Tuesday, October 19, 2010

Prapaskenat e rikthimit në politikë të Fatos Nanos


Elisabeta Dosku

Ja se çfarë synon të bëjë ish-kryeministri pas takimit me Ilir Metën

Mes ngurrimit dhe morisë së kërkesave, ish-kreu i Partisë Socialiste, Fatos Nano, tani ka marrë një vendim: Të rikthehet bindshëm në politikën aktive. Edhe pse vetë Nano deklaron se ai kurrë nuk është tërhequr nga politika. Pas lajmit të publikuar në “Tirana Observer” për një bisedë telefonike mes Ilir Metës dhe Fatos Nanos, këta dy të fundit, kanë pasur para dy ditësh edhe një takim që ka zgjatur plot 7 orë.
Plani i Nanos
Duke qenë se takimi ka qenë vetëm mes Nanos dhe Metës, “Tirana Observer” ka kontaktuar me një numër të madh personazhesh pranë ish-kreut të PS-së, për planin e ish-it të tyre. Një rikthim, që këtë herë nuk u ngjan atyre që ai ka bërë më parë. Janë të tjera kushte, janë të tjera rrethana dhe më së shumti është në tjetër moshë dhe me të tjera ambicie. Megjithatë një gjë është e sigurtë, Nano do ta thotë fjalën e tij shumë shpejt.
84 votat në Parlament
Burimet pranë ish-kryeministrit thonë për “Tirana Observer” se gjatë takimit 7-orësh mes dy ish-kryeministrave socialistë, në qendër të bisedës kanë qenë çështjet kryesore të politikës së ditës në Shqipëri, ku ngjarja më kryesore është padyshim votimi i Gjykatës Administrative dhe reforma zgjedhore. Gjatë bisedës telefonike, kanë folur për mundësimin e krijimit të 84 votave në Parlament për të kaluar ligjin për Gjykatën Administrative, por edhe të ligjeve të tjera që kërkojnë një shumicë të cilësuar. Gjatë bisedës ata i janë rikthyer disa herë votimit të Gjykatës Administrative, ku si Meta ashtu edhe Nano kanë rënë dakord që votimi për këtë gjykatë është një kërkesë e aleatit tonë SHBA, dhe se duhet bërë gjithçka për miratimin e këtij ligji. Sipas burimeve pranë ish-kryeministrit, Nano do të synojë të bindë deputetë të PS-së që ta votojnë këtë ligj. Por, duke parë konfigurimin e grupit parlamentar socialist, Nano e ka shumë të vështirë që të gjejë më shumë se 10 deputetë përkrah tij. Pasi Edi Rama “e pastroi” që më 28 qershor grupin parlamentar nga mbështetësit e Nanos, dhe ata që mbetën, tashmë janë bërë njerëz të besuar të Edi Ramës, dhe vetëm tre deputetë kanë mbetur mbështetës të Nanos. Pra, ky numër prej deputetësh, nuk është numri magjik për të kaluar ligjet në Parlament.
Riaktivizimi i LMN-së
Ndërkohë të njëjtët bashkëpunëtorë të Nanos thonë se ky i fundit do të synojë të riaktivizojë grupin e Lëvizjes për Mendim Ndryshe në PS. Por edhe ky grup nuk është më aq i bashkuar sa më parë. Pasi dy nga deputetët e këtij grupi kanë pranuar ofertat e Ramës për të qenë kontribuues kryesor në organizimin e PS-së për zgjedhjet vendore.
Surprizat
Pas takimit ish-kreu i PS-së, Fatos Nano ka deklaruar se “shumë shpejt do të kemi surpriza në politikë”, duke nënkuptuar një konfigurim të ri të grupeve të deputetëve në Kuvend dhe kalimet e tyre nga opozita në mazhorancë. Nano nuk ka lënë pa komentuar edhe lajmin për martesën e Edi Ramës. “Unë dhe zoti Meta, jemi të martuar dhe ju e kuptoni që për cilën dasmë e kam fjalën”, tha me ironi ish-kreu i PS-së. Të dy politikanët më pas janë larguar së bashku në të njëjtën makinë, që drejtohej nga Nano, ku ky i fundit ka thënë sërish me ironi që “Prisni surpriza! Sot unë jam shofer i zotit Meta”. Ndoshta Nano mund të jetë “shofer” i Metës edhe në rrugën e re politike. Nano e ka theksuar disa herë që nga ai duhet të presim surpriza. Dhe në fakt ai ka treguar që lëvizjet e tij kanë qenë vërtet surprizuese. Dhe surprizat e Nanos nuk po i pret vetëm Partia Socialiste, por edhe kampi i mazhorancës....

Rikthimet e Nanos
Por çdo kush që ka ndjekur lëvizjet politike të Nanos, sidomos rikthimet e tij, mund të habitet me këtë rikthim të moderuar të tij. Pasi ish-kryeministri të gjitha rikthimet e tij në politikë i ka bërë mes zhurmës dhe bujës mediatike. Sa herë që Nano është larguar partia, por edhe nga qeveria, kur ishte kryeministër, ai është rikthyer me po të njëjtën model lëvizje: Shprehje publike në media e pakënaqësisë ndaj lidershipit, akuza për kopjim të modelit Berisha në drejtimin e punëve, nisje e një turi në bazën e partisë, grumbullimi i pakënaqësisë në grupin parlamentar dhe strukturat e partisë dhe së fundi vënia para kushtit: ose unë i pari, ose të gjithë të humbur.
Rikthimi i parë
Fatos Nano u largua në shtator të vitit 1998, pas trazirave që mbërthyen vendin pas vrasjes së deputetit demokrat Azem Hajdari dhe u rikthye në drejtimin e partisë pas një viti ku mundi në kongres me rezultat të ngushtë, kryeministrin e atëhershëm Pandeli Majko. Në shtator të 2001, Nano nisi një lëvizje të pagëzuar me emrin “katarsis”, lëvizje që solli rrëzimin e kryeministrit Meta, rikthimin në krye të qeverisë, por vetëm për disa muaj të Pandeli Majkos, dhe në fund lëvizja u kurorëzua me kthimin e Fatos Nanos si kryeministër.
Rikthimet e tjera
Dy kthimet e para, Nano i ka bërë kur Partia Socialiste ishte në pushtet. Tani PS-ja, ndodhet në opozitë, por në opozitë me udhëheqjen e saj është edhe ish-kryetari, për të cilin koha ka dëshmuar se është më aktiv kur nuk ka pushtet. Që nga 2005 e deri tani, Fatos Nano e ka bërë më se të qartë se ai dhe Edi Rama nuk mund të bashkëjetojnë në çatinë e selisë rozë. Që nga viti i largët i 2005-ës, sulmet e Nanos ndaj Edi Ramës kanë qenë të njëjta. Por edhe Edi Rama ia ka kthyer me të njëjtën monedhë, duke bërë që dy miqtë e vjetër të kthehen në armiq të përbetuar. Armiqësia e tyre kulmoi në zgjedhjen e Presidentit në vitin 2007, ku PS e la në baltë ish-kryeministrin në rrugën e tij drejt Pallatit të Brigadave. Por armiqësia së tyre, ka arritur kulmin, kur Edi Rama përjashtoi nga lista e deputetëve Fatos Nanon më 28 qershor 2009.

Nano-Meta, 20 vite mes miqësisë dhe kundërshtive

Ishte miqësia më e gjatë në politikën shqiptare. Që nga viti 1990 e deri në vitin 2001, Fatos Nano dhe Ilir Meta cilësoheshin si dyshja më e suksesshme në skenën politike. Kishin arritur të fiton zgjedhjet në 1997-n dhe përsëritën të njëjtën fitore në vitin 2000. Por interesat e dy liderëve të PS-së nuk ishin të njëjta. Nano i kish kthyer në rutinë largimet dhe kthimet e tij nga politika. Ndërkohë që ylli politik i Metës ishte në kuotën më të lartë gjatë viteve 1999-2000. Ishte kryeministri më i ri në Evropë dhe cilësohej si një nga më të suksesshmit në Shqipëri. Ndërsa Nano ishte tërhequr për një farë kohe, duke u mjaftuar me postin e kryetarit të parisë. Por skena idilike nuk zgjati shumë. Nano nuk mund të qëndronte shumë në hije. Në një miting të organizuar në Pezë, ish-kryeministri nisi sulmin frontal ndaj qeverisë “Meta”. Pas kësaj, në partinë më të madhe të vendit do të shpërthenin mëritë e grumbulluara mes Nanos dhe Metës. Nano e akuzon Metën për korrupsion dhe shpërdorim të pushtetit. Ndërkohë Meta nën kostumin e kryeministrit i përgjigjej në mënyrë më të moderuar. Për të gjithë përplasja mes Nanos dhe Metës është cilësuar si “dueli i dy elefantëve” në politikë. Por tani Nano dhe Meta duket se i janë rikthyer sërish miqësisë së dikurshme duke bashkëpunuar më njëri-tjetrin.

Historia e përplasjeve mes Nanos dhe Metës

Kjo luftë nervash mes Nanos dhe Metës bën që më 31 janar 2001, Ilir Meta të jepte dorëheqjen nga qeveria. Në deklaratën e shkurtër që do të bënte për mediat, Meta thotë se, “qeveria ka qenë nën një agresion sulmesh shpifjesh dhe qëndrimesh të papërgjegjshme dhe të pamoralshme të Fatos Nanos”. Por ky nuk ishte fundi. Nano merr drejtimin e qeverisë dhe e bën Ilir Metën zëvendëskryeministër. Por plaga e hapur mes tyre nuk u mbyll. Meta së bashku me mbështetësit e tij do ta vendoste shpesh herë në pozitë të vështirë qeverinë “Nano”. Ndërkohë që Nano nuk i la asnjë herë hapësirën e duhur zëvendëskryeministrit. Dhe, i gjithë debati mbyllet në kongresin e dhjetorit të vitit 2003. Fatos Nano rizgjidhet kryetar i Partisë Socialiste, Ilir Meta nuk hyn në Këshillin e Përgjithshëm Drejtues dhe bashkë me mbështetësit e tij largohet nga forumet drejtuese dhe mbështetësit e tij. Atëherë, Meta krijon partinë e re, e para që doli nga çarja e PS-së, Lëvizja Socialiste për Integrim. Kjo do të ishte dhe çarja më e madhe e PS-së gjatë gjithë historisë së saj./TiranaObserver/

No comments: