Agim Vuniqi *
Sot të gjitha rrugët çonin në Vlorë
dhe në Tiranë, dhe kjo atmosferë festive është bartur në të gjitha trojet
shqiptare; ndërsa sonte të gjitha rrugët në Michigan çojnë në "Imperial
House", për të festuar 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Kjo datë e
madhe historike lidhet me ditëlindjen e komandantit legjendar të Ushtrisë
Çlirimtare të Kosovës dhe me daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të
Kosovës, në Llaushë. Më lejoni që këto momente dhe emocione festive t'i ndajë
sonte me ju.
Flitet se në kohën tonë të re kishte
ardhur një njeri nga kohët e mugëta, nga ditët mitike dhe bota e
mrekullive…ishte i Kastriotëve, i biri i Gjonit, Gjergj Kastrioti - Skënderbeu,
pastaj erdhi tjetri Ismajl Qemajli dhe tha:
"Deshi Zoti, që me punën tonë,
trimërinë dhe guximin e pashoq të shqiptarëve, sot e tutje të marrin fund
mjerimet dhe vuajtjet e Atdheut tonë, sepse këtu e tutje,
jemi të lirë, të
pavarur dhe më vete, prandaj, qeshni dhe gëzohuni!" dhe shtoi duke
përfunduar fjalimin e Ditës së Flamurit "Ja, pra, ky është flamuri ynë! I
kuq e me shqiponjë dykrenare në mes. Dhe tani të gjithë bashkohuni si një trup
i tërë dhe i pandarë, le të punojmë për ta përparuar e për ta qytetëruar, si i
ka hije Atdheut tonë të lirë. Duke përfunduar, nuk më mbetet tjetër gjë, veçse
t’i drejtoj një lutje Zotit të Math për bekimet e Tij…".
U shpall Pavarësia, Ismjal Qemajlit
iu bashkangjitën kalorësit shqiptarë nga Kosova me Isë Boletinin në krye, ata
ngritën flamurin në Vlorë. Me Isën ishin Luigj Gurakuqi, Mithat Frashëri e
shumë patriotë tjerë të të gjitha trojeve shqiptare…
Pas gati pesë shekujsh nën pushtimin
otoman, atë ditë valoi i lirë, flamuri i Skenderbeut, siç kishte valuar më 1443
ne Krujën legjendare.
Të gjitha këto ishin para një kohe.
Kurse vendin e përcakton gjeografia. Quhet Drenicë, e cila gjendet në Kosovë,
në atdheun Shqipëri. Njerëzit këtu janë shqiptarë… Si mundet, vallë, që
njerëzit të jenë këtu e historia dhe toka e tyre të jenë atje?!
Në vitet e njëzeta e tridhjeta të
shekullit të kaluar Azemi e Shota (nusja e tij) ishin të parët që luftuan
kundër serbëve. Pas tyre shqiptarët u bashkuan me partizanët me shpresë se do
të çlirohen pas Lufët së Dytë Botërore… Por, liria mbeti vetëm ëndërr… Pastaj
ndodhi masakra e Skenderajt u vranë dyqind e pesëdhjetë shqiptarë… Dhe çka i
mbeti Drenicës, pos të prodhojë kryengritës. Njëri nga ata quhej Shaban
Palluzha, që e vazhdoi luftën kundër serbëve… Dhe në kohën e Shabanit , tok me
të, ishte edhe një Shaban tjetër… Ishte i pasur, kishte tokë të mirë, ishte
mësues që fëmijëve ua mësonte "Abetaren"… Dhe toka do të jetë deri sa
të ketë dëshmorë…
Sipas Librit të Amzës ai quhej
Adem…Ishte shtatlartë, i fuqishëm… i kishte hije mjekrra e zezë
madhështore…grushti i dorës si putra e luanit… fytyra si hëna e plotë.
Or zotërinj…, Kush thotë se
dëshmorët varrosen ?! Dëshmorët mbillen dhe mbijnë dhe bëhen kopshte edhe
vreshta…dhe fëmijë të vegjël plot krenari e nder… Në muret e rrugëve e
rrugicave, në lojërat e fëmijëve, ndër fletoret e nxënësve, në plisat e pleqve,
në krahërorët e rinisë trime, në ballin e bukurosheve i ke sot fotografitë e
Adem Jasharit dhe në sytë e të gjithëve tërhiqet vëretja: "Ke kujdes, ne
jemi nga ai trim dhe nga ai vend!"
Nga ke ardhur, or kalorës?… Unë jam
këtu, gjyshin e kam pasur këtu, por edhe shtërgjyshërit ishin nga ky vend. Unë
jam nga toka, ku sa herë që pritet një lis, mbijnë me mijëra lisa të rinj. Unë
jam nga toka, ku qumështi i fëmijëve grabitet që në mëngjes dhe kur vjen
mbrëmja ata thithin hidhërimin nga gjinjtë e nënës… Çka mund të bësh kur je i
pakët e ata zullumin e kanë si fe?
Hekurin, or kalorës, nuk e gdhend
asgjë, pos hekurit…Kryengritje… Kryengritja e mposht hekurin… Te ne kryengritja
është si prona, e trashëgojmë brez pas brezi…Nuk qetësohet derisa të mos
fillojë… Nuk mposhtet deri në fitore…Dhe nëse dëshiron të dijsh më shumë…T’ia
fillojmë rrëfimit nga fillimi…
Sot është 28 Nëntor, jemi në
"Imperial House", Macomb County, në Michigan, SHBA. Ndaj sot, në
ditën e shenjtë të 28 Nentorit 1912, të gjithë të bashkuar rreth flamurit dhe
idealit tonë të përbashkët betohemi; Gjithmonë gati! Gati për ta bërë
Shqipërinë "Nje Zonjë të randë". Shqiptarë kudo që jeni, sipas
mundësive vendosni gurin e themelit të dinjitetit dhe të shpresës kombëtare,
Gezuar ky qindvjetor dhe ai tjetri qe vjen pas tij.... Gëzuar!
Sot i emocionuar përcolla lirimin e
Ramush Haradinaj, komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Gjykata
Ndërkombëtare për Krime Lufte në Den Hag, pasi që Tribunali i Hagës e shpalli
atë sot të pafajshëm dhe e liroi nga të gjitha akuzat që e ngarkonin atë dhe dy
ish bashkëluftëtarët nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Lahi Ibrahimaj e Idriz
Bala, me krimet e luftës. Pritja e tij dhe e bashkëluftarëve të tij ishte
madhështore, ata i pritën bashkëqytetarët e Kosovës, në Prishtinë, në sheshin e
"Nëna Terezës", ku ishin zhvilluar të gjitha ngjarjet më të
rëndësishme të historisë së re të Kosovës, deri në pavarësimin e saj; mu në atë
shesh, përballë platos përshëndetëse qëndron i heshtur dhe krenar Gjergj
Kastrioti-Skënderbeu, i cili lartësoi lart identitetin shqiptar. Më lejoni që
në emrin tim dhe tuajin, të përshëndes lirimin e Ramush Haradinaj dhe të dy
bashkëluftaëve të tij, si triumf i drejtësië ndërkombëtare dhe si një fitore e
të gjithë ne, ngase komuniteti shqiptar i Michiganit ka dhënë një kontribut të
madh luftës në Kosovë, me para, me djersë dhe me luftëtarë,t ë cilët iu
bashkangjitën luftës së drejtë çlirimtare. Gëzuar!
*Agim Vuniqi,fjala përshëndetëse
në festën e pavarsisë me 28 nentor 2012
No comments:
Post a Comment