Friday, March 29, 2013

Ja pse Shqiperia nuk eshte per botror...

Le ta shijojmë këtë Kombëtare, por të mos e vëmë nën presion të vazhdueshëm, duke i kërkuar një gjë që vetëm e kemi ëndërruar. I këtij mendimi është ishkapiteni kuqezi, Rudi Vata, i cili ka bërë një analizë të dy ndeshjeve të fundit, duke folur me superlativa sa për lojtarët dhe për trajnerin De Biazi. Gjithsesi, në intervistën dhënë “Panorama Sport”, Vata thekson se është ende herët që t’i kërkosh këtij ekipi kualifikimin në Botëror, në një kohë kur në gjithë historinë e vet ka qenë gjithnjë në vend të fundit apo të parafundit dhe jo më larg se një vit më parë u mund nga një skuadër modeste sikundër është Luksemburgu.

Ç’mund të na thoni për dy ndeshjet e fundit të Kombëtares?
Fjalët më të mira për këtë Kombëtare. Të fitosh në Norvegji nuk është aspak e lehtë, madje deri para pak kohësh ishte gati utopike. Dhe natyrisht edhe loja që bëmë në miqësoren me Lituaninë ishte goxha e bukur, çka të bën të besosh te kjo skuadër. Unë mendoj se fitorja në Oslo ishte një surprizë e bukur, pasi për të qenë i sinqertë nuk e shikoja Kombëtaren tonë ashtu sikundër shumica e njerëzve besoj, favorite. Por më vjen mirë që kam gabuar. Dhe jemi në rrugë të mbarë drejt një kompeticioni, të cilit pak nga pak po ia gërmëzojmë emrin gjithnjë e më shumë.
E keni fjalën për Botërorin?
Sigurisht, por për të shkuar deri atje na duhet akoma shumë, shumë punë, e natyrisht edhe pak fat, pasi unë gjykoj që ashtu si ne edhe Islanda me Norvegjinë nuk do të dorëzohen lehtë dhe do kërkojnë kualifikimin.
Mendoni se ndeshja me Norvegjinë dhe Islandën do jenë vendimtaret?
Po, e them me bindje se ato janë ndeshjet më të rëndësishme, por kjo s’do të thotë që duhet të humbim takimet e tjera. Gjykoj se do të jenë dy ndeshje nervash më së shumti, ku duhet shumë kujdes. Duhet qetësi në Kombëtare. Duhet disiplinë, mbështetje e siguri. Përreth ekipit nuk duhet t’i mëshojmë shumë idesë së fitores, pra ta vëmë nën presion. Dhe natyrisht na duhet një stërvitje e mirë dhe modul taktik i gjetur, ku këtu besoj se De Biazi është goxha ekspert.
Besoni se kjo Shqipëri mund të kualifikohet?
Shiko, nëse e gjykon sot, duke fshirë sadopak të shkuarën, qoftë edhe atë të afërt, atëherë ke gjithë të drejtën e Zotit për ta besuar dhe kërkuar një gjë të tillë. Por, sinqerisht, ne nuk jemi gati për në Botëror. Mos harroni se vetëm një vit më parë ne na mundte një skuadër më se modeste si Luksemburgu dhe renditeshim të parafundit në grupin tonë. Pra, midis asaj kohe të afërt dhe kësaj të tanishmes ekziston një lloj distance e madhe në rezultate, e cila nga njëra anë na bën të ëndërrojmë e besojmë, por nga ana tjetër na bën të ndërgjegjshëm për ata që jemi realisht dhe mundësitë që kemi.
E megjithatë, ju besoni se ky grup lojtarësh mund të bëjë një edicion më të mirë?
Ky grup e ka bërë tashmë një edicion të tillë, ndonëse jemi akoma në mes. Fatmirësisht, Kombëtarja është e përbërë nga më së shumti lojtarë që luajnë në klubet europiane dhe shumë pak nga kampionati shqiptar. Dhe është e kuptueshme, sepse këta të fundit e sigurt që nuk do mund t’i arrinin këto rezultate. Në këtë kontekst, Kombëtarja duket se jeton në një realitet tjetër, i ndarë nga futbolli vendës. Ka lojtarë profesionistë, pjesa më e madhe e të cilëve janë edukuar në klube të ndryshme në Europë, ndaj mendoj se në këtë aspekt jemi fatmirësisht të favorizuar ne, por edhe De Biazi.
Kjo është edhe meritë e De Biazit, apo jo?
Nuk e di këtë gjë, pasi nuk jam në brendësi të ekipit kombëtar, por nga jashtë e vlerësoj këtë skuadër si mjaft pozitive. Kemi gjetur stabilitet në portë. Nuk pësojmë gola naivë dhe mbrojtja është stabël. Mesfusha është shumë më e organizuar dhe sulmuesit shënojnë më me lehtësi.
Dakord, por pse nuk janë thirrur më parë sipas jush në Kombëtare?
Për këtë duhet pyetur ish-trajneri. Gjithsesi, duke lënë pas të shkuarën, mendoj se duhen falënderuar edhe ata lojtarë nga Kosova që kanë shprehur haptazi dëshirën dhe kanë dashur të luajnë vetëm për Shqipërinë.
Kalojmë te De Biazi, si e vlerësoni punën e tij?
Një profesionist i vërtetë. Një person i zgjuar, që diti të futet shumë shpejt në kabinetin shqiptar. Të kuptojë se si funksionon dhe të lëvizë me një profesionalizëm që të imponon respekt. Është inteligjent dhe si një italian, ka njohuri të jashtëzakonshme mbi gjithçka që ndodh rreth ekipit të tij, aq sa merret edhe me detajet më të vogla.
De Biazit i përfundon kontrata në fund të këtij viti…
Mendoj se federata duhet t’ia rinovojë sa më shpejt që të jetë e mundur. Mendoj se me punën që ka bërë, me grupin që ka ngritur, ai duhet të lihet të punojë edhe më tej për kualifikimet e Europianit 2016.
MavrajMavraj e konfirmon: Do iki nga Grojter Fyrthi
Mërgim Mavraj do largohet nga Grojter Fyrthi në fund të këtij sezoni. Lajmin e ka konfirmuar vetë lojtari në një prononcim dhe të përditshmes kosovare “Zëri”, ku ai thekson se me rënien e kësaj skuadre në Kategorinë e Dytë, ai do shikojë menjëherë një ekip tjetër ku të vazhdojë karrierën e tij. Sakaq, mbrojtësi i Kombëtares shqiptare nuk ka dhënë emra skuadrash, edhe pse opsionet për të janë të shumta, duke filluar që nga Bundesliga gjermane, Seria A, Primera Division, si dhe kampionati turk. “Ka pak gjasa, ose më mirë të them nuk ka asnjë që, pas këtij sezoni, të mbetem te Grojter Fyrthi. Vendimi është definitiv dhe do largohem nga kjo skuadër, pasi nuk besoj se do ketë ndonjë ndryshim në renditjen e saj deri në përfundim të sezonit”, – tha Mavraj.
Tratativat - Mavraj, i cili cilësohet si njëri nga mbrojtësit më cilësorë të Bundesligës, shprehet se nuk e ka të vështirë ndarjen me ekipin e tij, pasi në adresë të tij kanë ardhur shumë oferta, madje edhe nga disa ligat më të forta, përfshirë këtu Spanjën, Italinë dhe natyrisht Gjermaninë. “Kemi tentuar disa herë që të vazhdojmë bashkëpunimin, por nuk ka më asnjë arsye që të më lidh me Grojter Fyrthin. Vendimi erdhi për shkak se ekipi, me shumë siguri, do bjerë nga kategoria dhe sezonin tjetër do luajë në Bundesligën 2. Jam në një pozicion ku mund t’i zgjedh ofertat, pasi e kam këtë mundësi. Do të mendoj mirë e mirë para se të vendos dhe gjej zgjidhjen me të mirë për veten”, – shtoi Mavraj, i cili kaloi te Grojter Fyrthi nga VfL Bokum në vitin 2011. “Në këtë moment nuk mund të përmend emra të ekipeve ku mund të vazhdoj karrierën, edhe pse i di ato. Më mirë është t’i mbaj sekret. Megjithëse mund t’ju them se ato vijnë nga Gjermania, Italia, Spanja dhe Turqia. Normalisht, pasi përparësi do kenë ekipet gjermane të Bundesligës dhe gjasat janë që unë të mbetem sërish në futbollin gjerman. Por, nëse dështoj, atëherë do të shikoj ofertat e tjera”.
Kombëtarja - Ndërkohë në mediat gjermane ka filluar të spekulohet rreth transferimit të tij. Thuhet se ai do kalojë te Mainci ose Shtutgarti, dy ekipe gjermane që kanë kohë që janë treguar të interesuara për shërbimet e tij. “Po e përsëris, nuk dua të jap emra. Këto aktualisht janë vetëm fjalë dhe asgjë më shumë. Ka shumë ekipe që janë të interesuara këtu në Gjermani, por të presim verën. Në fund ai ka folur edhe për atmosferën pozitive që mbizotëron në Kombëtaren shqiptare pas dy fitoreve të fundit. “Fitoret kanë sjellë një atmosferë fantastike në Kombëtare, çka besoj që do të vazhdojë gjatë. Kemi hyrë në një seri të mirë dhe këtë duhet ta shfrytëzojmë maksimalisht që të luftojmë për një kualifikim eventual për në Brazil, ose së paku të kapim vendin e dytë. Na presin sfida mjaft të vështira në muajt e ardhshëm, por shpresoj se do t’ia dalim. Me afrimin e lojtarëve të rinj, në veçanti të Ramës dhe Bashës, gjërat kanë ndryshuar pozitivisht dhe presim edhe rezultate”, – përfundoi Mavraj.
Media: Lacio kërkon Mavrajn
Menjëherë pas deklaratës së mbrojtësit se në fund të këtij sezoni do largohet nga Grojter Fyrthi, si me porosi ka ardhur edhe lajmi i parë i merkatos, i cili e sheh Mavrajn me fanellën e Lacios. Sipas “geruchteticker. com”, skuadra krye-qytetase ka shprehur interes për kapitenin aktual të Fyrthit dhe, duke shfrytëzuar edhe njohjet, drejtori sportiv Igli Tare po shikon mundësinë e mbylljes së kësaj tratative. Nëse kjo gjë realizohet, atëherë dyshja titullare aktuale e Kombëtares shqiptare Cana-Mavraj do të bashkohet edhe te Lacio, çka mund të sillte një konsolidim të mëtejshëm të lojës së qendërmbrojtësve kuqezinj. Gjithsesi për momentin, një gjë është e sigurt, që Mavraj do largohet nga Grojter Fyrthi. Arsyet nuk lidhen vetëm me dëshirën e lojtarit për të kaluar në një ekip elitar, por edhe se rënia e klubit në Bundesligën 2 do të sillte tkurrje të financave. Në këtë këndvështrim, Fyrthi do ta kishte të pamundur për të mbajtur lojtarët e saj më të mirë, në radhë të parë kapitenin e saj, Mavrajn. Ndaj jo pa qëllim, para pak ditësh, në mediat gjermane drejtuesit e këtij klubi vunë edhe një çmim prej jo më pak se 1.5 milionë euro për kartonin e Mavrajt. Pra çdo skuadër, që do pretendojë shërbimet e kapitenit aktual të Fyrthit, do duhet të paguajë minimalisht këtë shifër (kjo me gjasa edhe mund të rritet deri në verë, pasi çdo gjë varet nga tratativa).
BerishaRoma interesohet për Etrit Berishën
Pritjet spektakolare që Etrit Berisha bëri në përballjen e Shqipërisë kundër Norvegjisë, të cilat na siguruan edhe një fitore historike, kanë bërë që në drejtim të lojtarit të interesohen disa klube. Portieri po kërkohet nga skuadra italiane e Romës, si dhe ajo angleze, Fulhamit. Mediat italiane shkruanin dje se kryeqytetasit kanë shprehur interesimin për Berishën dhe duan që ta kenë në skuadër në verën e këtij viti. Portieri 24-vjeçar mbron aktualisht portën e ekipit suedez Kalmar, drejtuesit e të cilit u shqetësuan disi pas ndeshjes Shqipëri- Lituani për dëmtimin e lojtarit të tyre, por dje ka ardhur edhe përgjigja zyrtare. Pasi janë bërë të gjitha analizat dhe rrezet “x”, rezultoi se Berisha nuk kishte asgjë për t’u shqetësuar dhe se mund të vihej menjëherë në dispozicion të trajnerit të tij. Sipas fizioterapistit të Kalmarit, Kjell Svenson, Berisha ka pësuar një goditje në gju (gjatë një përplasje me Osmanin), por ai nuk është fatmirësisht shqetësues. “I kemi bërë të gjitha analizat e duhura dhe mund t’ju konfirmoj se Berisha ka vetëm një goditje të lehtë në gju, e cila i ka dhënë dhimbje në momentin e përplasjes, por më pas gjithçka ka kaluar. Atij do t’i duhet pak ditë pushim, thjesht që t’i ulet enjtja dhe do jetë pa problem pjesë e skuadrës për të luajtur rregullisht”, – ka pohuar fizioterapisti.
SOCCER: NOV 18 MLS - Eastern Conference finals - Dynamo at DC UnitedNuk ndalet Hamdi Salihi, dopietë për Jiangsu Sainty
Këtë të premte është zhvilluar ndeshja mes Jiangsu Sainty, ku aktivizohet prej janarit edhe Hamdi Salihi, dhe Shanghai Shenxin. Ballafaqimi në fjalë ka përfunduar në barazimin 2-2, ndërkohë që dy golat për pritësit mbajnë autorësinë e sulmuesit tonë kuqezi. Në këtë mënyrë, shkodrani rikonfirmon formën shumë të mirë sportive që po kalon tashmë, pasi braktisi Amerikën, ku vuajti jo pak në fakt. Nëse i referohemi kronikës së kësaj ndeshjeje, vërejmë se miqtë kanë kaluar të parët në epërsi, në minutën e 51-të, por vetëm 7 minuta më vonë, Jiangsu ka fituar një penallti. Trajneri ia ka besuar Salihit ekzekutimin e 11-metërshit, ndërkohë që njeriu i atij eurogoli të fitores në Oslo për Shqëipërinë nuk ka gabuar. Shangai Shenxin ka shënuar shpejt edhe golin e dytë, në minutën e 64-të, duke i vënë nën një presion të madh vendësit, që e shihnin veten në humbje deri në minutën e fundit të kohës së rregullt. Kur mendohej se ndeshja po shkonte drejt fundit me këtë rezultat, është dashur Hamdi Salihi që të kompletojë dopietën e tij personale dhe të barazojë përfundimisht shifrat. Vjen në këtë mënyrë goli i tretë i Hamdi Salihit në po kaq ndeshje të luajtura me Jiangsu Sainty në kampionatin kinez. Kujtojmë se shkodrani ka shënuar edhe në ndeshjen e “Champions League” të Azisë dhe në Superkupën e Kinës. Pra, ai ka një bilanc shumë pozitiv konkludueshmërie në Kinë: 5 ndeshje të luajtura, 5 golash të shënuar.

Basha, në formacion ndaj Napolit

Një gol dhe dy ndeshje në lartësinë e duhur me fanellën e Kombëtares shqiptare dhe menjëherë nga një lojtar i harruar në stol prej më shumë se dy muajsh, Migjen Basha rikthehet si titullar. Mesfushori kosovar bëri paraqitje të shkëlqyeshme në përballjen me Norvegjinë (1:0) dhe Lituaninë (4:1), prandaj trajneri i Torinos, Xhiampiero Ventura, po mendon t’ia japë rastin nga minuta e parë në ndeshjen e kësaj jave me Napolin, e cila zhvillohet nesër në mbrëmje. Mesfushori pati një pjesë të parë pozitive me Torinon, duke luajtur rregullisht, por në fillim të këtij viti nuk u preferua më nga trajneri Ventura. Sakaq, mediat italiane shkruajnë se në këtë ndeshje do të luhet edhe e ardhmja e Bashës.
Cana, titullar ndaj Katanias së Çanit
Lorik Cana do luajë nga minuta e parë si qendërmbrojtës në takimin e kësaj jave të Lacios ndaj Katanias. Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, trajneri Vladimir Petkoviç është i detyruar në zgjedhje, duke qenë se nuk ka në dispozicion as Sianin dhe Biavan, që të dy të dëmtuar. Në këtë këndvështrim duket se Cana do jetë një zgjedhje e detyruar. Madje, trajneri i Lacios do spostojë edhe rumunin Ragu nga krahu i djathtë në qendër, si dhe në të majtë do tërheqë boshnjakun Luliç. Kështu mbrojtja e Lacios do jetë e sajuar ndaj sicilianëve si asnjëherë tjetër më parë. Ndërkohë te Katania, në stol
Berisha gol, mund Sidnejin e Del Pieros
Besart Berisha ka shënuar golin numër 14 në kampionatin australian të futbollit, duke mundur në një ndeshje vendimtare Sidnej e Aleks Del Pieros. Fitore 3-1 për Brisbane dhe tashmë “play off”-i është i siguruar, ndërsa për skuadrën e Del Pieros kjo gjë mbetet ende larg. Ka qenë në fakt ish-kapiteni i Juventusit, i cili ka bërë edhe gabimin në golin e Berishës, teksa humbi topin në gjysmëfushën e Sidnejt dhe aty një nga lojtarët e Brisbane vërshoi në të djathtë të sulmit, pasoi në zonë për Berishën, që i vetëm përballë portierit nuk e pati të vështirë të shënonte. Sakaq, në pjesën e dytë vendësit e dyfishuan rezultatin falë golit të Stiven Lustica, teksa Ivan Franjiç shënoi golin e tretë. Sidnej u mjaftua me shënjestrën e nderit të shënuar pikërisht nga Del Piero në minutën e 84-t të takimit.
Sparta e çon tek ekipi “B”, Bala shpërthen me gola
Ardhja e Lafatas nga Jabloneci në merkaton e janarit bëri që për Bekim Balën të mos kishte më hapësira aktivizimi te Sparta e Pragës. Mirëpo, edhe pse në media u tha se sulmuesi shqiptar mund të jepej në huazim te Mllada Boleslav, kjo nuk ndodhi, pasi vetë Bala nuk pranoi që të largohej nga skuadra. Kësisoj, drejtuesit vendosën që ta mbanin në organikë, por ai të luante në fundjavë te skuadra e dytë, Sparta Pragë B, e cila militon në kategorinë e tretë në Çeki. Lojtari shqiptar është aktivizuar në tri ndeshjet e këtij viti: Sparta Pragë B-Pisek 2- 2, Sparta Pragë B-Hlavice 9-0 dhe Horni Mesholupi-Sparta Pragë B 1-1, në të cilat ka shënuar katër gola. Në takimin e parë ai ishte autor i një goli, ndërsa tek fitorja me goleadë shkodrani sigloi një tripletë. Vetëm në takimin e fundit ai nuk arriti të shënonte. Këtë javë ndërkaq, më 31 mars, Sparta Pragë B do të presë në shtëpi kryesuesen e kampionatit, FC Kunice, e cila në 20 javë ka grumbulluar 39 pikë. Ndërsa Sparta e Pragës B renditet në vend të 6-të me 31 pikë.
Dren Feka refuzon Bajernin, rinovon me Hamburgun
Skuadra e Hamburgut ka arritur të bindë dhe përfitojë shërbimet e talentit shqiptar Dren Feka. Mbrojtësi i majtë i Kombëtares shqiptare U- 17, edhe pse kishte shansin t’i bashkohej akademisë së Bajernit, sipas “Bild”, e ka refuzuar ofertën e bavarezëve, duke i qëndruar besnik Hamburgut. 15-vjeçari shqiptar ka rinovuar kontratën deri në vitin 2016. Ky vendim erdhi si pasojë e bisedimeve të prindërve dhe menaxherit të tij. Ndërkohë, Bajerni vazhdon t’i humbë betejat për t’i rrëmbyer talentet Hamburgut, pasi në muajin shkurt bavarezët kërkonin edhe nipin e Uve Zelerit, Levin Oztunal, por talenti zgjodhi Leverkusenin. Mërgim Neziri – Talenti shqiptar, Mërgim Neziri, ka zhvilluar një sezon të shkëlqyer me skuadrën e dytë U-23 të Nurenbergut. Mesfushori 19-vjeçar u grumbullua nga kombëtarja shqiptare U-21, e cila mori pjesë në një turne të zhvilluar në Austri nga 18-27 mars.
Gjermanët e Bokumit duan Enis Gavazajn
Enis Gavazaj është në qendër të merkatos. Mjaftuan ndeshjet kualifikuese për Europianin e këtij viti te Kombëtaret U-17, të zhvilluara në muajin tetor të 2012-ës, si dhe një gol spektakolar shënuar Belgjikës, që talenti nga Prishtina të kërkohej nga disa klube jo vetëm në Shqipëri por edhe jashtë. Së fundmi, gazeta “Sporti” në versionin online në Kosovë ka konfirmuar se drejtues të skuadrës gjermane Bokum janë interesuar për shërbimet e lojtarit. Ata kanë marrë informacion të detajuar lidhur me të dhënat e tij teknike dhe të kontratës me klubin e Prishtinës dhe tashmë janë futur në bisedime për të arritur një marrëveshje. Kujtojmë që në janar Gavazaj ishte në provë edhe te Kaiserslauterni në Gjermani, por nuk arriti që të firmosë.
Reagimi
Zalla: FSHF-ja nuk ka kërkuar heqjen e flamurit
Një ditë pas reagimit të “Tifozave Kuq e Zi”, se policia shqiptare ka tentuar heqjen e flamurit të UÇK-së gjatë zhvillimit të ndeshjes miqësore Shqipëri-Lituani, ka ardhur edhe reagimi i federatës. Në një prononcim për mediat shqiptare, drejtori i zyrës së mediave pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, Lirim Zalla, ka thënë se FSHF-ja nuk ka kërkuar heqjen e flamurit dhe se nuk është në dijeni të ketë pasur ndonjë mosmarrëveshje mes tifozëve dhe policisë. “Ne jemi duke pritur një raport të policisë për atë që ka ndodhur atje. Tani për tani nuk kemi ndonjë qëndrim zyrtar, por mund të them se FSHFja asnjëherë nuk ka kërkuar dhe nuk do kërkojë të hiqet flamuri”.
LEONARD KARAJ

Burimi: http://www.panorama-sport.com/kombetarja/121195/#ixzz2Oz7kD8o6

No comments: