Thursday, December 8, 2011

Aleksandër Meksi: Lëvizja studentore e dhjetorit u keqpërdor nga spiunët

Lëvizja e dhjetorit ishte një triumf i studentëve idealistë, por më vonë kjo lëvizje u keqpërdor nga politika”. Kështu u shpreh dje, për gazetën “Sot”, njëri nga liderët kryesorë të Dhjetorit të vitit 90, Aleksandër Meksi i cili nënvizoi se kalendari i demokracisë shqiptare duhet të rikthehet për të filluar numërimin e vet, pikërisht në 8 dhjetorin e vitit 1990. Ai rrëfen gjithashtu edhe detajet dhe momentet, kur iu vu emri Partisë Demokratike, pikërisht në shtëpinë e Gramoz Pashkos. Zoti Meksi, ku janë sot liderët e dhjetorit të vitit 1990?
Atë gjejeni juve. Unë kam kohë që nuk i shoh dhe gjithmonë e më tepër ndihem i panjohur mes atyre që shfaqen sikur përfaqësojnë lëvizjen e dhjetorit të vitit 1990.

Çfarë ndodhi konkretisht, në 8 dhjetorin e vitit 1990?

Ajo natë e ftohtë dhe e errët u kthye në një pishtar për Shqipërinë, por më vonë u keqpërdor.

A mendoni se kjo lëvizje u keqpërdor nga spiunët apo misionarët e Ramiz Alisë?

Pikërisht, ata ndikuan ndjeshëm në keqpërdorimin e protestës.

Ku ishit në ditën e 12 dhjetorit, gjatë themelimit të PD?
Ajo ditë ishte vazhdim i ngjarjeve që kishin nisur më 8 dhjetor, në Qytetin Studenti, por që më pas kishin përfshirë të gjithë Shqipërinë. Kështu në 12 dhjetor në orën 8.30, unë kisha lënë takim me Gramoz Pashkon. Aty ai më njohu edhe me dy të rinj. Njeri ishte Azem Hajdari dhe tjetri Arben Imami. Më vonë erdhën edhe të tjerë, si Mond Budina, Genc Ruli, Eduard Selami, Sali Berisha dhe mbaj mend edhe një studente, që quhej Moza dhe ishte nga Vlora. Pastaj erdhën edhe të tjerë dhe ne nisëm të shkruajmë programin minimal të partisë që u lexua në mitingun e pasdites. Për projekt-statutin punova unë me Genc Rulin, ndërkohë që Genc Pollo na solli disa modele të huaja. Në ato momente që u krijua Partia Demokratike njoftuam një gazetar të Rojterit që quhej Rikard Shvarc (suedez) për ta shpallur lajmin në Vjenë. Por ai na mori në telefon i alarmuar në orën 12.00, duke na thënë se Ministria e Jashtme shqiptare e kishte përgënjeshtruar faktin që në Tiranë ishte krijuar një parti opozitare me emrin Parti Demokratike, por gjoja ishte krijuar një parti për studentët dhe intelektualët e rinj. Pastaj lajmëruam Zërin e Amerikës dhe të gjithë qytetarët se në orën 16.30 te qyteti i Studentëve shpallej themelimi i PD-së. Mbaj mend se parulla kryesore e mitingut ishte "E duam Shqipërinë si e gjithë Europa", por fatkeqësisht sot pas 21 vjetësh ende nuk pranohemi si pjesë e integrimit Europian.

Cilët ishin njerëzit që u afruan në drejtimin e PD?

Shumica ishin idealistë dhe patriotë, por kishte edhe njerëz të dërguar prej organeve përkatëse që të na sabotonin. Ne ishim parti e hapur dhe disa mundën të penetrojnë. Ata që e shesin lëkurën njëherë, të dëmtojnë edhe duke u hequr si ekstremistë radikalë, që bëjnë aktive të zhurmshme. Shembuj të tillë ka pafundësisht në historinë e Partisë Demokratike. Ata kanë ndihmuar gjithashtu në mbështetjen e çdo gjëje të shtrembër që është shtruar në PD. Në këtë parti idealistët kanë luftuar gjithmonë kundër bolshevikëve.

Si do të veproni për mbrëmjen e 12 dhjetorit, pra në 21 vjetorin e themelimit të PD?

Nuk e di.

Përse nuk do shkoni në festën e themelimit?

Thjesht: nuk njoh shumicën e atyre që janë sot atje, të cilët kur na shohin kthejnë rrugën. Them se po të jetë në dorën e tyre, na shajnë na fyejnë dhe shpërblehen për këtë gjë. Nga ana tjetër nuk jam dakord me atë vijë që përdor lidershipi që po mban peng integrimin

Përse e thoni këtë?

Sepse sot kemi ende njerëz që vuajnë. Apo njerëz që sfiliten për ujë, për drita, për telefona, për punë, për asistencë sociale, etj, ndërsa shteti i ka lënë në harresë. Unë kam deklaruar që PD-ja duhet të hapet, kam përdorur një term në platformën time: "Të bashkohen ata që janë me PD-në dhe me idealet e dhjetorit".

Kush ia vuri emrin Partisë Demokratike?
Më 12 dhjetor, gjatë paradites në shtëpinë e Gramoz Pashkos kemi diskutuar shumë për emrin që do të mbante partia Për këtë arsye pjesëmarrësit shkruajtën një listë me emrat e mundshëm. Midis arsyeve kryesore për t'i vënë partisë emrin Parti Demokratike, unë veçova faktin se këtë emër e kishin kërkuar vetë qytetarët e Tiranës në mitingun e pasdites së 11 dhjetorit.
Cilin emër preferonte më shumë Berisha?
Ai ishte më shumë për emrin Partia e Studentëve dhe Intelektualëve të rinj. Por unë me Pashkon dhe me disa të tjerë e kishim biseduar edhe më parë, prandaj atë mëngjes Azem Hajdari u nis me motor në Qytetin Studenti për t'u komunikuar studentëve emrin e Partisë Demokratike.
Ju jeni krenar apo jeni i penduar që ishit i pranishëm në 12 dhjetor?

Unë do të jem gjithmonë krenar për këtë që kam bërë së bashku me shokët e tjerë dhe me të gjithë qytetarët. Asnjëherë nuk kam për t'u penduar dhe gjithmonë do të luftoj që kalendari dhe platforma e sotme e Partisë Demokratike të rinisin me 12 dhjetorin e vitit 1990.

Mimoza Ferraj: Si degradoi lëvizja e dhjetorit

Lëvizja e dhjetorit degradoi, për shkak të kompromisit me pushtetarët komunistë”. Kështu shprehet për gazetën “Sot”, ajo që është cilësuar si princesha e demokracisë shqiptare, Mimoza Ferraj, e cila gjatë protestës së 8 dhjetorit, ka marrë plagë të rënda, prej policisë. Më tej ajo rrëfen: “Në fund të qershorit, fillim të korrikut kam shkuar në Hungari si vendi i parë demokratik lindor. Shkova atje për të marrë eksperiencë së bashku me shumë studentë të tjerë. Lista e përpiluar në vajtjen atje nuk kishte asgjë të përbashkët me personat e vërtetë të lëvizjes së Dhjetorit, por ata ishin të gjithë pjesë e fëmijëve që kishin qenë në pushtet. Edhe dy prej aktivistëve të vërtetë, që ishin bashkë me mua, nuk qëndruan në Budapest, por u larguan për në Gjermani në mënyrë të paligjshme dhe ma lanë porosi të ndjek hapin e tyre. Listë të vërtetë nuk ka dhe është vështirë bërja e një liste të tillë nisur nga koha e gjatë, pozicionimi, postet politike të mëpasshme dhe ato aktuale. Ilir Bushi

Sabit Brokaj: Spiunët e Ramiz Alisë, dolën jashtë kontrollit dhe u bënë demokratë

Mugojnë dhjetoristët e vitit ‘90-të / Zyrtarët e pushtetit privatizojnë 8 dhjetorin Gëtja shkroi baladën “Vallja e të vdekurve”, ku tregohet se një fëmijë i vogël ngaqë kishte frikë të mbushte ujë, natën në pus, thirri xhindet për ta ndihmuar. Pastaj kur mbushi bucelën e ujit, atij i doli një problem tjetër i madh: Nuk i largoheshin xhindet, pra ai nuk dinte se si të vepronte për të larguar hijet e frikshme të natës. Kjo gjë ka ndodhur më në fund me studentët shqiptarë të dhjetorit të vitit 1990. Ata dolën për të “mbushur ujë” të pastër në natën e 8 dhjetorit të vitit 1990. Por ngaqë kishin nevojë për ndihmë ata thirrën për t’i ndihmuar Sali Berishën, së bashku me togën e intelektualëve karrieristë dhe servilë. Dhe që atëhere, problemi i tyre i vetëm por edhe i gjithë Shqipërisë ka të bëjë me faktin se Sali Berishën, së bashku me zyrtarët e tjerë nuk i largojnë dot nga drejtimi i politikës.
Tetë dhjetori
Tetë dhjetori ishte ditë e shtunë. Dhe në Qytetin Studenti ndodheshin shumë pak konviktorë, ngaqë një pjesë e tyre ishin larguar nëpër rrethe, për të studiuar lidhur me sezonin e provimeve. Por atë natë ndodhi demonstrata e parë zyrtare, pasi një mbrëmje më parë, kishte dështuar një e tillë. Fjalët e para që u artikuluan nga protestuesit ishin “drita” dhe “ujë i ngrohtë”. Por pas mbërritjes urgjente të kryeministrit Adil Çarçani u fol edhe për të drejtat e njeriut, apo për lirinë e fjalës. Në mënyrë urgjente, Ramiz Alia për të shpëtuar lëkurën e tij, thirri Sali Berishën të cilin e dërgoi të bisedonte me studentët. Në të njëjtën orë, Edi Rama ishte duke kërcyer Rok- en –roll, tek Akademia e Arteve. Në atë kohë ky lloj kërcimi konsiderohej si dalje nga skema komuniste, dhe për këtë arsye Edi Rama e quan veten si kontributor të luftës kundër diktaturës. Pastaj gjërat dihet si shkuan. Katër ditë më vonë në shtëpinë e Pashkos u themelua Partia Demokratike, ndërsa dy muaj më vonë greva studentore e 20 shkurtit mundësoi rrëzimin e bustit. Kjo gjë, padyshim, që ishte një fitore historike, por sot heronjtë e vërtetë janë spostuar nga Berisha, apo Rama ndërkohë që piedestalet bosh kanë porositur statujat e kokave të tyre. Problemi kryesor në këtë rast nuk qëndron tek fakti se sot janë shmangur themeluesit dhe iniciatorët e vërtetë të rezistencës opozitare në vend, por në rradhë të parë ngërçi ka të bëjë me ftohtësinë e publikut të gjerë ndaj kësaj date. Me pak fjalë, përderisa kjo datë e shenjtë u privatizua vetëm nga disa monstra të politikës së sotme, ndofta vlen të merret parasysh propozimi i shumë dhjetoristëve që thonë, se në të ardhmen është më mirë që kjo festë të mos përmendet më. Kjo, për arsye se pas sakrificës së studentëve idealistë u shfaqën intelektualët karrieristë dhe pak orë më vonë, vërshuan spiunët. Janë pikërisht një pjesë e këtyre spiunëve që caktojnë sot ftesa në adresë të njerëzve të tjerë dhe janë pikërisht, mumjet e dikurshme të diktaturës që përpilojnë sot listat se kush është demokrat dhe kush jo, ose kush meriton të jetë i ftuar në festë dhe kush duhet të bojkotohet. Për këtë arsye duke u përulur para madhështisë së protestës së studentëve të djeshëm, qindra e mijra njerëz kanë bojkotuar festat e burokratëve të sotëm, të cilët e kanë privatizuar 8 dhjetorin.  

Ramiz Alia organizoi protestat studentore duke dërguar midis tyre Sali Berishën, së bashku me divizionin e spiunëve të Sigurimit të Shtetit”. Kjo ishte deklarata e djeshme e bërë për gazetën “Sot”, nga ish ministri i Mbrojtjes, Sabit Brokaj, i cili nënvizoi se me themelimin e Partisë Demokratike ka ndodhur një çudi e paparë: “Ramizi e mbushi PD-në me spiunë të Sigurimit, por pas ca kohësh, këta spiunë i dolën nga kontrolli dhe filluan të hiqeshin si demokratë të vërtetë”, nënvizoi ai

Zoti Brokaj, çfarë mendoni për natën e 8 dhjetorit të vitit 1990?

Unë kam menduar gjithmonë dhe vazhdoj të mendoj se kjo lëvizje studentore, si edhe themelimi i Partisë Demokratike, apo vendosja e pluralizmit, ishin vepër e dorës së Ramiz Alisë. Këtë operacion historik e ka inicuar ish presidenti Alia, i cili disa herë ka përmendur shkarazi faktin se ai ka dërguar Berishën tek studentët. Por unë mund t’ju them këtu se në themelimin, apo në fillimin e Partisë Demokratike Ramiz Alia ka aktivizuar një numër shumë të madh spiunësh të Sigurimit të Shtetit, me misionin përkatës brenda kësaj partie. Me këtë veprim Alia donte nga njëra anë të lahej me kërkesat e ndërkombëtarëve për pluralizmin dhe nga ana tjetër të kishte plotësisht nën kontroll opozitën shqiptare, pra Patinë Demokratike. Por sipas modelit të PD-së, Ramizi inicioi në atë kohë edhe themelimin e disa partive të tjera, me ish komunistë të thekur, apo me agjentë të Sigurimit të Shtetit

Ku e bazoni këtë që thoni?

Këtë e bazoj tek numri i shumtë i spiunëve që militonin dhe militojnë akoma brenda Partisë Demokratike. Disa prej tyre populli i thjeshtë i njeh me emra dhe me pseudonime, por disa të tjerë, ende nuk janë bërë publikë. Sepse hapja e dosjeve sot për sot është një gjë e ndaluar. Pra, prania e shumtë e spiunëve si edhe dyndja e ish komunistëve më servilë drejt Partisë Demokratike, vërtetojnë faktin se kjo parti ishte e dyshimtë që në fillim. Madje, për shumë njerëz ishte krejtësisht e qartë se kjo parti në thelb ishte një parti e Sigurimit të Shtetit.

Në ç’mënyrë sipas jush, kjo parti kontrollohej nga Ramiz Alia?

Sigurimi i Shtetit dhe bashkëpunëtorët e ngushtë të Sigurimit të Shtetit kanë kodet e tyre të komunikimit. Ato nuk mund t’i marrë vesh kushdo. Prandaj, detyrat dhe raportimet bëheshin në mënyrat e fshehta. Por problemi është se pas disa kohësh, Partia Demokratike, ose më mirë të themi ata elementë të Sigurimit të Shtetit që ishin futur në këtë parti dolën jashtë kontrollit të Ramizit. Dhe filluan të shtireshin edhe vetë si demokratë. Në këtë rast parodia e kësaj partie qëndron në faktin se ata vetë, pra sigurimsat filluan të besojnë se janë politikanë të aftë dhe demokratë. Pra, pasi dolën jashtë kontrollit të Ramizit ata nisën karrierën politike dhe shtetërore. Ndërkohë, Berishës i interesonte shumë ky sistem pune. Sepse i kishte në dorë për t’i poshtëruar apo për t’i trajtuar si lecka. Natyrisht, pasi i bënte ndonjëherë edhe ministra apo zëvendësministra për t’i bërë qejfin.

Sipas jush, cili është sot roli i këtyre spiunëve brenda Partisë Demokratike?

Ata e kanë bërë shumë mirë rolin e tyre. Sepse sot ata janë gati të përmbysin gjithçka vetëm për të mbuluar të kaluarën e tyre, apo vetëm për t’u shfaqur me një luk të ri. Për këtë arsye gjatë këtyre 21 vjetëve janë bërë tentativa të shumta për të zhdukur dosjet e spiunëve. Dhe këtë e kanë bërë vetë ata, nëpërmjet metodave apo njerëzve të tyre. Sepse tani, këtyre përfaqësuesve të ish Sigurimit të Shtetit i ka pëlqyer statusi i ri i zyrtarit, apo pushtetarit dhe nuk duan në asnjë mënyrë që t’u përmendet gjëkundi e kaluara. Këtu, natyrisht, unë dua të përmend se nuk kam asgjë individuale, apo personale ndaj tyre. Unë, personalisht, mendoj se detyra e punonjësit të Sigurimit të Shtetit ishte një mision ndaj vendit. Por të gjithë problemin e kam tek skema që ka ndjekur Ramizi për pluralizmin politik dhe për krijimin e partive të tjera në Shqipëri, pas vitit 1990.

Amund të na thoni disa nga emrat kryesorë të këtyre spiunëve të Sigurimit të Shtetit që militojnë sot në PD?

Këtë nuk mund ta bëj vetëm e vetëm se ligji i hapjes së dosjeve ende nuk është miratuar.

Grupi Nismëtar i Partisë Demokratike

Studentët: Azem Hajdari, Arben Lika, Tefalin Malshyti, Shenasi Rama, Blendi Gonxhja, Alma Bendo
Intelektualët:
Sali Berisha, Arben Imami, Preç Zogaj, Gramoz Pashko, Mitro Cela
Klasa punëtore:
Sokrat Nesturi, Ilir Myftari Merita Zaloshnja Zenel Hoxha
Më pas përfshihen dhe shtatë anëtarë të tjerë
Aleksandër Meksi, Arben Demeti, Genc Ruli, Eduart Selami, Bardhyl Reso, Petrit Dodbiba, Edmond Budina
Grupet e punës së ngritura më 14 dhjetor 1900
Grupi politik
Arben Imami
Blendi Gonxhe
Grupi organizativ
Arben Demeti
Grupi i Shtypit
Preç Zogaj
Mitro Çela
Grupi i Financave
Merita Zaloshnja
Grupi i sekretarëve
Eduart Selami
Ilenja Mëhilli
Grupi i shërbimeve
Arjan Manahasa
Ilir Dizdari

Nga: Ilir BUSHI

Sunday, December 4, 2011

Tensione në ceremoninë e Leka Zogut, i biri vetëshpallet si mbret mbi varrin e të atit


Leka Zogu II duke bërë betimin si mbret mbi varrin e të atit. Foto: Vlasov Sulaj
Në vend të fjalimit, gjatë varrimit bën vetëm betimin.
Unë, princi Leka II, betohem që do të jem në shërbim të kombit dhe të atdheut. Zoti më ndihmoftë”
Leka Zogu II vetëshpallet mbret mbi varrin e babait në Sharrë. Teksa pritej që të mbante fjalimin e lamtumirës së fundit për Leka Zogun I, në vend të tij ai ka bërë një betim të shkurtër. “Unë, princi Leka II, betohem para trupit të babait tim që do të ndjek rrugën e Mbretit Zog, e mbretit Leka I dhe do të jem gjithmonë në shërbim të kombit dhe të atdheut. Zoti më ndihmoftë!”, tha Leka Zogu II. Duke bërë gjestin e përshëndetjes mbretërore me dorë, ai mori kapelën ushtarake të familjes Zogu nga arkivoli i të atit, ndërsa të pranishmit komentuan menjëherë se ky ishte betimi i mbretit. Me të drejtë, pasi ky betim vërtet nuk ishte fjalë për fjalë ashtu siç e parashikon neni 56 i Kushtetutës së Monarkisë, por fillimi dhe përmbajtja e tij ishin thuajse të njëjta.
Betimi
“Unë (emri), Mbreti i Shqiptarëve, në minutën që hyp në fronin e Mbretërisë Shqiptare dhe marr në dorë pushtetet mbretërore, betohem para Zotit Fuqimadh se do të ruaj njësinë kombëtare, pavarësinë shtetërore dhe tërësinë tokësore; gjithashtu, do të ruaj Statutin e do të veproj pikërisht sipas atij dhe sipas ligjeve në fuqi, duke pasur parasysh gjithmonë të mirën e popullit. Perëndia më ndihmoftë”. Ky është betimi i plotë që parashikon Statuti Themeltar i Mbretërisë Shqiptare në vitin 1928, i cili duhet thënë para Parlamentit. Duket se për shkak të pamundësisë së përdorimit të Kuvendit, pasi tashmë Shqipëria është Republikë, Leka Zogu II zgjodhi varrin e të atit për t’u betuar, ku ishin të pranishëm qindra persona. Po ashtu, duket se betimi vjen i moderuar për shkak të ndryshimit të kushteve historike dhe politike. Megjithatë, burime konfidenciale nga Pallati Mbretëror na informuan se gjatë këtyre ditëve do të sqarohen dhe interpretohen sipas aktualitetit nenet e Kushtetutës Monarkiste, ndërsa Leka Zogun II nuk e mohojnë si mbret, por as e pohojnë dot zyrtarisht. Sipas tyre, në bazë të nenit 51, “Trashëgimi i Fronit Mbretëror i përket djalit më të madh të Mbretit dhe trashëgimia vazhdon brez pas brezi në vijë direkte, mashkull pas mashkullit”. Pra, menjëherë pas vdekjes së Leka Zogut I, Leka Zogu II është automatikisht mbreti i shqiptarëve. Toleranca kohore për betimin nis që nga momenti i vdekjes së mbretit deri në 10 ditë. Dje ishte dita e katërt…
Vetëm tri të shtëna
Homazhet në selinë e Kuvendit në nderim të pretendentit të fronit mbretëror, Leka Zogu I. Fotot: Vlasov Sulaj
Lindja e tij është shoqëruar me 101 të shtëna topi, edhe pse u largua vetëm dy ditë më pas nga Shqipëria, ndërsa për në banesën e fundit u përcoll vetëm me 3 të shtëna armësh. Pavarësisht njoftimeve se Leka Zogu I do të varrosej me statusin “Mbret i shqiptarëve jo në detyrë”, ndërsa ceremoniali do të zhvillohej me atributet si kryetar shteti, lamtumira që iu dha në Sharrë nuk i afrohej nivelit të premtuar. Shumica e pikave të protokollit nuk u zbatuan, ndërsa nga 21 të shtëna që ishin parashikuar, pati vetëm 3 të tilla. Nuk pati as ndonjë fjalim të gjatë, të posaçëm me këtë rast, përveç disa përshëndetjeve të kushëririt Skënder Zogu për Presidentin Bamir Topi, Kryeministrin Sali Berisha, kryeparlamentaren Jozefina Topalli dhe sidomos për kreun e Bashkisë, Lulzim Basha, Trupin Diplomatik, ministrat etj. Me pak vonesë, por duke kërkuar ndjesë, ai falënderoi edhe Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, që i ishte bashkuar dje gjatë gjithë ditës kortezhit qeveritar shqiptar. Gjithashtu, Skënder Zogu përmendi edhe dy emra jo shumë të njohur për publikun e gjerë, por legjendarë për historinë e monarkisë zogiste; komandant Ylli Spahiun që ka qenë 23 vjet në shërbim të mbretit dhe oficer Shehat Shehun.
Varrimi
Për shkak të frikës së dekompozimit të trupit, arkivoli nuk u hap në asnjë moment të ditës së djeshme, në mënyrë që të shihej veshja dhe sendet e futura në të. Megjithatë, familjarët na konfirmuan se Leka Zogu I është përcjellë me një uniformë ushtarake të Britanisë së Madhe dhe brenda janë futur disa nga sendet personale të tij. Arkivoli ishte i një tipi të thjeshtë dhe i mbuluar me flamurin kuqezi. Sipas amanetit, ai u varros në mes të nënës së tij, Geraldinës dhe bashkëshortes Susan Cullen. Pas ritualit të hedhjes së dheut, një korr i ardhur posaçërisht nga Kosova këndoi, ndër të tjera, vargjet: “Tani ke për t’u ndarë dhe kurrë s’ke më për t’u parë”. Me këto fjalë, profecia filloi… Të pranishmit u larguan për të mos e parë kurrë më “mbretin e shqiptarëve jo në detyrë”.
Afati kohor: Betimi që bëhet sipas Kushtetutës së Monarkisë
Sipas Statutit Themeltar të Mbretërisë Shqiptare, që u miratua më 1 dhjetor 1928, në nenin 51 thuhet se: “Trashëgimi i Fronit Mbretëror i përket djalit më të madh të Mbretit dhe trashëgimia vazhdon brez pas brezi në vijë direkte, mashkull pas mashkullit”. Ndërsa në nenin 58 përcaktohet afati kohor brenda 10 ditësh. Betimi përmban këto fjalë: “Unë (emri), Mbreti i Shqiptarëve, në minutën që hyp në fronin e Mbretërisë Shqiptare dhe marr në dorë pushtetet mbretërore, betohem para Zotit Fuqimadh se do të ruaj njësinë kombëtare, pavarësinë shtetërore dhe tërësinë tokësore; gjithashtu, do të ruaj Statutin e do të veproj pikërisht sipas atij dhe sipas ligjeve në fuqi, duke pasur parasysh gjithmonë të mirën e popullit. Perëndia më ndihmoftë”.
Si babai
Edhe Leka Zogu I nuk ka pasur një betim në Parlament, ashtu siç e parashikon Kushtetuta e Monarkisë. Teksa i biri i tij u betua dje publikisht para arkivolit se do të ndiqte rrugën mbretërore të të atit dhe gjyshit të tij, kjo deklaratë u cilësua si “vetëshpallje dhe betim solemn i Leka Zogut II si Mbret i Shqiptarëve, ashtu si dikur kishte bërë dhe i ati, vetëm se ky i fundit, në mërgim”. Leka Zogu I jetoi në mërgim duke shëtitur botën dhe në vitin 1993 erdhi për herë të parë në Shqipëri. Edhe pas kthimit, ai nuk arriti ta bënte betimin dot në Parlament për shkak të Shqipërisë si Republikë. Megjithatë, edhe pa këtë betim, ai u vetëshpall “Mbret i shqiptarëve”.
Jozefina Topalli
“Është detyrë e çdo kombi të njohë dhe të nderojë historinë e vet”, theksoi dje kryeparlamentarja Jozefina Topalli. Kuvendi informoi se ceremonia e mbajtur për nderimet e Leka Zogut I në hollin hyrës të sallës së seancave plenare, u bë në shenjë nderimi për historinë e Mbretërisë, si pjesë e historisë shqiptare.
Princi dhe Baroni
Në homazhet e ditës së djeshme ishin edhe Lartmadhëria e Tij, princi Paul i Rumanisë së bashku me princeshën, baroni Rafael Henri Estramant, si dhe përfaqësues nga Unioni Monarkist Italian, Sergio Boskiero. Ndërkaq, nga rezidenca mbretërore thonë se të gjitha mbretëritë e Europës kanë ngushëlluar tashmë me telegram.
Shila dhe Tarzani
Si nëpër filma, dy qentë e racës PitBull, që i përkasin familjes mbretërore, jo vetëm që ishin në homazhe për pak minuta në sallën e Kuvendit, por edhe qanin e nuk iknin andej. Siç na rrëfejnë familjarët, Shila dhe Tarzani nuk pranonin të hanin dhe të pinin më që nga dita kur Leka Zogu I ndërroi jetë, pasi kanë qenë shumë të lidhur me të.

Leka Zogu I, tensione në homazhe

Jepet lamtumira për pretendentin e fronit mbretëror shqiptar në selinë e Kuvendit të Shqipërisë.
Kryebashkiaku Basha: Nuk u negociua kurrë kurora mbretërore
.
Mes harmonisë fetare dhe tensioneve politike është dhënë dje lamtumira për pretendendin e fronit mbretëror shqiptar, Leka Zogu I. Në Kuvendin e Shqipërisë u zhvilluan homazhet në nder të tij, ku ende pa shkuar ora 10:00 u shfaq Leka Zogu II dhe e fejuara e tij, Elia Zaharia. Duke përfituar nga salla me pak njerëz dhe larg publicitetit, princ Leka puthi arkivolin e të atit që ishte mbuluar me flamurin shqiptar dhe i vuri sipër kapelën ushtarake. Të njëjtin gjest bëri dhe Elia, ndërsa më pas dyert u hapën zyrtarisht për homazhe. Të parët që janë shfaqur në derën e selisë së Kuvendit kanë qenë disa përfaqësues të klerit katolik dhe pas tyre, dhjetëra qytetarë, ku shpesh binin në sy kostumet popullore ose veshjet tipike të krahinës së Matit. Minutë pas minute nisën të shfaqen figurat publike, sidomos ministrat Aldo Bumçi, Eduard Halimi, Fatmir Mediu, Genc Pollo, Majlinda Bregu, Arben Imami. Teksa këta po dilnin, duket se ishte radha e socialistëve, që ashtu si ditëve të ngushëllimeve në rezidencën mbretërore, edhe në homazhe ishin vetëm katër: Pandeli Majko, Arben Malaj, Kastriot Islami dhe Andis Harasani. Pas tyre, një varg artistësh u panë njëri pas tjetrit, si: Timo Flloko, Margarita Xhepa, Rajmonda Bulku etj. Ora 11:00 mund të cilësohet edhe si koha e homazheve të Trupit Diplomatik në Shqipëri, pasi u panë në homazhe ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu, ai i OSBE-së Eugen Volfarth, ajo e Polonisë Tatjana Tatarzynska. Në sy ra edhe prania e ambasadores së Britanisë së Madhe, Fiona Mclwham, si e deleguar e Mbretërisë nga vjen, e cila jo vetëm që qëndroi deri në fund të ceremonisë, por mori pjesë edhe në varrimin në Sharrë. Gjysmë ore pas këtyre vizitave, homazhet duket se arritën kulmin. Thuajse njëkohësisht mbërritën personalitetet shtetërore, që nga Presidenti Bamir Topi, Kryeministri Sali Berisha me bashkëshorten, kryeparlamentarja Jozefina Topalli, kreu i Bashkisë Lulzim Basha, kreu i LSI-së Ilir Meta me bashkëshorten dhe ministrin e Jashtëm Edmond Haxhinasto, si dhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Ardhja e tyre e njëkohshme krijoi konfuzion dhe tension, siç ishte në rastin e Presidentit Topi dhe Kryeministrit Berisha. Duke dashur që të shmangë përballjen, Topi është vonuar disa sekonda në hyrje, për ta ndjekur vetëm 4-5 metra më pas. Pavarësisht përpjekjeve, ata u janë nënshtruar rregullave zyrtare në oborrin e Kuvendit, ku kanë shtrënguar duart formalisht, ndërsa në mes tyre qëndroi Presidentja e Kosovës. Ndërkaq, acarimi i dytë politik është vërejtur në hollin e Parlamentit, teksa trupi i pajetë i Leka Zogut I po nxirrej jashtë, ku e prisnin katër përfaqësuesit e besimeve fetare në vend për lutjen e shpirtit. Kamerat ishin larguar dhe brenda ndodhej një grup i ngushtë qeveritarësh, ndër të cilët Jozefina Topalli, Edmond Haxhinasto, Arben Imami, Aldo Bumçi, kryebashkiaku Lulzim Basha etj. Nga disa metra më tutje dëgjoheshin zëra me ton pak të ngritur dhe gjeste të tensionuara mes Topallit e Bashës dhe njëkohësisht mes Topallit dhe Haxhinastos. Persona që ndoqën nga afër debatin thanë se “Topalli u nervozua për shkak të lutjeve fetare brenda ambienteve të Kuvendit”. Ndërsa një variant tjetër dëshmie, ishte se ajo ka dashur të mësojë nga Haxhinasto se pse Protokolli i Shtetit kishte caktuar Bashën të mbante fjalën e rastit në institucionin që drejtohet prej saj, pa u lajmëruar. Nuk dihet se çfarë ka thënë Basha, pasi ai u largua dhe e la Topallin me Haxhinaston për sqarim. Vetë ai shkoi të këshillohet me ministrat e caktuar nga protokolli për organizimin e ceremonisë shtetërore, ku pas disa minutash doli me një letër dhe mbajti fjalimin e rastit. Kryebashkiaku e cilësoi Leka Zogun I si një figurë themelore për aktet shtet-formuese të Shqipërisë. Ai vlerësoi lart figurën e tij dhe kontributet e familjes mbretërore për Shqipërinë dhe Kosovën. “Jemi sot për t’u ndarë përgjithmonë nga princi shqiptar Leka Zogu I. Dëshiroj të theksoj se kurorën e Shqipërisë mbretëria nuk ia dha askujt, as Ahmet Zogu dhe as Leka Zogu nuk negociuan kurrë kurorën mbretërore, duke e cilësuar kurorën si pronë të kombit shqiptar. I paharruar qoftë kujtimi i tij! U prehtë i qetë në tokën arbërore!”, tha ai dhe fjala e tij shënoi përfundimin e homazheve.
Kronologjia
Ora 09:55
– Princ Leka dhe e fejuara, Elia Zaharia, hyjnë në sallën e Kuvendit dhe në intimitet i japin lamtumirën Leka Zogut II.
Ora 10:00 – Hapet zyrtarisht ceremonia e homazheve. Vjen kleri katolik, dhjetëra qytetarë nga krahina të ndryshme, por sidomos nga Mati dhe Presheva, të cilët mbanin parulla.
10:30 – Koha e vizitës së demokratëve, kryesisht ministrat Aldo Bumçi, Eduard Halimi, Fatmir Mediu, Genc Pollo, Majlinda Bregu, Arben Imami.
10:45 – Koha e vizitës së socialistëve Pandeli Majko, Arben Malaj, Kastriot Islami dhe Andis Harasani.
10:50 – Koha e vizitës së artistëve: Timo Flloko, Margarita Xhepa, Rajmonda Bulku, Frederik Ndoci etj.
Ora 11:00 – Kohë ambasadorësh. U vu re prania e ambasadorit amerikan Aleksandër Arvizu, ambasadori i OSBE-së Eugen Volfarth, ambasadorja e Britanisë së Madhe, ambasadorja e Polonisë etj.
Ora 11:30 – Koha e shtetarëve dhe qeveritarëve. Mbërrijnë thuajse njëkohësisht: Presidenti Bamir Topi, Kryeministri Sali Berisha me bashkëshorten Liri, kryeparlamentarja Jozefina Topalli, kreu i Bashkisë Lulzim Basha, kreu i LSI-së Ilir Meta me bashkëshorten dhe ministrin e Jashtëm Edmond Haxhinasto, si dhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Ora 12:10 – Pas homazheve në Kuvend, që vazhduan për rreth dy orë, katër përfaqësuesit e besimeve fetare në vend u lutën për shpirtin e Leka Zogut I.
Ora 12:20 – Pas lutjeve të përfaqësuesve të besimeve fetare, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, mbajti një fjalim lamtumire përpara qindra të pranishmeve në oborrin e Kuvendit, ku u zhvilluan ritet e fundit para trupit të Leka Zogut.
Ora 12:50 – Trupi i Leka Zogut I u përcoll në bulevardin “Zhan D’Ark”, bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, sheshin “Skënderbej”, për t’u drejtuar më pas në Varrezat e Sharrës.
Ora: 13:30 – Kortezhi i makinave për varrimin e Leka Zogut të Parë mbërriti në Varrezat e Sharrës. Pas 20 minutash ceremoni, ai u varros pranë nënës dhe gruas së tij.
PS me dy qëndrime për homazhet ndaj Leka Zogut
Majko-Braçe, pro dhe kundër në Facebook për princin

Partia Socialiste nuk mori pjesë zyrtarisht në homazhet dhe ceremoninë e varrimit të Leka Zogut I, por qëndrime pro dhe kundër ndaj këtij pozicionimi nuk kanë munguar. Pandeli Majko dhe Erjon Braçe, të dy anëtarë të Kryesisë së PS, ndajnë qëndrime të kundërta. Majko, i cili ishte privatisht në homazhet për Leka Zogun, e cilëson atë patriot. “Për mua ishte një burrë i veçantë dhe patriot. E konsideroja mik”, shprehet Majko në faqen e tij në Facebook. Ndërsa Erjon Braçe ironizon maxhorancën dhe qeverinë për respekt të monarkut nga një Republikë Parlamentare. “’Republika’ po mban ‘zi’ për ‘mbretin’! Kjo që po shoh është dhunim i Kushtetutës: Kuvendi i Republikës ka ulur flamurin në mes të shtizës për mbretin; Presidenti i Republikës ka ulur flamurin në mes të shtizës për mbretin; Kryeministri i Republikës ka ulur flamurin në mes të shtizës për mbretin! Janë në garë se kush është më i djathtë; pra janë në garë për ca vota! Mbulohen duke thënë se po zbatojnë një ligj të thjeshtë për ceremonialin shtetëror!”, shprehet Erjon Braçe në Facebook. Por, anëtari tjetër i Kryesisë socialiste ndan tjetër mendim. “Pse jemi kështu!? Partia Socialiste në 1997 më dërgoi të prisja Leka Zogun (PD nuk erdhi). Më 2002 ishim po ne socialistët që u bëmë garant për rikthimin përfundimtar të kësaj familjeje në vendin e të parëve të tyre. Në 2003 maxhoranca e majtë votoi një ligj për statusin e kësaj familje… Kaq i rëndë qenka një ngushëllim?! Po nuk falëm njëri-tjetrin, nga kush do na vijë ‘pajtimi’ i shumëfolur…?”, shprehet Majko në Facebook, duke sqaruar dhe vajtjen e tij në këto homazhe.
ELISABETA ILNICA

Friday, December 2, 2011

Vdekja e Zogut, Nexhmije Hoxha e Berisha përplasen për Abaz Kupin 43

Kryeministri Berisha ka sulmuar dje rolin e partizanëve në çlirimin e Shqipërisë dhe ka vlerësuar me nota maksimale legalitetin e drejtuar nga Abaz Kupi. Duke folur në mbledhjen e qeverisë për vdekjen e Leka Zogut, Berisha tha: “Dua të them këtu se mohimi i të drejtës së Mbretit për kthim në Shqipëri ishte një nga veprimet më arbitrare të Enver Hoxhës dhe klikës së tij. Mbreti Zog u largua nga Shqipëria ashtu siç u larguan mbretërit e tjerë, nga mbretëritë e pushtuara nga forcat nazifashiste. Por Mbreti Zog qëndroi në të gjithë kohën, në anën e koalicionit antifashist”.
Më pas kryeministri kaloi tek roli që kanë pasur Abaz Kupi dhe nacionalistët e tjerë gjatë çlirimit të Shqipërisë nga fashizmi dhe nazizmi. “Në 7 prill 1939, forcat dhe mbështetësit e tij, të udhëhequra nga Abaz Kupi, luftuan me trimëri në portin e Durrësit. Më pas, forcat mbretërore, sërish të udhëhequra nga Abaz Kupi, vazhduan luftën për çlirimin e vendit deri në vitin e fundit të saj. Natyrisht, lufta nacionalçlirimtare mori edhe aspektin e saj vëllavrasës, siç dëshmojnë dokumente të panumërta dhe kjo vëllavrasje kishte vetëm një qëllim, të garantonte me çdo kusht Enver Hoxha pushtetin. Por legalistët, mbretërorët luftuan me vendosmëri të madhe okupatorët nazifashistë, gjatë të gjitha viteve të pushtimit. Përpjekjet e tyre, pas vendosjes së diktaturës në Shqipëri, ishin të pandërprera”,- tha dje Berisha gjatë mbledhjes së qeverisë. Duke e cilësuar luftën nacionalçlirimtare si vllavrasëse, Berisha deklaroi dje se legalistët luftuan kundër okupatorëve nazifashistë.
Kjo deklaratë e kryeministrit vjen vetëm një ditë pas 29 nëntorit, datë e shënuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë si Dita e Çlirimit, por që për kryeministrin Berisha dhe të djathtën në përgjithëse, është një ditë e zakonshme si gjithë të tjerat. E djathta nuk ka kremtuar asnjë vit 29 nëntorin duke e cilësuar si një festë të krijuar nga “komunistët” dhe për këtë arsye ai ka festuar Ditën e Çlirimit më 28 nëntor.

Berisha: “Zogu e fitoi referendumin, por i vodhën rezultatin”
Kreu i qeverisë, Sali Berisha ka deklaruar dje se forma qeverisëse që ka sot shteti shqiptar është e vjedhur pasi vendi ynë duhej të drejtohej nga monarkia, jo Presidenti i Republikës dhe Parlamenti. Gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë, Berisha u shpreh se referendumi për formën qeverisëse i zhvilluar në vitin 1997 u fitua nga Lega Zogu dhe për pasojë Shqipëria sot duhej të ishte monarki e jo republikë parlamentare.
“Dua të theksoj se edhe referendumi u bë në flakët e rebelimit komunist dhe nuk mund të konsiderohet si një çështje e mbyllur. E vërteta është se, pa diskutim, në atë referendum dominoi parimi stalinist: ju votoni, numërimin e votave jua bëj unë. Por ajo që është reale, shqiptarët votuan masivisht, nga Konispoli në Vermosh, për mbretin e tyre. Referendumi nuk e kapi kuotën, por atë e përcaktuan ata, të cilët manipuluan dy javë rresht votat e referendumit”,- tha Berisha duke lënë të kuptohet se Leka Zogu i fitoi ato zgjedhje. Madje në këtë pikë ai mori edhe meritën e organizimit të referendumit duke u shprehur: “Pas hapjes së vendit, në vitin 1997 u dekretua nga Presidenti i Republikës (në atë kohë Sali Berisha sh.r) referendumi popullor, për t’u dhënë qytetarëve shqiptarë mundësinë e përzgjedhjes së tyre”.


Kryeministri: Sot ndërroi jetë Mbreti i shqiptarëve, Leka i Parë
I larguar nga Shqipëria vetëm dy ditë pas lindjes, Leka Zogu vendosi rikthimin në vitin 1993. Duke pretenduar fronin e Shqipërisë ai zbriti në Rinas me një avion privat, por u ndalua të qëndronte në Shqipëri dhe pa u mbushur 24 orë u largua sërish. Urdhri i ndalimit u firmos nga presidenti i asaj kohe, Sali Berisha, i cili ndihej i rrezikuar nga ardhja e pretendentit për fronin mbretëror.
Por dje pas, vetëm pak orë pas vdekjes së Leka Zogut, Berisha u shpreh: “Sot në mëngjes ndërroi jetë Mbreti i shqiptarëve, Leka i Parë, në moshën 72 vjeçare. Kjo është një humbje e madhe për kombin, për vendin. Leka i Parë u kurorëzua Mbret në prill të vitit 1961, pas vdekjes së Mbretit Zogu i Parë. Ai u largua foshnje nga Shqipëria, vetëm dy ditë pas lindjes, por u rrit dhe u mbrujt me dashuri të pakufishme për vendin dhe kombin. Mbreti Leka, në të gjithë jetën e tij në mërgim, ishte mbështetës kryesor i luftës dhe përpjekjeve të shqiptarëve për liri dhe dinjitet në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi e kudo që ndodheshin. Ishte frymëzues i tyre në këtë betejë. Në vitin 2003, parlamenti shqiptar votoi ligjin, ku i njeh atributet familjes mbretërore dhe ky ishte një vendim shumë i drejtë”.


E shtuna ditë zie, Ceremonia për Zogun në sallën e Parlamentit
Qeveria shqiptare vendosi paraditen e djeshme që Leka Zogu të varroset nga protokolli i shtetit ditën e shtunë dhe kjo ditë të shpallet ditë zie kombëtare. “Sot është një ditë e veçantë, ditë tjetër, në të cilën shqiptarët humbën një nga personalitetet më të mëdha të historisë së tyre politike. Në ligjin e parlamentit, përcaktohet detyrimi i përfshirjes në Protokollin Shtetëror të Familjes Mbretërore dhe ky ka qenë një vendim shumë i drejtë. Ndaj vendi dhe kombi do ta përcjellin Mbretin Leka i Parë me nderimet e atributet që i përkasin një Mbreti jo në detyrë. Dita e shtunë do të jetë zi kombëtare me të gjithë spektrin e ditës së zisë të nivelit mbretëror”,- tha dje kryeministri Berisha. Ndërkohë në vendimin që pasoi këtë deklaratë është vendosur që 3 dhjetori të jetë ditë zie ku në të gjitha institucionet, shtetërore dhe publike, të ulet flamuri kombëtar në gjysmë shtize dhe në orën 12.00 të mbahet një minutë heshtje. Radio – Televizioni Publik Shqiptar, gjatë zhvillimit të ceremonialit, të transmetojë muzikë funebre.
Për organizimin e ceremonisë mortore të Leka Zogut qeveria ka vendosur ngritjen e një grupi që do të ketë në përbërje tre ministra. “Qeveria vendosi ngritjen e komisionit shtetëror për kryerjen e ceremonisë funebre shtetërore, në përbërje të të cilit të jenë: Edmond Haxhinasto, zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme; Aldo Bumçi, ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve; Arben Imami, ministër i Mbrojtjes; një përfaqësues i Oborrit Mbretëror Shqiptar; një përfaqësues i protokollit të Shtetit dhe një përfaqësues i protokollit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”,- thuhet në VKM. Sipas saj, ceremonia dhe homazhet do të organizohen ditën e shtunë nga ora 10.00 deri 12.00, në mjediset e sallës së seancave plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Shpenzimet e varrimit dhe të ceremonialit do të përballohen nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Kush është Abaz Kupi
Abaz Kupi (Bazi i Canes), lindi në Krujë më 1891. Ai ka punuar në krah të Ahmet Zogut dhe ka marrë pjesë në luftën kundër malazezeve në Koplik. Shërbeu si komandant i xhandarmerisë në Krujë me gradën e kapitenit. Më vonë u gradua major dhe shërbeu në Durrës. Në ditët e agresionit fashist italian kundër vendit tonë, më 7 prill 1939, Kupi ishte në detyrë në repartin ushtarak të Durrësit. Me pushtimin e Shqipërisë, u largua në Turqi. Me ndihmën e një oficeri anglez shkoi në Jugosllavi për të formuar Frontin e Rezistencës me përkrahjen e Ambasadës Angleze në Beograd. Pas pushtimit të Jugosllavisë nga gjermanet, së bashku me Gani Kryeziun e Mustafa Gjinishin, Kupi u rikthye në Shqipëri për të organizuar qëndresën kundër pushtuesit. Abaz Kupi ishte një nder organizatorët dhe pjesëmarrësit kryesorë të Konferencës së Pezës, të mbajtur më 16 shtator 1942 dhe u zgjodh anëtar i KANC. Ai u bë nismëtari i Konferencës së Mukjes të mbajtur në datat 1-2 gusht 1943 për të arritur bashkëpunimin midis Frontit Nacional Çlirimtar dhe Ballit Kombëtar.

Roli i Abaz Kupit dhe nacionalistëve të tjerë është komentuar gjatë në historinë e Shqipërisë. Për shumë vite ata janë cilësuar si bashkëpunëtorë me fashizmin ndërsa sot figura e tyre ka nisur të rregullohet me daljen në skenë të dokumenteve të kohës. Nexhmije Hoxha i ka kushtuar pjesë të tëra në librin e saj me kujtime, i cili del sot në treg, pikërisht rolit të Abaz Kupit, i cili mori dje vlerësimet maksimale nga kryeministri Berisha. Ja si e ka përshkruar Nexhmije Hoxha në librin e saj rolin e Abaz Kupit:
“…Siç është e njohur, në Konferencën e Pezës mori pjesë edhe Abaz Kupi, i quajtur edhe Bazi i Canes. Ai kishte ardhur aty me shpurën e tij prej 5-6 vetash. Kishte një trup mesatar, mund të them, të shkurtër dhe ishte më i madh në moshë se Haxhi Lleshi. Në kokë mbante një qeleshe krutane, kurse xhaketën e kishte ushtarake. Nga të gjithë nacionalistët ky qe i fundit që u largua nga Kryesia e Këshillit Nacionalçlirimtar. Ai u zgjodh edhe në Shtabin e Përgjithshëm të UNÇSH, duke bërë lojën e tij të dyzuar të një fshatari “bajraktar” analfabet, por dinak, i mësuar me intriga politike dhe aleanca fiktive, ashtu si mbreti i tij… Në Konferencë u ngritën çështje politike, për disa prej të cilave pati mirëkuptim dhe për disa të tjera u zhvilluan debate. U ngrit çështja e regjimit që do të vendosej në Shqipëri pas luftës. Një nga delegatët hodhi idenë që të shpallej si formë e regjimit “Republikë Demokratike”. Por kjo u hodh poshtë nga përfaqësuesit e Partisë Komuniste, duke e argumentuar se një parullë e tillë nuk do t’i shërbente bashkimit të të gjitha forcave në luftë, ndaj u tha: “Forma e regjimit t’i lihet popullit të vendosë”. Abaz Kupit i erdhi mirë për këtë dhe deklaroi: “Unë kërkoj Shqipnin nji herë e jo Zogun. Në qoftë se e do poplli, do të vendoset”.
Me gjithë këto debate e reagime, është fakt që edhe nacionalistët miratuan pa ndonjë vërejtje esenciale Rezolucionin që paraqiti delegacioni i Partisë Komuniste dhe që u lexua nga unë. Edhe ata delegatë që erdhën kur ishin mbyllur punimet e Konferencës, si Skënder Muço dhe Aziz Çami, pasi lexuan Rezolucionin dhe u njohën me vendimet e Konferencës, u solidarizuan me to dhe shprehën keqardhjen për arritjen e tyre me vonesë. Nacionalistët mbetën të kënaqur edhe nga zgjedhjet që u bënë në Konferencë, sepse Partia Komuniste ruajti një ekuilibër, të arsyeshëm për kohën, mes forcave nacionaliste dhe atyre komuniste. Në Këshill u zgjodhën 7 veta: Nga forcat nacionaliste u zgjodhën: Abaz Kupi, Ndoc Çoba dhe Kamber Qafmolla (ky u zgjodh në mungesë, madje, edhe Kryetar i Këshillit). Nga ana e Partisë Komuniste u zgjodhën: Enver Hoxha, Ymer Dishnica e Mustafa Gjinishi. Anëtar u zgjodh edhe patrioti e luftëtari i shquar, Myslim Peza. Siç është e njohur, me disa nga këto personazhe nuk u pamë më, ata bënë një zgjedhje tjetër, në kundërshtim me idenë themelore të Konferencës së Pezës. Kurse me të tjerët vazhduam, krah për krah, luftën kundër pushtuesve nazifashistë deri në çlirimin e vendit.

Mbështetja e ballistëve nga anglezët
Në vitin 1943 anglezët bënë shumë përpjekje për të bashkuar partizanët dhe nacionalistët në një front të përbashkët kundër pushtuesve. Këto u hodhën poshtë nga Enver Hoxha me pretendimin se disa oficerë britanikë po mbështesnin Ballistët në kurriz të partizanëve. “Kjo lidhej me luftën e atyre që, në të vërtetë, luftonin forcat antifashiste e pastaj reklamonin në BBC luftën (e paqenë të “Ballit Kombëtar”), duke fshehur lidhjet e “Ballit” me gjermanët. Edhe Bill Tilman ka shkruar për zemërimin e krerëve të LANÇ-it ndaj BBC-së, e cila vetëm më 10 korrik 1943 mori urdhër të demaskonte “Ballin” si një organizatë kolaboracioniste. Pas kësaj, anglezët u përqendruan te Abaz Kupi, por përpjekjet nuk dhanë rezultat..”,- shkruan Nexhmije Hoxha në kujtimet e saj.



Nexhmije Hoxha: Tentativat e Abaz Kupit për të kthyer regjimin e Zogut
Në këtë periudhë tremujore, gusht-shtator-tetor, të zhvillimit të ngjarjeve fitimtare në frontet e luftës kundër forcave nazifashiste, një nga çështjet që Enver Hoxha ndoqi me vëmendje të veçantë dhe me pjekuri politike, qe gjallërimi i elementëve zogistë për të kthyer regjimin e Zogut. Në një letër që i shkruante komitetit qarkor të Partisë për Tiranën, duke iu drejtuar veçanërisht Nako Spirut, i thotë: “Mora fletushkën tënde (Detit), ku prisja të më thoshe diçka për traktin që kanë hedhur Bazi i Canes (Abaz Kupi sh.r) e kompani me emrin e “Partisë nacionalzogiste”. Për këtë trakt e parti ne mendojmë kësisoj: për Bazin, ne jemi në pozita ta akuzojmë këtë si dezertor dhe që shkel besën e betimin…”.
Njihet fakti që Bazi që në Konferencën e Pezës u zgjodh anëtar i Kryesisë së Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar dhe, më 10 korrik 1943, u zgjodh anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH. Ai u thirr dhe në Konferencën II NÇl të Labinotit, por njoftoi se “ishte i zënë me punë”, kuptohet, me ngritjen e partisë zogiste, domethënë: u shkëput nga Fronti Nacionalçlirimtar, sepse kujtoi se i erdhi “dita e tij” (Shënimi im. N.H.). “Tani për tani,– vazhdon Enveri,– të mos e godasim si parti, që lufta jonë të mos degjenerojë në një luftë partish… të mos bëjmë që populli të harrojë okupatorin dhe Ballin dhe gjithë reaksionin e fshehur nën çdo maskë…
Ky trakt ka hedhur të ngjethura në kurrizin e shumëkujt që tmerrohet nga një rrezik zogist. Këta zotërinj deri tani ishin në gjumë ose përkëdhelnin idenë se Bazin e zogistët do t’i kishin si vegël për të realizuar qëllimet e tyre… gjithsecili kërkon të tërheqë jorganin nga këmbët e tij, duke kujtuar se erdhi fundi që të ndajnë plaçkën. …Përpara këtij rreziku të Zogut, këta elementë (brenda dhe jashtë partisë së Ballit) do të ndryshojnë pozita (mendojmë ne) dhe do të kërkojnë të na afrohen, se për të shpëtuar nga ai hall, ata e dinë se kush mund t’i shpëtojë, ata e dinë se vetëm Lëvizja jonë është ajo që do t’i presë këmbët çdo tentative të rikthimit të regjimit të vjetër.
Ky trakt i zogistëve vjen në një moment të keq për reaksionin, tamam kur ky përpiqej të grumbullohej me Ballin dhe të forconte pozitat e luftës kundër nesh.”. Në vazhdim të letrës, Enveri u shkruan shokëve se cili do të jetë qëndrimi ynë, si të përfitojmë… dhe u thotë se ai po shkruan një artikull dhe që do të shkruajë edhe të dytin e të tretin. Ndërsa shokët i porosiste të shkruanin një artikull për “Ballin”, duke e ilustruar me dokumente, si dhe për Fiqri Dinen, për të cilin u thotë se kemi shumë dokumente. Më poshtë Enveri shkruan: “Për të goditur Zogun, kjo do të vijë gradualisht, gjithashtu, edhe Bazin, me të cilin do të fjalosemi një herë, pastaj t’ia këndojmë dekoratat në gazetë…”. Është i njohur që ky takim me Abaz Kupin u bë në Shëngjergj të Tiranës, në shtëpinë e patriotit Ali Shtëpani, dhe Enveri e ka përshkruar bukur hezitimin dhe frikën e Bazit, që erdhi i shoqëruar nga një shpurë impresionuese, të armatosur deri në dhëmbë…


Nexhmija: Java e zezë e prillit 1939
Në librin e saj me kujtime, Nexhmije Hoxha tregon se si është pritur dhe komentuar martesa e Mbretit Zog në vitin 1938 dhe lindja e djalit Leka Zogu:
“…Një vit më parë ministri i Jashtëm i Italisë, njëkohësisht, dhëndër i Musolinit, Konti Çiano, vinte në Tiranë dhe vuloste me firmën e tij, si dëshmitar nderi, martesën e çiftit mbretëror, Ahmet Zogut me hungarezen Geraldina Appony, duke mbyllur, kështu, përpjekjet e dështuara të Musolinit për ta lidhur Ahmet Zogun me Italinë duke i dhënë për grua ndonjë nga vajzat e rretheve të aristokracisë a borgjezisë së lartë italiane. Më 30 shtator 1938 ishte nënshkruar marrëveshja famëkeqe e Munihut, mes Anglisë, Francës e Gjermanisë hitleriane, së cilës i lanë dorë të lirë të realizonte synimet e saj ekspansioniste në Europë e drejt Bashkimit Sovjetik. Komentatorët e emisioneve radiofonike të fuqive të mëdha perëndimore, sidomos BBC e Londrës, bënin fjalë për grumbullim të forcave ushtarake të Italisë në brigjet italiane të Adriatikut. Në janar të vitit 1939 regjimi i Zogut organizoi gjyqin e 73 komunistëve të arrestuar muaj më parë, kryesisht, anëtarë të Grupit Komunist të Shkodrës, që vepronte në Tiranë. Grupi kishte shtuar shumë punën për sqarimin e masave për çfarë po ndodhte në arenën ndërkombëtare dhe për rreziqet që kërcënonin Shqipërinë…
Më 4 prill u dha lajmi i lindjes së djalit të Zogut, Leka I. Autoritetet qeveritare i bënë thirrje popullit për një miting të madh para Bashkisë, për të festuar këtë ngjarje “të lumnueshme” për kombin tonë. Pjesëmarrja qe e jashtëzakonshme, por jo për të festuar lindjen e trashëgimtarit. Mitingu festiv “zyrtar” u shndërrua në një manifestim të madh popullor, sa qeveritarët nuk mundën të mbanin fjalimet e tyre, sepse nuk dëgjoheshin fare nga thirrjet e fuqishme të njerëzve: “Duam armë!”, “Duam armë!”. Kurse qeveritarët e Zogut vazhdonin të përgënjeshtronin lajmet për agresion nga Italia fashiste…

Rrëfimi i dëshmitarit: Si e rrethoi SHIK-u, Leka Zogun në Hotel Dajti në ’93

 Flamur Vezaj
Guxim Alimani është dëshmitar dhe protagonist i ngjarjes së 19-20 nëntorit 1993, të cilat ai i përmbledh me “dëbimi nga atdheu i mbretit Lekë”. Në një rrëfim të shkruar për “Shekullin”, z. Alimani thotë se “si dëshmitar i atyre 18 orëve të qëndrimit në Atdhe të Mbretit kam për detyrë të sqaroj në detaje dijen dhe përjetimin tim”.
Alimani pohon se “shumë pak njerëz mund ta kenë ditur ekzaktësisht ardhjen e mbretit më 19 nëntor 1993 në Shqipëri”. Përgatitjen për ardhjen e Lekës dhe mbërritjen e tij në Rinas Alimani e përshkruan mes të tjerash me këto fjalë:
“…Guri Durollari kishte filluar në konspiracion përgatitjet për këtë ardhje. Ai kishte prenotuar të gjithë ushtarët luksozë të parkut të delegacioneve, si dhe suitat në hotel “Dajti” duke gënjyer kureshtarët se do të vinte Nëna Mbretëreshë Geraldinë. Po ashtu, nën këtë pretekst, Durollari kishte lajmëruar dhe sponsorizuar mbërritjen në Tiranë të përkrahësve të njohur të Mbretit nga mbarë vendi. Nisja për në Rinas në mesditën e 19 nëntorit u bë e organizuar diku afër stadiumit “Dinamo”. Unë duke besuar deri dikund Gurin arrita të firmos në Ministrinë e Brendshme rreth 70 leje V.Q.A., d.m.th., për t’u futur në territorin ku uleshin avionët. Karvani i makinave ishte dekoruar me flamuj kombëtarë dhe simbole dalluese të monarkisë. Për koincidencë, pikërisht atë ditë dhe në të njëjtin orar, në aeroport do të mbërrinte kryeministri Meksi nga një pritje zyrtare në Bullgari. Avioni çarter që solli Mbretin Lekë arriti i pari. Durollari, sapo ndaloi aeroplani dhe hodhi shkallën, u ngjit lart dhe pas 2 minutash zbriti në mënyrë enigmatike me dy pasaporta në dorë. Më bëri me shenjë ta shoqëroja dhe së bashku u drejtuam në sportelin e policisë kufitare aeroportuale. Miqtë e mi, Çezar Tare dhe Lulëzim Shala, që drejtonin atë kohë policinë e Rinasit më panë me habi tek panë pasaportën e Mbretit Lekë. Ajo ishte një pasaportë ndërkombëtare diplomatike e lëshuar në emër të Mbretërisë Shqiptare. Nuk jam as sot i sqaruar nëse kishte konotacion ndërkombëtar kjo tip pasaporte, por di që ithtarët dhe njerëzit shumë afër Mbretit në emigracion dispononin nga një të tillë (…) Gjithsesi vlen të përmendet se pasaportat e Mbretit Lekë dhe ministrit Abedin Mulosmanaj u vulosën për hyrje legale në territorin e Republikës se Shqipërisë…”
Më pas, Alimani rrëfen se si karvani me Leka Zogun dhe mbështetësit e tij u nis për Tiranë. “Mbreti Lekë de fakto për herë të parë shkelte dhe tokën arbënore, pasi dihet që në largimin e Familjes Mbretërore më 7 prill 1939, ai ishte vetëm një i porsalindur disa orësh. Kështu që do të duhej një penë “alla Kadare” dhe jo imja të mund të bënte një deskripsion afër reales së emocionit të Mbretit dhe besnikëve të tij që e patëm tyre atë ditë të zymtë nëntori 1993. Atë mbrëmje të 19 nëntorit 1993, hotel “Dajti” ku u akomodua Mbreti Lekë u kthye në shtëpinë e monarkistëve Shqiptarë. Mbreti u vendos në suitën nr. 214 të hotelit, më e mira që gjendej. Durollari e kishte prenotuar herët dhomën duke i thënë njëfarë ofiqari të hotelit me emrin Spartak Topollai se e donte për z. Abedin Mulosmanin. Arritja e Mbretit Lekë në hotel, siç do ta merrja vesh pak kohë më vonë, kishte shkaktuar tronditje në qarqet qeveritare dhe më tutje…”
Lidhur me atë që ndodhi më pas në hotel “Dajti”, Guxim Alimani ka një rrëfim edhe më të detajuar në një monografi kushtuar ish-ministrit të oborrit mbretëror, Abedin Mulosmanaj. Më poshtë, rrëfimi i z. Alimani për natën e vështirë në hotel “Dajti” dhe jo vetëm:
“…Për atë datë, unë kam shkruar pa mbarim, si dhe do të shkruaj sërish, pasi mendoj se akoma ka enigma që e mbështjellin atë natë të zezë për qeverinë e post diktaturës së atëhershme. Në librin tim “Fenillotage” – “18 orë pranë mbretit”, menjëherë pas asaj ngjarjeje me realizëm dhe dhimbje njëkohësisht kam përshkruar çdo detaj, prandaj nuk dua t’iu rikthehem të gjithave… Gjithsesi nuk mund të lë pa treguar rolin dhe cilësitë e veçanta të Ministrit Mulosmanaj, të cilat me gjithë fuqinë e tyre u shpalosën në dy ditët e zisë kombëtare të obligimit të largimit të largimit të Mbretit Lekë nga Shqipëria. Ky largim i dytë askush nuk mund të ma argumentojë se ka vetëm një tjetër precedent të mëparshëm, atë të 7 prillit, kur fashistët italianë e detyruan Madhërinë e saj Geraldinë të linte Shqipërinë me Princin Trashëgimtar – sot N.M.T Leka 1 vetëm pak orë të sapolindur. Siç e kam bërë shpesh herë përshkrimin e asaj nate makabre, kur gjysma e atdhetare e Shqiptarëve nuk fjeti aspak, Abedin Mulosmanaj kishte një rol të dorës së parë.
Duke u rrethuar në pabesi me suitën në dhomën Nr: 214 të hotel “Dajtit” nga forcat policore, shik-se dhe gardiste, Mbreti Lekë, Ministri Mulosmanaj u ndodhën në një situatë kritike, ku çdo vendim i nxituar pillte vëllavrasje apo edhe diçka më tepër. Shërbimet e huaja prezente e aktive në Tiranë, duket se do të mundnin ta shfrytëzonin në favorin e tyre këtë situatë, ku GJAH i majmë për ta, pritej të bëhej Mbreti i Shqiptarëve. Dhe faji dhe faqja e zezë do të binin tek shqiptarët, së bashku me pasojat e llahtarshme. Ky skenar falë gjakftohtësisë së gjykimit, si dhe trimërisë së pashoqe të mbretit dhe besnikut të tij, Abedin Mulosmanaj, do të përfundonte pa u kryer për t’i shpërthyer në duar z. Berisha në pranverën e vitit 1997. Sapo gjenerali Agim Shehu, drejtues i këtij Operacioni, do të fillonte ekspeditën, fjalët dhe veprat e Abedin Mulosmanajt qenë të prera dhe të guximshme: “Mbreti i Shqiptarëve, dokumentet e tij, Suita dhe gjithçka mban me vete janë të shenjta dhe nëse dikush guxon t’i prekë do të ketë pasojat më të rënda”.
Burri i fortë, thotë populli, e gjen vetë partnerin e burrërisë. Kështu ndodhi dhe atë mëngjes pas mesnatës së 19 nëntorit. Pasi kishin lënë Suitën e Mbretit për të pushuar ndonjë çast, kur shoferi i PLL-së, Ilir Xhudollari, trokiti në portën time duke më komunikuar thirrjen urgjente të Ministrit Mulosmani. Menjëherë iu gjenda pranë dhe nuk duhej shumë për të hetuar tek ai situatën e dyzuar që e dominonte. Agim Shehut i kishte ardhur në ndihmë një tjetër stërvinë, i quajtur Rexhep Karapici, i cili asokohe i printe SHIK-ut të Tiranës e që më vonë u shndërrua në një kundërshtar edhe të vetë Presidentit Berisha.
Abedini nuk pranonte të zgjonte Mbretin para orarit të zakonshëm, jo se situata nuk diktonte, por se burri i bjeshkëve nuk pranonte sfida spurdhjake, qofshin edhe të veshura me pushtet. Shkëmbyem me Ministrin disa fjalë, të cilat vetëm në një botë tjetër do t’i rikonsumojmë dhe në atë mëngjes të datës 20 rreth orës 3:20 zgjova menjëherë prej gjumit mikun tim Azem Hajdari.
Nuk dua të përmend dialogun, por mund të them se Azemi qe mik dhe simpatizant i Abedinit, të cilin e çmonte shumë. Ndoshta jo vetëm vendlindja, por më shumë cilësitë e rralla e të veçanta e kishin bashkuar me Abedinin. Sapo mbërrita në dhomë paralelisht ra edhe zilja e telefonit të Azem Hajdarit duke ftuar gjeneralin kasnec Agim Shehu në anën tjetër të receptorit: – Alo, jam Azem Hajdari, mos tento të prekësh Mbretin dhe Abedin Mulosmanin se më ke qysh tash krah tyre! Ata siç kanë ardhë do të lëshojnë Shqipërinë, por turpin do ta mbajmë ne.
Dhe vërtetë, Mbreti u largua për t’i lënë pozitës së atëhershme një njollë të zezë pis sa vetë nata që vijoi për të jo pa shumë pasoja…”


Kush është Guxim Alimani
Ka kryer studimet e larta në Universitetin e Tiranës, në vitin 1996 në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, dega Frëngjisht. Në vitin 1991 ishte redaktor në Radio Tirana, emisioni për bashkatdhetarët. Nga viti 1993, deri në vitin 1999, Alimani ishte kryeredaktor i gazetës “Atdheu”, organ i Partisë Lëvizja e Legalitetit. Po në këta shtatë vjet ka drejtuar Dhomën e Tregtisë belgo-shqiptare. Prej vitit 2001, është atashuar pranë një grupi monitorues të Krizave dhe Proceseve Integruese, iniciuar nga Bashkimi Evropian, ku kryen detyrën e adjutantit. Është botuesi i disa librave me monografi kryesisht të Mbretit Zog, familjes mbretërore. Vazhdon të merret njëkohësisht edhe me publicistikë.

Blushi: Rikandidimi i Rames, gafe politike e njeriu megalloman

Nje prej figurave me perfaqesues te opozites shqiptare, Ben Blushi, ishte i ftuar ne Top Channel ku trajtoi ceshtje te shumta te aktualitetit, si ekonomia, politika, zgjedhjet e 2009-s e 2011-s, programin politik i PS-se, zhvillimet e fundit brenda socialisteve, por edhe te tjera si vdekja e Leka Zogut apo libri i tij dhe ai i Edi Rames.

"Rama s'duhet te kishte kandiduar dhe eshte e qarte qe kjo ishte nje gafe politike. Ne i thame qe s'duhet te kandidonte, por me ate qe beri, ai tregoi se nuk pyet njeri. Shpresoj te kete kuptuar se askush s'eshte i pazevendesueshem. Kete pohim e zbuloi mbreme ne interviste per Top Channel, Ben Blushi, anetar i Kryesise se Partise Socialiste dhe deputet i Kuvendit. Ne ate qe ishte pjesa me interesante e bashkebisedimit, Blushi leshoi kritika konkrete ndaj Rames, duke e konsideruar vendimin e tij per te kandidatuar per nje mandat te kater ne zgjedhjet bashkiake te majit si nje prej "gafave" me te medha politike te bera ndonjehere prej Rames. "Ne 2011-n, nuk mendoj se kemi humbur, por keto zgjedhje nuk duhen lexuar si zgjedhje te verteta politike, edhe pse ishim ne qe u perpoqem t'i jepnim kete fryme. Shqiptaret nuk votuan politikisht. Kjo ndodhi dhe ne Tirane, te pakten deri ne diten e fundit, ne 14 maj. Me duhet ta them per here te pare, por Tirana jetonte ne depresion vitet e fundit, nga depresioni i nje sanduici mes qeverise dhe Partise Socialiste. Qyteti mendonte se po sakrifikohej ne nje lufte politike dhe per kete arsye nuk pastrohej mire, s'kishte shume investime, vende parkimi, etj., qe nuk i vlejten Rames dhe PS-se". Ne kushte te tjera, patjeter qe do te kishim me pak vota. Dhe ne kushtet e koalicioneve po ashtu, - tha Blushi.

Duke theksuar se Rama s'duhet te kishte kandiduar dhe se kjo ishte nje gafe politike, z.Blushi shtoi: "Ne i thame qe s'duhet te kandidonte, por me ate qe beri, ai tregoi se nuk pyet njeri. Tregoi se deshiron me shume pushtet nga ai qe i takon, jo atij, por kujtdo prej nesh. Ne 2013-n do te jete kandiat per Kryeminister dhe me kete ai i tha shqiptareve qe mund t'i beje te gjitha. Duke u futur vete ne zgjedhje, tregoi nje akt megallomanie. Nje koment qe beri ai, ishte se, "pervec meje ne PS s'ka kandidate te tjere", por kete koment une s'mund ta pranoj. Kete se pranoj per askend, as per vete. Cdo njeri zevendesohet dhe kjo ndonjehere mund te kete efekt te mire".

Levizja e Mendimit Ndryshe

Deputeti Blushi foli edhe per kritikat e forta qe ka adresuar kunder lidershipit te PS-se, sidomos pas zgjedhjeve te 2009-s dhe ne fillim te 2010-s. "Ka patur njerez qe me kane thene pse kritikon me shume PS-ne se sa qeverine? Ka patur moskuptime nga 2009-2010 pse une dhe koleget e mi e benim kete gje. Ne 2009-n kam pyetur veten, ku po shkojme? Presioni qe vinte nga shumica e PS ishte shume radikal dhe shume perjashtues. Nuk u largova dhe zgjodha heshtjen. S'e bera se nuk doja te ndihmoja Saliun dhe zgjodha t'i jap kosto profilit tim politik. Nese e famshmja LMN do vazhdonte, sot do kishim parti tjeter, te vogel te majte por te padobishme, mund te ishte shume e dobishme vetem per Saliun, jo per PS-ne", deklaroi Blushi.

Itenerari i Blushit ne PS

Deputeti socialist tha se eshte itinerar shume i gjate dhe shtoi: "Une nuk jam terhequr, por kam dhene doreheqjen ne 2007-n. Preferova te marr ate deshtim edhe pse nuk kisha asnje pergjegjesi. Gjashte socialiste votuan per Topin dhe une dhashe doreheqjen per shkak te moralit. Atehere isha nje nder 40 e ca deputetet e PS". Blushi thekson se me tej vendosi te merrej me letersi dhe shtoi: "Pas 30-40 vitesh, ne jeten time s'do te kete rendesi doreheqja, por librat po".

Kurse duke folur per vitin 2009, tha se ka patur "nje keqkuptim te madh per shkak te tensionit dhe panikut qe na kapi te gjitheve" dhe vijoi: "Nuk menduam se do te ishim perseri ne opozite. Kishim bindje te madhe dhe frymezim per ardhjen ne pushtet. Mungesa psikologjike na futi ne nje tunel, dhe ku s'ka drite, njerezit zihen, i vene sterkembesh njeri-tjetrit. Une them edhe sot qe ne 2009-n, nuk ishin te gjitha arsyet e humbjes ne kuti. Rama thote te kunderten. Ky eshte ndryshimi yne. Humbja nuk u kushtezua vetem nga manipulimi, por edhe nga mungesa e nje programi te besueshem, realist, funksional, te vertete dhe koalicionet e gabuara. Per keto arsye duhet te merrte pergjegjesi si kryetar", - theksoi z.Blushi.

Tuesday, November 29, 2011

Vdes kryeministri i fundit i ish-Jugosllavisë


Ka ndërruar jetë në moshën 88-vjeçare, kryeministri i fundit i epokës së ish-Jugosllavisë, Ante Markovic.
Markovic u emërua në postin e kreut të ekzekutivit në vitin 1989 dhe realizoi shumë shpejtë një seri reformash ekonomike, të cilat ngritën standartin e jetesës dhe ulën inflacionin.
Markovic dha dorëheqjen nga posti i tij në vitin 1991, kur Jugosllavia kishte filluar të shpërbëhej dhe pak kohë më vonë u tërhoq plotësisht nga politika.

SHBA, vdes vajza e vetme e Stalinit


Svetlana Alliluyeva
Vajza e vetme e diktatorit Sovjetik Josef Stalin ka vdekur në moshën 85 vjeç nga kanceri në zorrën e trashë në SHBA. Svetlana Alliluyeva, gjithashtu njihej si Lana Peter, vdiq me 22 nëntor, shkruan BBC.
Largimi i saj nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1967 ishte një motiv për propagandën e SHBA-së. Ajo ka shkruar katër libra, ku dy ditarët u kthyen në bestseller. Por ajo iu mund ti largohej hijes së babait.
Ajo është shprehur se u largua nga Bashkimi Sovjetik pasi atje nuk kishte mundësi për tu realizuar. Gjithashtu një tjetër motivim ishte trajtimi jo i mirë ndaj burrit të saj të fundit, Brijesh Singh.
Ajo shkoi në  Indi në vitin 1966 për të hedhur hirin e Singh dhe prej andej refuzoi kthimin në Bashkimin sovjetik dhe hyri në ambasadën e SHBA-së ku kërkoi azil politik.
Vajza e Stalinit dogji pasaportën, denoncoi komunizmin dhe babain e saj, të cilin e quajti “një monstër moralist dhe fetar”. Përveçse denoncoi regjimin e Stalinit, ajo fajësoi liderët e tjerë për dërgimin e miliona punëtorëve në kampe.

Sulmi te “Kurban”, Rama: Intelekualët, spiunë e puthadorë

Kreu i PS akuzon intelektualët e “Iniciativa për Tiranën”.    Përgjigjen Ciko, Luarasi, Çashku, Kasoruho e Kule.
“Iniciativa për Tiranën”, Rama: Janë puthadorë oborresh.
“Zhani Ciko denoncon opozitën siç dëshmoi  në gjyqin kundër tenorit Lukë Kaçaj në 1973”
Në librin e fundit “Kurban”, Edi Rama nuk ka lënë jashtë komentit të tij edhe “Iniciativën për Tiranën”, një grupim intelektualësh të njohur të kryeqytetit, të cilët gjatë fushatës zgjedhore të 8 majit për pushtetin vendor tentuan të ndërtonin një debat mes dy kandidatëve, Lulzim Basha dhe Edi Rama. Kreu socialist, ish-kryetari i Bashkisë së Tiranës, nuk iu përgjigj kësaj ftese, ndërsa Lulzim Basha mori pjesë në të gjitha takimet e hapura publike që “Iniciativa” organizoi për çështjet që kishin të bënin me qytetin dhe të ardhmen e tij. Rama, jo vetëm e injoroi këtë grupim intelektualësh, por i etiketoi pjesëmarrësit e kësaj iniciative si “sazexhinj” dhe “ahengxhinj” të pushtetit, ndërsa Basha paraqiti në të gjitha takimet vizionin e tij dhe projektin për Tiranën.
Sikur sistemi ku jetojmë sot të përfshinte edhe mundësinë e burgosjes apo të pushkatimit të opozitarëve, ky soj provincial “intelektualësh” që me përmbajtjen e fjalës intelektual s’kanë asnjë lidhje, do të bënin pa ndrojtje e as përtesë të njëjtën gjë që kanë bërë, do të dilnin në gjyq për të thënë ato që do t’u kërkonte pushteti kundër opozitës, njësoj siç firmosin sot ato që ua shkruajnë zyrat e propagandës së pushtetit, për të krijuar perceptimin se opozita që proteston kundër qeverisë ka dalë nga binarët e interesave kombëtarë apo qytetarë e prandaj ka edhe ajkën e shoqërisë kundër saj. Në fakt, kjo s’është ajka, po hirra e shoqërisë, hirra e regjimit të vjetër që mblidhet në tepsinë e çdo pushteti dhe sa më jodemokratik pushteti, aq më të zellshëm këta spiunë e denonciatorë dje shpirtshitur prej frikës gëluese në bark, ndërsa sot ku e ku me turp, sepse ku e ku më kollaj të thuash jo, të vetëpërdorur thjesht për një karrige, një shpërblim, një honorar, një nderim a qoftë edhe një buzëqeshje nga tutori i mëkateve të tyre të vjetra e i dobësive të tyre të pashërueshme. Kur sheh ekspozetët e gjyqit të Maks Velos a të bartësve të tjerë të shfaqjeve të huaja që u përplasën dje me unitetin e çeliktë e uniformitetin prej graniti të Partisë së Punës dhe gjen emra që sot i paraqiten publikut si zëra e figura të shquara të kulturës kombëtare apo të shoqërisë demokratike, të cilët riciklojnë veten mu si mbeturinat urbane në landfild-in e shërbesave proqeveritare, të ngrihen zorrët në fyt e të vjen një ndot i pangushëllueshem, karagjozë me pagesë që s’kanë asnjë brerje ndërgjegjeje, teksa turpin e hanë me bukën e pushtetit duke fërkuar plëndësin e nginjun.
S’më ngushëllon hiç, as ç’ka po them, nga shumë fjalët që meriton soji i tyre, i llojit mos e prek se qelbet, po akoma më jongushëlluese më duket heshtja e vazhdueshme karshi kësaj skote hyzmeqarësh të oborrit të pushtetit, që bubërrojnë në prehjen e batakut të patrazuar të mediokritetit të tyre pompoz, duke u shfaqur në ekrane, gazeta e skena publike si bartës të angazhuar të fateve të kulturës e të shoqërisë dhe duke shëtitur me buzëqeshje në dorë e gotë në buzë nëpër çdo turmë të përzgjedhur qokash e zijafetesh zyrtare. Kur i sheh, të duket sikur asgjë s’ka ndryshuar qysh prej viteve të para të shtetit shqiptar, ashtu siç i kemi njohur prej leximeve nëpër kujtimet e hidhura të mendjeve të mençura të këtij kombi a në përshkrimet e goditura të penave të talentuara që e kanë prekur batakun e konformizmit turkoshak të të ashtuquajturave elita intelektuale shqiptare, ndërkohë që intelektualët e mirëfilltë, ata të vyerit që s’i kanë munguar asnjëherë kësaj toke, kanë vuajtur, si rregull, të gjithë po njësoj pasojat e të njëjtit zell shtetshërbyesish të zgjyrosur, spiunë, denonciatorë, puthadorë oborresh si nën mbretëri e diktaturë, si në demokraci. Mes shpurës së “intelektualëve” të oborrit ka shumë shembuj çmeritës të atij, që Hannah Arendt e quan banaliteti i së keqes, dihen, njihen tanimë, çka i bën të parespektueshëm edhe si njerëz e jo më si intelektualë. Nuk është çfarë kanë thënë të shtrënguar prej frikës e kërcënimeve në kohën e barbarisë proletare, kur jo gjithkush mund të ishte heroik në kurajë e qëndresë siç qenë ata që edhe më pas, në kushtet e lirisë, vazhduan të flasin publikisht çka u thotë koka e tyre, Simon Jubani, Zef Pllumi, Spartak Ngjela, Daut Gumeni, Fatos Lubonja, Kurt Kola apo ndonjë tjetër, po pikërisht kërrusja deri në tokë e kurrizit për t’u kthyer në piedestal ku vë këmbët pushteti i radhës edhe pas shembjes së diktaturës komuniste, e sa më i pafytyrë në vrazhdësinë e vet pushteti, aq më përunjësisht i kërrusur kurrizi.
Kjo lloj shërbese e ulët kundër interesave të shoqërisë e në antitezë me çdo vlerë demokratike, e ngjashme në shekullin XXI me punën e skllevërve që mbanin krahësh sundimtarët e skllavopronarët e kohëve të vjetra, i bën akoma më të fajshme se ç’ishin edhe spiunimet e denoncimet e djeshme të shërbëtorëve të sotëm të sundimtarit Sali, them Sali sepse në kohën e qeverive socialiste këta servilë të lindur s’i trembte askush tjetër veç hijes së tyre. Fjala vjen, dëshmia tronditëse në gjyqin komunist e drejtorit aktual të Teatrit të Operës e Baletit, Zhani Ciko, për burgosjen politike të tenorit të madh Llukë Kaçaj në vitin 1973, ku Zhani mbrojti partinë nga armiku Gjergj Fishta, për të cilin i gjori Llukë i kishte thënë se e konsideronte poet të madh kombëtar, tingëllon edhe më e shëmtuar sot që Zhani shërbesat proqeveritare i bën sa herë i kërkohen, duke denoncuar opozitën publikisht si destruktive, kur protestat e saj tronditin oborrin e pushtetit, duke mbajtur fjalime para premierave të Operës për rolin e pazëvendësueshëm të Kryeministrit e familjes së tij, apo madje të vetë spikeres Jozefinë në rimëkëmbjen e muzikës skenike shqiptare, apo duke u rreshtuar për të kënduar ariet e vrazhda të pushtetit në korin e mbështetësve të fushatës së një kandidati qeveritar për Bashkinë e kryeqytetit, pak muaj pas vrasjes së katër njerëzve të pafajshëm në bulevardin e Tiranës nga pushkët e shtetit që këtë kandidat e kishte ministër të Brendshëm. EDI RAMA

Ciko: Libri, një farsë që po përgënjeshtrohet

Grupimi i intelektualëve “Iniciativa për Tiranën”, gjatë një takimi në ditët e fushatës elektorale për kreun e Bashkisë së Kryeqytetit
Intelektualët e cilësojnë fyes librin e kryesocialistit Edi Rama
Reagon drejtori i TKOB: Ky zotëri, ose të flasë me dokumente , ose të mos përgojojë njerëzit kot më kot.
Nuk e kanë blerë librin “Kurban” të kryetarit të PS-së, Edi Rama dhe, me aq sa deklarojnë për gazetën “Panorama”, as nuk kanë ndër mend ta lexojnë. Bëhet fjalë për intelektualët e grupimit “Iniciativa për Tiranën”, që pavarësisht bindjeve politike, u mblodhën në maj të këtij viti nga kandidati demokrat për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, aktualisht kryetar, në mënyrë që të jepnin mendimin e tyre për zhvillimin e kryeqytetit. Këto personalitete Rama i ka shënuar me thonjëza “grusht intelektualësh” dhe janë fyer direkt apo indirekt në libër, ku ndër të tjera, i thekson si “hyzmeqarë të pushtetit, hirrë e regjimit të vjetër, puthadorë oborresh, spiunë, denonciatorë, shpirtshitur etj.”. Më i “prekuri” ndër ta dhe me emër konkret ka qenë Zhani Ciko, ku në faqen 315 të librit Rama e paraqet atë me të gjitha “cilësitë” që përmendëm më lart dhe ca të tjera shtesë. Për të gjitha këto, Ciko është i informuar nga miqtë, e megjithatë vetë nuk e ka blerë librin. Sepse për të, i gjithë botimi për të cilin kreu socialist pretendon se gjithçka e shkruar aty është e vërtetë, në fakt është një farsë. “Nuk e kam lexuar librin, por me ato që kam dëgjuar dhe po më lexoni ju, rreshtat ku flitet për personin tim, nga fundi gjer në krye, janë një shpifje e Edi Ramës, për mua dhe jo vetëm. Çdo ditë po i dalin persona të cilët ai i ka përmendur në libër dhe po ia hedhin poshtë ato që ka shkruar. Pra, libri i tij po përgënjeshtrohet”, thotë Ciko për gazetën “Panorama”. Sipas tij, Edi Rama nuk ka nxjerrë në qarkullim një libër, por fantazi të tij. “Ky zotëri, ose të flasë me dokumente, me faksimile, ose të mos përgojojë njerëzit kot më kot, siç ka bërë deri më tani. Për sa u përket prononcimeve të mia si qytetar dhe njeri i artit në kuadrin e iniciativës për Tiranën, apo ndonjë rast tjetër, ato kanë qenë korrekte, vetëm për problemet që më shqetësojnë, pa u përpjekur të fyej ndonjërin që nuk e ka quajtur të vlefshëm dëgjimin e mendimit tim të pavarur dhe për ato probleme ku më jep të drejtën e prononcimit stazhi im i gjatë në punë, vullneti dhe ndershmëria qytetare”, thekson Ciko. “Grushti i intelektualëve”, të cilëve u referohet Rama, janë 31 personalitete, ku ndër ta po kujtojmë panelin e emrave të njohur, si: Aleks Luarasi, profesor; Adrian Civici, ekonomist, financier dhe pedagog në UET; Zhani Ciko, drejtor i TKOB; Valentina Kuka, pedagoge në UT; Halim Kosova, mjek i njohur; Jera Kruja, mjeke neurologe; Neritan Ceka, arkeolog; Nevila Nika, historiane; Bujar Kapexhiu, pedagog në UET; Artan Lame, inxhinier; Dhori Kule, rektori i UT; Zef Preçi, ekonomist; Kujtim Çashku, pedagog; Besnik Aliaj, inxhinier etj.
Zhani Ciko: Shpifje fund e krye
“Çdo ditë po i dalin persona të cilët ai i ka përmendur në libër dhe po ia hedhin poshtë ato që ka shkruar. Pra, libri i tij po përgënjeshtrohet, është totalisht një farsë. Edi Rama nuk ka nxjerrë në qarkullim një libër, por fantazi të tij. Ky zotëri, ose të flasë me dokumente, me faksimile, ose të mos përgojojë njerëzit kot më kot, siç ka bërë deri më tani. Nuk e kam lexuar librin, por me ato që kam dëgjuar dhe po më lexoni ju, rreshtat ku flitet për personin tim, nga fundi gjer në krye janë një shpifje e Edi Ramës”.
Kujtim Çashku: Nuk i bëj publicitet Ramës
“Ju më pyesni nëse e kam lexuar librin, unë po të përgjigjem ndershmërisht që nuk e kam lexuar dhe nuk do ta lexoj. Kam arsyet e mia për këtë. Sa i përket reagimit tim lidhur me atë çfarë kam marrë vesh indirekt se çfarë është shkruar, nuk dëshiroj të komentoj për asnjë fjali. E para, sepse nuk mund të replikoj për diçka që nuk e kam lexuar vetë.
Dhe e dyta, sepse nuk jam unë njeriu që duhet t’i bëjë publicitet Edi Ramës. Nëse do të kem diçka konkrete, do të përdor replikën e gjatë në gazetën tuaj, por nuk besoj se kjo do të ndodhë. Jua thashë, nuk bëj reklamë unë”.
Aleks Luarasi: Nuk e lexoj Edi Ramën
“Unë nuk jam për pjesën që të zhvillojmë polemika politike me një libër, pasi nuk jam përfshirë asnjëherë në të tilla raste dhe nuk kam ndërmend ta filloj tani. Sa i përket prezencës sime në tryezën me intelektualë ‘Iniciativa për Tiranën’, nuk jam penduar pse kam marrë pjesë. Unë dhashë kontributin tim për zhvillimin e Tiranës, pa asnjë lloj ndikimi politik, dhe u qëndroj të gjitha atyre që kam shprehur në tryezë. Nuk e di se çfarë ka shkruar konkretisht Edi Rama në librin e tij ‘Kurban’ dhe, drejt të them, nuk kam ndër mend që të mësoj më gjatë, apo ta lexoj. Pavarësisht që qenkam bërë pjesë e librit, direkt apo indirekt, vërtet që nuk e di, unë nuk kam ndër mend të bëj replika”.
Amik Kasoruho: “Edi Rama të kërkojë falje publike”
“Nuk e kam lexuar librin e Edi Ramës dhe nuk kam ndër mend ta lexoj. Para disa kohësh e kam sfiduar publikisht për këtë gjë dhe i qëndroj kësaj sfide: ‘Edi Rama, unë ju sfidoj në emër të vuajtjes së qindra njerëzve gjatë diktaturës! Publicistikën tuaj të viteve ‘90 e lexoj ndryshe sot… Ju nuk keni më lidhje me mendimin që kisha dikur për një djalë me emrin Edi Rama, në fillim të viteve ’90, kur merrte përkrahu Kasëm Trebeshinën dhe e nxirrte në tribunat, në ditët e përpjekjeve kundër diktaturës, në emër të lirisë dhe të të drejtave të njeriut’. Po ashtu, jam ende në pritje që Edi Rama të kërkojë falje publike për atë se çfarë shkaktoi me sjelljen dhe udhëheqjen e tij në demonstratën e 21 janarit”.
Dhori Kule: “S’i shpenzoj paratë kot me librin e Ramës”

“Pas kaq muajsh nga “Iniciativa për Tiranën”, më vjen shumë mirë që kam qenë pjesë e asaj tryeze intelektualësh për t’i shërbyer kryeqytetit dhe dhashë mendimin tim se si e dëshiroj atë. Unë nuk kam qenë ndonjëherë shërbëtor i pushtetit, por kam qenë dhe do të jem gjithmonë shërbëtor i Tiranës, ashtu siç isha në atë tryezë. Sa i përket botimit të Edi Ramës, unë nuk kam kohë të pavlerë që të blej libra kot, që përmbajnë defekte psikologjike në gjykimin e personave dhe jo vëzhgime reale. Isha në Panairin e Tiranës dhe mora libra që më shërbejnë për punën e sigurisht që bleva dhe nobelistë, por nuk mund të fusja në bibliotekën time librin e Edi Ramës. Si ekonomist, nuk harxhoj as kohën e as paratë kot”.

Djali i Hrushovit: Të fshehtat e vizitës së babait, Enveri donte pushtetin

“Babai kërkonte që Blloku Lindor të operonte si një treg i përbashkët ekonomik”
Prej 19 vitesh, ai jeton në Amerikë, ku jep leksione në universitetin “Brown”, si dhe në Kolegjin Ushtarak të Akademisë Navale në New Port. Në Amerikën “imperialiste”, armiken e kahershme të ish-Bashkimit Sovjetik. Sergei Hrushov, i biri i udhëheqësit sovjetik Nikita Hrushov, ka dhënë për herë të parë një intervistë për shqiptarët. Dy të diela rresht, në emisionin “Exclusive” në Top Chennel është transmetuar kjo intervistë që ai ka dhënë për Auron Taren. Hrushov flet për të atin, reformat e tij, por edhe për Shqipërinë, vizitën e të atit, marrëdhëniet me Enver Hoxhën dhe më pas prishjen e marrëdhënieve. Më poshtë, pjesa ku Krushov përqendrohet te marrëdhëniet shqiptaro-ruse.
A mund të na tregoni më shumë mbi fjalimin sekret të Kongresit XX në 25 Shkurt të 1956? Të gjithë e njohim tashmë këtë fjalim, që u mbajt sekret për një kohë. A mund të na thoni diçka më shumë mbi këtë histori, nëse mbani mend se çfarë ndodhi më pas?
Unë nuk dija asgjë mbi tmerret e Stalinit. Isha rritur si gjithë të tjerët me propagandën e tij dhe, kur dëgjova mbi fjalimin në Kongres, isha i shokuar si të gjithë.
Pra, ju nuk kishit dëgjuar asgjë në shtëpinë tuaj mbi krimet e tij?
Jo, ne kurrë nuk kishim dëgjuar ndonjë gjë të tillë. Duhet të dini se përgatitjet për këtë fjalim, ku krimet e Stalinit u ekspozuan për herë të parë, kanë qenë shumë të komplikuara. Babai im mendonte se ishte e pamundur që këto gjëra të mbaheshin të fshehta dhe të mos i tregoheshin popullit sovjetik. “Nuk mund të vazhdohej duke i mbajtur njerëzit në errësirë”, thoshte ai. Duhej t’u tregohej e vërteta. Por duhet të them se ai kishte një kundërshtim të ashpër nga stalinistët, si: Molotovi, Kaganovichi apo Voroshilovi. Në fund ata ranë dakord që ta lejonin Hrushovin për ta mbajtur
Sergej Krushov me të atin
fjalimin, por me një kusht, që ky fjalim të ishte sekret. Hrushovi nuk donte që ky fjalim të mbahej sekret, por e  pranoi këtë pakt, duke thënë se ky fjalim do të ishte vetëm për Komitetin Qendror dhe Kongresin. Pastaj, pas Kongresit në një mbledhje tjetër, ai u tha atyre: Po si mund ta mbajmë ne këtë fjalim të fshehur nga anëtarët e partisë sonë? Kështu ai insistoi që ky fjalim t’u lexohej 6 milionë anëtarëve të partisë dhe, kur kundërshtarët pranuan, ai vazhdoi duke thënë: A mundet që ta mbajmë këtë fjalim të fshehur nga rinia jone? Komsomoli? Rinia do të na zëvendësojë një ditë. Kështu që ky fjalim u lexua edhe për 18 milionë komsomolas. Në fund fare, ai tha: “A e shikoni që kjo mënyrë e të vepruarit tonë është problematike? Duket sikur ne nuk e besojmë qytetarin tonë sovjetik”. Kështu që ky fjalim iu lexua të gjithë atyre që dëshironin ta dëgjonin. Në atë kohë, ky dokument nëpërmjet Shërbimeve Sekretë u ra në dorë amerikanëve. CIA dhe Allen Dulles vendosën që ta publikonin këtë fjalim në “New York Times”. Interesant është fakti që në atë kohë dukej sikur Allen Dulles, shefi i CIA-s dhe Hrushovi kishin të njëjtin qëllim. T’ia zbulonin krimet e Stalinit botës mbarë. Ky fjalim nuk ishte sekret, të gjithë e dinin, e kishin lexuar, por ekzistonte një problem i madh, pasi konservatoret nuk donin ta besonin që Stalini i parë si një perëndi, tani akuzohej si kriminel. Për shumë njerëz ishte mjaft e vështirë që ta besonin këtë gjë. Ata më shumë ishin të gatshëm të besonin se ky fjalim nuk ishte i vërtetë. Për këta njerëz ishte sikur të shkonin në kishë dhe aty t’u thuhej se Zoti nuk ekziston, zoti yt, imi apo Allahu nuk ka rëndësi. Çfarë ndodhi me Hrushovin në këtë kohë? Nga njëra anë konservatorët e sulmonin për këtë fjalim, nga ana tjetër liberalët i thoshin se kjo nuk ishte e mjaftueshme dhe ai nuk duhej të ndalonte këtu. Duhet më shumë e më shumë thoshin ata. Më kujtohet se atë kohë e pyeta babain se përse nuk ndëshkoheshin këta njerëz që kishin kryer këto krime. Ai më thoshte se njerëzit e përfshirë në to ishin me mijëra dhe, nëse do të donim t’i ndëshkonim, më shumë gjak do të derdhej, prandaj më mirë ishte që t’i ekspozonim këto krime dhe të tregonim të vërtetën. Nuk di të them nëse historia do ta gjykojë nëse ai kishte të drejtë apo gabim, këtë çështje e kam shkruar edhe në librin tim. Ndoshta nga pikëpamja historike mund të mos thuhej asgjë, ashtu siç bënë kinezet me Mao ce Dunin. Mao ce Duni ishte një kriminel më i tmerrshëm se Stalini, por Kina ende e ka portretin e Maos në sheshin “Tianmen”. Portreti i tij është në monedhat e vendit. Por atje nuk e diskutojnë Maon si e diskutojnë në Rusi Stalinin. Rusët edhe sot e kësaj dite debatojnë mbi Stalinin. Stalini është i mirë, Hrushovi i keq. Ka ende grupe pro staliniste, të cilat kërkojnë rikthimin e Stalinit si figurë e madhe në Rusi, ata kërkojnë rikthimin e diktaturës. Ekspozimi i krimeve të Stalinit ka qenë një prej pikave më kontraversive në historinë e Bashkimit Sovjetik, siç mund ta dini. Ky debat krijoi edhe thyerjen më të madhe në botën komuniste në atë kohë, pasi kishte mjaft udhëheqës stalinistë që kërkonin të qëndronin në pushtet, pikërisht duke mbrojtur figurën e Stalinit
Kur ishit në Universitet, a dinit gjë mbi Shqipërinë, apo kishit të njohur shqiptarë në shkollë?
Në atë kohë nuk kam takuar asnjë shqiptar. Në Universitet nuk kishim ende studentë të huaj. Në Universitet kam hyrë më 1952-shin. Megjithatë, unë dija shumë për Shqipërinë. Si një djalosh i ri, kisha dëshirë të shikoja hartën se ku ishte përhapur influenca komuniste në botë dhe Shqipëria ishte pjesë e aleatëve tanë, kështu që kam lexuar mbi të pa dyshim.
A kishit dëgjuar në shtëpinë tuaj ndonjë detaj nga babai juaj, nëse ankohej apo fliste për problemet që i kishte hapur lideri shqiptar, Enver Hoxha, në atë kohë?
Në fakt, në fillim të marrëdhënieve me të, babai nuk ankohej për Hoxhën. Unë e mbaj mend mirë kur ata të dy u takuan në Krimé, kam edhe foto nga ai takim. Por papritmas nisën të gjitha këto probleme, duke filluar që nga Mao ce Duni. Kur Mao ce Duni mësoi mbi reformat e babait, ai e kuptoi se në partinë e tij mund të dilnin Hrushovë të rinj. Për këtë arsye, Mao ishte në dilemë se çfarë duhej të bënte pasi, nëse do të mbështeste Hrushovin, atëherë atë do ta zëvendësonin. Tamam ajo që ndodhi me partitë e tjera komuniste, si me Cervenkon në partinë bullgare apo edhe në Hungari me gjithë kryengritjen që u bë atje, po kështu edhe në Poloni, megjithëse disa prej liderëve të vjetër vdiqën. Vetëm dy parti rebele u përpoqën që ta mbanin këtë lloj lidershipi, kinezët dhe shqiptarët. Ju mund ta dini që në Shqipëri pati një lëvizje shumë të fortë liberalizimi pro Hrushovit me Liri Belishovën, anëtare e Byrosë Politike apo edhe me të tjerë.
Mund t’ju them se ajo është ende gjallë dhe do t’i vinte shumë mirë të dëgjonte fjalët tuaja.
Vërtet? Gjithmonë kam menduar për të nëse ishte gjallë apo jo. Enver Hoxha këta njerëz i dërgoi në burg, i persekutoi dhe pastaj u hodh te kinezët. Ata i thanë se ne do të jemi në anën e Stalinit. Sigurisht, të mbështesje Stalinin, duhej të mbështesje   tiraninë mbi popullin tënd dhe kjo dihet tani, popullit të tyre ata i sollën shumë vuajtje.
Enver Hoxha shkruan në “Kujtimet” e veta; nuk e di nëse keni dijeni mbi librin e tij “Hrushovianët”, ku interpreton këndvështrimet në lidhje me periudhën e Hrushovit.
Jo, nuk kam dijeni, por ma merr mendja se çfarë mund të shkruajë ai për Hrushovin.
Hoxha shkruan se disa prej liderëve pro stalinistë në këtë kohë vdiqën, duke nënkuptuar se edhe mund të jenë eliminuar. Po kështu ai shkruan se Konferenca e Tiranës, një konferencë shumë e rëndësishme, ku për herë të parë pushteti i tij u vu në diskutim, u orkestrua nga Hrushovi dhe njerëzit e tij. Çfarë mendimi keni ju?
Fatkeqësisht nuk di gjë mbi Konferencën e Tiranës, por mund të them që nuk ka pasur asnjë direktivë për të eliminuar liderët politikë të kohës. Lideri polak Berut pas Kongresit XX ka vdekur nga gripi, lideri i Çekosllovakisë po kështu vdiq në këtë periudhë. Disa u zëvendësuan, disa ikën dhe disa u përpoqën që të mbijetonin, siç ndodhi edhe me udhëheqjen çeke. Të tjerë u përpoqën të luanin lojën që ishte inspiruar në Bashkimin Sovjetik,  pasi e kuptuan se lëvizja liberale e frymëzuar dhe mbështetur nga Moska e liberalët, që kërkonin të sillnin reforma demokratike si në Shqipëri apo vende të tjera do të triumfonte.
Ndryshimi po ndodhte në Bashkimin Sovjetik dhe duhet të ndodhte edhe në vendet e tjera. P.sh., nëse Hrushovi nuk do të ishte rrëzuar nga pushteti apo të ishte zëvendësuar nga mbështetësit e tij, atëherë nuk do të kishte pushtim të Çekosllovakisë, pasi Dubceku ndoqi të njëjtat reforma ekonomike dhe politike të Hrushovit.
Në “Kujtimet” e babait tuaj flitet edhe për politikën e Stalinit ndaj vendeve ballkanike. A mundet të na thoni ndonjë gjë më shumë se çfarë mendonte babai juaj për këto vende?
Unë di jo më shumë se të tjerët në këtë pikë. Di që Stalini kishte plane të ndryshme mbi politikën e tij dhe kërkonte t’i  manipulonte vendet e Ballkanit në një Federatë Ballkanike e udhëhequr nga Dimitrovi i Bullgarisë. Di po kështu që ai donte që Shqipëria të bëhej pjesë e Federatës Jugosllave. Kur Tito tregoi se donte të ishte i pavarur, ai e ndryshoi totalisht politikën e tij dhe vendosi që Shqipëria duhej të mbetej një vend besnik stalinist, nga ku mund të luftohej Jugosllavia. Me sa di unë, babai nuk kishte plane të tilla, ai mendonte se Bashkimi Sovjetik nuk duhet të manipulonte këto vende. Ato ishin vende të pavarura me qeveritë e tyre dhe është e rëndësishme të kuptonin se nuk duhej të mbijetonin nga bajonetat sovjetike. Mbështetja nga  bajonetat e huaja nuk është një ide e mirë për një shtet të pavarur. Mbijetesa e këtyre shteteve, përfshirë edhe Shqipërinë, duhej të vinte në mënyrë organike nga zhvillimi i tyre, nga mbështetja e popullit të tyre dhe jo se mbështeteshin nga sovjetikët.
Enver Hoxha në librin e tij me kujtime thotë se Hrushovi nuk donte pavarësinë e Shqipërisë, pasi i kishte këshilluar shqiptarët që të mbillnin agrume në vend të bukës. Por “Kujtimet” e Hrushovit mbi Shqipërinë kanë logjikë në ato që ai thotë. P.sh., në këto kujtime lexon se Hrushovi mendonte që Shqipëria duhej të kishte ushtrinë e saj të pavarur kombëtare dhe për këtë arsye u dha shqiptarëve edhe nëndetëset e famshme që më vonë u kthyen në një pikë konflikti…
Nuk e di se çfarë këshillash i tha babai Enver Hoxhës, se çfarë duhej të mbillte ai në tokën shqiptare, por më duhet të them se jam dakord me ato që cituat ju, pasi ai mendonte në këtë mënyrë, pasi kërkonte që Blloku Lindor të operonte si një treg i përbashkët ekonomik. Jam dakord, p.sh. që ndoshta ideja më e mirë ekonomike për Shqipërinë është të mbjellë portokaj dhe jo rrush, ashtu siç bën Florida, e cila mbjell dhe shet portokaj dhe jo grurë për të gjithë Amerikën. Me siguri që me këtë logjikë Hrushovi ka rekomanduar që Shqipëria, si vendi i vetëm në Lindje që mund të mbillte portokaj, t’ia shiste ato Bllokut Lindor dhe të merrte në shkëmbim patate apo grurë. Mendoj që kjo është një logjikë e shëndoshë ekonomike në këto lloj bashkëpunimesh. Babai thoshte se një sistem ekonomik dhe politik, i cili përmirëson jetën e qytetarëve të vet, është më i fortë se shpenzimet për ushtrinë, pasi këto shpenzime na dobësojnë, duke harxhuar burime të shumta ekonomike. Këtë gjë i ka thënë Valter Kulbrikut të Gjermanisë, pasi u ngrit Muri i Berlinit. Të njëjtën gjë u tha edhe shqiptarëve: “Nëse ju do të tregoni fqinjëve tuaj si Greqia apo Italia që ekonomia jonë socialiste e decentralizuar është e suksesshme, atëherë do të jeni një shembull i shkëlqyer. Këtë e ka përsëritur disa herë që, nëse do t’i tregojmë arritjet tona ekonomike Indisë apo Egjiptit për shembull, nuk ka nevojë të dërgojmë libra propagande për të treguar se ne jemi më të mirët, por shembulli juaj do të flasë vetë.
Një pikë tjetër shumë e rëndësishme e politikave të Hrushovit ishte mbrojtja e vendit. Ai mendonte se ne nuk duhej të mbanim baza ushtarake në tokë të huaj. “Në kundërshtim me politikën imperialiste amerikane, ne duhet të tregojmë se jemi të ndryshëm nga imperialistët”, thoshte ai. Ai i largoi trupat sovjetike nga Finlanda, po kështu ai u ofroi vendeve të Bllokut Lindor që të largonin trupat sovjetikë nga territori i tyre, si p.sh. Rumania Hungaria dhe Polonia. Gomulka në Poloni u përgjigj se ai nuk donte që sovjetikët të largoheshin, ndoshta edhe për arsye ekonomike, pasi duhet ta dini se sovjetikët paguanin shumë për bazat ushtarake. Më kujtohet që, kur u fol për problemet në Shqipëri, di që ai u tha shqiptarëve: “Jo, nuk duhet të dërgojmë trupat tanë atje, por do t’ju ndihmojmë për të krijuar një ushtri tuajën.
Dëshiroj t’ju lexoj një frazë nga kujtimet e shkruara nga babai juaj për Enver Hoxhën. “Një njeri me sjellje të vrazhdë dhe karakter brutal. Kur i thua diçka që nuk i pëlqen, ai ndryshon fytyrat”. Mjaft interesant ky vëzhgim i Hrushovit, pasi në pikturat apo shkrimet e krijuara në Shqipëri, që portretizojnë Enver Hoxhën në debat me Hrushovin, duket qartë se ato tregojnë se ishte Hrushovi ai që ndryshonte fytyrën sa herë që fliste Hoxha. A ju kujtohen ato kohë kur Shqipëria po shkëputej nga Bashkimi Sovjetik?
Më kujtohet shumë mirë. Për babain tim ishte shumë e dhimbshme, pasi ai me të vërtetë mendonte se po përpiqej për më të mirën e shqiptarëve. Të vazhdoje në rrugën e Stalinit, do të thoshte që të shkoje kundër interesave të popullit tënd. Më kujtohet që në atë kohë ai u përpoq ta bindë Mao ce Dunin që ta ndiqte atë. Në bisedën e famshme pranë pishinës, kur Mao u përpoq t’i thoshte babait që nuk duhet të kishte frikë nga amerikanët, nuk duhet të kishte frikë nga bomba atomike, pasi ata së bashku do luftonin si në vitet ‘20 apo ‘30. Edhe sikur të vriteshin miliona njerëz, përsëri ata do ta fitonin luftën. Babai i shqetësuar për këtë këndvështrim të situatës i tha se një shoqëri e civilizuar nuk mund të lejojë që njerëzit e vet të masakrohen. Për të ishte shumë e dhimbshme që Hoxha dhe lidershipi shqiptar iu bashkuan kinezëve, pasi kjo do të sillte një problem të madh ekonomik dhe politik për popullin shqiptar. Ai e dinte se Kina kishte probleme të mëdha ekonomike, ndërkohë Bashkimi Sovjetik po njihte rritje.
A e mbani mend vizitën e babait tuaj në Shqipëri? Ka qenë vizita më e rëndësishme e një lideri të këtyre përmasave në Shqipëri.
Po e mbaj mend shumë mirë. Është e vërtetë që ai ndenji mjaft gjatë atje, por mendoj se ai ishte shume kurioz për këtë vend. Dëshironte ta njihte më shumë Shqipërinë, të mësonte për kulturën, jetën e njerëzve. Po kështu ai udhëtoi në Shqipëri edhe për arsye praktike. Për të krijuar bllokun e përbashkët ekonomik, ai udhëtoi në të gjitha vendet komuniste për t’i kuptuar këto vende. Në fakt, ai qëndronte nga dy javë në këto vende, por jo vetëm në to. Dy javë qëndroi edhe ne Amerikë apo Francë, Indonezi etj.
A mbani mend ndonjë detaj kur ai u kthye nga Shqipëria?
Po sigurisht, p.sh. i kishte pëlqyer klima e ngrohtë, po kështu pritja e mrekullueshme e njerëzve. Ishte shumë pozitiv për Shqipërinë. Detaje nga udhëtimi nuk na tha ose mund të mos më kujtohen mua pas gjithë kësaj kohe që ka kaluar.
Një pikë tjetër që dëshiroj t’ju pyes, është nëse e keni lexuar apo nëse e njihni shkrimtarin e njohur shqiptar Kadare, i edukuar në institutin “Gorki”. Romani i tij i njohur “Dimri i vetmisë së madhe” flet pikërisht për ndarjen e madhe midis Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik dhe një prej personazheve është edhe babai juaj. Në një farë mënyre, të kuptueshme sigurisht, ai fajëson palën sovjetike dhe babain tuaj për ndarjen me Shqipërinë. Çfarë do t’i thoshit mbi këtë temë sipas këndvështrimit tuaj, nëse do ta takonit këtë shkrimtar?
Do të dëshiroja t’i thosha atij se nuk ishte Enver Hoxha që mbajti anën e shqiptarëve, por ishte Hrushovi ai që dëshironte t’i shpëtonte shqiptarët nga diktatura e Enver Hoxhës. Enver Hoxha donte të mbante në këmbë regjimin e tij personal, ndërsa babai im dëshironte një jetë më të mirë për të gjithë kampin komunist, sigurisht përfshirë edhe shqiptarët. Për mua ishte një tragjedi ajo që i ndodhi Shqipërisë, largimi nga politikat që kërkonte të sillte Hrushovi në kampin sovjetik. Duhet të kuptoni se pas vdekjes së Stalinit vendet e kampit sovjetik jetuan një jetë deri diku normale, me gjithë problemet e shumta që ato kishin. Ndërsa Shqipëria u kthye në një vend të izoluar nga bota dhe iu rikthye normalitetit vetëm në shekullin XXI. Me Enver Hoxhën Shqipëria humbi një gjysmë shekulli.
Në atë kohë, ndoshta shumë shqiptarë pyesnin se përse babai juaj u largua nga skena politike pa asnjë përpjekje për ta mbajtur pushtetin e tij edhe me forcë…
Shikoni, Hrushovi kërkonte ta ndryshonte rrënjësisht shoqërinë sovjetike. Ai e ndryshoi shoqërinë sovjetike. Kur u largua nga pushteti, thoshte: “Nëse kam arritur vetëm një gjë gjatë kohës sime që shoqëria jonë të largonte njeriun e parë, d.m.th atë vetë, nga pushteti, vetëm me vota, pa derdhur gjak, atëherë jeta ime dhe përpjekjet e mia paskan vlejtur”. Kështu ishte shpjegimi i tij për atë që ndodhi. Pasi i luftoi stalinistët dhe i largoi ata nga pushteti, ai solli në pushtet njerëz që mbështesin politikat e tij. Këtu ai e kishte gabim, pasi me largimin e tij ata i ndryshuan këto politika. Megjithatë, ai thoshte: “Unë nuk dua t’i luftoj ata, ata janë më të rinj, unë jam 70 vjeç dhe e ardhmja është e tyre, në fakt në 1964-n ai kishte thënë shpesh që në kongresin e ardhshëm, pasi të fillonte implementimi i reformave të tij, do të jepte dorëheqjen nga posti. “Përse të luftoj me ta, kur unë pas një viti do të jap dorëheqjen?”, thoshte ai. Nëse ai do të rezistonte dhe krijonte probleme, duhet ta kuptoni që këto probleme do të përfshinin shoqërinë sovjetike dhe ai nuk e donte këtë gjë. Unë e kam pyetur shpesh babain për këtë pikë dhe ai më thoshte pikërisht këto fjalë. Është një shpjegim shumë i thjeshtë. “Si mund të luftoj unë kundër mendimeve të mia? Unë nuk jam diktator si Stalini, i cili i eliminoi të gjithë ata që mund ta zëvendësonin. Unë dua të prezantoj një epokë të re në politikën sovjetike, largimin nga pushteti në mënyrë paqësore. Nëse unë dua ta bëj këtë, atëherë duhet të jem unë i parë që e pranoj këtë logjikë”, më thoshte ai.
A ishte i lumtur ai në jetën e tij, tashmë në pension, larg angazhimeve politike, apo i mungonte jeta aktive?
Jo, në fakt vuajti shumë nga kufizimet që iu vunë, megjithëse nuk kishte persekutim si në kohën e Stalinit. Largimi i tij nga politika, për të ishte si një tren me shpejtësi të madhe, i cili ndalon papritmas. Ai po prezantonte reformat e tij, kur e rrëzuan. Por vuajtja më e madhe e tij ishte, kur njerëzit, të cilët ai shpresonte të kryenin reformat e tij, filluan rikthimin mbrapsht në ekonominë e centralizuar, e cila sigurisht do të sillte kolapsin e Bashkimit Sovjetik dhe sistemit socialist. Ata ndaluan idenë e tij për zgjedhje të lira, si dhe të gjitha reformat e tjera. Ishte shume e dhimbshme për të, kur i shikonte këto gjëra. Ju punoni shumë për të arritur diçka dhe fëmijët tuaj vijnë dhe i hedhin të gjitha në plehra. Kthimi në sistemin e vjetër për të ishte rruga që do ta çonte vendin në shkatërrim dhe historia e provoi që ai kishte të drejtë në këtë gjykim.
Siç mund ta dini, ka një debat në qarqet politike perëndimore mbi rrëzimin e komunizmit. Për ju a ishte ky rrëzim një plan i përgatitur përpara nga shërbimet sovjetike, me idenë e largimit nga pushteti ideologjik pro marrjes në kontroll të ekonomisë nga elita e mëparshme?
Shikoni, në Perëndim ka ende mënyra interesante për të bërë lojë fjalësh. P.sh ne akoma e quajmë Kinën komuniste, megjithëse ajo është një sukses në ekonominë e tregut. Komunizmi ra për një arsye të thjeshtë, ideja thelbësore se njerëzit duhet të jenë të barabartë. Kjo është e pamundur, pasi vetë natyra është e bazuar tek konkurrenca dhe ajo i ka bërë njerëzit jo të barabartë. Pra, ideja komuniste shkon kundër natyrës dhe kjo nuk është vetëm te njerëzimi, por edhe
Auron Tare dhe Sergej Hrushov
tek kafshët apo bimët. Pra, komunizmi ka qenë i destinuar të dështonte që në fillim. Duhet ta dini se komunisti i parë ka qenë Jezu Krishti, i cili kërkonte që ta ndante pasurinë te të gjithë njerëzit, prandaj edhe e kryqëzuan. Pastaj kemi Tomas Moore-in në kohën e Elizabetës së Parë në Britaninë e Madhe dhe pastaj Kompanelën. Të gjithë këta u përpoqën të krijonin teorinë komuniste, por që përfunduan në një shtet policor, pasi për ta zbatuar këtë teori për barazinë e njerëzve duhet të përdoresh forcën. Komunizmi ka dështuar në Bashkimin Sovjetik që në 1921-shin, duke sjellë dështime të mëdha në ekonomi. Lenini tha se duhet të implementonin politika të reja ekonomike që lejonin konkurrencën, por këto nuk u lejuan nga Stalini. Pas Leninit në Bashkimin Sovjetik kishte kapitalizëm shtetëror. Siç e shikoni, ne këtu po flasim mbi komunizmin jo si një ideologji, por po flasim më shumë për efektet e ekonomisë shtetërore. Ekonomia shtetërore e centralizuar nuk mund të jetë efektive në konkurrencë me ekonominë e decentralizuar. Ekonomia e centralizuar mund të ketë sukses, vetëm nëse ka një objekt në planet e saja, si “Fito Luftën apo bëj industrializimin”. Kur Hrushovi e kuptoi këtë si ide primare për reforma, në 1957-n ai tha se kjo shoqëri duhet të decentralizohet sa më shpejt, për këtë arsye u dha më shumë fuqi provincave. Ishin 100 këshilla ekonomike në Bashkimin Sovjetik. Kështu që vendimet ua kaloi sekretarëve të këtyre këshillave, ashtu siç bëri Ten Siao Pini më vonë. Imagjinoni nëse këto reforma në shoqërinë sovjetike do të kishin filluar në 1965-n, ndoshta sot Bashkimi Sovjetik do të ishte ekonomia më e suksesshme dhe më e fortë e botës. Të mos harrojmë se CIA e parashikoi këtë gjë dhe ia prezantoi presidentit Ajsenhauer, duke i thënë se në fund të shekullit XX Bashkimi Sovjetik do ta trefishonte ekonominë në raport me Amerikën. Imagjinoni nëse kjo do të ndodhte. Sot nuk do të kishim Poloninë që aplikon për të hyrë në Bashkimin Europian, por Francën dhe Gjermaninë që do të kërkonin të hynin në KNER. Nuk po bëj shaka, është serioze. Komunizmi ishte utopi, është utopi dhe do të jetë utopi.
Duke ju falënderuar për këtë bisedë, do të kishit një mesazh të fundit për shqiptarët?
Të dashur miq shqiptarë, ju uroj fat dhe të gjitha të mirat. Dua t’ju them se babai im dëshironte më të mirën për ju dhe donte që vendi juaj të ishte një fanar ndriçues. Merreni fatin tuaj në duart tuaja dhe mos i lejoni politikanët t’ju drejtojnë sipas interesave të tyre. E ardhmja duhet të jetë në duart tuaja.
AURON TARE