Friday, April 22, 2011

"Le Monde": Në Tiranë, ambasadorit amerikan i erren sytë


ShekulliGazeta më me peshë në Europë shkruan rreth ngjarjes së fundit "Shekulli-Arvizu" në Tiranë dhe ironizon ambasadorin amerikan me foto të parullave kineze të Maos


HYRJE E REDAKSISË:
Gazeta më e madhe në Europë dhe një nga gazetat më të rëndësishme të botës, i ka kushtuar dje një artikull të zgjeruar ngjarjes së fundit në Tiranë mes Ambasadorit Arvizu dhe gazetës "Shekulli". "Në Tiranë, ambasadës amerikane i erren sytë", - shkruan Alexandre Levy në rubrikën "Western Balkan" të "Le Monde" (origjinali në frëngjisht: "A Tirana, l'ambassade américaine voit rouge").


Artikulli shoqërohet me foto ironike të parullave kineze të kohës së Maos, si dhe me një foto të Arvizus duke dalë nga makina e tij zyrtare. Poshtë artikullit ka komente dhe reagime të shumta lexuesish.


Ky është artikulli i parë i rëndësishëm në shtypin perëndimor për ngjarjen e paprecedentë të disa ditëve më parë në Tiranë, kur Ambasada Amerikane me anë të një letre dërguar në "Shekulli", njoftoi se "ndërpriste marrëdhëniet" me gazetën, për shkak të një opinioni ku përmendej fjala "kinezëri".


Artikuj të tjerë janë botuar këto ditë rreth ngjarjes edhe në shtypin italian (ngjarja është quajtur "diplomacia e censurës në Tiranë") dhe në faqet mediatike online.


Në median vendase ka ndërkohë një heshtje lidhur me rastin, përjashto kronika të vogla dhe një deklaratë të Unionit të Gazetarëve. Analistë të ndryshëm e shohin edhe këtë heshtje, si pasojë të efektit censurues që krijon ky veprim i Ambasadës në Tiranë.


Efekti censurues u shtri edhe në ditët në vazhdim kur Wikileaks botoi një kabllogram të
Ambasadës në Tiranë, kabllogram i cili, në rrethana të tjera do të kishte bërë jehonë të madhe në mediat e Tiranës.


Disa prej analistëve e lidhin këtë vendin ekstrem të Ambasadorit Arvizu, jo me një apo dy fjali të një prej opinioneve të shumtë që botohen në shtypin e ditës, por si një përpjekje të radhës për të mpakur akoma më shumë, zërat kritikë ndaj qeverisjes skandaloze në vend. Arvizu është pozicionuar qartë dhe dukshëm në fushatën elektorale në vend.


Në Tiranë, ambasadës amerikane i erren sytë


Nga Alexandre Levy
"Le Monde"



Zoti ambasador i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Ekselenca e tij Aleksandër Arvizu, nuk është i kënaqur. Nuk është i kënaqur, sepse një gazetar shqiptar e ka quajtur "ambasadori i vogël i një vendi të madh" në rubrikën e opinioneve botuar në të përditshmen opozitare "Shekulli".


Aq shumë i pakënaqur ka mbetur ai, saqë ka bërë një letër, me anë të së cilës lajmëron se Ambasada Amerikane do të ndërpresë të gjitha kontaktet me gazetën.


Shkaktari i kësaj përplasjeje quhet Ilir Yzeiri. Ai është autori i një shkrimi të hidhur - gjë e rrallë në vendin më amerikanofil në botë - të cilin e ka shkruar pasi kishte parë një intervistë televizive të ambasadorit, në të cilën, ky i fundit dukej se kishte marrë në mbrojtje forcat e rendit të akuzuara se kanë shtirë me plumba realë kundër manifestuesve të 21 janarit të shkuar, duke shkaktuar (shih videon - artikulli shoqërohet me link0shën.red.) vdekjen e katër vetëve.


Edhe në Shtetet e Bashkuara policia ka qëlluar mbi turmën në vitet '70, - paska thënë Ambasadori duke nxitur kështu zemërimin e Ilir Yzeirit: "Po është e vërtetë, por askush në Amerikë nuk ka qenë në krah të vrasësve dhe askush në Amerikë nuk ka menduar qoftë edhe një ditë të vetme që të përkrahë vrasësit dhe të dënojë viktimat siç bëni ju, zoti Ambasador", - shkruan Yzeiri.


Në fund të artikullit, gazetari shqiptar e quan "të bësh kinezëri" (të jesh hipokrit) një sjellje të ambasadorit kur ai tregon një histori me një grua e një fëmijë dhe e shpjegon origjinën kësaj shprehjeje kështu: "Është një shenjë që na ka mbetur që nga koha e marrëdhënieve me kinën. Ju e njihni mirë psikologjinë e kinezëve të Maos dhe heroin Lej Fen.


Ju mund të lexoni edhe romanin "Koncert në fund të dimrit" të shkrimtarit tonë të madh Kadare. Atje vizatohet bukur ajo që ne i themi "kinezëri" [Regjimi komunist i Tiranës ka qenë shumë i lidhur me Pekinin, i vetmi aleat në atë kohë.


Shkurt, të bësh kinezëri është si të mbetesh francez edhe në Turqi (të mos kuptosh asgjë, një shprehje që nuk ka të bëjë fare as me Kinën as me Francën).


Por për ambasadën amerikane, këto thënie «e kanë kapërcyer kufirin e gazetarisë profesionale dhe të opinioneve dhe u shndërruan në një sulm personal të papërshtatshëm dhe ad-hominem ndaj Ambasadorit Arvizu dhe Shteteve të Bashkuara».


Këto thënie, sipas diplomatëve amerikanë, "përmbajnë përgojime raciste dhe etnike të papërshtatshme për një gazetë që pretendon të përfaqësojë opinionin kryesor publik".


Rreth këtij argumenti, Adrian Thano, kryeredaktori i "Shekullit" ka protestuar duke iu përgjigjur Ambasadorit në emër të gazetës. Në përgjigjen e tij, ai e hodhi poshtë këtë akuzë duke thënë se kjo është një provë që Ambasadori "nuk njeh as shqiptarët, as Shqipërinë".


Në pjesën tjetër, kryeredaktori shpreh çudinë e tij të hidhur për absurdin e këtij "bojkoti". Edhe ai nervozohet pak sidomos me frazën e Ambasadorit që thotë se "ai shpreson që 'Shekulli' të renditet në radhën e gazetave të përgjegjshme". «Ju jeni i ri në Shqipëri, u lini radhë të tjerëve, të gjykojnë, nëse opozicioni ynë, për të cilin kemi paguar dhe vijojmë të paguajmë kosto të larta, është "i përgjegjshëm", apo jo.


"Ushqejmë si gjithë populli shqiptar ndjenjat më miqësore ndaj popullit amerikan. Mos e mbivlerësoni veten dhe mos përfitoni nga kjo ndjenjë."


Kjo ngjarje vjen pas shumë muajsh tensioni politik në vend. Socialistët e Edi Ramës kanë refuzuar të njohin legjitimitetin e qeverisë së Sali Berishës, dora e hekurt e të cilit shkaktoi tragjedinë e 21 janarit, gjatë së cilës humbën jetën katër persona, ngjarje që provokoi gjithashtu shqetësime të mëdha edhe në gjirin e Bashkimit Europian.


Në këtë konflikt, për shumicën e shqiptarëve, «Shekulli» ka zgjedhur të mbështesë protestën e opozitës dhe siç saktëson kryeredaktori «ka pesëmbëdhjetë vjet që gazeta është në opozitë». Në thelb, gazeta «Shekulli» e qorton edhe ajo Ambasadorin se po mbështet në çdo hap qeverinë aktuale.


Ja se çfarë shkruan më tej Adrian Thano:
«Siç ju kam shkruar edhe në një redaksionale të mëparshme, si kryeredaktor i gazetës, në emër të lexuesve tanë, ju them se jemi thellësisht të shqetësuar për qëndrimet tuaja pas 21 janarit. Për herë të parë në histori, në komentet dhe reagimet e shqiptarëve mbi deklaratat tuaja, kanë nisur të hasen ndjenja shqetësuese antiamerikane.


Pranoni një sugjerim, ashtu si ne pranojmë përditë sugjerimet tuaja: Nuk ia vlen barra qiranë që për një qeveri gangsterësh, të mbillni në zemrën e një prej popujve më filoamerikanë në botë, ndjesi të tilla".


*Shënim i Le Monde: Artikulli i z.Yzeiri në Shekulli, do të botohet javën që vjen në «Courrier International» bashkë me një përmbledhje të ngjarjes me Ambasadën Amerikane në Tiranë.

No comments: