Spitali i Përgjithshëm Ushtarak (sot Spitali Ushtarak Qendror
Universitar), një ndër përkujdesjet e para të Mbretërisë Shqiptare, u
themelua dhe nisi rrugëtimin e tij prestigjioz në nivel kombëtar më 26
shtator 1929. Vlera e përgjithshme e investimit arrinte shifrën 548 894
88 franga ari, një tregues domethënës për kohën. Themelimi i këtij
Spitali lidhet ngushtë me emrin e madh të mjekësisë shqiptare,
nënkolonel dr. Jani Basho, drejtori i parë i tij në vitet 1929–1935,
njëherësh themelues i spitaleve qendrore të Shqipërisë: Spitalit Civil,
sot spitali nr.1, dhe atij Ushtarak, sot spitali nr.2 (Qendra Spitalore
Universitare “Nënë Tereza”). I madhi Jani Basho do t’i sillte nga zemra e
Europës, pikërisht nga Vjena, projektet e këtyre spitaleve – vepra të
arkitektit vjenez Kohler. Atje ai kishte kryer edhe studimet në fushën e
mjekësisë, ku qe lauruar me medalje të artë si fitues i vendit të parë
në Fakultetin e Mjekësisë te Universitetit te Vjenës dhe i cilësuar
“Unicus Medicus Doktor” (mjek i veçantë). Spitali i Përgjithshëm
Ushtarak ishte mjaft i bukur dhe modern për kohën, funksionoi si i tillë
deri më 1957, në harmoni dhe afër me Spitalin e Përgjithshëm Civil. Në
vitin 1957 Spitali Ushtarak u transferua dhe u vendos aty ku është
aktualisht, në Laprakë. Shumica e fotove të nxjerra nga Arkivi i Shtetit
duket se janë realizuar nga instituti italian “Luce” gjatë pushtimit
italian të Shqipërisë aty nga fundi i vitit 1940. Propaganda italiane e
kohës ishte e interesuar që të pasqyrohej çdo hollësi e veprimeve
luftarake që zhvilloi ushtria italiane brenda dhe tej kufijve shtetërorë
të Shqipërisë në luftën italo-greke. Fotot përfshijnë ndërtimet
tërësore, meremetimet, ndërtimin e kishës, barakave shtesë e deri
hollësi nga pritja e të plagosurve në urgjencë, në sallën e operacionit,
në pavijone, në kuzhinë, në park, në ceremoni zyrtare etj. Pushtimi
italian e gjeti Spitalin Ushtarak në gjendje dhe me infrastrukturë shumë
të mirë për kohën. Në këtë periudhë Spitali do të drejtohej nga Ismet
Gega, nga Gjirokastra, mjek ushtarak me përvojë në mjekësinë ushtarake e
civile pas shpalljes se Pavarësisë. Ai i pati kryer studimet e larta
për mjekësi në Stamboll më 1905. Pati shërbyer si mjek ushtarak në
garnizonet turke në Janinë e Delvinë deri më 1912. Pas shpalljes së
Pavarësisë ai gjendet në Vlorë dhe caktohet drejtor i spitalit të parë
të Vlorës. Më 1918 caktohet drejtor i Spitalit të Ushtrisë Kombëtare në
Shkodër, ku shërbeu deri më 1923. Pastaj u caktua drejtor i spitalit të
parë të Gjirokastrës. Më pas ai punoi si mjek bashkie në Vlorë deri
1932. Për merita të veçanta si drejtues u emërua drejtor i Spitalit të
Përgjithshëm Ushtarak deri në vitin 1939, kur doli në lirim. Ai ishte
një mjek i shquar dhe me ndjenja të larta atdhetare. Nuk u pajtua me
uzurpimin e Spitalit Ushtarak nga italianët më 1939, dhe kjo qe dhe një
nga arsyet e largimit. Vdiq në vitin 1955. Pas pushtimit të Shqipërisë
nga Italia fashiste më 7 prill 1939 drejtimin e institucioneve, duke
përfshirë edhe Spitalin e Përgjithshëm Ushtarak, e morën italianët.
Mjekët shqiptarë nuk ishin në funksione drejtuese, por punonin së bashku
me mjekët italianë. Drejtor i Spitalit të Përgjithshëm Ushtarak në
Tiranë u caktua nënkolonel (T.C.M.) Giovanni Cicco, nga Andria (Bari),
Itali. Nënkoloneli italian ishte futur në shërbimin ushtarak vitin 1913.
Ai shërbeu si drejtor i këtij spitali deri në kapitullimin e Italisë më
1943. Ai do të varej nga Drejtoria e Shëndetësisë e Forcave Ushtarake
Italiane të Tiranës, ku drejtonin kolonel Rampi Pietro (drejtor), major
Taddia Leo (higjenist), major Bonelli Michele dhe major Caliendo
Gennaro. Në këtë drejtori nuk kishte asnjë shqiptar. Në Spitalin
Ushtarak të Tiranës, nga 13 mjekë dhe 1 farmacist, vetëm tre ishin
shqiptarë. Drejtor ishte nënkolonel Cicco Giovanni. Mjekë italianë ishin
nënkolonel Virgillo Saverio, major Carrara, major Nicolo Adelmo, major
Cali Domenico, major Borzelli Giovanni, major Lorenzini Giuseppe, major
Lagna Donato, major Preite Mario, major De Laurenzi Vincenzo dhe kapiten
Augi Guglielmo. Personeli shqiptar përbëhej nga major Selahedin Mborja,
kapiten Sinan Imami dhe kapiten Xhevdet Asllani. Farmacist ishte kapiten Terranova Salvatore, italian. (Giornale di Medicina Militare, Anno XC-1942-XX faqe 18, 102).
Disa mjekë italianë pas kapitullimit u rreshtuan me forcat partizane,
ndërsa disa prej tyre, si dr. Guglielmo Augi dhe kirurgu Lozi, punuan
edhe pas çlirimit të vendit deri më 1946. Dr. Augi arriti të
riatdhesohej në Itali, kurse kirurgu Lozi nuk mundi të riatdhesohej. Ai u
pushkatua nga autoritetet komuniste të Tiranës pas çlirimit. Sikurse
është e njohur, Italia fashiste,menjëherë pas pushtimit të Shqipërisë do
të vijonte aventurën ushtarake me pushtimin e Greqisë. Sipas urdhrit të
Musolinit, më 28 tetor 1940 tetë divizione italiane të përbërë prej 140
000 trupash do të sulmonin Greqinë në kushte tepër të rënda terreni e
moti. Përzgjedhjet e gabuara strategjike e operacionale, nxitimi dhe
keqpajisja e forcave italiane e rënduan akoma më shumë gjendjen. Për
këto e të tjera arsye pala italiane pati rreth 14 000 të vrarë, 50 000
të plagosur, 25 000 të humbur dhe mbi 12 000 të tjerë të gjymtuar.
Fakti i njohur që populli dhe ushtarakët shqiptarë nuk u bënë pjesë në
këtë aventurë italiane pati ndikimet e veta. Në këtë kuadër, mjekët
shqiptarë të Spitalit Ushtarak do të dinin të bënin dallimin juridik
midis pushtuesit të vendit me kërkesën për të ushtruar urdhrin human të
profesionit të tyre. Numri i madh i të plagosurve nuk përballohej nga
kapacitetet ekzistuese të Spitalit. Në këto kushte, siç shihet dhe në
foto, janë ngritur baraka dhe çadra shtesë, të cilat janë vendosur në
krah të Spitalit Ushtarak./METROPOLONLINE/
No comments:
Post a Comment