Wednesday, April 6, 2011

Dëbimi i Gjermanëve nga Vendet e Evropës pas Luftës II Botërore



Nga: Shaqir Vukaj

Historia po kthehet sërish dhe po kërkon rehabilitimin e shumë gjërave të mbetura pezull. Mes tyre problemin e dëbimit të gjermanëve. Në këtë vazhdë, gjatë muajit shkurt të këtij viti, koalicioni qeverisës në RF Gjermane arriti të kalonte në Bundestag projekt-ligjin mbi përcaktimin e “Ditës së Kujtesës”, në kujtim të gjermanëve të dëbuar nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, gjatë dhe mbas Luftës Dytë Botërore....


Megjithëse kanë kaluar 66 vjet nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, plagët e saj në Evropë akoma nuk janë mbyllur, dhe pavarësisht nga përpjekjet e strategëve të eurointegrimit, ato, herë pas here, ne forma te ndryshme, nxjerrin krye, herë në zhvillimet ndërkombëtare, herë brenda BE-së e herë në marrëdhëniet midis shteteve e kombeve, e më së shumti ruhen në “kujtesën e popujve” që lidhet me të kaluarën, me pronën e të drejtën mbi të etj.
Problemet që dikur dukeshin si të kapërcyera dhe i përkisnin të kaluarës, tani po ringjallen në forma të ndryshme, në spiralen e re të integrimit europian. Dhe kjo vjen sepse mënyra e të parit të këtyre problemeve është e ndryshme, sepse politika zyrtare e vendeve të ndryshme i interpreton ato në mënyra të ndryshme dhe po në mënyra të ndryshme ato ruhen në kujtesën e popujve. Duket se akoma nuk ka ardhur koha që historia e Luftës Dytë Botërore dhe e viteve të para mbas saj, të shihet pa pasione, dhe kjo, edhe per ata shtete që tashmë janë bashkuar në strukturat euroatlantike dhe europiane.
Dhe kjo e fundit, krahas shumë tjerave, është e lidhur me pretendimet që kanë pasardhësit e të dëbuarve (të deportuar- në gjuhen politiko-diplomatike, shpërngulur me dhunë apo të përzënë - quaje si të duash) të atyre miliona gjermanëve nga vendbanimet e tyre, si dhe me ndryshimin e kufijve dhe vendosjen e kufijve të rinj, që janë të lidhura me njëra tjetrën e vështirë të ndahen, e që u benë menjëherë mbas Luftës Dytë Botërore.
Pikërisht rreth këtij problemi, ditët e fundit në Gjermani dhe jashtë saj kanë filluar përsëri diskutimet e polemikat. Gjatë muajit shkurt të këtij viti, koalicioni qeverisës në RFGjermane arriti të kalonte në Bundestag projekt-ligjin mbi përcaktimin e “Ditës së Kujtesës”, në kujtim të gjermanëve të dëbuar nga vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, gjatë dhe mbas Luftës Dytë Botërore. Sipas këtij ligji, kjo ditë duhet të përkujtohet çdo 5 gusht, mbasi me 5 gusht 1950 është nënshkruar “Karta e të Dëbuarve”, nëpërmjet së cilës, ata, pra gjermanët e dëbuar nga vendbanimet e tyre, “hiqnin dorë zyrtarisht nga hakmarrja dhe ndëshkimi”.

Iniciativë e të djathtëve
Kjo iniciativë e fundit e të djathtëve ka nxitur polemika në Gjermani e jashtë saj. Të majtët, të gjelbrit etj. akuzojnë të djathtët për populizëm e lojë të pandershme për efekte elektorale etj. Përfaqësuesit e organizatave të hebrenjve akuzojnë të djathtët, se nëpërmjet kësaj, ata duan të barazojnë holokaustin me problemin e te dëbuarve, dhe kështu të harrohen krimet e nazistëve kundër tyre. Politikanë, analistë apo historianë polakë, çekë e të tjerë, thonë se kjo është thirrje për revanshizëm .
Tema e dëbimit të gjermanëve nga vendet e Evropës, deri në vitet 90-të ka qenë një temë tabu. Vetëm mbas ndryshimeve dhe bashkimit të Gjermanisë, filluan të flasin haptazi për këtë temë kaq të dhimbshme për ta e për fqinjët, mbasi trashëgimtarët e të dëbuarve, të frymëzuar nga të vërteta e të pavërteta, kanë filluar të flasin për te drejta territoriale dhe pasurore, e jo radhë të shprehin pretendime të hapura ndaj tokave e pronave që kanë pas baballarët apo gjyshërit e tyre....
Bernd Paselt, eurodeputet gjerman dhe kryetar i Bashkimit të Gjermanëve Sudetë, deklaronte para pak kohësh se: “Një pjesë e pasardhësve të të dëbuarve kanë hequr dorë vullnetarisht nga pretendimet për pronat, ndërmjet të cilëve jam edhe unë. Por, megjithatë, një pjesë e tyre, thonë se ky problem duhet rishikuar, dhe se kthimi i pasurive do të ndihmonte të shëroheshin plagët e së kaluarës dhe do të rivendosej drejtësia”
Dëbimi i njerëzve, grupeve apo grupimeve e deri i popullsive të tëra nga vendbanimet e tyre, është i njohur që në kohët e vjetra. Siç na mëson historia, shembulli më kuptimplotë është dëbimi i hebrenjve, që ka filluar në Egjiptin e lashtë apo Romen e vjetër, e që ka vazhduar në Anglinë e Francën e v. 1292, Spanjën e v. 1492, Rusinë e viteve 1891-1892, e në kohët e reja, në Gjermaninë Naziste e disa vende të Evropës. ...... Dhe kjo s’ka ndodhur vetëm me hebrenjtë.
Në shekullin e 20-të, shpërngulja e detyruar apo dëbimi i popullsive të tëra, nëpërmjet marrëveshjeve apo akteve ndërkombëtare, për herë të parë në Evropë, ka filluar në Ballkan, mbas Luftërave Ballkanike, dhe Luftës së Parë Botërore. Sipas të dhënave të ndryshme, bazuar në Marrëveshjet bullgaro-turke (Marrëveshja e parë në historinë botërore për këmbimin reciprok të popullsive, pra shpërnguljen e detyruar), greko-bullgare apo greko-turke, janë shpërngulur nga vendbanimet e tyre qindra mijëra njerëz. Kështu sipas Marrëveshjes së Lozanës të vitit 1923 midis Turqisë dhe Greqisë, nga Greqia kanë ikur në Turqi rreth 400 mijë vetë (ku një numër i konsiderueshëm kanë qenë shqiptarë) dhe nga Turqia në Greqi rreth 1.5 milionë grekë (Athina i ka vendosur kryesisht në Maqedoninë e Egjeut ose Maqedoninë greke, për të ndryshuar “përbërjen etnike” të saj). Këto lloj “marrëveshjes” i kemi provuar në kurrizin tonë edhe ne shqiptarët, madje për frymë të popullsisë, më shumë se shumë popuj të tjerë. Nuk ka studiues që mund të japë shifra të sakta për shqiptarët e shpërngulur nga ish Jugosllavitë, qoftë ajo e paraluftës, apo qoftë ajo së mbas luftës. së Titos. Kujtojmë se mbi bazën e Marrëveshjeve me Turqinë, janë shpërngulur në Turqi qindra mijëra shqiptarë të ish Jugosllavisë.....

Dëbimi i gjermanëve
Dëbimi i popullsisë gjermane nga vendet e Evropës Qendrore e Lindore, pavarësisht nga arsyet dhe sa i drejtë ka qenë, sot shihet si një ngjarje tragjike në historinë e njerëzimit, kur miliona njerëz janë shpërngulur me detyrim nga vendbanimet e tyre dhe janë dërguar në një vend, siç ishte Gjermania e sapo dalë nga lufta, e mposhtur, e shkatërruar, e pushtuar….
Ide e mendime për zhvendosjen e detyruar të gjermanëve nga vendbanimet e tyre në Evropën Qendrore e Lindore, janë shfaqur edhe më herët, pa mbaruar Lufta e Dytë Botërore, si një ndër rrugët më të drejta për eliminimin e mosmarrëveshjeve e konflikteve midis popujve që jetonin të përzierë në këto vende. Ardhja e nazizmit në pushtet, teoritë e praktikat e tij, në dëm të vendeve e popujve të tjerë dhe kryesorja aktivizimi i shumë prej këtyre gjermanëve në mbështetje të masave e reprezaljeve të nazisteve kundër popujve me të cilët kishin bashkëjetuar në shekuj, i nxitën edhe më shumë këto mendime e ide, e madje, që atëherë filluan të bëheshin edhe projekte për dëbimin e tyre, që me kohë, do të merrnin formë e do të ligjëroheshin. Por të gjitha këto ishin të lidhura në mënyrë të pazgjidhshme edhe me ndryshimin e kufijve të Gjermanisë, që u bë mbas lufte.
Sot duket e çuditshme, madje duket e pabesueshme, por kur Tre të Mëdhenjtë (Rusvelti, Stalini e Çercilli) në takimet e tyre, diskutonin për të ardhmen e Gjermanisë, arrinin deri aty sa vinin në pikëpyetje të ardhmen e saj si shtet.....
Në Konferencën e Podzdamit (17 korrik-2 gusht 1945) Treshja e Madhe vendosi që: “Tri Qeveritë, duke parë problemin në të gjitha aspektet, pranojnë se popullsia gjermane, ose një pjesë e saj e mbetur në Poloni, Çekosllovaki dhe Hungari, duhet transferuar në Gjermani” ( Neni XIII është emërtuar “Transferim rregullues i popullsisë gjermane” me propozimin e Çërçillit) . Në Podzdam u mor vendimi përfundimtar, por per këtë Fuqitë e Mëdha kishin diskutuar dhe ish renë dakord më përpara.
Që me fillimin e Luftës Dytë Botërore e pushtimin vendeve të tjera nga Gjermania, krahas tjerave, ishin thelluar problemet e kontradiktat midis popullsive gjermane dhe jo gjermane, të cilat prej shumë kohësh jetonin bashkë në këto vende. Shembulli më i qartë ishte Çekosllovakia, ku para Luftës Dytë Botërore gjermanët përbenin një popullsi të konsiderueshme (aty jetonin 3.2 milionë gjermanë dhe përbenin 23. 4 përqind të popullsisë të Çekosllovakisë).

Historia
Sipas shumë dokumenteve, gjermanët kishin ardhur në tokat çeke si kolonë, proces që kishte filluar që në shekullin e XIII, e që ka vazhduar gjatë shekujve. Por, po këta dokumente flasin për rolin e dukshëm të gjermanëve për zhvillimin e industrisë, bujqësisë etj. në tokat çeke. Njëkohësisht ata vërtetojnë se edhe bashkëjetesa midis çekëve e gjermanëve nuk ka qenë gjithmonë normale, dhe plasaritjet, acarimet e kontradiktat më të mëdha i kanë pas në momente kyçe të historisë, siç kanë qenë ato gjatë lëvizjes Husiste, Revolucionit të vitit 1848, Luftës Parë Botërore etj. Veçanërisht të dukshme ato u bënë me ardhjen e nazizmit në pushtet, e sidomos mbas Marrëveshjes së Munihut e pushtimit të Çekosllovakisë. Tërheqë vëmendjen fakti se gjermanët sudetë (kështu janë quajtur gjermanët e Çekosllovakisë, emër që e kishin marrë nga krahina Sudete, që ndodhet në R Çeke) u indoktrinuan aq shumë nga ideologjia naziste, sa për nga qëndrimi e veprimet kundër popullsisë çeke, ja kalonin edhe gjermanëve të ardhur nga Gjermania si pushtues. Mjafton te përmendim se në raport me popullsinë, numri i anëtarëve te Partisë Naziste nga gjermanët sudetë ishte më i madh se ai i gjermanëve që jetonin në Gjermani. Ose për nga numri i te vrarëve në front, gjermanët sudetë ja kalojnë atyre të Gjermanisë.
Qëndrimi i tyre armiqësor ndaj çekëve i thelloi aq shumë kontradiktat, sa, që në v.1939, organizatat ilegale çeke filluan përpunimin e programeve për shpërnguljen e gjermanëve mbas lufte nga Çekosllovakia, si e vetmja mënyrë për zgjidhjen një herë e mirë të këtij problemi.
Kjo nuk ndodhte vetëm në Çekosllovaki, por në të gjitha vendet e pushtuara ku jetonin gjermanë. Problemet midis gjermanëve dhe popullsive të këtyre vendeve u acaruan aq shumë, sa edhe tek udhëheqësit e Fuqive të Mëdha po përforcohej ideja se e vetmja mënyrë për zgjidhjen e problemeve të pas luftës, do të ishte shpërngulja e gjermanëve prej këtyre vendeve. Kështu, që në v.1940, Instituti Mbretëror Anglez kishte hartuar një Memorandum, ku si rrugëzgjidhje propozohej shpërngulja e detyruar e pakicave gjermane nga Europa Qendrore e Lindore. Në v.1942 Britania e Madhe aprovoi “Parimin e përgjithshëm të transferimit të minoriteteve gjermane” nga vendet e Europës Qendrore dhe Jug-Lindore, por që sipas Londrës, duhej që vendimin përfundimtar ta merrnin Fuqitë e Mëdha.
Në vitin 1943 ShBA dhe Bashkimi Sovjetik, ishin bindur se e vetmja rrugë për rregullimin e problemeve të pas luftës, ishte shpërngulja e gjermanëve nga këta vende, prandaj ata kishin njoftuar Qeverinë Çekosllovake në mërgim (Londër) se ata ishin dakord, për shpërnguljen e detyruar të gjermanëve nga territori çekosllovak. Tashmë, Tri Fuqitë e Mëdha, që kryesonin Koalicionin Antifashist kishin arritur në të njëjtin përfundim, dhe do të koordinonin veprimet që mbas lufte, gjermanët që jetonin në vendet e Evropës Qendrore e Lindore, duhej të shpërnguleshin detyrimisht nga vendbanimet e tyre drejt Gjermanisë.
Kur Ushtria e Kuqe po i afrohej kufijve të Gjermanisë apo kishte hyrë brenda tyre, Berlini zyrtar, për shumë arsye, filloi evakuimin e popullsisë gjermane nga këto territore, për në thellësi të territorit gjerman. Sipas të dhënave të botuara, në janar të v.1945, në territorin gjerman ishin grumbulluar rreth 8.5 milionë gjermanë të shpërngulur, ndërsa në muajin mars, numri i tyre arriti në rreth 10 milionë. Ndërmjet tyre kishte gjermanë nga territore gjermane si dhe nga territore të tjera, që mbas Lufte mbeten jashtë kufijve te Gjermanisë.

Si u shpërngulën
Sipas shumë burimeve nga Europa Qendrore e Lindore, e kryesisht nga Silezia, Çekosllovakia, Prusia Lindore, Hungaria, Bashkimi Sovjetik, Rumania etj. janë shpërngulur drejt Gjermanisë rreth 11-12 milionë gjermanë.
Shpërngulja e gjermanëve është bërë në tri etapa. Etapa e parë është bërë në periudhën, fundi i vitit 1944, fillimi i v.1945, dhe është realizuar në mënyrë të organizuar nga vetë Gjermania. Ajo është konsideruar gjysmë largim, gjysmë dëbim
Etapa e dytë, përfshin një periudhë të shkurtër, rreth 4-5 muaj (mars-korrik 1945) dhe është quajtur shpërngulje “e egër”, që sipas dokumenteve, ka qenë më tragjikja.
Etapa e tretë, e quajtur ndryshe, shpërngulja e “ligjshme”, e bërë në “mënyrë të civilizuar”, ka filluar mbas Konferencës së Podzdamit, dhe është kryer mbi bazën e vendimeve të saj, dhe ka vazhduar deri në vitin 1950.
Largimi i gjermanëve sudetë nga Çekosllovakia filloi që ditët e para të çlirimit, ku shumë gjermanë që kishin bashkëpunuar me nazistët, të frikësuar për krimet që kishin bërë kundër çekeve, filluan të iknin drejt Gjermanisë. Por njëkohësisht filloi dhe hakmarrja e egër e çekëve kundër gjermanëve, e jo vetëm kundër bashkëpunëtorëve të nazizmit, por edhe ndaj gjermanëve të thjeshtë. Aq e egër ishte hakmarrja, sa gjermanët që jetonin në zonat kufitare me Gjermaninë, pavarësisht në se kishin qenë ose jo bashkëpunëtorë të nazizmit, filluan të largoheshin në mënyrë masive drejt Gjermanisë. Sipas dokumenteve të botuara, për ti shpëtuar hakmarrjes, rreth 6 mijë gjermanë përfunduan në vetëvrasje, ndërsa mijëra të tjerë u vranë pa gjyq.
Menjëherë mbas çlirimit te Çekosllovakisë, në mungesë të Parlamentit, presidenti i Çekosllovakisë, Benesh nxori njeri pas tjetrit disa Dekrete, që kane hy në histori si Dekretet e Beneshit (19 maj, 19 e 21 qershor, 3 shtator, 24 tetor të v.1945) që ligjëronin konfiskimin e pasurisë së gjermanëve e kryesorja shpërnguljen e gjermanëve nga territori çekosllovak (Dekretet mbështeteshin në vendimet e Fuqive të Mëdha dhe tek vendimi i Konferencës së Podzdamit).
Mbas kësaj Konference, ku u ligjërua “Transferimi rregullues i gjermanëve” drejt Gjermanisë, sipas një plani të hollësishëm, gjatë v.1946, nga Çekosllovakia janë larguar 2 milionë e 256 mijë gjermanë, dhe së bashku me 600 mijë që ishin larguar gjatë “shpërnguljes së egër” dhe 200 mijë që u larguan me vonë, numri i gjermanëve të shpërngulur, arriti në rreth 3 milionë vetë.

No comments: