Monday, October 10, 2011

Pse jam për një president nga populli

Shkruan:
Gilman Bakalli
10-10-2011 11:47


Në thelbin e saj demokracia supozohet të vërë në funksion vullnetin e popullit. Ajo funksionon mbi bazën e interesit që ka populli tek e mira e përgjithshme. E formuluar në mënyrë më patetike, demokracia është versioni politik i asaj etike që buron që nga koha e Aristotelit: krijimi i shanseve për një jetë të mirë për një numër sa më të madh njerëzish. A është përmbushur ky premtim në vendin tonë gjatë këtyre 20 viteve që nga rënia e komunizmit? Më saktë: a e kanë përmbushur këtë premtim ato instanca që presupozohet ta pasqyrojnë vullnetin e popullit, a e kanë përmbushur partitë politike premtimin për një jetë më të mirë për një numër sa më të madh njerëzish? Kam frikë se më duhet t’i përgjigjem negativisht kësaj pyetjeje.
Ka një përshpejtim të theksuar tëhuajtësimi të popullit ndaj demokracisë dhe partive politike në përgjithësi. Partitë kanë punuar sistematikisht për inkurajimin e këtij fenomeni të tëhuajtësimit: ndoshta edhe për shkak të një përvoje historike negative të popullit shqiptar, ato nuk kanë toleruar asnjë referendum popullor, asnjë zgjedhje direkte në postet e larta shtetërore, dhe tani së fundi, që nga 2009-a, kemi deputetë që nuk varen më direkt nga zgjedhësit, por nga partia.
Problemi i mosbesimit të qytetarëve shqiptarë ndaj partive politike nuk është thjesht çështje e mohimit që politika i bën pjesëmarrjes qytetare në vendimmarrje. Është mbi të gjitha edhe një protestë kundër përpjekjes kokëfortë për të ruajtur status quo-në e pushtetit të tyre. Partitë politike në Shqipëri sot nuk punojnë më për reformimin e shoqërisë, por për të fituar në zgjedhjet e radhës. Prandaj nuk të habit fakti se partitë shqiptare po bëhen gjithnjë e më njësoj, ato nuk janë më vendi ku njerëz me ide e botëkuptime të njëjta apo të përafërta mblidhen për ta reformuar shoqërinë mbi bazën e një ideologjie. Zhargoni, përmes të cilit partitë përpiqen të diferencohen nga njëra-tjetra, është bërë tejet vulgar dhe banal dhe nuk i shërben më ruajtjes së identitetit të partisë, por thjesht përforcimit të skemës mik-armik.
Po pse vazhdon populli ta luajë këtë lojë edhe sot, pas 20 vitesh? Sepse askush prej nesh nuk e fut veten tek ajo masa anonime njerëzish që quhet “populli”, ose, e thënë ndryshe secili prej nesh është thjesht një teleshikues, i cili pas çdo debati politik apo talkshow betohet me vete se nuk do të marrë më pjesë në këtë lojë pafund premtimesh të pambajtura. Në zgjedhje nuk shkon më, sepse nuk ndihet më i përfaqësuar, duke e rritur kësisoj partinë e abstenuesve. Politikanëve nuk u bën përshtypje kjo, kurse për demokracinë kjo është goditje e rëndë. Partitë nuk merren më me “popullin”, sepse nuk u duhet më të merren me të; në rastin më të mirë ato merren me variantin e kondensuar të popullit nëpër sondazhe demografësh. Në axhendën e partive nuk ekziston më populli, me përjashtim të ndonjë fushate zgjedhore. Teatri politik nuk ka më nevojë për spektatorë. Partitë, politikanët, këshilltarët e PR dhe institutet e sondazheve – të gjithë së bashku dhe kundrejt njëri-tjetrit lëshojnë projektorët e tyre dhe ndotin dritën e dijes morale. Ashtu si metropolet e mëdha, ato krijojnë atë fashën e dritës, e cila të pengon ta shohësh qiellin me yje. Një teatër të tillë, ku partitë dhe aktorët politikë luajnë me njëri-tjetrin pa praninë e audiencës, politologu britanik Colin Crouch e quan “postdemokraci”.
Si është e mundur atëherë që këto rituale dhe zakone vazhdojnë të ruhen të pandryshueshme? Nobelisti amerikan, ekonomisti Douglass North ka futur në fillim të viteve ‘90 konceptin “varësia nga shtegu” (Pathdependance). Në zanafillë ky term përshkruan mënyrën sesi teknologji të reja diktojnë edhe procedura të reja. Ka një mospërputhje, ama, midis asaj që dikton teknologjia dhe gatishmërisë sonë për ta pranuar atë. North e aplikoi për ekonominë konceptin e “varësisë nga shtegu” dhe tregoi sesi institucionet krijojnë një matricë institucionale, e cila në mënyrë të vazhdueshme thjesht përforcon vetveten. Nuk janë problemet e mirëfillta që kanë rëndësi prioritare, por mënyra e perceptimit dhe përpunimit të tyre nga institucionet.
E njëjta gjë vlen edhe për politikën. Partitë politike shqiptare kapin tema diskutimi jo për shkak të relevancës së tyre, por sepse këto tema premtojnë avantazhe politike. Kemi dy realitete paralele që ecin me shpejtësi diametralisht të kundërta brenda kësaj shoqërie të vogël: përballë realitetit politik të procedurave të tepërta e të ngurta, përballë një realiteti politik që operon me tema të stërdala mode, qëndron realiteti i një popullsie shqiptare, e cila është gjithnjë e më moderne, liberale, më e arsimuar e me vetëdije më të lartë politike se para 20 vitesh. Kjo nuk mund të mohohet!
Nëse politikanët mendojnë se populli është akoma në fazën e pubertetit, unë po guxoj t’u them se nuk mund dhe nuk duhet t’i trajtosh fëmijët e rritur si të ishin fëmijë të vegjël, edhe pse ndonjë sjellje e tyre aty-këtu mund të jetë e papjekur apo naive.
Me çfarë të drejte u hiqet qytetarëve shqiptarë e drejta për të vendosur mbi ndryshime ligjesh a procedurash? Mos kemi të bëjmë rutinën e shtegut të njohur, varësinë ndaj këtij shtegu, mizantropi, e cila sjell mosbesimin dhe mosvlerësimin ndaj popullit? Nëse duam të bëjmë diçka për të ikur sindroma e lodhjes prej partive dhe politikës së tyre, duhet të zbatojmë atë çka thoshte Willy Brandt: mehr Demokratie wagen! Të guxojmë për më shumë demokraci!
Problemi është se për cilën demokraci duhet të guxojmë më shumë? Atë konkurrenciale, të cilën e kemi marrë si model nga shumë vende të Europës Perëndimore, ndryshe e quajtur si demokraci e shumicës? Apo demokracinë konkordante, siç ekziston në Zvicër, ku qeveria formohet mbi bazën e përqindjeve të votave të marra nga secila parti? Ideja e demokracisë së shumicës buron nga një kohë kur partitë dalloheshin qartë nga njëra-tjetra përmes ideologjish dhe botëkuptimesh, mbi të cilat ndërtonin programet e tyre. Ku janë sot këto diferenca ideologjike, të cilat mund ta justifikonin qeverisjen e njërës parti me pak më shumë vota, duke lënë jashtë partinë me më pak vota? Avantazhi i modelit zviceran është i dukshëm: në vend që të shpenzojnë energji nga mëngjesi në darkë për të bllokuar njëra-tjetrën, apo për ta dëmtuar njëra-tjetrën, partitë detyrohen të bashkëpunojnë dhe të bien dakord me njëra-tjetrën. Kur për çështje delikate nuk bien dakord, partitë i drejtohen popullit për referendum.
Meqë sistemi ynë politik nuk funksionon në mënyrë intrinzike, nga brenda, atëherë duhet parë për një zgjidhje nga jashtë. Një mundësi të tillë mund ta ofronte zgjedhja e një presidenti jopartiak, direkt nga populli. Natyrisht, qeveria shqetësohet me të drejtë se i vetmi autoritet shtetëror i zgjedhur direkt nga populli mund të fitojë rëndësi dhe domethënie të jashtëzakonshme. E në fakt pikërisht kjo është ajo për të cilën kemi nevojë: një figurë drejtuese jopartiake, e cila e lufton status quo-në me ide dhe reforma të reja. Jo thjesht një figurë që qetëson gjakrat e ndezur partiake, por që merr seriozisht shqetësimet e qytetarëve. Kështu p.sh. një president i tillë mund të krijonte një komision ekspertësh të fushave të ndryshme. Së bashku ata mund të propozonin ndryshime strukturore në sistemin tonë politik, të cilat partitë, për arsye që njihen, nuk mund t’i propozojnë apo aplikojnë vetë. Sigurisht që propozimet nuk do të kishin fuqi legjislative, por do të duheshin argumente të forta nga ana e partive për t’i kundërshtuar ato, apo për të bllokuar zbatimin e tyre.
Duket se frika nga eksperimentimi, “varësia nga shtegu”, e bën të pamundur ndryshimin e kursit. Demokracia shqiptare, me sa duket, është e dënuar të pranojë gjithçka – bllokimin, lodhjen nga politika, zgjedhje pafundësisht të diskutueshme – me përjashtim të ndryshimeve rrënjësore.

No comments: