Sunday, March 27, 2011

Përsiatje për motivin e luftës kundër harresës dhe zvetënimit

“Hija e shtëpisë”, libri më i ri i tregimtarit Ragip Sylaj, në esencë i ngërthen dy kryemotive (edhe pse libri nuk është i ndarë në cikle) që shquhen edhe për nga nivelet dhe teknikat e rrëfimit. Në njërin rast përshfaqen përsiatjet e narratorit ndaj të afërmve të tij, të cilat janë rekuiem për vetveten-subjektin, për gjakun e tij-familjen dhe për vdekjen-harresën. Dhe në rastin tjetër përshfaqet obsesioni surrealist ndaj ndijimeve psikike.

Ardian Haxhaj

1. Rekuiem për të vdekshmit


Në librat e mëparshëm të Sylajt kanë ngre krye gjithmonë temat obsesive psikologjike, në të cilat ka defiluar vetëm një hero. Në librin me tregime “Hija e shtëpisë” përsiatet edhe për motivin e vdekjes, motivin e pikëllimit, dhe së fundi motivin e luftës kundër harresës dhe zvetënimit. Dihet mirëfilli se motivi i luftës kundër harresës pas vdekjes është trajtuar në letërsi që nga “Epi i Gilgameshit”, por jo çdoherë është mbërritur spontaniteti i një përjetimi krejtësisht njerëzor.
Ragip Sylaj në librin e fundit ka arritur ta përshfaqë dimensionin substancial të dashurisë vëllazërore-prindërore dhe pikëllimit ndaj vdekjes në një ambient krejtësisht shqiptar. Në këtë rast tregimet për babagjyshin, gjegjësisht për kujtimet e tij pas vdekjes, janë aq mbresëlënëse. Kjo nuk do të thotë se përsiatjet e narratorit kanë për qëllim të mbërrijnë efekte elegjiake. Sensi i masës, ndërfutjet e monologëve dhe dialogëve, zhvendosjet kohore dhe hapësinore në strukturën e tregimit, të kujtojnë ndërtimin asociativ të strukturës së përrallave.
Kujtimi për të afërmit e lë narratorin nën hijen e shtëpisë dhe kjo i jep mundësi të dialogojë dhe të monologojë me tre breza; me baballarët, me bashkëkohanikët dhe me fëmijët. Çuditërisht vdekja është prezente në këta tre breza, të cilët narratori mundohet t’i përjetësojë në kujtime, por jo vetëm kaq. Janë të rralla veprat letrare në letërsinë tonë, në këtë rast tregimet, që përsiatin për jetën pas vdekjes, gjegjësisht për luftën kundër harresës. Kjo vërehet në shumë tregime të “Hijes së shtëpisë”, prandaj edhe titujt e këtyre tregimeve e përfshaqin këtë dimension motivor, si: “Rekuiem për plakun e verbër”, “S’kam kohë të jetoj me vdekjen”, “Dehja nga trishtimi i pavdekshmërisë”, “Hija e shtëpisë”, “Përhitja e vetmisë” etj.
Narratori në tregimet e librave të mëparshëm të tregimtarit Sylaj deri më tani sikur i ka trajtuar të gjitha preokupimet e qenies, ndërkaq në librin e fundit ne e shohim këtë narrator duke krijuar relacione jashtasubjektive me të tjerët, por që reflekton drejtpërsëdrejti në ndërdijen e narratorit.
Në tregimin antologjik “Rekuiem për plakun e verbër” përshtresohen disa nivele narrative. Duke i ngjarë tregimit fantastik, narratori takohet dhe bisedon me të vdekurin, me gjyshin e tij, që kthehet në odë plot katër vjet pas vdekjes. Melankolia në këtë rast nuk del e sipërfaqshme, por ajo duket se thërret, duket se gullmon. Përmallimi nuk përshfaqet në atë që narratori e sheh babagjyshin e tij pas vdekjes, por ky përmallim përshfaqet në mesazhet e plakut që flet për një përvojë njerëzore. Këto mesazhe sikur e ngushëllojnë narratorin për luftimin e vdekjes. Përderisa Gilgameshi nuk gjen ngushëllim për pavdekësinë e trupit, në shumë tregime të “Hijes së shtëpisë” luftohet për mosharresën pas vdekjes. Prandaj frika nga harresa dhe lufta kundër saj është motivi që shquhet në shumë tregime të librit “Hija e shtëpisë”.

2. Surrealja

– ëndërrimet e zhgjëndërrta


Ndërkaq tregimet e tjera të “Hijes së shtëpisë” e mbyllin qarkun e jashtësisë, duke u preokupuar me obsesionet psikike të narratorit, duke u munduar ta shënjojë çdo aspekt që e pjellë mendja e njeriut. Në këto tregime obsesionesh narratori flet me Engjëllin Mbrojtës, ku niveli i ligjërimit është krejtësisht poetik e shpesh deklamativ. Prozat, “Bregu i ëndrrës”, “Autopsia e hijes”, “Përndritje”, “Dielli i pikëllimit”, “Mali i brengave”, “Prekja e dritës së hyjit” etj., janë tregime ekskluzive surrealiste. Narratori në këto tregime duket sikur flet në ëndrrën e zhgjëndërrtë dhe në zhgjëndrrën e ëndërrt. Këto përsiatje janë një shfrim imagjinativ që t’i kujtojnë tregimet e Borhesit, ku narratorin e gjen puna herë në tokë e herë në qiell, herë në luftë me djajtë, herë në lutje me engjëjt, herë në mallkim me dhembjen e herë në dashuri me të. Këtë e përforcon edhe fakti
se në këto tregime duket qartazi spontaniteti ndjenjor, një atribut ky që i përket surrealizmit.
Tregimtari Sylaj është shumë i shkathët në shkrimin e tregimit poetik. Gjuha poetike e tregimeve të tij njëkohësisht është tepër elokuente dhe e ekonomizuar, sa nganjëherë duket se pëlcet nga ndrydhja e mesazheve dhe nënkuptimeve. Tregimtari Ragip Sylaj është një nder të rrallët shkrimtar që gdhendjen e gjuhës e ka obsesion, po aq sa zbërthimin e psikikës njerëzore. Madje Sylaj nganjëherë sikur e ka për qëllim të hartojë edhe trajtesë psiko-terapeutike në formën e tregimit, që shquhet në këtë dimension si pararendës i shkrimit të këtij lloj tregimi në letërsinë tonë. Nuk është e tepërt të potencohet se tashmë librat tregimtar të Ragip Sylajt e kanë vulën e vet të dallueshmërisë, veçantisë dhe elanit prozaik.

No comments: