sklerotikëve të Enverit, në plenumet dhe mitingjet. Dhe ngaqë nuk besonte në asgjë, nuk besonte as që diçka mund të ndryshonte në Shqipëri. E gjithë politika e tij ishte politikë për t’ia bërë qejfin një autoriteti imagjinar, një Enver Hoxhe të padukshëm, por gjithnjë të pranishëm; që e gjykonte nga përtej varrit dhe nuk e linte të bënte xhap.
Në krye të shtetit shqiptar, Ramiz Alia erdhi si finok i përkryer, por jo si politikan inteligjent. Në këtë kuptim, ai ishte shqiptari i parë post-komunist, ose përfaqësuesi fillestar i asaj specieje që sot ka marrë dhenë, duke e dominuar ekosistemin politik shqiptar. Ishte prototipi i homo albanicus, i cili e ka të pamundur të besojë në diçka sublime, në një ideal, në një virtyt, në një kriter të shëndoshë; dhe që, gjithçka që bën, e shoqëron me një shkelje syri, qoftë edhe vetëm para pasqyrës.
Kërkoi të mbijetonte edhe në rrethanat kur fati e kish vënë në krye të punëve; kërkoi të konformohej ndaj një vullneti politik imagjinar, i cili nuk ekzistonte më. Si udhëheqës, nuk kishte ide, por vetëm instinkt; në një kohë që Shqipërisë, madje edhe asaj komuniste totalitare, i duheshin idetë, jo instinktet.
Populli komunist, i mësuar me mëritë dhe rrufetë e Enver Hoxhës, nuk e deshi kurrë, as e respektoi veçanërisht. E trajtuan si mëkëmbësin ose ekzekutorin testamentar të një të vdekuri madhështor, e nderuan si aktorin që luan në teatër rolin e një heroi të adhuruar, por nuk i dhanë më tepër. Askush nuk mbeti i kënaqur prej tij – as reformistët, që kërkonin një hapje të menjëhershme ndaj Perëndimit; as konservatorët, që kërkonin prej tij atë disiplinë dhe autoritet që ia kishin parë Enverit.
Ndoshta ky ishte edhe qëllimi i fshehtë i Ramiz Alisë politikan: të shndërrohej në njeri prej qelqi, të harrohej sa më shpejt, të fshihej sa më parë nga vëmendja dhe kujtesa e publikut. Që nuk e lanë rehat në këtë ritual të vetëzhdukjes, kjo erdhi edhe ngaqë një pjesë e mirë e klasës së sotme politike u krijua prej tij në tavolinë – që nga Fatos Nanoja te Sali Berisha.
Bash për këtë arsye, ish-presidenti Ramiz Alia e meriton një funeral shtetëror, me të gjitha nderimet formale; për t’ua kujtuar të sotmëve se babai i tyre shpirtëror, ose njeriu me emrin e të cilit dje u ndeshën në barrikadat e dhjetorit 1990, ka dalë përfundimisht nga skena, së bashku me “sekretet” që tashmë i kishte harruar edhe vetë.
*Marrë nga Peizazhe të Fjalës

No comments: