Wednesday, November 10, 2010

Reagime të lexuesve pas publikimit të historisë së këngëtares së njohur-Dosja “Hisku”, fantazma e Feçor Shehut në qelitë e vajzave të arrestuara


Misteri i dy ngjarjeve të bujshme, që tronditën Tiranën në fundin e viteve ‘70

Në morinë pafund të reagimeve pas zbardhjes së historisë së këngëtares së njohur në faqet e gazetës, kapërcehet precedenti “Hisku” dhe zbulohen dëshmi e fakte të tjera të abuzimeve seksuale me gratë dhe vajzat e dënuara në vitet e diktaturës. Lexues të moshave e profesioneve të ndryshme, duke shprehur revoltën për indiferencën institucionale ndaj këtij krimi të shëmtuar, denoncojnë me forcë rastet kur autorët e tyre vazhdojnë të relaksohen në zyrat e shtetit. Në mesazhet e shumta në adresë të gazetës përmenden emra konkretë të “skifterëve me kollaro”, ish-përdhunues të grave të pambrojtura, të transformuar tashmë ne zyrtarë antikomunist. Çuditërisht, një pjesë e madhe e lexuesve stigmatizojnë si simbolin e shëmtisë të abuzimit seksual me vajzat dhe gratë e arrestuara, njërën nga figurat emblematike të Sigurimit të Shtetit. Sipas tyre, me emrin e Feçor Shehut, zyrtarit të policisë sekrete me karierën më të vrullshme në sistemin e shërbimit, janë të lidhura mjaft krime të tilla. Në dëshmitë e shumta që venë gishtin te ish-ministri i Brendshëm, sillen në vëmendjen e opinionit dy nga ngjarjet e bujshme që tronditën Tiranën e fundviteve ‘70: Vrasja misterioze e portierit simpatik të “Shkëndisë” në çastet intime me të dashurën, në një bunker afër institutit “Vojo Kushi” dhe arrestimi i papritur i bufetierit të njohur Qemal Avdia te Shkolla e Kuqe. Po çfarë denoncojnë tjetër lexuesit nëpërmjet gazetës. Më poshtë kemi zgjedhur vetëm një pjesë të tyre...



Angjelina Goça: Respekte për Alidën si këngëtare, duhet të përmendë emra dhe të bëjë denoncime konkrete. Nëse bëhet fjalë për ndonjë lidhje të Feçorr Shehut a ndonjë tjetri që kishte marrë detyrë të diskreditonte Sigurimin e Shtetit, kjo është e dënueshme si nga ligjet e sotme, ashtu edhe nga ato të asaj kohe. Mua më ka rënë rasti të njihem me rregulloret, urdhrat e udhëzimet e asaj periudhe për Sigurimin e Hetuesinë dhe kam parë që veprime të tilla dënoheshin rreptësisht si nga ana moralo-politike, ashtu edhe nga ajo ligjore. Sipas atyre rregullave një femër në qeli nuk mund të takohej nga një person i vetëm në asnjë rrethanë, përveçse nga dy persona. Po të jetë e vërtetë, atëherë është bërë një krim i shëmtuar në grup nga ata punonjës, të cilët nuk duhet t’i shpëtojnë dënimit edhe sot.
Kujtim S: Na befasoi kjo historia e Alida Hiskut. Në atë periudhë unë kam qenë në Institutin “Vojo Kushi”. Një shoku yni, portier i ekipit të futbollit “Shkëndia”, Arjan Hoxha, në rrethana pak a shumë si të Alidës, mbeti viktimë e marrëzisë së F.Shehut, pikërisht pse dashuronte vajzën që kapua i Sigurimit i kishte hedhur sytë. Një buzëmbrëmje u vra tinëzisht në afërsi të shkollës. Në terrorin e asaj kohe, të gjithë pohonin autorin e vërtetë të vrasjes, por askush nuk guxonte t’i vinte gishtin, sepse dihej se çfarë tmerri e priste.
Bona: Më ka shokuar historia e Alidës. Më ka lenë pa fjalë. Është shumë e tmerrshme të mendosh që ekzistojnë njerëz të tillë. Ja nga kush është qeverisur për 50 vjet Shqipëria!
Shkëlqim: Mjafton ky tregim i shkurtër për të kuptuar thelbin çnjerëzor dhe çmendurinë e asaj diktature barbare.
Skënder: Sa herë dëgjojmë histori të kësaj natyre, na vete mendja me të drejtë të Feçor Shehu. Unë jam dëshmitar i një ngjarje të bujshme në fund të viteve ‘70. Krejt papritur, një ditë u mor vesh se arrestuan Qemal Avdinë, i cili ishte një nga bufetierët popullor të Tiranës së asaj kohe, që shërbente prej vitesh në një lokal të thjeshtë afër Shkollës së Kuqe, në rrugën Qemal Stafa. Sipas zyrtarëve, e arrestuan për propagandë e agjitacion, por në fakt ishte diçka tjetër. Njohja dhe lidhja e bufetierit me një femer të bukur, i prishte punë funksionarit të lartë të Sigurimit, i cili duke e futur në birucë Qemalin e gjorë, me dëshmitë e rreme të tre berberëve spiunë, mendonte se do t’i kishte duart e lira. Në atë periudhë kjo ngjarje përflitej kudo në Tiranë. Por edhe pse kanë kaluar kaq vite, askush nuk e ka marrë mundimin për ta zbardhur deri në fund. Qemal Avdia ndërroi jetë para dy vjetësh, por mori me vete dhe këtë brengë. Prandaj e inkurajoj Alidën ta çojë denoncimin deri në fund.
Vera(Boston USA): E kujtoj me shumë nostalgji kohën kur Alida këndonte. Dhe më vjen shumë keq që në momentin më të mirë të karrierës së saj, pësoi një dramë të tmerrshme.
Lindita Musaku: Të gjithë më thoshin se i ngjaja këngëtares Alida Hisku, në kohën kur ajo këndonte. Ndihesha aq krenare, por dhe aq e prekur kur i ndodhi kjo fatkeqësi. Në njëfarë mënyre u persekutova edhe unë, sepse të gjithë e mbyllën gojën dhe nuk vazhdonin të deklaronin ngjashmërinë. Alidën e kujtoj me mall dhe me një respekt të veçantë. Nuk di pse nuk m’u hoq asnjëherë nga mendja fytyra dhe zëri i saj. Sot e nderojmë të gjithë Alidën, por asnjëherë nuk do ta kuptojmë dhimbjen dhe pasionin e saj për muzikën. Unë isha e vogël atëherë dhe mbresa që kisha për të ishte e veçantë. Uroj të ndryshojnë për mirë ditët që po vijnë.
Hooker: Historia personale e Alida Hiskut është emblematikë e kohës së E. Hoxhës, kur ekzistenca private shtypej e asgjësohej në emër të interesave të ngushta të kastës, për të mbajtur në këmbë “aposteriori” analizën delirante të ashtuquajtur ‘tabllo sinoptike’, ku stigmatizohej M. Shehu si poliagjent e komplotist – delir, që vazhdon të ushqehet me pandershmëri edhe sot me shkrime e libra të Nexhmie Hoxhës & Ço.
Liljana Shaho: Alida është jo vetëm një këngëtare e madhe që kujtohet me respekt nga të gjithë që e kanë njohur, por dhe një njeri me zemër të artë. Ajo nuk i ka merituar ato vuajtje. Le t’ju verbojë sytë spiunëve drita verbuese që lëshon ky yll tani
Dashamiri: Kjo është një histori tronditëse, që e dëgjoj për herë të parë. E kam ndjekur këngëtaren Hisku në ditët më të mira të saj dhe çuditem sesi përfundoi në këtë mënyrë. I uroj gjithë të mirat në pjesën e jetës që i ka mbetur. Të vazhdojë të këndojë, sepse kënga do ta bëjë që ta harrojë të kaluarën.
Cen Durimi: Artikulli do të kishte qenë i plotë me emrat e dy “shoqeve”, labes dhe mirditores të cilat e denoncuar fshehtaz, jo për ndonjë gjë, por mendoj se e keqja duhet të tregohet me gisht. Ka shumë mundësi që ato të dyja të kenë bërë karrierë dhe sot banojnë jo shumë larg “Bllokut” të ri.
Andrea: Edhe unë denoncoj dy kriminelë të Sigurimit që tmerruan Devollin e Sipërm, Frederik Ymerin dhe hetues Petrit Lila
Gëzim Kodra: Historia e Alida Hiskut është një histori e tmerrshme si në ato filmat “KILLER”, por duhet të kuptojmë që nuk është edhe e vetme si histori. Gjatë asaj periudhe janë bërë dhe gjëra më të tmerrshme. Mund t’ju duken si legjenda, por që në të vërtetë janë shumë ngjethëse. Duke lexuar opinionet e bëra nga lexuesit e gazetës, që në të vërtet e vlerësojnë si tmerr historinë e Alidës, dua t’ju them se nuk është dhe shumë e lehtë të përmendësh emra, se “bishat” e asaj kohe vazhdojnë të kenë rrënjë të thella në jetën tonë. Fatkeqësisht dhe tmerri vazhdon të jetojë me këta njerëz.
Vitore Stefa: E besoj fund e krye atë që ka treguar Alida për gazetën “Panorama”. Bile unë që jam motra e saj në kuptimin e vërtetë të fjalës, them se aty është vetëm një pjesë, ose më saktë kyçi i mekanizmit të persekutimit. Nga goja e Alidës, por edhe nga mjaft të tjerë që kanë qënë afër kësaj ngjarje tronditëse, kam dëgjuar shumë gjëra të llahtarshme që ka përjetuar Lida jonë. Lexuesit e tronditur nga ajo që ka rrëfeyer për ditët e qelive, nuk dinë e nuk kanë si të dinë çfarë ka vuajtur kjo vajzë e traumatizuar në qelitë e bardha të psikiatrisë. Oh nëna ime! Plagët e Alidës janë të shumta, por fakti si u rinorit është një shmëbull i shkëlqyer i vullnetit dhe forcës së saj shpirtërore. Duke ndjekur këto ditë opinionet e diasporës për historinë e saj, më ka tërhequr vënëdjen përmendja e emrit të Feçor Shehut, këtij përbindëshi seksual që ka marrë në qafë me dhjetra e qindra njerëz të pafajshëm. Me sa di une kur është gjykuar në vitin 83 i kanë dalë me dhjetra dëshmi që e penalizonin për vesin bastard. Njëra ndër to ka qënë ajo e tropojanes Rukie Rama e cila mundi ta sfidojë maskarallëkun e këtij hamshori-mostër me certifikatën e virgjërisë. Kur u pushkatua, publikisht nuk ju përmend ky ves i ndyrë, pasi lolot e diktatorit kishin frikë se përbuzja për këto amoralitete i afrohej Bllokut. E blloku, siç dihet notonte në të tilla shëmti seksuale...
Atdhetar: Unë mendoj se emri i hetuesit ishte Enver Hoxha. Pa dyshim ky ishte emri më i urryer i një hetuesi mostër.
Dadushi: Me asgjë nuk të paguhet ajo çfarë ka përjetuar Alida Hisku dhe shumica e popullit shqiptar, por do ti lutesha zonjës së nderuar ti demaskojë ata horra, ata përbindësha që nuk gjej fjalët për ti përshkruar. Qeveritë e trazicionit nuk e logjikojnë sa ka hequr ky popull. Zyrtarët e tyre shikojnë xhepat, dhe me siguri ndonjëri prej tyre ka qënë presekutor i birucave dhe tani është në karrigen e pushtetit. Vuajtjet i hoqi populli i shkretë. Qeveritarët dhe bijtë e tyre nuk kanë përjetuar gjëra të tilla. Ndoshta kur ta lexojnë këtë artikull mund dhe mos ta besojnë. A do ju vijë dita ndonjëherë këtyre mostrave t’i dënojmë në sy të popullit?
Esera: Atij sistemi mos i mbiftë kurrë fara!!! Çburrëruan burrat, përdhunuan gratë, ngrinë përrenjtë, shteruan lumenjtë, bastarduan njerëzit e ndershëm me ca këlyshë operativë që i jepnin popullit tmerr. Kam qenë e vogël, por mbaj mend një farë operativi në zonën e Devollit me emrin Refat. Mbiemri nuk me kujtohet. Dhe një tjetër me emrin Demush, që e futën Devollin në vëllavrasje. Zoti marrtë hak!! Përshëndetje USA
Toni: Shumë e dhimbshme, por në të njëjtën kohë shumë normale për ata që e mbajtën gjallë atë sistem dhe ndërkohë vazhdojnë të përdhosin sistemin demokratik. Natyrisht, nëse zonja Alida do na jepte emrin apo emrat mirë do të ishte, por shpesh ka ndodhur që këto çështje i merr në dorë X apo Y prokuror, i cili ka të njëjtën të kaluar me atë që i shkatërroi asaj rininë dhe jetën . Alida bën apel të hapen dosjet. Kjo do ndihmonte sadopak qetësimin e shpirtrave të qindra e qindra vajzave të keqtrajtuara.
Dhurata: E dashur Alida! Historia jote rrëngjethëse është në një farë mënyre histori e të gjithë femrave të asaj kohe, që ishin ndryshe nga turma. Le të hapet një faqe tjetër, ku të denoncohen me emra Korbat e Komunizmit, të cilët personalisht mendoj se ishin individë të deformuar, që ai sistem i inkurajonte...
Xhimi: E besoj me shpirt atë që thotë Alida Hisku. Unë di një rast, që bëri jo pak bujë në atë kohë. Një burrë fisnik që kishte gruan e bukur, operativi i zonës e futi në burg për ti shtënë në dore të shoqen, me pretendimin e agjitacion-propagandës. Jam dakord, që Alida duhet t’i drejtohet organizmave që mbrojnë të drejtat e njerëzve ose të grave...
Beni: Kjo që thotë kjo zonjë pas më shumë se 25 vjetësh është vërtetë një tmerr, por duhet tu thotë emrat atyre, që i quan bisha. Nga kush ka frikë? Një femër që guxon të tregojë tmerrin, nuk mund t’i mungojë guximi të tregojë emrin e tmerruesve.
Petro L: Zëri i mrekullueshëm i Alida Hiskut më kumbon ende në shpirt. Ajo me këtë denoncim publik rrëqethës që u bën horrlliqeve të diktaturës së Enver Hoxhës dhe këlyshëve të tij, jep prova të pakundërshtueshme ndaj kriminelëve e krimit shtetëror dhe një shembull të shkëlqyer të kurajos dhe dinjitetit njerëzor. Ajo i shtron një detyrë imperative presidentit, institucioneve të drejtësisë dhe mbarë opinionit intelektual e popullor, që të demaskojnë me emra e fakte kriminelët e poshtër, të cilët nuk ndaleshin së përdhunuari edhe ajkën e kulturës shqiptare për të kënaqur epshet e tyre.
Enver Malko: Më vjen shumë keq për zonjën Alida Hisku. E di çdo të thotë.E mjera, ka qenë dhe femër. Edhe unë kame rënë viktimë e abuzimeve me drogëra e ilaçe në qelitë e sigurimit. Një nga hetuesit përbindësh që më ka torturuar ishte BILBIL METE. Ky kriminel i njohur si i tillë në Peshkopi, ka fshehur edhe trupat e shokëve të mi SOKOL HADO dhe FREDERIK HARUNI që në vitin 90 donin të kalonin kufirin e u vranë nga hienat e policisë. Unë për fat mbijetova...
Diana: Shumë nga historitë që tregon Alida Hisku i kam dëgjuar nga babai im, i cili ka vuajtur 18 vjet në burgjet komuniste. Në ato burgje janë bërë torturat çnjerëzore, të tilla sa njerëzit nuk mund t’i imagjinojnë. Më vjen keq se ata njerëz që i persekutuan ende kanë poste zyrtar. Respekte për Alidën, kam qenë fansja e saj.
Albert: Desha ti kujtoj zonjës Hisku domosdoshmërinë e padisë penale kundrejt personave që e kanë keqtrajtuar. Një veprim i organizuar do të lehtësonte procedurën. Kjo mund të realizohet me organizimin e një shoqate me gratë (ose me disa nga këto) që kanë kaluar të njëjtën gjendje, duke krijuar një padi kolektive tek Presidenca dhe Kuvendi, duke kërkuar personin, pse jo edhe një seancë të posaçme të Kuvendit për këtë veprime barbare kundrejt gruas, duke u munduar të angazhoni edhe organizma ndërkombëtare. Me lejoni t’ju them që një angazhim i tillë do të ishte shumë i dobishëm, përveç vendosjes së drejtësisë edhe për situatën tuaj personale shëndetësore.
Roland: Alida Hisku e ndonjë tjetër që e ka pësuar nga këta mostra, duhej të nxjerrin emrat e atyre që i kanë keqtrajtuar e përdhunuar, e t’i hedhin në gjyq edhe pas kaq vjetësh. Dhe të denoncohen e dënohen njëlloj siç dënohen sot ca priftërinj katolikë në Amerikë, Gjermani, etj. për abuzime seksuale me fëmijë edhe pas shumë vitesh. Një nga krye plehrat që abuzonte seksualisht me gratë e arrestuara ishte edhe vet ministri i Brendshëm, Feçorr Shehu me këlyshët e tij.
Edmond: Këto që thotë kjo grua janë një tmerr. Mendoj se nuk është vonë që këta njerëz, të cilët besoj se janë gjallë, të ndëshkohen me rreptësinë më të madhe të ligjit duke i kaluar vitet e fundit të jetës së tyre, në vendin ku kanë torturuar dhe përdhunuar viktimat e tyre. Vetëm kjo mënyrë do të qetësojë sadopak shpirtrat e tyre dhe do të verë në vend një pjesë të drejtësisë.


Kur binte fjala për Feçor Shehun në burgun e grave

“Emri i Feçor Shehut ishte tmerri i grave të dënuara”. Teksa mbështet denoncimin e këngëtares së njohur për dramën e shkaktuar nga policia sekrete, Rukie Rama, njëra nga ish të dënuarat politike, sjell të tjera dëshmi tronditëse nga ferri i burgjeve të komunizmit. Sa herë binte fjala për Feçor Shehun në burgun e grave, pohon tropojanija që jeton në Bruksel, bashkëvuajtëset sillnin me dhjetëra raste të abuzimeve seksuale në birucat e Sigurimit. Sipas tyre, funksionari i lartë i policisë sekrete ishte dalluar për këtë ves çnjerëzor gjatë tërë karierës së tij, fillimisht në Shkodër e Korçë, ku drejtonte degët e punëve të brendshme dhe më vonë në Tiranë, ku mbërriti në majën e shërbimit të fshehtë. Rama shton se me emrin e Feçorr Shehut janë të lidhura shumë ngjarje misterioze të vajzave e grave të bukura. Sakaq, ish e dënuara kujton se e gjithë alibia e akuzave në adresë të saj, ka pasur për strumbullar ish ministrin manjak, i cili edhe kur u dënua nga regjimi, asnjëherë nuk u zbardh për publikun ky dimension shtazarak i karakterit të tij barbar.

No comments: