"Artan
Didi u hakmor duke më shkarkuar nga detyra, sepse nuk iu binda urdhrit
të tij në vitin 2000 për të shoqëruar Sali Berishën në komisariat”.
Deklarata
e fortë ka ardhur nga efektivi i policisë, Shemsedin Abazaj, shefi i
krimeve në Elbasan, i cili dy ditë më parë ka marrë urdhrin e shkarkimit
nga detyra. Në një intervistë, Abazaj shpjegon marrëdhëniet e tij me
kreun aktual të Policisë së Shtetit, duke shtuar se marrëdhëniet mes
tyre u prishën
që në momentin që shefi i krimeve nuk pranoi urdhrin për
shoqërimin e Berishës dhe arrestimin e Edi Palokës në 29 nëntor të vitit
2000. Abazaj në këtë intervistë tregon të gjitha shkeljet që janë bërë
me urdhrin e tij të shkarkimit, operacionet e bujshme që ai ka bërë në
postet që ka mbajtur në polici dhe marrëdhënien e tij me Erzen Breçanin,
ish-nëndrejtorin e Policisë së Tiranës.
Z.Abazaj, kur ua komunikuan urdhrin për shkarkimin tuaj nga puna?
Urdhrin
për shkarkim ma thanë në datën 26 tetor. Unë isha me shërbim atë ditë
dhe kur e mora vesh ju kërkova që të ma zbardhnin urdhrin. Urdhri m‘u
dha vetëm në datën 28 tetor, pa më komunikuar asgjë për shkaqet e
shkarkimit. Çdo gjë ishte bërë fakt i kryer.
Çfarë përmbante urdhri për lirimin tuaj nga puna?
Në
këtë urdhër nuk jepej asnjë shpjegim, përveç faktit se unë lirohesha
nga puna, në pamundësi për emërim në një detyrë tjetër. Në këtë urdhër
thuhej se shkarkimi im ka ardhur pasi shkurtimit të funksionit organik
në Drejtorinë e Policisë në Qarkun e Elbasanit, ku unë isha me detyrë si
shef seksioni dhe specialist në Seksionin për Hetimin e Krimeve të
Hapura. Por, në këtë urdhër janë bërë disa shkelje.
Cilat janë këto shkelje?
Shkelja
e parë që është bërë në urdhrin për lirimin tim nga puna është fakti se
aty thuhet për shkurtim të funksionit organik, gjë që nuk qëndron,
sepse në Policinë e Elbasanit, janë shtuar edhe dy shefa të tjerë të
Seksionit për Hetimin e Krimeve. E dyta, duhej që ata të më pyesnin
paraprakisht nëse unë isha dakord që të firmosja apo jo për t‘u larguar
për një post tjetër.
Keni komunikuar me kreun e ri të Policisë së Elbasanit para apo pas këtij urdhri?
Po,
kam komunikuar me z.Neritan Nallbati, para se të merrja urdhrin. E
takova dhe e pyeta nëse unë do isha pjesë e strukturave të policisë nën
drejtimin e tij apo jo. Dhe ai më tha që “kam respekt për ty. Unë e di
se sa shumë punon. Patjetër që do jesh pjesë e strukturave, madje do
vinë edhe dy shefa të tjerë në Seksionin e Hetimit të Krimeve, kështu që
mos e vri mendjen”.
Pse ka ardhur shkarkimi juaj, sipas jush?
Unë
mendoj që në shkarkimin tim kanë lidhje shumë inate personale dhe disa
ngjarje që kanë ndodhur më parë, kur kreu aktual i Policisë së Shtetit,
Artan Didi ka pasur përplasje me mua. Në vitin 2000, në 29 nëntor të
këtij viti, më është kërkuar që unë të bëja shoqërimin e kreut të
opozitës në atë kohë, Sali Berishën dhe të arrestoja, Edi Palokën. Në
atë kohë, Artan Didi ka qenë kreu i forcave speciale dhe ai më kërkoi që
unë të blindoja rrugën ku do kalonte Sali Berisha dhe të bëja
shoqërimin e tij në polici. Berisha në atë kohë lëvizte me makinën me
targa RSH 054 dhe sipas ligjit në atë kohë, makinat me këto targa duhej
të ndaloheshin vetëm kur kishim të bënim me raste flagrante të krimeve
të rënda. Për këtë arsye, unë nuk pranova që të bëja shoqërimin e
Berishës, sepse i binte që të thyeja ligjin që vepronte në atë kohë.
Shoqërimi i Berishës u bë rreth orës 02:00 të asaj nate,por jo nga unë,
mesa më kujtohet dhe në orën 03:30 minuta komandanti i repartit Skënder
Xhudi më kërkoi që të shkoja në repart,sepse kishim mbledhje. Kam shkuar
atje dhe nisi mbledhja nga Artan Didi, i cili më pyeti se pse nuk iu
binda urdhrit që më dhanë për shoqërimin e Berishës dhe unë i thashë se
po zbatoja ligjin dhe se nuk mund të veproj kundër ligjit. Pas një
debati të ashpër me Artan Didin, ai më tha që “ju berishianët, jeni
kriminelë”. Unë i thashë: “Zotëri, unë jam oficer policie dhe zbatoj
ligjin, nuk kam lidhje me asnjë”. Në atë mbledhje kanë qenë edhe shumë
oficerë të tjerë dhe disa prokurorë, të cilët më mbështetën dhe më thanë
që nuk kisha thyer asnjë ligj që të mund të më arrestonin. Të nesërmen,
rreth orës 14:00, më marrin në telefon dhe më thonë që duhet të
paraqitem në Policinë e Tiranës, ku shefi i krimeve të drejtorisë,
A.Agasa më tha që të firmosja raport-shërbimin e shoqërimit të Berishës
dhe arrestimit të Edi Palokës, për ofendim dhe konfrontim me forcat e
policisë. Më thanë firmose këtë raport dhe pas kësaj zgjidh çfarë posti
të duash në polici. Unë nuk pranova dhe pas kësaj më është komunikuar
pezullimi nga detyra, që zgjati dy muaj. Pas kësaj vendosa që të bëj
dorëzimet, sepse kisha frikë nga eliminimi im me jetë. Por, pas tre
ditësh kam takuar drejtorin e Policisë së Shtetit, në atë kohë ishte
Bilbil Mema dhe nëndrejtorin e përgjithshëm, Niko Brahimaj. Pasi ia
shpjegova Memës, ai më tha që do kthehesha në detyrën që kam qenë dhe të
mos mërzitesha.
Pra, ju po thoni se shkarkimi juaj mund të ketë lidhje me këtë ngjarje?
Absolutisht
që po. Duke shtuar këtu se unë kam shkuar edhe dëshmitar për Edi
Palokën, pasi unë duhej të raportoja atë që ndodhi vërtet atë ditën e
shoqërimit. Kam shkuar si dëshmitar dhe kam thënë që nuk pati as ofendim
dhe as kundërshtim të forcave të policisë nga ana e Berishës apo
Palokës.
Z.Abazaj,
juve jeni daja i ish-nëndrejtorit të Policisë së Tiranës, Erzen
Breçanit. Mendoni se ka ndikuar kjo gjë në shkarkimin tuaj?
Edhe
ky është një tjetër fakt që mendoj se ka ndikimin e vet në shkarkimin
tim. Kjo, për faktin se shumë herë më kanë pyetur se çfarë lidhje kam
unë me Erzenin dhe unë u kam thënë që ai është nipi im, djali i motrës.
Padyshim që kjo ka ndikuar, për shkak të marrëdhënieve aspak të mira që
ka pasur ai me drejtuesit e rinj, por unë nuk dua ta përziej Erzenin me
këtë. Që të dy ne i kemi shërbyer këtij vendi, por nuk kemi marrë atë që
na takon. Unë në detyrën time, nuk kam bërë asnjë shkelje, por kam
pasur shumë arritje. Kam qenë oficeri i vetëm i policisë që ka hyrë në
Lazarat, kam qenë efektivi që ka bërë arrestimin e Nehat Kullës,
arrestimin e Bandës së Lushnjes, Tan Kateshit, etj. Kam parandaluar
gjatë karrierës sime shumë krime, duke përmendur vjedhjen e argjendarive
në zonën e 9-katësheve, ku autorët kishin hapur një tunel të
nëndheshëm, parandalimin e vjedhjes së 54 kishave, kam organizuar
aksionin për vjedhësit e bagëtive, për grupin më të madh kriminal për
vjedhjen e transformatorëve, etj. Gjatë muajit të fundit që kam qenë
shef i krimit në Policinë e Elbasanit, janë arrestuar 24 persona, 2
grupe kriminale. Gjatë 9 mujorit që unë kam mbajtur këtë detyrë, janë
evidentuar 654 ngjarje kriminale, nga të cilat nuk janë zbuluar vetëm
53. Gjatë karrierës sime nuk kam pasur lidhje me asnjë parti, madje kam
pasur shumë miq nga të majtët, por asnjëherë nuk jam përfshirë në
politikë. Prandaj, unë u kërkoj strukturave ligjzbatuese në vendin tonë,
Ministrisë së Brendshme, strukturave ndërkombëtare, që të hedhin sytë
nga të pambrojturit. Nëse gjatë karrierës sime vërejnë se unë kam thyer
ligjin, apo se kam qenë vegël politike, le të më hedhin prangat që tani,
le të më hetojnë pasurinë time dhe do kuptojnë se nuk kam as miell për
dy muajt në vijim. I vetmi rast që mbaj mend se nuk kam qenë korrekt
është kur m‘u dogj frigoriferi dhe meqë nuk kisha lekë, u detyrova që të
bija dakord për ta paguar me këste të vogla mujore. Unë nuk i kam asnjë
borxh këtij shteti, ndërsa shteti më detyrohet mua bukën e fëmijëve të
mi. Unë do u drejtohem instancave të tjera për ta zgjidhur këtë çështje
dhe do bëj edhe kallëzim penal ndaj drejtuesit të parë të policisë,
sepse kam 16 vjet që i shërbej policisë. Dua të falenderoj të gjithë
kolegët e mi me të cilët kam punuar dhe me të cilët kemi kontribuar në
polici, ndërkohë që dua t‘u kërkoj falje edhe atyre që i kam bërë dashur
padashur pjesë të këtij artikulli.
No comments:
Post a Comment