Natalia Kovalenko
Aktori i famshëm francez Gerard Depardieu ka marrë nënshtetësinë ruse. Dekreti përkatës u nënshkrua ditën e enjten (më 3 janar) nga Presidenti rus Vladimir Putin.
Mbi ndryshimin e shtetësisë së vet Depardieu
deklaroi pasi Presidenti francez François Hollande, i cili u zgjodh në
postin e kryetarit të shtetit në vitin 2012, njoftoi mbi aplikimin në
vend të taksës 75 % mbi të ardhurat që tejkalojnë shumën 1.000.000 € në
vit. Aktori e vlerësoi këtë vendim të autoriteteve franceze si një
përpjekje për të ndëshkuar njerëzit e pasur për "suksesin, krijimtarinë
dhe talentin e tyre" dhe deklaroi publikisht se do të vendoset me banim
të përhershëm në Belgjikën fqinje. Kryeministri i Francës, Jean-Marc Ero
(Ayrault), e quajti gjestin e aktorit “patetik” dhe “jopatriot”. Pas
kësaj Depardieu refuzoi publikisht nënshtetësinë franceze. Ai shiti
vilën e vet në Paris dhe bleu shtëpi në një fshat të vogël belg. Më vonë
Këshilli Kushtetues i Francës e konsideroi aplikimin e tatimit 75 % mbi
të ardhurat të paligjshëm. Megjithatë kjo nuk ndikoi në ndryshimin e
vendimit të Gerard Depardieu.
Më 20 dhjetor të vitit të
kaluar, gjatë konferencës së madhe për shtyp të Presidentit Vladimir
Putin, gazetarët iu lutën atij që të komentojë situatën e krijuar me
aktorin e famshëm francez. Putin deklaroi se Depardieu mund të marrë
nënshtetësinë ruse, nëse do të shprehë një dëshirë të tillë. Pasi mësoi
mbi reagimin e Putinit nga shtypi, Gerard Depardieu i shkroi menjëherë
një letër Presidentit rus. "Duke dashur shumë Rusinë, rusët, të cilët
janë të afërt me mua përkatësisht shpirtit dhe karakterit, pa ditur
rusishten, por duke qenë i gatshëm për të mësuar minimumin e domosdoshëm
me qëllim që të merrem vesh me njerëzit, unë po drejtohem me kërkesën
për të marrë pasaportën ruse, pasaportën e një kombi të madh. Për mua
kjo do të jetë një nder i madh, unë e dua vendi Tuaj President dhe
dëshiroj të jem qytetar i tij", - thuhet në mesazhin e aktorit francez.
Dhe
ja tani Gerard Depardieu u bë shtetas rus. Nëse do të vendoset me banim
ai në Moskë - kjo nuk dihet. Por në qoftë se do të marrë një vendim të
tillë nuk do të pendohet aspak, madje do të dalë i fituar, mendon
Kryetari i Komitetit për Marrëdhëniet Ndëretnike të Dumës Shtetërore të
Rusisë, Gadzhimet Safaraliev:
- Sistemi tatimor që
kemi ne aktualisht në vend është mëse normal dhe ai mund ta kënaqë
plotësisht Gerard Depardieu. Përveç kësaj, aktori francez gëzon një
popullaritet jashtëzakonisht të madh në vendin tonë, ai ka luajtur madje
në shumë filma të përbashkët ruso-francezë. Unë jam i mendimit se punë
për të në Rusi do të ketë plot. Ai do të ketë mundësi edhe të fitojë
shumë, edhe të merret me kënaqësi me biznesin e vet në vendin tonë.
Udhëheqësi
i Republikës Çeçene, Ramzan Kadirov, ka deklaruar më parë se çeçenët
janë të gatshëm për t’i krijuar aktorit të madh të gjitha kushtet e
domosdoshme për një qëndrim mjaft komfort në territorin e Rusisë, në
qoftë se aktori do të zgjedhë Çeçeninë si shtëpinë e vet të re.
Meqë
ra fjala, Depardieu është i njohur në botë jo vetëm si aktor i
mrekullueshëm, por edhe si një verëbërës i përkushtuar. Ndoshta, në
Kaukazin rus, i cili ka qenë gjithmonë i njohur për verërat dhe pijet e
veta të forta dhe që shquhet për mikpritjen bujare, ai do të dëshirojë
të merret me punën e vet të preferuar dhe të thotë fjalën e vet në këtë
biznes.
No comments:
Post a Comment