Friday, September 7, 2012

Të vuajtur, por mbarë. Shqipërisë i vjen fitorja nga stoli

 


Kemi vuajtur, por kemi marrë tri pikë me shumë vlera, nuk kemi qenë të qartë e të rrjedhëshëm në lojën tonë, por na kanë shpërblyer tre sulmuesit, me tre gola, që përkundrejt një të tillë, të “falur” qipriotëve në limitin e pjesës së parë, kanë mundësuar fitoren 3-1. Suksesi ka ardhur nga stoli dhe mban emrin e Erjon Bogdani e Edgar Canit, ndërkohë që i ka zhbllokuar shifrat për 1-0 Armando Sadiku në minutën e 36-të. “Fillimi i mirë është gjysma e punës.” Nuk ishte e vështirë të gjendej kjo thënie popullore për të perifrazuar edhe fatin dhe rëndësinë që mbartte ndeshja e parë eliminatore e kombëtares kuqezi. Autoriteti kombëtar që kërkohet të imponohet përmes futbollit në çdo raund kualifikues të ngjarjeve të tilla evropiane apo globale është gjithmonë e më i vështirë si mision, pasi diferencat mes kombëtareve sa vijnë e bëhen më të vogla. Kjo vlente edhe në përballjen Shqipëri-Qipro, pa iu referuar shumë fitores tenistike pararendëse, me rezultatin 6-1, që kuqezinjtë tanë kishin marrë ndaj ishullorëve në gushtin e vitit 2009. Ajo histori i përkiste kroatit Josip Kuzhe në stol, ndërsa kësaj here ka bërë debutimin zyrtar në krye të Shqipërisë italiani De Biazi. Ky i fundit ka kërkuar të qëndrojmë me këmbët në tokë, edhe duke ëndërruar, por pa i hedhur sytë te fundi i fushatës eliminatore dhe vendi që mund të zënë kuqezinjtë tanë. Madje as te eliminatorja e radhës, në Lucernë me Zvicrën, një “betejë” ekstra kjo, e polarizuar edhe mes shqiptarësh. Qëllimi dhe misioni parësor kishte të bënte me Qipron, me një fitore ndaj saj, sepse bashkarisht fillonim kësisoji një përpjekje të re për t’iu “ngjitur malit”. De Biazi e ka përjetuar për herë të parë, zyrtarisht, një ngjarje të tillë në stolin kuqezi, si trajneri i një kombëtareje, ndërsa ka bërë dhe hapin e parë të rinovimit gradual. Prania e Mehës dhe Kukelit në formacionin titullar anti-Qipro besoj se e përligjin këtë konkluzion paraprak. Megjithatë, një fillim i mirë është gjysma e betejës. Kjo është arsyeja, edhe në planin religjioz e supersticioz, pse sonte ekipi ynë kombëtar e kërkoi me shumë vullnet e dëshirë rezultatin pozitiv.
Në fund të ndeshjes, ndër më të lumturit ka qenë trajneri i kombëtares, Xhani de Biazi. Ai e vlerësoi sfidën ndaj Qipros si shumë të vështirë. “Ishte një ndeshje e vështirë, por edhe një fitore e rëndësishme për neve. Do të mundohemi t’i përmirësojmë disa gabime që i bëmë sot, në mënyrë që mos i përsërisim më. Nuk dua të ndaj meritat për fitoren, sepse kjo i takon të gjithë skuadrës. Të gjithë lojtarët luajtën mire, edhe pse bëmë edhe mjaft gabime. Cani dhe Bogdani e shpërblyen besimin tonë, ndërsa për aktivizimin e tyre në pjesën e dytë mund të them se doja t’i ruaja e t’i hidhja të freskët në fushë, kur kundërshtari të kishte shpenzuar energji. Duke parë se nuk ishin në kondicionin më të mirë të mundshëm fizik, i aktivizova si zëvendësues dhe ata ditën të bëjnë më të mirën, duke na dhuruar dy gola e bashkë me to fitoren, që ka shumë vlera. Këtë fitore ia dedikoj vajzës time, e cila këtë të premte mbushi 20 vjet.”
Shqipëri-Qipro 3-1
Golat: Sadiku 36’, Cani 84’, Bogdani 87’ / Laban 45+3’
Shqipëria: Ujkani, Mavraj, A.Lila, Dallku, Cana, Kukeli, Bulku, Meha, E.Vila (Bogdani 72’), Salihi (Cani 81’), Sadiku (Hyka 58’). Trajner: De Biazi
Qipro: Georgallides (Mastrou 46’), Charalambous, Merkis, Dossa Júnior, Aloneftis, Nikolaou, Charalambidis (Christofi 56’), Makridis, Laban, Demetriou, Konstantinou (Avraam 76’). Trajner: Nikolas Nioplias
Gjyqtarë: A.Kuchin, Y.Belskiy, S.Zhappasbaev (Kazakhstan)
Kartonë të verdhë: Cana 11’, Meha 46’, Bogdani 88’ / Laban 46’
Pjesa e parë Ndeshja ka filluar me shkelmimin e topit nga qendra prej qipriotëve, por më pas “sfera” është gjendur dendur në këmbët e lojtarëve tanë. Miqtë mendojnë më së shumti të mbrohen, duke dalë në kundërsulm përmes pasimit të gjatë, ndërkohë që loja e kuqezinjve orientohet kryesisht nga krahët. Vila në të djathtë dhe Meha në të majtë, në këto pozicione nga fillimi deri nga minuta e 22-të, spostohen tërë kohës me detyra ofensive, duke kapur këndoret dhe krosuar prej andej topa të përpiktë për dyshen e sulmit Salihi-Sadiku. Në momentet kur mesfushorët e krahut angazhohen në ofensivë, postet e tyre i dublojnë Dallku dhe Lila, që nuk rreshtin edhe ata së marri inkursione të gjata deri në vijën fundore. Por në momentin final, të dy mbrojtësit anësorë s’e kontrollojnë si duhet veten, duke mos qenë efektivë në produktin që sjellin në funksion të skuadrës. Bie në sy mungesa e fantazisë në mesfushë, ku luajnë dy lojtarë shkatërrues, si Bulku dhe Kukeli. Ky i fundit mbeti disi i mpirë, i pashkrirë dot me pjesën tjetër të skuadrës, ndoshta i ngarkuar emocionalisht nga debutimi që bënte me kuqezinjtë. E megjithatë, pavarësisht se nuk zhvillojmë një lojë të rrjedhshme e me mendim të qartë taktik, rastet për të shënuar nuk na mungojnë në këtë fraksion të lojës. Që në minutën e dytë është Salihi, njeriu i rasteve të humbura, që kryen një roveshiatë të bukur, por e dërgon topin jashtë kuadratit mik. Pastaj është radha e Mehës, që të lëshojë një silur nga rreth 16-metra largësi, disi prirtazi me portën qipriote, por edhe ai nuk e ka shënjestrën e duhur. Presioni i tanëve sa vjen e rritet, ndërsa kundërshtari mendon vetëm si të shkatërrojë e prishë sa të mundet lojën e Shqipërisë. Duhej të vinte minuta e 36-të e ndeshjes, që nga këmbët e Mehës të dilte një krosim i përpiktë e shumë i zgjuar nga goditja e dënimit, topi të shkonte në zonën kundërshtare, ku Sadiku ndërhyn me kokë, duke e dërguar në rrjetën e qipriotëve. Shpërthen stadiumi “Qemal Stafa”, teksa Shqipëria e sheh veten në avantazh. Ky moment sikur i cliron disi tanët në aspektin psikologjik, por vuajmë sërish në finalizim e në ndërtimin e aksioneve. Mesfusha, në aspektin ndërtues, lë shumë për të dëshiruar, teksa De Biazi nis dhe i alternon lojtarët e krahëve (Meha dhe Vila) sa në të djathtë e në të majtë. Sa i takon Qipros, i vetëm në sulm mbetet Konstantinou, që ka mbulimin e rreptë të Lorik Canës. Dyshja jonë e mbrojtjes duket e sigurtë në tërësi, edhe pse nuk ka shumë punë, ndërsa krahët, me Dallkun dhe Lilën, janë disi kontrarversë. Të zhbilancuar në daljet e tyre përpara, në ndihmë të mesfushës e sulmit nga krahët, ata vuajnë në kthim, për t’u sinkronizuar shpejt në rolet e tyre. Për pasojë edhe ngacmimi qipriot nis e gjallërohet në këtë drejtim, duke parë se mund të gjejnë shtigje për t’iu afruar portës së Ujkanit. Nëse nuk arrin ta bëjë këtë gjë në mënyrë logjike, Qipros i vjen dhuratë “nga qielli” goli i barazimit në minutën e tretë të kohës shtesë të pjesës së parë. Faulli i shkaktuar nga Andi Lila në të djathtë të sulmit qipriot i jep mundësinë kundërshtarit të gjuajë një goditje dënimi. Topi goditet pa asnjë pretendim nga Laban, përshkon tërë zonën tonë të mbroijtjes, ku lojtarët dyluftojnë ashpër me njëri-tjetrin, por pa i kushtuar rëndësi topit, me “sferën” që shkon drejt e në rrjetën e Ujkanit. Nuk u besojnë as vetë syve qipriotët për mënyrën se si kanë barazuar shifrat, ndërsa kuqezinjtë tanë e pësojnë nga një gafë e rëndë në mbrojtje, në të vetmin rast kur topi shkoi deri në vijën fundore. Dhe nëse nuk shënon në futboll, do ta pësosh. I pafat Hamdi Salihi në 45 minutat e para, që humbet raste ideale për të konkluduar, por në pozicione ideale gabon, duke treguar se vajtja në Amerikë ia ka humbur nuhatjen e golit sulmuesit tonë.
Pjesa e dytë Ndeshja është edhe më stërmunduese për tanët. Si duket, të goditur nga goli i barazimit në fundin e kohës shtesë të 45 minutave të para, kuqezinjtë tanë janë rënduar disi në aspektin psikologjik, cka duket në gabimet elementare që bëjnë në pasimet e topit. Qipriotët kanë më shumë inciativë dhe besim në vetvete, duke marrë guximin të dalin jo pak nga gjysmëfusha e tyre. Trajeri De Biazi nuk ndryshon gjë në formacion që në fillim, teksa Salihi vijon sërish të jetë protagonist i mundësive të shpërdoruara. I pafat sulmuesi shkodran, që tërhiqet deri në mesfushë për të marrë topin, angazhohet në dyluftime të ashpra me mbrojtjen kundërshtare, e cila i kushton atij vëmendjen kryesore. Italiani i ka udhëzuar tanët që të bëjnë sa më pak gabime të jetë e mundur, në mënyrë që t’i rrisin shanset për një rezultat pozitiv, por në fushë ndodh e kundërta. Kuqezinjtë javë mjaft konfuzë e pa frymëmarrje në organizim, ndërsa krahët e mesfushës nuk funksionojnë si duhet. Mungon fantazia në mesfushë, teksa Bulkut i bie më shumë barra e lojës në këtë repart, me Kukelin disi pasiv. Meha është më i lëvizshëm dhe patrullon herë pas here edhe mesin e fushës, teksa jep pasime të zgjuara për dy sulmuesit. Nga këmbët e tij dalin goditje tepër të rrezikshme për portën qipriote, sepse ky është specialiteti i tij më i spikatur. Duke qenë se ishte një lojë e rëndësishme për të dy ekipet, palët mundohen të marrin maksimumin me kalimin e minutave, por kjo i tendos aq shumë, sa bëjnë edhe gabime elementare. Të tilla janë me shumicë për Dallkun e Vilën, te Shqipëria, që shqetësojnë De Biazin në stol. Italiani ndërhyn duke bërë zëvendësimet e mundshme, teksa hedh Hykën për Sadikun, fillimisht, pastaj më vonë Bogdanin për Vilën dhe Canin për Salihin. Praktikisht rinovohet i tërë reparti ofensiv, por ku “operacion” do t’i shpëtonte kuqezinjtë, do t’i ftillonte ata dhe do t’i nxirrte nga stonatura organizative ku ishin ngërthyer. Edgar Cani, me kokë, në minutën e 84-t do të ngrinte peshë zemrat e tifozëve në “Qemal Stafa”, duke e kaluar Shqipërinë në epërsinë 2-1, ndërsa më tej do të vinte eurogoli i Erjon Bogdanit, që lëshon një predhë në ecje e sipër nga rreth 25 metra, duke e përshëndetur trekëndëshin e portierit qipriot. Nuk ka më histori kjo ndeshje, kuqezinjve u vjen fitorja nga stoli, ajo mban emrin e Canit dhe Bogdanit, të cilët bëjnë të mundur një start të mbarë të këtyre eliminatoreve për kuqezinjtë. Tashmë është radha e Zvicrës, që e ka treguar veten që të premten në mbrëmje, duke fituar 2-0 në transfertë me Slloveninë.
Historia e përballjeve me Qipron
Me kundërshtarët e kësaj eliminatoreje jemi ndeshur edhe katër herë të tjera, por kurrë në një ndeshje zyrtare, gjithmonë në sfida miqësore. Qiproja kishte marrë dy fitore, një barazim dhe një humbje. Kjo e fundit përbën të vetmen fitore, madje historike, për kuqezinjtë tanë, sepse kapi shifrat 6-1.
Ndeshjet me Qipron
19.08.1998: Qipro – Shqipëri  3-2
15.08.2000: Shqipëri – Qipro  0-0
18.08.2004: Qipro – Shqipëri  2-1
12.08.2009: Shqipëri – Qipro  6-1
07.09.2012: Shqipëri – Qipro  3-1
Kualifikimet në Botëror, ja numrat e kuqezinjve
Në rastin më të mirë kemi marrë 13 pikë, falë katër fitoreve dhe një barazimi. Shqipëria e kualifikimeve në botërore përmblidhet në kaq pak. Të tjerat nuk janë veçse vendet e fundit në renditje ose të parafundit, ku pikët e vetme mund të kenë ardhur nga një fitore sporadike në fushën tonë apo edhe ndonjë barazimi të rastësishëm. Inferiorë në mentalitet, gjë të cilën e kemi shprehur qartazi edhe në fushën e lojës, Shqipëria, më së shumti e viteve të regjimit komunist, edhe pse në organikën e vet kishte lojtarë realisht me talent, përsëri nuk arriti ta kapërcejë vendin e parafundit. Madje, statistikat janë të frikshme, pasi jo vetëm fitoret, por edhe pikët i kemi me pikatore. Ndryshon disi pas periudhës së komunizmit dhe përgjithësisht në kohën kur në drejtim kanë qenë trajnerë të huaj. Ndonëse këta të fundit janë kritikuar shpeshherë nga mediat dhe analistët sportivë për rrogat e mëdha që përfitonin në krahasim me teknikët shqiptarë, fakt është se vetëm ata kanë bërë diferencën në krye të kuqezinjve. Kjo është ajo çka ka mbjellë e korrur ekipi ynë përfaqësues në dhjetë kualifikimet për Kupën e Botës.
Vitet `60-`70 -
Për herë të parë kuqezinjtë u paraqitën në një kualifikim Botërori në ndeshjet e “Angli 1966″. Përballë Holanda, Zvicra dhe Irlanda e Veriut e përfaqësuar nga një prej emrave më të mëdhenj të kohës, Xhorxh Best. Bilanci tejet negativ. Kombëtarja e Zyber Konçit mori vetëm një barazim, pikërisht ndaj Irlandës së Veriut në Tiranë, si dhe 5 humbje radhazi. Madje edhe dy golat e vetëm u realizuan ndaj Irlandës, pasi në katër takimet e tjera kuqezinjtë nuk mundën veçse të pësonin gola pa pushim. Gjithsesi, barazimi në Tiranë mjaftoi që Irlanda e Xhorxh Bestit të mund të mos shkonte në Botëror. Në këtë kontekst, kuqezinjtë u mbajtën mend për diçka, pavarësisht se nuk ishte edhe aq pozitive. Katër vjet më vonë Shqipëria as që tenton të marrë pjesë në kualifikimet e Botërorit “Meksikë 1970″, duke u rikthyer vetëm dy vjet më vonë ndaj Finlandës, Gjermanisë dhe Rumanisë për kualifikimet e Kupës së Botës të 1974-ës. Shqipëria bën një hap më shumë; fiton një takim, atë ndaj Finlandës në Tiranë, ndërsa humbet pesë ndeshjet e tjera. Edhe këto kualifikime kaluan pa shumë zhurmë dhe ndryshimet e vetme u panë në pankinë, ku për gjashtë ndeshje drejtuan tre trajnerë: Boriçi, Konçi dhe Shuke. Kuqezinjtë do të përsërisnin vetveten edhe tetë vjet më vonë në “Spanjë 1982″, përderisa në Botërorin “Argjentinë 1978″ Kombëtarja nuk mori pjesë për shkak të ndëshkimit të marrë nga FIFA dhe UEFA. Edhe në kualifikimet e `80-`82 Shqipëria merr një fitore, sërish ndaj Finlandës, këtë herë 2-0. Ndërkaq ndëshkohemi keqazi nga Gjermania, Austria dhe Bullgaria duke koleksionuar 22 gola, përkundrejt vetëm 2 të shënuar. Sigurisht, ajo që “vret” më shumë është humbja tenistike me gjermanët më 18 nëntor të vitit 1981 në “Vestfalenstadion” të Dortmundit, 8-0 (Rumenige 5′, 19′, 45′, Fisher 32′, 72′, Kaltz 36′, Litbarski 52′ dhe Brajtner 67′ me penallti). E menjëherë pas kësaj vjen edhe largimi i Loro Boriçit, i cili ndonëse kishte “mbretëruar” për 13 vite (me periudha) në krye të Kombëtares, ndonëse atë vit kishte arritur të formonte për herë të parë një skuadër kombëtare me nëntë lojtarë mbi 180 cm (Kaçi, Berisha, Targaj, Çoçoli, Hysi, Lame, Lleshi, Minga, H.Ballgjini, Popa, Luçi), përsëri nuk mundi që t’u rezistonte gjermano-perëndimorëve.
Vitet `80-`90 -
Një plejadë talentesh të rritur së bashku në ekipin Shpresa sollën edhe ngjitjen e parë të Kombëtares në mesin e viteve `80-të. Shqipëria e kualifikimeve të “Meksikë 1986″ arrinte të siglonte dy barazime dhe një fitore, duke dhuruar edhe spektakël në disa takime (përmendim këtu Poloni-Shqipëri 2-2, Shqipëri- Belgjikë 2-0, Shqipëri-Poloni 0-1, Shqipëri- Greqi 1-1). Por, kjo nismë e mirë nuk mundi të vazhdojë më tej, pasi edhe grupi ku përfundoi Shqipëria për “Itali `90″ ishte tejet i vështirë. Kuqezinjve do t’u duhej të përballeshin me Anglinë, Suedinë e Poloninë dhe bilanci nuk mund të ishte veçse negativ, madje më negativi i gjithë historisë së botërorëve. Shqipëria pëson 15 gola duke shënuar vetëm 3 të tillë. E njëjta histori vazhdoi edhe me Shqipërinë e pasviteve `90-të, kur edhe pse ekzistonte një grup i mirë lojtarësh me Demollarin, Kushtën, Kolën, Mustën etj, përsëri Kombëtarja nuk shkoi më shumë se vendi i fundit në tabelën e renditjes. Shqipëria fitoi vetëm ndaj Lituanisë dhe barazoi me Letoninë në të dyja takimet. “Sëmundja” e vendit të fundit në renditje e mbajti përfaqësuesen kuqezi edhe në dy edicionet e tjera të kualifikimeve të botërorëve, si për “Francë 1998″ dhe për “Kore-Japoni 2002″. Ndryshimi, nëse i tillë mund të quhet, erdhi më “Gjermani 2006″.
Të huajt - Në kualifikimet e Kupës së Botës 2006 nuk është se u kualifikuam, por të paktën bëmë një hap përpara për sa i përket grumbullimit të pikëve dhe fitoreve të arritura në një edicion, pa harruar këtu edhe faktin se për herë të parë Shqipëria ishte në një grup me shtatë skuadra. Gjithsesi, Kombëtarja e drejtuar nga Hans Peter Brigel arriti të siglojë 4 fitore (ndaj Greqisë, dy ndaj Kazakistanit dhe një me Gjeorgjinë) dhe një barazim në ndeshjen e parafundit në transfertë ndaj Ukrainës. Kuqezinjtë arritën kuotën e 13 pikëve, duke lënë pas Gjeorgjinë dhe Kazakistanin. Rekordi i Brigelit nuk është thyer nga askush prej trajnerëve të huaj që kanë drejtuar Shqipërinë e post- 2006. Bariç tentoi në kualifikimet e Evropianit 2008, por iu kthye gjithçka përmbys në dy takimet e fundit, ndërsa Han dhe së fundmi Kuzhe nuk kanë bërë gjë tjetër veç faktit që kanë hedhur në fushë një skuadër, e cila më së shumti është përpjekur t’u prishë punë ekipeve të tjera sesa të grumbullojë pikë kualifikimi.
Brigel, një histori suksesi
Janë 14 trajnerët që e kanë drejtuar Kombëtaren sh qiptare në 10 edicione të kualifikimeve botërore, por pjesa më e madhe e tyre (për të mos thënë thuajse të gjithë) kanë regjistruar vetëm dështim. Bie në sy fakti se 12 kanë qenë trajnerë shqiptarë, të cilët së bashku nuk kanë sigluar më shumë se 6 fitore, nga 11 në total për 84 ndeshje të kualifikimeve. Kjo tregon se të paktën deri në kohën kur në krye të kuqezinjve erdhi një i huaj, Shqipëria nuk arrinte të bënte diferencën, edhe pse duhet thënë që lojtarët nuk i mungonin. Kështu, më rezultativi është Bejkush Birçe, i cili e ka drejtuar ekipin përfaqësues në kualifikimet e Botërorit USA 1994 por në 12 ndeshje sigloi vetëm një fitore, 2 barazime dhe plot 9 humbje. Pas tij, jo për ndeshje, por për pikë të grumbulluara, vjen Astrit Hafizi, i cili e drejtoi ekipin tonë në kualifikimet e Botërorit “Francë 1998″ me një bilanc prej 1 fitoreje, 1 barazimi dhe 7 humbjesh. Kujtojmë që kualifikimet për këtë Botëror i nisi Neptun Bajko, mirëpo pas humbjes 0-3 në Tiranë ndaj Portugalisë që në ndeshjen e parë ai dha dorëheqjen. Pas Hafizit, vijnë Zyber Konçi e Shyqyri Rreli, të cilët e kanë drejtuar respektivisht në 10 dhe 11 ndeshje përfaqësuesen, por kanë marrë vetëm nga një fitore secili. Disi më rezultativ ka qenë Ilia Shuke. Ai pati fatin t’i drejtonte në dy ndeshje kuqezinjtë, duke marrë një fitore dhe një humbje. Më pas lista vazhdon me Mehdin Zhegën, Agron Sulajn, Sulejman Demollarin, Myslym Allën dhe Loro Boriçin. Por kuqezinjtë e ndjenë erën e ndryshimit në kohën kur në krye erdhi gjermani Hans Peter Brigel, i cili edhe me pak fat (kishte një grup me 7 skuadra, pra 2 ndeshje më shumë në dispozicion) arriti të vendosë një rekord pikësh, 13, të cilin deri tani nuk e ka arritur askush.
Kur regjimi “shuante” Kombëtaren shqiptare
Shtatëmbëdhjetë dhjetor 1967. Stadiumi: “Qemal Stafa”. Shqipëri- Gjermani 0-0. Kombëtarja shqiptare merrte një barazim me shumë mund, ndërsa gjermanëve për herë të parë në historinë e tyre do t’u duhej që të mos merrnin pjesë në një eveniment evropian për shkak të moskualifikimit nëpërmjet fushës së lojës. Por çudia vjen me drejtuesit e regjimit komunist. Edhe pse ky barazim u proklamua me të madhe si një arritje e paparë e Kombëtares së drejtuar nga Loro Boriçi dhe Ilia Shuke, fakt është se për tri vite radhazi, deri më 1970-ën, kuqezinjtë nuk do mund të luanim më asnjë ndeshje zyrtare. Kësisoj, Shqipëria do merrte pjesë në kualifikimet e Botërorit “Meksikë 1970″. Arsyet? Edhe sot e kësaj dite nuk arrin dot të t’i shpjegojë kurrkush. Ka mjaft teza, por asnjëra e njëjtë me tjetrën. Por nuk do mjaftoheshim me kaq. Edhe pse ishim në kohën e artë të futbollit shqiptar, kur Partizani dilte kampion i Ballkanit për klube dhe Tirana luante në Champions si e barabartë me Ajaksin e Johan Krujfit, përsëri do detyroheshim që të mos merrnim pjesë në të tjera kualifikime. Kështu, nga viti 1973 deri më 1980-ën Shqipëria nuk do luante asnjë ndeshje zyrtare, duke mos marrë pjesë as në kualifikimet e Evropianit `76, as në kualifikimet e Botërorit “Argjentinë 1978″ dhe as në ato të 1980-ës. Shkak bëhet urdhri i drejtuesve të regjimit për tërheqje të skuadrës nga aktivitetet ndërkombëtare, urdhër ky që u pasua edhe me pezullimin e futbollit tonë nga FIFA dhe UEFA.

GRUPI E
(SHQIPERI, Islandë, Norvegji, Zvicër, Slloveni, Qipro)
07.09.2012

Islandë-Norvegji  2-0
SHQIPERI-Qipro 3-1
Slloveni-Zvicër     0-2
11.09.2012
Qipro-Islandë
Norvegji-Slloveni
Zvicër-SHQIPERI
12.10.2012
SHQIPERI-Islandë
Slloveni-Qipro
Zvicër-Norvegji
16.10.2012
Qipro-Norvegji
Islandë-Zvicër
SHQIPERI-Slloveni
22.03.2013
Slloveni-Islandë
Zvicër-Qipro
Norvegji-SHQIPERI
07.06.2013
SHQIPERI-Norvegji
Qipro-Zvicër
Islandë-Slloveni
06.09.2013
Zvicër-Islandë
Norvegji-Qipro
Slloveni-SHQIPERI
10.09.2013
Islandë-SHQIPERI
Norvegji-Zvicër
Qipro-Slloveni
11.10.2013
Slloveni-Norvegji
Islandë-Qipro
SHQIPERI-Zvicër
15.10.2013
Norvegji-Islandë
Qipro-SHQIPERI
Zvicër-Slloveni

No comments: