Thursday, April 7, 2011

INICIATIVA PËR TIRANËN dhe keqkuptimet rreth saj

Henri Çili

Dje, bashkë me 30 kolegë, miq dhe ekspertë e njerëz të nderuar në profesionin e tyre dhe në angazhimin publik në qytet, promovuam tek Akademia e Arteve një iniciativë me emrin “INICIATIVA PËR TIRANËN”. Siç edhe kronika e medias e ka pasqyruar dje, 31 intelektualë dhe ekspertë të fushave të ndryshme, të shqetësuar për problemet e qytetit tonë, krijojnë këtë forum me qëllim që të ndikojmë, duke shfrytëzuar rastin e fushatës për zgjedhjet lokale të 8 majit, në programin e kandidatëve për Bashkinë e Tiranës. Për këtë u ftuan të dy kandidatët, Lulzim Basha dhe Edi Rama, për të ndjekur një gamë shqetësimesh dhe idesh që secili prej këtyre pjesëmarrësve kishte për të shprehur, duke i ftuar sërish një javë më vonë, në të njëjtën sallë, në të njëjtin vend, për të dialoguar me pjesëtarët e INICIATIVËS rreth shanseve të përfshirjes në programin e tyre të këtyre ideve, apo adresimin e këtyre shqetësimeve. Zoti Basha iu përgjigj ftesës, zoti Rama jo. Sërish ky forum mbetet i hapur për këtë komunikim në javët e ardhshme.

Ja, kaq e thjeshtë ishte e gjithë kjo. Dhe kaq e komplikuar njëkohësisht për një mjedis publik, i cili sheh pas çdo veprimi publik një qëllim të fshehtë, një dorë organizatore. Një qëllim të fshehtë përtej atyre që thuhen hapur, përtej atyre që thanë hapur në këtë komunikim publik këta individë të mbledhur në këtë grup “ad- hoc” me qëllimin për të influencuar në debatin e këtyre zgjedhjeve lokale.

Shqipëria ka nevojë për konceptim tjetër të angazhimit politik dhe atij qytetar, i cili është shumë më i shumëllojshëm sesa skema aktuale që ne kemi: ose parti politike, ose organizatë joqeveritare, ose biznes. Brenda këtij trekëndëshi ka një galaktikë të tërë organizimesh civile , jo politike, të cilat janë dhe mund të jenë shumë të dobishme për demokracinë. Sot, ne jo vetëm kemi një boshllëk në legjislacion dhe në praktikat e strukturimit të shoqërisë sipas këtyre modeleve që Perëndimi i ka elaburuar prej disa shekujsh, por mbi të gjitha kemi një boshllëk dhe keqkuptim të madh në mjedisin publik se çfarë përfaqësojnë këto tip iniciativash.

Njerëzit para se t’i mbledhë bashkë, ose partia, ose biznesi ose një organizatë joqeveritare, i mbledh bashkë në një mënyrë të lirshme dhe jo-impenjative, pa patur nevojë për statute apo regjistrime në gjykata e tatime, një shumëllojshmëri interesash të përkohshme, që nuk janë as politikë, as biznes, as një organizatë joqeveritare sipas konceptit dhe perceptimit që ne kemi sot për to.

Grupime të tilla “ad-hoc”, janë jo vetëm shumë të dobishme për shoqërinë dhe demokracinë, por ato janë thuajse domosdoshmëri në rastin e zgjedhjeve lokale. Zgjedhjet lokale për nga përcaktimi janë shumë më afër njerëzve, shumë më larg strukturave politike apo atyre ekonomike. Ato janë një formë identifikimi komunitar, dhe një përpjekje periodike për të zgjedhur krye-qytetarët për një kohë dhe me një mandat të caktuar.

Zgjedhjet lokale janë në gjenezën e tyre zgjedhje qytetare. Vetëm në shekullin e 20-të ose pak më parë zgjedhjet lokale ishin thjesht zgjedhje komunitare, ku nuk kishte kandidat partie, por kishte lista qytetare ku kandidonin njerëz që vinin nga komuniteti. Pasi kaluam një shekull e ca politizim të këtyre zgjedhjeve, në fakt Perëndimi është “bërë pishman”, ose më saktë “shteti unitar” është penduar për kompetencat e përqendruara në qendër dhe po përpiqet me shumë mundim të lëshojë kompetenca drejt lokaliteteve, drejt bashkësive. Ndaj organizime të tilla si INICIATIVA PËR TIRANËN janë jo thjesht një ndërmendje e disa njerëzve që ftojnë përreth një tryeze disa të tjerë, por janë manifestim i ndërgjegjes së opinionit publik kryeqytetas, që ka nevojë për diskutim dhe debat me themel për Tiranën, ka nevojë për “depolitizimin” 10-vjeçar të betejës për Tiranën, ka nevojë për një diskutim me themel për të tashmen dhe të ardhmen e qytetit tonë.

Ja, kaq është INICIATIVA PËR TIRANËN, e thjeshtë, publike, e hapur për të gjithë, në funksion të një debati për zgjedhjet lokale të 8 majit!

No comments: