Ka luajtur 75 ndeshje me Kombëtaren dhe ka shkundur 19 herë rrejtën.
Është rekordmeni i golave kuqezi dhe ka shanse të mira të jetë edhe
rekordmeni i ndeshjeve kuqezi, sepse vetëm 4 ndeshje e ndajnë nga
ishkapiteni Altin Lala. Erjon Bogdani jeton me ëndrrën e gjithë
shqiptarëve për t’u kualifikuar për në Botëror, por ndryshe nga shumica
mendon se nuk duhen krijuar iluzione të mëdha dhe nuk duhet që situata
të ngarkohet më tepër. Në një intervistë për “Panorama Sport” bomberi
kuqezi tregon edhe disa nga “sekretet” që po e bëjnë Shqipërinë
surprizën e këtij grupi.
Erjon, jeni i surprizuar nga ecuria e Shqipërisë?
Po, t’ju them të drejtën jam i surprizuar. I kënaqur pa masë, por edhe i befasuar.
Jeni befasuar nga rezultatet, apo nga gjendja e skuadrës?
Të dyja bashkë. Jam i befasuar, sepse të shohësh Slloveninë në vendin e fundit dhe ne që jemi pas Zvicrës me 9 pikë, nuk është pak. Jam i surprizuar nga Islanda gjithashtu. Kujt ia merrte mendja se do të na mundte ne në shtëpi dhe do të ishte sot me 9 pikë…
A besoni në kualifikimin në Botëror?
Shpresoj, ëndërroj dhe do luftoj me çdo mundësi që kam, por nuk duhet ta teprojmë.
Shqipëria zakonisht ka pësuar rënie në fazën e dytë të edicionit dhe kjo ka sjellë më pas edhe zhgënjime…
Po, e vërtetë. Kjo ka ardhur për motive të ndryshme, por edhe për gabime të përsëritura. Në fund të fundit ka ardhur edhe sepse jemi një skuadër e vogël me pak alternativa dhe me pak mundësi.
Çfarë gabimesh të së kaluarës duhet të evitojmë këtë herë?
Së pari nuk duhet të shohim kurrë tabelën e klasifikimit. Dakord, ju gazetarët këtë punë keni, por neve nuk na lejohet t’i shohim shifrat. Ne duhet të mendojmë vetëm për ndeshjen e radhës. Duhet të bëjmë ashtu sikundër bëmë me Norvegjinë këtë herë.
Tjetër çfarë duhet të shmangim?
Të mos e mendojmë fare dhe të flasim sa më pak për Botërorin. Sa herë që skuadrën tonë e ka kapluar euforia, është fundosur. Shqipëria nuk ka probleme kur tregohet e përulur edhe e matur. Sot themi se Shqipëria bën të fortën me të mëdhatë dhe e pëson nga të voglat. Pse ndodh kjo? Ndodh sepse nuk fokusohemi si duhet në çdo ndeshje. Në disa raste kemi marrë rezultate të mira dhe mendonim se rivalët e radhës do t’i mundnim patjetër. Jo, nuk është kështu. Ndeshjet fitohen duke u treguar të përulur dhe duke mos neglizhuar për asnjë moment. Ne nuk e kemi luksin që të jemi favoritë në ndonjë ndeshje… na ka mundur edhe Luksemburgu…
Si ju duk ndeshja me Norvegjinë?
Fitore e mrekullueshme. Fitore e një skuadre që hyri në fushë me besim, por e dinte mirë se nuk merrte asgjë po të mos vuante dhe të mos vraponte më shumë se rivali.
Norvegjia ishte më e fortë, apo më e dobët se kur jeni ndeshur ju vite më parë?
Mendoj se ishte më e dobët. Asokohe kishte lojtarë si Tore Andre Flo, apo Solskjaer, të cilët mund të ndryshonin ndeshjen.
Pra po thoni se mund t’ia dalim në ndeshjen e kthimit?
Po, them se nuk ishin skuadra që mbaja mend unë, por nuk po them se ne jemi favoritë. Kur të vijnë ata në Tiranë, janë sërish favoritët. Ne duhet të luftojmë shumë që të mund t’ia dalim.
Ju jeni lojtari me më shumë eksperiencë i përfaqësueses dhe keni kaluar disa breza lojtarësh. Çfarë ju pëlqen më shumë te kjo skuadër?
Harmonia dhe qetësia. Lojtarët e dinë mirë kufirin dhe respektojnë si duhet zgjedhjet. Shikoni, unë vetë i kam nisur dy ndeshjet e fundit nga stoli, por nuk mund të jem kurrsesi xheloz për ata që luajnë. Kjo i ndihmon lojtarët të japin maksimumin në fushën e lojës dhe të mos jenë nën presion.
Sipas jush, cila mund të jetë arma “sekrete” e kësaj skuadre?
Ajo çka vlerësoj më shumë sot janë lojtarët e stolit. Tani të gjithë ata që janë në listë, mund të luajnë titullarë. Pra, edhe lojtarët që nuk bëjnë pjesë në 11-tëshe mund të luajnë fare mirë në çdo rast si titullar. Kjo e bën grupin më të kompletuar, krijon më shumë mundësi zgjedhjeje dhe rrit pa dyshim konkurrencën. Të gjithë e dinë mirë se, nëse nuk je në 100 për qind të formës, mund ta humbësh vendin, sepse është dikush tjetër që mund të japë më shumë se ty.
Përgjithësisht Shqipëria në vitet e fundit ishte mësuar me një fantazist si Skela (dikur Bledar Kola) në mesfushë që të organizonte lojën. De Biazi duket se po e eliminon këtë, duke i mëshuar një skuadre më tepër fizike…
Shikoni, skuadrat po shkojnë drejt një standardizimi. Tani vetëm skuadrat e mëdha kanë lojtarë që bëjnë diferencën si Gjermania, Spanja etj. Të tjerat i mëshojnë më tepër anës taktike, impenjimit të skuadrave tërësisht në grup dhe lojtarëve që mund të përshtaten në disa module gjatë ndeshjes. Kjo prodhon më pas situatat kur skuadrat e vogla eliminohen dhe shohim se si Finlanda i merr pikë Spanjës, se si Shqipëria mund Norvegjinë në Oslo, apo se si Islanda bën dy fitore jashtë fushe me skuadra që teorikisht duhej të kënaqej edhe me një pikë në fushën e saj. Dua të them se skuadrat e vogla nuk e kanë luksin që t’i kenë sytë vetëm te një lojtar dhe trajnerët e kanë kuptuar këtë. Ata e dinë mirë se pikët merren vetëm nëse funksionon në grup. Me një lojtar mund të marrësh një ndeshje të caktuar, por nuk mund t’i kesh sytë tek ai gjithë edicionin.
Sa meritë ka trajneri në këtë ecuri?
Ka një meritë të madhe, sepse ka rikthyer ekuilibrat në skuadër. Jemi përmirësuar taktikisht dhe ka rikthyer besimin.
E ardhmja, mund të luajë në Amerikë
Erjon Bogdani ende nuk e di se ku do të luajë sezonin e ardhshëm, por e sigurt është se do vazhdojë të jetë aktiv në futboll. “Jam në gjendje që të luaj ende në nivele të larta, njeriu e njeh veten e vet dhe aftësitë që ka. Për aq kohë sa do të jem në këto kushte fizike, do të luaj gjithnjë. Në fund të fundit ky është pasioni im”, – thotë sulmuesi. Ai ka pasur disa bisedime “sporadike” me drejtuesit e klubit të Sienës, të cilët i kanë bërë me dije se vazhdon të jetë në projektin e klubit, sido që të shkojë situata. “Nuk do të nxitohem, – shpjegon 35-vjeçari. – Klubi më ka dhënë sinjale se dëshiron të vazhdojë bashkëpunimin, sido që të shkojë puna: edhe nëse zbresim në Serinë B. Nëse projekti i tyre do të më bindë dhe nëse do të vijë oferta e duhur për rinovim, atëherë mund të qëndroj. Deri tani nuk kam bërë asnjë bisedë për të ardhmen me asnjë klub. Nëse do të bëhej fjalë për skuadra të Serisë B, mendoj se aty kam mundësi të mira në dy ose tri klube. Gjithsesi të shohim. Kanë shfaqur interesim edhe disa klube amerikane dhe më josh ideja për të provuar një aventurë jashtë Italisë. Të shohim, ende nuk është vendosur asgjë”, – është shprehur sulmuesi i Sienës.
JETMIR HALILAJ
Shqipëria e De Biazit, më e mira në histori
Statistikat nuk të lënë asnjëherë të gabosh. Edhe pse pas pesë ndeshjeve të para mendja e shumë skeptikëve qëndron te humbja në shtëpi me Islandën (kjo më së shumti për mënyrën se si humbëm), fitorja ndaj Norvegjisë në transfertë e vë në plan të parë ekipin e drejtuar nga Xhani de Biazi. Madje, duhet theksuar se tekniku aktual mbetet më rezultativi nga të gjithë të tjerët, teknikë të huaj apo shqiptarë, që kanë drejtuar më parë ekipin tonë përfaqësues. Duke marrë në konsideratë vetëm pesë takimet e para kualifikuese të ish-trajnerëve të Kombëtares (kjo, pasi De Biazi ka zhvilluar deri tani vetëm 5 ndeshje kualifikuese që nga momenti i marrjes së detyrës), rezulton se italiani është superior në të gjitha aspektet, në rezultate dhe pikë përkundrejt Josip Kuzhesë, Ari Hanit, Oto Bariçit dhe Hans Peter Brigelit. Në këtë speciale nuk është marrë parasysh i huaji tjetër i periudhës postkomuniste, Xhiuzepe Dosena, për shkak se ai e drejtoi ekipin në vetëm tri ndeshje.
Rekordi - E besueshme apo jo, vlen të theksohet se në gjithë historinë e Kombëtares shqiptare, që nga viti 1963, kur morëm pjesë për herë të parë në kualifikimet e një kampionati botëror apo europian, nuk kemi qenë asnjëherë më lart në renditjen në grup sesa aktualisht. Jemi të dytët, me pikë të barabarta me vendin e tretë (Islanda), pas pesë ndeshjeve të para dhe për më tepër vijmë nga një fitore në transfertë, e cila të bën realisht të besosh te kjo skuadër. Mjafton të marrësh për bazë dy fakte mjaft domethënëse: e para, se para Norvegjisë kishim fituar vetëm tri ndeshje kualifikimesh në transfertë (Moldavinë, Kazakistanin dhe Luksemburgun, ekipe këto realisht më të dobëta sesa skuadra jonë) dhe, së dyti, Shqipëria para takimit në Oslo, më 22 mars, renditej në FIFA në vend të 63-të, ndërsa Norvegjia në vend të 29-të, pra plot 14 pozicione më lart sesa ne. Kjo statistikë mbështet edhe më shumë rekordin aktual të kuqezinjve. Xhani de Biazi – Pas pesë ndeshjeve të para, Kombëtarja e drejtuar nga De Biazi ka një bilanc realisht pozitiv: 3 fitore, 0 barazime dhe 2 humbje, pa llogaritur këtu takimet miqësore. Për t’u vlerësuar fitorja ndaj Qipros, por edhe loja konstante ndaj një skuadre si Sllovenia, të cilën s’e kishim munduar asnjëherë. Teksa si qershizë mbi tortë erdhi trepikëshi në “Uleval” të Oslos, kjo falë një loje mjaft të mirë të kuqezinjve, ku realisht nuk na mungoi edhe fati. Me këtë bilanc, trajneri italian i kuqezinjve është statistikisht më i miri jo vetëm nga të huajt, por edhe shqiptarët që kanë drejtuar këtë skuadër.
Kuzhe-Han - Kroati erdhi në mes të edicionit në krye të përfaqësueses pas shkarkimit të Ari Han, ndaj si fillim në konsideratë janë marrë tetë ndeshjet e tij të para me kuqezinjtë, por krahasimi me De Biazin në kualifikuese bëhet për 5 ndeshjet e EURO 2012 ndaj Rumanisë (1-1), Luksemburgut (1-0), Bosnjës (1-1) dhe Bjellorusisë (2-0 dhe 1-0). Skuadra e Kuzhesë grumbulloi 8 pikë dhe u rendit në vend të katërt, pra kishte një pikë më pak se ekipi aktual. Ndërsa Han e nisi mirë aventurën e tij me kuqezinjtë, duke barazuar me Suedinë e Portugalinë, por humbi dy sfidat ndaj Hungarisë, konsideruar në atë periudhë si rivali direkt në grup. Pas 5 ndeshjesh, Kombëtarja nën drejtimin e tij renditej në vendin e pestë, me 6 pikë, teksa linte pas vetëm Maltën.
Bariç-Brigel - “Plakushi” kroat, edhe pse me shumë përvojë, nuk mundi të grumbullojë më shumë se 3 pikë pas 5 ndeshjeve të para, duke marrë 3 barazime dhe dy humbje. Ndërsa gjermani Hans Peter Brigel pas 5 ndeshjeve të para kualifikuese kishte më shumë se 6 pikë dhe skuadra renditej në vendin e 5-të.
Në këtë speciale nuk janë marrë në konsideratë rezultatet e trajnerëve shqiptarë që kanë drejtuar ekipin tonë që nga 1963-shi (Loro Boriçi, Ilia Shuke, Myslym Alla, Zyber Konçi, Shyqyri Rreli, Agron Sulaj, Bejkush Birçe, Neptun Bajko, Astrit Hafizi, Mehdin Zhega dhe Sulejman Demollari), kur kuqezinjtë merrnin pjesë për herë të parë në kualifikimet e një Europiani apo Botërori, kjo për shkak të rezultateve tejet të dobëta që kemi pasur. Kujtojmë që në asnjë rast Kombëtarja shqiptare e asaj periudhe, deri në kohën e Brigelit, nuk ka marrë më shumë se një fitore në një edicion kualifikimesh.
Revolucioni i italianit, 43 lojtarë për 11 ndeshje
Xhani de Biazi e ka ndryshuar në mënyrë thelbësore Kombëtaren shqiptare. Në ndryshim total nga paraardhësi i tij Josip Kuzhe, italiani rreket më shumë të provojë lojtarë të rinj, duke kërkuar në një farë mënyre që të sigurojë të ardhmen, pa pasur “frikën” e të tashmes sikundër kroati. Kujtojmë se Kuzhe, jo vetëm në ndeshjet zyrtare për kualifikimet e Botërorit 2010 dhe Europianit 2012, por edhe në miqësore grumbullonte pak a shumë të njëjtët futbollistë. Tjetër gjë De Biazi, i cili në harkun kohor të 15 muajve ka grumbulluar për herë të parë me Kombëtaren plot 18 lojtarë, nga të cilët vetëm 4 nuk kanë bërë edhe debutimin.
Të grumbulluarit - De Biazi e nisi punën pak a shumë aty ku e la ish-paraardhësi i tij, Josip Kuzhe, por me një ndryshim të madh në koncept: ai ndërmori një fushatë të gjerë në Europë dhe Superiore, duke u munduar të afrojë dhe provojë sa më shumë lojtarë të rinj për ndërtimin e një skuadre sa më konkurruese jo vetëm brenda vetes, por më së shumti në përballjet me kundërshtarët. Kështu, duke filluar që nga Etrit Berisha, Enea Koliqi, Erjon Dushku, Elseid Hysaj, Mërgim Mavraj, Renato Arapi, Alban Meha, Burim Kukeli, Bruno Telushi, Migjen Basha, Valdet Rama, Hair Zeqiri, Erjon Vucaj, Mërgim Brahimi, Armando Vajushi, Bekim Bala, Erjon Vucaj, Armando Sadiku e deri te Edgar Çani, janë që të gjithë lojtarë të thirrur në përfaqësuese për herë të parë nga italiani dhe një pjesë e mirë e tyre kanë bërë tashmë edhe debutimet me kuqezinjtë (vetëm Enea Koliqi, Erjon Dushku, Valdet Rama dhe Erjon Vucaj, të cilët edhe pse janë grumbulluar me kuqezinjtë nga De Biazi, nuk kanë bërë ende debutimin në Kombëtare). Në total, deri tani nga ana e De Biazit janë grumbulluar 43 lojtarë, nga të cilët 8 janë grumbulluar për herë të parë nga Josip Kuzhe, 6 nga gjermani Hans Peter Brigel, 5 nga Oto Bariç, 4 nga Ari Han, 1 nga Sulejman Demollari dhe 1 nga Neptun Bajko. Siç shihet, diçka më pak se gjysma e këtyre futbollistëve është grumbulluar për herë të parë nga tekniku aktual, çka tregon edhe një herë se De Biazi, jo vetëm kërkon të ndërtojë një skuadër për të ardhmen, por tenton edhe t’u japë një shans lojtarëve të Superiores. Kështu, nga kampionati ynë ai ka grumbulluar emra si Tefik Osmani (i rithirrur në Kombëtare), Bruno Telushi, Gjergj Muzaka, Franc Veliu, Enea Koliqi, Emiljano Veliaj, Orges Shehi, Erjon Vucaj, Renato Arapi dhe Hair Zeqiri.
Rama-Kaçe - Sakaq, për ndeshjen e nesërme ndaj Lituanisë, ai që pritet më me interes është Valdet Rama. Mesfushori me tipare sulmuesi i Valadolidit në Spanjë është prurje e re e De Biazit, i cili mund të bëjë debutimin me fanellën e Kombëtares, duke qenë se javën e shkuar mori edhe pasaportën shqiptare. Tekniku italian e ka grumbulluar për të pasur kështu një alternativë më shumë në mesfushë, pozicion në të cilin luan zakonisht Bakaj ose Meha. Përveç Ramës, në pritje mbetet afrimi i Ergys Kaçes, i cili nuk ka zgjidhur ende dilemën nëse do pranojë të luajë për Shqipërinë apo Greqinë. Mesfushori i PAOK-ut pritej që të grumbullohej që për këto dy ndeshje, por fakti që nuk ka arritur të marrë ende pasaportë greke (ishte si kërkesë e lojtarit ndaj trajnerit në takimin që patën në muajin shkurt, në mënyrë që ai të mos konsiderohej më si ekstrakomunitar), ka shtyrë afrimin e tij te kuqezinjtë.
NË KOMBËTARE GJATË KOHËS SË DE BIAZIT
PORTIERË Samir Ujkani, Etrit Berisha, Orges Shehi, Enea Koliqi
MBROJTËS Admir Teli, Elseid Hysaj, Debatik Curri, Mërgim Mavraj, Lorik Cana, Ansi Agolli, Tefik Osmani, Armend Dallku, Franc Veliu, Andi Lila, Kristi Vangjeli, Erjon Dushku, Renato Arapi
MESFUSHORË Ervin Bulku, Gilman Lika, Odise Roshi, Jahmir Hyka, Emiljano Vila, Gjergj Muzaka, Bruno Telushi, Hair Zeqiri, Sabien Lilaj, Mërgim Brahimi, Odise Roshi, Ledjon Memushaj, Erjon Vucaj, Burim Kukeli, Alban Meha, Migjen Basha, Valdet Rama
SULMUES Ahmed Januzi, Elis Bakaj, Armando Sadiku, Edgar Çani, Erjon Bogdani, Hamdi Salihi, Ahmed Januzi, Armando Vajushi, Bekim Bala.
TË THIRRUR PËR HERË TË PARË NGA DE BIAZI
Etrit Berisha (ndaj Iranit), Enea Koliqi (ndaj Katarit), Erjon Dushku (ndaj Moldavisë), Elseid Hysaj (ndaj Gjeorgjisë), Mërgim Mavraj (ndaj Katarit), Renato Arapi (ndaj Moldavisë), Alban Meha (ndaj Qipros), Burim Kukeli (ndaj Qipros), Bruno Telushi (ndaj Kamerunit), Migjen Basha (ndaj Norvegjisë), Valdet Rama (ndaj Norvegjisë), Hair Zeqiri (ndaj Gjeorgjisë), Erjon Vucaj (ndaj Moldavisë), Mërgim Brahimi (ndaj Iranit), Armando Vajushi (ndaj Kamerunit), Bekim Bala (ndaj Kamerunit), Erjon Vucaj (ndaj Moldavisë), Armando Sadiku (ndaj Gjeorgjisë), Edgar Çani (ndaj Gjeorgjisë).
LEONARD KARAJ
Nga Kapllani te Sukaj, ja energjia alternative
Nëse në ekipin Kombëtar të pak viteve më parë të drejtuar nga Josip Kuzhe, largimi Lalës, Duros apo edhe Beqajt krijoji panik jo vetëm për trajnerin por edhe për sportdashësit e shumtë, një gjë e tillë nuk ndodh më tani. Nuk ndodh për një arsye të thjeshtë: ka shumë alternativa kuqezi. Në dy ndeshjet e fundit De Biazi ka grumbulluar 24 futbollistë, por ka lënë jashtë 14 lojtarë që mund të përshtaten mjaft mirë në radhët kuqezi. Por, përveç këtyre futbollistëve, që kanë pasur “fatin” të jenë nën urdhrat e teknikut, janë edhe plot 14-të të tjerë, që luajnë brenda apo jashtë vendit dhe që janë në pritje të një thirrje nga De Biazi. Ata mund të konsiderohen si “armata rezervë” edhe pse sinjalet e tyre në drejtim të italianit herë pas here bëhen publike. Por më i rëndësishëm është fakti, se ata janë gjithmonë aty dhe në rast se Kombëtarja ka nevojë, janë një forcë, një energji më shumë për të. Edhe pse nuk janë në listë këtë herë, shpresat e tyre janë të thërriten herën tjetër. Ajo që ka rëndësi është se eksperienca, apo edhe forca e atyre që janë më të rinj, sigurojnë gjithmonë vazhdimësinë e ekipit tonë, Kombëtar, trajneri i të cilit tashmë,m në vitin 2013 ka luksin të zgjedhë, të bëjë seleksionime, por edhe të mbajë energji të cilat mund t’i shfrytëzojë në momentet e duhura.
Emrat – Janë më shumë se një formacion dhe një pjesë e madhe e tyre kanë shkruar nga një copëz histori të skuadrës. Vlen të përmenden Kapllani, Vangjeli, Muzaka, G.Lika etj… Plot 14- futbollistë të cilët më parë i kanë provuar emocionet e të qenit në skuadrën kombëtare. Luajnë, brenda dhe jashtë vendit, afër edhe larg, megjithatë qëllimin e kanë të njëjtë, të bindin trajnerin De Biazi. Nga Hidi, te Teli e më pas Muzaka e Vucaj që janë pjesë e Superiores shqiptare, e për të dalë të Sukaj i cili shënon rregullisht, por edhe te Januzi që shihet si një nga mundësitë e ardhshme të skuadrës sonë. Janë të gjithë të gatshëm për të dhënë kontributin e tyre në Kombëtare në ato momentet që do i kërkohet, ose më saktë kur skuadra të ketë nevojë për ta. Momentalisht janë te heshtur dhe nuk kërkojnë me ngulm rikthimin. Ajo që një pjesë e madhe e tyre bëjnë, janë paraqitjet e mira dhe golat. Kështu ata lëshojnë sinjalin më të mirë, duke i treguar jo vetëm De Biazit por të gjithëve se ekzistojnë, madje janë një forcë e madhe e cila nga çasti në çast mund të vihet në shërbim të ekipit tonë Kombëtar.
ARMAND HALILI
Oslo kuqezi, De Biazi: Ja si i “mashtruam” norvegjezët…
Nga Oslo, FATION SHEHU
Autoporlantët e stadiumit “Uleval” të Oslos nuk nxirrnin më muzikë festive si në fillim të takimit. Thirrjet “O sa mirë me qen shqiptar!” u shndërruan në kolonën zanore të asaj shfaqjeje heroike që dhuroi Shqipëria e De Biazit. Me mijëra tifozë kuqezinj nuk iu trembën të ftohtit therës, por e ndezën atmosferën me brohoritje dhe duartrokitje, që dukeshin se nuk do përfundonin… Etrit Berisha u ul në gjunjë dhe lotoi, lot gëzimi, krenarie për një fanellë që mbart sakrificë dhe nder. Disa minuta feste me tifozët dhe më pas një gëzim i përbashkët në dhomat e zhveshjes për futbollistët. Brohoritjet, të qeshurat dhe ndonjë strofë kënge dëgjoheshin edhe jashtë mureve. Ndërkohë, jashtë stadiumit u mblodhën menjëherë fansat. Ishin aty për t’i përshëndetur, për t’i falënderuar, për t’i prekur, për t’i puthur, për t’u treguar sesa krenarë ndiheshin. Kuqezinjtë dolën një e nga një, por këtë herë dukeshin më “të mëdhenj” sesa më parë. Disa foto e takime të shpejta dhe autobusi i Kombëtares u nis për në hotel. Atje ku pritej që festa të vazhdonte privatisht. Në holl, të gjithë u shpërndanë. Lëviznin nga një cep në tjetrin sikur kishin kohë pa u takuar. Merrnin përgëzime, flisnin me njeri-tjetrin për episode të ndryshme, por mbi të gjitha ishin të gjithë të lumtur… Diku ishte Lorik Cana, që takonte “zyrtarët” e futbollit shqiptar me radhë, në një cep tjetër ishin Berisha, Ujkani, Curri dhe Dallku. Ngacmonin portierin-hero të ndeshjes me batuta, ndërsa ai u kundërpërgjigjej thuajse gjithnjë me të qeshura naive. Lila ishte pranë Bogdanit: “Ky na jep zemër. Është motivuesi ynë më i madh”, – përsëriste sa herë që shikonte dikë që nuk e kishte dëgjuar këtë gjë më parë. Pak minuta “hardallisje” në holl, për të shkuar në katin e dytë të hotelit, për darkën festive. Mbase këtë herë ushqimi dukej më i shijshëm, por siç nuk ndodh shpesh në ndeshjet në transfertë, dollitë ishin për fitoren. Një darkë lojtarësh triumfues… Ndërkohë, rrugët e Oslos flisnin shqip. Tifozët ishin shpërndarë në kërkim të lokaleve për të festuar. Kudo gjeje shqiptarë, të cilët dallonin nga flamujt mbi shpinë, e folura me zë të lartë në rrugë, këngët, mungesa e kompleksitetit… Në hotel “Radison Blue Nydallen” futbollistët kuqezi ishin të paqartë për vendin ku do festonin. Donin të shkonin në qytet, por askush nuk kishte një plan. De Biazi ishte disi më “i ndrydhur” dhe preferoi të mos largohej. I mjaftonte një bashkëbisedim i ngrohtë me miqtë shqiptarë. Lorik Cana nuk krijoi “grup festimi” me Kombëtaren, por zgjodhi miqtë e afërt që e kishin shoqëruar deri në Norvegji për të shkuar në një lokal në qendër. Ju rezervua një vend në arenën “Vip” dhe shampanja nuk kursehej. Në fakt, ishte pikërisht Cana që paguante, por festa e tij private prishej herë pas here nga tifozë shqiptarë, të cilët nuk kishin se si të mos mungonin as atje. Rreth 15 kilometra larg qendrës, një lokal komplet shqiptar kishte nisur ahengun. Këngëtarja Albërie Hadërgjonaj kishte krijuar një atmosferë me këngë krahinore shqiptare dhe një varg prej të paktën 200 personazh kërcenin valle popullore. Në ambientin dykatësh kishte flamuj kuqezi kudo. Hera-herës këngët ndërpriteshin nga thirrjet nacionaliste. Por, të gjithë dukeshin sikur njiheshin me njeri-tjetrin. Ishin shqiptarë… Oslo për një mbrëmje u pushtua nga ngjyra e kuqe, por nuk ishin flamujt e vendit të tyre, por ai me shkabën e zezë. Shqiptarët u treguan vendësve se mund të thyejnë këdo, sado i madh të jetë, sado i pasur, sado i fortë. Shqiptarët luajnë me zemër…
Kombëtarja, tre orë pritje në aeroport
Ishte ora 07:15, kur autobusi i Kombëtares u nis nga hoteli për në aeroport. Të gjithë ishin pa gjumë, por rruga për në Shqipëri do të rezultonte më e lodhshme. Në orën 08:00 ishin në aeroport dhe për disa minuta u morën me procedurat për dokumentacionet. Por, kur ishin në fazën finale dhe prisnin të shkonin për në Charter, dera ishte e mbyllur. U lajmërua se nisja e programuar për në 09:30 do të bëhej pak më vonë. Askush nuk e dinte se kur, por të gjithë prisnin. “Eh, organizimi këtu lë pak për të dëshiruar”, – tha De Biazi me të drejtë, i cili u mbështet në një cep dhe thjesht priste dhe përcillte bashkëbiseduesit e ndryshëm. Lorik Cana nuk e fshehu nervozizmin: “Pse duhet të vinim kaq shpejt? Ku do presim”, – thoshte ai duke iu drejtuar të gjithëve dhe askujt njëkohësisht. Ndërkohë, i vetmi vend në atë hapësirë që mund të blije diçka ofronte çokollata, kafe, lëngje frutash dhe libra. Sigurisht që këta të fundit nuk i frekuentoi asnjë, por lojtarët nisën t’u vërshonin çokollatave. Në fakt, pritja e gjatë i bëri që të blinin më shumë se një herë. Bogdani, Lila, Sadiku, Berisha dhe Curri u ulën dhe nisën të bashkëbisedojnë, si duket një bisedë të lënë përgjysmë në autobus. Ishte sulmuesi i Sienës ai që ligjëronte dhe të tjerët dëgjonin me vëmendje. Bulku mbante gjallë atmosferën me batuta, ndërsa qëndronte me Vilën dhe Hykën. Ndërkohë, Cana u ul pak më larg me De Biazin. Një pritje që zgjati mbi një orë, aq sa nisja u bë në orën 11:00. Akoma më të lodhur, të mërzitur, të gjithë u akomoduan në Charter me synimin e vetëm për të fjetur. Ndërkohë, sa i përket vonesës, u mjaftua një mesazh nga stafi i avionit: “Na falni për vonesën, por u bë për arsye personale…”. Të mendosh që priti Kombëtarja e Shqipërisë, e njëjta që gjunjëzoi Norvegjinë disa orë më parë…
De Biazi: Ja si i ‘mashtruam’ norvegjezët
I sjellshëm me këdo që e ndal apo i flet, me një buzëqeshje të lehtë në fytyrë që nënkuptonte kënaqësinë për fitoren e arritur në Norvegji, por qartazi i lodhur nga një natë e gjatë dhe një zgjim i herët në mëngjes, Xhani de Biazi ka komentuar situatën aktuale të Kombëtares para nisjes për në Shqipëri. Në aeroportin e Oslos, në pritje (më gjatë seç ishte parashikuar) që të kryhej nisja drejt Shqipërisë, për tekniku italian tregon për “Panorama Sport” arsyet që sollën triumfin në acarin norvegjez. Por, një “hall” jo i pakonsiderueshëm janë mungesat për duelin e kthimit, të cilin ai e shikon akoma më të vështirë.
Mister, dukeni i lodhur…
Eh, normale. Natë e gjatë, zgjim i shpejtë. Por, nuk jam i vetmi që dukem i lodhur.
Të paktën fituam. Ia vlejti mundimi…
Sigurisht, ajo çka është më e rëndësishmja. Fundja nuk mund të merrnim dot më shumë se tri pikë.
Tani e ka radhën miqësorja me Lituaninë. Sa rëndësi ka?
Pa diskutim që ka vlerat e saj si ndeshje, porse mos harroni që është thjesht një miqësore. Rezultati është i parëndësishëm, por duhet të shërbejë për të kryer disa teste me skuadrën.
Do ta provoni ekipin pa lojtarët që do mungojnë në ndeshjen e kthimit kundër Norvegjisë?
Nuk e kam vendosur ende. Jemi akoma në Oslo…
Gjithsesi, fitorja na kushtoi disi, duke qenë se do të mungojnë tre futbollistë…
Po, do të mungojë Roshi dhe Lila. Kush është i treti?
Lorik Cana…
(Hutohet) Ah, po. Nuk do jetë as ai.
Sa mund të ndikojnë mungesat e tyre?
Ne do mundohemi që të mos i ndiejmë. Kemi futbollistë të tjerë, të cilët mund të luajnë në vendin e tyre, gjithsesi jam i shqetësuar. Bëhet fjalë për lojtarë shumë të rëndësishëm, të jemi realistë…
Kush mund ta zërë vendin e Lorikut?
Boh, është pak si herët. Gjithsesi, Debatik Curri është një alternativë kryesore.
Të flasim pak për fitoren e Oslos. Si iu duk Norvegjia?
Unë e thashë edhe pas ndeshjes që ata nuk ishin në maksimumin e tyre. Nuk arritën të bënin atë që donin.
E prisnit përgatitjen taktike që i kishte bërë Olsen skuadrës së tij? U dukën sikur po prisnin që ju të avanconit në fushë dhe të shënonit me kundërsulm?
Olsen u mundua që të na ndëshkonte nëpërmjet goditjeve standarde. Sigurisht që e prisja këtë, pasi është normale që do mundohej të shfrytëzonte shtatlartësinë e disa futbollistëve. Por, nuk ia doli. Ne i kishim marrë masat mirë, ndaj edhe ia dolëm.
Në fakt, ne i ndëshkuam pikërisht me “armën” që norvegjezët pretendojnë se kanë më të fortë, goditjet standarde…
Po, ishte një skemë që e kishim praktikuar shumë shpesh në stërvitje. Në fakt, jo në të gjitha rastet kemi arritur ta realizojmë në perfeksion, siç ndodhi gjatë ndeshjes. Gjithsesi, Norvegjia mendonte se nuk do të ndëshkohej në goditje standarde…
Çfarë prisni për ndeshjen e kthimit kundër tyre?
Eh, do jetë akoma më e vështirë, për shumë arsye. Në radhë të parë, lojtarët e tyre nuk ishin në formë të mirë fizike në këtë sfidë, pasi kanë pak ndeshje që luajnë në kampionatet ku aktivizohen. Në qershor, kur është dueli tjetër, ata do jenë në top-formë. Së dyti, do luajnë me shumë agresivitet dhe këmbëngulje. Do sulmojnë më tepër dhe, kur e bëjnë një gjë të tillë, janë me të vërtetë shumë të rrezikshëm. Ata kanë lojtarë të shkëlqyer në sulm, të cilët dinë të bëjnë diferencën. Por, sërish do mundohemi t’i marrim masat si duhet…
Do jetë vendimtare për shanset tona për në Kupën e Botës ndeshja kundër Norvegjisë?
Kemi edhe shumë ndeshje dhe të gjitha janë të rëndësishme.
Sa larg mund të shkojë Shqipëria juaj?
Nëse qëndrojmë me këmbë në tokë, mund të shkojmë larg…
Basha: Debutim perfekt nëse do shënoja
Migjen Basha ka debutuar me fanellën kuqezi, duke shijuar një fitore historike për Shqipërinë. Ishte hera e parë që mundnim një rival elitar, i cili cilësohej “kokë grupi” gjatë shortit. Mesfushori i Torinos pranon se është i lumtur për triumfin, edhe pse mendon se paraqitjet e tij do të jenë gjithnjë në përmirësim. “Jam shumë i kënaqur. Fituam një ndeshje të rëndësishme, ndërsa unë luaja për herë të parë. Norvegjia ka një skuadër të fortë, por ne i mundëm në fushën e tyre, çka është një arritje e madhe”, – tha për “Panorama Sport” 26-vjeçari. Sa i përket paraqitjes së tij, ai ka deklaruar se dëshiron që të jetë gjithnjë në përmirësim. “Ky është vetëm fillimi im me Kombëtaren. Mendoj se me kalimin e kohës do luaj akoma më mirë. Do të jap maksimumin tim sa herë që të më jepet mundësia. Në fillim të ndeshjes ishte pak e vështirë se temperatura të ulëta, kundërshtari po ushtronte presing, por që ne i administruam me sukses. Në pjesën e dytë mendoj se luajtëm akoma më mirë dhe shënuam gol”, – vijoi Basha. Në fakt, ai shpërdoroi një mundësi të shkëlqyer për të shënuar, kur gjuajti nga brenda zonës dhe topi kaloi afër me shtyllën e djathtë të portierit. “Nuk kisha kohë për të menduar. Ndalova topin dhe e gjuajta menjëherë. Për fat të keq nuk shkoi në portë. Do të ishte perfekte po të shënoja. Gjithsesi, fakti që nuk e dërgova topin në rrjetë nuk ndikoi në rezultat, pasi ne i morëm tri pikët. Kjo është më e rëndësishmja pa diskutim”, – shtoi futbollisti i Torinos. Ndërkohë, i pyetur për faktin se si ka mundësi që nuk po aktivizohet më si titullar te skuadra e Serisë A, ndërkohë që ishte i qëndrueshëm në formacion në fillim të sezonit, ai përfundoi: “Nuk e di, pasi nuk është në dorën time. E vendos trajneri. Në fakt, nuk kam ndonjë arsye, pasi unë jam stërvitur normalisht dhe jam në formë të mirë fizike…”.
Bulku: Skema e golit, e provuar edhe me Agollin
Skema e golit të Salihit ishte përdorur disa herë në stërvitje dy ditët para se të luhej ndeshja. Këtë e pohon edhe mesfushori Ervin Bulku, i cili ishte protagonist në atë gol “të gatuar” me shumë mjeshtëri. Mesfushori kuqezi rrëfen ndërkohë edhe një “prapaskenë” interesante sa u përket provave të bëra. “Ishte një skemë e provuar disa herë në stërvitje, sidomos gjatë dy ditëve të fundit para ndeshjes, – ka thënë Bulku për ‘Supersport’. – Mirëpo nuk ishte një skemë e përdorur vetëm me mua dhe Salihin. Ishte një skemë që trajneri De Biazi e kishte provuar edhe me golin e Salihit. Pra e kishim provuar nga të dy anët e fushës, si nga e majta dhe nga e djathta. Për të qenë i sinqertë, pak herë kishim arritur ta realizonim si duhet në stërvitje”. Më tej, mesfushori ka përsëritur se ishte një nga ndeshjet më të mira dhe më të rëndësishme që ka zhvilluar përfaqësuesja jonë. “Mendoj se meritë pati e gjithë skuadra dhe gjithë stafi, sepse ne shumicën e këtyre ndeshjeve të rëndësishme nuk jemi treguar në lartësinë e duhur. Për shkak eksperience, apo për motive të tjera, kemi hasur gjithnjë vështirësi. Të mundësh Norvegjinë në fushën e saj nuk është pak, por duhet të jemi të kujdesshëm, pasi kemi hedhur vetëm një hap të rëndësishëm. Misioni ynë është ende në gjysmën e rrugës dhe kemi shumë punë për të bërë nëse duam të vazhdojmë të ëndërrojmë”, – ka deklaruar Bulku.
“Një fitore për meritë të Xhani De Biazit”. Katër ish-trajnerë të Kombëtares shqiptare ndër vite vlerësojnë maksimalisht kreun aktual të pankinës kuqezi për triumfin historik që Shqipëria arriti të premten në Norvegji. Astrit Hafizi, Sulejman Demollari, Neptun Bajko dhe Bejkush Birçe kanë analizuar dje për “Panorama Sport” ndeshjen ndaj nordikëve, si dhe kanë folur për të ardhmen e Kombëtares. Të gjithë janë në unison për sa i përket përgatitjes që i bëri këtij takimi trajneri De Biazi. Madje ka edhe nga ata, të cilët e quajnë guximin e italianit gati aventuresk për të marrë tri pikë ndaj një ekipi si Norvegjia në transfertë. Nga emra si Hafizi dhe Bajko, elozhe bëhen veçanërisht për mënyrën se si kuqezinjtë u mbrojtën në këtë transfertë. “Në aspektin mbrojtës skuadra është më mirë se në sulm”, – ka thënë Hafizi, i cili vuri në dukje edhe mungesën e një organizatori të mirëfilltë në Kombëtare, që mund t’u jepte një impuls më shumë kuqezinjve. Për Demollarin, heroi i ndeshjes ishte portieri Etrit Berisha, që me pritjet e tij u bë vendimtar. Këtë mendim ka edhe Hafizi, por gjithashtu dy ish-trajnerëve u ka pëlqyer loja në debutim e mesfushorit kosovar, Migjen Basha. “Edhe pse ndeshja e parë për të, ai në pjesën e dytë tregoi se ishte vërtet një lojtar cilësor, që do të na bëjë shumë punë”, – thonë ata. Ndërsa për Birçen më i vlerësuari është sulmuesi Hamdi Salihi që, sipas ish-trajnerit, bën diferencën në rolin e vet. Në lidhje me vazhdimësinë dhe ëndrrën për një kualifikim të mundshëm në Botërorin 2014, të katërt ish-krerët e pankinës kuqezi janë të përmbajtur. Megjithatë, ata besojnë se këtë herë, më shumë se çdo edicion tjetër, Shqipëria ka shanse reale për ta mbyllur në një vend nderi. “Ky është një grup që ka diferenca të vogla dhe çdo rezultat është i mundshëm. Kemi shanse reale, duhet të guxojmë”, – shprehen njëzëri njerëzit që njohin shumë mirë ekipin kuqezi.
“Më pëlqeu loja e Bashës, në mbrojtje jemi më mirë”
Astrit Hafizi, trajneri që ka drejtuar Kombëtaren kuqezi në vitet 1996-1999, e cilësoi fitoren në Norvegji si super të merituar. “U realizua një ndeshje e llogaritur shumë mirë nga Kombëtarja jonë. Shfrytëzuam disa dobësi të kundërshtarit, që nuk e kishte organizuar mirë lojën. Në përgjithësi u zhvillua një lojë që na erdhi përshtat. Aplikimi i topave të gjatë nga norvegjezët bëri që mbrojtja jonë ta kishte shumë më të lehtë për t’i përballuar sulmet e tyre. Dyluftimet në ajër thuajse i fituam të gjitha, por diferencën e bëri momenti i Salihit, që u shfrytëzua në maksimum. Goli ishte perfekt për nga mënyra e realizimit. Ka qenë një skemë e llogaritur dhe në total mund t’ju them se merituam tri pikët në një ndeshje ku luajtëm më mirë se Norvegjia. Do të luajmë sërish ndaj tyre dhe unë jam i bindur se ata këtë herë do të jenë të rrezikshëm. Është nga ato ndeshje që duhet pasur shumë kujdes, pasi atë që bëmë ne në Norvegji, mund ta bëjë këtë herë në Shqipëri kundërshtari”, – ka thënë fillimisht Hafizi.
Repartet - “Në aspektin mbrojtës skuadra më është dukur më mirë se sa në atë sulmues. Pra, mendoj se jemi më të disiplinuar dhe më luftarak në mbrojtje si ekip. E vetmja rezervë që kam, është se ne duhet të fitojmë më tepër dyluftime ndaj kundërshtarëve. Po ta bëjmë këtë, sigurisht që do të jemi edhe më mirë. Gjithsesi, unë mendoj se pikën më të fortë e kemi në mbrojtje. Mungesa e një lojtari organizator, që merr përsipër lojën tonë, bën që të mos jemi në nivelin e duhur në sulm”.
Befasia - “Në pjesën e dytë më bëri shumë përshtypje loja e Bashës. Edhe pse ne si skuadër nuk ishim në nivelin e 45 minutave të para, më pëlqeu loja e tij. M’u duk një futbollist shumë i sigurt sa herë që prekte topin, por të mos harrojmë se ishte vetëm ndeshja e parë e tij. Mendoj se është një lojtar interesant, që do t’i shërbejë ekipit kombëtar. Nuk dua të lë jashtë portierin Berisha, i cili ishte vendimtar në Norvegji”.
Kualifikimi - “Duke parë kundërshtarët që kemi në grup, përjashto deri-diku Zvicrën, diferencat janë minimale, për të mos thënë që nuk ka mes skuadrave. Është momenti që Kombëtarja jonë tashmë të guxojë dhe të pretendojë për të ruajtur vendin e dytë. Shanset janë reale dhe ne duhet t’i shfrytëzojmë në maksimum dobësitë e kundërshtarëve. Duhet të pranojmë se nuk kemi një Norvegji të jashtëzakonshme apo Slloveni të viteve të shkuara, ndërkohë që Islanda është ekipi që po tregon rritje. Gjithsesi, edhe vendi i tretë në grup mendoj se është një arritje e madhe e ekipit tonë”.
“Berisha heroi i ndeshjes, një bravo për trajnerin”
Për Sulejman Demollarin, trajnerin që ka drejtuar për një periudhë të shkurtër kuqezinjtë, në Norvegji u duk më shumë se kurrë dora e italianit De Biazi. “Përgatitja e ndeshjes ishte në maksimum nga trajneri De Biazi. Këtu dua të fus edhe ekzekutimin super të shënimit të golit, që sigurisht është provuar disa herë në stërvitje. Këtë herë, ndryshe nga ndeshjet e kaluara, Kombëtarja u paraqit me një kompaktësi dhe organizim shumë të mirë, duke e merituar plotësisht fitoren. Ishte nga ato ndeshje ku u duk veçanërisht dora e trajnerit. Gjithçka ishte përgatitur deri në detaje nga stafi teknik, ndërkohë që lojtarët i zbatuan në fushë idetë e De Biazit. Kjo është shumë e rëndësishme, pasi Kombëtarja këtë herë tregoi edhe agresivitet në lojën e saj, por gjithashtu edhe ritëm. Nga ana tjetër ne rrezikuam jo pak herë edhe portën. Për mua arkitekt i kësaj loje ishte pa dyshim De Biazi me udhëzimet e tij”, – është shprehur Demollari, i cili ka qenë një futbollist i shquar i Kombëtares në vitet 1983-1995.
Lojtarët – “Më bëri përshtypje Basha, për të cilin ishte hera e parë që luante me fanellën e Kombëtares. Ishte një lojtar që rikuperonte mjaft mirë topat nga kundërshtari. Ai u tregua i saktë edhe në pasime, veçanërisht në pjesën e dytë, ku gaboi shumë pak. Kuptohet, në një ndeshje do të ketë edhe gabime. Gjithashtu dua të vlerësoj portierin Berisha, si heroin e ndeshjes në Norvegji. Dy raste ishin flagrante për të barazuar rezultatin kundërshtari, por ai tregoi cilësi”.
Shanset - “Tashmë shanset janë të mëdha. Që të pretendosh kualifikimin në Botëror, sigurisht që duhet të fitosh ndeshje në transfertë, jo vetëm brenda fushës tënde. Ne tashmë ia arritëm të bënim një hap të tillë dhe për hir të së vërtetës duhet të pretendojmë për të ruajtur vendin e dytë. Gjithsesi, nuk duhet të kalojmë në vetëkënaqësi, pasi ashtu si fituam, mund të humbim”.
Vazhdimësia - “Duhet vlerësim maksimal. Ashtu si u përgatit ndeshja në Norvegji, të përgatitet edhe ajo e kthimit. Mendoj se do të jetë më e vështirë, por ne duhet të provojmë shanset tona. Lojtarët duhet të jenë të ndërgjegjshëm se vetëm duke dhënë maksimumin ne mund të ëndërrojmë. Ka ardhur një moment që ne të shfrytëzojmë këtë shans të madh që po na paraqitet. Jemi në një grup ku nuk ka skuadra që bëjnë diferencë dhe çdo rezultat është i mundshëm ndaj kujtdo kundërshtari. Kjo u konfirmua edhe të premten, kur Norvegjia tregoi se nuk kishte asgjë më shumë nga ne. Është momenti të tregohemi pragmatistë”.
“Fituam se u mbrojtëm mirë, por tani nis më e vështira”
Taktika e ndjekur nga trajneri De Biazi bëri që Shqipëria të dilte me tri pikë nga Oslo. I këtij mendimi është edhe ishtekniku i kuqezinjve, Neptun Bajko, i cili e vlerëson skuadrën veçanërisht në aspektin mbrojtës. “U luajt një futboll i drejtë dhe mendoj se e merituam fitoren, duke llogaritur këtu pluset dhe minuset e çdo lojtari. Ishte një ndeshje që tregoi se kur luhet me disiplinë, zbaton detyrat e trajnerit dhe je i përqendruar gjatë gjithë 90 minutave, në fund rezultati nuk mungon. Këtë bëmë në Norvegji dhe prandaj çdo gjë foli mirë për skuadrën tonë. Një nga vlerat e kësaj ndeshjeje ishte se ekipi kombëtar iu përshtat shumë mirë terrenit dhe luajti thjesht. Mbi të gjitha dhe më e rëndësishme ishte fakti që skuadra luajti shumë mirë në aspektin mbrojtës”, – ka thënë trajneri 64-vjeçar, i cili u vendos në krye të pankinës kuqezi në vitin 1994.
Vlerësimi - Më tej, Bajko vlerëson trajnerin italian. “Ashtu siç morën vlera lojtarët për paraqitjen që bënë, edhe trajneri De Biazi ka pa diskutim meritën e tij të madhe në këtë fitore. Personalisht mendoj se një nga meritat e trajnerit italian është se ka filluar ta njohë futbollin shqiptar dhe lojtarët që ka në dispozicion, të cilët mund të ndihmojnë shumë në këtë Kombëtare. Pra, De Biazi po u merr maksimumin”, – ka shtuar ai. I pyetur se kush nga lojtarët i bëri më shumë përshtypje gjatë ndeshjes, Bajko u përgjigj: “Nuk dua të bëj dallime. Kur luhet në mënyrë kolektive dhe atëherë kur zbatohen detyrat e luhet një futboll i ndershëm me të gjitha vlerat që ke si ekip, atëherë çdo gjë është e mundshme për të marrë rezultatin maksimal”.
E ardhmja - Në lidhje me të ardhmen e skuadrës, ish-trajneri ndër të tjera deklaroi se shanset janë reale, por Shqipëria duhet të qëndrojë me këmbë në tokë. “Tashmë fillon më e vështira për ne si ekip, por duhet studiuar çdo ndeshje që vjen, pasi nuk do të jetë e lehtë. Që në fillim të edicionit, kur ne kishim njohur kundërshtarët në grup, mendimi im ka qenë se Shqipëria duhet të tentonte për të arritur diçka më pozitive se çdo edicion tjetër. Ne tashmë do të luajmë ndeshjen e radhës në grup, sërish ndaj Norvegjisë. Do të jetë sigurisht më e vështirë, por nuk mund të them tashmë se çfarë duhet të bëjë Shqipëria për të arritur një tjetër fitore. E thashë më lart, është një moment delikat dhe tani nis e vështira për ne”, – ka përfunduar ish-trajneri i Partizanit.
“Shqipëri e etur, De Biazi më befasoi me… aventurën”
Bejkush Birçe e shikon Shqipërinë të etur për suksese, ndërkohë që vlerëson së tepërmi trajneri Xhani De Biazi. “Sigurisht që nuk ishte një fitore e zakonshme. Kishim përballë një skuadër, e cila ka një histori deri diku të lavdishme në futbollin europian. Për ne është natyrisht një sukses i madh, por mendoj se e merituam fitoren me atë rezultat. Mund të luash shkëlqyeshëm, por nuk arrin dot te fitorja. Ky ishte ndryshimi këtë herë, pasi bëmë atë që na mungonte në ndeshje të tilla delikate. Ishte një triumf që në opinionin sportiv ndërkombëtar e zvogëlon distancën që ne kemi pasur me ekipet e tjera në Europë. Kjo është shumë e rëndësishme për një Kombëtare si e jona”, – u shpreh fillimisht ish-trajneri.
Surpriza - “Ajo që më befasoi ishte aventura e De Biazit, i cili e ushqeu skuadrën me moral dhe psikologji të lartë përpara ndeshjes. Ai deklaroi hapur se kërkonte tri pikë dhe jo një. Kjo në njëfarë mënyre e karikoi shumë ekipin, duke ndikuar direkt në moralin e lojtarëve. Ishte një aventurë që vlejti dhe personalisht më befasoi, pasi De Biazi foli i bindur në prag të ndeshjes dhe kjo për trajnerët nuk ndodh shpesh. Ana taktike dhe vendosja që ai i bëri skuadrës ishte shumë e mirë. Ekipi m’u duk kompakt dhe kishte stabilitet në lojë. Gjithçka u duk që në minutat e para ndaj Norvegjisë, sepse Kombëtarja u fut me shumë besim në fushë. Ishte mjaft e rëndësishme që ne nuk patëm frikë nga humbja”, – ka vazhduar Birçe. Ish-trajneri kuqezi në fillim të viteve `90-të, i pyetur për lojtarin që i bëri më shumë përshtypje, deklaroi: “Salihi është nga ata që bën diferencën. Nuk e them këtë ngaqë ai shënoi, por realisht ky sulmues mund të qëndrojë gjatë pa e prekur topin, mirëpo në momentet decizive të ndeshjes të nderon”.
Vazhdimësia - “Unë shikoj një Shqipëri të etur për fitore. Megjithatë, është një moment që ne duhet të kemi sa më shumë lojtarë në dispozicion, në mënyrë që edhe trajnerit t’i thjeshtohen zgjedhjet. Mund të gjendemi përballë një problemi, nëse ndodh fenomeni i Kosovës dhe na largohen disa futbollistë. Megjithatë, është momenti që skuadra të qëndrojë larg euforisë, sepse me një humbje të zbehet gjithçka. Realisht i kemi mundësitë për ta mbyllur në një vend nderi. Për të folur rreth kualifikimit, mendoj se na duhet shumë për të shkuar deri atje. Aktualisht jemi në valle, por duhet të dredhim shaminë”, – përfundoi 69-vjeçari, i cili aktualisht është anëtar i Komisionit të Etikës në FSHF.
“Fitorja më e bukur në transfertë”
Legjenda e futbollit vlonjat, Sokol Kushta, ka bërë një koment në rrjetin social “Facebook” në lidhje me fitoren e Kombëtares, duke u shprehur i emocionuar. Ai vlerëson skemën dhe guximin e trajnerit De Biazi, i cili luajti për ta fituar sfidën dhe ia doli mbanë: “Për mua kjo është fitorja më e bukur që ka bërë kombëtarja jonë jashtë Shqipërisë. Përgëzime trajnerit për rinovimin dhe taktiken që hodhi, guximi dhe kuraja u duk që në fillim, kur trajneri tha se ne do sulmojmë dhe kemi ardhur për fitore. Me këtë ekip neve na ndëshkon vetëm euforia dhe mendjemadhësia jonë. Duhet të besojmë se suksesi është shumë afër tani”, – shkruan Kushta.
JORGIS MEMO
Kuqezinjtë, 5 mijë euro premio për kokë
Futbollistët e Kombëtares shqiptare pritet të marrin një shpërblim të majmë pas triumfit shumë të rëndësishëm në Oslo kundër Norvegjisë. FSHF po mendon që të japë një premio të madhe për kuqezinjtë, duke i motivuar ata edhe më shumë për ndeshjet e ardhshme. Shuma që pritet të akordohet si shpërblim për ekipin kuqezi është afro 5 mijë euro për secilin.
Vendimi Menjëherë pas ndeshjes kuqezinjtë, stafi dhe zyrtarë të FSHF-së kanë festuar së bashku për minuta të tëra. Më pas është diskutuar ndërmjet krerëve të federatës edhe shpërblimi për suksesin e arritur ndaj vikingëve. Sipas një vendimi të miratuar vite më parë nga Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së, lojtarët shqiptarë shpërblehen me nga 3 mijë euro secili për fitoret e arritura në ndeshjet kualifikuese. Ka pasur raste kur shpërblimi në të kaluarën ka qenë edhe 5 mijë euro. E sigurt është që futbollistët do të marrin premion prej tre mijë eurosh nga federata, por drejtuesit e institucionit të futbollit pritet të akordojnë një shpërblim special , për ta mbajtur skuadrën të karikuar.
De Biazi Trajneri italian ka dhënë sinjale të qarta se ka dëshirë të rinovojë me Shqipërinë, por nëse skuadra ecën me këto ritme, atëherë duhet riparë edhe kontrata financiare. Gjithsesi, mbetet për t’u parë pjesa e dytë e edicionit të Kombëtares sonë, sepse shpesh kuqezinjtë kanë pasur një start mbresëlënës, por më pas kanë zhgënjyer duke mos arritur të mbajnë ritmin.
Qipro ndal Zvicrën, “luftë” për dy vende në Grupin E
Zvicra e trajnerit Otmar Hicfeld është ndalur në një barazim pa gola në Qipro. Kryesuesit e Grupit E, ku bën pjesë edhe Shqipëria, nuk kanë mundur dot të bëjnë një hap të madh për t’u shkëputur me 4 pikë nga vendi i dytë. Ishullorët kanë luajtur mirë, madje kanë pasur mundësi edhe për ta fituar takimin. Rastet për qipriotët nuk kanë munguar, por Hristofi, Theofilu dhe Efraim në fund nuk janë treguar të saktë përballë portierit Somer. Një mundësitë artë ka pasur edhe kosovari i Zvicrës, Xherdan Shaqiri, por pa mundur ta konkretizojë në gol. Fantazisti që luan për Bajernin e Mynihut ka luajtur për 90 minuta, ndërsa kosovari tjetër Valon Behrami, edhe pse ishte titullar, u zëvendësua në minutën e 76-të. Nga ana tjetër, mesfushori Granit Xhaka e nisi nga stoli, për t’u aktivizuar më pas në fillimin e pjesës së dytë. Lojtarët e tjerë me origjinë shqiptare, Blerim Xhemaili dhe Admir Mehmedi, nuk u aktivizuan nga Hicfeld. Pas këtij barazimi, gjithçka në Grupin E është e hapur për vendin e parë. Zvicra kryeson e vetme me 11 pikë, ndërsa e ndjekin Shqipëria dhe Islanda me nga 9 pikë. Ndeshjet e radhës që do të luhen më 7 dhe 8 qershor të këtij viti janë: Islandë-Slloveni, Shqipëri-Norvegji dhe Zvicër-Qipro. Pas 5 takimeve të para “lufta” është bërë e madhe dhe thuajse të gjitha skuadrat kanë shanse për të qenë në fund mes dy vende të para në renditje.

Rekordi i Brigelit, mes reales dhe fiktivesSqarim për trajnerët shqiptarë
Luanim kualifikimet e Botërorit 2006. Starti ndaj kampiones së Europës, Greqisë, me një fitore mbresëlënëse na bëri të ëndërrojmë, aq sa për herë të parë në atë periudhë belbëzuam fjalën kualifikim. Por vetëm katër ditë më pas, ishte një skuadër si Gjeorgjia që na mundte bindshëm në fushën e vet duke na ulur me këmbë në tokë. Natyrisht, në fund të atyre kualifikimeve nuk shkuam në Botëror, por gjermani arriti të thyente një rekord pikësh të grumbulluara në një edicion, çka deri tani realisht nuk e ka arritur askush. Kuqezinjtë renditeshin në vendin e 5-të me 13 pikë: katër fitore, një barazim dhe shtatë humbje. Por ama duhet theksuar se në atë periudhë Shqipëria ishte në një grup me 7 skuadra, pra kishte në dispozicion 2 ndeshje më shumë për të luajtur dhe njëkohësisht dy skuadra më të dobëta: Kazakistanin dhe Gjeorgjinë, ndaj askush nuk mund të mos e marrë të mirëqenë faktin se, edhe nëse Bariç, Kuzhe apo tanimë De Biazi, do kishin dy ndeshje më shumë në dispozicion, nuk do mund të arrinin apo parakalonin këtë kuotë pikësh. Në këtë këndvështrim, rekordi “Brigel” ha diskutim.

Miqësorja, me Lituaninë do provohet Mavraj-Curri“Fitore e De Biazit, na nderoi edhe mbrojtja”
Xhani de Biazi do e shfrytëzojë miqësoren kundër Lituanisë për të bërë prova para sfidës së radhës me norvegjezët. Trajneri i Shqipërisë do përballet me tri mungesa të rëndësishme si Roshi, Lila dhe Cana. Në fakt, ai do fokusohet më tepër te qendra e mbrojtjes, duke provuar dyshen Curri-Mavraj. Sa i përket kapitenit kuqezi, mund të aktivizohet një pjesë loje, ose në pozicion tjetër. Ndërkohë do të ketë eksperimente edhe për krahët e lojës, duke qenë se edhe Roshi e Lila janë përdorur si mesfushorë në ndeshjen e fundit. Gjithsesi ndaj Lituanisë De Biazi pritet të aktivizojë thuajse të gjithë lojtarët që nuk gjetën hapësira në ndeshjen e së premtes kundër Norvegjisë.
Mungon Salihi, u nis direkt për në Kinë
Hamdi Salihi e kreu me sukses misionin e tij në Kombëtare, duke vulosur fitoren në një ndeshje historike. Mirëpo, ai nuk do jetë në dispozicion të De Biazit për miqësoren e ardhshme, pasi është nisur menjëherë drejt Kinës. Sulmuesi shkodran nuk udhëtoi me ekipin përfaqësues nga Oslo për në Shqipëri, por vendosi të rikthehet te klubi ku aktivizohet. Në fakt, për hir të rrugës së gjatë dhe kalendarit, ai e kishte të pamundur që të ishte në dispozicion për këtë sfidë, çka trajneri De Biazi e cilëson si më se të justifikueshme.
“Një fitore për meritë të Xhani De Biazit”. Katër ish-trajnerë të Kombëtares shqiptare ndër vite vlerësojnë maksimalisht kreun aktual të pankinës kuqezi për triumfin historik që Shqipëria arriti të premten në Norvegji. Astrit Hafizi, Sulejman Demollari, Neptun Bajko dhe Bejkush Birçe kanë analizuar dje për “Panorama Sport” ndeshjen ndaj nordikëve, si dhe kanë folur për të ardhmen e Kombëtares. Të gjithë janë në unison për sa i përket përgatitjes që i bëri këtij takimi trajneri De Biazi. Madje ka edhe nga ata, të cilët e quajnë guximin e italianit gati aventuresk për të marrë tri pikë ndaj një ekipi si Norvegjia në transfertë. Nga emra si Hafizi dhe Bajko, elozhe bëhen veçanërisht për mënyrën se si kuqezinjtë u mbrojtën në këtë transfertë. “Në aspektin mbrojtës skuadra është më mirë se në sulm”, – ka thënë Hafizi, i cili vuri në dukje edhe mungesën e një organizatori të mirëfilltë në Kombëtare, që mund t’u jepte një impuls më shumë kuqezinjve. Për Demollarin, heroi i ndeshjes ishte portieri Etrit Berisha, që me pritjet e tij u bë vendimtar. Këtë mendim ka edhe Hafizi, por gjithashtu dy ish-trajnerëve u ka pëlqyer loja në debutim e mesfushorit kosovar, Migjen Basha. “Edhe pse ndeshja e parë për të, ai në pjesën e dytë tregoi se ishte vërtet një lojtar cilësor, që do të na bëjë shumë punë”, – thonë ata. Ndërsa për Birçen më i vlerësuari është sulmuesi Hamdi Salihi që, sipas ish-trajnerit, bën diferencën në rolin e vet. Në lidhje me vazhdimësinë dhe ëndrrën për një kualifikim të mundshëm në Botërorin 2014, të katërt ish-krerët e pankinës kuqezi janë të përmbajtur. Megjithatë, ata besojnë se këtë herë, më shumë se çdo edicion tjetër, Shqipëria ka shanse reale për ta mbyllur në një vend nderi. “Ky është një grup që ka diferenca të vogla dhe çdo rezultat është i mundshëm. Kemi shanse reale, duhet të guxojmë”, – shprehen njëzëri njerëzit që njohin shumë mirë ekipin kuqezi.
“Më pëlqeu loja e Bashës, në mbrojtje jemi më mirë”
Astrit Hafizi, trajneri që ka drejtuar Kombëtaren kuqezi në vitet 1996-1999, e cilësoi fitoren në Norvegji si super të merituar. “U realizua një ndeshje e llogaritur shumë mirë nga Kombëtarja jonë. Shfrytëzuam disa dobësi të kundërshtarit, që nuk e kishte organizuar mirë lojën. Në përgjithësi u zhvillua një lojë që na erdhi përshtat. Aplikimi i topave të gjatë nga norvegjezët bëri që mbrojtja jonë ta kishte shumë më të lehtë për t’i përballuar sulmet e tyre. Dyluftimet në ajër thuajse i fituam të gjitha, por diferencën e bëri momenti i Salihit, që u shfrytëzua në maksimum. Goli ishte perfekt për nga mënyra e realizimit. Ka qenë një skemë e llogaritur dhe në total mund t’ju them se merituam tri pikët në një ndeshje ku luajtëm më mirë se Norvegjia. Do të luajmë sërish ndaj tyre dhe unë jam i bindur se ata këtë herë do të jenë të rrezikshëm. Është nga ato ndeshje që duhet pasur shumë kujdes, pasi atë që bëmë ne në Norvegji, mund ta bëjë këtë herë në Shqipëri kundërshtari”, – ka thënë fillimisht Hafizi.
Repartet - “Në aspektin mbrojtës skuadra më është dukur më mirë se sa në atë sulmues. Pra, mendoj se jemi më të disiplinuar dhe më luftarak në mbrojtje si ekip. E vetmja rezervë që kam, është se ne duhet të fitojmë më tepër dyluftime ndaj kundërshtarëve. Po ta bëjmë këtë, sigurisht që do të jemi edhe më mirë. Gjithsesi, unë mendoj se pikën më të fortë e kemi në mbrojtje. Mungesa e një lojtari organizator, që merr përsipër lojën tonë, bën që të mos jemi në nivelin e duhur në sulm”.
Befasia - “Në pjesën e dytë më bëri shumë përshtypje loja e Bashës. Edhe pse ne si skuadër nuk ishim në nivelin e 45 minutave të para, më pëlqeu loja e tij. M’u duk një futbollist shumë i sigurt sa herë që prekte topin, por të mos harrojmë se ishte vetëm ndeshja e parë e tij. Mendoj se është një lojtar interesant, që do t’i shërbejë ekipit kombëtar. Nuk dua të lë jashtë portierin Berisha, i cili ishte vendimtar në Norvegji”.
Kualifikimi - “Duke parë kundërshtarët që kemi në grup, përjashto deri-diku Zvicrën, diferencat janë minimale, për të mos thënë që nuk ka mes skuadrave. Është momenti që Kombëtarja jonë tashmë të guxojë dhe të pretendojë për të ruajtur vendin e dytë. Shanset janë reale dhe ne duhet t’i shfrytëzojmë në maksimum dobësitë e kundërshtarëve. Duhet të pranojmë se nuk kemi një Norvegji të jashtëzakonshme apo Slloveni të viteve të shkuara, ndërkohë që Islanda është ekipi që po tregon rritje. Gjithsesi, edhe vendi i tretë në grup mendoj se është një arritje e madhe e ekipit tonë”.
“Berisha heroi i ndeshjes, një bravo për trajnerin”
Për Sulejman Demollarin, trajnerin që ka drejtuar për një periudhë të shkurtër kuqezinjtë, në Norvegji u duk më shumë se kurrë dora e italianit De Biazi. “Përgatitja e ndeshjes ishte në maksimum nga trajneri De Biazi. Këtu dua të fus edhe ekzekutimin super të shënimit të golit, që sigurisht është provuar disa herë në stërvitje. Këtë herë, ndryshe nga ndeshjet e kaluara, Kombëtarja u paraqit me një kompaktësi dhe organizim shumë të mirë, duke e merituar plotësisht fitoren. Ishte nga ato ndeshje ku u duk veçanërisht dora e trajnerit. Gjithçka ishte përgatitur deri në detaje nga stafi teknik, ndërkohë që lojtarët i zbatuan në fushë idetë e De Biazit. Kjo është shumë e rëndësishme, pasi Kombëtarja këtë herë tregoi edhe agresivitet në lojën e saj, por gjithashtu edhe ritëm. Nga ana tjetër ne rrezikuam jo pak herë edhe portën. Për mua arkitekt i kësaj loje ishte pa dyshim De Biazi me udhëzimet e tij”, – është shprehur Demollari, i cili ka qenë një futbollist i shquar i Kombëtares në vitet 1983-1995.
Lojtarët – “Më bëri përshtypje Basha, për të cilin ishte hera e parë që luante me fanellën e Kombëtares. Ishte një lojtar që rikuperonte mjaft mirë topat nga kundërshtari. Ai u tregua i saktë edhe në pasime, veçanërisht në pjesën e dytë, ku gaboi shumë pak. Kuptohet, në një ndeshje do të ketë edhe gabime. Gjithashtu dua të vlerësoj portierin Berisha, si heroin e ndeshjes në Norvegji. Dy raste ishin flagrante për të barazuar rezultatin kundërshtari, por ai tregoi cilësi”.
Shanset - “Tashmë shanset janë të mëdha. Që të pretendosh kualifikimin në Botëror, sigurisht që duhet të fitosh ndeshje në transfertë, jo vetëm brenda fushës tënde. Ne tashmë ia arritëm të bënim një hap të tillë dhe për hir të së vërtetës duhet të pretendojmë për të ruajtur vendin e dytë. Gjithsesi, nuk duhet të kalojmë në vetëkënaqësi, pasi ashtu si fituam, mund të humbim”.
Vazhdimësia - “Duhet vlerësim maksimal. Ashtu si u përgatit ndeshja në Norvegji, të përgatitet edhe ajo e kthimit. Mendoj se do të jetë më e vështirë, por ne duhet të provojmë shanset tona. Lojtarët duhet të jenë të ndërgjegjshëm se vetëm duke dhënë maksimumin ne mund të ëndërrojmë. Ka ardhur një moment që ne të shfrytëzojmë këtë shans të madh që po na paraqitet. Jemi në një grup ku nuk ka skuadra që bëjnë diferencë dhe çdo rezultat është i mundshëm ndaj kujtdo kundërshtari. Kjo u konfirmua edhe të premten, kur Norvegjia tregoi se nuk kishte asgjë më shumë nga ne. Është momenti të tregohemi pragmatistë”.
“Fituam se u mbrojtëm mirë, por tani nis më e vështira”
Taktika e ndjekur nga trajneri De Biazi bëri që Shqipëria të dilte me tri pikë nga Oslo. I këtij mendimi është edhe ishtekniku i kuqezinjve, Neptun Bajko, i cili e vlerëson skuadrën veçanërisht në aspektin mbrojtës. “U luajt një futboll i drejtë dhe mendoj se e merituam fitoren, duke llogaritur këtu pluset dhe minuset e çdo lojtari. Ishte një ndeshje që tregoi se kur luhet me disiplinë, zbaton detyrat e trajnerit dhe je i përqendruar gjatë gjithë 90 minutave, në fund rezultati nuk mungon. Këtë bëmë në Norvegji dhe prandaj çdo gjë foli mirë për skuadrën tonë. Një nga vlerat e kësaj ndeshjeje ishte se ekipi kombëtar iu përshtat shumë mirë terrenit dhe luajti thjesht. Mbi të gjitha dhe më e rëndësishme ishte fakti që skuadra luajti shumë mirë në aspektin mbrojtës”, – ka thënë trajneri 64-vjeçar, i cili u vendos në krye të pankinës kuqezi në vitin 1994.
Vlerësimi - Më tej, Bajko vlerëson trajnerin italian. “Ashtu siç morën vlera lojtarët për paraqitjen që bënë, edhe trajneri De Biazi ka pa diskutim meritën e tij të madhe në këtë fitore. Personalisht mendoj se një nga meritat e trajnerit italian është se ka filluar ta njohë futbollin shqiptar dhe lojtarët që ka në dispozicion, të cilët mund të ndihmojnë shumë në këtë Kombëtare. Pra, De Biazi po u merr maksimumin”, – ka shtuar ai. I pyetur se kush nga lojtarët i bëri më shumë përshtypje gjatë ndeshjes, Bajko u përgjigj: “Nuk dua të bëj dallime. Kur luhet në mënyrë kolektive dhe atëherë kur zbatohen detyrat e luhet një futboll i ndershëm me të gjitha vlerat që ke si ekip, atëherë çdo gjë është e mundshme për të marrë rezultatin maksimal”.
E ardhmja - Në lidhje me të ardhmen e skuadrës, ish-trajneri ndër të tjera deklaroi se shanset janë reale, por Shqipëria duhet të qëndrojë me këmbë në tokë. “Tashmë fillon më e vështira për ne si ekip, por duhet studiuar çdo ndeshje që vjen, pasi nuk do të jetë e lehtë. Që në fillim të edicionit, kur ne kishim njohur kundërshtarët në grup, mendimi im ka qenë se Shqipëria duhet të tentonte për të arritur diçka më pozitive se çdo edicion tjetër. Ne tashmë do të luajmë ndeshjen e radhës në grup, sërish ndaj Norvegjisë. Do të jetë sigurisht më e vështirë, por nuk mund të them tashmë se çfarë duhet të bëjë Shqipëria për të arritur një tjetër fitore. E thashë më lart, është një moment delikat dhe tani nis e vështira për ne”, – ka përfunduar ish-trajneri i Partizanit.
“Shqipëri e etur, De Biazi më befasoi me… aventurën”
Bejkush Birçe e shikon Shqipërinë të etur për suksese, ndërkohë që vlerëson së tepërmi trajneri Xhani De Biazi. “Sigurisht që nuk ishte një fitore e zakonshme. Kishim përballë një skuadër, e cila ka një histori deri diku të lavdishme në futbollin europian. Për ne është natyrisht një sukses i madh, por mendoj se e merituam fitoren me atë rezultat. Mund të luash shkëlqyeshëm, por nuk arrin dot te fitorja. Ky ishte ndryshimi këtë herë, pasi bëmë atë që na mungonte në ndeshje të tilla delikate. Ishte një triumf që në opinionin sportiv ndërkombëtar e zvogëlon distancën që ne kemi pasur me ekipet e tjera në Europë. Kjo është shumë e rëndësishme për një Kombëtare si e jona”, – u shpreh fillimisht ish-trajneri.
Surpriza - “Ajo që më befasoi ishte aventura e De Biazit, i cili e ushqeu skuadrën me moral dhe psikologji të lartë përpara ndeshjes. Ai deklaroi hapur se kërkonte tri pikë dhe jo një. Kjo në njëfarë mënyre e karikoi shumë ekipin, duke ndikuar direkt në moralin e lojtarëve. Ishte një aventurë që vlejti dhe personalisht më befasoi, pasi De Biazi foli i bindur në prag të ndeshjes dhe kjo për trajnerët nuk ndodh shpesh. Ana taktike dhe vendosja që ai i bëri skuadrës ishte shumë e mirë. Ekipi m’u duk kompakt dhe kishte stabilitet në lojë. Gjithçka u duk që në minutat e para ndaj Norvegjisë, sepse Kombëtarja u fut me shumë besim në fushë. Ishte mjaft e rëndësishme që ne nuk patëm frikë nga humbja”, – ka vazhduar Birçe. Ish-trajneri kuqezi në fillim të viteve `90-të, i pyetur për lojtarin që i bëri më shumë përshtypje, deklaroi: “Salihi është nga ata që bën diferencën. Nuk e them këtë ngaqë ai shënoi, por realisht ky sulmues mund të qëndrojë gjatë pa e prekur topin, mirëpo në momentet decizive të ndeshjes të nderon”.
Vazhdimësia - “Unë shikoj një Shqipëri të etur për fitore. Megjithatë, është një moment që ne duhet të kemi sa më shumë lojtarë në dispozicion, në mënyrë që edhe trajnerit t’i thjeshtohen zgjedhjet. Mund të gjendemi përballë një problemi, nëse ndodh fenomeni i Kosovës dhe na largohen disa futbollistë. Megjithatë, është momenti që skuadra të qëndrojë larg euforisë, sepse me një humbje të zbehet gjithçka. Realisht i kemi mundësitë për ta mbyllur në një vend nderi. Për të folur rreth kualifikimit, mendoj se na duhet shumë për të shkuar deri atje. Aktualisht jemi në valle, por duhet të dredhim shaminë”, – përfundoi 69-vjeçari, i cili aktualisht është anëtar i Komisionit të Etikës në FSHF.
“Fitorja më e bukur në transfertë”
Legjenda e futbollit vlonjat, Sokol Kushta, ka bërë një koment në rrjetin social “Facebook” në lidhje me fitoren e Kombëtares, duke u shprehur i emocionuar. Ai vlerëson skemën dhe guximin e trajnerit De Biazi, i cili luajti për ta fituar sfidën dhe ia doli mbanë: “Për mua kjo është fitorja më e bukur që ka bërë kombëtarja jonë jashtë Shqipërisë. Përgëzime trajnerit për rinovimin dhe taktiken që hodhi, guximi dhe kuraja u duk që në fillim, kur trajneri tha se ne do sulmojmë dhe kemi ardhur për fitore. Me këtë ekip neve na ndëshkon vetëm euforia dhe mendjemadhësia jonë. Duhet të besojmë se suksesi është shumë afër tani”, – shkruan Kushta.
JORGIS MEMO
Kuqezinjtë, 5 mijë euro premio për kokë
Futbollistët e Kombëtares shqiptare pritet të marrin një shpërblim të majmë pas triumfit shumë të rëndësishëm në Oslo kundër Norvegjisë. FSHF po mendon që të japë një premio të madhe për kuqezinjtë, duke i motivuar ata edhe më shumë për ndeshjet e ardhshme. Shuma që pritet të akordohet si shpërblim për ekipin kuqezi është afro 5 mijë euro për secilin.
Vendimi Menjëherë pas ndeshjes kuqezinjtë, stafi dhe zyrtarë të FSHF-së kanë festuar së bashku për minuta të tëra. Më pas është diskutuar ndërmjet krerëve të federatës edhe shpërblimi për suksesin e arritur ndaj vikingëve. Sipas një vendimi të miratuar vite më parë nga Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së, lojtarët shqiptarë shpërblehen me nga 3 mijë euro secili për fitoret e arritura në ndeshjet kualifikuese. Ka pasur raste kur shpërblimi në të kaluarën ka qenë edhe 5 mijë euro. E sigurt është që futbollistët do të marrin premion prej tre mijë eurosh nga federata, por drejtuesit e institucionit të futbollit pritet të akordojnë një shpërblim special , për ta mbajtur skuadrën të karikuar.
De Biazi Trajneri italian ka dhënë sinjale të qarta se ka dëshirë të rinovojë me Shqipërinë, por nëse skuadra ecën me këto ritme, atëherë duhet riparë edhe kontrata financiare. Gjithsesi, mbetet për t’u parë pjesa e dytë e edicionit të Kombëtares sonë, sepse shpesh kuqezinjtë kanë pasur një start mbresëlënës, por më pas kanë zhgënjyer duke mos arritur të mbajnë ritmin.
Qipro ndal Zvicrën, “luftë” për dy vende në Grupin E
Zvicra e trajnerit Otmar Hicfeld është ndalur në një barazim pa gola në Qipro. Kryesuesit e Grupit E, ku bën pjesë edhe Shqipëria, nuk kanë mundur dot të bëjnë një hap të madh për t’u shkëputur me 4 pikë nga vendi i dytë. Ishullorët kanë luajtur mirë, madje kanë pasur mundësi edhe për ta fituar takimin. Rastet për qipriotët nuk kanë munguar, por Hristofi, Theofilu dhe Efraim në fund nuk janë treguar të saktë përballë portierit Somer. Një mundësitë artë ka pasur edhe kosovari i Zvicrës, Xherdan Shaqiri, por pa mundur ta konkretizojë në gol. Fantazisti që luan për Bajernin e Mynihut ka luajtur për 90 minuta, ndërsa kosovari tjetër Valon Behrami, edhe pse ishte titullar, u zëvendësua në minutën e 76-të. Nga ana tjetër, mesfushori Granit Xhaka e nisi nga stoli, për t’u aktivizuar më pas në fillimin e pjesës së dytë. Lojtarët e tjerë me origjinë shqiptare, Blerim Xhemaili dhe Admir Mehmedi, nuk u aktivizuan nga Hicfeld. Pas këtij barazimi, gjithçka në Grupin E është e hapur për vendin e parë. Zvicra kryeson e vetme me 11 pikë, ndërsa e ndjekin Shqipëria dhe Islanda me nga 9 pikë. Ndeshjet e radhës që do të luhen më 7 dhe 8 qershor të këtij viti janë: Islandë-Slloveni, Shqipëri-Norvegji dhe Zvicër-Qipro. Pas 5 takimeve të para “lufta” është bërë e madhe dhe thuajse të gjitha skuadrat kanë shanse për të qenë në fund mes dy vende të para në renditje.
No comments:
Post a Comment