Sunday, April 17, 2011

Ruçi nuk e voton Ramën

Laert Skiro

Është hera e tretë që Gramoz Ruçi, një lider i nivelit të parë në Partinë Socialiste dhe ish-ministër i Punëve të Brendshme të diktaturës komuniste, zhduket nga skena. Ndërsa herën e parë, aty nga viti 1996 u zhduk për arsye të frikës së veprave të kryera gjatë periudhës si ministër (u strehua në Greqi); kësaj here (prill 2011) është zhdukur për arsyen e kundërt, pse nuk bën mirë punën e “ministrit të diktaturës”. I ruajtur si asset personal për Edi Ramën, ish- ministri i diktaturës u ngarkua me detyrat më të rëndësishme poshtë kryetarit, me idenë që të përdorej në “ditët më të vështira”. Ditët më të vështira arritën, ja ku janë, por bash në këtë moment zoti Ruçi u zhduk nga skena. As shfaqet në fushatë, as shfaqet në media, as në krah dhe as në fund të turmës ku rri Rama.

Çfarë ka ndodhur me Gramoz Ruçin? Pse është zhdukur; u mënjanua apo e mënjanuan? Vetë- eliminimi duket i pamundur. Po të ishte periudha e diktaturës, pa dyshim, numri i Dy i Partisë do të veteliminohej sapo të kuptonte se bosi i tij nuk e kishte më me sy të mirë. Kjo ka ndodhur gjatë viteve të diktaturës komuniste, ku besnikët më të afërm të Enver Hoxhës i kanë dhënë fund vetes, duke nisur nga Nako Spiro te Mehmet Shehu. Post-komunizmi solli begati edhe për vetë komunistët e linjës së ashpër, të paktën për faktin se fituan të drejtën të mos vetë- eliminohen edhe kur nuk i do kryetari. Prandaj mund të thuhet se zoti Ruçi është eliminuar prej kryetarit.

Sa për vete, një lider i vjetër i Partisë Socialiste nuk do të merrte masën që të zhdukej me vullnet. Të vjetrit kanë mbërritur në pikën kur çdo gjë mund të bëjë kryetari, madje edhe këtë që po bën kundër interesave të integrimit të vendit, por këta i rrinë lidhur e ngushtë pas idesë dhe fizikut të tij. Liderët e vjetër kanë instinktet e mprehura në diktaturë se “kryetari bie, por rënia e tij duhet të të gjejë më këmbë”; liderët e vjetër kanë frikë se përveç kësaj “pune” nuk dinë asgjë tjetër; liderët e vjetër të PS (ish-komuniste) kanë frikë se gjatë vjetrimit të tyre kanë grumbulluar një barrë me përfitime ose me krime si vetë apo edhe fëmijët e tyre.... Gramoz Ruçi, kurrsesi nuk do të zhdukej me vullnetin e tij.

Atëherë çfarë ka ndodhur me liderët e vjetër të Partisë Socialiste?

O ka ndodhur që kryetari, realisht është sugjestionuar deri në pikën që mendon se do të fitojë kësaj here; dhe, me këtë rast do të heqë qafe të vjetrit për t’i zëvendësuar me çupëlina e çupëlinë. Por kjo nuk ka shumë gjasa, aq më tepër që fushata e kryetarit Rama është fushatë “prej zori”, sepse nuk ka më shpirt të dalë as në rrugë dhe e di se e ka humbjen afër... Atëherë ka ndodhur që liderët e vjetër (mes të cilëve Ruçi) i shikon si njerëz të gatshëm për të tundur gishtin dhe kërkuar llogari të fortë ditën kur do të shpallet humbja. Për të zbutur ose eliminuar orën e “tundjes së gishtit” të të vjetërve, kryetari Rama po aplikon planin e futjes së tyre në errësirë. Që nga Ruçi, Dade, Leskaj, Bufi, Hajdaraga, Bello, Ulqini, etj., që kanë kryesuar aksione të gjata të partisë Socialiste, tani nuk duken më. A janë, a nuk janë? Me cilin janë e kundër cilit ndodhen?...

Pyetjet shtrohen pa pushim, përderisa ditën e fundit që u panë, u panë agresivë kundër të gjithëve dhe ledhatues ndaj kryetarit; ndërsa tani të gjithë nuk i shikojnë më, vetëm kryetari e di fatin e tyre. Një nga këta liderë, para dy a tre javësh i ishte paraqitur Ramës në zyrë dhe kishte folur:

- A je i mërzitur me mua?- pyeti Rama

- Jo, sinqerisht, aspak. Madje të falënderoj për një gjë: Nuk kisha ndërmend të shkoja në votime kësaj here; por më bëre të votoj

- Ça do me thënë?- e pyeti Rama përsëri- Do të votosh kundër meje

- Po, për të votuar kundër teje do të dal në votime- tha ish- anëtari i Kryesisë së PS.

Por ky nuk ishte Gramoz Ruçi. Ky është zhdukur si atëherë në Athinë. Por me sa shikohet edhe Ruçi do të duket ditën e 8 majit, bash për të votuar kundër Ramës.

No comments: