Pse nuk të shohim më në darka me ish-kryeministrin Berisha, ndërkohë që kur ishte Kryeministër ishe në krye të tavolinës, fill pas Aleksandër Frangaj?
Kam përshtypjen se përqasja që keni për Kryeministrat në këtë vend ju ngatërron!
Shablloni i Kryeministrit që qëndron në krye të tryezës dhe bën gallatë me gaztorin e radhës (qoftë ai edhe ministër); apo që i ul gazetarët sipas hierarkisë të ndërtuar në kokën e tij nuk qëndron. Me sa di unë (dhe besoj se në këtë rast jam më i saktë se ju) Berisha nuk dilte për dreka, e aq më pak për darka nëpër lokale. Ka qëlluar të ulem pranë tij, anash tij, përballë tij, larg apo afër tij në shumë raste, sidomos pas emisioneve ku ka qenë i ftuar. Do vijoj ta bëjë këtë sa herë të kem mundësi. Sa për ironinë duhet t'ju them diçka, emisioni im, pra raporti i punës, nuk ecën me kohën e politikës, kanë kalendarë të ndryshëm. Politika ndryshon çdo 4 vjet, OPINIONI vijon prej 17 vitesh. Ka ndërruar shumë Kryeministra, ministra, njerëz publikë e njëkohësisht ruan po ata.
Nëse të ftonin, rastësisht, për një drekë; Bujar Nishani, Edi Rama, Ilir Meta, Sali Berisha, Lulzim Basha dhe Aleksandër Frangaj, tek cili shkon me vrap nga halli dhe tek cili shkon me me qejf?
Halli dhe qejfi sot quhen Public Relation. Në këtë listë që më ke renditur ka miq, njerëz më të cilët në tavolinë qëndron pa ndonjë motiv dhe njerëz me të cilët punon dhe si të tillë, drekat, darkat, por edhe respekti reciprok janë të nevojshëm. Vrapi nuk hyn në këtë rast sepse dreka apo darka të tilla, zakonisht fiksohen disa kohë përpara. Dhe kanë gjithnjë një motiv.
A beson tek thënia e kryeministrit Rama i cili, ndër të tjera në intervistën e tij në "Koha jonë", tha se përveç karriges së Kryeministrit nuk pranoj post tjetër ose edhe me saktë ; që pas Kryeministrit do të ik si njeri i lirë?
Qe gjithkush pas kryerjes së një detyre mbetet qytetar i lirë, besoj se Rama e di shumë mirë. Çështja është nëse njeriu shndërrohet në një qytetar i lirë mbi bazën e një procesi paqtues me veten apo për faktin se shoqëria ka vendosur një ligjësi të tillë dhe me gjithë tendencën për të qenë kundër saj, me gjithë makinacionet për të qëndruar, sërish do të shkosh aty ku ka vendosur kjo ligjësi.
Një mik i joni, Andi Bejtja, tha se me armët kimike që mund të vijnë do të ndodhë që disa organe të njeriut do të na dalin në vend tjetër ! Pra duhen apo nuk duhen lejuar këto armë të vijnë?
Kur të më thoni se për çfarë armësh bëhet fjalë; se ç'regjim kanë ato dhe si do të kryhet ky proces do të keni mendimin tim! Për momentin di që ky është procesi më absurd që kam parë në këto 23 vjet. E flasin të gjithë dhe askush s'di të thotë ç'po ndodh. Kam disa pyetje që ju mund t'ju jepni përgjigje:
Bëhët fjalë për magazinimin e përkohshëm në Shqipëri të 1290 tonëve lëndë kimike që ndodhen në portin e Latakias?
Bëhet fjalë për eleminimin e tyre në Shqipëri apo kalimin tranzit?
Nëse do demontohen në Shqipëri, sa është kjo sasi që do mbetet këtu dhe sa do shkojnë në destinacione të tjera dhe ku?
Çfarë lëndësh kimike ka në këtë arsenal?
Sa kohë do zgjasë demontimi?
Kush do ta bëjë dhe kush do ta mbikqyrë atë?
Sa rreziqe ka, siç ka rreziqe çdo proces problematik?
Dhe e fundit, sa humb Shqipëria në imazhin e saj ndërkombëtar nga ky proces?
Nëse më jepni përgjigjen e këtyre pyetjeve do t'ju jepja një qëndrim shumë të prerë! Por në parim, edhe për hir të kësaj mungese transparence, jam kundër!
A mendon se Lulzim Basha apo Sokol Olldashi do ishte më mirë për PD për protesta pa ndalesë kundër Qeverisë ?
Unë mendoj që opozita bën Kryetarin e partisë dhe jo Kryetari opozitën! Do ta kuptoni shumë shpejt këtë gjë!
Çfarë raportesh keni realisht me Edi Ramën, pasi në PD thonë se një në çdo tre telefonata e ke me kryeministrin e sotëm?
Po më zhgënjeni që keni kaq informacione të pasakta. Për një gazetar të vjetër si ju kjo është e palejueshme. Edhe pse provokimi vlen! Me Ramën kam kontakte sporadike pune, por nuk kam miqësi me të. Pastaj ju e dini dhe e keni provuar shumë herë që Kryeministri aktual, që prej vitit 2002 nuk telefonohet dot! Të merr ai, por nuk e merr dot ti!
A mendoni se ka nevojë që Qeveria të ketë një strategji , pa prekur lirinë e medias, ku të bëjë që në median e shkruar dhe atë televizive të mbeten profesionistët dhe jo matrapazët që kanë bërë media për tendera me fondet publike ?
Kjo është një betejë e humbur që në fillim të viteve 2000 dhe ju personalisht jeni monumenti i gjallë i dështimit të politikës shqiptare në këtë drejtim! Pavarësisht rikthimit në gazetari...!
Kryeministri kosovar Thaçi mendon se do të jetë prapë kryeministër pas zgjedhjeve të radhës, duke patur edhe suportin e kryeministrit Rama?
Me aq sa e njoh unë Thaçi nuk është naiv, përkundrazi, së bashku me Metën janë dy politikanët më realistë që unë kanë njohur. Të tillë që arrijnë të identifikojnë fuqinë, por edhe difektet e tyre...
A mendoni se Ilir Meta është mbi palët (palët djathtas e majtas), ndonëse është në Qeveri dhe se pa LSI asnjë nuk e ndjen veten në pushtet apo kandidat për në pushtet ?
Ilir Meta është sot ai që ka besuar se do të ishte; dhe është atje ku të tjerët nuk besonin se do të arrinte. Shumë vetë mendojnë se ai ka fituar një bast me të shkuarën e tij, unë mendoj se basti më i madh i jetës së tij, është ai me të ardhmen.
Nëse Ben Blushi do të ishte në kabinetin e Kryeministrit a do ta kishte me të lehtë Rama përballjen me opozitën apo frikë se mos ndonjë lidhje Meta-Blushi and co mund të prishte humorin në selinë e PS ?
E njoh Ben Blushin që në kohën kur politika s'ishte një model për adoleshentët dhe kur ai vetë ishte një model suksesi për moshatarët. Është një aset i rëndësishëm i politikës shqiptare; njeri që ka bindje të ndërtuara mbi një analizë të thellë dhe që nuk i ndërron ato sipas modës së muajit. Prej shumë vitesh mendoj se njerëzit që kanë vlera nuk janë të shumtë në këtë vend dhe të shpërdorosh ose shpërfillësh këtë kategori kaq të rrallë dhe kaq të çmueshme në mos aventurizëm është së paku miopi politike.
Si të duken emërimet e reja në administratën e lartë nga Kryeministri Rama ?
Përsonalisht besoj se emërimet nuk gjykohen nga emrat, por nga kriteret. Nëse kriteret janë të qarta, të përcaktuara mirë dhe të aprovuara nga të gjithë, ne kemi një mundësi gjykimi. Në të kundërt të gjitha mbeten pre e subjektivizmit. Domethenë një lloj bingoje në të cilën Rama mund të hidhet përpjetë nga fitorja ose mund të kapë kokën me dorë nga dështimi.
Sikur të kishe përballë në një restorant, në tavolina të ndryshme, Anastas Angjelin, Edi Rama dhe Ilir Meta në cilën tavolinë do të uleshe duke mos fut dorën në xhepa ?
Futja ose mosfutja e dorës në xhep në një restorant është një koncept që vlen për hamësit. Nuk ulem në dreka thjeshtë për t'u ushqyer, por për të biseduar me njerëz ose për të shkëmbyer opinione. Në rastin konkret, siç më ndodh shpesh në raste të ngjashme, do ndaloja për një batutë tek secili prej tyre dhe do shkoja të ulesha në tavolinën time.
Cilin nga ministrat nuk do të doje të kishe në studion tënde të emisionit në Tv Klan?
Nuk ka ndonjë person që "s'do ta doja" në studio. Ajo është e hapur për të gjithë, natyrisht, në varësi të interesit të saj dhe temës që diskutohet. Për ministrat nuk mund të të them se shumë prej tyre nuk i njoh. Domethënë i njoh thjeshtë sepse i kam parë në TV. Një njohje shumë e përciptë për të dhënë opinione.
Nëse të caktonin kryetar të komisionit të përzgjedhjes, bashkë me Ylli Rakipin, për analistin, gazetarin dhe moderatorin më të mirë cilin (cilën) do të zgjidhje?
Mendoj se gazetarët, analistë dhe moderatorët gjykohen sipas rastit dhe jo apriori. Më thoni rastin konkret që t'ju them se cilin prej tyre preferoj dhe e ndjej më afër me qëndrimin tim.
A ka grup anti-Basha në PD?
Në çdo parti ka një grup kundër kryetarit. Zakonisht në të gjitha partitë këto grupe kanë përfaqësim modest. Kjo gjë që vlen shumë për intrigën mediatike dhe që ushqen me lëndë të parë tavolinat e kafeve politike të Kryeqytetit, nuk është kaq e ndjeshme poshtë, aty ku realisht kërkohen votat. Në PD kam përshtypjen që kjo llogari duhet bërë me Berishën për momentin më shumë se sa me Bashën.
Dy herë ke punuar në detyra në "Koha Jonë", dikur me mua kryeredaktor për dy javë dhe para shtatë viteve drejtor me Sandër Frangaj për dy muaj; ku je ndjerë më mirë, ndonëse tani je i punësuar nga Frangaj?!
Jeni dy modele aq të ndryshëm, që ju bashkon veç një fill. Një fill që me gjasë ju ka lidhur fort në fillim të viteve '90, iniciativa! Unë personalisht s'kam pasur kurrë ndërhyrje, por nuk them se kjo vlen për të gjithë gazetarët që kanë punuar me ju. Domethënë, çdo gjë që kam bërë këto 23 vjet, të mirë apo të keqe, e kam bërë vetë. Kam qenë përgjegjës për veprimet e mia, jo i detyruar nga rrethanat. Dhe s'jam justifikuar kurrë me thënien: kështu më thanë! Për t'ju kthyer idesë së iniciativës, besoj se edhe ajo duhet përdorur me inteligjencë. Nëse e përdor mirë, triumfon; nëse e përdor keq, përmbysesh...
A mendoni se ka nevojë për sirena policie me fletë arresti tek dera e parlamentit ku hyjnë deputetët?
Si autor i slloganit: "Investime dhe arrestime" ju mund të flisni më mirë për këtë. Unë s'jam shumë i zoti për asnjërën nga të dyja. Por di vetëm që slloganet abuzive, ngelen thjeshtë sllogane...
Si mendoni për drejtimin e parlamentit nga zoti Meta; keq, mirë, shumë mirë apo ekselent? Dhe e dyta a mendoni se Rama e Meta do të rrijnë pa ndonjë "fërkim" në katër vite bashkëqeverisje?
Besoj se drejtimi i Parlamentit nga Meta është shumë i mirë. Por ky nuk është momenti i testit. Një mazhorancë që vjen në pushtet me një votë të tillë, padyshim që është komode. Meta është dyfish i favorizuar sepse vjen pas një drejtimi të Parlamentit problematik. Nuk është arrogant dhe kjo gjë i jep avantazhe. Por unë nuk e di nëse do ta ruajë këtë qetësi kur mazhoranca e tij dhe e Ramës të përfshihet nga skandalet e para; nuk e di në do i japë njësoj fjalën Berishës edhe kur akuzat e këtij të fundit, të therin fort me vërtetësinë e tyre. Ky do të jetë testi real i Metës.
Sa për raportin me Ramën, unë nuk mendoj që ky është një raport mirëkuptimi. Eshtë një raport interesi politik, që do thyhet atëherë kur prioritetet e njërit të mos përputhen me ato të tjetrit! Nuk besoj se kjo do të ndodhë shumë shpejt. Ndoshta edhe nga shkaku që në 3 raste të mëparshme, raporti i tyre ka qenë me hile.
A të duket se Partia e Shpëtim Idrizit po sillet gjatë ditës para kryeministrisë dhe në darkë bëjnë shëtitje tek oborri i selisë së PS ? Me pak fjalë a mendon se do kalojnë në mazhorancë?
Po, besoj se PDIU është afër një marrëveshje me mazhorancën. A do të konkretizohet kjo marrëveshje apo jo, nuk di ta them. Diçka të tillë në parim, Idrizi e ka paralajmëruar që në fushatën elektorale, në emisionin OPINION. Pra qëndrimin e hapur ndaj secilës forcë politike në raport me vendimet që ato do të merrnin për çështjen specifike që mbron kjo parti.
Media sot është më e pasur në pronarë mediash e në pasuri apo më e fortë në kurajo ?
Nuk mungon kurajoja e medias. Mungon koha që prodhoi një media luftarake dhe gazetarë - pronarë që interesin publik e vinin mbi interesin e tyre. Edhe me një lloj delirance. Nëse citoj një thënie të Ekzyperisë: Nuk krijohen më miqtë e vjetër! Në këtë kontekst, nuk besoj se media dhe këta pionerë të saj, gjysëm aventurierë e gjysëm gladiatorë, mund të ulen sërish në një tavolinë. Nderim për atë kohë që shkoi...
Televizioni Publik a duhet reformuar si një BBC e vogël shqiptare apo mendon se edhe Edi Rama do ta përdorë si Berisha?
E di që kështu siç është nuk mund të vijojë. E di po ashtu që kushdo që ka tentuar ta reformojë ka dështuar. Ka 1000 arsye, që në këtë intervistë do merrnin shumë vend, që të bëjnë të arrish në përfundimin se kjo s'bëhet dot. Mendoj se Samaras dhe reformatorët grekë kanë arritur në të njëjtin përfundim kur vendosën mbylljen për rinovim të televizionit publik grek. Nuk është e thënë që Greqia të mos merret si shembull i mirë për ca gjëra!
Keni vite që bëni emisionin e mirënjohur "Opinion”. A ndjeni se jeni lodhur e keni nevojë për pak pushim apo do të ndërroni televizion siç hamendësohet herë pas here në media?
Të gjithë ndihemi nga pak të lodhur; nga pak delirantë e mbase edhe nga pak spekullativë. Por ende pasioni për gazetarinë i dominon të gjitha këto. Besoj se shembulli i juaj Zoti Lesi, që u larguat nga media dhe u kthyet prap, më vlen për të kaluar çdo moment mërzie, lodhje apo nervozimi, kur të duket sikur je gati të thuash: Do iki!
Ndërrimi i televizonit është një gjë tjetër dhe ai duhet të vijë për një seri arsyesh. Ende s'ka arsye të mjaftueshme për ta ndërmarrë një vendim të tillë.
Pastaj unë s'jam njeri që bredh nga një sigël TV apo nga një titull gazete në tjetrën. Në 23 vite kam ndërruar veç 2 vende pune. Dhe për arsyen e thjeshtë se ai i pari u mbyll.
Si ju duket Kryeministri Rama; njëri që do të mbetet në histori, politikan që synon të regjistrohet si kryeministër apo si një shtetar që do të jetë pak më shumë se Ahmet Zogu, diçka më shumë se Enver Hoxha dhe aspak më shumë se Berisha?
Do bënte mirë mos krahasohej me asnjërin prej tyre. Dhe as mos hynte në garë. Janë të gjithë individë shumë të ndryshëm nga njëri - tjetri, edhe pse shumatorja e të gjithave përben as më shumë as më pak Shqipërinë e këtyre 100 viteve! Por siç janë të ndryshëm aq janë edhe të paimitueshëm. E fundit, njeriu raportin me historinë s'e dominon dot që në fillim. Të gjithë e nisin si të tillë dhe 99% e përfundojnë si një betejë të humbur!
A do të vijë koha që Berisha të lodhet vetë nga politika apo Lulzim Basha do t'i thotë një ditë "Boll më Doktor!"?
S'do besoja kurrë që kjo e fundit do të ndodhte. Edhe pse ka shumë politikanë dhe komentatorë që e shtyjnë drejt një qëndrimi të tillë. Besoj se Berisha vetë do ridimensionojë vetveten në PD. Eshtë ende shumë herët dhe karizma e tij në PD, por edhe në politikën shqiptare është ende shumë e fortë. Gjërat do të vijnë vetë në shtratin e tyre.
Si ju duken sulmet e këtyre ditëve ndaj miliarderit shqiptar Zamir Mane; të orkestruara përbukuri politikë-biznes apo si manifestim i shtetit të ri ligjor kundër monopoleve?
"Monopolet" janë justifikimi më i mirë që dështakët e biznesit të ngushëllojnë vetveten. Kjo ndodh në çdo fushë. Çdo dështim do një justifikim. Këto dy dekada kam njohur thuajse gjithë biznesmenët e mëdhenj të Shqipërisë dhe disa prej tyre janë shumë seriozë. Problemi më i madh i tyre është se punojnë si "One man band", pra si njerëz orkestër. Çdo gjë varet prej aftësive të tyre dhe mungojnë strukturat. Ka të tjerë që kanë arritur t'i ngrejnë këto dhe biznesi i tyre rritet përtej kontrollit personal të pronarit. Zamir Mane është përfaqësuesi më i denjë i kësaj kategorie, ende të pakët. Ndaj tendenca për të goditur një strukturë të tillë biznesi mund të sillte vështirësi, por në të gjitha rastet do ta nxirrte qeverinë qesharake. Edhe pse nuk mendoj se qeveria do ta ketë një tendencë të tillë. Do dukej si ai i varuri në litar që e heq vetë stolin nga këmbët, edhe kur ka një shans që ta falin...
E fundit, ndonëse kam konflikt interesi në dukje; pse nuk më keni ftuar asnjëherë në studion e emisionit tuaj? Nuk të ka dhënë leje Sandri apo ke patur pak karrike në studio ?
E para keni ardhur disa herë; E dyta keni qenë politikan dhe politikanët vijnë me leje; e treta, rikthimi në gazetari, duket se ka qenë edhe një rilindje për ju! Një rilindje që t'i ktheheni spontanitetit; provokimit, batutës. Ndaj me këtë statusin e ri, që është më i vërteti për ju, ju them Mirëseerdhet mik në dhomën nga ishit larguar. Edhe pse dhoma s'është më ajo e vjetra.../Burimi: Koha Jone/
No comments:
Post a Comment