Vasili Kashin
Rusia dhe Kina kanë ndërmend të modernizojnë forcat e tyre strategjike. Megjithatë ato kanë zgjedhur qasje të ndryshme përkatësisht zëvendësimit të raketave të tyre kryesore të rënda.
Rusia është duke zhvilluar aktualisht së paku dy
lloje krejtësisht të reja të raketave balistike ndërkontinentale. Një
nga këto dy projekte, sipas njoftimeve të mediave ruse, është raketa
gjigande me karburant të lëngshëm “Sarmat” (russ. «Сармат»), e cila do
të zëvendësojë kompleksin sovjetik “RS-36M” (russ.“РС-36М”) "Vojevoda"
(russ. «Воевода»), i njohur më mirë sipas klasifikimit perëndimor me
emrin "Djalli" (russ. «Сатана»).
Kompleksi "Vojevoda" për
shumë vite me radhë vazhdon të mbetet një komponent i rëndësishëm i
forcave strategjike bërthamore ruse. Ai përbëhet nga raketat më të rënda
ndër ato balistike ndërkontinentale që hyjnë aktualisht në armatimet e
ushtrive të vendeve të ndryshme të botës. Pesha e tyre në fillim të
fluturimit është më shumë se 200 ton, kurse motorët e raketave
mundësojnë mbartjen e 10 mbushjeve bërthamore dhe një numri të madh
mjetesh të kapërcimit të mbrojtjes antiraket (MAR), të tilla, si për
shembull, objektivat e rreme. Distanca e fluturimit të këtyre raketave
mund të arrijnë nga 11.000 - 16.000 km.
Për nga masa e
vet “RS-36M” mund të krahasohet vetëm me raketën ndërkontinentale
kineze “DF-5”, e cila peshon 183 ton. Por raketa kineze është më pak e
përsosur se ajo ruse. Për shembull, ajo kërkon një parapërgatitje të
gjatë para startimit: mbushja me karburant e saj merr deri në dy orë.
Kjo e bën raketën fort të cënueshme për goditjen e parë. Megjithatë Kina
ruan rreth 20 raketa “DF-5A”, pasi ato deri më tani janë të vetmet
sistemet strategjike kineze që mundësojnë dhënien e goditjes mbi çdo
pikë të territorit të SHBA-së.
Rusia dhe Kina kanë
zgjedhur qasje të ndryshme për zëvendësimin e raketave të veta kryesore
të rënda. Rusia ka vendosur, në fakt, të ripërtërijë sistemin e “RS-36”
në një nivel të ri teknologjik. Zgjedhja e bërë në favor të raketës së
lëngshme është e lidhur me faktin se, në krahasim me atë me karburant të
ngurtë, ajo është e aftë të mbartë një ngarkesë të dobishme më të
madhe. Rusia pret që në të ardhmen SHBA-ja të fillojë vendosjen e
elementeve të sistemit të vet të mbrojtjes antiraket (MAR) në hapësirën
kozmike si dhe përforcimin e aftësive të mbrojtjes nga raketat në
Evropë. Raketa më e rëndë dhe më e fuqishme mund të garantojë kapërcimin
e kësaj mbrojtjeje.
Përveç kësaj, raketa me
karburant të lëngshëm me vëllimin e saj të madh të mbartjes së ngarkesës
së dobishme do të lejojë krijimin e një arme strategjike të përpikërisë
së lartë me mbushje jo-bërthamore dhe me arritjen globale të
objektivit. Rusia mund të iniciojë krijimin e një arme të këtillë në
qoftë se zhvillimi i saj do të ndërmerret nga SHBA-ja.
Paralelisht
me raketën e rëndë me karburant të lëngshëm Rusia po punon edhe për
zhvillimin e një raketë të re të lëvizshme me karburant të ngurtë, e
cila destinohet për të zëvendësuar në prodhim komplekset "Topol-M"
(russ. «Тополь-М») dhe "Jars” (russ. «Ярс»). Në këtë mënyrë Rusia synon
të ruajë në të ardhmen e afërt forcat strategjike bërthamore, të përbëra
nga raketat e lëvizshme dhe raketat e rënda me karburant të lëngshëm të
bazimit në galeri nëntokësore.
Përsa i përket Kinës
tashmë dihet fort mirë se përveç raketave të lëvizshme me karburant të
ngurtë “DF-31A”, që po prodhohen aktualisht, ajo është duke punuar për
zhvillimin e një raketë më të rëndë me karburant të ngurtë me pjesë të
ndashme të mbushjes (kokës). Kjo raketë është gjithashtu përgjigje ndaj
forcimit të sistemeve amerikane të mbrojtjes antiraketore, por për të
arritur largësinë e fluturimit dhe mbartjes së ngarkesës së dobishme të
raketës “DF-5” do të jetë tejet e vështirë për të.
Kjo qasje është në
përputhje të plotë me strategjinë e ndjekur prej Kinës përkatësisht
ndërtimit të forcave të veta bërthamore. Kina që fillimisht nuk ka
synuar në arritjen e paritetit bërthamor me Shtetet e Bashkuara, duke
fokusuar vemendjen kryesore në mbajtjen e një grupimi të vogël raketor,
të aftë për t’i mbijetuar, rezistuar goditjes së parë raketore dhe për
të dhënë goditjen e kundërpërgjigjes.Viti 2013: ekonomia pa kursim
Anna Forostenko
2013 mund të bëhet edhe një tjetër vit i mundësive të pashfrytëzuara dhe lojërave të humbura. Mosmarrëveshjet e debatet e specialistëve në lidhje me të ardhmen e ekonomisë botërore dhe diskutimi i kësaj çështjeje prej politikanëve vërtiten rreth një problemi të vetëm: në çfarë të kursehet? Viti 2012 tregoi se autoritetet janë të gatshme të kursejnë mjetet financiare në kurriz të interesave të popullsisë.
Evropa ka reduktuar në mënyrë aktive buxhetin për
nevojat e shërbimet sociale dhe qindra e mijëra evropianë kanë reaguar
ndaj këtij hapi me demonstrata e protesta. Si fundim fitorja mbi
deficitin buxhetor nuk u arrit që nuk u arrit dot. Arsyeja e kësaj
disfate doli fare e thjeshtë. Siç rezultoi, duhet të kursejnë të gjithë.
Sot ka ardhur koha edhe për zyrtarët evropianë që të shtrëngojnë mirë
rripat. Ka shumë gjasa, se herët a vonë, kjo do të ndodhë. Një
parashikim të tillë bën analisti rus për tregjet financiare Igor
Nikollajev.
- Kursimi është plotësisht i mundur dhe i
nevojshëm. Në të gjithë botën, duke përfshirë edhe Evropën, shpenzimet
për mbajtjen e aparatit burokratik janë vazhdimisht në rritje, por është
mjaft e mundshme të kursehet me anë të shkurtimit të burokratëve.
Megjithëse procesi i harmonizimit të vendimeve përkatëse zvarriset dhe
gjithmonë kalon me shumë vështirësi. Por vendimi u morr megjithatë.
Njerëzit atje janë të disiplinuar dhe ai do të përmbushet medoemos.
Ndërkohë,
duhet thënë, se edhe kjo disiplinë nuk ka gjasa të zgjidhë të gjitha
problemet e Evropës. Sepse do të jetë ku e ku më e vështirë të sillen të
ardhurat (prosperiteti) e të gjithë banorëve të Evropës në një nivel të
njëjtë mesatar, thotë ekonomistja ruse Natalia Orllova:
-
Interesat e vendeve kreditore, veçanërisht të Gjermanisë, konsistojnë
në garantimin e mbrojtjes maksimale për qytetarët e tyre, me qëllim që
ata të mos preken nga inflacioni, të mos humbasin kursimet e tyre.
Faktikisht fjalë bëhet për sjelljen e standardit të jetesës së të gjitha
vendeve të BE-së në një emërues të përbashkët. Për shtetet e Evropës
veriore, ka shumë mundësi, që kjo do të jetë e mbarsur me njëfarë ulje
të standardit të jetesës, kurse për vendet e Europës Jugore ai duhet të
rritet.
Për SHBA-në problemi i kursimit konsiston në
një aspekt disi tjetër. Mbi borxhin në rritje të Amerikës sot flasin të
gjithë. Megjithatë kjo çështje ka nuancat e veta. Që nga fillimi i
krizës së vitit 2008 sektori privat ka arritur të kursejë mirë -
kompanitë i reduktuan borxhet e veta me 67%. Por ekziston gjithashtu
edhe sektori shtetëror (publik), pikërisht në të për të njëjtën periudhë
kohore borxhet u rritën me më shumë se gjysmën e tyre.
Sot Amerika gënjen vetveten, mendon Igor Nikollajev.
-
Ekziston iluzioni se pompimi i ekonomisë me para është ilaçi
gjithshërues (panacea) nga inflacioni: o burra të përmbytim tregun me të
holla, të fryjmë vlerën e aktiveve me qëllim që të inkurajojmë, të
nxisim në këtë mënyrë rritjen e aktivitetit sipërmarrës. Në Amerikë
vazhdon të ruhet besimi se një shtypje e tillë parash ndihmon për
kapërcimin e vështirësive. Amerikanët nuk kanë arritur ende në
përfundimin se ka ardhur koha për ta që të bëhen të vetëdijshëm se duhet
të shtrëngojnë dorën në shpenzimet e tyre. Tani për tani kursimi në
shkallë të gjerë nuk vihet re në këtë vend.
Kështu pra, mund të
arrihet në përfundimin se gjendja e tanishme e gjërave i kënaq
plotësisht autoritetet në të dyja anët e oqeanit.
No comments:
Post a Comment