Sunday, February 10, 2013

Rugova nuk shpeton nga komunistet...

Nga Frrok Cupi
A mund te shpetoje ndonjehere Ibrahim Rugova prej ndjekjes komuniste?...

Me duket se te gjitha u bene, te pakten qe nga 20 shkurti 1991 kur ra edhe kerkesa e Enver Hoxhes..., por kjo eshte e pamundur te behet. Qenka e pamundur qe komunistet e Hoxhes t’i ndahen Ibrahim Rugoves. Keto dite jane ngritur nje pjese e atyre qe mbeti gjalle prej “fisit” te gjakatareve ne diktature dhe kerkojne t’i heqin emrin Rugoves ne nje rruge ne mes te Tiranes... Bejne njesoj sic bene me Gjergj Fishten, qe mbasi vdiq Ati dhe Filozofi i Kombit, i nxoren eshtrat dhe ia hodhen ne lume. As me kete nuk u ngopen; ia dogjen librat dhe reliktet. As me kete nuk u ngopen; atehere ia shkulen guret e shtepise ku jetoi ne Fishte dhe ia bene truallin livadh buze nje rezervuari uji te kooperatives bujqesore...


Keshtu po ndodh me Ibrahim Rugoven, filozofin e Lirise dhe te Republikes se Kosoves. Keta tani duan t’i shkulin nga vendi tabelen ku i shkruhet emri ne nje rruge afer Bllokut te Byrose Politike. Tani keta thone se emri i Rugoves ka mbuluar famen e “4 Shkurtit”, nje date e shpikur historike qe percan kombin e krijon urrejtje.

Cfare perafersish tragjike ka ne kete mes?!...

Rruga me emrin e Ibrahim Rugoves ndodhet krejt afer Bllokut te Politbyrose ku u projektua diktatura dhe tmerri mbi jeten e njeriut. Ketu jetuan diktatoret, dikush me i madh se tjetri, por te gjithe gjakatare. Kur u mposht Blloku aty nga vitet ’90, atehere disa entuziaste menduan se kurre nuk do te ngjallet me. Por ja qe po jep shenja se ka mbetur dikush qe i thote Rugoves : “Larg qe ketej!”... Disa mendojne se “gabimi” u be qe ne momentin kur emri i Rugoves u soll afer hijes se Bllokut. Pleqte e matufepsur nga dhuna e hershme nuk do te mund ta kerkonin larg; por perderisa Rugova u avit, atehere ata moren bastunet dhe dolen ne dere... Per kete thuhet se “Rugova gaboi qe erdhi afer”.

Perafersia tjeter e trishte e Rugoves me diktaturen:

Shkurt ishte edhe atehere si sot, por shkurti i vitit 1991. Data 21 shkurt, vetem nje dite pasi kishte rene hija e eger e monumentit te diktatorit. Ate dite, ne aeroportin primitiv te Rinasit zbret Ibrahim Rugova. Edhe ne bulevardin para Dajtit kishte copa bronci nga mbetjet e monumentit si dhe gure te policise kunder demonstruesve qe rrezuan diktatorin. Dukej se Rugova kishte ardhur pikerisht per te marre pjese ne aktin final te tragjedise se shqiptareve. Edhe atehere ishte shkurt, si sot. Rugova kishte 11 vjet qe nuk ishte lejuar te shkelte ne token e Shqiperise. “Gabimisht” kishte qene regjistruar ne nje shkolle ne Tirane, por sa e kishte marre vesh regjimi e kishte “shoqeruar” drejt kufirit per ne Kosove qe atehere quhej shteti i Jugosllavise...

“Ja ketu me kane shoqeruar- thoshte Rugova teksa gjarperonim ne ate rruge pa fund mes Fushe- Krujes dhe Lezhes. “Ketu” belbezonte Rugova mbeshtetur te xhami i makines sone te vjeter, dhe i pikonin lotet. Kur mberritem ne Lezhe, Ibrahim Rugova na tregoi me fjale pse ishte aq shume i permalluar, sepse “nuk e imagjinonte kete vend kaq te shkaterruar”.

Ishim kater miq, te kater te angazhuar me Demokracine: Rugova nga Kosova qe kishte shpallur Lidhjen Demokratike te Kosoves dhe idene e “Kosova Republike”; ishte Sali Berisha, kryetar i Partise Demokratike te Shqiperise; Arben Imami- nje nga krijuesit e Partise Demokratike dhe une. Ideja per te udhetuar drejt Lezhes lidhej me viziten e Rugoves ne memorialin e Skenderbeut, por edhe me nje deshire qe te bisedonim jashte zyrave dhe jashte mugetires se Tiranes ku kercenohej paqja e atyre qe rrezuan monumentin.

Edhe atehere shkurt ishte, por nje muaj ndryshe me te njejtin emer “shkurt”. Ndryshe sepse kishim shprese te plote se Rugova nuk do te perndiqej me shume. Kur gazeta e pare e lire, “Rilindja Demokratike- RD” botoi atehere shkrimin mbi hedhjen ne lume te eshtrave te Gjergj Fishtes, kushdo mund te mendonte vetem per ate akt dhe jo ndonje tjeter te ketij lloji. Por ja qe per Rugoven, atehere te gjalle, akti aktin nuk e kishin perfunduar.

Tani eshte perseri shkurt, 22 vjet pas Lezhes, kur njerez nga Blloku i Byrose Politike te diktatures jane ngritur kembadoras dhe kerkojne heqjen e “eshtrave” te Ibrahim Rugoves prej nje rruge afer Bllokut ne Tirane. Edhe keta me muajin shkurt e lidhin, por me shkurtin e tyre shume te gjate, te gjate pese dekada. Ka qene viti 1944 kur komunistet e Enver Hoxhes organizuan Luften Civile ne Tirane dhe mbyten njerezine ne gjak. Keta thane se me 4 shkurt, ne nje masaker ne Tirane, u vrane 84 deshmore. Pas kesaj thone se qindra te tjere u burgosen. Me vone thane se “jo nuk dihet, ishin 84 apo nuk ishin”. Njesoj si ne vitin 1948 kur Enver Hoxha vizitoi Stalinin dhe i tha se Shqiperia ka “28 mije deshmore te Luftes”. Se si iu kujtua kjo shifer, ndoshta nga qe sapo kishte ne mendje gjeografine e Shqiperise se sunduar: 28 mije kilometra katrore. Atehere diktatori vendosi edhe sa deshmore duhej te ishin: 28 mije, nje per cdo kilometer katror. Por asnjehere deshmoret nuk u numeruan. Madje jo vetem nuk u numeruan, por askush nuk deshi te dinte 28 mije emra. Njesoj si te kishin nje bezdi totale nga deshmoret, nga cdonjeri prej tyre. Sikur secili nga ata qe moren pushtetin e kishte te rende te degjonte me emrin e kufomave apo viktimave...

Keshtu ndodhi ne shkurtin e vitit ’44, kur komunistet e Hoxhes e konsideruan “masaker” dhe i vune emrin rruges “4 shkurti” shume afer bllokut. Asgje nuk dine te sakte as vete studiuesit e regjimit. Thone se jane 84, por thone edhe se “nuk i dihet”. Madje studiuesit me te mire te tyre e thone kete. Pastaj thone se e organizuan Ballistet, por asnje ballist nuk permendin dot me emer. Thone se e organizuan kosovaret, por cili? Ketu iu ka ngecur dhembi: Te kosovaret. Keta akuzohen me qellimin qe te perhapin luften civile ne te gjitha trevat ku flitet gjuha shqipe, fillimisht te nisur nga toka ku jetonin partizane e balliste. Ne shenimet e tyre thuhet edhe se disa ishin hebrenj, disa turq, disa greke... Cudia e pergjakshme duket hapur. Deshen qe Luften e klasave (ose civile) te Shqiperise ta perhapin edhe ne kombe te tjere, sic po benin bolivianet ose komunistet kubane.

Pastaj thane nje emer nga Kosova dhe ky ishte “krimineli” Xhafer Deva. Krah tij vune Osman Kazazin, nje i burgosur i perjetshem qe e pa diten e lirise vetem pas vitit 1991; edhe ky e ka permendoren diku ne rrugen “Zogu i Pare”.

Qe nga dita kur ne Kosove u shfaq Ibrahim Rugova si lider i Lirise dhe i Kosoves Republike, keta thane se Xhafer Deva ishte daja i Rugoves…Prandaj kerkojne edhe t’i heqin emrin qe i mban rruga afer Bllokut.

Ky qenka njeriu qe nuk shpeton dot nga komunistet… Se mos ne te gjallet e tjere kemi shpetuar?!

No comments: