Thursday, December 8, 2011

Aleksandër Meksi: Lëvizja studentore e dhjetorit u keqpërdor nga spiunët

Lëvizja e dhjetorit ishte një triumf i studentëve idealistë, por më vonë kjo lëvizje u keqpërdor nga politika”. Kështu u shpreh dje, për gazetën “Sot”, njëri nga liderët kryesorë të Dhjetorit të vitit 90, Aleksandër Meksi i cili nënvizoi se kalendari i demokracisë shqiptare duhet të rikthehet për të filluar numërimin e vet, pikërisht në 8 dhjetorin e vitit 1990. Ai rrëfen gjithashtu edhe detajet dhe momentet, kur iu vu emri Partisë Demokratike, pikërisht në shtëpinë e Gramoz Pashkos. Zoti Meksi, ku janë sot liderët e dhjetorit të vitit 1990?
Atë gjejeni juve. Unë kam kohë që nuk i shoh dhe gjithmonë e më tepër ndihem i panjohur mes atyre që shfaqen sikur përfaqësojnë lëvizjen e dhjetorit të vitit 1990.

Çfarë ndodhi konkretisht, në 8 dhjetorin e vitit 1990?

Ajo natë e ftohtë dhe e errët u kthye në një pishtar për Shqipërinë, por më vonë u keqpërdor.

A mendoni se kjo lëvizje u keqpërdor nga spiunët apo misionarët e Ramiz Alisë?

Pikërisht, ata ndikuan ndjeshëm në keqpërdorimin e protestës.

Ku ishit në ditën e 12 dhjetorit, gjatë themelimit të PD?
Ajo ditë ishte vazhdim i ngjarjeve që kishin nisur më 8 dhjetor, në Qytetin Studenti, por që më pas kishin përfshirë të gjithë Shqipërinë. Kështu në 12 dhjetor në orën 8.30, unë kisha lënë takim me Gramoz Pashkon. Aty ai më njohu edhe me dy të rinj. Njeri ishte Azem Hajdari dhe tjetri Arben Imami. Më vonë erdhën edhe të tjerë, si Mond Budina, Genc Ruli, Eduard Selami, Sali Berisha dhe mbaj mend edhe një studente, që quhej Moza dhe ishte nga Vlora. Pastaj erdhën edhe të tjerë dhe ne nisëm të shkruajmë programin minimal të partisë që u lexua në mitingun e pasdites. Për projekt-statutin punova unë me Genc Rulin, ndërkohë që Genc Pollo na solli disa modele të huaja. Në ato momente që u krijua Partia Demokratike njoftuam një gazetar të Rojterit që quhej Rikard Shvarc (suedez) për ta shpallur lajmin në Vjenë. Por ai na mori në telefon i alarmuar në orën 12.00, duke na thënë se Ministria e Jashtme shqiptare e kishte përgënjeshtruar faktin që në Tiranë ishte krijuar një parti opozitare me emrin Parti Demokratike, por gjoja ishte krijuar një parti për studentët dhe intelektualët e rinj. Pastaj lajmëruam Zërin e Amerikës dhe të gjithë qytetarët se në orën 16.30 te qyteti i Studentëve shpallej themelimi i PD-së. Mbaj mend se parulla kryesore e mitingut ishte "E duam Shqipërinë si e gjithë Europa", por fatkeqësisht sot pas 21 vjetësh ende nuk pranohemi si pjesë e integrimit Europian.

Cilët ishin njerëzit që u afruan në drejtimin e PD?

Shumica ishin idealistë dhe patriotë, por kishte edhe njerëz të dërguar prej organeve përkatëse që të na sabotonin. Ne ishim parti e hapur dhe disa mundën të penetrojnë. Ata që e shesin lëkurën njëherë, të dëmtojnë edhe duke u hequr si ekstremistë radikalë, që bëjnë aktive të zhurmshme. Shembuj të tillë ka pafundësisht në historinë e Partisë Demokratike. Ata kanë ndihmuar gjithashtu në mbështetjen e çdo gjëje të shtrembër që është shtruar në PD. Në këtë parti idealistët kanë luftuar gjithmonë kundër bolshevikëve.

Si do të veproni për mbrëmjen e 12 dhjetorit, pra në 21 vjetorin e themelimit të PD?

Nuk e di.

Përse nuk do shkoni në festën e themelimit?

Thjesht: nuk njoh shumicën e atyre që janë sot atje, të cilët kur na shohin kthejnë rrugën. Them se po të jetë në dorën e tyre, na shajnë na fyejnë dhe shpërblehen për këtë gjë. Nga ana tjetër nuk jam dakord me atë vijë që përdor lidershipi që po mban peng integrimin

Përse e thoni këtë?

Sepse sot kemi ende njerëz që vuajnë. Apo njerëz që sfiliten për ujë, për drita, për telefona, për punë, për asistencë sociale, etj, ndërsa shteti i ka lënë në harresë. Unë kam deklaruar që PD-ja duhet të hapet, kam përdorur një term në platformën time: "Të bashkohen ata që janë me PD-në dhe me idealet e dhjetorit".

Kush ia vuri emrin Partisë Demokratike?
Më 12 dhjetor, gjatë paradites në shtëpinë e Gramoz Pashkos kemi diskutuar shumë për emrin që do të mbante partia Për këtë arsye pjesëmarrësit shkruajtën një listë me emrat e mundshëm. Midis arsyeve kryesore për t'i vënë partisë emrin Parti Demokratike, unë veçova faktin se këtë emër e kishin kërkuar vetë qytetarët e Tiranës në mitingun e pasdites së 11 dhjetorit.
Cilin emër preferonte më shumë Berisha?
Ai ishte më shumë për emrin Partia e Studentëve dhe Intelektualëve të rinj. Por unë me Pashkon dhe me disa të tjerë e kishim biseduar edhe më parë, prandaj atë mëngjes Azem Hajdari u nis me motor në Qytetin Studenti për t'u komunikuar studentëve emrin e Partisë Demokratike.
Ju jeni krenar apo jeni i penduar që ishit i pranishëm në 12 dhjetor?

Unë do të jem gjithmonë krenar për këtë që kam bërë së bashku me shokët e tjerë dhe me të gjithë qytetarët. Asnjëherë nuk kam për t'u penduar dhe gjithmonë do të luftoj që kalendari dhe platforma e sotme e Partisë Demokratike të rinisin me 12 dhjetorin e vitit 1990.

Mimoza Ferraj: Si degradoi lëvizja e dhjetorit

Lëvizja e dhjetorit degradoi, për shkak të kompromisit me pushtetarët komunistë”. Kështu shprehet për gazetën “Sot”, ajo që është cilësuar si princesha e demokracisë shqiptare, Mimoza Ferraj, e cila gjatë protestës së 8 dhjetorit, ka marrë plagë të rënda, prej policisë. Më tej ajo rrëfen: “Në fund të qershorit, fillim të korrikut kam shkuar në Hungari si vendi i parë demokratik lindor. Shkova atje për të marrë eksperiencë së bashku me shumë studentë të tjerë. Lista e përpiluar në vajtjen atje nuk kishte asgjë të përbashkët me personat e vërtetë të lëvizjes së Dhjetorit, por ata ishin të gjithë pjesë e fëmijëve që kishin qenë në pushtet. Edhe dy prej aktivistëve të vërtetë, që ishin bashkë me mua, nuk qëndruan në Budapest, por u larguan për në Gjermani në mënyrë të paligjshme dhe ma lanë porosi të ndjek hapin e tyre. Listë të vërtetë nuk ka dhe është vështirë bërja e një liste të tillë nisur nga koha e gjatë, pozicionimi, postet politike të mëpasshme dhe ato aktuale. Ilir Bushi

No comments: