Sunday, January 30, 2011

Ilva Tare: Tonight ose rikthimi te natyra e saj

Alfred Lela

Mëndafshi i këmishës që mban veshur dhe lëkura e saj kanë një të përbashkët me të dhe Televizionin: puthiten. I ka të kursyera ngjyrat që ka hedhur mbi vete: bluja e bluzës gërshetohet me një gri të çelët të pantallonave; buzëkuqi i trëndafiltë me vathët e vegjël të artë poshtë një kurore të vogël floknaje të kuqe. Ndoshta sepse e di që është ekrani ai që i ka ngjyrat me shumicë e ndaj ajo duhet të kursejë të sajat. Ndoshta sepse e di se i ftuari i saj i parë është një kombinim i ngjyrave të pakta tashmë: të gjitha i janë zbehur; fasada e pallateve të Tiranës, koloriti i teshave të dikurshme të ndërruara tash me klishenë e kostumit blu-a-gri të politikanit; aksioni politik i ngërthyer në mërzinë e kontrastit të së bardhës me të zezën. Krejt si dallimi mes demonstratës së dhunshme të 21 janarit dhe përshpirtjes civile të një jave më vonë. Megjithatë, duket se ata të dy ishin të prerë për natën e parë të njëri-tjetrit: ajo për rikthimin në Televizion dhe ai për rikthimin te politika normale. Kanë qenë mbrëmë në orën 21.00 në ekranin e Ora News në emisionin Tonight: Ilva Tare dhe Edi Rama.

Kur pyet një prej anëtarëve të stafit të Ora-s se pse ky emision; pse edhe një tjetër dreq emisioni për t’ia shtuar luzmës së deritashme në këtë qytet ku bisedat e kafeneve kthehen në debate televizive në mbrëmje, ai të thotë: është ndryshe. Te ndryshe, kjo ndajfolje diskrimnuese mënyre, janë mbërthyer të gjitha platformat e emisioneve televizive në ekranet e Tiranës. Prandaj të mbetet ta shmangësh këtë ndryshe dhe t’i hedhësh së pari një sy studios ku Ilva Tare do të ulet me të ftuarit çdo të premte e të martë për Tonight-in e saj. Është e madhe dhe e bardhë; në qendër ka konturet e një globi ku shtrihet bota me konturet e saj; mbi të një tryezë, që është në fakt një ekran; ngjitur me të profili i hajthëm i zonjës Tare do të qëndrojë më këmbë duke pyetur të ftuarin e ulur përballë. Në këtë kuptim, në organizimin e studios gjërat, në fakt, duken ndryshe.

Por, jo aq ndryshe sa për të të bërë të vetin. Fillimi i talk show-t të Tares i ngul gjilpërën e parë skepticizmit të amullt. Drejtuesja është sharp as a knife (e mprehtë si thikë) do të thoshin amerikanët. Sytë i ka te kamera; të fortë, kërkues, të palëvizshëm, a thua se po luan me të atë lojën e vjetër “kush i ul i pari”. Të tilla i ka edhe pyetjet, pa byk pauzash ndërmjet, me një ton dhe kënd nga i cili as mund të shtosh e as nuk mund të heqësh asgjë. Edhe pyetjet ndjekëse (follow up questions) i ka si goditje në brinjë, duke e trajtuar të ftuarin si kundërshtar në ring, të cilit ia merr për goditje poshtë brezit dredhitë ndaj pyetjeve të saj. E gjithë kjo, në kushte të tjera, do t’i shkaktonte të ftuarit acarime të njëpasnjëshme, por në ndërkohë ajo përkul kokën, zbeh timbrin duke “të arrestuar” me një koketëri së cilës nuk mund t’i ikësh aq lehtë.

Atëherë, po, Ilva Tare duhet të jetë ndryshe. Ndryshe jo në atë kuptimin se theksin e saj e ka përmbytur tonaliteti i anglishtes, të cilën e ka pasur gjuhë të parë gjatë katër viteve të fundit. As diploma e fortë nga London School of Economics; karriera e gjatë në televizione ku ajo ndërmjetësoi një lloj tjetër gazetarie; as përvoja me të ashtuquajturin CNN arab Al Jazeera-n; as në atë se ajo tani është beqare, pas një martese anglo-arabe deri diku të panafakë. Për ta rimarrë asosacionin me këmishën nga kreu i këtij profili, Ilva Tare dhe Televizioni puthiten. Dhe ky, me sa duket, është një rikthim i lëkurës te këmisha.

No comments: