Wednesday, February 23, 2011
Çun Lajçi rrëfen prapaskenat e Berlinales
Aktori Çun Lajçi ndihej i entuziazmuar me pjesëmarrjen e tij në Festivalin e Filmit në Berlinale dhe defilimin në tapetin e kuq. Pas kthimit nga Gjermania, ai tregon për "Express" përjetimin dhe emocionet e tij për diçka që dikur e kishte konsideruar vetëm si ëndërr. Kur kishte filluar të merrej me aktrim, Çun Lajçit nuk i kishte shkuar mendja se do të merrte pjesë në ndonjë festival të madh europian. Kur kolegu i tij tashmë i ndjerë, Bekim Fehmiu i tregonte për ecjet e tij nëpër tapet të kuq, Çunit kjo i dukej si ëndërr. Por, kjo ëndërr iu realizua para disa ditësh. Ai sapo është kthyer nga Berlini, ku së bashku me aktoren tjetër nga Kosova Ilire Vinca Çelaj, ka marrë pjesë në Festivalin e Filmit Berlinale, me filmin "Falja e gjakut", me regji të Joshua Marston dhe skenar të Andamion Murataj. Ky film u shpërblye me "Ariun e argjendtë" për skenarin më të mirë dhe kjo e kishte ngazëllyer tej mase aktorin kosovar. "Kur kam zbritur nga vetura më është ndërruar mendja dhe ndjenja një milion për qind. Je aq i hutuar saç janë disa njerëz aty, sigurisht duke e ditur këtë, që të udhëzojnë 'kthehu, qeshu, buzëqeshu, spostohu', të orientojnë si marionetën. Sepse sigurisht ata e dinë se para gjithë atyre njerëzve ndërrohet ndjenja. Ke një ndjenjë të kënaqësisë ndoshta të tepruar. Megjithatë, pak a shumë, e kam humbur kontrollin", tregon Lajçi për përjetimin e tij në momentin kur ka shkelur në tapetin e kuq të Berlinales.
Veshja
Por, para se të nisej për në Berlin, atij i duhej ta tejkalonte një problem jo edhe aq të vogël. Në ftesën që i kishin dërguar organizatorët shkruhej se ç'duhej të vishte kur të ecte në tapetin e kuq, çfarë në konferencë për shtyp e çfarë në natën finale. "Unë nuk i kisha asnjë. Por, të them të drejtën, duhet të falënderoj jashtë mase Behxhet Pacollin, pasi iu drejtova atij, ai më tha se do më dërgonte në Milano për të më blerë rroba dhe se do më priste biletën. I thash se biletën ma ka prerë Ministria e Kulturës dhe në Milano nuk mund të vij, por vetëm po t'i jap numrat. Dhe unë e falënderoj sepse në Milano m'i ka blerë dy palë rroba, sigurisht të kategorisë më të lartë", - shprehet ai, ndërkohë që tregon se nga Ministria e Kulturës u janë dhënë të hollat për një biletë aeroplani dhe pesë mëditje. Lajçi thotë se për pjesëmarrjen në këtë festival duhet të falënderohet regjisori amerikan Joshua Marston, i cili ka marrë guximin të trajtojë një temë që është shumë e ndjeshme, ajo e gjakmarrjes, pra të merret me një temë mbi të cilën shumë filma shqiptarë janë punuar dhe e kanë shfrytëzuar aq sa ndoshta ka kaluar në banalitet, sepse nuk është shfrytëzuar ashtu siç duhet. "Ky regjisor merret me temën tonë dhe në mënyrën më të pastër, do të thosha jo klishe, e paraqet mënyrën se si njerëzit në një Ballkan, në një Shqipëri, në një Kosovë, për një cikërrimë, janë në gjendje ta likuidojnë njëri-tjetrin edhe t'i durojnë pasojat, pra të ngujohen me vite e vite. Pra është një guxim i madh i një njeriu që vjen duke mos e njohur realitetin dhe ballafaqohet rreth gjashtë muaj, duke e studiuar kanunin dhe e punon filmin në mes të asaj që është dokumentare dhe asaj artistike, duke i përzier gjithsesi dhe duke i baraspeshuar", - shprehet Lajçi. Ai shton se Berlinale bashkë me Kanën janë ndër festivalet më prestigjioze të filmit dhe mënyra se si kanë shkuar deri atje është punë e merituar e një njeriu që ka lënë gjurmë para shtatë vitesh, me filmin 'Maria full of grace' në këtë festival dhe përderisa e punonte në Shkodër, ky e kishte synimin e qartë: 'E dua Berlinalen'. Ai tregon se regjisori ka punuar një muaj në përzgjedhjen e aktorëve dhe është ndarë i kënaqur me aktorët nga Kosova. "Për një muaj është endur në mes Shqipërisë, Shkupit dhe Prishtinës. Tri herë ka bërë audicion këtu në teatër dhe mbas tri herësh ka shkuar në Shkup dhe në Tiranë përsëri dhe është kthyer përsëri në Prishtinë, dhe prej 3.500 nxënësve të Shkodrës ka zgjedhur Tristan Halilajn dhe Sindi Laçajn, ka zgjedhur Ilirën, mua, Selman Lokajn, Veton Osmanin dhe Luan Jahën. Të tre kanë nga një rol të vogël në film dhe si personazhe kanë qenë shumë të limituar. Kërkesa e regjisorit ka qenë e jashtëzakonshme dhe ai nuk është pajtuar kurrsesi as me aktorët që i ka sprovuar në Shkodër dhe Tiranë, por as në Shkup dhe këtu siç duket, ka nuhatur, siç thoshte ai, aktorë që janë shumë më të lirë para kamerës, që janë shumë më filmikë sesa aktorët që i ka parë në Shkodër dhe Tiranë, janë më pak teatralë dhe shumë më shumë për film dhe ka qenë, në një farë mënyre, shumë i kënaqur me ne", - thotë Lajçi, duke theksuar se Marston është një prej atyre njerëzve i cili punon me ty dhe ti nuk e kupton se është duke e krijuar personazhin brenda teje.
Kryetarja e jurisë
Duke folur për Berlinin, Lajçi tregon se kanë qenë në mesin e konkurrentëve më seriozë. "Që në fillim na është kumtuar se ne jemi ndër konkurrentët më seriozë të festivalit. Mbasi janë ndarë çmimet, shkuam në darkë ceremoniale vetëm ne laureatët dhe juria. Kur hyri ekipi ynë, juria u ngrit në këmbë dhe na duartrokitën. Kryetarja e jurisë, Isabela Roselini na u afrua, na uroi çmimin dhe na tha: 'Më besoni, keni qenë në teh thike si ju, si iranianët, por kemi anuar Iranin sepse ne si Evropë po duam në një mënyrë ta sensibilizojmë edhe Evropën edhe popullin iranian se çka iu bën regjimi iranian regjisorëve dhe njerëzve që krijojnë art'", - tregon Lajçi. Ai po ashtu tregoi se kanë biseduar me regjisorin Marston dhe producentët e tij që ta bëjnë një film në Kosovë. "Ata janë shumë të gatshëm që të vijnë dhe të bëjnë film këtu, por e kishin një lutje të jashtëzakonshme që në një mënyrë këta si producentë nga Amerika të gjejnë përkrahje prej ministrisë me aq pak para, pasi me një shumë prej dhjetë për qind duhet të kontribuojë shteti që të mund të konkurrojë dhe të kandidojë si film i jashtëm në 'Oscar'. Këtë që nuk kanë mundur ta arrijnë me Shqipërinë me 'Faljen e gjakut'. E kanë lutur Shqipërinë që të kontribuojë me dhjetë për qind, që i binte 160 mijë dollarë, pasi buxhetin e kanë pasur një milion e 600 mijë dollarë, në mënyrë që të jetë Shqipëria mbrapa filmit, por kjo nuk ndodhi. Joshua më ka thënë se ka dëshirë që me mjetet e tyre të vijnë këtu, por t'i ndihmojë edhe Ministria e Kulturës. Këtë porosi do t'ia çoj në vend sepse do të bëjmë çmos që ta sjellim në festivalin PriFilmFest dhe pastaj të bisedojmë që çka mund të bëjmë që ta krijojmë një film me temë kosovare. Ata janë shumë të gatshëm që të vijnë ta bëjnë një film", - thotë Lajçi. Por, sidoqoftë, edhe çmimi me të cilin u shpërblye ky film iu dedikua Shqipërisë. Lajçi tregon se kur regjisori Marston bashkë me skenaristin Andamion Murataj dolën për të marrë çmimin, ai e ngriti ariun dhe tha: "Këtë ari ia dedikoj Shqipërisë".
Ruçi: Tre kushtet tona për të hyrë në zgjedhje
Çfarë kërkoni konkretisht? Zgjedhje të parakohshme?
Nuk kemi diskutuar për zgjedhjet të parakohshme në fillim. Ne thamë, e para të bëhet transparenca e zgjedhjeve, dhe e dyta të bëhet një reformë e plotë zgjedhore. Për një vit e gjysmë nuk u pranua as e para dhe as e dyta. Kështu që në këto kushte, kjo u pasua me një keqqeverisje të vendit, me mosfunksionimin e parametrave të kësaj qeverie. Kemi gjithashtu një parlament që nuk përmbush funksionet e saj. S’kemi asnjë ligj të miratuar që t’u shërbejë reformave tërësore për të zgjidhur ato probleme që ka Shqipëria. S’kemi funksionin kontrollues të parlamentit. Mungon kontrolli i parlamentit ndaj Ekzekutivit.
Kërkesën për zgjedhjen e parakohshme është e panegociueshme?
Siç ka ardhur problemi, kërkesa e zgjedhjeve të parakohshme është e shtruar në tavolinë. Është e vetmja zgjidhje që kjo maxhorancë i ka çuar problemit. Zgjidhja është që Sali Berisha duhet të largohet.
Por, ndërkombëtarët thonë që s’ka zgjedhje të parakohshme?
Unë i kam dëgjuar ndërkombëtarët dhe nuk i lexoj siç më pyesni ju. Problemi i zgjedhjeve nuk është problem i ndërkombëtarëve, por është i politikës dhe i popullit shqiptar. Ndërkombëtarët nuk janë për të caktuar datën e zgjedhjeve. Berisha e ka mekanizmin, ai duhet të pranojë këtë zgjidhje politike që ofron opozita. Nuk është hera e parë që zhvillon zgjedhje të parakohshme Shqipëria.
Ky pushtet u gjakos, vrau 4 njerëz të pafajshëm. La 8 fëmijë jetimë, në sytë e opinionit publik shqiptar pa asnjë shkak, në kundërshtim me ligjin. Përdori armën e Gardës së pushtetit. Mjafton kaq ë të thuash që ky pushtet moralisht ka mbaruar.
Ambasadori i OSBE-së ka deklaruar se duhet të vijojë procesi, ndërkohë që sot ka thënë se ka ende kohë që të dorëzoni anëtarët e KZAZ-ve?
Sigurisht më çudit deklarata e tij, se është jashtë funksionit të tij, funksioni i tij është të promovojë parametrat ligjorë, funksionimin e parlamentarizmit të atij vendi dhe të shtetit të së drejtës. Dhe të vijmë te zgjedhjet. Është një nga funksionet që OSBE-ja duhet të kryejë, të shikojë, t’i monitorojë. Më vjen keq që ambasadori i ri i OSBE-së nuk ka ardhur në Shqipëri. Është në Gjermani. Do t’i kërkoja ambasadorit që të më jepte parametrat e Gjermanisë. Ai s’ka njohur Shqipërinë, sepse s’ka njohur si funksionon parlamenti shqiptar. S’është as në hyrje të Bundestagut gjerman. Deri më sot s’kemi dëgjuar asnjë deklaratë pse s’funksion shteti i së drejtës. Pra, hiqet imuniteti i së drejtës dhe nuk gjykohen ministrat. Pra, nuk funksionon mekanizmi i zgjedhjeve. Në 20 vjet demokraci, sipas OSBE-së, Shqipëria nuk ka plotësuar standardet. Po ambasadori nuk njeh kodin elektoral në Shqipëri.
Ju nuk hyni në zgjedhje me këtë komision?
Absolutisht nuk hyjmë. Nuk bëhet fjalë, që të bëhen zgjedhje në këto kushte, sepse duhen 3 elementë. Ky komision ka shkelur ligjin dhe duhet shkarkuar me ceremoni. Që të hyhet në zgjedhje duhet të ketë lista të besueshme zgjedhore. Pushtetin vendor vërtetë e kemi ne, por nuk janë vetëm qytetet e mëdha që kemi ne.
Ç’garanci do të ketë me këto karta identiteti?
Elementi i tretë është institucioni që administron zgjedhjet. Çfarë besueshmërie do të kemi ne nga ky institucion që shkel kodin elektoral në mes të ditës, çfarë garancie do të kemi ne nga ky njeri që vendimet i merr në mënyrë të njëanshme. Ai ka nxjerrë një tog vendimesh vetëm me një firmë. Do vemi tek parimi stalinist?!
A do të kërkoni shkrirjen e KQZ-së si garanci për t’u futur në zgjedhje?
Ne kërkojmë tre gjëra: garanci për listat, garanci ligjore, të besueshme dhe të zbatueshme për kartat e identitetit dhe e treta garanci e institucionit që menaxhon, administron rezultatin e zgjedhjeve.
Ne kemi propozimet tona konkrete që fillojnë me aksesin e plotë te listat e zgjedhjeve. Kemi propozime konkrete për kodin elektoral. Ky komision duhet të shkrihet dhe të jepen garanci nëpërmjet përbërjes për të zbatuar ligjin dhe vetëm ligjin.
Nëse kjo nuk ndodh, ju nuk do të futeni në zgjedhje?
Këtu nuk bëhet fjalë do marrim apo jo pjesë në zgjedhje, ne jemi e vetmja alternativë për të alternuar pushtetin. Ne vijmë në pushtet vetëm përmes mekanizmit të zgjedhjeve. Ne do të jemi barrikadë që të zhvillohen zgjedhje të vërteta. Sali Berisha thotë shumë gjëra, koha e Sali Berishës ka përfunduar. Ka vrarë 32 vetë dhe s’ka asnjë përgjegjës me veprimet dhe mos veprimet e veta. Mjafton kaq që kjo qeveri, që kjo qeveri moralisht dhe politikisht duhet të ishte dorëhequr.
Nëse Berisha bën zgjedhje pa ju, ç’do të ndodhë?
S’ka zgjedhje në Shqipëri dhe s’kanë për t’u bërë zgjedhje në Shqipëri. Zgjedhjet s’bëhen kur është një. Sjellja jonë do të jetë siç sillesh me një sundimtar në një grusht shteti. Përgjigjen do ta marrë nga populli shqiptar si sundimtar. Do ndeshet ballë përballë me një publik të tërë. Detyra jonë është t’ia bëjmë të qartë kundërshtarit, partnerit dhe opinionit publik shqiptar.
A do t’i vazhdoni protestat?
Protestat do të vazhdojnë. Nuk mund të caktojmë këtu se, cila do të jetë filozofia e protestave, por ne do të vazhdojmë deri në zgjidhjen e të gjitha problemeve të vendit, edhe ne të duam që të mos i bëjmë sigurisht do të na ndëshkonte populli shqiptar.
Nëse Sali Berisha mendon se protestat do të jenë një rutinë çdo të premte apo një herë në muaj gabohet. Do të vijë dita që populli do jetë në bulevard çdo ditë, çdo orë, çdo muaj. Do të jetë protestë nonstop. Vendimet i ka marrë vetë populli. Të fitojmë kohën e humbur.
Për depolitizimin e zgjedhjeve lokale
Henri Çili
Një sinjal i Edi Ramës, në një intervistë në emisionin FAKT të gazetarit, Çlirim Peka, se tashmë “Bashkinë e Tiranës nuk e shihte më domosdoshmërisht të lidhur me emrin e tij”, mund t’i japë jetës politike një drejtim tjetër. Moskandidimi i Ramës, kryetarit të opozitës, për një mandat të katërt në Bashkinë e Tiranës, mund të qe hapi i parë për të zgjidhur lëmshin politik, në të cilin ndodhet Shqipëria, kryesisht dhe për shkak të fatit politik të politikanit Edi Rama. Situata është vërtet e komplikuar në thelbin e saj dhe manifestohet me shfaqje të jashtme tejet problematike, të cilat shkojnë deri te 21 janari. Nga njëra anë, Rama ka shumë presion për të kandiduar dhe për të vijuar sistemin ekzistues dualist: kryetar opozite – kryebashkiak, megjithëçka kjo nënkupton, nga ana tjetër, ai ka një detyrë madhore që duhet të zgjidhë: të përgatisë alternativën e pushtetit në Shqipëri dhe të sjellë popullin e majtë në pushtet. Ky hap, nëse do të bëhej, është normalizues për jetën politike shqiptare dhe jo vetëm kaq, edhe për të si politikan në rrugën për të kapur objektivin e tij, shef i ekzekutivit. Kurse efekti i parë imediat i këtij hapi do të ishte pikërisht ai: “Depolitizimi i garës për zgjedhjet lokale” dhe krijimi i shanseve, që për herë të parë të kishim një garë për qytetin.
Duke zgjidhur këtë dualitet në favor, sigurisht të objektivit të tij më të madh, atij të kandidatit për kryeministër, Edi Rama i bën më në fund “lindje” me sukses fatit të tij politik, pas një ndërlikimi që zgjat, së paku, që prej zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit. Ndërsa ishte një avantazh fakti që ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës, në funksion të objektivit të tij politik për të kapur kreun e së majtës, apo për ta konfirmuar plotësisht atë pas zgjedhjeve të 2007-ës, kjo u kthye gjithashtu në një barrë, në një handikap, në një pengesë për të pasur realisht një opozitë të vërtetë dhe efikase, mbi të gjitha për të pasur një opozitë me superioritetin moral, që një opozitë ka natyrshëm. Gjatë këtyre viteve, në Shqipëri kemi pasur një konkurrencë mes pushtetit lokal dhe atij qendror, më shumë sesa një luftë pozitë-opozitë. Shumëkush dhe në shumë raste kanë parë tek Edi Rama, më shumë se kreun e opozitës dhe alternativën e kryeministrit hije, kryetarin e Bashkisë së Tiranës, të implikuar në të paktën aq ndotje pushteti, sa për ta zhveshur opozitën nga superioriteti moral, duke e lënë atë në suazat e një krahasimi moraliteti politik me qeverinë. Qënia kryetar i bashkisë dhe kreu i opozitës, i ka hequr Ramës edhe një armë tjetër që e ka opozita: shpërthimin e koniunkturës me grupe, apo me atë që po njihet gjithnjë e më shumë, me termin “klientela”. Ai kishte dhe ka sërish një klientelë, vetëm se për pushtetin lokal të Tiranës.
Të gjitha këto e lanë Edi Ramën, pa program real, pa denoncim real të atij niveli të korrupsionit, që e bën opozitën të besueshme për të nesërmen në pushtet, pa kohën e nevojshme për t’u marrë me opozitarizmin, si një i barabartë me ata që janë në shesh, në varfëri, në padrejtësi, apo në atë hall që opozita kërkon të zgjidhë me projektin e saj. Sigurisht që dhe Bashkinë, sa më shumë që merrej me opozitën, e la pa atë kujdesin e një kryetari “full time”, në drejtim të qytetit, pasi koniunktura politike e opozitës, shpesh ndikoi në planet për një drejtim efektiv të Tiranës.
Duke vendosur në favor të të qenit vetëm kryetar i opozitës Rama, e çliron veten nga kërkesa e dytë ndaj qytetarëve të Tiranës, për ta votuar atë “jo për qytetin, por kundër Sali Berishës”, kur qyteti po shkon në zgjidhje për vetëadministrimin e tij dhe jo për të zgjidhur çështjet e qeverisjes qendrore në ditën e qeverisjes lokale. Qyteti mund të vendosë për veten këtë herë, pa dashur që duke vendosur për fatin e veten, në fakt të vendosë për fatin e opozitës.
Duke vendosur në favor të të qenit vetëm kryetar i opozitës, Rama i jep një zgjidhje politike dhe ngërçit ku është futur vendi me ngjarjet e 21 janarit, të cilat kanë ardhur nga sforcimi i madh, për të krijuar një bilanc politik të sforcuar nga gjithë sa ndodhi, për shkak se socialistët shqiptarë ndajnë më në fund objektivat politike, në vend që t’i kishin ato në të njëjtën kohë: në kohën e duhur, beteja për qytetin përmes njeriut të duhur, në kohën e duhur beteja për qeverisjen qendrore me njeriun e duhur.
Ndarja e objektivave qendrore dhe lokalë dhe lojtarëve për këto objektiva, është tashmë operacioni i duhur menaxherial politik, për ata që drejtojnë opozitën. Sepse zgjidhjet zgjidhin gjithnjë një çështje: kurrë dy. Sikurse ka dashur deri tani të bëjë Edi Rama. Dhe ka dështuar, jo domosdoshmërisht se ka dalë humbës, por sepse ka pasur më shumë se një objektiv: të mbajë dhe Tiranën, të mundë dhe Sali Berishën.
Revolta e Shkollës së Bashkuar pas rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës
Rrëzimi i shtatores së Enver Hoxhës nga sheshi “Skënderbej” në Tiranë dhe i asaj në qytetin e Korçës, solli një tensionim të situatës politike në Shqipëri. Lëvizja antikomuniste e përqendruar kryesisht në qytetet e mëdha në vend, u ndje edhe më e fortë, ndërsa elementi konservator enverist, i përqendruar në institucione, zona rurale si dhe në qytete të vogla, kundërveproi në mënyrën e vet. Shqipëria ishte përballë një ballafaqimi serioz, i cili mund ta çonte në një luftë të pakontrolluar civile, të paparë qysh nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Lëvizje të rrezikshme ishin edhe ato të nisura në shkollën e oficerëve në Tiranë, në të cilën ushtarakët u armatosën dhe krijuan “Komisionin nismëtar të lëvizjes për mbrojtjen e interesave të popullit”, me kryetar Agim Bajraktarin. Ata i drejtuan thirrjen partive politike, Presidentit e popullit shqiptar, duke kërkuar vlerësimin e figurës së Enver Hoxhës me referendum. Sigurisht, rreziku qëndronte edhe te Forcat e Armatosura, të cilat mund të dilnin jashtë kontrollit dhe mund të përligjnin veprimet e tyre me Kushtetutën e 1976-s, e cila ishte në fuqi. Megjithatë, pakënaqësia ndaj regjimit ishte edhe në këto forca. Por ngjarja më e rrezikshme që ndodhi në atë kohë ishte inskenimi i provës së zjarrit në mjediset e shkollës së bashkuar të oficerëve në Tiranë. Qindra studentë, të drejtuar nga komandantët e tyre, me kallashnikovë dhe pushkë në duar, që i tundnin në ajër, në ritmet e këngës “Enver Hoxha tungjatjeta”, ushtruan një demonstrim force, duke premtuar se monumentet e Enver Hoxhës do i çonin atje ku ishin. Nga ana tjetër, një shoqatë e “vullnetarëve të Enverit”, u tregua shumë aktive në organizimin e ceremonive të tilla në qytetet e mbarë vendit, ku bustet e vegjël e të bardhë të Enverit viheshin në qendra qytetesh, të cilat përnjëherësh merrnin emrin “Enver Hoxha”. Një situatë sa tragjike aq edhe komike kalonte Shqipëria. Vendi ishte në prag të katastrofës humanitare, zia e bukës kërcënonte egërsisht, ndërsa konservatorët gjenin kohë për shfaqje të tilla.
Por ajo që duhej thënë në një konfrontim të tillë ishte se pakënaqësia nuk ishte vetëm e popullit, por edhe brenda Forcave të Armatosura. Autoritetet e kohës sillnin me shqetësim informacione se pakënaqësia ishte e madhe edhe brenda këtyre forcave. Afër Shkollës së Bashkuar, nga krismat e kallashnikovëve u vranë ose u plagosën edhe disa qytetarë.
Informacioni i datës 20 shkurt 1991
Shkolla e Lartë e Bashkuar e Oficerëve mbante emrin e Enver Hoxhës. Në oborrin e kësaj shkolle qëndronte edhe një monument i diktatorit. Por informacionet që vinin paraditen e 20 shkurtit 1991 për gjendjen në këtë shkollë nuk ishin edhe aq të kënaqshme.
Ministri i Punëve të Brendshme, Hekuran Isai, njoftonte kështu kryetarin e Presidiumit të Kuvendit Popullor, Ramiz Alia, mbi gjendjen në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha”:
“Dega e Sigurimit të Shkollave Ushtarake informon se sipas dy denoncuesve del se oficer Stefan P., pedagog i historisë së AUP së Repartit 2330 Shkodër, është shprehur: “Për Partinë e Punës nuk ka më fitore, apo edhe këtë legjislaturë ka jetë... Këtij pushteti i erdhi fundi e duhet të përmbyset”.
Studenti Vladimir P. i vitit të dytë në kufi, në prani të gjithë studentëve të klasës ka thënë: “Jam në komisionin nismëtar për organizimin e shoqatës të studentëve ushtarakë, do mblidhemi në fushën e sportit, ku do të flasin organizatorët e kësaj shoqate, pastaj dilni të gjithë. Kërkesat tona janë: përmirësimi i kushteve të jetesës e ushqimit, të shkrihet Komitetit i Partisë së shkollave e godina t’u jepet studentëve; Akademia Ushtarake të largohet dhe godinat t’u jepen studentëve, të anulohet urdhri i ministrit të Mbrojtjes Popullore për përjashtimin e studentëve që plotësojnë 12 mungesa; tani për tani jemi nuk jemi për heqjen e emrit të shkollës, se po kërkuam këtë do të kemi përfundim të keq, këtë do ta bëjmë më vonë”. Nazmi C., Llazi K. e Arben Z., thonë se duhet të kërkojmë heqjen e emrit të shkollës. Të tre këta studentë, më datën 11.2.1991, duke ngrënë boçe pishe, kanë qëlluar disa herë portretin e themeluesit të Partisë. Theksojmë se në klasën e vitit të dytë të kufirit në datën 13.2.1991, rreth orës 16.30, është hequr portreti i themeluesit të Partisë dhe nuk dihet se ku e kanë çuar.
Për problemet e sipërme është informuar edhe Komanda e Kufirit.
Studenti Besnik Shkëmbi, i vitit të katërt të artilerisë, ka filluar të shpërndajë lista të marra nga komisioni nismëtar i Partisë Demokratike, për të regjistruar studentë në shoqatën e tyre.
Sipas denoncimit të oficerë Hajri Th., pedagog në Repartin 2330 Vau i Dejës, del se kursanti Rezart Z., i ka thënë: “...Unë jam kundër PPSH-së dhe kam aftësi të bëj edhe 100 kursantë të votojnë kundër saj, po ti pedagog me cilën parti je?”. Unë - thotë Hajriu, - thashë se “po ma shave PPSH-në, ta numëroj në lule të ballit”. Rezarti i thotë: “Mos u nxito, se edhe unë kam automatik dhe të zhduk”.
***
Në një informacion që kryetari i Degës së Sigurimit të Shkollave Ushtarake, i dërgonte Degës së Sigurimit të Ushtrisë, bënte të ditur se pedagogu i shkollës së bashkuar “Skënderbej”, Ismet Pajo, “me origjinë kosovar”, kishte strehuar “katër elementë destruktivë” në kohën kur këta po protestonin kundër zhvillimeve në Shkollën e Bashkuar. Sipas këtij informacioni, më 23 shkurt 1991, pedagogu në fjalë u fliste njerëzve duke u thënë se veprimi i shkollave ushtarake nuk ishte i drejtë, sepse ishte vëllavrasës dhe përçarës. Nuk mjaftonte vetëm ku raportim, por vazhdohej se për këtë pedagog nuk disponoheshin të dhëna të tjera, por do punohej me agjenturë. Oficeri N. ZH., ndër të fundit e rekrutuar për interes të Sigurimit, denonconte se para derës së Akademisë kishte qenë edhe një student, i cili i kishte thënë gruas së N. ZH këto fjalë: “Ku do të vini ju komunistët... të gjithë komunistët do të përfundojnë në litar... Po shkollat ushtarake pse vepruan kështu, veprimi i tyre është jashtëzakonisht i keq, megjithatë shikoni e prisni fundin e kësaj pune”.
Bashkëpunëtorët e tjerë vijojnë të sjellin raporte mbi atë që dëgjonin, mbi zërat kundër brenda radhëve të ushtrisë, në shkollë apo në reparte.
Studenti Ilir K. kishte thënë: “Unë nuk jam dakord me këtë qëndrim të studentëve, ne bëmë gabim dhe historia do të na dënojë... Ne nuk kemi pse të kërkojmë të vihet shtatorja e Enver Hoxhës”.
Studenti Sokol C., i vitit të parë, më 24 shkurt 1991 kishte grumbulluar disa shokë të tij dhe u fliste: Nuk bëjmë mirë që kërkojmë të vendoset busti i Enver Hoxhës në vend, kështu ne sillemi keq dhe historia do të na dënojë e do të na bëjë fajtorë”.
Studenti Ilir Dh., vitit 2-të, u shpreh: “Nuk bëjmë mirë ne studentët të vihemi në konflikt me popullin, tani të ruhemi se do të na kërcënojnë e do na vrasin”.
Tuesday, February 22, 2011
Roberto Vecione fiton Sanremo
Kënga e tij “Chiamami ancora amore”, është vlerësuar si ndër më të mirat për elementët artistik që ka prezantuar. Këngëtari i njohur Al Bano tha për mediat, pas ndarjes së çmimeve, se kënga e Veciones kishte një “tekst fantastik, muzikë dhe gjithçka fantastike”.
Vecione, Al Bano dhe Ema ishin tre finalistët e festivalit.
Festivali i njohur italian u drejtua këtë vit nga Xhani Morandi, duke shënuar një rikthim në modelet klasike dhe në kohrat më të mira. Jo pa ironi, komediani Roberto Benjini u shpreh se Xhani Morandin e kanë lënë si drejtues, sepse duan ta mbajnë larg muzikës. Ndërsa në lidhje me historikun e Sanremos, Benjini u shpreh se “është më i vjetër se lindja e republikës italiane”.
Në 16 shkurt, Vecioni ka publikuar edhe albumin që mban titullin e këngës fituese të festivalit.
Në të janë rreth 14 këngë që janë vlerësuar nga kritika si një prej publikimeve më të mira të kohëve të fundit.
Kabineti i ri i Kosovës, emrat e ministrave.

Prishtinë, 22 shkurt 2011, NOA- Kabineti i ri qeveritar i Kosovës, i cili u votua pak më parë me 65 vota pro dhe 1 kundër në mungesë të opozitës, do të përbëhet nga personalitete me peshë në politikën Kosovare.
Gjatë fjalës së tij, tashmë si Kryeministër i rizgjedhur në mandatin e dytë të tij, Hashim Thaçi u shpreh se, për Kosovën u hap një kapitull i ri, ai i Kosovës Europiane.
Po sot u zgjodh edhe Presidenti i vendit Behxhet Pacolli, i cili mori një shumicë të thjeshtë votash me 62 vota pro, vetëm në raundin e tretë të votimeve.
Kabineti i ri qeveritar i Kosovës:
President –Behxhet Pacolli
Kryeministër- Hashim Thaçi
Ministre e Integrimit- Vlora Çitaku
Ministër i Drejtësisë- Hajredin Kuçi
Ministër i Ekonomisë – Besim Beqaj
Ministre e Tregëtisë- Mimoza Kusari (Lila)
Ministër i FSK-së- Agim Çeku
Ministër i Shëndetësisë- Ferid Agani
Ministër i Brendshëm- Bajram Rexhepi
Ministër i Kulturës- Memli Krasniqi
Ministër i Pushtetit Lokal- Slobodan Petroviç
Ministër i Arsimit- Ramë Buja
Ministër i Transportit- Fehmi Mujota
Ministër i Ambientit- Dardan Gashi
a.y/NOA
Robert de Niro në RAI: Kam gjak shqiptari

Aktori i mirënjohur Robert de Niro ka zbuluar në një intervistë për RAI 1 një detaj që shumë pak kush e ka ditur, duke thënë se ka prejardhje shqiptare dhe italiane.
Ai nuk dëgjohet mirë çfarë thotë në intervistën e tij për shkak edhe të përkthimit të pa përshtatshëm që bën prezantuesja, De Niro ndërhyn asaj ku ajo e pyet për prejardhjen e tij italiane.
De Niro i thotë se “është nga gjaku shqiptar dhe italian”.
Aktori ka thënë se për këtë janë të njoftuar edhe fëmijët e tij.
Robert De Niro: Kam gjak shqiptar, prindërit e tij emigruan nga Kruja në Itali e SHBA
“Fëmijët e mi duhet të dinë se kanë edhe origjinë italiane dhe shqiptare”. Kjo ka qenë deklarata e aktorit të mirënjohur Robert de Niro e cila ka bërë xhiron e botës.
Ai ka thënë duke folur në anglisht se prejardhja e tij nga gjaku, është italiane dhe shqiptare.
Mediat njoftojnë se e vërteta është se stërgjyshi i aktorit të madh, Xhovani Di Niro dhe e shoqja Angelina Gashi, emigruan nga Kruja drejt Ferrazzano, qytet i provincës së Molises në Itali. Më pas në vitin 1887 ata shkuan në SHBA.
Statistikat, shqiptarët, duhanpirësit më të mëdhenj në Europë
Duhanpirësit numërohen rreth 870 mijë, ose thënë ndryshe rreth 39 përqind e popullsisë. E në raport me popullsinë, shqiptarët kanë arritur nivelin e turqve, një ndër vendet me numrin më të lartë të duhanpirësve në Evropë. Nga ana tjetër është rritur numri i duhanpirësve femra.
Tendenca nuk është më risi, por shqetësim mbetet cigarja e parë, mosha e konsumit të së cilës është ulur nën 10 vjeç. Pavarësisht numrit të madh duhanpirëse, vihet re një ndërgjegjesim i tyre për konsumimin e duhanit. Ata janë të kujdeshëm dhe shumë prej tyre nuk e pijnë cigaren në shtëpi, apo në makinë veçanërisht kur në këto dy ambjente ka fëmijë. Për të parandaluar sa më shumë fenomenin e duhanpirjes, qeveria shqiptare në dy vitet e fundit ka rritur akcizën e cigareve, duke e çuar aktualisht çmimin minial të një pakete në 150 lekë. Kjo sipas specialitëve të Institutit të Shëndetit Publik po çon rritjen e numrit të personave që duan të lënë duhanin nga shtresat e varfëra dhe të mesme.
Monday, February 21, 2011
Bjellogardistët që kthyen Zogun në pushtet

Grup i ushtarakëve rusë përpara Xhamisë së Sulejman Pashës në Tiranë,1925. Ushtarakët mbajnë veshur ende uniformat ruse dhe dekoratat e kohës kur shërbenin në ushtrinë cariste. (Koleksioni Artan Lame)
Nga Shaqir Vukaj
Dikur, ne rininë time të hershme, në Shkodër tregohej një ngjarje për një bjellogardist (rus të bardhë) ish-kolonel i Ushtrisë Cariste e më vonë oficer i ushtrisë shqiptare deri në vitin 1939, me emrin Kuçuk Agai ( kështu thirrej ai atëherë, Agai e jo Ullagai, siç e kishte në të vërtetë mbiemrin).
Tregimi për të ishte i thjeshtë, por tepër kuptimplotë për një oficer që kishte dhënë fjalën për t’i qëndruar deri në fund betimit ushtarak…. dhe ishte kështu: Kur Italia Fashiste përgatitej të pushtonte Shqipërinë dhe Ahmet Zogu “përdridhej sa andej këndej”, herë duke premtuar “se do të vishte opingat e do të dilte në mal” e herë “duke iu lëpirë Duçes” (siç e përcaktonte një politikan bashkëkohës italian), edhe në Shkodër, si kudo në Shqipëri, kishte shumë njerëz që donin ta prisnin pushtuesin me pushkë. Në këto përgatitje dallohej në mënyrë të veçantë komandanti i grupimit të përzier ushtarak (trupat këmbësore, të artilerisë dhe ato xheniere) Kuçuk Agai, i cili, jo vetëm kishte përgatitur artilerinë për luftë, por kishte hapur llogore, kishte bërë planet e mbrojtjes, madje thuhej se për të penguar trupat italiane për pushtimin e Shkodrës, përgatitej të minonte urën e Bohçallëkut e masa të tjera. Megjithëse shihej qartë se populli ishte tradhtuar dhe Zogu po braktiste popullin e vendin e tij, Kuçuk Agai vazhdonte përgatitjet për qëndresë.
Në këtë situatë, pak ditë para pushtimit, kur ai ishte në kulmin e përgatitjeve, i shkuan në zyrë përfaqësuesit e parisë dhe të komuniteteve fetare të Shkodrës, pikërisht ata që pak ditë më vonë do të prisnin me lule pushtuesit italianë (në fotografitë e botuara dallohen shumë qartë cilët kanë qenë dhe Shkodra i ka njohur mirë) dhe i kërkojnë që ai të ndërpriste përgatitjet për luftë dhe të mos bënte asnjë lloj rezistence, sepse “Italia është e fuqi madhe, se me të nuk mund të luftohet, se kemi gra e fëmijë, se do na marrësh në qafë etj, etj”. Mbasi i kishte dëgjuar, ai u kishte thënë: “Paçi faqen e zezë, pjellë e keqe e këtij vendi, unë që kam ardhur prej stepave të Rusisë, jam gati me derdhë gjakun për këtë vend që më ka mbajtur me bukë tash pesëmbëdhjetë vjet, e ju që keni lindur e jeni rritur në Shkodër silleni kështu. Turpi ju mbuloftë për jetë të jetëve”. Siç thuhej, këto kishin qenë fjalët e fundit të tij dhe në atë moment ai kishte lënë zyrën dhe bashkë me familjen ishte larguar për në drejtim të panjohur. Disa thoshin se kishte shkuar në Jugosllavi, por për fatin e tij nuk dihej asgjë më shumë… . Megjithatë, siç thuhej, topat në Shkodër, në ndryshim me shumë vende tjera në Shqipëri, i kishin gjilpërat në vend, ashtu siç i kishte lënë gati për luftë Kuçuk Agai.
Me kohë ai u harrua, ndoshta edhe më shumë se kishte ardhur në Shqipëri nga Jugosllavia me bjellogardistët e tjerë rusë, si mercenar për të sjellë Ahmet Zogun në pushtet, se kishte luftuar kundër komunistëve në Rusi, se ishte deklaruar hapur si antikomunist… . Megjithatë, kjo ngjarje më kishte mbetur në mend.
Kur njihesha me historinë
Vite më vonë, kur përpiqesha të mësoja më shumë për marrëdhëniet shqiptaro-ruse, ngulimet shqiptare në Rusi apo për komunitetin rus në Shqipëri, në botimet e materialeve arkivore të shoqatave ruse, jashtë e brenda Rusisë, në kujtimet e rusëve të bardhë apo bjellogardistëve që kishin luftuar jashtë Rusisë, ku bëhej fjalë për Shqipërinë apo dhe në botimet e viteve të fundit në Rusi, padashur hasa në emrin e Kuçuk Agait (tashmë me mbiemrin e vërtetë Ullagai). Por gjeta dhe disa materiale interesante për pjesëmarrjen e bjellogardistëve rusë në intervencionin e dhjetorit të vitit 1924 kundër Shqipërisë e sjelljen në pushtet të Ahmet Zogut, me paratë e Beogradit e bajonetat e topat e këtyre rusëve… .
Pikërisht, këto më kanë shtyrë të shkruaj edhe këto rreshta (ku do të flitet edhe për fatin e Kuçuk Ullagait, por më shumë për të shuar kureshtjen). Të gjitha materialet e këtij shkrimi janë të bazuara vetëm në burime ruse, ndërmjet të cilëve: Aleksandër Naumov, “Tragjedia e komunitetit rus në Shqipëri”; Juri Nersosov, “Në shërbim të masonëve dhe narkobaronëve” dhe me nëntitull “Në luftë për pushtetin e një dordoleci”; Sergej Ballmasov, “Si e përmbysën mercenarët rusë pushtetin në Shqipëri”, “Oficerët rusë në emigracion”, “Nga Shqipëria në Paraguaj”, “Kazakët në Shqipëri”; ”S.V.Vollkov”, “Tragjedia e oficerëve rusë”; L.P. Sukaçev, “Në Shqipëri”, kujtime; N.A Starodimov “Froni për mbretin e Shqipërisë”, etj.
Mbas Luftës Civile në Rusi fituan bolshevikët dhe Ushtritë Vullnetare (ose Ushtria e Bardhë, siç quhej ushtria që u krijua për të luftuar kundër Ushtrisë së Kuqe, e që u krijua kryesisht nga ish-oficerë e ushtarë të Ushtrisë Cariste) u larguan jashtë Rusisë. Pjesa e Ushtrisë së Bardhë e gjeneralit Vrangel u largua nga Rusia në nëntor të vitit 1920 (rreth 135 mijë vetë) dhe një pjesë e madhe e saj, mbi bazën e marrëveshjeve të tij me qeveritë e Beogradit dhe Sofjes u vendosën në Mbretërinë serbo-kroato-sllovene (Jugosllavi siç u quajt mbas vitit 1928) dhe Bullgari. Por krahas atyre që kishin qenë pjesë e ushtrisë së Vrangelit, në Jugosllavi( kryesisht në Serbi) ishin grumbulluar edhe shumë rusë të tjerë, të ikur mbas Revolucionit Bolshevik të Tetorit.
Të braktisur, pa mjete jetese, pa punë të përhershme, oficerët rusë, ushtarë, kazakë (kështu quhet një grup sub-etnik i popullit rus, i cili që nga Mesjeta ka pasur një organizim të veçantë ushtarak, me detyrim e privilegje të posaçme, që në përbërjen e forcave ushtarake ruse, ka qenë shtylla e kavalerisë ruse) e çerkezve (kombësi e fesë myslimane e shpërndarë në shumë vende, kryesisht në Turqi mbi 5 milionë, etj. Në Rusi kanë luajtur një rol të veçantë në përbërje të trupave cariste. Sot në Rusi numërohen rreth 750 mijë vetë të kësaj kombësie), të udhëhequr prej këtyre oficerëve, u bënë mish për top, në lojërat ballkanike, jo vetëm nga udhëheqjet e këtyre vendeve, por në shumë raste edhe nga Fuqitë e Mëdha. I tillë ishte dhe fati i 108 bjellogardistëve (bjellogardistë quheshin të gjithë ata që kishin shërbyer në Ushtrinë e Bardhë në luftën kundër Ushtrisë së Kuqe në Luftën Civile në Rusi në vitet 1918-1920) që morën pjesë në “aventurën shqiptare”, që kryesisht për para (pra, mish për top) u përdorën si mercenarë për të plotësuar detyrën e vënë nga Beogradi për të sjellë në pushtet Ahmet Zogun.
Historia është trajtuar pak në letrat shqipe, por edhe në ato ruse. Sidoqoftë është një histori, jo vetëm për të shuar kureshtjen, por për të plotësuar sado pak me të dhëna nga burime ruse, këtë periudhë të historisë sonë.
Bjellogardistët në Jugosllavi
Me t’u vendosur në Jugosllavi, Beogradi rekrutoi mijëra bjellogardistë në Shërbimin Kufitar, krahas të tjerave, jo vetëm se ata ishin “mish i lirë” për Beogradin, por edhe se ata kishin përvojë të gjatë në luftë, mbasi shumë prej tyre kishin qenë pjesëmarrës në Luftën e Parë Botërore dhe në Luftën Civile në Rusi. Siç dihet, në këtë periudhë, Mbretëria e porsakrijuar kishte probleme kufitare me fqinjët dhe shumë gjëra zgjidheshin me grykën e pushkës. Sipas vlerësimit të zyrtarëve të kësaj mbretërie të re, kufiri me Shqipërinë ishte “shumë i rrezikshëm”, madje “më i rrezikshmi” dhe, jo pa qëllim, një pjesë të tyre, Beogradi, i vendosi aty, për t’u përballur me shqiptarët. Duhet pasur parasysh se, në këtë periudhë marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave ishin tepër të tensionuara. Beogradi donte me çdo kusht të mbante të pushtuara tokat shqiptare të caktuara në Konferencën e Londrës, madje edhe mbas Luftës së Vlorës. Gjatë gjithë kësaj periudhe, situata në kufijtë veriorë dhe lindorë nuk ka qenë e qetë për asnjë moment, madje e mbushur me përplasje shqiptaro-jugosllave, ku mund të përmenden Lufta e Koplikut, kryengritja e Dibrës me në krye Elez Isufin e çlirimi i tokave shqiptare, turbullirat e shkaktuara në Mirditë e shpallja e “Republikës së Mirditës” (Pa e saktësuar me hollësi, disa bjellogardistë pranojnë se kanë marrë pjesë në lëvizjen e Gjon Marka Gjonit, i cili me rekomandimin e ndihmën e Beogradit në korrik të vitit 1921 shpalli “Republikën e Mirditës”. Meqë kjo nuk pati sukses, Gjon Marka Gjoni me forcat e tij sulmoi forcat qeveritare, ku kanë marrë pjesë edhe bjellogardistë rusë, të rekrutuar në Shërbimin Kufitar).
Sipas dokumenteve ruse, “bjellogardistët, që në fillim u përplasën me armë me shqiptarët; me kriminelë, kontrabandistë, kaçakë”, etj siç i quajnë ata, dhe shtojnë se “shqiptarët nuk kishin ndonjë simpati për rusët, për të mos thënë armiqësi, që trashëgohej që nga koha e luftërave ruso-turke, ku shqiptarët kishin luftuar në krah të turqve”. Sidoqoftë, pavarësisht se emigracioni rus dinte shumë pak për Shqipërinë, Beogradi ja arriti që nëpërmjet këtyre përplasjeve me pushkë në kufirin shqiptaro-jugosllav apo edhe brenda kufijve të Shqipërisë, të krijonte edhe ky emigracion opinion të keq për shqiptarët.
Pavarësisht se kalimthi, bjellogardistët, pjesëtarë të Shërbimit Kufitar jugosllav kanë shkruar se janë ndeshur dhe kanë luftuar kundër “kaçakëve shqiptarë”, siç quheshin në atë kohë kryengritësit shqiptarë të Kosovës ose mbrojtësit e tokave shqiptare brenda kufirit të udhëhequr nga Elez Isufi, etj., apo që luftonin për çlirimin e tokave shqiptare të pushtuara nga jugosllavët. Madje, siç duan të thonë disa prej tyre, bjellogardistët janë ndeshur edhe me “komunistët shqiptarë” që në vitin 1921, pikërisht në periudhën e krijimit të “Republikës së Mirditës”......
Mbas fitores së Revolucionit të Qershorit dhe arratisjes së Ahmet Zogut me njerëzit e tij në Jugosllavi, Beogradi u angazhua në rrugë të ndryshme për krijimin e një force ushtarake për të kthyer Zogun në Tiranë nëpërmjet ndërhyrjes ushtarake. Krahas punës që bënte vet Zogu dhe sidomos dhëndri i tij Ceno bej Kryeziu (i zbuluar më vonë nga vet Zogu se ai ishte agjent i vjetër i Beogradit dhe i vrarë në Pragë në vitin 1927, në rrethana të pasqaruara asnjëherë) për grumbullimin e mercenarëve e organizmin e tyre, Shërbimi Sekret Jugosllav u angazhua për mobilizimin e bjellogardistëve që endeshin nëpër Beograd e qytete tjera të Jugosllavisë
Ky Shërbim (Shërbim i vjetër serb, që siç shkruajnë autorë rusë, nga viti 1900 e deri në vitin 1940 qëndronte mbi çdo qeveri dhe i kontrollonte ato) i përgatiti Zogut rekrutimin e bjellogardistëve për këtë ndërmarrje ushtarake kundrejt pagesave të majme për secilin pjesëmarrës (siç thotë një pjesëmarrës, me napolona flori dhe jo me pare letre). Por kushti i Beogradit ishte që, në krye të këtyre trupave të ishte një oficer serb. Dhe oficeri “serb” u gjet, ish-koloneli i Ushtrisë Cariste e më vonë i asaj të Bardhë, bjellogardisti rus Mikllashevski, i cili tani shërbente me të njëjtën gradë në ushtrinë jugosllave, madje në Shtabin e Përgjithshëm. Rekrutimi i tij në ushtrinë jugosllave shpjegohej nga rusët e serbët kështu; gjatë Luftës së Parë Botërore, për trimërinë e treguar në një betejë, ai ishte dekoruar nga serbët me Yllin Karagjorgjeviç, që ishte dekorata më e lartë e Serbisë. Kur ai u vendos në Jugosllavi me ushtarakë të tjerë të ushtrisë së Vrangelit, në saj të kësaj dekorate, atij ju njoh e drejta e gradës që kishte pasur në Ushtrinë Cariste, dhe u pranua në Ushtrinë Jugosllave me këtë gradë, kolonel.
Mikllashevski u zgjodh nga Shërbimi Sekret Jugosllav, jo vetëm se ai kishte dhënë prova dhe po i shërbente me besnikëri Beogradit, por edhe sepse ai gëzonte autoritet në rradhët e bjellogardistëve që jetonin aty. Nisur nga këto, ky Shërbim i propozoi Mikllashevskit që të krijonte një njësi të posaçme ushtarake me mercenarë rusë, propozim që ai e pranoi menjëherë, sigurisht kundrejt një pagese të madhe.
Për këtë qellim, ky Shërbim organizoi një takim të posaçëm midis Mikllashevskit dhe Ahmet Zogut. Që në takimin e parë, Zogu i dha një shumë të madhe në napolona flori (kështu kanë pohuar disa bjellogardistë, por asnjë nuk e thotë shumën e saktë). Mbasi ranë dakord, Mikllashevski ju fut punës për rekrutimin e mercenarëve për të “luftuar të kuqtë e Tiranës”.
Kujtimet e Sukaçevit
Në kujtimet e tij (“Në Shqipëri”, botuar ne revistën “Vestnik Pervohodnika”, Nr.33 1964) L. Sukaçevi, një ndër pjesëmarrësit më aktivë në “aventurën shqiptare”, shkruan: “Unë takohesha herë pas here me Mikllashevskin, por asnjëherë nuk e kisha parë aq të gëzuar si atë ditë. Ai më shpjegoi se Ahmet bej Zogu, i cili në këtë periudhë ishte emigrant në Mbretërinë serbo-kroato-sllovene, kishte vendosur të marshonte drejt Tiranës për të përmbysur qeverinë pro sovjetike të peshkopit ortodoks Fan Noli. Ai kishte vendosur të thërriste në ndihmë rusët e “bardhë”, duke i llogaritur, me të drejtë, ish-pjesëmarrësit e Ushtrisë Vullnetare si elementët më të përshtatshëm për të luftuar kundër “të kuqve të Tiranës”, të cilët, gjithnjë e më shumë po bëheshin arrogantë nën komandën e Krakoveckit, shefit të misionit sovjetik në Tiranë” . Një pjesë e mirë e bjellogardistëve që ishin aktivizuar në Shërbimin Kufitar, në këtë periudhë ishin çmobilizuar (në kuadrin e shkurtimeve që ishin bërë nga institucionet jugosllave) mbasi edhe në kufirin shqiptaro-jugosllav ishte vendosur një farë qetësie, dhe kufijtë e Shqipërisë ishin kthyer në ato të përcaktuara në vitin 1913. Shumë prej tyre endeshin pa punë, ose bënin punë të rëndomta. Siç shkruan L.Sukaçevi në kujtimet e tij, ai vetë kishte provuar lloj-lloj punësh derisa kishte përfunduar lulishtar në një spital të Beogradit... . Si ai kishte shumë ish-ushtarakë të tjerë, të cilët nuk kishin arritur të sistemoheshin as në Jugosllavi e as jashtë saj, prandaj e pritën me kënaqësi propozimin, sigurisht kundrejt një pagese të caktuar. Por krahas pagës, në radhët e tyre u bë një propagandë e shfrenuar për t’i bindur ata se do të shkojnë në Shqipëri për të “luftuar komunizmin”.
Sipas dokumenteve ruse, vëmendje e posaçme iu kushtua punës për t’i bindur ata, se lufta në Shqipëri do të jetë luftë “kundër komunistëve”, që ishin armiqtë më rrezikshëm të tyre, që i kishin “lenë pa atdhe, pa Rusinë e dashur”. Kështu ndërmjet tjerave, atyre u thuhej se “nëpërmjet intrigave të ndryshme, me ndihmën dhe paratë e komunisteve, në vitin 1924, Fan Noli zuri vendin e Ahmet Zogut që emigroi... . Me të marrë pushtetin, u fut në rrjedhën e politikës pro-sovjetike. Duke mos arritur të përqendronte pushtetin në duart e tij, ai u mor me agjitacion komunist në vendet fqinje....” dhe, ata që punonin për t’i bindur, përpiqeshin të preknin në pikën e dobët të tyre, tek lufta që duhej bërë kundër “të kuqve të Rusisë”. Ndërmjet tjerave atyre u thuhej se “Në Tiranë ndodhet misioni sovjetik, i kryesuar nga anëtari i Seksionit të jashtëm i GPU-së, Krakovecki. Ai ka shpallur zyrtarisht si qëllim të misionit të tij që të vendosë regjimin komunist në Tiranë dhe ta kthejë Tiranën në qendër të bolshevizmit në Ballkan. Ai planifikon që prej këndej të propagandojë dhe të punojë për “eksportin e revolucionit” në vendet fqinje”.
Në këto kushte u vendos të krijohej njësia ushtarake ruse. Është interesant fakti se, tentativa e parë e Mikllashevskit dështoi. Fillimisht, ai mendonte se më e mira do të ishte që të krijohej një njësi e përbërë nga njerëz që njiheshin me njëri-tjetrin, që kishin luftuar bashkë, etj. Nisur nga ky qëllim, ai zgjodhi një kolonel, ish-komandant i një reparti kazakësh. Që në takimin e parë, koloneli i premtoi se do të sillte 80 kazakë, ish-pjesëtarë të repartit të tij, dhe për këtë i kërkoi një paradhënie. Siç shkruan Sukaçevi, ai i dha 300 napolona flori. Por ai nuk u pa më dhe kur Mikllashevski priste kazakët, papritur i vjen një telegram nga një vend fqinj me Jugosllavinë, nënshkruar prej kolonelit, ku ai e falënderonte për “ndihmën financiare”.....
Mbas kësaj, Mikllashevski filloi të mblidhte kë të mundte, ku një ndihmë të madhe i dha Sukaçevi. “Të nesërmen, unë dhe Mikllashevski filluam të rekrutonim rusë nëpër rrugët e Beogradit dhe në darkë arritëm të grumbullojmë 108 vetë dhe pa probleme shkuam në Shkup”- shkruan në kujtimet tij Sukaçevi. Ndërmjet mercenarëve të rekrutuar, me të cilët u hartuan kontrata kundrejt një pagese të caktuar, ishin edhe ish-oficerë të tjerë të Ushtrisë Cariste, të cilët gëzonin autoritet në radhët e bjellogardistëve. Ndërmjet tyre ishte dhe kolonel, Kuçuk Ullagai, përfaqësues i çerkezëve, me prejardhje nga një fis i njohur çerkez që i kishte dhënë Rusisë ushtarake të niveleve të ndryshme e deri gjeneralë të njohur, e që solli me vete dhe disa çerkezë të tjerë.
Nga Shkupi, ata grupe-grupe, shkuan në Dibër, që ishte lënë si vend takimi. Në Dibër u bë dhe “transformimi” nga oficerë të Ushtrisë Cariste (madje Mikllashevski tani ishte edhe kolonel i Ushtrisë Jugosllave) në oficerë të ushtrisë shqiptare. Kështu komandanti, kolonel Milkllashevski, u bë major i ushtrisë shqiptare, zëvendësi i tij kolonel Berestovski u bë kapiten, shefi i shtabit kolonel Rusinov, u bë kapiten, kolonel Kuçuk Ullagai u bë kapiten, etj., që siç shkruan Sukaçevi për atë periudhë ishin grada mjaft të larta në Ushtrinë Shqiptare.
Zogu i dha një rëndësi të veçantë kësaj njësie, duke i besuar teknikën luftarake dhe pikërisht artilerinë (në këtë periudhë ai nuk kishte armatime të tilla në repartet e tjera). Lidhur me numrin e pjesëmarrësve të kësaj njësie, në dokumentet ruse, përmenden dy shifra, diku thuhet kanë qenë 108 vetë, diku 102, por në gjithë këto dokumente përmendet shifra 15 oficerë.
S.V.Vollkov në librin e tij “Tragjedia e oficerëve rusë” shkruan: “Oficerët rusë luajtën një rol vendimtar për fatet e Shqipërisë. Me 10 dhjetor 1924 në qytetin e Dibrës (Jugosllavi) nga husarët e Kievit u formua njësia ushtarake ruse e përbërë nga 108 (ose 102 vetë nga të cilët 15 oficerë) me komandant kolonel Mikllashevski, zv/komandant kolonel Berestovski, shef shtabi kolonel Rusinov, komandant baterie kolonel Borboviç, komandant i baterisë artiljere kolonel Ullagai, që më 17 dhjetor kaloi kufirin e Shqipërisë dhe më 24 dhjetor hyri në Tiranë me luftë dhe vendosi në pushtet Ahmet Zogun”.
Ballmasov shkruan se: “Zogu vendosi të sulmonte drejt kufirit të Shqipërisë, mbasi, natën e 16 dhjetorit u formua përfundimisht njësia ushtarake ruse”..
Sunday, February 20, 2011
Qeveritë e formuara nga viti 1912 deri sot .
Fillimi i shekullit XX e gjen Shqipërinë nën administrimin e Perandorisë Osmane. Por, përmes kryengritjeve antiosmane, sidomos ato të viteve 1909 – 1912, në Shqipëri, ky administrimim kishte nisur të tkurrej.
Në 14 tetor 1912, një grup politikanësh shqiptar organizuan në Shkup një mbledhje nga ku njoftuan fuqitë e mëdha se shqiptarët nuk pranonin pushtimin e tokave të tyre nga fqinjët ballkanikë.
Ndërkohë, Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi kryesuan nismën për krijimin e një komiteti drejtues që të merrte në dorë qeverisjen e vendit. Kulmi i i këtyre ngjarjeve ishte Kuvendi i Vlorës, në shtëpinë e Xhemil Vlorës, ku do të ngrihej më pas në 28 nëntor flamuri kombëtar.
Kryetari i Kuvedit të Vlorës, Ismail Qemali, propozoi të shpallej Shqipëria e pavarur, me një qeveri të përkohshme; të zgjidhej një Pleqësi në ndihmë e kontroll të qeverisë, si dhe të dërgohej një komision në Europë, për të mbrojtur çështjen shqiptare para mbretërive.
Me ngritjen e flamurit në Vlorë, në 28 nëntor 1912, Ismail Qemali zgjidhet kryeministër dhe i jepet e drejta nga delegatët të krijojë qeverinë e re. Kjo qeveri u shpall në 4 dhjetor 1912 – 22 janar 1914.
Qeveria e parë shqiptare e kryesuar nga Ismail Qemali, 4 dhjetor 1912 – 22 janar 1914
Fillimi i vitit 1914 solli për qeverisjen e Vlorës vështirësi, kohë kur do të dilte çështja e Beqir Grebenesë, një oficer shqiptar në shërbim të perandorisë osmane, i cili organizoi një komplot, në të cilin bëri protagonist të bisedave të fshehta edhe Ismail Qemalin. Si pasojë, Ismail Qemali dhe qeveria e Vlorës jep dorëheqjen.
Pas rënies së qeverisë së Vlorës, Esat Pashë Toptani krijon një qeveri, e cila nuk u njoh nga Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit (KNK). KNK përfaqësonte pushtetin ekzekutiv të dërguar nga Fuqitë e mëdha, i krijuar në 29 korrik 1913 nga Konferenca e Ambasadorëve, me synim organizimin e shtetit shqiptar. KNK-ja njohu një unifikim të administratës, ku spikasnin 2 drejtorë Fejzi Alizoti, Drejtor i administratës për pjesën e ish qeverisë së Vlorës dhe Azis Pashë Vrioni, për pjesën e ish qeverisë së Esat Pashë Toptanit. Me këto zhvillime po afronte dhe koha e ardhjes së mbretit. KNK-ja përgatiti ardhjen e mbretit Wilhelm Von Wied, i cili mbërriti në Durrës, bashkë me familjen mbretërore në 7 mars 1914.
Qeveria e parë e Turhan Pashës, 15 mars 1914 – 20 maj 1914
Pak ditë pas mbërritjes, mbreti Wiedi dekretoi kryeministrin e ri, Turhan Pashën, figurë e rëndësishme politike në perandorinë osmane. Këto zhvillime përkojnë me njohjen e Shqipërisë si shtet nga të 6 superfuqitë.
Qeveria e dytë mbretërore e Turhan Pashës, 28 maj 1914 – 3 shtator 1914
Rikonfigurimi i qeverisë erdhi pas largimit nga qeveria i numrit dy të saj, Esat Pashë Toptanit, si pasojë e konfliktit të tij me mbretërinë, përgjatë periudhës së kryengritjes në jug të Shqipërisë, zonë e kërcënuar nga pushtimi grek.
Në 3 shtator 1914 largohet mbreti Wied. Vjena nuk e mbështeti atë, me justifikimin se nuk kishte arritur të drejtonte vendin mirë dhe kishte krijuar përcarjen mes shqiptarëve dhe krahinave të saj. Në këto kushte, atij i mbetej vetem largimi.
Kthimi i Esat Pashë Toptanit dhe qeveria e tij, 5 tetor 1914 – 27 janar 1916. Duke parë zhvillimet e favorshme për të, Toptani kthehet në Shqipëri dhe merr këtë detyrë. Pas kësaj periudhe vjen Lufta e parë Botërore. Është koha e pushtimit të Shqipërisë, si dhe mbajtja e Traktatit të Londrës, në 26 prill 1915.
Në janar 1916, u bënë përpjekje për krijimin e një qeverie apo administrate shqiptare, pas hyrjes së ushtrisë austro-hungareze në vend.
Përgjatë 1916 – 1918 krijohet dhe funksionon administrata e përkohshme shqiptare në Shkodër, e kryesuar nga Fejzi Alizoti, drejtor i përgjithshëm i Financave.
Me përfundimin e Luftës së parë Botërore, pozitat e Italisë në Shqipëri ishin forcuar, duke patur trupa në shumicën e trojeve shqiptare. Italianëve iu kërkua krijimii i një qeverie shqiptare, me mbështetjen e Italisë. Kështu, vjen qeveria e kryesuar nga Turhan Pasha.
Qeveria e Turhan Pashës, 25 dhjetor 1918 – 29 janar 1920
Më pas vjen qeveria e Durrësit, por që nuk pati suksesin e duhur në pjesën më të madhe të vendit.
Qeveria e Sulejman Delvinës , 30 janar – 14 nëntor 1920
Kongresi i Lushnjës, i mbajtur në 21-30 janar 1920, emëroi një qeveri të re, ku u vendos që të kryesohej nga Sulejman Delvina. Qeveria e Tiranës kërkoi mosnjohjen e qeverisë së Durrësit. Në këtë qeveri u vendos për herë të parë nxjerrja e monedhës shqiptare. Pjesë e këtij kabineti ishte edhe Ahmet Zogu.
Në 14 nëntor 1920 Sulejman Delvina jep dorëheqjen, pas konflikteve të mëdha në kabinetin qeveritar.
Qeveria e parë e Iliaz Vrionit, 15 nëntor 1920 – 1 korrik 1924
Pas dorëheqjes së Delvinës, në detyrë vjen Iliaz Vrioni.
Qeveria e koalicionit e Iliaz Vrionit , 11 korrik – 16 tetor 1921
Gjendja e vështirë e krijuar për shkak të ndërhyrjes jugosllave në 1921, bëri që qeveria e kryesuar nga Iliaz Vrioni të jepte dorëheqjen dhe të kërkonte formimin e një qeverie të koalicionit, e përbërë nga dy forca politike; Partia Popullore dhe Partia Përparimtare. Serish në krye të qeverisë mbetet Iliaz Vrioni.
Qeveria e Pandeli Evangjelit, 16 tetor 1921 – 6 dhjetor 1921
Duke qenë se as qeveria e koalicionit, edhe pse e bazuar në marrëveshjen që synonte të kënaqte interesat e të gjitha grupeve poltike, nuk arriti ta bënte këtë por shkaktoi pakënaqësi tek shumë politikanë, u formua “bashkimi i Shenjtë”, si shkrirje e partive kryesore politike.
Qeveria njëditore e Qazim Koculit, 6 dhjetor 1921 – 6 dhjetor 1921
Por as qeveria e “Bashkimit të shenjtë”, nuk mundi të vazhdonte punën gjatë, për shkak të konflikteve të brendshme. Ndaj pas dorëheqjes së Pandeli Evangjelit, një grup politikanësh si Hasan Prishtina, Mustafa Kruja, etj, bindën më pas Qazim Koculin të formonte një qeveri. Koculi pranoi, me kushtin që në kabinetin e kryesuar prej tij të mos ishte prezent Hasan Prishtina. Por Koculi jep dorëheqjen e papritur brenda ditës.
Qeveria e Hasan Prishtinës, 7 – 12 dhjetor 1921
Dorëheqja e papritur e Koculit, detyroi Këshillin e Naltë t’ia besonte mandatin e kryesimit të qeverisë njërit prej protagonistëve të krizës, Hasan Prishtina. Emërimi i Prishtinës ngjalli pakënaqësi të shumta në të gjithë vendin, deputetët ikën nga Tirana, në Durrës e në qytete të tjera. Kryeministri Prishtina, që ditët e para, u dha urdhër Forcave të Armatosura të shtien në dorë “me se s’bën” deputetët. Në këto kushte, një grup deputetësh shtuan trysninë ndaj qeverisë Prishtina, duke e detyruar atë të japë dorëheqjen.
Qeveria kalimtare e Idhomeno Kosturit (12 – 24 dhjetor 1921)
Pas mbetjes bosh të vendit të kryeministrit, Këshilli i Naltë dekretoi një qeveri kalimtare, me drejtorë ose ndryshe sekretarë të përgjithshëm, deri në formimin e kabinetit të ri.
Qeveria e Xhafer Ypit, 24 dhjetor 1921 – 26 dhjetor 1922
Pas qeverisë kalimtare, Këshilli i Naltë, emëroi qeverinë e re, ku kryeministër u vendos të ishte Xhafer Ypi. Qeverisja e Xhafer Ypit përkon me zhvillime të reja, si dhe ndryshime të raporteve politike në vend.
Qeveria e parë e Ahmet Zogut, 2 dhjetor 1922 – 25 shkurt 1924
Në fund të vitit 1922, pozitat politike të Ahmet Zogut, ishin forcuar dukshëm. Si ministër i Punëve të Brendshme, ai kishte treguar vendosmëri dhe energji në detyrën e tij. Duke patur edhe përkrahjen e grupit të pronarëve të mëdhenj, Ahmet Zogu ishte gati të merrte drejtimin e qeverisë.
Pas zgjedhjeve për Këshillin e Naltë, ku Xhafer Ypi u zgjodh Këshilltar, në vendin e tij si kryeministër, Këshilli emëroi Ahmet Zogun, i cili kryesonte edhe Partinë Popullore. Qeveria pati gjithmonë marrëdhënie të acaruara me Hasan Prishtinën dhe përkrahësit e tij. Madje, në zgjedhjet për Kuvendin Kushtetues, pati një atentat ndaj A. Zogut. Në këto kushte të acaruara, Ahmet Zogu tërhiqet nga drejtimi i qeverisë.
Qeveria e kryesuar nga Shefqet Verlaci, 30 mars 1924 – 27 maj 1924
Thellimi i krizës politike në vend dhe pamundësia për të qeverisur, e detyrojnë Verlacin të japë dorëheqjen.
Qeveria e kryesuar nga Ilias Vrioni, 27 maj 1924 – 10 qershor 1924
Kjo qeverisje përkon me ngjarjet e kryengritjes së Qershorit 1924. Madje dy prej udhëheqësve të kryengritjes Fan Noli dhe Luigj Gurakuqi, pranuan se nuk ishte thjesht një kryengritje, por një grusht shteti. Me short, u vendos që Fan Noli të zgjidhej Kryeministër.
Qeveria gjashtëmujore e Fan Nolit, 16 qershor – 24 dhjetor 1924
Kësaj qeverie i mungonte mbështetja e brendshme, për shkak të zhvillimeve të acaruara politike, por i mungonte edhe njohja ndërkombëtare, pasi shtetet e huaja nuk e quajtën kushtetuese. Në 24 dhjetor 1924 qeveria kryengritëse bie.
Qeveria disa ditëshe e Iliaz Vrionit, 24 dhjetor 1924 – 5 janar 1925
Iliaz Vrioni e mban vetem pak ditë postin e kryeministrit dhe jep dorëheqjen në fillim të vitit 1925, si pasojë e konflikteve brenda kabinetit.
Rikthimi i Ahmet Zogut dhe qeveria e kryesuar prej tij, 6 – 31 janar 1925
Pas largimit të Iliaz Vrionit, Këshilli i Naltë emëron Ahmet Zogun si kryeministër. Në 21 janar 1925, Kuvendi Kushtetues shpall Republikën Shqiptare. Pas shpalljes së Republikës, në 31 janar 1925 Kuvendi Kushtetues zgjedh Ahmet Zogun të parin President (në atë kohë quhej Kryetari i Republikës)
Kabineti i parë republikan, i kryesuar nga Ahmet Zogu, 1 shkurt 1925 – 23 shtator 1925
Ndryshimi i formës së regjimit solli krijimin e një kabineti të ri qeveritar. Statusi i ri i shtetit i njihte Kryetarit të Republikës të drejtën për të formuar qeverinë. Kryetari nuk shkonte në çdo mbledhje të qeverisë, përveç rasteve të rëndësishme. Rolin e tij në drejtimin e mbledhjeve por edhe në punët kryesore, e mbulonte Ministri i Drejtësisë. Në këtë funksion, në kabinetin e parë te publikan ishte Petro Poga.
Kabineti i dytë republikan, i kryesuar nga Ahmet Zogu, 28 shtator 1925 – 10 shkurt 1927
Në këtë qeveri, Ministër i Drejtësisë u zgjodh Milto Tutulani, i cili do të kryente shpesh edhe detyrat e kryetarit të ekzekutivit.
Kabineti i tretë, i kryesuar nga Ahmet Zogu, 12 shkurt 1927 – 21 tetor 1927.
Pas nënshkrimit të paktit me Italinë, kabineti qeveritar dha dorëheqjen për shkak të konflikteve në kabinet. Petro Poga thirret sërish në postin e Ministrit të Drejtësisë, si dhe të kryesimit të punëve të qeverisë.
Kabineti i katërt i kryesuar nga Ahmet Zogu, 24 tetor 1927 – 10 maj 1928
Për shkak të mosmarrëveshjeve, edhe ky kabinet me Ministër Drejtësie Petro Pogën, jep dorëheqjen
Kabineti i pestë, i kryesuar nga Ahmet Zogu, 11 maj 1928 – 1 shtator 1928
Në këtë qeveri, Ministër Drejtësie ishte Hiqmet Delvina.
Zhvillimet e mëpasshme sjellin Mbretërinë shqiptare të Ahmet Zogut, 1928- 1939
Në 17 gusht 1928 zhvillohen zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese. Pozitat e Ahmet Zogut fuqizohen. Në këtë mënyrë, ndryshon edhe forma e regjimit në vend. Asambleja Kushtetuese miraton statusin themeltar të mbretërisë shqiptare. Asambleja u kthye në Parlament dhe vendi shpallet mbretëri kushtetuese.
Qeveria e parë mbretërore e kryesuar nga Kostaq Kotta, 5 shtator 1928 – 5 mars 1930
Në këtë perudhë u ndërmorën reforma të mëdha të organizimit të mbretërisë, të shtetit shqiptar dhe të zhvillimit të vendit.
Qeveria e Pandeli Evangjelit, 6 mars 1930 – 11 prill 1931
Kabineti Kotta u dobësua dhe u detyrua të japë dorëheqjen në gjysmën e mandatit të tij.Në qeverisjen e re nis reforma agrare e vitit 1930.
Qeveria e dytë e Pandeli Evangjelit, 20 prill 1931 – 7 dhjetor 1932
Kabineti qeveritar dorëhiqet, pas vrasjes së Ministrit të Drejtësisë Vasil Avrami. Por sërish në detyrën e kryeëministrit, edhe në kabinetin e ri, zgjidhet Pandeli Evangjeli
Qeveria e fundit e Pandeli Evangjelit, 11 janar 1933 – 16 tetor 1935
Pas zgjedhjeve parlamentare të 11 nëntorit 1932 zgjidhet qeveria e re, ku sërish në këtë mandat të ri propozohet Pandeli Evagjeli.
Qeveria e kryesuar nga Mehdi Frasheri, 21 tetor 1935 – 7 nentor 1936
Pandeli Evangjeli, kryeministri veteran, i paraqet Mbretit Zog dorëheqjen, i shtyrë edhe nga politikat e ndërmarra nga Mbreti Zog për rigjallërimin dhe dhënin e një impulsi të ri zhvillimeve. Madje kabineti pasardhes, i kryesuar nga Mehdi Frashëri u quajt ndryshe kabineti i të rinjve.
Qeveria e fundit e Kostaq Kottës, 9 nëntor 1936 – 7 prill 1939
Mehdi Frashëri paraqet dorëheqjen si kryeministër, pas situatës së krijuar ku shumë deputetë shprehen të pakënaqur nga politika e brendshme e ndjekur prej tij. Ndërkaq, edhe zhvillimet politike ishin të acaruara dhe në Shqipëri trokiti pushtimi fashist Italian.
Qeveritë e formuara nga viti 1939 deri në 1944
Qeveria e kryesuar nga Shefqet Verlaci, 12 prill 1939 – 3 dhjetor 1941
Pas pushtimit nga Italia, në 7 prill 1939, me urdhër të Musolinit ngrihet Komiteti Administrativ i Përkohshëm, përgjatë 8-12 prill ’39, një formë qeverisjeje, e kryesuar nga Xhafer Ypi. Në mbledhjen e Asamblesë, nga Xhafer Ypi, propozohet për postin e kryeministrit Shefqet Verlaci, i cili vinte për herë të dytë në qeveri, ish vjehrri i Ahmet Zogut.
Qeveria e kryesuar nga Mustafa Kruja, 3 dhjetor 1941 – 4 janar 1943
Italianët menduan të bënin ndryshime në qeveri, pasi sipas tyre, qeveria “Verlaci” e kishte kryer misionin
Qeveria e kryesuar nga Ekrem Libohovës, 18 janar – 11 shkurt 1943
Kjo qeveri erdhi pasi qeveria “Kruja” nuk arriti të sillte ndryshimet e premtuara. Kruja jep dorëheqjen, pasi autoritetet italiane nuk pranuan disa nga politikat e tij. Por edhe qeveria e Ekrem Libohovës nuk pati kohe te shpaloste programin e saj
Qeveria e kryesuar nga Maliq Bushati, 12 shkurt 1943 – 28 prill 1943
Kjo qeveri pati jetë të shkurt për shkak të konflikteve të kryeministrit në kabinetin e tij.
Qeveria e kryesuar nga Ekrem Libohova, 11 maj 1943 – 10 shtator 1943
Libohova vjen sërish në krye të qeverisë .
Në 8 shtator kapitullon Italia fashiste. Kryeministri Libohova drejton ato ditë mbledhjen e fundit të qeverisë dhe më pas largohet në Itali. U deklarua rrëzimi i qeverisë Libohova, duke u krijuar;
Komiteti i Përkohshëm (KEP) që do të kryente detyrat ekzekutive dhe do të përgatiste zgjedhjet në vend. Zgjedhjet u bënë në 1 tetor 1943.
Qeveria e kryesuar nga Rexhep Mitrovica, 5 nëntor 43 – 16 qershor 44
Pas zgjedhjeve, caktohet qeveria e re. Këto zhvillime përkojnë me krijimin e Këshillit Antifashist nacional Clirimtar 28 maj 44 – 11 janar 1946, të kryesuar nga Enver Hoxha.
Qeveria e kryesuar nga Fiqri Dine, 18 korrik – 28 gusht 1944
Qeveria e kryesuar nga Ibrahim Bicakciu, 6 shtator – 25 tetor 1944
Qeveritë e krijuara përgjatë periudhës së diktaturës Komuniste 1944 – vitet ‘91
23 tetor 1944 – 21 mars 1946 – Me forcimin e Këshillit Antifashist Nacional Clirimtar, vjen edhe qeveria e parë e kryesuar nga diktatori Enver Hoxha. Komiteti i formuar në Përmet u shndërrua në “Qeveri demokratike”, të kryesuar nga diktatori E. Hoxha
18 mars 1946 Kuvendi Popullor riemëron diktatorin si kryeministër, pas kërkesës së këtij të fundit për dorëheqje, për shkak të zhvillimeve të reja politike, dorëheqje që nuk u pranua.
Qeveria e parë e PPSH-së 22 mars 1946 – 1 tetor 1948
Kriza e marrëdhënieve sovjeto-jugosllave, solli pasoja dhe në Shqipëri dhe në kabinetin qeveritar të saj, i cili pësoi ndryshime disa herë, por gjithnjë të kryesura nga diktatori Enver Hoxha, respektivisht në këto vite:
2 tetor 1948 – 21 nëntor 1948
23 nëntor 1948 – 16 nëntor 1949
17 nëntor 1949 – 4 korrik 1950
5 korrik 1950 – 5 shtator 1951
6 shtator 1951 – 9 prill 1952
10 prill 1952 – 31 korrik 1953
1 gusht 1953 – 19 korrik 1954
Mandati i parë qeveritar i Mehmet Shehut, krahut të djathtë të diktatorit Enver Hoxha, 1954 – 1958
Në korrik të vitit 1954 diktatori Enver Hoxha paraqiti dorëheqjen e qeverisë së tij, me motivacionin; për t’u përqëndruar më tepër në punët e partisë. Vet ai propozoi në postin e kryeministrit M. Shehun, krahun e djathtë të diktatorit.
Kabineti Shehu, përgjatë këtij mandate, ka pësuar disa herë ndryshime, në këto periudha kohore:
20 korrik 1954 – 5 qershor 1955
6 qershor 1955 – 3 qershor 1956
4 qershor 1956 – 5 shkurt 1958
6 shkurt 1958 – 21 qershor 1958
Mandati i dytë qeveritar i Mehmet Shehut, 22 qershor 1958 – 16 korrik 1962
Shehu jep dorëheqjen nga kjo detyrë, por diktatori Enver Hoxha e propozon sërish atë në këtë post.
Mandati i tretë qeveritar i Mehmet Shehut 1962- 1966
Kjo periudhë përkon me prishjen e Shqipërisë me sovjetikët dhe forcimi i marëdhënieve më Kinën.
Kabineti i Shehut gjatë këtij mandate ka pësuar disa herë ndryshime, sipas periudhës kohore si më poshtë:
23 qershor 1965 – 16 mars 1966
17 mars 1966 – 13 shtator 1966
Mandati i katërt qeveritar i Mehmet Shehut, 14 shtator 1966- 18 nëntor 1970
Mandati i pestë qeveritar i Mehmet Shehut, 19 nëntor 1970 – 28 tetor 1974
Mandati i gjashtë qeveritar i Mehmet Shehut, 1974 – 1978
Ky kabinet pësoi disa herë ndryshime, sipas këtyre periudhave kohore
28 tetor 1974 – 11 nëntor 1976
12 nëntor 1976 – 26 dhjetor 78
Mandati i shtatë dhe i fundit qeveritar i Mehmet Shehu, krahut të djathtë të diktatorit 27 dhjetor 1978 – 18 dhjetor 1981
Këtë mandat Shehu nuk mundi ta çojë deri në fund, për shkak të vetëvrasjes së tij të mistershme . Kjo është periudha pas prishjes së marrëdhënieve me Kinën dhe vetizolimit të Shqipërisë.
Mandati i parë qeveritar i zotit Adil Çarçani, 15 janar 1982- 23 nëntor 1982
Mandati i dytë qeveritar i Adil Çarçanit, 23 nëntor 1982 – 19 shkurt 1987
Kjo qeveri krijohet pas zgjedhjeve të Kuvendit Popullor
Mandati i tretë qeveritar i Adil Çarçanit, 20 shkurt 1987 – 21 shkurt 1991
Tashmë në krye të PPSH-së është Ramiz Alia. Përgjatë këtij mandate, qeveria e kryesuar nga Adil Çarçani ka pësuar disa herë ndryshime, përgjatë këtyre periudhave
2 shkurt 1989 – 7 korrik 1990
Me nisjen e ndryshimeve pluraliste të pranverës ’90 dhe krizën e 2 korrikut ’90, ku mijëra banorë u dyndën në dyert e ambasadave, pati një krizë që reflektoi me ndryshime në kabinetin qeveritar.
Kabineti i ndryshuar
8 korrik 1990 – 22 dhjetor 1990
22 dhjetor 1990 – 21 shkurt 1991
Ndryshimet e fundit erdhën si pasojë e ndryshimeve politike, pranimit zyrtar të marrjes fund të monizmit.
Qeveria e re e kryesuar nga Fatos Nano, 22 shkurt 1991 – 10 maj 1991
Pas rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës, në 20 shkurt 1991. Ramiz Alia dekretoi qeverinë e re.
Qeveritë e krijuara, pas rënies së komunizmit dhe vendosjes së sistemit demokratik
Qeveria e kryesuar nga Fatos Nano, 11 maj – 4 qershor 1991
Nano rizgjidhet sërish për të drejtuar kabinetin qeveritar, pas zgjedhjeve të 31 marsit për Kuvendin Popullor dhe zgjedhjes nga Kuvendi në 30 prill të Ramiz Alisë si President i vendit.
Qeveria e stabilitetit e kryesuar nga Ylli Bufi, 11 qershor 1991 – 6 dhjetor 1991
Kjo qeveri vjen si rezultat i grevës së përgjithshme të punonjësve të vendit .
Qeveria teknike e Vilson Ahmetit, 18 dhjetor 1991 – 13 prill 1992
Ahmeti ishte ish ministër në kabinetin “Bufi”. Kjo qeveri krijohet pas mosfunksionimit të kabinetit “Bufi” për shkak të konflikteve mes palëve.
Mandati i parë qeveritar i z. Aleksandër Meksi 1992 – 1996
Kjo qeveri vjen pas zgjedhjeve të reja të 22 marsit 1992 dhe ardhjes në pushtet të forcave të djathta. Kjo qeveri ka pësuar disa herë ndryshime, sipas këtyre periudhave kohore:
13 prill 1992 – 6 gusht 1993
7 gusht 1993 – 3 dhjetor 1994
4 dhjetor 1994 – 10 korrik 1996
Mandati i dytë qeveritar i zotit Aleksandër Meksi, 11 korrik 1996 – 1 mars 1997
Kjo qeveri vjen pas zgjedhjeve të përgjithshme të 26 majit ’96, ku e djathta sërish ruajti pushtetin.
Qeveria e Pajtimit Kombëtar, e kryesuar nga z. Bashkim Fino, 11 mars ’97- 24 korrik ‘97
Ngjarjet në mars 1997 sollën përmbysje të zhvillimeve. Ardhja e qeverisë së stabilitetit ndodhi pas krizës piramidale në vend dhe shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme. Në sjelljen në konttroll të situuatës u desh edhe ndihma ushtarake ndërkombëtare. Qeveria e stabilitetit kishte si detyrë të bashkëpunonte me ndërkombëtarët në vendosjen e rregullit, si dhe të përgatiste vendin për zgjedhjet e parakohshme.
Qeveria e kryesuar nga z. Fatos Nano 25 korrik ’97 – 23 prill 1998
Kjo qeveri vjen pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 29 qershorit ’97. Forcat e majta vijnë në pushtet.
Ndryshime në qeverinë Nano, 24 prill ’98 – 28 shtator ‘98
Muaji prill 98 përkon me krizën e qeverisë Nano, e cila risjell riformulim të kabinetit të tij. Shumë propozime të tij për ministra të rinj në kabinet, rrëzoheshin nga Kuvendi.
Qeveria e kryesuar nga z. Pandeli Majko, 2 tetor 1998 – 25 tetor 1999
Si pasojë e konflikteve të ashpërsuar brenda PS-së, por dhe si pasojë e gjendjes së krijuar pas vrasjes së deputetit Azem Hajdari, trysnia mbi qeverinë Nano u rrit, duke e detyruar atë të jepte dorëheqjen. PS caktoi Pandeli Majkon si kryeministër.
Qeveria e kryesuar nga Ilir Meta, 28 nëntor 1999 – 6 shtator 2001
Majko jep dorëheqjen nga Kryeministër, si pasojë e humbjes së tij në zgjedhjet në Kongresin e PS-së, për kryetar partie.
Mandati i ri qeveritar i z. Ilir Meta, 6 shtator 2001 – 29 janar 2002
Kjo qeveri erdhi pas zgjedhjeve parlamentare të 24 qershorit 2001 dhe fitores sërish të së majtës.
Qeveria e kryesuar nga z. Pandeli Majko, 22 shkurt 2002 – 25 korrik 2002
Konfliktet brenda vet partisë në pushtet, shtoheshin çdo ditë. Pandeli Majko vjen në krye të qeverisë, si rrjedhojë e marrëveshjes së përkohshme brenda palëve në PS, konkretisht pas konflikteve të acaruara Nano-Meta
Qeveria e kryesuar nga Fatos Nano, 29 korrik 2002- 29 dhjetor 2003
Nano vjen sërish në krye të qeverisë, bazuar edhe në hapësirën e lejuar nga statusi i PS-së, sipas të cilit kryetari i partisë duhet të jetë edhe kryeministër. Kështu, qeverisja e shkurtër e Majkos merr fund në 25 korrik. Meta në këtë qeveri mban postin e zëvendëskryeministrit. Ne dukje konflikti i brendshem ne PS, duket sikur u zgjidh.
Dhjetor 2003 – 1 shtator 2005 Nano riformulon qeverinë, ku Ilir Meta mbetet jashtë kabinetit. Konflikti Nano-Meta çoi ne largimin perfundimtar te ketij te fundit nga PS dhe krijimin e nje partie te re te spektrit te majte. Kabineti i ri, i kryesuar nga Nano vazhdon punën deri në zhvillimin e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare në 3 korrik, ku pas 8 viteve në pushtet, të majtët kalojnë në opozitë.
Qeveria e kryesuar nga zoti Sali Berisha, 10 shtator 2005 – në vazhdim
Kjo qeveri erdhi pas fitores të djathtës shqiptare në zgjedhjet e përgjithshme të 3 korrikut 2005. Në prill 2007, Qeveria “Berisha” bën ndryshimet e para në disa ministri, per t’i dhënë impulse të reja reformave të gjithanshme të ndërmarra prej saj në shumë fusha jetike për vendin, reforma të thella në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve, korrupsionit dhe informalitetit, reformave ekonomike në mbështetje të biznesit, reformave në proceset e integrimit te vendit, etj. Të gjitha këto nisma, të bëra publike që në fushatën elektorale për zgjedhjet e 3 korrikut, ishin dhe arsyeja e mbeshtetjes së gjerë popullore dhe votës pro të djathtës shqiptare, në këto zgjedhje.
David Beckham përballet në gjyq me prostitutën
David Beckham
E dielë, 20 shkurt 2011, NOA- Futbollisti Anglez David Beckham, e presin ditë të vështira.
Shtypi anglez, shkruan se David Beckham, pritet që të ballafaqohet së shpejti me gjykatat amerikane, pasi prostituta e cila e akuzon futbollistin për marrëdhënie seksuale me pagesë, Nici, ka paditur futbollistin.
Prostituta që ka paditur yllin e futbollit anglez u ka bërë thirrje avokatëve që ta çojnë rastin deri në fund.
Tashmë duket se çështja ka mbetur te Beckham, i cili duhet të vejë në lëvizje avokatët për tu përballur me akuzat dhe për deklarimin e tyre të pabaza.
Kohë më parë çifti Beckham përjetoi një goditje të rëndë pass këtyre akuzave, pasi Victorias është shtatzënë.
Ndërkohë gjykata nuk ia pranoi kërkesën që prostituta ta dëmshpërblejë atë për prishjen e imazhit.
Avokati i prostitutës Nici deklaroi se, “Ai mund të tentojë ta shtyjë, ta rivendosë datën, apo ta anulojë, por ai as se si nuk mund ta shmangë atë”.
a.y/NOA
Makinat elektrike, avantazhet e Amerikanëve dhe padija e mrekullisë inxhinierike
Foto ilustruese
E diel, 20 shkurt 2011, NOA- Të shqetësuar për rritjen e çmimeve të benzinës dhe efektin e karburanteve mbi klimën, amerikanët po e kthejnë vështrimin nga automobilët që përdorin energjinë e pastër. Prodhuesit e makinave po i përgjigjen rritjes së interesit të konsumatorëve si dhe thirrjeve të administratës, duke hedhur në treg makina të reja që furnizohen me energji elektrike.
Në fjalimin për gjendjen e vendit që mbajti në janar, Presidenti Barak Obama i bëri thirrje industrisë së automobilëve që të hyjë në rrugën e prodhimit të makinave elektrike.
“Duke bërë më shumë kërkime dhe me më shumë stimuj, ne mund të shkëputemi nga varësia e naftës dhe të bëhemi vendi i parë me 1 milion automjete elektrike në rrugë deri në vitin 2015”, u shpreh ai.
Ky mesazh gjeti jehonë në sallat e mëdha të panairit të automobilëve që u hap kohët e fundit në kryeqytetin amerikan. Në panair u paraqitën makina të shumta të vendit dhe të huaja duke përfshirë automobila të rinj “të gjelbër” si Ford Focus që punon me bateri dhe që fitoi çmim të posaçëm.
Kryeredaktori i revistës Automobili i gjelbër, Ron Cogan, foli me fjalë lavdërimi për Fordin, i cili e konvertoi tipin e tij mjaft të shitur Focus në një model elektrik.
“Kjo është teknologji e klasit të parë. Ngarkimi i baterisë bëhet për 3-4 orë, pra shumë më pak se modelet rivale”.
Në ekspozitë tërhoqi vëmendje të madhe edhe tipi tjetër 2011 Chevy Volt, plotësisht elektrik, prodhimi i firmës GM dhe i konceptuar prej saj në vitin 2007. GM shpreson të shesë 10,000 Chevy Volt këtë vit dhe 45 mijë në vitin 2012.
“Ky automobil ofron thelbin e asaj që mund të quhet makinë elektrike. Ai ka një gjenerator me djegie të brendshme që krijon elektricitetin i cili e vë në lëvizje të mëtejshme makinën”.
Kështë mendon edhe Jeff Parmet, avokat i cili punon nga shtëpia në Potomak të shtetit Merilend. Ai thotë se nuk i ka hedhur asnjë pikë benzinë Voltit të tij që kur e bleu në muajin dhjetor.
“Ende ka shumë njerëz që nuk e kuptojnë se ç’është makina elektrike ose ç’do të thotë të kesh një të tillë. Është një makinë e këndshme, është e mirë sepse nuk ke pse blen benzinë dhe ky është objektivi im.”
Parmet e ngarkon baterinë me një pajisje të posaçme në garazhin e tij. Me një ngarkim të vetëm, Volti bën rreth 65 kilometra. Kur bateria fillon të bjerë, gjeneratori me benzinë hyn në veprim dhe fillon ringarkimin, duke e çuar distancën në 480 kilometra. Parmet thotë se kjo i plotëson nevojat e tij.
“Kjo është një mrekulli inxhinierike. Është një makinë me efiçencë të lartë që akseleron mirë dhe është e lehtë në përdorim. Dua të përgëzoj Chevin për atë ka bërë. Jam shumë i kënaqur.”
Volti është fare pa zhurmë. Këtë ditë të ftohtë dimri, e vetmja zhurmë është era që fryn jashtë. Parmet vëzhgon me kujdes instrumentet të cilat përfshijnë një kamerë që sheh prapa, një sistem navigimi dhe një ekran që tregon gjendjen e baterisë.
“Kjo të tregon se energjia shkon nga timoni te rrotat por kur e heq këmbën nga pedali, energjia rrjedh nga rrotat përsëri drejt baterisë. Ky është e efekti i frenimit rigjenerativ.”
Në garazhin e tij, Parmet thotë se ndonëse si çmim, Volti është dyfish më i shtrenjtë se një makinë me benzinë, ai është gati ta paguajë këtë çmim.
“E bleva këtë makinë sepse ne duhet të heqim dorë nga transporti dhe ekonomia që mbështetet te karburantet. Me këtë dua t’u tregoj të tjerëve se çfarë mendoj dhe ky është një rast për të vepruar konkretisht e jo thjesht të flasim”, thekson ai.
Parmet mendon se amerikanët janë gati për makina alternativë me energji të pastër.
Ato mund të arrijnë një efiçencë shumë më të lartë se sa makinat e sotme që djegin karburant pa masë. Me instalimin e stacioneve të ringarkimit të baterive kudo në vend dhe me rënien e çmimeve të makinave, thotë Parmet, makinës së tij elektrike do t’i bashkohen edhe shumë e shumë të tjera në rrugët e Amerikës.
VOA/ NOA
Mediat ruse sulmojnë presidentin e ardhshëm të Kosovës
Behgjet Pacolli është kthyer në qendër të sulmeve të mediave ruse. Emrin e liderit të AKR-së, i cili aktualisht është kandidati i vetëm për President të Kosovës, ato e kanë ndërlidhur me aferën e njohur “Kremlingate”, në të cilën është përfshirë edhe kabineti i Presidentit të Rusisë, Boris Yeltsin.
Kommersant
E përditshmja moskovite Kommersant ka shkruar se Pacolli ka qenë në qendër të aferave korruptive të afërta me Presidentin Boris Yeltsin. Mediet kanë rikujtuar se lideri i Aleancës Kosova e Re (AKR) ka qenë në Rusi në fillim të viteve 90’të, kur kompania e tij Mabetex Group me seli në Zvicër ka kryer projekt në Yakutia. Kommersant ka shkruar se Pacolli supozohet që në këtë rajon ka takuar Guvernatorin e Yakutisë, Pavel Borodin, i cili ka qenë udhëheqës Departamentit të Menaxhimit të pronës në Presidencën ruse më 1993. Po ashtu thuhet se së shpejti firma e Pacollit është ftuar për të rikonstruktuar Kremlinin, rezidencën presidenciale Shuyskaya Chupa, Zyrat e Qeverisë, Zyrat e Dumës Shtetërore, Këshillin Federativ dhe shumë projekte tjera.
Media tjetër
Një media tjetër Komsomolets ka raportuar se “Behgjet Pacolli skandaloz, restauruesi i Kremlinit, do të udhëheqë Kosovën”, derisa TV RBC thekson se Pacolli është ftuar për të rikonstruktuar ndërtesat shtetërore ruse duke iu falënderuar miqësisë me Borodinin. Kommersant shkruan se Pacolli është bërë figurë qendrore e skandalit korruptiv të afërt me Yeltsinin dhe se disa zyrtarë ishin dyshuar për marrje ryshfeti në shkëmbim të punës për rikonstruktimin e Kremlinit. Zyrat e Mabetexit në Lugano ishin bastisur në janar të vitit 1999 me kërkesë të Rusisë, derisa Pacolli ishte marrë në pyetje nga prokurorja e atëhershme shtetërore e Zvicrës, Carla del Ponte. Sipas kësaj gazete, autoritetet zvicerane në qershor të vitit 2000 e kanë akuzuar atë për shpëlarje parash dhe për dhënie ryshfeti me vlerë prej 4 milionë dollarësh. etimet rreth rastit janë ndërprerë në dhjetor të vitit 2000, derisa Zvicra ka mbyllur rastin në mars të vitit 2002. Kommersant po ashtu shkruan se një konflikt personal në ndërkohë është shfaqur mes Pacollit dhe prokurorit shtetëror rus, Yuri Skuratov, i cili ka filluar hetimet kundër Mabetex’it dhe për pasojë ishte liruar nga detyra. Sipas kësaj të përditshmeje, nëse Pacolli bëhet President i Kosovës, ai do të hyjë në “politikën e lartë”dhe në këtë mënyrë do ta arrijë qëllimin e tij.
Lobimi
Gazeta ruse ka shkruar se Pacolli në mënyrë aktive ka lobuar për pavarësinë e Kosovës që nga viti 2005 dhe se “për të do të jetë shumë e lehtë të vazhdojë lobimin nëse bëhet president”.Sipas një radioje ruse, Pacolli është “thjesht një engjëll” në krahasim me kryeministrin Hashim Thaçi. “Një president i tillë mund të flasë me Brukselin, Ëashingtonin dhe Beogradin e madje jodomosdoshmërisht edhe me Moskën, nëse ka fat”, ka njoftuar radioja. Anna Filimonova nga Akademia Ruse e Shkencave, Qendra për Studimin e Krizës Aktuale në Ballkan, ka thënë se Pacolli po ashtu ka lobuar edhe për tubacionin e gazit Nabucco dhe tubacionin e gazit Iran-Turqi, Greqi, Kosovë. Sipas saj, kjo është fundamentalist e kundërt me interesat ruse në Ballkan, veçmas kur është fjala për rikonstruktimin e tubacionit rival të gazit Krahu Jugor.
Kush është zonja e parë e Kosovës?
Përfaqësuesit e institucioneve të larta shtatore dhe pretendentet e këtyre posteve, në vendet demokratike, gjatë veprimtarisë së tyre politike dhe punës institucionale mbështeten fuqishëm edhe nga bashkëshortet e tyre.Kjo praktikë në vitet e fundit ka filluar të funksionojë edhe në Kosovë, por i vetmi që nuk është parë kurrë me bashkëshorten e tij, as gjatë fushatës zgjedhore, e as në aktivitete tjera, është kandidati për president të Kosovës, Behgjet Pacoilli, duke mos u dhënë mundësinë qytetarëve të Kosovës të mësojnë se kush do të jetë zonja e parë e Republikës së Kosovës.Madje as në shkrimet e shumta për biografin e tij nuk shkruan se kush është bashkëshortja e tij. Rasti i rrallë që Pacolli kishte përmendur bashkëshorten e tij, por pa emër, është njoftimi që ditë më parë ka bërë në “Facebook” për lindjen e djali të tij Diarit.“Miq të nderuar, ju njoftoj se në familjen time këto ditë kemi momente gëzimi, Zoti na ka gëzuar, im shoqe ka lindur edhe një djalë, e kemi pagëzuar Diar, i lindur më 26. 01. 2011 në ora 17:56 min, 4.8 kg, 55cm i gjatë”, ka shkruar Pacolli në profilin e tij.Krejt çka Kosovapress ka mundur të mësojë për bashkëshorten e Pacollit, është një interviste e Begjet Pacollit që i ka dhënë revistës kroate “Nacional” në vitin 2007, në të cilën tregon se bashkëshortja e tij është Maria Pacolli, lindur në St. Petersburg të Rusisë, e cila tani është 33-vjeçare. Madje aty është e botuar edhe një foto e saj bashkë me Pacollin.Edhe për kundër insistimeve të shumta për të marrë informacione rreth biografisë së Behgjet Pacollit, zëdhënësi i AKR-së, Arbër Geci, nuk u tregua i gatshëm për dy ditë të përgjigjet për Kosovapress, me arsyetimin se ishte i zënë. Fjalia e vetme që në një rast ka thënë Geci, ishte se nuk mund të flas për këtë çështje pa biseduar me presidentin.“Nuk mund të ju përgjigjem ne lidhje me këtë pa u konsultuar me presidentin Behgjet Pacolli”, tha Geci.Ish-këshilltari për informim i ish-presidentit Fatmir Sjediu, Xhavit Baqiri ka thënë për Kosovapress se në Kushtetutën Republikës së Kosovës e përcaktohet qartë që presidenti është faktor i uniteti i popullit të Kosovës.
“Nuk dua të paragjykoj në askënd, secili kandidat për këtë postë të rëndësishëm do të duhej të kishte absolutisht biografi të qartë të pastër dhe të mos të ketë asnjë shifër më të vogël. Kushdo qoftë që zgjidhet president i Republikës së Kosovës të ketë atë, rol dhe të jetë një faktor i rëndësishëm unifikues edhe në kuadër të skenës politike, por edhe qytetare, të ketë një kontakt edhe me shoqërinë civile”, tha Beqiri.Ai ka shtuar se do të ishte absolutisht e nevojshme që secili kandidat të bëjë të qartë gjithçka që do t’i interesonte qytetarëve të Kosovës, pasi që posti i presidentit është një post i rëndësishëm.Në librin biografik “Nga sfida në sfidë jeta, Behgjet Pacolli”, ai shkruan se ka katër fëmijë, tri vajza e një djalë, duke përfshi edhe dy vajzat nga martesa e parë, ndërsa fëmija i pestë i ka lindur në janar të vitit 2011. Por, nga ajo që dihet është se Pacolli për disa vite ka qenë i martuar edhe me shqiptaro-italianen Ana Oksa. Po ashtu në libër shkruan se ka një familje të lumtur me gruan e tij të quajtur Masha.Nëse Behgjet Pacolli merr miratimin e Kuvendit të Kosovës për president të vendit, ish-zonja e parë e Kosovës pas Fanë Rugovës, Nezahete Sejdiut dhe bashkëshortës së u. d. të presidentit të tanishëm Jakup Krasniqi, Sevdije Krasniqi, do të jetë 33 vjeçarja Maria Pacolli, siç thotë në intervistë, apo Masha siç shkruan në libër.Kosovapress