Wednesday, May 25, 2011

Vota e lirë dhe psikologjia barbare e një pjese të politikës

Av. Serxho Mazreku

Ajo që po ndodh në kampin rozë të politikës shqiptare, e cila kërkon ta kthejë vendin në një tokë të ndezur, për shkak të humbjes së pritshme të kandidatit për herë të katërt për kreun e Bashkisë së Tiranës, zotit Rama, njëherësh kryetar i PS-së, është një tjetër akt dhune, me anën e të cilit një parti kryesore politike në Shqipëri kërkon të bllokojë institucionet demokratike dhe ligjet e një vendi. Me anë të një inskenimi të turpshëm, me anë të disa qindra njerëzve, që nuk i lidh asgjë me parimet dhe rregullat e lojës politike, lidershipi i majtë po tenton me këmbëngulje të bllokojë KQZ-në, institucionin e pavarur që garanton konkurrencën e ndershme politike dhe ta zëvëndësojë atë me institucionin jakobin të revoltave. Ish-funksionarët e lartë të komunizmit, Ruçi me shokë, të mbështetur nga dritëshkurtësia e Braçes, Bushatit e Co, i kanë hipur kalit mbrapsht dhe nuk dihet se ku do ta çojnë jo më veten e tyre, por edhe atë pjesë të vogël të elektoratit të keqkuptuar që i ndjek. Është fatkeqësi që në vitin 2011, kur shoqëria shqiptare ka ecur mjaft përpara në mendësitë dhe konceptet që lidhen me qytetarinë dhe të drejtën, një forcë politike që përgatitet të udhëheq vendin në rrotacionin e radhës, të veprojë ende me një psikologji barbare e mesjetare, siç po bën PS-ja.

Aventura rozë kundër KQZ-së është përtej çdo logjike njerëzore, politike dhe ligjore. Është kundër çdo logjike njerëzore, pasi kërkon të paralizojë me anë të një diktati të sëmurë, duke bllokuar rrugët dhe autostradat, jetën e shqiptarëve, lëvizjen e njerëzve dhe mallrave, pra tenton më kot të paralizojë jetën e gjallë të njerëzve dhe të shkurdisë zemberekun e një shoqërie të lirë. Kjo aventurë është kundër çdo logjike politike, pasi politika konkurron me ide, programe e alternativa dhe jo me thirrje për dhunë, jo me akte dhune, jo me elementë të dështuar të revolucionit, të cilat nuk vlejnë më as për muze. Dhe kryesorja, kjo aventurë, e dëshpëruar në thelbin e saj, është kundër çdo akti, norme e principi ligjor. Të kërkosh me ngulm që të mos numërohen një për një votat e të gjithë votuesve që kanë shprehur vullnetin e tyre në një garë elektorale për kryetarin e bashkisë së kryeqytetit, do të thotë të tentosh ta shkatërrosh procesin e votimit dhe ta zëvendësosh atë me elementë selektivë politikë. Në Kodin Zgjedhor ekzistojnë shtatë pika që përshkruajnë saktësisht se kur një fletë votimi konsiderohet e pavlefshme, pra se kur një fletë votimi për shkak të kësaj pavlefshmërie, nuk arrin të kthehet në votë. Asnjë nga këto shtatë pika nuk përfshin praninë e fletës së votimit në një kuti tjetër, siç është rasti në fjalë, për të cilin po bëhet aq shumë zhurmë, kur fletët e votimit për kandidatët për kryetar bashkie në Tiranë janë hedhur në kutitë të tjera, si në atë për anëtarët e këshillit bashkiak etj. Pra, nuk mund ta deligjitimojë kutia vlefshmërinë e fletës së votimit që shpreh vullnetin e votuesit dhe për rrjedhojë është kthyer në votë të vlefshme. Ajo që pretendojnë socialistët, është një absurditet. Askush nuk ka tagrin të nxjerrë jashtë lojës së numërimit votat e votuesve, pavarësisht se të hedhura në kutinë e gabuar. Një pretendim i tillë, mbi të cilin ngrihet një strategji politike ogurzezë, synon të rikthejë orët e trishta të kujtesës së shqiptarëve, vitin e zi ‘97 dhe ditën e zezë të 21 janarit.

Instinktet më të ulëta politike të lidershipit rozë kanë pjellë herë pas here dhunë, si kundërvënie ndaj institucioneve demokratike dhe si rruga më e shkurtër për të rrëmbyer trofetë e pushtetit. Nëntëdhjetë e shtata, ngjarjet e kobshme të këtij fillim viti, dhe tani së fundi përpjekjet e dështuara për të mbajtur peng vullnetin ligjor të KQZ-së, janë sendërtim ogurzi i këtyre instinkteve, të mbështetura nga një platformë e egër presioni dhe dhune të mirëfilltë mbi institucionet demokratike.

Ekspertët e huaj, megjithëse herë-herë të rezervuar në prognozat e tyre, po i klasifikojnë zhvillimet tona politike si vetëshkatërrim. Përvijimi i psikologjisë frenetike, mosndalja e gjuhës së urrejtjes, ushqimi sindromik i së keqes me anë të një gjuhe të egër dhune, si dhe me veprime të dhunshme që burojnë prej kësaj mendësie, tregojnë se në çfarë shkalle kanë agravuar gjërat dhe sa shumë është distancuar klasa politike e majtë nga kursi normal i një shoqërie të së drejtës. Simptoma të tilla alarmante mund të ushqejnë për një kohë të gjatë krizat, traumat ekonomike dhe sociale, konfliktualitetin politik, paralizimin e institucioneve dhe parashikimet për pasojat e gjithë këtyre devijimeve të mundshme mund të jenë të trishtueshme.

Në një shoqëri që ka hyrë në rrugën e pakthyeshme të demokracisë, pra në një shoqëri të hapur, ka shumë arsye për të demonstruar, për të shprehur rezervat, kundërshtitë, demonstrimet dhe protestat ndaj mënyrave të një qeverisje, qoftë në nivel qendror, qoftë në nivel lokal. Sigurisht që këto janë shenjë e emancipimit demokratik të një vendi, bile fakti që shoqëria dhe shteti shqiptar i pranon këto mënyra të shprehjes së lirisë dhe të drejtave qytetare, tregon se vendi ynë është futur në mënyrë të pakthyeshme në shinat e demokracisë.

Por, sigurisht, asnjë arsye, sado madhore e principale, nuk mund të jetë e mjaftueshme për të ushtruar dhunë mbi KQZ-në, një institucion i pavarur që mban përgjegjësi ligjore për garantimin e saktësisë së votës së çdo qytetari. Asnjë arsye, sado madhore e principale, nuk mund të jetë e mjaftueshme për të ushtruar dhunë mbi policinë, për të bllokuar rrugët dhe sheshet, për të djegur e rrënuar pronat publike dhe ato të qytetarëve, për të krijuar psikologjinë e anarkisë dhe kaosit, në një vend me stabilitet të qëndrueshëm dhe anëtar të NATO-s.

Në shoqëritë demokratike ka rrugë institucionale e ligjore për kërkimin e të drejtës së pretenduar, siç është Kolegji Zgjedhor, Gjykata Kushtetuese dhe çdo ankimim për parregullsi të pretenduara nga palët, në rastin konkret nga socialistët, nuk mund të kalojë nëpërmjet asnjë rruge tjetër, përveçse atyre ligjore, të përfaqësuara nga institucionet e sipërpërmendura.

Selia rozë ka një moment krize të rëndë: në vend që të vijë pikat mbi “i” mbi shkaqet e humbjes së zgjedhjeve, duke nxjerrë përgjegjësitë e secilit, rreket të krijojë alibitë e humbjes ose rekuizitën e një fitoreje virtuale. Harxhon shumë energji në një betejë fiktive, e cila nuk ka palë ose është vetëm njëra palë e përfshirë, pra nuk ka betejë. Ky donkishotizëm politik nuk të çon askund, përkundrazi, dëmton imazhin e së majtës, tkurr elektoratin e lodhur nga pritjet absurde, tenton të prishë imazhin e procesit të zgjedhjeve, të cilat janë vlerësuar nga faktori ndërkombëtar si më të mirat e zhvilluara gjatë këtyre njëzet viteve në Shqipëri.

Rrethimi i KQZ-së,

Deputeti,Taulant Balla,në tentativen e sforcuar për të ça kordonin e policisë së shtetit.

Thimi Samarxhiu

- Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të numëruar votat e hedhura në kutitë e gabuara ka tensionuar situatën jashtë ambienteve të KQZ-së, ku ishin mbledhur mbështetës të shumtë të Partisë Socialiste dhe deputetët e kësaj force. Mbështetësit e PS-së, të ardhur edhe nga qytete të ndryshme të vendit, janë vendosur rreth godinës në orët e para të mëngjesit. Në orën 09:30 atyre u janë bashkuar edhe deputetët e PS-së, të cilët, ndryshe nga një ditë më parë, nuk u lejuan të hynin në ambientet e KQZ-së. Kordonë me punonjës të policisë nga 6 komisariatet dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë apo ato të RENEA-s kishin blinduar ndërkohë pikat kyçe të këtij institucioni. FNSH-ja ishte vendosur në derën kryesore të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ndërsa forcat RENEA qëndrojnë të tërhequra në lulishten mes “Pallatit të Kongreseve” dhe hotelit “Rogner”. Përtej dy barrikadave të krijuara, situata ishte e qetë deri në momentin kur në ambientet e brendshme të KQZ-së nisi mbledhja e paralajmëruar. Në këto momente, deputetët e Partisë Socialiste kanë tentuar të hyjnë brenda këtij institucioni, por nuk janë lejuar nga ana e forcave të shumta të policisë, të cilat ishin vendosur përgjatë gjithë murit rrethues të “Pallatit të Kongreseve”. Mes debateve të shumta të deputetëve dhe drejtuesve të Policisë së Tiranës, këta të fundit kanë paraqitur një vendim të marrë nga KQZ-ja, sipas të cilit nuk lejoheshin të hynin brenda deputetët e kësaj force politike. Por përfaqësuesit e PS-së e kanë kundërshtuar ashpër ndalimin e tyre për të hyrë në KQZ, duke e quajtur një shkelje të Kushtetutës veprimin që po kryhej nga ana e efektivëve të policisë. Por qetësia e minutave të parë u përmbys në momentin kur deputetët e Partisë Socialiste tentuan të kalonin gardhin rrethues për të hyrë në ambientet e brendshme të oborrit të KQZ-së. Në këto çaste, forcat e policisë u përpoqën të ndalonin hyrjen e tyre, por shtytja e ardhur nga turma bëri të mundur që një pjesë e deputetëve të kapërcenin pa vështirësi kordonin e policëve, ndërsa një pjesë tjetër, si Paulin Sterkaj, Armando Subashi e Sajmir Tahiri u rrëzuan përtokë, në momentin që po kalonin gardhin rrethues, duke marrë plagë të lehta në trup. Bashkë me deputetët, të njëjtin kapërcim tentuan ta bënin edhe disa mbështetës të PS-së, por u ndaluan nga efektivët e policisë. Madje, pati dhe nga ata policë, të cilët mbetën të lënduar si pasojë e konfrontimit me personat që tentonin të hynin brenda gardhit rrethues. Për këto konfrontime, Policia e Tiranës, me anë të një njoftimi për shtyp tha se “Pas grumbullimit para ndërtesës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, një grup personash po ushtrojnë dhunë ndaj strukturave të policisë. Strukturat e Policisë së Shtetit kanë bërë të mundur identifikimin e këtij grupi personash, pjesa më e madhe e të cilëve ka rezultuar të jenë punonjës të Policisë Bashkiake”. Tentativat e vazhdueshme të njerëzve që ishin mbledhur jashtë KQZ-së, për të thyer rrethimin e forcave të policisë, ndaluan në momentin kur të gjithë deputetët e Partisë Socialiste arritën të hynin në oborrin e këtij institucioni. Por edhe pas kësaj, deputetët tentuan të kalonin rrethimin e dytë, për të hyrë brenda sallës së mbledhjeve të KQZ-së, por misioni u duk i pamundur, pasi përballë ishin Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Pas një sërë tentativash, deputetët socialistë u tërhoqën nga plani i tyre dhe pritën në oborr vendimet që po merreshin në mbledhjen e KQZ-së. Situata u qetësua gradualisht deri në momentin kur nga brenda sallës u mor njoftimi se KQZ-ja kishte vendosur të niste numërimin e votave të kontestuara. Menjëherë pas kësaj, deputeti socialist Fatmir Xhafaj u bëri thirrje të gjithë njerëzve të vinin për të mbrojtur votat, pasi kishin dështuar të gjitha rrugët demokratike. Pas kësaj deklarate, deputetët dhe mbështetësit e Partisë Socialiste u larguan nga KQZ-ja për t’u mbledhur sërish pranë godinës së PS-së. Për një marshim të dytë drejt Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku “barrikadat” e policëve dhe deputetëve kanë qëndruar përballë njëri-tjetrin deri në orët e mbrëmjes.

Share This :

Twitter Delicious Facebook Digg Stumbleupon Favorites More

Edit this entry.

3 Comments to “Vota e lirë dhe psikologjia barbare e një pjese të politikës”

  1. Thumi says:

    I shkreti,ja paskan fute nga prapa

  2. Mark Deda says:

    me lind pyetja…sikur ta linin te hynte brenda ky skenderberama ne KQZ,qfare do te bente?
    A po me siguri gjerat do te shkonin sikur duhet…..

  3. Paul Palushi says:

    ha ha ha Mark me bane me qesh, Skenderbe Rama… A e di qa kishte ba masi te ishte shty me policet te hymja…me falni se hyna gabim por a keni me ndez se ma fik cinorja Ha ha ha

No comments: