Sunday, April 17, 2011

Edi Rama “kapet” nga shqiptarët në Peskara

J. Drini

Dje një kamera amatore ka sjellë pamje të freskëta të vizitës së Edi Ramës në Peskara të Italisë, ku manifestohet pakënaqësia e shqiptarëve në Itali kundër Partisë Socialiste dhe kryetarit Rama që u përpoqën të ndalojnë liberalizimin e vizave për shqiptarët.

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, edhe pse në mes të fushatës elektorale, i la punët këtu dhe vrapoi në një aktivitet politik në qytetin e Peskaras, Itali.

Sapo kishte nisur aktiviteti, që nga plateja përballë tribunës në teatrin ku zhvillohej aktiviteti, një banderolë u lëshua prej disa të rinjve, ku shkruhej me shkronja të mëdha “Rama, na jep llogari”.

Menjëherë pas kësaj, kur Rama lëshoi alarmin “pse lejoheshin këta”, aktivistët lokalë që organizonin aktivitetin në Peskara morën masa që banderola të mos qëndronte e varur në sallë. Në atë moment, disa të rinj shqiptarë, emigrantë që jetojnë dhe punojnë Itali, i kërkuan panelit dhe vetë Edi Ramës:

“Na trego këtu si është situata në Shqipëri, mos na thuaj fjalë boshe. Ti deshe të na pengosh të drejtën e lëvizjes së lirë; ti deshe të ndalosh liberalizimin e vizave. Ti je i pari që pengove”.

Aksioni i të rinjve shqiptarë në Itali i referohej përpjekjes së pandërprerë të kryetarit të Partisë Socialiste për ta penguar liberalizimin e vizave dhe lëvizjen e lirë të shqiptarëve në vendet e zonës Shengen. Lëvizja e PS dhe e kryetarit të tij kishte rënë shumë në sy të emigrantëve, edhe pse nuk jetojnë në Shqipëri; por që përjetuan thellë shqetësimin e krijuar nga PS për të penguar liberalizimin e vizave.

No comments: