Wednesday, April 25, 2012

Tiranë, shuhet Hysni Milloshi kryetari i Partisë Komuniste

 TIRANE- Kryetari i Partisë Komuniste Hysni Milloshi është shuar sot në mëngjes në moshën 66 vjeçare. Zemra e Hysni Milloshit është ndalur në orën 06.30 minuta në spitalin e Mushkërive në Sauk të Tiranës ku ishte shtruar prej disa ditësh.

Burime nga bluzat e bardha të Sanatoriumit bënë të ditur sot n ë mëngjes për “Shqiptarja.com” se shkak i vdekjes ka qenë “Fibroza polmonare”.

Hysni Milloshi lindi më 27 janar 1946 në Macukull të Matit, dhe për 7 vjet jetoi në qytetin e Beratit. Edhe pas rrëzimit të rregjimit komunist vazhdoi të mbrojë me fanatizëm idealet e Enver Hoxhës. Në 1991 themeloi Bashkimin e Aktivistëve Vullnetar "Enver Hoxha", në qytetin e Beratit. Ai ishte themelues dhe Sekretari i Parë, i Partisë Komuniste të Shqipërisë pasardhëse e PPSH-së.  Në zgjedhjet vendore të 8 majit 2011, Hysni Milloshi, kandidoi për kryetar bashkie të Tiranës dhe me votat e marra nga mbështetësit e tij do të kishte rolin e papritur të vendosësit mes dy kandidatëve të mëdhenj për bashkinë e Tiranës, Edi Rama dhe Lulzim Basha. Milloshi, mori aq vota sa ta çonte, pas shumë marifeteve të tjera me zgjedhësit, diferencën me 10 vota,  dhe 1400 vota e marra nga ai, po të kishin qenë në anën e Ramës, nuk do ta lejonin Sali Berishën të urdhëronte rinumërimin me vota "të hedhura gabim".

(sg/shqiptarja.com)

Hysni Milloshi: Komunistë si Berisha edhe 20 vjet në pushtet

TIRANE- Gati 10 muaj më parë, Hysni Milloshi, kryetar i Partisë Komuniste, do të kishte rolin e papritur të vendosësit mes dy kandidatëve të mëdhenj për bashkinë e Tiranës, Edi Rama dhe Lulzim Basha. Milloshi, papritur mori aq vota sat a çonte, pas shumë marifeteve të tjera me zgjedhësit, diferencën me 10 vota dhe ato 1400 vota po të kishin qenë në anën e Ramës, nuk do ta lejonin Sali Berishën të urdhëronte rinumërimin me vota "të hedhura gabim". Sot Hysni Milloshi thotë se nuk ndjehet aspak I penduar, se bëri shumë mirë dhe se nuk e kishte parashikuar që roli I tij do ishte aq vendimtar për bashkinë e Tiranës. Në fund të fundit thotë se nuk ka asgjë, sepse edhe PS edhe PD janë dy korpuse që u ndanë nga ish-PPSH-ja dhe komunistët jo vetëm sot, por edhe për dy dekada të tjera do të drejtojnë Shqipërinë.

Z.Milloshi, desha ta nis këtë intervistë me deklarimin që bëtë sot (dje), duke mbështetur kryeministrin Berisha që pastrimin e vendit ta bëjmë si në kohën e komunizmit, me fushata.
Ky deklarimi im ka edhe një çikë sarkazëm brenda, siç ka edhe një të vërtetë. Unë nuk jam nga ata njerëz që për hir të opozitës, që nuk e dua Sali Berishën prej 20 vjetësh dhe e kam cilësuar me epitete të ashpra, dhe ndaj të bardhës t'i them të zezë. Unë nuk shoh të keqen që populli të pastrojë. Nëse shkon p.sh. në Gjermani nuk shikon asnjë copë letre përtokë.

Por nuk del kancelari të japë direktiva.
Gjithsesi është shteti gjerman, kultura e popullit, disiplina që ka bërë atë. Unë nuk kap anën negative të Saliut që thotë gjithçka madje se çfarë do të hamë në darkë, por opinioni edhe pse ai nuk është serioz, sepse ka leva të tjera, unë jam që territori të pastrohet. Jam që media dhe opinioni të veprojnë në forma të ndryshme të futin sadopak ndjenjën e pastërtisë.

Kryeministri jep nisma kolektive, por është për shtetin privat, siç tha pak ditë më parë, ashtu siç e ka bërë dhe po shet gjithçka.
Mua më vjen rëndë që kryeministri del dhe merret me gjëra që nuk i takojnë atij.

Nuk ju duket si ai udhëheqësi që kemi patur dikur që flet për gjithçka?
Nëse flasim sinqerisht Sali Berisha votat i merr si antikomunist, bërtet dhe shan për komunizmin me fjalorin më të rëndë, por ai për të mbajtur pushtetin e mban si komunist. Ai e ka mentalitetin, por harron se është në një system tjetër që e mburr.

Është po ai sekretari i PPSH- së, komunist prej vitit 1968?
Po, po në mjaft veprime është ai, por me maskën e antikomunizmit.

Ju duhet të ndjeheni i kënaqur që në krye të vendit është një komunist që sillet si antikomunist?
Kjo është një pyetje shumë e rrezikshme. Ai është vërtet komunist, por unë nuk mund të kënaqem me të, sepse kur erdhi puna për të shpëtuar popullin e tyre, këtyre komunistëve nuk iu dridh dora për të prerë kokën e popullit. PPSH, të cilën unë e kam dashur, edhe pse s'kam qenë në radhët e saj dhe isha gati të jepja jetën, në kongresin e qershorit 1991, për të shpëtuar kokat e tyre, 3000 delegatë në sallë i prenë kokën popullit, sikur s'kish qenë kurrë me të.

Po këtu s'ka faj Sali Berisha, por udhëheqja e të majtës që braktisi trashëgiminë e PPSH-së?
Sigurisht udhëheqja e të majtës, por mos harroni, se PPSH u nda në dy korpuse, një nga PS një nga PD. Revolucionin e nisën komunistët me luftë, e bënë dhe e vazhduan dhe kundërrevolucionin e bënë po komunistët. Në ballë të demokracisë ne nuk pamë disa njerëz që pritej të dilnin, që duhet të ishin nga klasat e përndjekura prej komunistëve, ata që kishin qenë nëpër burgje. Në cilën shtëpi u krijua PD? Në shtëpinë e Pjetër Arbnorit, që kishte qenë 28 vjet në burg, apo në shtëpinë e anëtarit të Komitetit Qendror të PPSH-së? Bijtë e anëtarëve të PPSH i ke edhe në PD edhe në PS. Para disa vitesh kur kaloja në rrugën "Qemal Stafa" ishte një lokal, ku njerëzit hidhnin romuze ndaj meje, sa herë kaloja. I duroja, por një ditë u ktheva: "Çfarë keni?". Ata më thonë: "Po ja komunizmi kështu, komunizmi ashtu". "Po ne komunizmin e kemi lart, unë jam poshtë, pa punë, fukara"-ua ktheva.-"Komunistët janë në pushtet, sepse ata kanë qenë njerëzit me maskë, që deri dje të fusnin në dhe dhe sot janë në pushtet, deputetë, ministra, kryetarë partish. Dhe po përmbysët ata, keni përmbysur pjesën më të keqe, pjesën më tradhëtare, më te pabesë dhe më të pafytyrë. Por ju këtë nuk e bëni". Cili nga këta liderë që janë sot u ngrit në vitet '80 që kanë qenë në PPSH dhe që sot janë në PD, apo në PS, cili prej tyre u ngrit dhe tha se tufëzimi ishte fatal.

Po ishte një takim në gusht 1990 i Ramiz Alisë me intelektualë…

Po por aty ishte fundi, ishte një lojë e poshtër, se a doni pluralizmin apo jo. Flas përpara. Për 10 vite populli shqiptar qëndroi me tollona. Mua s'ma dëgjonte njeri zërin se isha i vogël por në sy të 500 vetëve dhe me presidiumin ku kishte figura të larta, u ngrita dhe thashë që: "Që nga gazeta e Sarandës deri në Tropojë, për tufëzimin gënjejnë, sepse ka dështuar që në orët e para". 500 vetë duatrokitën dhe ishte viti 1985. Këta që na mësojnë antikomunizmin sot, dje na mësuan komunizmin. Cili prej tyre ngriti zërin kur u bënë padrejtësitë? Këta janë rrufjanët politikë, që e shajnë kur ua do interesi dhe pastaj veprojnë si komunistë.

Po pra por kami mbetur i vetmi vend në ish-Europën Lindore ku qeverisin komunistët
Edhe do të jemi

Edhe sa kohë?
Të paktën edhe 20 vjet. Shikoni se si po bëhet kjo punë. Disa komunistë rrëmbyen flamujt e antikomunizmit dhe janë në pushtet. Një pjesë edhe për arsye moshe edhe që të mos dalin në skenë u tërhoqën, por janë djemtë e tyre.

Bijtë e bllokut, siç thotë Berisha
Unë nuk jam me atë gjuhë. Por dje ishte babai ambasador, sot ka vajtur i biri. Ali Hoxha, Hoxhë Aliu. Unë ju siguroj që të paktën edhe 20 vjet këtu do të sundojnë ish-komunistët. Mentaliteti I komunistëve që në fakt nuk kanë qenë kurrë komunistë, por u ka pëlqyer diktatura, pushteti me dorë të hekurt, eleminimi I kundërshtarëve, që kanë qenë servilë ndaj pushtetit. Ishin pjesa më e keqe e komunizmit, siç bëjnë edhe sot. Ne vijmë nga fiset, nga bajraktarët dhe kjo vazhdon akoma.

Jeni shumë kritik por në zgjedhjet vendore te 2011 ishit në krah të qeverisë, e ndihmuat atë
Jo nuk jam në krah, është krijuar një legjendë në pjesën e popullit.

Jo nuk është legjendë urbane, por kandidimi juaj përkrah Ramës dhe Bashës në Tiranë i dha një minus të madh PS-së, i prishët shumë punë. Morët mbi 1400 vota apo më tepër. Ju i "bëtë gropën" kryetarit të PS dhe u bëtë ndihmës i Berishës.
Ndihmës jo i përgjegjshëm. Pjesëmarrja e Partisë Komuniste në zgjedhje, votat e mia u bënë decizive, por se kush do të fitonte Rama apo Basha, unë nuk jam fajtor. Në 2009 Sali Berisha dhe Edi Rama, natën e zezë të 21 prillit, u bënë qengja për interesat e tyre dhe ndryshuan Kushtetutën dhe Kodin. Unë nuk e di pse i thonë princ atij fukarasë, djalit të Leka Zogut, sepse princ nuk është ai, por djali është djali i Berishës apo i Ramës, sepse këtu u vendos monarkia absolute.

Po ju si parti nuk keni patur aq elektorat sa të dëmtoheshit nga kjo marrëveshje?
Ne që nga viti 1998, kur na u dha liria politike deri në 2005 ne kemi patur elektorat për të futur të paktën 2 deputetë në Kuvend.

Sipas KQZ-së nuk keni marrë aq vota
Jo nuk kemi marrë dhe as nuk do të marrim, sepse nuk kemi marrë pjesë në koalicione dhe votat tona janë ndarë me zona, duke ia dhënë PAD, PSD, PBDNJ etj.

Po pse nuk jeni futur në koalicion?
Ne na ka vrarë, na ka terrorizuar një herë PD që na nxorri jashtë ligjit, pastaj PS me format më të poshtra, megjithëse ne, gabimi im fatal si drejtues i kësaj partie, ishte që atje ku nuk kishim pjesëmarrje, ne 20 vjet në fund të fundit, kur bëheshin balotazhe, kemi votuar për PS dhe ata kurrë nuk na thanë as faleminderit. Aty iu krijua përshtypja se votat e komunistëve, ata i kishin në xhep.

Si t'ju falenderonin?
Janë futur me dhjetra deputetë me votat e Partisë Komuniste. Unë personalisht votove 3 herë për Edi Ramën, megjithëse kishim kandidatë për kryetar në Tiranë katër herë me radhë.

Pse votuat për Ramën?
Votova, gabova. Tani në 2009 ai bëri një Kod nazist me Berishën dhe as PS-ja vetë nuk mund të hynte në zgjedhje. Ne i bojkotuam dhe po të mos i kishim bojkotuar Edi Rama do të ishte sot kryeministri, sepse atij i duheshin 24 mijë vota. Ne po të mos na i vjedhësh, ne 35 mijë vota i marrim. Po të ishte në koalicion me Partinë Komuniste ai do të ishte kryeministër sot. Ne nuk morëm pjesë në ato zgjedhje dhe ne kishim 7-8 mijë anëtarë. Erdhën zgjedhjet e vitit 2011 dhe ne duhet të hynim për mbijetesë, sepse po nuk more pjesë të ikin njerëzit. PS nuk na pranoi në koalicion, sepse thoshin se kishin konflikte të mëdha për figurën e Enver Hoxhës, por morën një parti që kishte bashkëpunuar me faashizmin. Pranuan edhe një grup të vogël, që s'kanë qenë me ne Partia e Punës e rindërtuar dhe ku janë anëtarët e Byrosë Politike. Unë i thashë Ndre legisit që të hynte partia në zgjedhje dhe të shikonim se çfarë votash merrnim. Unë nuk u futa as me Ilir Metën, as me Sali Berishën, as me Edi Ramën, por si parti e pavarur, duke vënë në rrezik edhe emrin tim.

Idea është që ju u futët në garë vetëm për të prishur punë.
Jooooo.

Ashtu doli rezultati, pse jo?
Po ç'më duhet mua rezultati? Unë u futa si parti më vete dhe do futem sërish. Unë për qejf të krimit dhe të kriminelëve të PD dhe PS nuk i nxjerr 10 vetë në sheshin "Skënderbej" të digjen dhe të them se po digjen për kriminelët e Berishës apo Ramës. Ne kemi vuajtur, nuk kemi shumë të drejta dhe do marrim pjesë në çdo zgjedhje. Kur nuk na pranojnë në koalicion, ne nuk vrasim veten. Unë i konsideroj borgjezë ata të PS-së dhe s'kanë asnjë ndryshim nga PD-ja. Unë jam kundër borgjezisë. Nuk jam bisht as i Edi Ramës as Sali Berishës apo Ilir Metës.

Si reagoi elektorati i majtë, kur ju garuat edhe kundër Ramës edhe kundër Bashës?
Elektorati i majtë reagoi në mënyrën më kriminale, më të pacipë që do të vdisja pa e ditur. Unë nuk mendoja se ai do të sillej ashtu me një grup të vogël komunistësh siç u soll. E pashë veten më ngushtë se në 1990-1991, kur bëra lëvizjen për mbrojtjen e Enver Hoxhës. Atëherë askush nuk bëri thashetheme si vjet, jo kam marrë 300 mijë euro, jo një shtëpi e një makinë andej. Unë kurrë nuk do ta harroj kur isha në një konferencë ndërkombëtare dhe flisnin komunistë nga gjithë bota. Ishte një amerikan që çuditi sallën me oratorinë e tij. U detyrova të dal 4-5 herë jashtë dhe dëgjoja të njëjtën shprehje: "Hysni si je? Mos u mërzit". "Jo nuk po mërzitem"-u thoja dhe mbyllja telefonin, sepse doja të dëgjoja oratorin amerikan. Mora një avokat nga Vlora dhe i thashë: "ore Faslli, më kanë marrë shumë njerëz në telefon, si është puna?".
"Ou nuk e di ti"- më tha- "Janë mbledhur te PS-ja dhe thërrasin: "Poshtë komunistët! O Hysni, o tradhëtar…". Nuk e di a e kanë thënë atë vijimin: "Do të varim në litar". Pse nuk e di unë që kush është Pandeli Majko? Është një armik i popullit.

Majko armik? Shumë i ri dhe paqësor për të qenë i tillë!
Po ky nuk e pa veten që bashkëpunonte me një parti, bashkëpunëtore të fashizmit dhe duke bashkëpunuar me partinë e Kurt Kolës, që ka vrarë heronjtë e popullit. Unë nuk bashkëpunova as me partinë e Kurt Kolës, as me Ballin Kombëtar dhe ai doli në televizor dhe më cilësoi tradhëtar. Ai ka qenë një kryeministër dhe mendon se i di të gjitha, por harron se çfarë ka bërë kur ishte në Ministrinë e Mbrojtjes. Unë kam votuar për PS-në, edhe pse e di se çfarë udhëheqje ka, sepse është delja e ujqërve, për hir të elektoratit socialist, sepse e ndaj atë nga udhëheqja, por unë dua të mbijetoj si parti dhe nuk mund të rri pa marrë pjesë në votime.

Si ju duk rinumërimi i votave për Tiranën, duke përmbysur rezultatin?
Sigurisht ishte një shije e hidhur se kjo s'ishte bërë ndonjëherë. Kur i numëruan në Tiranë, pse nuk i numëruan edhe në vende të tjera? Ajo u bë sepse Sali Berisha tha: "Pse për 10 vota do t'ia lë unë Edi Ramës?".

Ju u ndjetë fajtor për këtë?
Jo nuk pse të ndjehem fajtor, sepse luftova për të mbrojtur nderin dhe dinjitetin e partisë time, por më erdhi keq pse u përdorën metoda që dje u përdorën kundër Edi Ramës dhe nesër mund të përdoren për të tjerë. Unë, nëse nuk marr pjesë në zgjedhje dhe kur asnjë parti nuk më pranon në sofër, nuk kam se çfarë të bëj.

Po por Sali Berishës në të djathtë nuk i del kush kundër dhe kjo ndodh vetëm te e majta…
Unë jam më vete, s'jam as i majtë as i djathtë. Jam komunist. Partitë komuniste anojnë nga shtresat e varfra dhe mund të bësh koalicion të përkohshëm me këto parti. Pse fall do të shtija unë që këto vota do të ishin decizive? Para katër vitesh kur nipi i Vojo Kushit mori 24 mijë vota askush nuk tha gjë, ashtu si para tetë vitesh. Atëherë kur këta e dinin se mund të humbisnin…

Këta nuk dinin gjë fare…
Atëherë këta janë horra, debilë dhe nuk erdhi njeri të më thoshte: 'Ore kjo u bë, ti je i majtë, ne jemi sjellë jo mirë me ju". Por askush nuk erdhi. Herët e tjera erdhën dhe më parë hoqa kandidatin në Laç, në Korçë, por vjet komisionerët e PS-së nuk linin komunistët as të rregjistroheshin për këshilltarë, sepse nuk janë socialistë, por social-nazistë. A është serioze që në 20 vjet nuk arrij të takoj Fatos Nanon, sepse nuk ka dashur që si i madh t'i japë dorën të voglit. Ndryshe bie fjala nga Servet Pëllumbi.

Si ju duket bashkia nën drejtimin e Lulzim Bashës, meqë e ndihmuat të merrte postin?
Unë them se ai bëri një fushatë të mençur, pati aftësinë për tu prishur mendjen njerëzve, më të zgjuar se Edi Rama q s'bëri fare fushatë dhe shkonte nëpër ca rrugica dhe u jepte letra dhe u thoshte "Ai tjetri", duke kuptuar Sali Berishën. Këtu do të bëhet ndonjë rrugë, por të heqësh emrin e rrugës "Dëshmorët e 4 shkurtit" për 84 të vrarët nga Xhaferr Devës dhe sot i vë emrin e nipit të Xhaferr Devës dhe një antishqiptari më të këqinjtë, si Ibrahim Rugova. Ai edhe kur erdhi në Shqipëri, erdhi si provokator i madh, një njeri i diskredituar që i jepte dorën Millosheviçit kur në Kosovë mijëra njerëz përndiqeshin dhe vriteshin.

Ai ka qenë gandist në rezistencën e tij.
Jo Gandi ishte tjetër burrë, ishte kokë e madhe, pranoi të torturohej, ta hiqnin zvarrë, siç ia bënë Jezu Krishtit. Rugova ishte një bajraktar.
(Intervista eshte botuar sot ne gazeten Shqiptarja.com)

Tuesday, April 24, 2012

Takim pune në “The Imperial House”për festimin e 100 vjetorit pavarsisë.(VIDEO…FOTO..nga takimi…)

Rush DRAGU
Ekzistojnë të gjitha rrugët e mundësitë e një festimi pa dallim krahine,feje dhe ideje”
Në  sallën e madhe të restorantit “The Imperial House” është mbajtë takimi i radhes për diskutimin e  mënyrës më të mirë të mundëshme që viti 2012 të jetë i mbushur me aktivitete të larmishme,në funksion të 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarsise në Vlorë dhe ngritjes së flamurit tonë kombetarë. Në mënyre qe ky vit jubilar shumë i  rëndësishem për kombin shqiptar si brënda shtetit amë ashtu dhe në Kosovë,Maqedoni,në Trojet Shqiptare në shtetin Malazes e kudo që shqiptaret janë ,jetojne e punojnë të jene të angazhuar  për të pritë ketë 100 vjetor sa më mire dhe sa me festive të jete gjithe shtrirja një vjetore.
Ashtu siç ishte njoftuar edhe me shpallje në shumë nga mediat e komunitetit shqiptar por edhe me ftesa doravisht nëpermjet postes elektronike dhe të shkruar ka qënë berë kujdes që të mos harrohen e të mos anashkalohen qoftë edhe padashje të gjithë ato institucione dhe individ që kanë ndikim dhe aktivitet në jetën e komunitetit shqiptare në shtetin e Michiganit me qellimin e mirë të gjithë perfshirjes dhe të gjetjes së rrugeve më të mira të mundëshme për të pasë një vit aktivitetesh e për tu paraqitur edhe para kombeve e kombesive që janë në ketë shtet në mënyrë sa me dinjitoze.
Ka qnë e theksuar por edhe në takim u perserit se nuk është vendi dhe qellimi për të dubluar,anashkaluar ose mohuar rëndesinë ,vlerat,kontributet e asnjërit ose për të dubluar punet e dhe rolin e askujt por qellimi final e i vetem kordinimi e marrveshja pa dallim krahine,feje e ideje duke leshuar secili nga pak ,prej  qendrimeve dhe ideve e tij për të realizuar finalen “kombi mbi të gjithë”.
Ideja e mos mbivlersimit por edhe mos nënvlersimit të askujt e të asgjeje u përserit shpesh herë qoftë nga diskutantet e shumtë që morën fjalën por edhe nga drejtuesi i takimit dhe të tjerë bashkpunëtor të tij.
Në ketë takim morën pjesë nga Shoqata Atdhetare “Kosova”,Shoqata Atdhetare “Malesia e Madhe” Shoqata Atdhetare “Kastrati”,Shoqata Atdhetare “Kelmëndi”, Shoqata Atdhetare “Dukagjini” Unioni Studentor i studenteve në shtetin e Miciganit, nga komuniteti shqiptar i Kishes Katolike “Zoja Pajtore” Drejtori i shkolles shqipe në Kishen e “Shen Palit”,nga LDK-ja,nga Fondacioni “Vëndlindja Therret”,Lidhja e Intelektualve në Michigan, perfaqesues nga televizionet shqiptare në Michigan,gazetar,poet,shkrimtarë,intelektual me kontribute të njohura në komunitet,biznesmen etj.

Moderator i takimit ishte intelektuali i njohur i komunitetit,Altin Zaloshnja i cili fillimisht ju uroj mireseardhjen të pranishmeve,pastaj u bëri të njohur programin e punës për problemet që do të diskutoheshin në atë takim.Gjithashtu i bëri më ditë se ftesat ishin mënduar dhe shpërndarë  pa pasë asnjë dallim ose kompleks ndaj asnjeriu duke ruajt kujdes të pasoçem për institucionet fetare dhe drejtuesit e tyre,konsullin e nderit dhe të gjithë ata që mëndohet se mund e duhet të bëjnë diçka për mirë e në sherbim të ketij 100 vjetori të lavdishëm. Ky përvjetor duhet të jete reflektim e kthesë për kombin tonë shqiptarë –tha ndër të tjera Zaloshnja- e kjo duhet pasqyruar sa më mirë dhe shpejtë tëk ne shqiptaret në emigracion të cilet duhet të jemi të zhveshur nga ndjenja e bajraktarizmit e kryetarllekut e karriges së parë por të jemi shembull bashkimi ideshë e veprash për të mirë që të jenë pasqyre për viset tona nga vime e ku kemi njërzit tonë të gjakut.Dimensioni i lirise që na ka dhënë shteti amerikan mos të jetë për ne si mjet për të kundershtuar çdo gjë e mohuar më të mirën e mundëshme që mund të bejmë,kjo liri më të gjitha dimensionet e saj le të na jape të drejten e respektit të gjithësecilit qofte edhe të atyre qe janë minoranca numerike,pasi nuk kemi çfarë të ndajme është mirë dhe duhet patjeter të bashkojmë e të mbeshtesim më të miren dhe e mira është atëhere kurë të gjithe se bashku diskutojmë e votojme për më të mirën që mund të bëjmë. E theksoj –tha Zaloshnja- më të miren duke u bashkuar dhe jo duke u ndarë.
Në takim foli Mergim Korça një nga aktivistet e njohur të komunitetit,studiues,historian dhe njeri që ka botuar shumë veprat të rëndesisë kombetare.Ai nder të tjera e përkrahu ketë nisem për të diskutuar mundësine e festimit të 100 vjetorit të pavarsise.Ai e mbeshteti idene e shtrirjes se aktiviteteve gjatë gjithë vitit dhe duke u lënë hapsira të duhura e duke i përkrahur të gjithë grupet e shoqatat që kanë në programet e tyre aktivitete,një bashkrëndim të punëvë që të mos dublohen njëra tjetra në veprimtaritë ë tyre.Ai prëmtoj që me mundesitë që i lëjon mosha do të kontribuojë për të miren e kombit e të shqiptarve.
Lulash N.Palushaj,me cilësinë e drejtorit të shkollës shqipe pranë Kishes Katolike të “Shen Palit” nder të tjera tha se: “..nuk e ka linde nana atë birë shqiptari që të na ndaj,por na duhet të shohim para e të mos merrena me vogesina e të festojme sa më mirë që të pasqyrojme nacionalizem e patriotizem para kombeve e kombesive ketu në Michigan..”
Tomë Duhani,aktivist për Luften e Kosoves,biznesmen shqiptarë nga Kosova në shtetin e Michiganit,ndër të tjera tha “…unë perulem para flamurit tonë kombetar kuq e zi,për të cilin është derdhe gjak në shekuj.Jam për bashkim e jo ndarje në mes shqiptarve e aq më teper ketu në mergim.Në kushtet e mospjesmarrjes se drejtuesve te institucioneve fetare dhe konsullit Z.Bardha,unë kam mendimin që të mendojmë për mundesinë e diskutimit edhe me keta zotrinj para se të dalim me një  program ose plan përfundimtarë aktivitetesh…”
Luigj Gjokaj,kryetar i fondacionit “Vëndlindja Therret” pasi shprehu dakortësine me festimin e vitit të 100 vjetorit të shpalljes së pavarsise dhe vlersoj nismën,  shtoj se duhet të respektohen e të mos anashkalohen institucionet e sidomos Kisha e “Shen Palit” si një shembull në komunitet për organizime të tilla festash e evenimentesh të karakterit historik e kombetar.Unë tha ai perkrahu çdo nisem që është në sherbim e në të mirë të kombit e flamurit tonë kombetar .
Mark Gjonaj, nder të tjera theksoi domosdoshmerine e dhënjes se drejtimit laik te të gjithë aktiviteteve të të tëra shoqatave e grupimeve në komunitet,por kjo nuk do të thotë se ne duhet të mëndojmë  për të mos respektuar dhe ndihmuar edhe në punet e institucioneve fetare e shpirterore,por duke mbajtë edhe ato qendrimet e veta korrekte e vlersuese ndaj gjithë asaj veprimtarie shoqerore e patriotike qe nuk bëhet nen kulmin e objekteve të kultit.
Ndue Ftoni,pronar i “The Imperial House” falenderoi pjesmarrsit në takim dhe u shpreh i gatshem si dhe herat e tjera që të kontribuoj për të krijuar lehtesira financiare dhe mundësi në çdo kohë për aktivitete të tilla me rëndësi madhore kombetare.Ai theksoi, si një nga inicuesit e grupit për festimin e 100 vjetorit të shpalljes së pavarsisë, se nuk ka qënë idea e marrjes se biznesit të askujt dhe zbehja e rolit të asnjërit,por si një qëndër me kushtet të mira dhe të pakontestueshme nga asnjë besim fetar,qofte nga dy kishat katolike,qëndra islame shqiptare dhe ortodoksit por edhe ateistet e skeptiket,të mbidhemi e të diskutojmë një program gjithëperfshires,pa dallim feje,krahine e ideje për një vit festiv gjatë tërë muajve të vitit me aktivitete,që do të thotë se keto aktivitete nuk do ti administroi Ndue Ftoni,as qëndra e tij e biznesit por të gjithë sipas mundësive e kushteve që kanë e mund të krijojnë,duke mos i marrë askujt meritat e dukë mos mbivlersuar e as nënvlersuar njëri. Qëndra,restorant apo si të doni thirreni-tha Ndue Ftoni,gjatë gjithë vitit ka me qindra dasma shqiptaresh ku kunorzohen çifte shqiptare,në të cilat kunora, marrin pjesë drejtues të katër besimeve fetare e keshtu që edhe mundësia e takimit të tille është më e madhe se sa në një objekt kulti fetarë kushdo qoftë.Kjo sdo të thotë ,u shpreh ai, se ne kemi në dorë ose duam që të mos vlersojme e të mos marrim pjesë në aktivitetet e tyre,ketu nuk bahet fjalë se “The Imperial House” do të monopolizojë aktivitetet e të drejten e organizimit të tyre por edhe të tjeret duhet ta kuptojnë e ta marren në konsideratë se për një çeshtje madhore si ajo e pavarsise se kombit nuk gëzon kush të drejtën e monopolit.
Zef Pergega,gazetar dhe autor librash,pasi foli për rëndësine e ketij takimi,informues dhe programativ,foli edhe për domosdoshmërinë e bashkimit e jo të ndarjës pasi me ndarje jemi ngopë me dhjetra shekuj,ai shtroj edhe kerkesen e formulimeve  te sakta gjuhësore për nivele të tilla në komunikime dhe thirrje pasi ftesat e programet duhet që në leximin e pare e nga secili nivel arsimor që e ka në dorë ta kuptoj se është qellimi i gjithëperfshirjes me respekte të barabarta ndaj secilit pavarsisht nga kontributet,vlerat tu merren në konsideratë secilit.
Dedë Beleshi, i cili diskutoi si njëri nga anetaret e grupit inicues të atij takimi,falenderoi pjesëmarrësit për kohën e diskutimet me shume vlerë të tyre,të cilat janë e duhen marrë në konsideratë edhe për formulimin e programit final të aktiviteteve gjithëvjetore. Ai nguli këmbe se grupi nuk ka pasë idenë e kopjimit apo perseritjes së programeve të tjerve.Në këtë botë jetojne ide e rrugë nga më të ndryshmet për ti realizuar ato,mjafton të jetë qellimi i mirë për  ta bërë atë se bashku e të çveshur nga komplekset,nënvlersimi e mbivlersimi i askujt e aq më teper i pamerituar. Takimi i thirrun në “The Imperial House” nuk do të thotë se asaj po i rezervohet e drejta e vetme e festimit,jo kjo nuk ka qëndruar dhe nuk do të qëndroi pasi grupi ka pasë të vetmin mëndim ku mund të rrinë e diskutojnë si Imami ashtu dhe Frati,si Babai i Teqese ashtu edhe Prifti i kishes ortodokse.Hija apo pushteti i njerit nga besimet ndaj tjerve ketu është disi në planin dytesor në raport me çeshtjen kombetare.Këto janë disa nga mendimet që kem diskutuar;të kem një manifetsim në qënder të Detroitit,një seminar historik e shkencor,aktivitet kulturore,artistike e sportive të shperndara gjatë gjithë vitit e finalja në fund të muajit nentor,ku secicili nga institucionet mëndon për hapsira kohore në raport me të tjeret për të realizuar për mire e bukur në funsion të gjithëperfshirjes e jo të perçarjes. Ketu jemi sot jo për tu bërë Deda kryetar apo X apo Y,pasi unë e kam thënë që në takimin e parë se nuk e kam në mendje një gjë të tillë,nga momenti kurë programi dhe idetë futen në rrjedhen e marrjes udhë unë ashtu si dhe sot jam si ju dhe nuk e kam kompleksin e kryetarllikut.
Ndue Ivanaj,përkrahu inisiativen dhe perseriti si dhe parafolsit nevojen e bashkëpunimit,bashkimit e jo të ndarjes. Thënjës të vertetes e jo intriges e thashethemit në dëm të çeshtjes.Vlersimit te çdo kujt që mundet të bëjë diçka e për të mirën e kombit,bashkpunimi në mes institucioneve fetare,ato në mes vetit e ne me to e ato me ne.
Në takim diskutuan edhe Rafael Floqi, Rush Dragu,përfaqësue të tjerë nga Kosova,Çameria, drejtuesit e shoqates “Dukagjini” etj.
Moderatori i takimit Altin Zaloshnja,pasi bëri një përmbledhje të gjithë atyre që moren fjalën (duhet nenvizuar se pati nga diskutantet që folen me shume se një herë duke shpreh mendimet dhe kerkesat e tyre),i përshendeti ata për konsideratat ndaj takimit dhe organizatorve,mori në shqyrtim për të pranishmit kerkësen që para se të formulohet drafti final i festimit gjithevjetor e caktimit të grupit të punës,të bisedohet dhe me drejtuesit e institucuioneve fetare konsullin e nderit Z.Bardha për rrugët dhe mundësite e sa më shumë gjithëperfshirjes në këtë nisem dhe për të marrë në konsideratë edhe ide dhe plane që janë për mirë dhe i sherbejnë çeshtjes dhe pastaj në takimin e ardhëshem të rradhes të procedohet për gjera më konkrete duke kaluar nga konsidertata të pergjithëshme në të veçanta.
Pas propozimeve nga salla u ra dakort që një grup i përbërë nga moderatori i takimit Altin Zaloshnja,Mergim Korça,Dedë Beleshi,Tomë Duhani dhe Lulash N.Palushaj,të kontaktojnë me drejtuesit e institucioneve fetare,konsullin Bardha dhe me cilido individ që ka programe dhe plane konkrete që pastaj në takimin e aferm të radhes të percaktohen punët e të ndahen detyrat për gjithësecilin sipas mundesive dhe kapaciteteve.
Rush Dragu
Prill,2012
Foto nga mjeshtri Paulin Palushi

Sunday, April 22, 2012

Berisha: Nano e ka derën e kryeministrisë të hapur nëse do të më takojë

Kryeministri Sali Berisha tha sot se ka pranuar të zhvillojë një takim me ish-kreun e PS-së, Fatos Nano për kandidimin e tij për president. Në një prononcim për mediat, gjatë ekspozitës me vepra të piktorit Ibrahim Kodra, kryeministri tha se sidoqoftë PD do të ketë kandidatin e saj për kreun e shtetit. “Ish-kryeministri Nano nuk ka kërkuar ndonjë takim me mua, të paktën në dijeni time. Natyrisht janë të njohura deklaratat e tij, edhe qëndrimet e mia për procesin janë të njohura, por ish-kryeministri e ka derën të hapur të kryeministrisë në çdo rast që ai kërkon të takohet me kryeministrin”, theksoi Berisha. Berisha ka përjashtuar mundësinë e kandidimit të tij për postin e kreut të shtetit, ndërsa ka theksuar se PD-ja ka kandidatë për këtë post. “Atë që unë mund t’u them është me garanci të plotë që Sali Berisha nuk do të jetë kandidat, sepse kam një vendim përfundimtar. Në vitin 2009 unë dola para qytetarëve shqiptarë me një program të cilin do e zbatoj deri ditën e fundit të mandatit tim 4 vjeçar. Dhe nuk kam nuk mund të imagjinoj veten që të shmang qoftë dhe për një sekondë veten nga fushë beteja”, u shpreh Berisha. Lidhur me emrin e kandidatit të PD, Berisha u shpreh se ka disa personalitete.

Presidenca/ Arvizu: Nano ka shumë gjëra pozitive. Nano: Do riaktivizoj mbështetësit në PS

Kandidatura e Nanos për të qenë president është komentuar si serioze dhe pozitive nga Ambasadori Amerikan në Tiranë Aleksandër Arvizu, pas një takimi të tij me ish-Kryeministrin Fatos Nano kandidat i vetëshpallur për President. “Sikurse për shumë shqiptarë, një nga programet e mia të preferuara është “Zonë e Lirë”, zoti Çani po ju ndjek edhe ju gjithashtu dhe çdo javë. Është interesante të shoh listën e kandidatëve që ai ka 12 apo disa të tjerë. Qartazi disa kandidatë janë më seriozë se të tjerët dhe zoti Nano është në këtë kategori ndaj është e rëndësishme të vazhdojmë diskutimet tona”, u shpreh Arvizu. Më tej ai shtoi se se nuk po flitet për emërimin e një ministri, por për Presidentin e Republikës së Shqipërisë, kështu që kërkesat janë të qartësuara në Kushtetutë, “duhet të jetë një proces kushtetues, por sërish bëhet fjalë për Presidentin dhe këtë Kryeministri dhe çdo shqiptar e kupton shumë mirë”, tha ai. Arvizu e mbylli fjalën e tij duke thënë se Shqipëria ka nevojë për një lidership pozitiv dhe theksoi se shumë nga këto gjëra pozitive janë të mbledhura te Fatos Nano.
Ndëkohë nga ana e tij Nano tha se ky takim ishte në vazshdën e atyre që po bën ai për kandidaturën dhe zgjedhjen e presidentit duke thënë se në vazhdën e takimeve të tij përfaqësuesit ndërkombëtar nuk mund të përjashtohen dhe “mbi këtë bazë shtoi se në takim u dhanë arsyetime të njëjta për një klimë më të frytshme si dhe për sfidën e ardhshme presidenciale”.I pyetur për deklaratën e Kryeministrit Berisha se Presidenti do dalë nga radhët e Partisë Demokratike, Nano tha: “Kryeministri është kryetar i maxhorancës dhe drejtuesi i partisë më të madhe, kështu që ai po bën mirë detyrën e tij. Ai ka treguar në mjaft raste se nuk është politikan i rekordeve të pjesshme dhe unë nuk mund ta marr Kryeministrin në mënyrë kaq të pjesshme si deklaratat e ditës. Kjo është një pjesë e të vërtetës të cilën unë e vlerësoj me vështrim kritik, unë mund të bëj vetëm avanca dhe jo kërkesa për tërheqje”.
Fatos Nano tha se se  ka një përgjigje pozitive nga e majta duke theksuar se do ta riaktivizoj mbështetjen e së majtës së shprehur hapur dhe heshtur për liderin historik të saj. Kandidati për President përfundoi fjalën duke thënë: “Unë nuk kam ardhur për të ndërprerë axhendat e zhvillimit normal të politikës dhe punëve në Shqipëri. Është jashtë natyrës së traditës dhe qëndrimeve të mia politike që gjithçka që unë kam provuar nuk mund të shkaktoj një krizë, kam avancuar dhe do vazhdoj të avancojë me politika që zgjidhin probleme”.

Nano-Nano, Circus-Circus

Sokol Balla
Nëse ka diçka, që edhe kritiku më i madh i Nanos (unë kam qenë e deri diku mbetem ende njëri prej tyre) nuk e mohon dot, është se ish-lideri i së majtës mbetet një politikan i aksionit. Ndërkohë që Berisha bën interesantin duke bërtitur, Rama misteriozin, duke heshtur, e Meta të sigurtin duke qeshur për Presidentin, Fatos Nano edhe këtë herë lëvizi i pari. Lëvizi duke mos thënë të vërtetën e madhe: se ai më shumë se askush tjetër e do fort prej një dekade atë post, i cili çuditërisht është lakmuar pikërisht në këtë dekadë, thuajse më shumë sesa posti i Kryeministrit. Meidani e deshi shumë, edhe sepse e kuptoi këtë vetëm në ditët e fundit të mandatit; Moisiu e aplikon ende, megjithëse vetëm për protokoll; Berisha e vuan aq shumë, që nuk mund të ribëhet, megjithëse i ka votat për vete, saqë, meqë nuk ia thotë dot amerikanëve, s’rri dot pa ia përmendur si mundësi ndonjë monitoruesi të lodhur moldav të KiE.
Por Nano e do më shumë se gjithë të tjerët. Aq shumë, sa ka bërë lëvizjet më të forta për ta patur atë. Më 2002 u puth me Metën, që e kish lënë rrugëve; me Berishën, që e kish rrasur në qeli; dhe në fund pranoi, jo pa mërzi në shkëmbim, postin e Kryeministrit. Post të cilin e ktheu në më pak se 6 muaj në një Presidencë faktike. Me eskortat, vizitat pompoze, e deri te ligji i ri i protokollit, që bënte bashkëshorten e tij First Lady të Republikës, me president Moisiun e ve. E shijoi aq shumë “presidencën”, sa vendosi të bënte protagonistin e rotacionit, duke e paguar me humbjen e PS-së. Në ankth e në distancë, këto ngjarje i ndiqte një njeri: Edi Rama.
Më 2007, Nano shkoi edhe më larg. Vuri firmën në një copë letër në dukje të pakuptimtë, më 11 janar 2007, por që detyroi Ramën dhe Berishën drejt një kompromisi për zgjedhjet lokale. Më pas, i lënë jashtë emrave të negociuar për President, ai ndërhyri me aksionin më spektakolar, më kontroversial dhe më unikal në historinë e parlamentarizmit modern shqiptar: aktivizoi ushtarët e paqes, siç i quajti ai, apo jeniçerët e shtrenjtë të luftës, siç i njohim ne, për të zgjedhur kreun e ri të shtetit. Nën sytë e shtangur të Metës. Duke detyruar Ramën të syrgjynoset rrugëve të fshatrave të vendit, në “Rrugëtimin nëpër Shqipëri”, për nëntë muaj rresht. Kësaj radhe në distancë, dhe me ankth ngjarjet i ndoqi Sali Berisha. Parandjenja e gladiatorit politik nga Tropoja i thoshte se kjo nuk ishte fitore e mirëfilltë. Koha i dha të drejtë. Presidenti nuk u bë kurrë i tij. Paradoksalisht këtu meritë ka edhe Nano. Votat e grupit të tij, i dhanë Topit edhe politikisht mundësinë e artë, të distancimit nga partia që e propozoi për President.
Më 2012, shumë gjëra kanë ndryshuar, nga 2007-ta, por faktorët politikë janë po ata. Kryesorët, Berisha, Meta, Rama, por edhe dytësorët: Topi (me votën e Oketës) dhe Prifti, me votën e tij, tashmë jo qartësisht me opozitën, e aq më pak me planin e saj (gjithsesi të munguar) presidencial. Fatos Nano shfaqet sërish i vetmuar. Ndryshe nga 1998-ta, vetmia e tij është thelluar edhe nga mungesa e Emin Barçit, tashmë i zënë me frigoriferët e tij. Fatos Nanos sot nuk ka kush ia lidh këpucët, e pikërisht këtu qëndron “rrezikshmëria” e tij. Pas një dekade, me lidhëse apo jo, këpucët e Nanos nuk janë varur ende në gozhdë. Përkundrazi, në gozhdë rrezikojnë t’i varin ata që do t’i dalin atij kundër.
Rrezikon Meta, sepse, nëse nuk i jep atij votën, mund të shtyjë Nanon në aksionin paralel me atë presidencial, të afrimit të Berishës me Ramën, ose së paku, siç “kërcënoi” të enjten në TopStory, “ndasinë e brendshme në grup(e)parlamentar”, të LSI, duke shtyrë Tavon drejt PD-së dhe Kokën drejt PS-së.
Rrezikon Rama, sepse, nëse nuk i jep edhe kësaj radhe votën, njeriut që nuk ka asnjë ambicie t’i marrë partinë, e tashmë asnjë vullnet për t’ia përçarë atë, rrezikon përfundimisht t’i marrë Nanos përfundimisht, të vetmin “skeptër”, që nuk ia ka marrë akoma: atë të përçarësit historik të së majtës. Rrezikon PS-ja, se një Nano president pa votat e saj, është garancia më e madhe e mosbërjes së rotacionit politik më 2013, ndërsa moszgjedhja e tij, por e Topallit, garancia më e fortë, se ky vend do shkojë për lesh, pavarësisht se kush e tjerr atë në vitet e ardhshme.
Nëse nuk i jep votat Nanos, ai që rrezikon më shumë padyshim është Sali Berisha. Ai i detyrohet shumë Fatos Nanos. I cili nuk hapi ndaj tij procesin gjyqësor të merituar për ngjarjet e vitit 1997, 1998 dhe nuk u hakmor për burgun e padrejtë. I detyrohet presidentin në 2002 e 2007, si dhe fitoren më 2005, e “njëçikë” edhe më 2009. Nëse nuk e bën President tani, me apo pa kandidimin e PS-së, Fatos Nano do të kthehet në varrmihësin e qeverisë Berisha. Edhe nëse zgjedh Topallin e humb ndërkombëtarët, edhe nëse nuk e zgjedh atë, duke humbur shumicën në Kuvend.
Paradoksalisht Fatos Nano ofron edhe mundësinë e vetme që të gjithë të dalin të lumtur nga kjo histori: zgjedhjen e tij konsensuale. Fiton Meta, që nuk është i sigurt se mund të bëjë Presidentin. Me Nanon ai del faktor e nuk humbet deputetë. I fituar del Rama, i cili në mungesë të një plani a emri për President, nuk humbet asgjë, por fiton. Fiton admirimin e papritur të Nanos dhe të së majtës tradicionale, ku ai nuk bind prej një dekade, si dhe një President, që i ka aq shumë qejf rolet protagoniste në rotacionet politike.
Fiton edhe Berisha, për të cilin variabli Nano është i vetmi version i historisë ku ai nuk quhet humbës. Vota e tij (konsensuale ose jo), shkon për një individ antiRama dhe siç ka treguar edhe në të shkuarën, aspak hakmarrës ndaj tij. E me gjasë sigurisht, as edhe ndaj familjes së tij. Por jeta e vështirë pas 15 marsit 2008, e shtyn Doktorin të jetë mosbesues. A foli Nano në mënyrë të sinqertë të enjten e shkuar? Vërtet beson ai se më 21 Janar të dyja palët e kishin fajin njësoj? Dakord, ka votuar kundër Ramës, por kaq “naiv” të jetë Nano sa të besojë se Bashkia e Tiranës nuk u vodh, vetëm se fjala “vjedhje” mungoi (vetëm literalisht) në raportin e Jonathan Stoneman?
Kush e di? Askush veç Nanos. Mirë e keq, ai u rikthye. E si gjithmonë nuk ikën, pa kosto. Për fat të mirë, kostot e ikjes së tij kanë qenë gjithmonë politike, ndryshe nga të ato ikjeve të Doktorit. E ndoshta një Nano President, do ishte pikërisht ilaçi që po kërkojnë të gjithë. Serumi që “zeron” kostot e rotacionit të një viti më pas. Kjo është mjeshtëria më e madhe që në turin e tij të radhës në Shqipëri, ofron Fatos Nano.
Shumëkush me të drejtë mund të thotë se ndoshta cirku i Fatosit nuk ofron asnjë moral, e për më tepër, duke rikthyer një ”veteran”, asgjë, as një emër të ri.
Po në kohën kur skena politike shqiptare është kthyer në një unazë të madhe ku vijnë vërdallë po të njëjtat makina, askush nuk mund të ankohet pse aty bën xhiro edhe autobusi i Fatos Nanos. E frikshme është se, edhe pse me vonesë, ky autobus arriti para të tjerëve, në stacionin e parë të linjës së Presidencës.
Kësaj radhe, ndryshe nga ç‘thuhet, kush e humbet autobusin e tij, s’ka më shans ta kapi xhiron tjetër.

Friday, April 20, 2012

Qëndrueshmëria e fjalës poetike: Bardhyl Londo, “Fluturim i korbave”

Nga Prof. Ali Aliu
Në takimin e parë me poezinë e Bardhyl Londos krijohet ndjesia e filozofisë dhe perceptimit të botës që e shmang strukturën e mbyllur të komunikimit dhe shprehjen e ngarkuar gjuhësisht. Në librin më të ri “Fluturimi i korbave” përfshihen shtatë poema, të shkruara gjatë dyzet vitesh, që, si zhanër i ndërmjetëm letrar , sugjerojnë vetvetiu lehtësim komunikimi për lexuesin. E megjithatë, edhe forma e poemës në poezinë e Bardhyl Londos, edhe lloji i poezisë së shkurtë, shquhen për prirjen e lirizmit refleksiv, që bart në vete ngarkesa thellësish të cilat si shtresime, edhe mund të të rrëshqasin në leximin e parë…
Meqë në artin poetik letrar, lirikja, epikja dhe dramatikja, dallohen mes vedi veçorish të qarta dhe të sakta, megjithatë ato, në të gjitha llojet dhe zhanret, në të gjithë formatet tekstore letrare, janë prani e pleksur, e bashkëshkrirë. Pra kemi lloje, tekste ku shquhet njëra ose fryma tjetër. Këtë veçori kanë edhe shtatë poemat e Bardhyl Londos: emocionalja, kryesisht shquhet si shenja e parë e lirikës; edhe me këtë rast perceptim- përjetimi i kohës dhe hapësirës pa kufi, perspektivë nga e cila mëton ta fokusojë dhe ta trajtësojë, ta bëjë prani konkrete objektin e frymëzimit në poemat e veta, shfaqet si truall i sigurt i Bardhyl Londos. Lirikja dhe epikja, përplotësohen dhe diferencohen njëkohësisht, si prirje, gjatë tërë ecurisë së zërit epiko-lirik në poemat e tij: lirikja e sjell të gjithëkohshëm emocionin, epikja e kornizon në kohë dhe hapësirë. Elementi lirik, përbërës i së përjetuarës, në jetë, mëton ta evokojë botën e vet, edhe nga perspektiva gjithëkohëse… Zëri i narrator-filozofit ndërkaq, në poezinë e Bardhyl Londos, mëton artikulimin e një strukture, të subjektit të qëndrueshëm dhe të identifikueshëm…
Autori, duke i përfshirë brenda një vëllimi shtatë poemat, bën edhe rekapitullim të rrugës së vet krijuese, provokon qëndrueshmërinë e fjalës së vet poetike të një kohe me një kohë dhe ndjeshmërie të ndryshme nga ajo e periudhës kur është zënë e krijuar fillimisht; provokon fuqinë krijuese, në rrethana të ndryshme,sfidon kufizimet, lirinë e shprehjes, flijimet, për të mos heshtur; provon dhe verifikon formimin e vet me përvojat… Dhe kësaj here jo përmes botimit të opusit krijues në tërësi, por përmes vetëm një segmenti zhanror të rrugës së vet gati dyzetvjeçare krijuese. Pra vë përballë, këtë diskurs lirik të zënë në dy kohë historikisht fare të ndryshme lidhur me lirinë krijuese,dhe kufizimet e hapjes ndaj përvojave universale…
Vepra “Fluturimi i korbave” hapet me poemën “Vajzë e vogël me jetë të madhe” (1981) që ka bartur të fshehtë në vete një dhimbje të heshtur dhe që e sjell në dritë teksti përcjellës, si pasthënie e vetë autorit, ku ndër të tjerat shkruan: “ … Në shkurt (1981) isha caktuar për të shkuar në Kosovë, nuk e mbaj mend çfarë aktiviteti ishte. Takimi u shty për në pranverë. E ngushëllova veten me të ftohtin e madh që bënte ato ditë, duke pritur kohë më të ngrohta. Por pikërisht atëherë shpërthyen revoltat në Kosovë, dhe ëndrra më e veçantë e jetës sime për të pare dhe prekur Kosovën u realizua vetëm pas hyrjes së NATO-s në vitin 1999… Por Kosova ishte brenda nesh natë e ditë. Poema “Vajzë e vogël me jetë të madhe”, që i kushtohet Kosovës, - dhunës së ushtruar nga pushteti serb, fillon nga kënga me titull “E pamundur”, si këngë e dhimbshme dashurie me vargun “Po ti mos e ngri atë dorezë telefoni\ të thuash nuk vij sonte”. Isha duke kaluar buzë Lanës, me plepat e atëhershëm të zhveshur që ngjanin si skelete anatomikë, dhe vizioni i Kosovës që jetonte brenda meje intensivisht, m’u shfaq si një dashuri e dhimbshme tragjike dhe e pamundur (sapo kisha marrë vesh përfundimisht se nuk do të shkoja kurrë në Kosovë pas atyre që ndodhën) por orientimi ishte i prerë:nuk mund të shkruanim atë kohë për Kosovën. Me sa më kujtohet, vetëm “Zëri i popullit” e kishte këtë të drejtë… Atëherë vajzën e vogël që e vranë në Prishtinë, e mora dhe e vendosa në Borovë (Kolonjë), ku në të vërtetë nuk e di në ka ndodhur diçka e tillë. Po kjo nuk më shqetësonte fare, sepse realisht kishte ndodhur në Kosovë… Pasi e kisha mbyllur poemën, shtova dy këngët e fundit… Të dyja janë shkruar me akrostik: e para lexon Kosovë, e dyta Prishtinë. Natyrisht në botimin në revistën Nëntori nuk janë me të zezë, siç bëhet zakonisht në këto rate… Dy javë pas botimit të revistës ku ishte poema, pothuajse nuk kam fjetur nga shqetësimi mos i kapte censura zyrtare apo ajo vullnetare, sepse për fat të keq ekzistonte edhe një censurë e tillë… Censura shqiptare censuronte Shqipërinë, censuronte shqiptarët për shqiptarët e Kosovës. A ka absurd dhe dhimbje më të madhe?”.”
Është refleks, ndërgjegje normale e njeriut, intelektualit, e krijuesit do të thoshim, dashuria për vendin, për kombin, për gjuhën, për historinë dhe traditën shpirtërore, kjo e Bardhyl Londos, apo ajo e Zija Çelës tek tregimi “Mermeri që pikon” dhe e autorëve tjerë për Kosovën për të përmendur poemën “Kosova” të Mitrush Kutelit, etj; është pikërisht ky mishërim i vërtetë, rrahje dhe ritëm i brendshëm i kombit që nuk kanë mundur ta heshtin, dhe ta zbehin as pushtimet e huaja as diktaturat. Në krijimtarinë artistike përgjithësisht, e në letërsinë tonë, sidomos dëshmi të tilla, kur zëri i artistit triumfon mbi censurat ndëshkuese, aq të rrepta dhe vrasëse si në Shqipërinë e kohës, ashtu edhe në Kosovë, janë të shumta…Zhgënjimet ndërsa, sidomos të iluzioneve tona, lidhur gjithnjë me raportet Shqipëri – Kosovë për dhjetëvjetëshat e fundshekullit të kaluar dhe deri në ditët tona, shfaqen dhe ikin, por të pranishme, dritëhije…
Poemthi “Faleminderit det”, i përfshirë në këtë botim mban datën 1977, që do të thotë se është më i hershmi, mbase edhe në tërë krijimtarinë poetike të autorit, në këtë zhanër. Ka gjithsej 12 këngë dhe, është poema më e realizuar artistikisht. Për më shumë, veçmas me katër këngët e para vjen përsosje estetike. Zëri lirik me këtë rast, , në depërtim drejt vetvetes, thellimeve, arrin të shkëputet plotësisht nga të gjitha gravitacionet e jashtme. Nuk ekziston botë, sy e veshë përreth, plotësisht asgjë; është vetëm ai dhe e dashura dhe tërë gjithësia e tyre dhe për ta; është mbarë kaltërsia, hapësira pa fund që shpirtëzohet dhe merr të drejtën e heroit të tretë, të barabartë në këtë poemë. I pranishëm është edhe qielli, mbi sipërfaqen e paane të detit, të shndërruar, në nderim të bukurisë së gruas, në pistë vigane, në shtresë kristale, e ngrirë alabastër, posa shkel këmba e saj në të…
Poemthi “Faleminderit det”, që në zënie, insiston të realizohet në një hapësirë të pafund, nën zotërimin sovran të vetin, hapësirë kaltërsie me tension të fuqishëm dehës, lumturonjës, vatër rrezatimi e të cilit është bukuria e gruas, përkatësisht e zërit lirik të dashuruar që e sodit tërë këtë mrekulli magjike para shikimit të tij. Në këngën e pare të poemthit, në kontakt të pare të gruas me detin, deti ngrin, i merret fryma, si në poezinë e Safos, s’ka valë as rrudhë, është krejt rrafsh si qelqi. Dhe noton gruaja drejt thellësive, drejt ndjelljes së mjellmës, duke e mbushur hapësirën nëpër të cilën përhap dhe shpërndan gëzim dhe dashuri, edhe në këngën e dytë, në të tretën. Ndalet diku në thellësi, mbase të prehet, të marrë një sy gjumë dhe deti, i qëndron gati me jastëk vale nën kokë, dhe si gjyshe e mire, ndër këmbë i bie dhe i bën roje…Kryesisht kjo është pamja e parë, e shtrirë brenda katër këngëve të para të poemës, “Faleminderit det” që do të ndiqet edhe nga tri pamje tjera…
Tek kënga e pestë ndodh thyerja e parë: a është e vërtetë tërë kjo që po ndodh, - fanitet dhe shigjeton vetëtimthi dyshimi i zërit lirik, dyshimi me frymën e kanunit. E dashura ndërkohë ka dalë nga deti dhe shtrydh flokët e gjata, dhe fanitja tani bën që flokët të shndërrohen në ferexhe, që është pamja e dytë, e përshfaqur në këngën shtatë. Pamjet sakaq ndërrohen me shpejtësi dhe në sytë e folësit, vargu i stërkalave kristalore të ujit, brenda të cilave ka hyrë dielli, shfaqet duvak nusërie, pamje që e mahnit tani zërin dhe që është pamja e tretë e poemthit dramatik… Pas kësaj pason mbyllja deradiane do të thoshim e kësaj vepre:
Ikim.
Deti mes brigjesh
Sy i bukur mes qepallave u tret.
Mirupafshim det!
Kush u tret? Deti në largësi, apo lumturia e syrit mes qepallave? Metamorfozimi ambivalent, mbulon e njëkohësisht zbulon çdo gjë, për arsye se çdo gjë ka marrë fund, është tretur tutje deti, tretur lumturia njëditëshe në syrin e së dashurës, në zërin e heroit, bashkë me udhëtimin drejt realitetit, mbase edhe atij kanunor dhe atij të përditshmit, brutalit…Një përmbyllje e formatit të madh, përmes pamjes së katërt të poemthit, si një pastërti estetike e përsosur…
Bardhyl Londo në thelb është natyrë e poetit refleksiv. Atë e dallon prania e rreptë e gjykimit të përhershëm, i cili, sa herë që zë fill frymëzimi, arrin ta zbusë dhe fisnikërojë emocionin. Edhe kur merr hov dhe s’përmbahet afeksioni, ai buron, vjen si ndërgjegjësim që ushtron realiteti, nga mendja para së gjithash dhe më pak nga zemra.. Edhe tensionimi që në moment gufon ritëm i vargut, më pare se buisje e papërmbajtur e tensioneve shpirtërore, del si prurje e stilit poetic të veçantë dhe parimesh të qarta estetike. I tillë është para së gjithash në lirikën e pastër, të shkurtër, që si pohim mund të duket paradoksal: poema është lloj pjesërisht narrativ që ka një nxitës konkret dhe që parapëlqen një koncept paraprak, një përmasë të qartë në kohë dhe hapësirë, një a më shumë folës. Megjithatë, edhe tek poema “Ditë njerëzore”, edhe tek e përfolura “Faleminderit det”, emocioni dhe gjykimi refleksiv janë më të balancuara. Bardhyl Londo është liriku filozof, është poet që sfidon paradokse dhe absurde të jetës dhe botës ndër mote dhe shekuj.
Natyra refleksive e lirikut me gjykim të rreptë, do të shquhet si e tillë me dy poemat më të fundit, “Fluturim i korbave”, (1993), dhe sidomos me kryepoemën “Dhjatë e përmbysur”, (2010).
Dymbëdhjetë këngët e poemthit “Dhjatë e përmbysur”, në rileximin tim, më vijnë edhe si dymbëdhjetë ese poetike, eliptike, në frymën e filozofisë agnosticiste. Tingëllojnë meditime poetike për mirësinë dhe ligësinë, të ndara dhe bashkë, në armiqësi dhe bashkëveprim të përjetshëm; më vijnë si rebelim prometeik ndaj pamundësisë së njeriut për njohje e vetënjohje, për pamundësinë që të vetëdijesohet për këtë gabim të krijuesit, për gabimin qiellor. Janë dymbëdhjetë ese poetike-filozofike për ekzistencën e gabuar, për ekzistencën si burim besimi dhe mashtrimi, shprese dhe zhgënjimi, dashurie dhe urrejtjeje; kështu që nga dhiata e këtej e po aq para saj, njeriu përballë indiferencës së Krijuesit për mizoritë e ligësisë mbi njeriun e vdekshëm, të pafajshëm e të devotshëm, në shpresë e besim të përhershëm për drejtësi që, duket se nuk do të mbërrijë kurrë... Këtë revoltë e rebelim qiellor, metafizik, mes shenjtërve, poeti Bardhyl Londo e zbret mes realitetit tokësor, e bart krahëve të historisë dhe kohës së pafund, e vendos mes përditshmërisë së njerëzve, sjelljes dhe moralit të mjedisit, të institucioneve, përmes pamjeve dhe situatave kreative, të fuqishme estetikisht... Dhe kjo mbase mund të jetë një shteg leximi i kësaj kryevepërze. Akrostiku ndërsa i këngës së trembëdhjetë (Falna Krisht amin), modelit të poezisë së madhe, të shtyn, si lexues, edhe një tjetër shtegu, ecjes e përsiatjes gjatë të cilit, tokësori njeri sikur pranon se është mëkatar dhe, mund të vazhdojë ëndërrimin drejt përsosjes...Ballëpërballë pra tokësori dhe qiellori, ose dëshpërimi i (pa)ngushëllueshëm i njeriut me gozhdët në shpirt, dhe indiferencës qiellore. Edhe këtij shtegu, gjithnjë thellësish të hapësirave të pandriçuara deri në fund që i sjell parandjenjë të artikuluar me përsosmëri artistike poezia në tërësi, dhembje –klithja e njeriut jehon hapësirës indiferente. Dhe më vjen ta përfundoj leximin tim të poezisë së Bardhyl Londos me një klithje të Korneit: “Lumturi e vërtetë është të mos jesh i ndjeshëm ndaj shqetësimeve, për asgjë të mos shpresosh dhe nga asgjë të mos kesh frikë”.
Ali ALIU

Tuesday, April 17, 2012

Bajerni mposht Realin

Gjermanët fitojnë 2-1 me spanjollët. Gjithçka e hapur në Madrid

Bajerni dëshmoi se është “makthi” i Realit të Madridit, duke i mposhtur spanjollët 2-1 në takimin e parë gjysmëfinal të zhvilluar në “Alianc Arena”. 

Një fitore me vlera, e vendosur me golin e minutës së 90-të nga golashënuesi më i mirë i Bajernit të Munihut, Mario Gomezh, pas asistit të kapitenit Filip Lahm, që përfitoi në një mbulim i keq i Koentaros. 

Duke parë kronikën e lojës, në minutën e 17-të, pas një goditjeje këndi, francezi shënoi golin e gjermanëve, pasi Ramos nuk arriti të pastrojë zonës. 

Për mediat spanjolle, goli ishte i parregullt, pasi sipas tyre, Luis Gustavo ishte në pozicion jashtë loje kur Riberi goditi topin. Në pjesën e parë, Kristiano Ronaldo ekzekutoi disa goditje të lira, por pa sukses. Mesfushori turko-gjerman i Realit të Madridit, Mesut Ozil, barazoi rezultatin pas një asisti të Kristiano Ronaldos. Kur gjithçka dukej se do të mbyllej në barazim 1-1, Mario Gomezh shpiku golin fitues të Bajernit të Munihut, duke konfirmuar edhe një herë tjetër se është “macja e zezë’ e madrilenëve. 

Ia vlen të kujtojmë, se Reali i Madridit e fitoi Ligën e Kampioneve në vitin 1998, 1-0 kundër Juventusit, duke pasur në bankinë pikërisht trajnerin aktual të Bajernit të Munihut, Jup Hejnknes. Një ndeshje jo në nivelin që pritej nga Reali i Madridit, ndërkohë që spanjollët e Murinjos pësuan humbjen e parë në 11 ndeshje në Ligën e Kampioneve.

 

Sunday, April 8, 2012

Rexhep Qosja: Nuk preket Himni për një parrullë politike

TIRANE - S’mund të ndërhyjnë në Himnin Kombëtar. Ka mjaft hapësira për të respektuar të drejtat e gruas. Kjo do të cenonte rëndë momentin historik, të vërtetë, traditën... Akademiku Rexhep Qosja, ka reaguar ashpër dje pas një deklarate të Avokatit të Popullit për përshtatje në tekstin e himnit kombëtar. Për “Shqiptarja.com”, Akademiku Qosja sjell këtë intervistë telefonike, ku argumenton mbi të drejtat dhe barazinë gjinore, dhe deri ku mund të shkojnë ato, pa e prekur traditën dhe të vërtetat historike.

Profesor, a kemi të drejtë të ndërhyjmë sot, tek Himni Kombëtar?
Jo, them se jo. Nuk bëhen këto ndërhyrje në himnin kombëtar. Ai është krijuar atëherë kur është krijuar. Ka një emër, ka nj autor, ka një traditë, s’mundet... Unë nuk e përfill një propozim të tillë.

A shkelet e drejta e autorit në këtë rast?
Absolutisht po. Shkelet rëndë.

Po si dokument historik, a cënohet?
Si dokument historik kemi të bëjmë me një ndërrim të autenticitetit, origjinalitetit, vlerës. Atëkohë është menduar ashtu. Pse burrë? Kanë luftuar burrat, nuk kanë luftuar gratë. Ka edhe raste të veçuara që kanë luftuar gratë, si në rastin kur partizanët i futën në radhët e luftës edhe gratë, pak a shumë. Por jo, s’ka qenë traditë për shqiptarin. Nuk mund ta ndërrojmë të kaluarën. Ka qenë e këtillë.
Nuk më duket propozim i arsyeshëm.

Me këtë arsyetim, mos dalim kundër barazisë gjinore?
Kemi mundësi të tjera, hapësira të tjera, fusha të tjera, shumëçka tjetër ku gratë mund të ndihen në pozita të barabarta. Dhe ka dashur zoti, siç thotë populli, po bëhen realitet këto gjëra. Gruaja shqiptare sot është e liruar prej zakoneve e diskriminimeve që pësonte dikur. Nuk kemi nevojë të bëjmë ndërhyrje në himnin kombëtar për një parullë politike.

Po nëse ky propozim shkon paralelisht me propozimet e BE-së për integrim?
Jo, të ndërrojmë himnin!!! Le të plotësohet gjithçka që kërkon Bashkimi Evropian. Megjithëse ata kërkojnë që të jetë prania e grave 30 përqind në kuvend. Po pse nuk e bëjnë 50 përqind nëse duan të jenë plotësisht të barabartë. Përse nuk e kanë bërë vetë këtë gjë në vendet e tyre? Pse vetëm Suedia ka një përqindje të lartë, pothuajse të barabartë mes meshkujve e femrave në Parlament? Jam absolutisht për një barazi të plotë të gruas me burrin, por jo të ndërrohet himni kombëtar.

Kjo ndërhyrje është kërkuar në kontekstin e 100-vjetorit të Pavarësisë. A e përligj ky përvjetor këtë ndërmarrje?
Asgjë nuk e arsyeton ndërhyrjen apo ndryshimet në himnin kombëtar. Kurrëfarë përvjetori, as 100 as 200-vjetor, sikur të ishte. Jo jo... Është 100-vjetori i pavarësisë. Le ta kremtojmë në mënyrë sa më të bukur, sa më të arsyeshme, sa më të ndershme, sa më të plotë. Por jo ta ndërrojmë historinë. Ka qenë e tillë, me të mirat e të këqijat, fitoret dhe dështimet. Pse, për hir të 100-vjetorit të bëjmë edhe ndryshime në himnin kombëtar? Asnjë politikë serioze nuk do ta kërkonte këtë.

Në këtë rast ideja është hedhur nga avokati i popullit...
E kam ndjekur shpesh në televizion Avokatin e Popullit. Më ka lënë përshtypje shumë të mira. Por ky propozim i tij, nuk më duket për përshtypje të mirë.

Profesor, kundërshtimi juaj, mos lidhet pak me lidhjen shpirtërore që ju keni me Asdrenin si tekstshkruesin e himnit, nj autor që e keni studiuar gjerësisht dhe i keni kushtuar vite të tëra pune?
Nuk ka lidhje. Unë e kam studiuar Asdrenin siç do të studioja çdo shkrimtar tjetër. Unë madje e them se ai himn kombëtar, i cili nuk është plotësisht origjinal, është adoptim i një vjershe rumune, si tekst letrar nuk është antologjik, nuk është i shkëlqyer, por është bërë himn kombëtar dhe tekstet e himneve kombëtare të shumë popujve nuk janë tekste antologjike, janë të atilla, siç janë bërë në një moment të caktuar historik, dhe popujt i nderojnë, i respektojnë, nuk i ndryshojnë.
Unë kështu mendoj. E di se ka të tjerë që mendojnë ndryshe. Demokraci është. Le të urdhërojnë e të mendojnë ndryshe, mendimi im është i këtillë. Pra jo se e ka shkruar Asdreni. Edhe po ta kishte shkruar Naim Frashri, Zef Serembe, Fan Noli, apo Lasgush Poradeci, që mund të kishin bërë një vjershë mbase edhe më të bukur, por e ka dashur puna ashtu, dhe e ka shkruar Asdreni. Ismail Qemali e Luigj Gurakuqi, kanë qëlluar në Bukuresht kur kanë ardhur të shpallin Pavarësinë në Vlorë. Iu është dashur Himni dhe Asdreni e ka bërë tekstin për himnin kombëtar, iu është dashur flamuri dhe një grua e ka qëndisur edhe flamurin. Kështu ka ndodhur atëherë e ne duhet ta respektojmë atë moment historik, atë kohë, ata njerëz.

(ap/im/shqiptarja.com)

Mbreti në hije…

Nga Alfred Lela/Fotot: Armand Sallabanda/ Revista Mapo mumri i Shkurtit
Intervista / Princi Leka flet për amanetin e të atit dhe për dëshirën që të jetë i pari në Dinastinë Zogu që do të bëhet gjysh. Lidhjen e tij me Mbretëreshën Geraldinë dhe kujtimi i Mbretit Zog.
Në një natë të acartë shkurti, bashkë me Edi Lesin, një koleg që ka punuar me Princin Leka në ministrinë e Jashtme, bëjmë për nga Pallati Mbretëror. Edi ka luajtur rolin e ndërmjetësit për një bisedë me Trashëgimtarin e fronit, dhe falë tij, shmangen ato momentet mbushur me siklet e kortezi kur bashkëbiseduesi të është jo vetëm i panjohur, por edhe një i panjohur emri i të cili shoqërohet me titullin Princ. 
Në fillim si duhet t’Ju drejtohemi, pra cila është etiketa e duhur sipas ceremonialit, dhe si u pëlqen Ju personalisht, Naltmadhni, Princ Leka…?
Faleminderit për pyetjen, sigurisht që kjo varet nga konteksi, në rastin konkret mund të më drejtoheni edhe thjesht me emrin Leka, por sipas protokollit me titullin Naltmadhëri i drejtohen vetëm Mbretit, ndërsa djalit të tij, Princit, i drejtohen me termin Lartesë.
Lartesë. Nëse do të bënit një kategorizim të njerëzve që u drejtohen, secili me një nga këto cilësime që përmenda më sipër, si do i ndanit ata?
Së pari, askënd nuk do të ngarkoja me faj për mosnjohjen e terminologjisë protokollare, sigurisht duke përjashtuar në këtë rast diplomatët, ndërsa për pjesën tjetër kjo mosnjohje është e justifikueshme, pasi për rreth gjysëm shekulli kjo terminologji sipas ideologjisë komuniste përbënte herezi.
Si u drejtohet e fejuara Juaj? A ka ajo ende një emër ‘përkëdhelës’ për Ju?
Sigurisht që brenda çiftit nuk ka protokolle.
Në çift sigurisht që jo, por Protokolli i Oborrit ruhet në praninë në bisedë të Sulejman Gjanës, zv kryetar i Partisë Lëvizja e Legalitetit dhe me sa duket këshilltar i Princit. Gjana duket si një nga ata burrat e ardhur nga një kohë tjetër. Është i gjatë, i zbardhylët ka sy të çelët dhe është i veshur me kostum e kravatë. Shto këtu edhe një shall bezhë që sikur shkrihet me dritën e zbehtë të dhomës me kubaturë të lartë. Gjana flet në një gegnishte të qashtër dhe thotë se ka lindur në Belgjikë. Po të mbyllësh sytë për një moment e të shkëputesh në kohë, Gjanën mund ta zëvendësosh me një prej shoqëruesve të Ahmet Zogut ndërsa Princin me gjyshin e tij. Kjo dhomë mund të jetë kudo: në një hotel në Francë apo një kështjellë në rrethinat e Londrës. Çdo gjë që ka ndodhur e do të ndodhë me monarkinë, shqiptarët patjetër do ta lidhin me Mbretin Zog dhe trashëgiminë e tij.   
Kur të ndodhë betimi Ju do të emërtoheni Leka, Mbret i Shqiptarëve siç pat bërë edhe gjyshi juaj, për të shenjuar ‘shqiptarët’ dhe jo veç Shqipërinë?
Titulli që unë trashëgoj është Naltësia e Tij Mbretërore Princ i Kurorës Leka II i Shqiptarëve.
Dua të ndalem te betimi Juaj si Mbret. A ka ndodhur ky betim mbi varrin e Mbretit Leka I, siç e tha shtypi, apo më shumë ishte një fjalë lamtumire?
Betimi im nuk ishte zyrtar, por lidhej me amanetin e Tij dhe detyrimin tim si djalë dhe si Princi i Shqiptarëve për të ndjekur rrugën e Tij.
Cili ishte ky amanet? A mund të bëhet publik?
Amaneti i tij ishte shumë i thjeshtë: Të vazhdoj me devotshmëri rrugën e tij!
Ç’parashikon Statuti i Mbretërisë kur, ku, dhe si do të ndodhë betimi i Princit Leka si Mbreti Leka II?
Kurorëzimi im, pavarësisht se kur, do të bëhet në përputhje me vullnetin e lirë të shqiptarëve.
Ç’doni të thoni me ‘vullnet i lirë i shqiptarëve’?
Me votën e tyre të lirë, nëpërmjet Parlamentit ose një referendumi të pamanipuluar.
Në dekorin e madh që shoqëron Familjen Mbretërore Shqiptare, referendumi i vitit 1997, me pyetjen ‘a jeni për Monarkinë apo për Republikën?’ është një moment i errët. Zgjedhjet e 1997-ës ishin më tronditëset në historinë post-komuniste të Shqipërisë. Mbretërorët fituan bindshëm në disa zona të vendit dhe me po kaq bindje kontestuan rezultatin final, të cilin e konsideruan të manipuluar. Pjesë e kësaj proteste ishte edhe ‘bravadoja ushtarake’ e të ndjerit Mbreti Leka, i cili u shfaq i armatosur, bashkë me ndjekësit, në afërsi të Pallatit të Kongreseve. Kaosi që pasoi prodhoi një të vdekur në anën e Mbretërorëve dhe një urdhër arresti për Mbretin Leka që u detyrua të largohej nga Shqipëria. I njohur me këtë dekor e këtë histori, ndoshta Princi Leka duhet të ketë patur mëdyshje në lidhje me rolin e tij të ardhshëm.
A keni menduar ndonjëherë: unë nuk dua të jem Mbret ‘i një mbretërie që s’ekziston’. Dua t’i jap fund këtu dhe të vazhdoj jetën si pasardhës i Mbretit Zog, por pa etiketimet e ceremonitë, thjesht si qytetar i vendit të tij dhe timit?!
Ju përmendet fjalën “amanet” dhe besoj se ia dini kuptimin, pra shqiptarët nuk do ta pranonin kurrë mosmbajtjen e amanetit. Familja Mbretërore nuk është vetëm e imja, por i përket të gjithë shqiptarëve.
Amaneti është që Ju të betoheni si Mbret dhe të bëni çdo përpjekje për rikthimin e Monarkisë si formë regjimi…
Amaneti nuk është i lidhur vetëm me sistemin. Për mua do të thotë të jem i përkushtuar në çështjen kombëtare. Do të thotë të punoj dhe të jetoj për Vendin tim, për të gjithë Shqiptarët pa dallim. Që edhe fëmijët e mi të flasin Shqip dhe ta shikojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri. Të jem në Shërbim, siç kanë qenë të gjithë paraardhësit e mi.
Kur i bën një vijë fati Familjes Mbretërore Shqiptare, ajo, dashur pa dashur, të lidh me fatin e monarkive të tjera europiane të pas Luftës së Dytë Botërore. Në mërgim, duke pritur, herë në dritë, por më shumë në hije, i gjen të gjithë mbretërit, mbretëreshat apo princat europianë: italianët, grekët, jugosllavët, bullgarët e të tjerë. Ata parakalojnë në sytë e opinionit publik fatin e trishtë të përmbysjeve të mëdha që solli Lufta e Dytë në Europë. Shkëlqimi i tyre është i një kohe tjetër dhe brenda kësaj drite që birret e birret ata përcjellin njëri –tjetrin. Aty janë edhe mbretërorët shqiptarë, që zhvendosen sa nga një cep i Europës në tjetrin, për të marrë në sy edhe Amerikën e për të provuar si destinacion përfundimtar të largëtën Afrikë të Jugut. Në këtë zhvendosje brenda lëkurës tëndë, si i thonë, nuk mund të mos ndjehesh leqelëshuar e fatalist.
Familja Juaj, por në përgjithësi shumica e familjeve  mbretërore në Europë pas Luftës së Dytë Botërore, mund të konsiderohet e pafat? A ndjeheni Ju i pafat?
Gjatë diktaturës komuniste të gjithë shqiptarët ishin të pafat, ndërsa sot unë e shoh veten me fat, pasi më në fund Familja Mbretërore u kthye në Atdhe.
Kur nuk jam pjesë e bisedës i hedh sytë rreth e rrotull dhomës ku jemi ulur. Princi e kap këtë dhe shpjegon se dhomat në Pallat janë me dekoracione të ndryshme dhe kjo ku po rrimë është me motive afrikane. Familja e Tij ka kaluar shumë vite në Afrikën e Jugut dhe nëse historia e mbretërorëve shqiptarë në kontinentin e errët mund të shpejgohej përmes këtyre maskave të varura nëpër mure, ato do të pikonin trishtim. Ato maska, në një mënyrë a tjetër shërbejnë, jo vetëm si ‘historik i shpejtë’ i një pjese të jetës së Familjes Mbretërore, por edhe si urë lidhëse mes Mbretit Leka dhe Princit Leka. Mes të atit me të birin.
Nëse do e përshkruanit me disa fjali babanë Tuaj, Mbretin Leka I, cilat do të ishin ato?
Babai im, Mbreti Leka I, gjithë jetën ia kushtoi çështjes kombëtare dhe besoj se përfaqësoi mëse miri simbolin e unitetit kombëtar. Si pasardhësi i Tij i jam mirënjohës, pasi atdhedashurinë ma ka kultivuar edhe mua që në fëmijëri.
Më thoni Ju lutem, dhe nëse mundeni, cili ka qenë reagimi i parë kur e patë apo u thanë se babai Juaj kishte mbyllur sytë përgjithmonë?
Më lejoni të mos i përgjigjem kësaj pyetjeje.
A jeni besimtar në përgjithësi? Ju jeni pjesë e një familjeje dybesimëshe por, cila fe ka luajtur rol më të madh nën jetën Tuaj, Krishtërimi apo Muhamedanizmi?
Une besoj në Zot,dhe të dyja besimet me të cilat jam rritur më kanë hapur më shumë horizont drejt kulturave që secila prej tyre përfaqëson.
Princi Leka është një djalë i gjatë. Ky vertikalitet trembës zbutet megjithatë nga manierat e tij, e folura e qetë, sytë e paqtë dhe një theks anglez në të folur që e bën të duket më shumë një Windsor se sa një Atilë.
Ju jeni një individ ekzotik, edhe për një vend plot ekzotizma si Shqipëria: keni theks të huaj në të folur, jeni shumë më i gjatë se mesatarja e shqiptarëve; keni tipare më të zbardhylëta se sa mesatarja e vendit e cila, mund të thuhet, është ‘e zeshkëta’ dhe; jeni zëbutë, në një vend ku më hapësirë gjejnë bërtimat e çirrjet. A ndiheni nganjëherë ndopak si i huaj? Si dikush i cili nuk e ka vendin këtu?
(Qesh) Ndoshta keni të drejtë, por unë e dua këtë vend  siç është,edhe me paradokset e tij. Përsa u përket tipareve dhe fizikut tim mendoj se jam një malësor i vërtetë.
Unë nuk besoj se do i shmangeni frerëve të të qenit ‘politikisht korrekt’, por nganjëherë, shqiptarët, që në një situatë tjetër mund të ishin nënshtetasit tuaj, a nuk janë, deri diku, të paqeverisshëm?
(Qesh) Barcaletë: Mbreti Zog, Bulevardin e ndërtoi shumë të gjerë që autobusët  të ecnin horizontalisht, kjo pasi çdo shqiptar dëshiron të ulet në vendin e parë. Por, le të kthehemi seriozë: ndoshta hapësirat duhen zgjeruar që secili individ të gjejë vendin e tij.
Një zgjerim i mundshëm i hapësirave do të ishte Shqipëria e bashkuar, që së fundi etiketohet me emra të ndryshëm në varësi të atij apo asaj që e artikulon predispozitën: E Madhe, Natyrale, Etnike e të tjera. Për këtë, Princi Leka, kur të kurorëzohet, ashtu si i gjyshi dhe i ati do të quhet Mbreti Leka II i Shqiptarëve. Sigurisht mund të flasim për hapësirë të zgjeruar, ëndrra dhe idelae të mëdha të matjanit Ahmet Zogu nga Burgajeti që u shpall Mbret i Shqiptarëve.
A keni qenë në Burgajet të Matit, në vendlindjen e gjyshit Tuaj? Cilat janë ndjesitë që patët kur vizituat tokën e të parëve?
Në Burgajet shkoj vazhdimisht  dhe ndjehem shumë i lidhur me zonën e Matit.
Ka një mendim që qarkullon prej dekadash dhe që i ka rrënjët te qëndrimi i komunistëve ndaj Mbretit Zog, sipas të cilit, ky i fundit e tradhëtoi vendin kur u largua më mërgim, në vend që të rrinte këtu e të luftonte…
Kjo është më tepër një çështje e propagandës së sistemit komunist. Parlamenti shqiptar vendosi largimin e përkohshëm të Mbretit, pasi qëndrimi i tij rrezikonte pavarësinë e shtetit. Mbreti Zog nuk pranoi të bëhej një vegël e pushtuesve dhe të mbretëronte nën bajonetat e tyre. Mbreti Zog ishte rasti me unikal në Europë që nuk u rreshtua në rradhët e koalicionit nazifashist.
Ndërkohë, qëndrimi ndaj Mbretëreshës Geraldinë, qoftë edhe nga komunistët, ka qenë i butë, ose më pak mohues. Pse mendoni se ka ardhur kjo?
Me sa duket, pas 10 vitesh mbretëri, shqiptarët prisnin me padurim Mbretereshën e tyre e cila do te simbolizonte vazhdimësinë e kësaj familjeje. Përveç kësaj, ajo që në fillim u angazhua për t’i shërbyer Shqipërisë dhe i qëndroi deri në fund besnike idealeve të Mbretit Zog. Ajo e deshi këtë vend dhe dëshira e saj ishte të prehej në tokën shqiptare. Jam shumë i lumtur që kjo dëshirë iu realizua!
Na flisni pak për Mbretëreshën Geraldinë, gjyshen tuaj, në nivel personal. Cila ka qenë marrdhënia Juaj me të?
Unë kam qenë shumë i lidhur me gjyshen time. Ajo më donte shumë, më tregonte historitë e familjes, më fliste për dashurinë e saj për Mbretin Zog, për Shqipërinë që e kujtonte me aq mall! Unë jam rritur me gjyshen time pranë dhe për këtë jam me fat. Ajo ka qenë frymëzim për ne dhe për të gjithë shqiptarët që sakrifikuan dhe e lidhën fatin e tyre me fatin e Familjes Mbretërore.
A Ju ‘vizitojnë’ në ëndrra të afërmit tuaj që kanë ndërruar jetë: babai Juaj, gjyshi, gjyshja, nëna? A vijnë ata si bartës të amanetit mbretëror, apo thjesht si njerëz të gjakut tuaj?
Nuk ëndërroj shpesh të afërmit e mi, por janë gjithnjë në mendimet e mia. Nukmund të them që vijnë nëpër ëndrra, por mund të pohoj se prindërit e mi janë gjithmonë prezent. I kam dashur shumë dhe vazhdoj t’i ndjej pjesë të jetës time, dhe kështu do të jetë gjithmonë.
Në oborr të Pallatit shfaqen edhe dy qen të mëdhenj. Në hyrje, te porta kryesore, qëndrojnë dy roje. Shto këtu këshilltarin e Princit, të fejuarën dhe këta, pak a shumë, këta duhet të jenë rezidentët e përhershëm të Pallatit. Të paktë për të mbushur një hapësirë të tillë dhe në kontrast të fortë me Oborrin e dikurshëm mbretëror ku gjezdiste Princ Tati, Princeshat motra, nëna Mbretëreshë, Mbretëresha Geraldinë, adjutantë e shërbëtorë të ndryshëm. Vetmi. A nuk vjen era vetmi?
A ndiheni i vetmuar? Ju jeni fëmija i vetëm i një Mbreti i cili ishte gjithashtu fëmija i vetëm i një mbreti tjetër. A do të jeni edhe Ju një Mbret njëfëmijësh, si paraardhësit Tuaj, apo do të shohim një Oborr Mbretëror plot e përplot? A keni folur për këtë me të fejuarën?
Disa ditë më parë isha duke parë me interes pemën e familjes dhe kam vënë re që asnjë anëtar i familjes së linjës Zogolli, nuk është bërë asnjëherë gjysh. Nisur nga kjo kam shumë dëshirë të ndryshoj fatin e familjes. Padyshim që e ndjej mungesën e prindërve, dhe sidomos të një motre apo vëllai, me të cilët do të ndaja gëzimet dhe hidhërimet! Por jam i lumtur që kam pranë Elian, e cila me kupton dhe me është gjendur pranë në çdo kohë. Fëmijët janë vullneti i Zotit, por ajo që unë do të doja shumë është të bëhem një ditë gjysh, gjë të cilën nuk e arriti dot as Mbreti Zog dhe as babai im, Mbreti Leka.
Asnjë prej atyre që e kanë pasuar nuk mund t’i shpëtojë krahasimit me të. Ai ishte Mbreti Absolut, Zogu I i Shqiptarëve, i pamëshirshëm me armiqtë dhe i kujdeshëm me miqtë, përllogaritës gjakftohtë dhe trim sipas një stili shqiptarësh të vjetër; njohës i mendjes shqiptare dhe përdorues mjeshtëror i saj; interpretues i Kanunit, fesë, sentimenteve, por edhe shtetndërtues, me aq lëndë të pakët sa të ofron një hapësirë ku fisnorja bën ligjin dhe ku ligji nuk njihet për mbret. Mbret i një kohe tjetër sigurisht, por edhe Mbret për çdo kohë, gjithashtu. Por Princi Leka duket se ka nga ajo lënda tjetër, një lloj qetësie dhe durimi, një lloj vetëdije se t’i japësh kohë kohës është gjithashtu një gjest mbretëror. Mes Zogut I dhe Lekës II shtrihet, e paanë, historia. Por të gjithë e dimë se ajo merr kthesa kur të gjithë shpresojmë se asgjë nuk ndryshon më brenda saj. Princi Leka, ky Mbret i pashpallur, ky Mbret në pritje, e ka në të atë genin zogollian dhe duket se gjyshi i ashpër do të gjejë brenda butësisë së vet kohën e duhur për të bërë aleancë me historinë.
Gjyshi Juaj, Mbreti Zog, është identifikuar si njohës i psikologjisë shqiptare dhe rrjedhimisht një menaxhues i mirë i ndarjeve fetare, krahinore e klanore ndër shqiptarë. Kjo cilësi, veç të tjerash, e ndihmoi atë të formonte shtet aty ku shtet nuk kish patur më parë. A është kjo psikologji shqiptare më kompatibël me një formë të qeverisuri si monarkia, dhe pse?
Mendoj se pyetja juaj e ka vetë përgjigjen brenda, prandaj dhe unë besoj në idealin e Mbretërisë Kushtetuese, si një sistem që siguron stabilitet politik, ekonomik e social, dhe kjo u provua jo vetëm gjatë kohës së Mbretërisë në Shqipëri, por edhe nga përvoja e shteteve më të përparuara të Europës.
Nga disa, shihet si shenjë ‘tërheqjeje’ ose ‘dorëzimi’ fakti se Ju jeni zyrtar i Republikës? A shihni ndonjë paradoks te kjo: dikush që pret të betohet si Mbret u shërben strukturave republikane të shtetit?
Detyra ime është të jem në shërbim të vendit tim në çdo rrethanë, përvoja institucionale do më shërbejë edhe më shumë për të ardhmen.
Bashkë me Edin çapitemi përmes një nate të acartë shkurti pasi jemi përshëndoshur me Princin Leka këshilltarin e tij dhe me rojet te porta. Pedonalja ka pak lëvizje. Në të djathtë gjendet ministria e Brendshme, ku princi Leka punon si këshilltar. A ka një paradoks te kjo: një trashëgimtar që synon fronin mbretëror punon si zyrtar i Republikës? Përgjigjen e kësaj e morët pak më lart, por çdo përgjigje, në fund të fundit, do të kishte qenë e pamjaftueshme. E mjaftueshme duket se është vetëm koha në dispozicion të Princit. Ai ka kohë për të gjitha: të martohet, të lindë trashëgimtarë, ta zgjerojë Oborrin dhe të punojë në pritë të historisë. A nuk pat bërë të njëtën gjë edhe parardhësi i tij, Mbreti Zog?

Vatra historiku dhe personalitetet:

Historia e Federatës Panshqiptare të Amerikës "Vatra" dhe organit të saj "Dielli", pasuri e very kombëtare
 
 
 
* VATRA një libër ku spikasin vlerat hulumtuese dhe perceptuese të autorit, i cili ka ditur të ruajë një raport të drejtë midis materialit historik e arkival të kohës dhe atij biografik për fakte dhe ngjarje të Federatës Panshqiptare "VATRA". Ky raport është zgjidhur drejt dhe mirë edhe në gërshetimin e personaliteteve të shquara të diasporës shqiptare në SHBA të viteve 1912-1920.

* Me pasionin e një studiuesi e shkencëtari të mirëfilltë, falë dhe bashkëpunimit të ngushtë me kreun aktual të Federatës Panshqiptare, "Vatra", zotin Agim Karagjozi, autori e ka dhënë të plotë kontributin e diasporës shqiptare në SHBA gjatë dekadës së dytë të shekullit të kaluar, duke paraqitur dhe analizuar fakte dhe ngjarje të rëndësishme të asaj periudhe.
 
 
 
BEQIR SINA, New York
 
 
 
 NEW YORK CITY : Dhjetë vite më parë, Prof.Assoc.Dr.Beqir Meta, mik i dëshmuar i Vatrës, u dhuroje lexuesve të saj shqiptarë nje vepër historike, kushtuar periudhës së parë të historikut, të kësaj organizate, fatlume që i solli aq e aq të mira atdheut dhe bashkësisë shqiptare të kontinentit Amerikan. Një shoqatë, kjo, e cila tani është në përgatitjet e fundit, për të festuar ashtu si i ka hije dhe si e meriton - kjo flakadania e atdhetarizmit dhe patriotizmit shqiptarë në Amerikë, Federata Panshqiptare e Amerikës "VATRA"
    Për këtë monografi "Kryetari i Përjetëshëm" , ish kryetari i Federatës PanShqiptare të Amerikës, VATRA, zoti Agim Karagjozi, pasardhësi i kolosëve që udhëhoqën me plot lavdi këtë shqoatë, i ka thënë gazetës kombëtare Bota Sot, gazetarit tonë në New York, se " Kjo periudhë që quhet edhe "periudha e Artë" e historisë se "VATRES", përfshin vitet 1912-1920, dhe është një monografi që ska dyshim se do t'u bashkëngjitet kryeveprave të shkruara deri tani për Vatrën .
   Duke e risjell në kuadrin e 100 Vjetorit të themelimit të VATRES, botimin e kësaj monografie më duhet të ri-kujtojë se ish Kryetarin i shoqatës Vatra, zotin Agim Karagjozi, një figurë e njohur dhe personalitet i komunitetit. Pasi ai shpreh kënaqësinë e bordit të PanFederatës Vatra për sponsorizimin e kësaj vepre, duke e vlerësuar si një studim monografik shkencor për periudhën më të rëndësishme të saj ai shprehej atëhere  se: "Për ta pasqyruar në mënyrë sa më të plotë e reale mendimin politik të "VATRA"-s, veprimtarinë e saj të shumanshme politike e diplomatike dhe punën e madhe kulturore e propagandistike të atyre viteve, autori ka shfrytëzuar burime të shumta dhe një dokumentacion të pasur. Mjafton qoftë dhe një vështrim sipërfaqësor i kësaj monografie për të konstatuar se renditjen e materialeve autori e ka bërë në bazë të problematikës dhe kjo ndihmon lexuesin për shfrytëzimin me kriter të materialit shkencor-arkivor sipas interesave dhe pikësynimeve. Libri, padyshim përbën një sukses të prof. dr. Beqir Metës." thotë  "Kryetari i Përjetëshëm" , ish kryetari i Federatës PanShqiptare të Amerikës, VATRA, zoti Agim Karagjozi, 

 

Duke lexuar librin e Metës, "Federata Panshqiptare "VATRA" , shohim se aty ka dokumentet e pasura arkivore të shfrytëzuara mjeshtërisht nga autori janë një elementi rëndësishëm që përkojnë me idenë dhe vihen në shërbim të saj, duke ia rritur dukshëm vlerat kësaj monografie. Materiali arkival e biografik është i shumtë. Pikërisht për këtë monografia Federata Panshqiptare "VATRA" ka vlera njohëse dhe edukative. Ashtu si dhe shprehej njëri nga recensuesit e veprës, as. prof. dr. Muharrem Dezhgiu, kur thotë se "monografia Federata Panshqiptare "Vatra" synon të japë me besnikëri fizionominë, sukseset, dështimet, avantazhet dhe kufizimet e saj, pikëpamjet politike të drejta dhe iluzionet e saj". Ndërsa recensuesi tjetër, prof. as. dr. Merenglen Verli e konsideron këtë monografi një arritje të re në studimin e historisë së emigracionit shqiptar në SHBA dhe në trajtimin e disa prej problemeve thelbësore të historisë së Shqipërisë në vitet 1912-1920. Duke konfirmuar miratimin dhe vlerësimin pozitiv të Departamentit të Historisë Moderne në Institutin e Historisë, prof. dr. Verli shpreh bindjen se monografia Federata Panshqiptare "VATRA" është pritur me interes nga lexuesit shqiptarë dhe të hapësirës mbarë shqiptare në botë. Nga ana e saj, redaktorja letrare e veprës, Pranvera Hasani, evidenton faktin se fantazia e autorit i ka qëndruar besnike realitetit historik, duke theksuar sidomos disa pika kyçe të aktivitetit patriotik të diasporës shqiptare në Amerikë, në funksion të çështjes sonë kombëtare.

Me pasionin e një studiuesi e shkencëtari të mirëfilltë, falë dhe bashkëpunimit të ngushtë me ish kreun e Federatës Panshqiptare, "Vatra", zotin Agim Karagjozi, autori  ka dhënë me botimin e tij libri të plotë kontributin e diasporës shqiptare në SHBA, gjatë dekadës së dytë të shekullit të kaluar, duke paraqitur dhe analizuar fakte dhe ngjarje të rëndësishme të asaj periudhe. Ndër studimet më të përkryera të prof. dr. Beqir Metës të përfshira në këtë vepër mund të veçohen ato me titull "Denoncimi i politikës aneksioniste greke ndaj Shqipërisë", "Reagimi i "Vatrës" kundër pushtimit të Shqipërisë nga shtetet ndërluftuese", "Vatra" në lëvizjen kombëtare gjatë Luftës së Parë Botërore", "Marrëveshja e përfaqësuesve të "Vatrës" me Romën", "Mbrojtja e çështjes shqiptare në Konferencën e Paqes (1919-1920) si dhe "Përpjekjet për të siguruar përkrahjen e SHBA". Në këtë këndvështrim monografia e prof. dr. Beqir Metës mbështetet në një dokumentacion të pasur e literaturë të gjerë, të shfrytëzuar me kujdes prej tij. E ndriçuar nga të dhëna e fakte të gjurmuara brenda vendit dhe në diasporën shqiptare të asaj kohe të lavdishme, kjo monografi, botim i shtëpisë botuese  "Globus R" i shtohet vargut të botimeve të çmuara, edhe nga autorë të tjerë që kan shkruar për historinë e Vatrës, por edhe të figurave qëndrore të saj, si ajo e Nolit (Autobiografia e Fan Stilian Nolit e shkruar nga Prof. Nasho Jorgaqit ) dhe Konica,(Faik Konica, jeta në Uashington - autor Ilir Ikonomi). Këto vepra janë nderi që i bëhet vetë Federates Panshqiptare "VATRA", në këtë 100 Vjetor të themelimit të saj, si deshmi e re, e traditave tona të mrekullueshme dhe e gjenisë krijuese të popullit tonë, që në çdo epokë, nga e cila ka kaluar ka ditur të nxjerrë njerëz të shquar të, të gjitha fushave. 

Historia e “Vatrës” është drejtësisht histori e lëvizjes nacionale shqiptare në Amerikë

Vatra është organizata që mobilizoi forcat kombëtare në Amerikë dhe me anë të këtyre forcave shpëtoi Shqipërinë nga copëtimi. I ndjeri Faik Konica e ka përshkruar punën e “Vatrës” me këto fjalë në gazetën “Dielli” më datë 7 korrik 1922:

"Në ditët e errëta kur Shqipëria ishte e pushtuar nga ushtritë e huaja, kur shteti ish përmbysur, dhe kur flitej sheshit për copëtimit e vendit, “Vatra”, e këshilluar nga një pakicë patriotësh e shtyrë nga atdhedashuria dhe dëshira e anëtarëve të saj, e inkurajuar nga zëri i popullit i tërë shqiptarëve, e mori përsipër të veprojë në vend të shtetit të vdekur. Nuk kërkoji nderet as të drejtën e shtetit po mori përsipër vetëm detyrat dhe harxhet. Me shpenzimet e “Vatrës” u mbajtën delegatët, u dërguan misione, u subsidiuan agjenci, u kablluan mijëra protesta, me një fjalë u organizua mbrojtja e Shqipërisë, dhe u organizua aq e mirë sa Kryeministri i Greqisë z. Venizelos tha në Konferencën e Paqes në Paris, se të vetmin pengim serioz që gjeti në Epir Greqia, ish pengimi i vënë nga “Vatra”….

Vazhdon i nderuari Konica: Shuma e tërë e harxheve te bëra nga “Vatra” si zëvendëse e shtetit është: 197.072.89 dollarë amerikanë. Këto shpenzime, u bënë që në fillim dhe deri në vitin 1922 kur bëri llogarinë e sipërme Faik Konica.

Themelimi i “Vatrës”.

Mbledhja e parë për të bashkuar të gjitha organizatat e shqiptarëve të Amerikës në një federatë u bë më 24 dhjetor 1911, në Boston. Kjo mbledhje u thirr prej shoqërisë “Besa-Besën”. Në këtë mbledhje morën pjesë Faik Konica, At Fan Noli, Kristo Floqi, Marko Adams dhe Paskal Aleksi. Mbledhjet vazhduan deri më 28 prill 1912, kur “Vatra” u themelua zyrtarisht. Rekordi i komisionit të bashkimit më datën e sipërme, mban këto fjalë:



"E quajmë të formuar Federatën Panshqiptare “Vatra” të Amerikës, prej shoqërive “Besa-Besën”, “Flamuri i Krujës”, shoqërisë kombëtare dhe “Dallëndyshja”". Ne këtë mbledhje historike u emërua një pleqësi e përkohshme prej këtyre zotërinjve.

Sekretar AT Fan Noli, arkëtar Llambi Chikozi, menaxher i gazetës “Dielli” Kristo Kirka, organizatorët e degëve të federatës: Faik Konica dhe Kristo Floqi. Mbikëqyrës së gazetës “Dielli”: Paskal Aleksi, Elia Tromara dhe Kosta Vasili. Federata Panshqiptare “VATRA” , u njoh prej shtetit të Masacusetit dhe mori charten më 13 qershor 1912. Në chartën figurojnë këta emra: Faik Konica, Llambi Chikozi, Fan S. Noli , Kristo Floqi, Elia Tromara, Naum Cere dhe Kosta Kotta. Faik Konica 15 mars 1875-15 dhjetor 1942, Theofan (Fan) S. Noli janar 6, 1882 - mars 13, 1965.

ROLI I “VATRËS” NË LUFTËN BALLKANIKE DHE NË LUFTËN E PARË BOTËRORE.

Si e thamë më parë, “Vatra” u themelua më 12 prill 1912, në tetor të atij viti plasi Lufta Ballkanike dhe më 28 nëntor 1912 u shpall pavarësia e Shqipërisë në Vlorë. Për të mbrojtur të drejtat e Shqipërisë “Vatra” dërgoj Faik Konicën në Evropë dhe kisha jonë kombëtare dërgoi At Fan Nolin.

Faik Konica mbeti në Evropë deri sa mori fund Lufta e Parë Botërore, At Fan Noli u kthye në Amerikë më 1915 dhe mori përsipër fatin e “VATRËS” në dorë. Gjatë Luftës së Parë Botërorë “VATRA” u forcua shumë. Gjatë kësaj kohe gazeta “Dielli” u bë e përditshme nën drejtimin e zotit Kosta Chekrezi.

Gjate kësaj kohe u organizua trupa vullnetarësh, u themelua banda “VATRA” në udhëheqjen e prof. Thoma Nasit, u emëruan gjithashtu delegatë në Londër me në krye të nderuarin Mehmet Konica. Në afërsi të fundit të Luftës së Parë Botërore në qershor të vitit 1917 , “VATRA” hapi Fushatën Historike për Shpëtimin e Shqipërisë, me këto fjalë të paharruara prej Hirësisë Tij Peshkop Nolit:

"Mbahu nëno, mos kij frikë. Se ke djemtë në Amerikë"

Kur hyri Amerika në lufte në prill të 1917, At Fan Noli bashkoi personalisht Presidentin Wilson, i cili i dha fjalën se do të mbrojë pavarësinë e Shqipërisë, Wilsoni e mbajti fjalën deri në fund. Pa përkrahjen e Wilsonit sot nuk do të kishim Shqipëri.

Më 1920 me anë të “VATRËS” Qeveria shqiptare mori hua nga Vatranët, të cilën nuk e pagoi me nder ashtu siç u zotua.

Librat e fundit që u botuan me anë të “VATRËS” janë:

“Historia e Skënderbeut dhe Bethoveni dhe Revolucioni Francez” në gjuhën angleze. Këto dy libra monumentale të qëndisura bukur prej Imzot Nolit, u botuan me djersën e VATRANËVE. Gjysma e shpenzimeve të librit "KREMTORIA" që botoi Peshkopata u mblodhën nga VATRANËT.

Më pas “VATRA” nëpërmjet kuvendeve të saj vendosi të përqendroi veprimet e saj në këto pika: “VATRA” duhet të mundet të mbledhë në gjirin e saj rininë; kryesisht “VATRA” duhet të mbetet si një organizatë letrare dhe mirëbërëse, “VATRA” duhet të krijoje një fond të veçantë për studentet ashtu sikundër ka bërë dhe më parë.

Editori i “Diellit”.

Komisioni i Vatrës për vitin 1954-1955, kryetari nderit peshkop F. S. Noli (ph. d) kryetar Gregory Speros, nënkryetar adem K Vishocica, arkëtar Llambi Misho, sekretar Shefqet Kamber (Benca), editori i “Diellit” G. M Panariti, pjesëtar të komisionit, Kemal Veisel, Nicholas Vesio, Pandeli Michael, Koli Janollari, Van Konari, pjesëtar rezerve: Seit Beqo Selenica, John Tassey Chris Theodore. anëtarët e këshillit: Ismail Emin, Ramadan Ali Arza, Petraq Andon, Sadik Kamber Pepellashi, Ismail Mevlani, Xhafer Pojani.

Nga Federata “Vatra” - Boston Mass. Dhjetor 1954.

Gazeta “Dielli” u themelua prej shoqërisë “Besa-Besën” më 15 shkurt 1909, si fletore e përjavshme. Më 11 mars 1913 pasi shoqëria “Besa-Besën” u tret (lexo: bashkua) me “Vatrën” dhe “Dielli” u bë prioritet i federatës, nisi të dalë dy herë në javë. Më 18 nëntor 1914 nisi të dalë tri herë në javë. Më 9 nëntor, 1915, nisi të dalë e përditshme.

Redaktorë të “Diellit” kanë qenë këta zotërinj: At Fan Noli që më 15 shkurt, 1909, deri më tetor 15, 1909. Z. Faik Be Konica që më tetor 22 1909 deri më 18 mars 1910. Komisioni i shoqërisë “Vatra” e drejtoj “Diellin” pa redaktor që më 25 mars deri më 29 prill 1910. Faik Be Konica që më 6 maj deri më 1 korrik 1910. “Dielli” pushoj së botuari që më 1 korrik deri më tetor 1910. At Fan Noli që më 7 tetor 1910 deri më 7 korrik 1911. Z. Eft’him Nasi që më 13 korrik deri më shtator 14 1911. Z. Kristo Floqi që më 21 shtator 1911 deri më 18 korrik 1912. Z. Faik Be Konica që më 1 gusht 1912 deri më 8 korrik 1913, po në janar të këtij moti Faik Beu shkoi në Evropë dhe barra e redaksisë që atëherë i mbeti më tepër z. Eft’him Nasi. Z. Kristo Dako që më 11 korrik deri më 26 gusht 1913. Z. Paskal Aleksi që më 29 gusht 1913 deri më 13 shkurt 1914. Z. Denis Kamburi që më 17 shkurt deri më 14 korrik 1914. Z. Eft’him Nasi që më 10 korrik deri më 6 nëntor 1914. Z. Koste Çekrezi që më 10 nëntor 1914 deri më 20 dhjetor 1915. I Per. At Fan Noli që më 21 dhjetor deri më 6 korrik 1916. Z. Bahri Omori që më 7 korrik e deri më sot.

I pari menaxher i “Diellit” ishte z. George Konda Gjoleka që kur u themelua gazeta deri më 5 maj 1911. Z. Lambi Çikozi që më 12 maj 1911 deri më 25 prill 1912. Z. Kristo Kirka që më 9 maj 1912 deri më 20 maj 1913. Z. Lambi Çikozi që më 23 maj deri më 8 korrik 1913. Z. Kristo Dako që më 11 deri më 22 korrik, 1913. Z. Hamid Lumi që më 25 korrik deri më 26 gusht 1913. Z. Vangjel Gjika që më 29 gusht 1913 deri më 8 maj 1914. Z. Dennis Kamburi që më 12 maj deri më 3 korrik 1914. Z. Lni Kristo që më 7 korrik 1914 deri më 7 korrik 1915. Z. Muke Përmeti që më 9 korrik 1915 deri më 21 prill 1917. Z. Akif Përmeti që më 16 korrik 1917 deri më sot.

(Botuar pa ndryshime nga Kalendari i “VATRA”-s i vitit 1918 edituar për botim nga Fan S. Noli dhe botuar nga “VATRA” në shtypshkronjën e “Diellit” në 1918)
 
 
 
(Botuar pa ndryshime nga Kalendari i VATRA-s i vitit 1918 edituar per botim nga Fan S. Noli dhe botuar nga VATRA ne Shtypshkronjen e Dielli-t ne 1918

boston-vatra
Ky fakt tregon se mbledhjet e 15, 17 marsit dhe 22 e 24 marsit te vitit 1912 per bashkimin e shoqerive ne nje te vetme nuk kaluan pa probleme e debate, sepse asnje nga shoqerite nuk pranonte te tretej nen nje organizate te madhe duke humbur identitetin. Atehere Konica shprehu konceptin federativ me perfaqesues nga cdo shoqate dhe ne cdo 50 anetare kishte nje perfaqesues ne Komitetin Organizator me nje kuote anetaresimi 3 dollare ne vit. Faik Konica shtroi per diskutim dy emra per shoqerine e re: “Parmenda” (me kuptim kulturor) dhe “Vatra” (me kuptim patriotik) qe te mblidheshin rreth saj te gjithe shqiptaret si nje familje e madhe pa ndryshim besimi ne mes tyre fetarisht ose politikisht. Mes brohoritjeve shoqeria e re u quajt Federata Pan – Shqiptare e Amerikes “Vatra”. Komisioni i Bashkimit perbehej nga:
Fan S. Noli
Faik Konica
Kristo Floqi
Paskal Aleksi.
Delegatet e shoqerive:
Elia Tromara
Llambi Cikozi
Kristo Kirka
Kosta Vasil
Koste Kota

25.IV.1968: Prof. Koliqi i paraqet Shëjtnis së Tij Paulit VI Kryetarin e «Vatrës», z. Anthony Athanas. Në mes shifen: Shkelqesa Emzot Perniciaro e on. Dr. Rozolin Petrotta.
II prof. Koliqi presenta a S. S. Paolo VI il Presidente dell'Associazione albanese-americana «Vatra».(
*Foto e marrë nga revista Shëjzat.)
Vullnetaret shqiptaro-amerikane, qe i pergatiti Aqif Permeti (I pushkatuar nga diktatura komuniste) ne mjediset e marra me qera ne Boston dhe qe me 1920 ne kohen e luftes se Vlores, 200 prej tyre, shkuan ne Shqiperi per te ngritur frymen Kombetare(foto e marrë nga albumi i gazetës Dielli)
Krediti për këto foto i shkon vetëm arkivit historik të albumit historik të Vatrës dhe organit të saj Dielli
Krediti për këto foto i shkon vetëm arkivit historik të albumit historik të Vatrës dhe organit të saj Dielli
Krediti për këto foto i shkon vetëm arkivit historik dhe fotoalbumit të Vatrës dhe organit të saj Dielli
Krediti për këto foto i shkon vetëm arkivit historik të albumit historik të Vatrës dhe organit të saj