Tuesday, November 9, 2010

Alibia e babait, më mohoi atësinë

“Prangat janë të rënda për këto. Ca më tepër për duart e brishta të një vajze 23 vjeçe. Sidoqoftë, e keqja nuk përfundonte këtu. Kryqëzata përfshinte krejt familjen e fisin”. Nga kujtimet rreth pasojave të dramës së vitit ‘83, Alida Hisku veçon momentin kur babai u detyrua ta mohojë si bijën e tij. “Për t’i shpëtuar katastrofës dhe njëherazi për t’u kujdesur për mua si paciente e psikiatrisë, im atë “de juro” më bëri hasha, si i thoshin asokohe, por “de fakto” mbeti njeriu më i dashur në ato ditë tmerrësisht të vështira”. Më tej, artistja e njohur e viteve ‘70-80 rrëfen mbresat nga ditët kur kurohej për depresion nervor dhe andrallat pa fund në kërkim të lirisë.


Kryqëzimi i tim eti
Fill pas izolimit tim për veprimtari armiqësore, filluan të mbajnë në mbikëqyrje babain. Një ditë e thirrën zyrtarisht në Komitet dhe i shtruan dilemën e tmerrshme: Ose dorëzo dokumentin e partisë ose moho Alidën!. I gjendur përballë një situate të tillë, im atë me zgjuarsi zgjodhi alternativën e dytë, për të shpëtuar pjesën tjetër të familjes e të fisit. Për raste të kësaj natyre, në atë kohë, sidomos kur ishte fjala për penalizime politike, të stërgjynosnin në internim me kuç e me maç, në një fshat të skajshëm. Për t’i shpëtuar katastrofës, por për t’u kujdesur edhe për mua që kisha përfunduar në sallonet e psikiatrisë, babai kamufloi qëndrimin dhe “de juro” më bëri hasha, si i thoshin rëndom në atë kohë. Në fakt, kjo sjellje imponuese ishte sa për sy e faqe, pasi ai nuk rreshti të më gjendej pranë në momentet më të rënda të jetës. Më shumë se prind i dashur, im atë për mua ishte një shok i afërt. Ai më kuptonte më mirë nga kushdo, aq sa merreshim vesh edhe pa komunikuar. Sidoqoftë, tek ai kjo ngjarje dramatike nuk mund të kalonte pa lënë gjurmë. U thinj e u plak para kohe im atë.
Drama pa fund
Thirrja e papritur në polici pasoi me një dramë të tmerrshme. Nga seancat e hetimeve në qelitë e Brakës, kam fiksuar vetëm përballjet e fillimit. Kur jam kthjelluar, e kam parë veten mes bluzave të bardha. Edhe sot e kësaj dite nuk e di si kam përfunduar aty. Mbaj mend që njëra nga kujdestaret e turnit, më tregoi kur e pyeta se ndodhesha në spitalin pesë. Pra, në çmendinë, siç i thoshim rëndom. Kush më kishte çuar dhe në çfarë rrethanash isha gjendur në ato “qeli” të bardha, nuk ma shpjegoi kush. Aty kam bërë me qindra gjilpëra. Ndër të parët që më vizitoi ishte babai. Në të gjitha rastet vinte natën, si dikur ilegalët. Më përqafonte me lot në sy e shpesh më pyeste: Ç’ndodhi me ty bija ime? Çfarë ke bërë? Ç’ti thosha?! Mbyllja sytë e mundohesha të tregoja çfarë më kujtohej. E nisja nga Konispoli, risillja në kujtesë udhëtimin misterioz me xhipin e Sarandës, pastaj çastet befasuese në zyrën e Fize Bozhekut në Komitetin e Partisë numër tre dhe së fundi britmat në qelitë e Brakës. Më tej gjithçka më mjegullohej si në një ëndërr të frikshme. “Qetësohu, qetësohu, bija ime”, më thoshte im atë duke më hedhur dorën mbi supe. Te spitali pesë kalova ditë e muaj të tërë. Një tjetër çmendinë më priste jashtë dyerve të tij. Një kalvar i tërë vuajtjesh, izolimi, e braktisur nga të gjithë. Vite me radhë kështu, deri në ditën e lirisë...
E lirë në tokë
të huaj
Liria e vërtetë trokiti kur ra diktatura. Vrapova si të gjithë të kap kohën e humbur. Të iki, të iki sa më larg, vendosa në lirinë time dhe u nisa. Ishte fillimi i dhjetorit të 90-tës, kur bashkë me dy djemtë e mi 10 dhe 4 vjeç, mora rrugën e mërgimit. Hipur në një maune ngarkuar me salcë domateje, kaluam Qafë - Thanën dhe mbërritëm në Bullgari. Prej aty, pas shumë peripecish hymë në tokën gjermane, të ëndërruar prej kohësh. Po gëzimi nuk zgjati shumë. Pas mirëseardhjes, autoritetet na degdisën në kampet e refugjatëve, ku qëndruam tre vjet. Pastaj nisi beteja e ekzistencës. Vështirësitë ishin të shumta, sidomos për mua, një grua e vetme me dy fëmijë të vegjël. Duhej të përballesha që t’i përgjigjesha sfidës. Ndryshe nuk mund t’i bëja fëmijët e lumtur, që mos të jetonin vuajtjet e mia. Iu përvesha punës, pa kurrfarë pretendimi, deri sa realizova qëllimin. Tek kjo kodër e vogël ku sot gëzoj e jetoj, kam mbërritur me shumë sakrifica, me zvarritje e çarje thonjsh, me gjak nëpër duar e gjunjë, me netë të tëra pa gjumë etj. I besova vetvetes dhe përmbusha detyrimet kryesore për një jetesë normale për familjen. Në këtë stad modest, më në fund iu riktheva dhe hobit të dikurshëm, muzikës. Pas 20 vitesh desha të provoj nëse më kishte lënë muzika, apo e kisha lënë unë. Dhe ia dola, bile me sukses...


No comments: