Si natyrë sportive që është, ai ndryshimet në jetë i bën me pasion. Saimir Kodra na fton të qeshim me lot, me të gjitha ngjyrat e humorit të prodhuara nga ai, në programin më të ri në “Agon Channel”.
Pas zhurmës së krijuar në publik dhe komenteve të shumta për arsyen e vërtetë të largimit nga “Fiks Fare” e “Top Channel” pas 12 vitesh, Saimiri jep këtë intervistë për të na sqaruar gjithçka në detaje. Nuk e mohon që paga e mirë e joshi,
por edhe ambicia për të nisur diçka të re nga e para ishte arsye e fortë për të marrë këtë vendim. Në programin që pritet së shpejti, ku do të bëhet opozitë për këdo dhe gjithçka që nuk shkon mirë në këtë vend, shpesh do të prodhohet humor i zi dhe humor politik, që do i shkojë për shtat realitetit tonë. Saimiri zbulon të rejat dhe pritshmëritë.
Tani që nuk quhesh më Saimiri i “Fiks”-it, si do të quhesh? Pra, si titullohet emisioni i ri në “Agon”?
Vërtet? (qesh) Nuk më kujtojnë më njerëzit si SAIMIRI I FIKSIT?! S’besoj, se kalova vite të tëra në atë emision, kalova rininë time dhe kaluam bukur besoj. Unë do të jem SAIMIR KODRA, dhe kjo është e rëndësishme për t’u kujtuar, pjesa tjetër është ajo që unë do të sjell në ekran. Jam “i mallkuar” të mbaj me vete gjithmonë një emër tjetër veç mbiemrit… SAIMIRI i “AGON CHANNEL”, si ju duket?
Qarkulluan fjalë se kontradiktat mes teje dhe Filip Çakulit ishin arsyeja e largimit nga “Fiks Fare”. Mund të na e zbardhësh të vërtetën?
(qesh) Nëse ka një njeri që unë nuk do të grindem kurrë, ashtu siç nuk jam grindur deri me tani, është Filip Çakuli. Dhe kjo për faktin se ai është tejet tolerant dhe i durueshëm, është profesori im i latinishtes, satirës dhe humorit politik. Deri momentet e fundit në TCH unë kam pasur një komunikim të mirë, gjë që besoj se do vazhdoj ta kem. Them se do vazhdoj, pasi nuk jemi takuar për shkak të impenjimeve të ndryshme tashmë. Post hok non propter hok… (Pas kësaj, nuk është për shkak të kësaj).
Ishte rotacioni politik një arsye tjetër ndoshta e largimit tënd, pasi “Fiks Fare” është komentuar si programi që ka bërë opozitë më qeverinë e djathtë…
E çfarë opozite, siç na e donte koha dhe vendi, domethënë Shqipëria. Ishte imperativ i kohës, duhej asokohe. Më pyesni nëse rotacioni politik bëri që unë të largohem, që demek të mos kritikoj Ramën apo ministrat e tij. E kam dëgjuar këtë lloj komenti dhe herë të tjera këto ditë, në rrjete sociale e nëpër lokale. Nëse zbuloni që Edi Rama është djali i hallës sime në rregull, nuk do të jem opozitë për të… Ndërkohë mund t’ju them që do jem një opozitar po aq i ashpër dhe po aq dashamirës në të bërit të gjërave më mirë nga ata që na drejtojnë me votën tonë… domethënë me tuajën.
Familjarët e tu ishin pro apo kundër këtij largimi?
Familja ime, domethënë kjo e imja e imja, dhe prindërit e mi nuk më përzihen fare në vendimet që marr. Kjo ndodh sepse unë nuk i kam zhgënjyer asnjëherë ata. Kam ditur të hedh hapa të sigurt në jetë, për më tepër tani në këtë moshë që kemi dhe ca thinja më tepër (qesh).
Për të gjithë ata që e kanë konsideruar një lëvizje të gabuar këtë largim, çfarë përgjigje do u jepje?
Mendoni se kam gabuar?! O hajde pra mos bëni kështu, duroni dhe pak dhe do ndajmë darka bashkë, duke qeshur e duke qeshur me lot. Duroni vetëm pak, sa të mbushem me ide.
Vendime të tilla kanë dhe riskun brenda. Pas largimit ke humbur më shumë ti apo “Top Channel”?
As unë e as “Top Channel”. Dhamë e morëm aq shumë nga njëri-tjetri sa nuk thuhet, më dha ekranin, i dhashë shpirtin e artistit, siç thotë Doktori. Nuk ka të humbur, ka vetëm një moment ku ndahen rrugët për të provuar sfida të reja, alternativa të reja televizive… Lashë një manastir për të gjetur një tjetër.
Tashmë vendin tënd në “Fiks Fare” e ka zënë një moderatore femër, Fiori Dardha. E ke ndjekur dhe si po të duket? Mendon se Çakuli ka bërë zgjedhjen e duhur?
Mendoj se FILJA ka bërë atë që di ai më mirë të bëjë. Fiorit i uroj suksese në rrugën e saj të gjerë të “Fiks Fare”.
Keni kaluar mbi dhjetë vite punë në “TCH”. Meqë jeni ndarë mirë, u mblodhët në ndonjë drekë si një përcjellje dashamirësie dhe urimi për punën e re?
Janë plot 12 vite plot punë, sakrifica, lodhje, strese, rreziqe, por dhe të bukura plot. Kurse për sa i përket asaj drekës, ka ngelur e hapur akoma, por drejtuesit e “Top Channel” janë pak konservatorë, pra e kalojnë me një të shkelur të syrit.
No comments:
Post a Comment