Sunday, April 17, 2011

Hrushovi, Kastros: Donim Shqipëri-vitrinë myslimane

Thanas Mustaqi |

Hrushovi donte ta bënte Shqipërinë vitrinë të botës myslimane. Kështu ka pohuar më 5 maj 1963 shefi i Kremlinit në një bisedë me liderin kuban Fidel Kastro. Fakti i panjohur në Shqipëri bëhet i ditur në librin "Lojë skëterre. Histori sekrete e krizës kubane të raketave,1958-1964. Krushovi, Kastro dhe Kenedi", shkruar nga Aleksandr Fursenko dhe Timothy Naftali, botuar në Nju Jork në vitin 1997.


Po sjellim për lexuesin shqiptar dy fragmente nga libri i bujshëm i botuar në SHBA. Autorët u referohen dokumenteve sekrete amerikane dhe sovjetike për krizën më të madhe pas Luftës se Dyte Botërore. Kjo krizë po e çonte botën në prag të një konfrontimi bërthamor në ishullin e Kubës midis dy superfuqive të vetme. Ndërkohë, është tejet befasues fakti që në këtë megakonflikt në Karaibe kishte pjesën e vet dhe Shqipëria në Adriatik e Jon.


Po ashtu, nga ditari politik sekret i Enver Hoxhës sillen hollësi interesante për marrëdhëniet e ndërlikuara mes shefit të Tiranës dhe atij të Havanës, deri dhe një incident diplomatik, ku implikohen vetë Kastroja dhe presidenti i Kubës, Dortikos.


"Agjenti i Hrushovit"
Pas prishjes së madhe mes Moskës dhe Tiranës në vitin 1961, që pati pasojën më serioze - likuidimin e bazës ushtarake-detare të Vlorës-faktori shqiptar bëhet i pranishëm dhe në nivel global. BRSS dhe Traktati i Varshavës që mbetën zbuluar në Evropë pa Pashalimanin, u përpoqën të kompensonin humbjen në Karaibe.


Siç del, një bazë ushtarake sovjetike me armë bërthamore afër Amerikës, ishte motivi për trysni që Uashingtoni të hiqte bazën e vet në Turqi. Gjithë ky sfond gjeopolitik i jepte Enver Hoxhës komoditetin për t'u përfillur në përplasjen e madhe të gjigantëve nga Adriatiku në Karaibe. Vetë lideri kuban, që lëkundej sa andej-këndej, në vitin 1962, u afrua me Shqipërinë. Madje, Havana i "hapte barkun" dhe për punët e brendshme të partisë në pushtet.


Enver Hoxha shkruante në ditarin e vet: "25 mars 1962. Në shtëpinë e ambasadorit tonë në Kubë shkoi Blas Roka (Blas Roca Calderio (1908 -1987), kreu i PK të Kubës. Botues i gazetës komuniste "Hoy" - Th.M.) dhe një sekretar i Komitetit Qendror të partisë kubane dhe e njoftuan se "Anibale Eskalantja (ish-sekretar organizativ i Komitetit të Organizatave Revolucionare të Bashkuara të Kubës) u përjashtua unanimisht nga udhëheqja e Komitetit Qendror për punë personale që ka dëmtuar shumë partinë".


Këtë vendim, kanë thënë ata, do ta botojnë. Eskalantja është një agjent i Hrushovit, që ktheu fletën në Mbledhjen e Moskës të vitit 1960 dhe u bë zëdhënësi i grupit të Hrushovit për të përpunuar përfaqësuesit e partive komuniste të vendeve të Amerikës Latine kundër Partisë Komuniste të Kinës dhe Partisë së Punës të Shqipërisë.


Komunikimi që na u bë nga Blas Roka nuk është pa qëllim, ai do të thotë se kubanezët tashmë na aprovojnë ne dhe jo Hrushovin & CO. Ky është një sukses për ne dhe do të ketë reperkusione në partitë komuniste të vendeve të Amerikës Latine dhe në lëvizjen komuniste ndërkombëtare".


Kuba, as në rrugën e Shqipërisë, as në atë të Jugosllavisë
Por, ndryshe nga Fideli, vëllai i tij, Rauli, më prosovjetiku në Kubë, nuk pëlqen as rrugën shqiptare, as atë jugosllave, citohet të ketë thënë presidenti i sotëm i Havanës, sipas librit të bujshëm: "Lojë skëterre. Histori sekrete e krizës kubane të raketave,1958-1964. Krushovi, Kastro dhe Kenedi", shkruar nga Aleksandr Fursenko dhe Timothy Naftali.


Po sjellim këtë fragment:
"Më 7 nëntor (1962 - Th.M.) me rastin e kremtimit të 45-vjetorit të revolucionit të Tetorit të gjithëve u ra në sy atmosfera e tensionit rreth misionit të Mikojanit (Anastas Ivanoviç Mikojan, (1895-1978), në atë kohë zëvendëskryeministër, u dërgua në Kubë për të bindur Kastron për heqjen e raketave bërthamore sovjetike nga ishulli - Th.M.).


Zakonisht ambasada sovjetike ftonte në pritje dhe në drekë udhëheqësit kubanë civilë dhe ushtarakë. Duke u përpjekur të zbuste dëmin e shkaktuar nga kriza bërthamore, përfaqësuesit sovjetikë silleshin në atë mënyrë sikur gjoja asgjë nuk do të errësonte dot marrëdhëniet sovjetike-kubane. Dhe vërtetë, pritja filloi mirë, ndërsa Raul Kastro luante rolin e paqeruajtësit. Gjatë ditëve, që kaluan nga momenti kur Fidel Kastroja foli hapur për mosmarrëveshjet me Moskën, Rauli përpiqej të qetësonte miqtë sovjetikë.


Pasuesi i Aleksejevit në postin e rezidentit të KGB-së në Havanë vinte në dukje rolin e tij pozitiv në problemin e pajtimit. "Raul Kastroja, - njoftonte ai në Moskë, - si dhe më parë është i hapur me ne, duket që ai e përjeton atë fakt se raporti shumë i mirë mes Kubës dhe BRSS... tani po errësohet nga domosdoshmëria e deklarimit publikisht të pranisë së disa divergjencave dhe çështjeve të diskutueshme".


Raul Kastroja pyeti në mirëbesim rezidentin e KGB-së në Havanë se a ka bërë mirë Fidel Kastroja, që bëri të ditura divergjencat e lindura, ndërkaq vërehej se edhe ai vetë nuk është i bindur për këtë (shih dokumentin: Rezidenti i KGB-së në Havanë drejtuar Moskës, 5 nëntor 1962, fondi 3, fashikulli 65, çështja 908, ff. 106-107, Arkivi i presidentit të FR)".


Në këtë pritje në ambasadën sovjetike Rauli ngriti një dolli për shëndetin e Hrushovit dhe për sukseset e tij në politikën e jashtme. Në këtë dolli, të cilën ambasadori Aleksejev e quajti faktikisht deklaratë politike, Rauli-komunist i vendosur promoskovit-tha se Kuba i qëndron përjetë besnike miqësisë me Bashkimin Sovjetik dhe "nuk do t'u përkasë kurrfarë rrymash".


"Ajo nuk do të ecë as në rrugën e Shqipërisë, as në atë të Jugosllavisë, - tha Rauli.-Kuba në teori dhe praktivë do t'u mbetet besnike parimeve të marksizëm-leninizmit". Kastroja i ri e përfundoi dollinë me fjalët: "Ne jemi dhe do të jemi komunistë kubanë"
(shih dokumentin: Aleksejevi në MPJ, 8 nëntor 1962, fondi -3, fashikulli 65, çështja 90, f. 12-13, Arkivi i presidentit të FR).


"Bija e dashur e kampit socialist"
Ndërkaq dhe Fideli një vit pas shprehjes së dashurisë pa protokoll për Shqipërinë, gjatë një vizite në BS, më 5 maj 1963, bisedon me Hrushovin. Gjithmonë nga libri i mësipërm për krizën kubane, po shkëpusim këtë fragment: "... liderët zhvilluan një mbledhje maratonë, gjatë së cilës Kastroja pyeste Hrushovin si nxënësi mësuesin.


Kastroja dëshironte të sqarohej për rrënjët e divergjencave në kampin socialist. Së pari, u interesua për shkakun e tensionimit të marrëdhënieve sovjetike-kineze. Hrushovi tregoi me gjallëri për këtë gjë, pasi përmendi problemin e fiseve nomade të Azisë Qendrore, duke dashur të tregojë haptas se nuk do të donte të hynte në hollësira. Në përfundim asi tha se për atë vetë "nuk janë të qarta" burimet e konfliktit.


Por Kastroja vazhdoi" Si lindi konflikti me Shqipërinë?" Këtu Hrushovi ishte i gatshëm për një bisedë të hollësishme. "Ajo ishte bija e dashur e kampit socialist, - shpjegoi Hrushovi. - Ne donim ta bënim Shqipërinë vitrinë të botës myslimane". Por Stalini u futi frikën shqiptarëve për faktin se premtoi se do t'ia dorëzonte vendin e tyre mareshalit Tito si pjesë të federatës së ardhshme ballkanike.


"Në vitet e fundi të jetës Stalini mund të thoshte çdo budallallëk, - shpjegoi Hrushovi, - kur ai ishte faktikisht një njeri anormal".
Shih dokumentin: Shënime për takimin e Hrushovit me F. Kastron, 5 maj 1963, Zavidovo, arkivi i presidentit të FR.

"Lider Maximo" dhe Çe: Sa të mirë shqiptarët

Dy figurat kryesore të Kubës së vitit 1962 kanë shprehur respektin më të madh për Shqipërinë, gjatë përplasjes me Bashkimin Sovjetik. Vetë Fidel Kastro i ka shkuar në shtëpi ambasadorit shqiptar, kurse ministri i Industrisë, Ernesto Çe Gevara (Che Guevara (1928-1967), është treguar mjaft xhentil me delegacionin tregtar shqiptar të kryesuar nga një ministër.


Dashuri pa protokoll

"Lider Maximo", siç quhet Fidel Kastroja nga adhuruesit e tij, ka kërkuar të konsultohet me mendimin e shqiptarëve ndaj udhëheqjes së Kremlinit. Madje ai shkon deri atje sa t'i shkojë në shtëpi ambasadorit Pogaçe, në kundërshtim me protokollin, shkruan sozia e tij e Tiranës. Me dekret nr. 3348, datë 3.10.1961 të Presidiumit të Kuvendit Popullor, "Josif Pogaçe emërohet si ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Republikës Popullore të Shqipërisë në Republikën e Kubës".

Disa ditë më vonë, duke imituar Fidelin, në shtëpinë e Pogaçes, dhe jo në selinë e ambasadës, shkon udhëheqësi tjetër kuban Blas Roka, që rrëfen për përjashtimin e një njeriu të Hrushovit!


"Ambasadori ynë në Kubë, Josif Pogaçe na lajmëroi se Fidel Kastroja, jashtë çdo rregulli protokollar dhe për të treguar miqësi, shkoi në shtëpinë e tij dhe bisedoi me të për një orë e gjysmë. I foli shumë mirë për ne. Kastroja i kishte thënë Josifit se kishte lexuar fjalimin (e mbajtur me rastin e 20-vjetorit të themelimit të PPSH) tim dhe do ta studiojë përsëri, se e kishte gjetur të mirë. Ai kërkoi të informohej më gjerë në lidhje me marrëdhëniet tona me Bashkimin Sovjetik dhe u informua për këtë.


Pasi dëgjoi ato që i tha ambasadori ynë, theksoi se sovjetikët e kishin informuar shtrembër. Pastaj kërkoi materiale plotësuese, të cilat do t'ia dërgojmë", shkruan në ditar Enver Hoxha, më 23 mars 1962. Gjithsesi mbetet enigmë pse Kastroja takoi ambasadorin dhe jo ministrin e Drejtësisë Bilbil Klosi që ndodhej atëherë në Kubë në krye të një delegacioni tregtar shqiptar.


Çe, çfarë kalorësie!
Në mars të vitit 1962 (dhe jo në vitin 1964 siç kanë raportuar disa të përditshme shqiptare, duke i besuar kujtesës së një dëshmitari) një delegacion tregtar qeveritar shqiptar, i kryesuar nga ministri i Drejtësisë Bilbil Klosi, u prit me nderime nga legjendari Ernesto Çe Gevara (Che Guevara), që në atë kohë ishte ministër i Ekonomisë. Këtë e konfirmon në ditarin e vet politik Enver Hoxha.


Madje, Çe-ja ka bërë një akt të kalorësiak, duke mos pranuar të marrin një fabrikë ferrokromi nga çekët, që këta të fundit, në kulmin e përçarjes së madhe të Tiranës me bllokun lindor, ua hoqën shqiptarëve ("Delegacioni ynë tregtar qeveritar lajmëron nga Kuba se është pritur shumë ngrohtë. Është takuar me E. Guevarën, i cili ka thënë se do të na japin çdo gjë që kanë.


Ka thënë, gjithashtu, se çekët u kanë propozuar kubanezëve fabrikën e ferrokromit që na e hoqën neve, por këta ua refuzuan, duke u thënë se shqiptarët i kemi vëllezër", shkruante Enver Hoxha në Ditarin e tij politik, më 27 mars 1962). Po ashtu, Enver Hoxha, më 8 prill të atij viti, shënon: "Shokët e delegacionit qeveritar tregtar, që u kthyen nga Kuba, na njoftuan se gjatë qëndrimit të tyre atje, u krijuan momente të zjarrta revolucionare, dashurie dhe respekti për Partinë e Punës të Shqipërisë dhe për popullin shqiptar, që nga baza dhe deri te Kastroja.


Kubanezët kërkojnë eksperiencë nga ne dhe ne do t'u japim materiale nga ato që flasin për eksperiencën tonë modeste".

Çe, ditari nuk përmend vizitën sekrete
Meqë ra rasti, në Ditarin e vet lideri shqiptar nuk përmend ndonjë vizitë sekrete të Gevarës në Tiranë në vitin 1960, ku është pritur nga Mehmet Shehu. Madje, në shtypin shqiptar ka qarkulluar dhe lajmi se Çe-ja ishte i lumtur që mbante një automatik "kallashnikov" të prodhimit shqiptar, që ia ka dhuruar kryeministri i Tiranës.


Autorët e këtij lajmi nuk e dinin që në vitin 1960 nuk ishte ndërtuar ende uzina e Poliçanit! Nga ana tjetër, ardhja sekrete e Gevarës në Tiranë në vitin 1960, nuk kishte si i fshihej diktatorit. Ardhja e udhëheqësit të revolucionit kuban, për vetë kohën dhe detyrat që mbante në vitin 1960, ishte e pamundur të realizohej. Dihet që Enver Hoxha më vonë është shprehur tepër negativisht për këtë legjendë të shekullit XX.


"Mea culpa", pas kërcënimeve dhe fyerjeve*

Në vitin 1965, acarimi i marrëdhënieve të diktatorëve të Havanës dhe Tiranës për shkak të shefit të Kremlinit, arrin kulmin, teksa dy krerët më të mëdhenj të Kubës, Kastro dhe Presidenti i vendit, në mungesë të ambasadorit Josif Pogaçe, bëjnë për "ujë të ftohtë" këshilltarin shqiptar me "me një ton kërcënues e fyes".


Por pastaj diktatori i ishullit e kupton se ishin të keqinformuar dhe e kishin shkelur, ndaj i kërkon falje. Ky fakt fare i panjohur për opinionin publik, figuron në Ditarin politik të Enver Hoxhës. Incidenti diplomatik i jep arsye shefit të regjimit të Tiranës të shpërthejë me sharje ndaj Kastros. Madje, Enver Hoxha shkon deri atje sa të shkruajë "flitet se Kastroja "ka likuiduar" Guevarën i cili nuk dëgjohet më. Me këta njerëz çdo gjë mund të ngjasë, asgjë s'duhet të na çuditë". Po ribotojmë shënimin e Enver Hoxhës për ngjarjen e rëndë me diplomatin shqiptar.

Materialet subversive

"16 shtator 1965. Njerëzit e ambasadës sonë në Havanë na shkruajnë se këshilltari ynë, në mungesë të ambasadorit, u thirr nga Dortikosi (Osvaldo Dorticos Torrado (1919 - 1983) - nga korriku 1959 deri në dhjetor 1976 president i Republikës së Kubës) dhe në prezencën e Kastros dhe me një ton kërcënues e fyes i tha se gjoja ambasada jonë shpërndan materiale subversive kundër Kubës dhe politikës së saj dhe kjo duhet të ndalet menjëherë.


Dortikosi i tha se gjoja na paskan lajmëruar edhe më parë për këtë. Këshilltari i ambasadës sonë iu përgjigj se ambasada jonë nuk shpërndan material ilegal dhe subversiv kundër Kubës, por shpërndan me pëlqimin e Ministrisë së Jashtme të Kubës materialin legal të Partisë dhe të Qeverisë sonë, ku shprehim vijën e Partisë dhe të Qeverisë sonë, e cila veçanërisht ka qenë në mbrojtje të Kubës dhe asnjëherë kundër saj.


Ndjesa
Duke e parë se e shkelën, ndërhyri Kastroja me ton të moderuar dhe, pasi pyeti Dortikosin nëse ishte thirrur ambasadori ynë për këtë gjë më parë, kur u thirr dhe ambasadori kinez dhe ai sovjetik, i kërkoi të falur këshilltarit tonë dhe iu lut që çdo material yni këtej e tutje të kalojë nga Ministria e Jashtme e Kubës, e cila "do ta marrë përsipër shpërndarjen". Siç morëm vesh të nesërmen me kinezët janë sjellë akoma më brutalisht.


Janë çfarë të duash
Duket qartë se ç'janë Kastroja dhe shokët e tij. Ata janë çdo gjë, por jo marksistë; janë bërë tani vegla të ndyra të sovjetikëve, më vonë, mund të bëhen edhe të të tjerëve; janë anarkistë, trockistë e çfarë të duash. Ata s'janë veçse aventurierë dhe politika e tyre nuk ndjek veç rrugën e aventurave. Amerikanët kanë heshtur kundër tyre pse këta kanë pushuar çdo veprimtari kundër Shteteve të Bashkuara. S'është çudi që ndonjë mëngjes të dëgjojmë dhe gjëra të çuditshme në mes Kastros dhe amerikanëve.


Pronunciamento
Flitet se Kastroja "ka likuiduar" Guevarën i cili nuk dëgjohet më. Me këta njerëz çdo gjë mund të ngjasë, asgjë s'duhet të na çuditë. Mendimet, metodat e punës, forma e regjimit që ekzistojnë në Kubë, e bëjnë të qartë se ne kemi të bëjmë me një udhëheqje të marrë, aventureske, anarkiste dhe asnjëherë marksiste. Këtë vijë, në traditat e pronunciamento-ve (nga spanjishtja - puç) të Amerikës Latine, përpiqet të futë Kastroja edhe në kontinentin amerikan. Kjo u vjen për dore amerikanëve dhe revizionistëve sovjetikë, prandaj edhe ata heshtin dhe e ndihmojnë.

No comments: