Aida Tuci
Ka pasur zhurmë në shtyp rreth dorëshkrimit të
romanit “Dimri i vetmisë së madhe” qyshkur Ismail Kadare vendosi të
ngrinte një aktpadi ndaj Nexhmije
Hoxhës. Kaq u desh që të rikthehej edhe një herë vëmendja tek “Dosja
K”. Me këtë pretekst u rihapën edhe një herë dosjet, u gërmua në arkiva,
nisi gjithashtu një fushatë shkrimesh kundër e pro shkrimtarit, anipse
ai kërkonte të rimerrte atë që me të drejtë i takon vetëm autorit:
dorëshkrimin e romanit të tij. Saga 15-vjeçare e kërkesave për rikthimin
e atij dorëshkrimi u mbyll pak ditë më parë. Me
hir apo me pahir,
Nexhmije Hoxha e dorëzoi dorëshkrimin e romanit “Dimri i vetmisë së
madhe” në Arkivin e Shtetit. Për çdokënd kjo mund të quhet betejë e
fituar, ndërkohë që “lufta” për të rimarrë dorëshkrimin do të zhvillohet
në sallën e gjyqit. Por Ismail Kadare, thjesht ndjehet më i qetë tani
që dorëshkrimi është siguruar në Arkiv. Të qetë e në pritje sesi do të
procedojë gjyqi, e gjetëm shkrimtarin në vilën e tij në Malin e Robit.
Një nga qëllimet e këtij takimi ishte një intervistë me të. “Nuk e
kuptoj këtë ngut të shtypit”, – më thotë jo pa nerv Kadareja. Si e zënë
në faj i përgjigjem: “Presioni është shumë i madh zoti Kadare, interesi i
publikut gjithashtu”. “E kuptoj, – më thotë, – por prapë kjo nuk e
justifikon ngutjen që ka ndonjëherë shtypi shqiptar”. Është ora 18:30
dhe jemi ulur në ballkon. Çifti Kadare është ulur me fytyrë nga deti që
dukshëm dallon tutje kopshtit dhe një brezi me pisha. Helena si zonjë
shtëpie sjell një kafe për mua dhe pa e pyetur, një çaj të ngrohtë për
Kadarenë. Bisedojmë për gjithçka, e ndonjë moment biseda shkon edhe te
dorëshkrimi, ndërkohë që unë ende nuk e kam marrë guximin t’i them se
qëllimi i vizitës është edhe një intervistë, pikërisht për…dorëshkrimin.
Ai do të kishte dashur të mos bëhej gjithë kjo zhurmë, të paktën deri
në përfundimin e gjyqit. Por siç thotë dhe vetë,
nuk varej prej tij. Ismail Kadareja pranon, vetëm pas disa vajte-ardhjesh Tiranë-Durrës,
të
na japë intervistën e parë pas gjithë amullisë që rrethoi “javën e
dorëshkrimit”, ku rrëfen mundimin e 15 viteve për të rimarrë atë që i
takonte dhe për të shpjeguar arsyet se përse Nexhmija Hoxha vazhdon të
këmbëngulë deri në arrogancë për “pronësinë” e saj ndaj dorëshkrimit të
romanit “Dimri i vetmisë së madhe”.
Ka pasur zhurmë në shtyp rreth dorëshkrimit të romanit tuaj
“Dimri i vetmisë së madhe”… Ju nuk jeni prononcuar, me gjithë interesin e
madh…
Jam në dijeni të zhurmës. Do të doja të mos ndodhte, por kjo nuk
varej nga unë. Çështje të tilla shpesh krijojnë pakënaqësi në opinion.
Dihen reagimet: kemi probleme të tjera, nuk është koha, tërhiqet
vëmendja etj., etj. Në këtë rast është thënë, për shembull, pse kaq
vonë? Në të vërtetë, historia është e vjetër, mbi 15 vite.
Para pak kohe, Gjykata e Tiranës vendosi që, në pritje të
vendimit përfundimtar, të sekuestrojë dorëshkrimin, për ta depozituar në
një institucion të tretë, të pavarur, siç është Arkivi Qendror
Shtetëror. Si e pritët këtë vendim dhe ç’mendoni për reagimin e palës
tjetër?
Mendoj se ka qenë vendimi i duhur. Pikërisht kjo ka qenë edhe kërkesa
e parë e avokatëve të mi. Ky akt, në dukje i thjeshtë, përcakton
thelbin e çështjes: Nëpërmjet Zyrës së Përmbarimit, çka do të thotë
nëpërmjet forcës së ligjit, thënë ndryshe me hir ose me pahir, pala e
paditur detyrohet të dorëzojë dorëshkrimin. Reagimin e zonjës Hoxha e
kam marrë vesh prej shtypit. Më është dukur gjithsesi i çuditshëm. Duke
mos e pranuar këtë formë detyrimi, ajo deklaron gatishmërinë ta japë,
madje “ta dhurojë” ajo vetë dorëshkrimin. Në këtë rast, ajo shkon edhe
më tej, duke kujtuar se mund të vendosë kushte. Sipas saj, dorëshkrimi
duhet t’i dorëzohet Arkivit të Shtetit, por kurrsesi autorit, njeriut që
rresht pas rreshti e ka krijuar veprën.
Është interesante të vihet re ky refleks i vjetër i regjimit të
përmbysur ndaj shkrimtarëve, sidomos shkrimtarëve të njohur. Në rastin
për të cilin po flasim, shkrimtari jo vetëm ndahet nga vepra, por
gati-gati përftohet si armik i dorëshkrimit të vet! Një përftim i tillë
ka gjasë të ketë krijuar te zonja Hoxha iluzionin se ajo mund të bëhet
pronare e dorëshkrimit të një romani, që nuk e ka shkruar vetë. Një gjë e
paparë gjer më sot në këtë botë!
Përpara se t’i rikthehemi procesit gjyqësor: Sa i rëndësishëm është një dorëshkrim për shkrimtarin?
Një dorëshkrim (kam parasysh, një origjinal i shkruar nga dora e
autorit, siç e tregon fjala) është gjithmonë i rëndësishëm. Shkalla e
rëndësisë dhe e vlerës varet nga statusi që zë letërsia në jetën e një
kombi, dhe sidomos nga statusi i vetë shkrimtarit. Me hyrjen e teknikave
moderne të shkrimit, dorëshkrimet e mirëfillta sa vjen dhe rrallohen,
rrjedhimisht vlera e tyre rritet çdo vit.
Vlera e një dorëshkrimi është në radhë të parë, morale, sidomos për
autorin, por edhe studimore për të tjerët. Nga një dorëshkrim, përveç
tekstit, ekspertët mund të zhbirojnë gjendjen emotive të autorit në
çastet e shkrimit, trysnitë që veprojnë mbi të, pakënaqësitë, dyshimet
etj. Dhe kjo nuk është kaq e fshehtë sa ç’mund të duket. Nganjëherë
gjithçka del në sipërfaqe të tekstit. Po përpiqem ta shpjegoj, ndonëse
nuk është e lehtë: falë procesit të shkrimit, është e natyrshme që
shkrimtarët të ndryshojnë fjalë e fraza të tëra, për t’i zëvendësuar aty
për aty me të tjera. Mbi tekstin e prishur vihet zakonisht një vizë dhe
puna vazhdon. Janë pikërisht këto fjalë ose fraza të shuara, që shpesh
mund të jenë një minierë për studiuesit. Në to mund të jetë fshehur
kujdesi i shkrimtarit që diçka të mos dalë hapur në dritë, që të
formulohet ndryshe, më butë ose më ashpër, që të jetë më e qartë ose
qëllimisht më e errët.
Kjo ndodh sidomos në vepra delikate, siç ka qenë “Dimri i vetmisë së
madhe”. Në një tekst rreth 1400 faqe, janë qindra fraza të shuara, pra
një vepër e tërë e ndryrë brenda veprës. Për të qenë i qartë, dua të
shtoj se zakonisht procesi ka shtysë artistike. Në raste të veçanta,
riformulimi është bërë për shmangie keqkuptimesh, dhe rrallë, tepër
rrallë për të maskuar fraza subversive. Nuk e kam pasur zakon një gjë të
tillë. Vetë niveli serioz artistik, shpesh tingëllon si subversiv.
A ka ndonjë moment artistik apo historik që e bën posaçërisht të vlefshëm këtë dorëshkrim? Ndonjë shembull konkret…
Shembujt janë të shumtë. Po sjell vetëm njërin, të kapur rastësisht
gjatë shfletimit të fotokopjes. Ndodhet në pjesën e dytë të romanit,
faqe 172 (botimi i parë). Teksti është tejet delikat, ngaqë jepet një
portret i shefit të komunistëve shqiptarë, Hoxhës, sipas perceptimit të
shefit sovjetik, Hrushovit. Pra, një vizion aspak miqësor, përkundrazi.
Ja teksti në librin e botuar. “Tani folësi do të përmendë tridhjetë
asprat e Judës, mendoi Hrushovi. Kryqi, toka e Judesë, Golgothaja… po
gjallëroheshin prapë në trurin e tij. Ai vështroi me bisht të syrit
shqiptarët. Enver Hoxha ishte mbështetur te shpina e karriges. Pas
gjithë këtij rrebeshi ai do të gjunjëzohet, mendoi Hrushovi. Nuk i
kujtohej mirë përfundimi i Judës në Bibël. Ndoshta do të më duhet të
tregoj mëshirë për të, mendoi përsëri.”
Siç e shihni, teksti nuk është aspak në stilin socialist. Krahasimi
me Judën, qoftë edhe në një vizion armiqësor, tingëllonte i pazakonshëm
për lexuesin. E aq më tepër profecia e gjunjëzimit të Hoxhës. Për çudi,
teksti ka kaluar. Kurse në dorëshkrimin origjinal ka një ndryshim. Ai
ndodhet te fraza më delikate: “Pas këtij rrebeshi ai do të gjunjëzohet”.
Në versionin fillestar fraza është edhe më befasuese: “Pas këtij
rrebeshi ai mund të vrasë veten”. Janë shuar, pra, tri fjalët e fundit,
që, me sa duket, do të më jenë dukur si një pakujdesi e tepruar, dhe
janë zëvendësuar nga “ai do të gjunjëzohet”.
Fraza ose paragrafë të ndryshuar janë me qindra, por dëshiroj të ritheksoj shtysën artistike për shumicën e tyre.
A nuk i sjell edhe fotokopja që zonja Hoxha thatë se ka dorëzuar një vit më parë në Arkiv?
Natyrisht që fotokopjimi i pasqyron ndryshimet. Por përshtypja ime
është se fotokopjimi ka pakujdesi. Fakti që në dosjen e dorëzuar ka me
dhjetëra faqe të daktilografuara që s’kanë asnjë lidhje me dorëshkrimin
fillestar, por me ribotimet e mëvonshme, ma ka krijuar këtë përshtypje.
Cili është raporti në tërësi i një shkrimtari, sidomos në
komunizëm, me dorëshkrimet, sepse dihen tashmë frika, kontrollet,
censura etj. Dimë fatin e dorëshkrimeve tuaja të sekuestruara pas ikjes
suaj, por edhe të dorëshkrimeve të kaluara nëpërmjet botuesit tuaj
francez, me emra të rremë (shkrimtari gjerman Lenz)…
Natyrisht ka një lidhje tepër të veçantë, disa herë dramatike,
sidomos në regjime të ashpra. Dihen rastet e dorëshkrimeve të
shkrimtarëve të burgosur. Ankthi për t’i fshehur, për t’i nxjerrë jashtë
burgut.
Në regjimet totalitare, dorëshkrimet kanë qenë shpesh burim
fatkeqësish. Është një kronikë e gjatë: bastisje, akuza, spiunime. Por
edhe kur nuk ka pasur të tilla, në një jetë, ta zëmë, më të qetë,
dorëshkrimet, sidomos ato të pabotuarat, rrezatonin vetvetiu një hije
dyshimi në sytë e autoriteteve. E bashkë me dyshimin ishte padurimi për
të marrë vesh çfarë ishte shkruar.
Besoj se hyj në radhët e shkrimtarëve që, pa pasur një histori
idilike me dorëshkrimet, nuk mund të them se ajo ka qenë dramatike, si
rastet që fola më lart. Incidenti më i rëndë ka qenë bastisja e vitit
1990 dhe sekuestrimi i plotë i gjithçkaje. Për fat të mirë, pas dy vjet
varavingosh, nga Ministria e Brendshme në hetuesi, së fundi në Arkiv të
Shtetit, dorëshkrimet, me sa duket, nuk janë dëmtuar.
Nuk jam ndonjë maniak dorëshkrimesh, por as model i shpërfilljes ndaj
tyre. Më kanë humbur disa pak dorëshkrime, për të cilat nuk kam
fajësuar askënd. Lidhur me dorëshkrimin e “Përbindëshit”, që e ka
përmendur shtypi, ia kam dhënë unë vetë, për ruajtje, mikut tim të
hershëm, Gjergj Vlashit, të cilin përfitoj nga ky rast për ta
falënderuar publikisht.
Pyetja e parë që duhej bërë është, pse Nexhmije Hoxha kërkonte ta mbante dorëshkrimin?
Po përpiqem të përgjigjem shkurt dhe saktë. Së pari, historia e
kërkimit të dorëshkrimit është e vjetër dhe shtypi diçka ka sqaruar për
këtë. Historia nis me një kërkesë të zonjës Hoxha për ruajtjen
provizorisht të dorëshkrimit të romanit në Arkivin ku ajo ishte
drejtoreshë. Shkaku: kushtet jo të përshtatshme të ruajtjes së tij në
një banesë të ngushtë, siç ishte ajo e imja (rreth 40 metra katrorë),
rreziku i dëmtimit nga ndonjë përmbytje apartamentesh (tepër e shpeshtë
në atë kohë).
S’ka pasur as më të voglin presion nga ajo vetë dhe nga askush. Kam
pranuar ta jap dorëshkrimin, pa më shkuar asnjëherë ndër mend se kjo
mund të ishte një “dhuratë”. (Po shtoj këtu se në traditën botërore nuk
njihet, me sa di unë, ndonjë rast dhurimi i një dorëshkrimi).
Me sa duket, znj. Hoxha ka një koncept disi ndryshe për këtë. Më
lejoni t’ju kujtoj se topiku “dhuratë” në socializëm përdorej në mënyrën
më befasuese. Shprehjet “partia i bëri dhuratë popullit këtë apo atë
gjë” ishin të zakonshme. Kështu, quheshin dhurata të partisë
hidrocentralet, akademitë, stadiumet, fermat e lopëve etj. Se ku i
gjente partia këto dhurata, kjo nuk sqarohej.
Thelbi i konfliktit për të cilin një gjykatë shqiptare duhet të japë
një vendim është: kujt i përket ky dorëshkrim: autorit apo
ish-drejtoreshës së Arkivit. Kjo e fundit i ka bërë një favor autorit,
duke e lejuar të shfletojë një nga dosjet më sekrete të Arkivit:
grindjen shqiptaro-sovjetike. Kjo është e vërtetë dhe për këtë, me sa
duket, asaj i ngjan e natyrshme që autori t’i jetë mirënjohës. Dhe kjo
është e drejtë e saj. Pyetja shtrohet në se sinqerisht ajo beson se ka
marrë një dhuratë? Pikërisht këtë, besoj se gjykata do t’i kërkojë ta
vërtetojë. Gjer tani është fjala e autorit kundër fjalës së
drejtoreshës. Ajo që vërteton një dhuratë është “akti i dhurimit”. Ju
siguroj se një akt i tillë jo vetëm nuk ekziston, por ai s’ka ekzistuar
kurrë as si ide.
Cili ka qenë pakti për shfrytëzimin e Arkivit ku ju shfletuat dosjen për “Dimrin…”?
Ka pasur një historik ky bashkëpunim, që mendoj se ka qenë
krejtësisht jo tipik, pra i pazakonshëm. Ishte fjala për një
marrëveshje, një lloj pakti midis meje dhe drejtoreshës së Arkivit,
natyrisht me dijeni të shefave të tjerë. Pakti ishte i thjeshtë dhe i
qartë: E para, do të shfletoja dosjen sekrete. E dyta, do të merrja
shënime, me kusht që të mos i riprodhoja, dhe në fund t’ia ktheja
Arkivit. E treta, faqet e romanit që do të kishin lidhje me dosjen, isha
i detyruar t’ia tregoja Arkivit, para se t’i çoja në botim.
Iu jam përmbajtur me korrektesë këtyre pikave. S’kam pasur ndërhyrje
nga askush për asgjë. Askush nuk e dinte ç’kam shkruar. Kam dorëzuar
shënimet. Kam dorëzuar faqet e romanit që kishin lidhje me dosjen (rreth
40-45 të tilla). Sipas “paktit”, nëse s’do të kishte përgjigje negative
brenda njëfarë afati javor ose dyjavor, do ta dorëzoja romanin në
shtëpinë botuese.
Përgjigje nuk pati nga askush. Shtëpia botuese nuk bëri asnjë
vërejtje për asgjë. Ishte e para herë që kjo ndodhte me një vepër
letrare në Shqipëri. Romani doli në qarkullim i rrethuar nga një
shurdhim dhe nga një atmosferë pothuajse misterioze. Një pëshpërimë e
keqe kundër tij u ndie qysh në ditën e dytë ose të tretë. Ishte e
pakuptueshme. Tirazhi prej 25 ose 30 mijë kopjesh, nuk më kujtohet
saktë, u mbarua ditën e dytë. S’do të kalonte veçse pak kohë që një
fushatë e pazakonshme të shpërthente kundër romanit. Ndër qendrat
kryesore që nxisnin fushatën ishte Ministria e Brendshme, KQ i Rinisë
dhe vetë aparati i KQ-së (ku bënte pjesë Instituti i
Marksizëm-Leninizmit) bashkë me Arkivin!
Nuk kuptoja asgjë. Madje, as sot nuk e kam të qartë plotësisht ç’ka ndodhur.
A ka një kushtim (autograf) në dorëshkrim, që ndoshta e bën znj. Hoxha ta shohë veten si “pronare” të tij?
Nuk e kam të lehtë të vihem në vend të saj për t’iu përgjigjur
pyetjes suaj. Ajo ka përmendur disa herë fjalën “mirënjohje”, që isha i
detyruar të kisha ndaj saj. Do të ishte një gjë normale që t’i shprehja
mirënjohjen drejtoreshës së Arkivit për dosjen e dokumenteve. Por ky
s’është argument për të përvetësuar një dorëshkrim.
Sa për autografet (dedikimet në libra), ajo e ka përmendur një të
tillë në një intervistë me gazetarë të huaj, si provë të marrëdhënieve
të ngushta a të veçanta me autorin. Me sa duket, ashtu si në rastin e
“dhuratave të partisë”, zonja Hoxha ka një koncept jo fort të saktë për
autografet (dedikimet) e autorëve. Pa i futur të gjitha në të njëjtën
kategori, mund të thuhet se shumica dërrmuese e tyre, bashkë me formulat
“kujtim nga autori”, “në shenjë miqësie” etj., s’vërtetojnë ndonjë gjë
dhe s’mund të jenë argument për asgjë.
Për t’ju treguar një kuriozitet, për të cilin kam përshtypjen se ka
folur kalimthi edhe shtypi ynë, kur njërit prej vrasësve më të bujshëm
të Francës, gjatë arrestimit iu gjet në çantën e shpinës një libri im. E
si të mos mjaftonte kjo, gjatë një interviste në burg, kur tha, midis
të tjerash, se I. K. ishte shkrimtari i preferuar i tij, askujt nuk i
shkoi ndër mend të bënte qoftë edhe aluzionin më të vogël, të llojit:
shkrimtar ballkanas, s’është ndonjë çudi që pëlqehet nga vrasësit ose,
më keq, t’i frymëzojë ata.
Së fundmi, si e shpjegoni qëndrimin e zonjës Hoxha, si dhe një lloj arrogance të saj në këtë proces gjyqësor?
Mendoj se shpjegimi duhet kërkuar në faktin se zonja Hoxha ndihet e
mbrojtur. Avokati i saj, duke thënë se “ky është një gjyq principesh”,
ka dhënë, pa dashur, njëfarë shpjegimi.
Rendi i përmbysur nuk pranon se është thyer. Në këtë “gjyq
principesh”, që në njëfarë mënyre është një test, një sprovë force, ai
regjim kërkon të japë mesazhin se është ende i fortë. Me fjalë të tjera,
të pohojë: Ne jemi këtu. Ashtu si më parë.
Është lehtë të thuash se ky është donkishotizëm. Mendoj se është një e
keqe më e thellë. Regjimit të përmbysur, përfaqësuesve të tij, iu dalin
befas ca aleatë të papritur, aty ku nuk të shkon mendja. Për shembull,
gjatë “javës së dorëshkrimit”, nëse më lejohet ta quaj kështu, ca gjysmë
letrarë, gjysmë informatorë, të afishuar gjer më sot si antikomunistë
të tërbuar, me sulmet që shpërthyen në shtyp kundër shkrimtarit, u
renditën praktikisht në krah të zonjës Hoxha.
Ka vite që flitet për afërsinë fashisto-komuniste, dhe ky është një
rast i dëshmimit të saj. Që rendi i përmbysur ndihet i fortë, ky është
vërtetimi i hidhur se Shqipëria ndihet ose është e dobët.
Dhe kjo s’ka pse të na duket e papritur. Shqipëria mbetet i vetmi
vend në Europë që ende nuk pranon të hapë arkivat e fshehtë, të dënojë
krimet e të ndahet nga pjesa më e errët e ndërgjegjes së saj. Kjo është
për t’u trishtuar, por më shumë akoma, për t’u shqetësuar.
Krijohet bindja se në gropën e arkivave dhe të dosjeve të fshehta
lejohen të zbresin njerëz si ata që u përmendën më lart, që shërbejnë jo
për të zbuluar krimet, por për t’i mbuluar më fort ato.
Mbrojtësit e së keqes shpresojnë në dredhinë e tyre të zakonshme:
transferimin e krimit. Por krimet e një epoke si ajo që u përmbys, nuk
janë pupla të lehta që mund të zhvendosen dinakërisht nga zyrat e
hetuesisë, burgjet, qelitë e torturave e fushat e internimit, në ca
vjershurina e tekste të nxjerra nga makina e propagandës zyrtare,
rrjedhimisht të pabesueshme për sa i përket autenticitetit.
Letërsia dhe artet kanë përgjegjësinë e tyre, por në fund të fundit,
ato janë publike dhe, si të tilla, lehtësisht të gjykueshme. Të fshehta
janë tmerret e fshehura, në radhë të parë armata e informatorëve, atyre
që i çuan kolegët e tyre në tortura dhe mort. E pikërisht këta vazhdojnë
të jenë të mbrojtur, për të mos thënë të çmuar.
Kurtizanët e sotëm fashisto-komunistë kujtojnë se mund ta kenë të
lehtë goditjen e shkrimtarëve të njohur. Harrojnë se këta të fundit dinë
të jenë të ashpër gjithashtu dhe mund t’iu kthehen. Shumë vite më parë,
Heine, duke i paralajmëruar detraktorët e vet, iu kujtoi se mund të
shpëtonin nga burgjet ose veglat e torturës, por po të binin ndonjë ditë
brenda tercinave të Dantes, për një mijë vjet nuk dilnin dot më.