Wednesday, March 30, 2011

Atdheu është pikënisja e vetes



Nga: Mustafa Nano

Studiuesi dhe eseisti Ardian Vehbiu shprehet se ngjarja më e madhe në historinë e viteve të fundit, është rënia e kullave binjake. Sipas tij atdheu është pikënisja e vetes, të përfytyruar si bimë


1-Cila është ngjarje më e madhe në histori: rënia e perdes së hekurt, apo rrëzimi i kullave binjake?
Rrëzimi i kullave binjake. Perdja e hekurt ra si domosdoshmëri historike; 11 shtatori ishte një ngjarje e rastësishme, që polli botën e shëmtuar ku jetojmë sot. Pavarësisht se kush e organizoi dhe kush e ekzekutoi, duket qartë se prej saj përfituan para së gjithash qarqet militariste, industritë dhe korporatat e armatimeve dhe të ushtrive private, burokracitë baroke të agjencive të survejimit dhe të kontrollit; në një kohë që, të paktën në Perëndim, u zbythën të drejtat dhe liritë e qytetarit. Më anë tjetër, lufta në Irak, e cila sipas disa përllogaritjeve ka shkaktuar deri 100 000 viktima civile, u motivua nga trauma e 11 shtatorit dhe u bazua në një gënjeshtër. Kujtoj këtu se për rrezikun që vjen nga fuqizimi i kompleksit ushtarak-industrial, publikun amerikan e paralajmëruar, qysh në vitin 1961, presidenti Dwight D. Eisenhower, në fjalën e vet të lamtumirës. Por publiku e ka kujtesën të shkurtër.

2-Zoti ekziston, mund të ekzistojë, duhet të ekzistojë apo nuk ekziston?
Edhe ekziston, edhe nuk ekziston. Ekziston ndoshta si tërësi e kushteve për çka vendosim ose limit i lirisë së vullnetit – dhe në këtë pikë nuk mund veçse ta identifikoj me trupin (duke përfshirë këtu edhe shqisat – kujtoj rolin që i atribuon vrojtuesit mekanika kuantike); por nuk ekziston si autoritet etik, edhe pse shumë prej nesh do ta dëshironin. Ndonjëherë mendoj edhe se ka disa nivele të hyjnisë: më një anë trupi; më anë tjetër, diçka sipërore ndaj universit ku jetojmë. Disa filozofë kanë argumentuar, së fundi, se ka një probabilitet rreth 20-30% që bota jonë të jetë simulim kompjuterik; në këtë rast, edhe ata që kanë programuar simulimin mund të konsiderohen si perëndi. Ndoshta dikur do të mund të provojmë të komunikojmë me këto qenie; sot për sot, përgjigjen duhet ta kërkojmë në studimet për strukturën e universit.

3-Gjuha shqipe ju duket e pasur, e varfër, apo si të tjerat?
Është ende e varfër, por nuk ka asgjë në natyrën dhe në historinë e saj që t’ia diktojë këtë cilësi aksidentale. Varfëria e shqipes ka të bëjë vetëm me lëvrimin e saj të pakët në nivelin libror. Në vend që të bëjmë thirrje për pasurim utopik duke mbledhur gjithfarë fjalësh në skutat e gjeografisë shqiptare, le të përpiqemi, bashkërisht, për të shëndoshur shkollën, librin, leximin dhe kulturën e të shprehurit. Pasurimi i gjuhës nuk mund të bëhet drejtpërdrejt duke shtuar fjalë në fjalorët, do të vijë gjithnjë si efekt anësor.

4-Njerëzit janë esencialisht të mirë, apo janë esencialisht të këqij?
Esencialisht të mirë. E keqja është gjithnjë efekt i një mungese në esencë, i një zbrazëtie, i një urie të sublimuar. Nuk dua të tingëlloj doemos marksist, por të keqen njerëzve ua sjellin marrëdhëniet e shtrembra ekonomike-shoqërore.

5-Harmonia ndërfetare në Shqipëri është një legjendë apo një realitet i bukur?
Është më tepër mit i lodhur; portret i vizatuar sipër fotos të së njëjtit subjekt. Sot vërehet ndonjëherë një përçmim më tepër koniunktural i të krishterëve ndaj myslimanëve dhe, paralelisht, një tërheqje e myslimanëve si komunitet nga jeta publike; ndërkohë që përplasje të tjera madhore në kulturë madje edhe në politikë i kanë rrënjët në konfliktin shekullor mes katolicizmit dhe ortodoksisë.

6-Shihni ndonjë unitet të qartë kulturor midis Shqipërisë e Kosovës?
Mes shqiptarëve të Shqipërisë dhe shqiptarëve të Kosovës ka ngjashmëri të mëdha nga poshtë ose në popull; dallime të shumta nga lart, ose mes elitave, të cilat shpesh nuk kuptohen dot mes tyre, përveçse në rrafshin e retorikës së zbrazët kombëtariste.

7-Cili është njeriu më i rëndësishëm, numrin e të cilit e keni në phonebook?
E dashura ime, vajza, nëna, motra. Të gjitha të rëndësishme, në mënyrën e tyre. Por shumë më tepër se kaq. Kur vij në Tiranë, nga ana tjetër, rubrika e kontakteve më mbushet me numra – por kjo zgjat vetëm pak. Më kujton disi pranverën në viset arktike: disa bimë atje kanë shumë pak kohë në dispozicion, për të çelur lule, lidhur fruta dhe shpërndarë farët në erë.

8-Mendoni se në botën e sotme demokratike (mund të) bëhen vrasje për arsye shtetërore?
Bëhen të tilla rregullisht dhe mbeten po aq rregullisht të pandëshkuara. Vrasje të tilla zakonisht organizohen dhe ekzekutohen mirë, prandaj për to nuk dëgjojmë asgjë në lajmet; për viktimën thuhet “vdiq nga një infarkt i papritur”, etj.

9-Fan Noli udhëhoqi një grusht shteti apo një revolucion demokratik në vitin 1924?
Grusht shteti, ose më mirë një puç. Shtetin shqiptar të atëhershëm s’ishte nevoja ta qëlloje me grusht. Por Noli nuk ishte burrë shteti dhe e provoi këtë brenda një kohe të shkurtër.

10-Ajo që komunistët e kanë quajtur “Lufta Nacionalçlirimtare”, ka qenë sipas jush edhe luftë civile?
Patjetër ka qenë edhe luftë civile ndërkrahinore, por gjithnjë nën flamurin e antifashizmit. E theksoj, ndërkrahinore – politika në Shqipërinë e asaj kohe kishte rrënjë të thella në gjeografi.

11-Nëse do t’ju kërkonin të veçonit ndonjë arritje të diktaturës komuniste pesëdhjetëvjeçare, çfarë do të thoshit?
Arsimi (alfabetizimi), shëndetësia kapilare dhe profilaktike, elektrifikimi i vendit, industria energjitike, masivizimi i sportit, konsolidimi i njësisë shqiptare përtej dasive krahinore dhe katundarive të shumta. Çuditërisht, këto arritje janë pikërisht edhe ato që u shkallmuan të parat, pas 1990-ës, në një kohë që mendësia totalitare ka mbijetuar, së bashku me autoritarizmin, paranojën dhe përçmimin ndaj kompromiseve.

12-Sikur të kishit jetuar në vitet e Luftës së Dytë Botërore, do të rreshtoheshit me partizanët, me Ballin Kombëtar apo do të qëndronit asnjanës?
Me Frontin, besoj. Të rreshtoheshe me Frontin ishte një gjest me valencë, si të thuash, globale. Megjithë qëllimet e mira që mund të kenë pasur, ata shqiptarë që bashkëpunuan me italianët më parë dhe me gjermanët më pas u treguan së paku dritëshkurtër. Megjithatë, po të kisha ditur çfarë di tani – për ndikimin e jugosllavëve të Titos në PKSh, krimet e Stalinit, etj., mund të isha afruar me social-demokratët. Gjithsesi, nuk do të qëndroja asnjanës.

13-Largimi i Ahmet Zogut nga Shqipëria në prill të vitit 1939 është një gjest i qortueshëm apo i kuptueshëm?
Gjest i kuptueshëm. Ahmet Zogu nuk kish ç’të bënte në Shqipërinë e pushtuar prej italianëve. Ndoshta, kur iku, shpresonte të organizonte njëfarë rezistence, sado simbolike, për së largu.

14-Shqiptarët e fituan pavarësinë më 1912-ën, apo e patën dhuratë prej konjukturave ndërkombëtare?
E patën dhuratë, por ndërkohë u gjetën relativisht të përgatitur.

15-Do të ishit dakord të përkthehej në gjuhën shqipe “Mein Kampf” i Adolf Hitlerit?
Dakord nuk do të isha as do ta inicioja këtë ndërmarrje; por nuk besoj se do të më pyeste kush. Përndryshe, nuk do ta ndaloja; ai libër është dokument historik, u hyn në punë studiuesve.

16-Cili është njeriu më i rëndësishëm, me të cilin ju keni bërë një fotografi?
Im atë.

17-Me cilin personazh të historisë së Shqipërisë do kishit dashur të bënit një bisedë të gjatë e të shtruar?
Me Luigj Gurakuqin, sa i përket historisë së Shqipërisë si shtet i porsalindur. Me Pal Ejllin (Engjëllin), klerik katolik, bashkëpunëtor i Skënderbeut dhe autor i Formulës së Pagëzimit, sa i përket historisë së Arbërisë së asaj kohe dhe mistereve të mesjetës arbërore paraosmane.
18-Çfarë ishte në të vërtetë ajo që ndodhi në vitin 1997?
Ishte një revoltë popullore e vetvetishme, e nxitur nga zemërimi i investuesve të vegjël në skemat piramidale. Megjithatë, mori ato përmasa që dihen, për shkak të inkompetencës totale të klasës politike dhe kolapsit të institucioneve dhe rolit të agjenturave të huaja. Ma merr mendja se ka pasur agjentë të vendeve fqinje që kanë mbrojtur disertacionet, me çfarë kanë arritur të bëjnë në Shqipëri ato ditë.

19-Mendoni se do të ishit në gjendje të vrisnit një njeri në kushtet, kur ky njeri kërcënon jetën tuaj apo të të dashurve tuaj?
Po, do ta vrisja pa ngurim. Në ato momente njeriu mendon duke vepruar.

20-Ne shqiptarët jemi europianë me titull të plotë?
Unë e mendoj kështu: jemi një model, sado i papërsosur, sado i paefektshëm, sado i përafruar i Europës nesër; një Europë eksperimentale, por domethënëse dhe jo vetëm për ne. Tek e fundit, edhe këndej edhe andej flitet për një Europë ideale, që nuk ekziston kund përveçse në dëshirat (ose makthet) e njerëzve.

21-Në cilën ngjarje të madhe të historisë botërore do donit të kishit qënë protagonist?
Si protagonist, në revolucionin rus të vitit 1917. Ndoshta, po të kisha pasur gjë në dorë, mund ta kisha penguar Leninin të zbriste nga vagoni i blinduar, me të cilin e kishin dërguar gjermanët në Petrograd, në prill të vitit 1917; ndoshta mund edhe ta kisha kthyer mbrapsht, pako postale, në Finlandë dhe ashtu ia kisha kursyer rruzullimit edhe famëzezat “teza të prillit”. Si dëshmitar, ndoshta në festivalin e Woodstock-ut në gusht të vitit 1969, për ta përjetuar magjinë e viteve 1960; me një shoqe në krah, veshur me t-shirte të zbërdhylura, të ulur diku në bar me miq të tjerë, larg rrëmujës por afër ngjarjes.

22-Cili komb europian ju ndjell më shumë me historinë e me kulturën e vet?
Franca, pa dyshim. Kur isha i ri, ëndërroja të studioja atje. Më pas e kam kompensuar këtë disi, duke u marrë për shumë kohë me autorë francezë të fushës sime. Për fat të keq, shkëlqimin e Francës dhe të kulturës franceze gjithnjë e kam shijuar dhe admiruar nga larg.

23-Cili është libri që po lexoni?
Në këtë moment po rilexoj Apocalittici e integrati, të Umberto Ecos.

24-Ç’është Atdheu?
Pikënisje e vetes të përfytyruar si bimë.

25-Keni frikë nga vdekja?
Kam. Përpiqem që këtë frikë ta përdor për t’u motivuar. Shpresa që do ta lësh pas veten tënde të shpërndarë në të tjerë, si gene dhe si tekste dhe si rutina, mund të ngushëllojë.

No comments: