Saturday, October 23, 2010

Sot numri 5500 i kombëtares “Bota sot”



Editoriali

Sot, më 23 tetor 2010, del numri i 5500-të i kombëtares "Bota sot", gazetës më të adhuruar të shqiptarëve. Ky është një Everest i ri, një kuotë e re, një lartësi e re në udhën e gjatë prej kur është nisur, një lartësi e re në rrugën e gjatë që e pret në misionin e saj të vështirë të së vërtetës, misioni më i shenjtë për një komb të lirë mes kombeve të lira, për një komb të qytetëruar mes kombeve të qytetëruara. Nuk ka shqiptar, kudo në Atdhe e në mbarë botën, nuk ka mik të shqiptarëve që të mos e ketë pasur në duar këtë gazetë dhe të mos ketë mbetur me mbresa të pashlyeshme prej saj.


Është gazeta që ka qëndruar në llogoren e parë të luftës për çlirimin kombëtar të Kosovës, përkrah dy viganëve çlirimtarë, Ibrahim Rugovës dhe Adem Jasharit. Përkrah tyre gazeta skënderbejane ka ditur ta nderojë stemën e Heroit Kombëtar Gjergj Kasrioti - Skënderbeu në logon e saj, ka ditur të luftojë për Atdheun e bashkuar e kombin e bashkuar, ka ditur të thellojë evropianitetin e saj dhe proamerikanizmin e saj, bashkë me shqiptarësinë më të kulluar. Duke mishëruar një ideal të tillë dhe duke luftuar për një ideal të tillë pa u ndalur kurrë, gazeta kombëtare "Bota sot" patjetër që do të krijonte miq të panumërt, adhurues të panumërt, të përkushtuar të panumërt ndaj fjalës së saj, besues të panumërt të fjalës së saj.



E tillë, ajo mbetet gazeta që e ka dërguar shikimin e saj më larg në të ardhmen më shumë se të gjitha mediet shqiptare së bashku, gazeta që ka dëshmuar vizionin më largpamës, gazeta që ka parashikuar të ardhmen dhe sfidat e saj larg shablloneve, larg skemave, larg rutinave, larg mediokriteteve dhe ua ka parashikuar e ua ka paralajmëruar shqiptarëve Shekullin e XXI si shekull të tyre, si shekull të fatit të mbarë të tyre, të lavdishëm sa Shekulli XV i tyre. Për të arritur tek ky numër i 5500-të, i cili është sot në duart e lexuesve të saj, gazetës "Bota sot" i është dashur të përballet me kundërshtarët e së vërtetës shqiptare, çka do të thotë se, krahas ditëve të mira, kjo gazetë do të përjetonte edhe ditë të vështira, krahas ditëve të ndritshme i është dashur të përjetonte edhe ditë të zymta.


Për idealin e së drejtës dhe të vërtetës kombëtare shqiptare ranë në altarin e lirisë autorët e shquar të gazetës kombëtare "Bota sot", heronjtë e Kosovës dhe të kombit shqiptar Enver Maloku, Xhemajl Mustafa, Bekim Kastrati e Bardhyl Ajeti, emra të shkruar me germa të arta në kujtesën e kombit. Gazeta kombëtare "Bota sot", duke qenë mishëruese e veprës së tyre liridashëse e atdhedashëse, ka ditur të çohet në këmbë pas çdo goditje sado të rëndë që ka pësuar, ka ditur ta marrë veten, duke u mbështetur gjithnjë, si Anteu te toka, tek lexuesit e saj, tek publiku i saj, tek njerëzit me idealet më të kulluara shqiptare. Gazeta kombëtare "Bota sot" është sot për të 5500-të herë në duart e lexuesve të saj, është në duart e atyre që nuk e kanë braktisur kurrë dhe nuk do ta braktisin kurrë.


Gazeta kombëtare "Bota sot" do të jetë edhe për të 5-miliontën herë në duart e lexuesve të saj, duke u bërë ndër gazetat më jetëgjata e më emërmëdha jo vetëm në historinë e medieve shqiptare. Garancia më e fortë për këtë është besnikëria e treguar ndaj saj nga lexuesi, është besnikëria e saj ndaj lexuesit. Prandaj ky numër i 5500-të është thirrja e 55000-të që gazeta kombëtare "Bota sot" ua bën të gjithë lexuesve të saj të tashëm e të dikurshëm, me të cilët është rritur, ka mbijetuar, ka triumfuar e do të triumfojë, të rrinë gjithnjë tek "Bota sot", ndërsa të tjerët të kthehen për gjithnjë tek "Bota sot", e cila kurrë nuk do t'i zhgënjejë, gjithnjë do ta meritojë besnikërinë e tyre, adhurimin e tyre, bashkë me lexues të rinj, të cilët kombëtarja "Bota sot" i pret gjithnjë me krahët hapur.

No comments: